Donnerstag, 25. September 2014

Hasan Qyqalla - Ora e vargut

 
ORA E VARGUT
-poetit Sh. Cakolli-

1.
Bleron mbrëmjet e vona
moteve të përthara...

mrizon hijeve të vargut
pas vapës që djegën shpirtin e poetit
në katin numër shtatë të metropolit
mes dritave t’ylberta të neonit...

Në shishe ruan një dozë pluhur
të çatisë së vjetër
një copë djathë Dhie
një copë bukë oxhaku
(prej Nënes)
një fije bari të oborrit
(testament prej Babës)
në palë të Flamurit
brumos vargjet prej gurit
në sofrën poetike...!
 
2.
Sonte le të pëlcasin dejt e gjakut
le të blerojnë shkronjat e vargut
t’i bëjnë Hije shpirtit të Poetit
Honit të morgut...!
 
3.
Miqtë nuk ndahen pa përshëndetje (vargu), o Mik
apo nxitove të prehesh
në mëndafshin e reve të bardha
në oazën e vargjeve
të “ORËS SË MADHE LETRARE”...!

... mos Poet!
mos thuaj se ike pa u parë
mos thuaj “s’do shihemi më kurrë!”
vargjet tuaja derdhen valë valë
si lotët për Ty gurrë gurrë...!
 
4.
Kush do të ligjërojë sonte në “Promenadë...”
plumbat e Zahirit* shkruajnë epope
frengjitë e Kullës i lamë hapë
pas perdeve të Dheut prehet një Korife!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen