Mittwoch, 30. März 2016

Viktoria Xhako dhe vëllimi poetik "Bukë e hidhur"

Shkruan Agim Bajrami
    
      Ekziston një sentencë e njohur në botën e prodhuesve të verërave që thotë se sa më e vjetër të jetë vera, aq më e shijshme dhe cilësore është. Ndofta kjo nuk mund të ketë vlerë në fusha të tjera, por tek lexoja këto ditë librin e radhës me poezi të Viktoria Xhakos “Bukë e hidhur”, ai përcaktimi i verërave m’u duk i përshtatshëm edhe për të.
      Sa më me përvojë të jetë krijuesi, sa më të vështirë dhe me pengesa ta ketë udhën e tij të rritjes, aq më e pjekur dhe aromatike do të jetë buka poetike që pjek ai dhe ua servir të tjerëve. Në këtë konteks “Buka e hidhur” e Vitorisë më tepër se figurë dhe metaforë poetike është në vetvete një fotografi shumëdimensionale dhe shumëplanëshe e një kënge të plagosur, që në kontaktin e saj me syrin dhe veshët e sëmurë të një kohe reale, shndërrohet në pasqyrë për të njohur vetveten: një brez anemik dhe i paformë që vështron dhelpërisht nën ombrellat e një pseudomorali apo morali të sëmurë, buka e hidhur s’është gjë tjetër veçse ai ushqim që ne e konsumojmë përditë për të vegjetuar, dhe ende s’e kemi kuptuar që në këtë mënyrë ne jemi helmuar dhe jemi bërë edhe vetë në një farë mënyrë një copë bukë e hidhur. Duke lexuar një pas një copëzat poetike dhe psherëtimat e kësaj autoreje më kujtohet një tregim i Dino Buzzatit kur thotë alegorikisht se: Që kur është ndaluar poezia, sigurisht jeta është bërë mjaft më e thjeshtë tek ne. Nuk është më zemërdhembshuria ndaj kujtimeve të shkuara, as ato rrëmbimet e befta të shpirtit përballë ngacmimeve nga jashtë e brenda. Në një vështrim më të thellë analitik vërejmë se poezitë e kësaj autoreje ngjajnë me fragmente editorialesh të shkruara në ditë dhe data të caktuara. Janë ditë dhe data në të cilat për syrin e mprehtë të autores kanë ndodhur ngjarje dhe episode të çuditshmë që s’mund të kalonin pa u nënvizuar.
      Janë momente ku vitet fytyrëeshkë të jetës dërrmuar ikin varg e varg e s’e kthejnë kokën pas si ca kalimtarë të pështirë e zvarranikë, momente kur autorja zbret në kopësht në një natë me hënë për të prekur një qoshk dashurie harruar në kujtime, janë momente kur vendos zemrën në gishtërinjtë e saj të dobët për t’ia shthurur globit ca paralele dhe meridiane. Në një kohë kur shtypi dhe mediat pasqyrojnë gjer në detaj tatuazhet dhe format e buzëve të lloj-lloj këngëtareve, sportisteve dhe politikane, a nuk ka të drejtë poetesha jonë t’i bëjë një sintezë artistike viteve të jetës dhe kohës së saj? Natyrisht që po,dhe kur këto sinteza marrin peshë dhe vlera përgjithësuese, aq më mirë.
      Që në krye duhet thënë se kjo lloj poezie që priret nga autenticiteti i mendimit dhe shprehjes, armë të saj kryesore ka figurshmërinë dhe pasqyrimin e gjendjeve të tendosura dhe dramatike të botës, gjendje në të cilat trupi dhe shpirti fillojnë t’i shërbejnë njëri-tjetrit; i pari me gjeste lëvizore, tjetri me frymë. Transkriptimi i gjuhës së tyre dhe hedhja poetikisht në letër, është akti i fundit i autores Xhako.
      Duke u marrë më shumë me gjurmët që lënë pasojat në jetën e brishtë të një gruaje, poezia e saj vetvetiu analizën sintetike të gjërave e ka pasur që në vëllimet e kaluara si një mjet të fuqishëm stilistikor, por në këtë vëllim e ka kthyer në qëllim në vetvete.
      Në katër vargje të poezisë “Poezia ime” grafika e lëvizjeve intensive është e bashkëshoqëruar dhe në praninë e përkohshme të lojës së dritës dhe të hijes. Sa ikën njëra, hyn tjetra, ndonëse zëri i autores vazhdon të flasë me pjesët e padukshme të sendeve me të njëjtat oktava.

      Ti nuk erdhe natyrshëm si çdo krye
      Pas një akti dashurie e ngjizje normale
      Ti erdhe gjëmimtare me rrebeshe, ciklone
      M’u ngule në shpirt kurrë për t’u dalë.

      Në këto vargje e në shumë të tjerë të kësaj autoreje vihet re prania e heshtur e heroit lirik, që shoqërohet me një shumësi kujtimesh e vegimesh shumëdimensionale. Poetja ka nevojë të flasë me to, të bëjë analiza, përgjithësime dhe pse jo edhe të mbështetet në to, si një akt domethënës rilindje.
      Poezia tek Vitoria aq sa shërben si status shpirtëror, aq edhe si një shprehje ekzistencialiste e saj përballë një bote në ndryshim e sipër. Me një tërësi elementesh natyrore, tokësore dhe kozmogonike kjo lloj shpërbërje sintetizon në vetvete edhe një lloj trysnie mbi gjithçka të bukur dhe me vlerë që i ka mbetur akoma:

      Shallin diellor ma dogjën rrezet e veta
      Në copëza ma kthyen të tërin
      Dhe ato u tretën, m’i mori era
      Me duart e ftohta, pa ngjyrë.

      Ikja nga rrëmuja, rrëmeti, kërkimi i hapësirave të kaltra, të qeta e plot yje, të gjalla, janë tipare të një poeteshe në lëvizje e sipër, një poeteshe që nuk e duron dot vegjetimin dhe qëndrimin në një vend.
      Iki, iki, iki..nga kush vallë? Përgjigja është e qartë: nga një kohë vrastare, nga dhimbjet e mallit, nga mungesat e shumta, nga hapat e dhimbjes e shumë të tjera.
      Sa herë që autorja nis e replikon me paradokset dhe zhgënjimet e saj lexuesit i krijohet ndjesia e ndeshjes së dy diejve. Diellit fytyrëzbehtë të një dashurie të paplotësuar rutinë me një lloj dielli tjetër që fle brenda gjoksit të saj, që i ka të gjitha me vete: blerimin, ngrohtësinë dhe shpresat e nesërme. Duket qartë se simpatia e sinqertë e autores shkon ndaj këtij të fundit. Kjo është evidente në shumë poezi nga të cilat mund të përmendim: “Letër mesnate”, “Avlëmendi i ndryshkur”, “Çast pa emër dhe urë”, “Gabova përsëri”, “Më dhemb Tirana”, “Për një përqafim” etj. Në të gjitha këto poezi mesazhi poetik që buron drejtpërdrejt në disa raste është aq i shqetësuar dhe me peshë sa arrin të të krijojë një gjendje të pezullt. Kjo do të thotë se poezia ia ka dalë të bëhet zëdhënëse dhe pasqyruese e shqetësimit intelektual të autores apo rrethit të gjerë të çështjeve të saj. Vitoria Xhako bën pjesë në radhën e gjerë të një sërë autoresh femra që po luftojnë për ta ngritur kultin grua sa më lart të jetë e mundur.
      E ardhur nga një botë e lirë me më pak komplekse se kjo e jona, nga vendi i Xhokondës, Maria Madalenës, Virna Lizit, Sofia Lorenit dhe Ana Falaçit vargjet dhe prania e saj që në kontaktin e parë emetojnë liri dhe krenari perëndimore. Gruaja në versionin HD të këtij libri ka një tejdukshmëri të tillë shpirtërore sa mund të të krijohet përshtypja se është e ndërtuar prej grimcash ajri. Ja se si e portretizon ajo vetveten në poezinë e goditur “Vitet e mia”:

      Strukur mbaj në çantën futur në krah
      Që po më këputet, fryt i kalbur
      Peshën e rëndë të viteve të mia
      Të flakja desha në netët e hirta
      Një skutë pa dritë kërkova diku
      Me qelqet e syve plasur nga kripësia
      Shikimi i butë, qielli i paanë
      Unë dihas nga lumturia.

      Qoftë edhe në këto dy-tre vargjet e fundit të kësaj poezie, krahas shumëformësisë së gjendjeve në të cilën e vizaton veten e saj autorja në kohë dhe hapësirë, ne bëhemi edhe dëshmitarë të përthyerjeve shpirtërore të qenies grua përballë ambientit maskilist. Për ta bërë sa më konkret dhe lëvizor imazhin e saj fjala grua  e Vitoria Xhakos vishet vazhdimisht me një metaforë të barasvlefshme me fjalën  jetë ose me aksesorët që i shërbejnë asaj si dritë, diell, frut, qiell, lumturi etj. Operimi për një kohë të gjatë me këta elementë jo vetëm që e kanë bërë më konkrete poezinë me idilin Xhako, por edhe më autoktone njëherësh. Të udhëtosh me poezinë e Vitoria Xhakos është kënaqësi por edhe emocion njëherësh. Është kënaqësi sepse ajo di të të veshë me kostumin e saj aq të bukur e të ndritshëm prej ndjesish shpirtërore dhe emocion sepse jo kushdo ka fatin dhe aftësinë të rrekë ndryshueshmërinë dhe pamjet në ajër të sendeve që përbëjnë botën e një gruaje ndryshe nga të tjerat. Një grua që edhe kur hesht, edhe kur flet duket se mbjell paqe dhe mirësi.

Për Revistën AlbPlanet: Kujtim Stojku

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen