Montag, 16. Mai 2016

Lëshoma hisen e diellit

Teatër

E shikova një shfaqje teatri.  Dhe për një mbrëmje kishim nevojë ta lëmë teatrin e politikës, të turbo-folklorit, e të pseudo-arteve. Një ditë të vetme, të flasim për një shfaqje teatri. Për artin e mirëfilltë. Të shikojmë një shfaqje ku autor, kush tjetër veç Adem Istrefi, e që rastisi (jo rastësisht) që në 60 përvjetorin e ikjes nga Deçani, ai të kthehet në vendlindje me dramën “Lëshoma hisen e diellit” në sallën e Shtëpisë se Kulturës “Jusuf Gërvalla në Deçan. 

Shfaqja që pashë është punuar nga regjisori Nimon Muçaj dhe Behar Zenelaj, që për shijet e mia, dhe gjithë atyre që e shikuan në sallën e mbushur, kjo është një shfaqje mjaft e mirë. Kishin ndërtuar një shfaqje dramatike me të gjitha mjetet regjisoriale që dispononin, që nga  figurat e aktorëve si bartës kryesor, me aftësitë e tyre të veçanta për t’ua transmetuar spektatorëve gjithë ngjarjen me një ritmike në intensitetin duke e mbajtur  tensionin e duhur dramatik e deri në fund. Prandaj, munda të vë re që publiku në përgjithësi e kapi porosinë regjisoriale dhe e përjetoj ngjarjen.

Gjithsesi, komplimenti shkon për aktorët; Sylejman Lokaj, Rrustem Latifaj, Muradie Muriqi, Halil Tetaj, Avdullah Gjikokaj, Vlera Lokaj, Rexhep Mushkolaj, Behar Zenelaj dhe Nimon Muçaj. Këta aktorë, të gjithë të pranishëm në skenë flasin, marrin pjesë aktivisht në shfaqje dhe veprojnë e flasin edhe kur nuk kanë tekst për të thënë por japin realizime të bukura skenike. Tjetra, m’u duk zgjidhje e zgjuar një skenografi më elemente funksionale si të lisit, zgjedhës, qerres  që i dha shije duke i dhënë shenjë frymës se kohës. Kostumet (Muradije Muriqi) dhe elementët e tjerë të skenografisë (me përjashtim të dritave herë-herë shumë të errëta-ndoshta simbolikë për kohën), rrinin në ekuilibër të mirë. E pëlqyer ishte edhe muzika e zgjedhur nga opusi i Jan Kukuzelit.

Teatri është një pasqyre e gjallë ku publiku mund të shohë kohën e deformuar nëpër periudha historike. Andaj pasqyre ku shikohet se si shqiptari thërret “Lëshoma hisen e diellit”, është koha kur shteti serb dhe ai malazez, pushtuan tokat shqiptare. Ishte koha, simbolikisht kur grabitqaret  me gjithë pushtimin e tokave (reforma agrare), ata i pengonte populli shqiptar që ishte autokton dhe nuk asimilohej dhe zhdukej aq lehtë. Ata përveç dhunës sistematike, vrasjeve, masakrave dhe burgosjeve kolektive, në bashkëpunim me kishën ortodokse përgatiten planin për ndryshimin e strukturës se popullit në Kosovë. Projekti i tyre esencialisht ishte formuar në bashkëpunim me akademik dhe një metodë e kishte ndërrimin e feve nga muslima apo katolik shqiptar në ortodoks serb e malazezë. Pastaj metodë tjetër asimilimi ishte edhe martesat e dhunshme duke i martuar vajzat shqiptare për malazez, kurse shqiptarëve t´u afronin malazeze. Këtyre metodave asimiluese u kundërvihen dy luftëtaret e çështjes shqiptare, Idriz Beka dhe Isuf Xhema, si dy personazhet kyçe të ngjarjes- të dramës, të cilët përkundër torturave dhe dhunës, qëndrojnë stoikisht. Këta dy personazhe, në dramë simbolizojnë qëndresën e gjithë popullit në një kohë të rëndë.

Në fund pashë se pas shfaqje kishte mjaft duartrokitje, fishkëllima të pa pëlqyera nga ana ime (sado që ishin për personazhet negative), dhe më rastisi të shohë në sallë vizitor që për herë të parë ishin në një shfaqje teatrale, edhpse në moshë. 
Duhet falënderuar edhe kryetarin Rasim Selmanaj (apo kushdo qoftë) që na mundësoj ta shikojmë shfaqjen drejtpërsëdrejti.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen