Sonntag, 15. Mai 2016

Viktoria Xhako - Cikël Poetik



AJO LETËR QË NUK ERDHI KURRË....

Gjithë malli i botës u mblodh për atë pritje,
Horizontet u thyen nga pesha e saj,
Furtuna retë shpërndau me tërsëllimë,
Për t’ia fshirë lotët rrugës së bardhë.

Por malli nga sytë rrëzoi pikëllim,       
Horizontet trupin drejtuan ngadalë,
Furtuna më tej eci, e vrarë, e mundur,
Prej pritjes kaq të gjatë, kaq të gjatë...

... Për atë letër që nuk erdhi kurrë...


DIALOG 

Personazhi i parë: AI

Të të harroj s’do mundem kurrë,
Të kam ndjekur pas në shekuj,
Bëhu rrobë për trupin tim,
Ta vesh, të të ndiej mbi zemër.

Personazhi i dytë: AJO

Zemra kur t’më heshtë një ditë,
Sytë ngultas do mbaj tek ti,
Dorën vërma përmbi ballë,
Mos e zbrit, lëre aty.


E BARDHË

Më thirre?
Do të vij!
Përtej – jeta, s‘është larg.
Fluturojnë, të marrosura,
Jelet e mendimeve
Të bardha!

Më thirre?
Po vij!
Të thara, të plasaritura buzët,
Puthin fjalë
Të bardha!

Më thirre?
Erdha!
Natën shqyen vrapi,
 Mbi trokun e zemrës,
Dhe sjell Agime
Të bardha!
Jam!
Mallit të ciklontë mbështjellë,
Ndezur dritat
Të bardha, të bardha, të bardha!
Më shih!


NË STUDION E SHPIRTIT TËND

Dora jote ngjyrat e jetës hedh në fletë,
Të zymta... të bardha...
Trishtuese... ëndërruese...
Çdo çast, çdo ditë.
Ngrohtësi e shpirtit tënd,
Gjallëron shpirtrat e etur për jetë.

Ti je diku,
Mes zhurmës,
Qetësisë,
Luftës,
Paqes,
Ëndrrës dhe zgjimit.

Unë jam këtu,
Ndryrë në studion e shpirtit tënd.
Ledhatoj ngjyrat me dorë të dridhur,
Ja, gri –ja,
E bardha,
E kaltra qiellore.

Më tej blu –ja,
E kuqja...
Shiu i lotëve më vesh sytë.

Ti je diku,
E unë këtu,
Në studion pa mure të shpirtit tënd.

Jo se nuk mundem të harroj,
Po nuk dua.
Le të ecë koha.

Dielli pa ty nuk di të buzëqeshë.
Hëna pa ty zbehet, zbehet.
Nata errësohet, errësohet.

Nuk dua të harroj,
Jo se nuk mundem!!!

Nuk vrapoj ta hap atë zarf.
Ti je aty. E di! E di!     
As atë letër ta lexoj, nuk vrapoj.
Ti je Ajër, Dritë, Diell, Dashuri!

Prandaj unë të shoh në errësirë.

Fryma jote e dridhshme,
Shkrin akullin e ngrirë mbi derën time.

Dhe unë,
Ndryrë, në studion pa mure të shpirtit tënd.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen