Dienstag, 9. Mai 2017

Prend Buzhala:FJALIMI I FAN S. NOLIT MBI "PESË ANARKITË E SHQIPTARËVE" NË PARLAMENTIN SHQIPTAR

V.1924.
(Si shkrim më vete, mban titullin “Shakaxhiu i përparimit dhe pesë anarkitë”)

Në vendin tonë mbretëron konfuzioni i pesë anarkive.
1-Anarkia fetare: Katër fe të ndryshme që nuk kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan.
2-Anarkia sociale: Këtu ska as klasë bejlerësh , as klasë bujqish, as klasë burzhuazie(borgjezi)
Këtu bujku është më bej se beu dhe beu më bujk se bujku. Kemi një shembull të bukur për partinë popullore, e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve nga oxhakët më të vjetër, kurse antarët e saj lëvdohen se kanë shpëtuar prej bejlerëve.
3-Anarkia morale: Këtu qeni nuk e njeh të zonë,këtu karakteret dobësohen,qullosen e nderojnë formë e ngjyrë dita më ditë si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi, këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për gjithcka.
4-Anarkia patriotike : Këtu brenda një dite si me magji tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kapardisen si patriotë të mëdhenjë ata që kanë luftuar për harfet dhe për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme ose ata që janë puthur me andartët e i kanë ndihmuar të shenjtërojnë anë e mbanë Torskërinë. Këtu , si më thoshte një mik, është më mirë që njeriu të jetë tradhëtor e të shikojë interesat e tijë, sepse kështu do të jetë i sigurtë që të nesërmen do të prokllamohet patriot i madh.
5-Anarkia e idealeve: Këtu idealet e shtrembëra, të errëta e të mumifikuara të Fanarit e të Buharës përfyten e përleshen në një luftë për jetë a vdekje me idealet më të gjalla më elegante e më të ndëritshme të Perëndimit. Na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Po për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushet që mund t'i copëtosh, por jo t'i shqitesh nga trupi, që kafshojnë dhe thëthijnë. Herodi tregon se në betejën navale të Salaminës, një athinas kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s'e lëshonte, gjersa ja prenë; atëherë e kapi me dorën e mëngjër, ja prenë dhe këtë, atëherë e kapi më dhëmbë e s'e lëshoi gjersa ia prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodi ,do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë antike. Që t'i çqitesh këta tanët nga kolltuku duhet të preç jo vetëm duart e kokën, po dhe këmbët e trupin.

(Fund)


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen