Montag, 22. Mai 2017

Sinan Kërpaçi: Cikël Poetik

MË DUHET TË LUTEM

Për t`u magjepsur me diellin në vendlindje
më duhet t`i lutem Malit të Gjerë:
ma lësho të ndrijë ku shkel këmbëzbathur,
të lahem si më bëri nëna te Guri i Gjatë,
majë shkëmbit të kulloj i lagur.
Për të vazhduar magjinë nga perëndimi
më duhet në mbrëmje t`i lutem majës së Lucës:
mbaje edhe ca të ndezur atë zjarr me dru lisi.
Sa i shkarkova të thata nga samari i mushkës,
t`i djeg në Vatrën e Babait.

DHUROVA
Të dashurës i dhurova shumë libra,
fillimisht libra se ç`është dashuria
dhe si e madhërishmja lind,
libra si të kurohemi gjatë
nga plagët e thella të dashurisë,
dhe në fund gjashtëqind poezitë e mia
me këtë autograf:
“Asaj që më mbajti lart!”
Si i lashë në dorë thesarin m`u përgjigj:
tani ik se unë po rri me të shkruarën tënde
që ma “nxiu” jetën dyzet vjet!
Gati gjysmë shekulli, e dashur, duke dëgjuar
një që flet me vete, një si unë…
Dhe jo vetëm në gjumë!
Te shpirtëroret autografin s`e shkrova me bojë,
torra hënën dhe mblodha në një bosht filigran
derisa e qëndisa me të artë:
“Asaj që më mbajti lart!”
Mars 2017

LËVIZJE
Ti lëvize perden e rëndë
dhe unë pashë detin
pa harruar shtratin pas.
Mua m`u dha më shumë
dhe të ftova për not “pash”
njëherësh në dy dete.
Aq u desh,
sa ti lëvize perde.
Shkurt 2017
PËRKUJTIMORE
Kur shkrova vargun “Dora e nënës torri hollë”
isha 17 vjeç ose diçka më shumë a më pak
nga dita që ti u bëre nuse
dhe u martove me tim atë – Mehmetin çoban.
Kur shkrova për tiktakun e orës tënde mbi shtrat
“Mat kohën kur dal dhe kthehem unë”
desha të thosha: nënë, nuk iki larg,
deri në oborr dhe mbaroj punë.
Kur shkrova për xhepin sekret në fanellën time
“Që është atje vetëm dy veta e dinë – unë dhe nëna”
isha në Himalaja duke udhëtuar mbi Kinë:
më mungonte toka të mbështetesha tek ti
për të humbur në ëndrra.
Kur shkrova “Pse urrej unë, o nënë, dhe s`jam modeli yt?!”
sa e kisha marrë nga partia një post të madh
dhe njerëzit mbanin radhën përditë
duke kaluar më parë nga sekseri im.
Kur t`i vijë koha vargut “Sot nëna ime vdiq…”
nuk do të jem më në këtë jetë dhe këto fjalë
s`kanë për t`u shkruar kurrë nga një jetim.
Janar 2017

NDËRTIME QË MBETEN
Vargut tim urë do t`ia shtoj harqet
të kalosh ti sa më triumfuese
në qytetin e madh.
Në të dalë të urës
ta kthesh edhe një herë kokën pas
pa mëdyshje të gjatë.
Tek ai vështrimi yt të jap shpirt
kur shumë gjatë të mbështetem
vetëm ti të jesh e bindur
se jam në stilin
e të famshmit arkitektit Sinan
dhe bëj ndërtime që mbeten.
Janar 2017
DO TA KËRKOJ ATDHEUN
Në 25 vjeç isha gjeneral,
tani – “Polic i Rolit Bazë”
në dy kohë e në dy burgje
në atdheun që s`e kam
dhe më vjen si mungesë,
si mungesë në kohë burgjesh.
Të prekshëm, natyral do ta kërkoj,
në ëndërr balta si “mjalta”
do mbajë emrin e tij
kur të shkërmoqet dhe të më bjerë
e lehtë mbi arkivol
me një “Ah!” si psherëtimë
në dy kohë e në dy burgje.
Shkurt 2017

ME KOSTUM NOTI
Afër detit e shfaq më shumë tundimin me blunë
të mendoj unë se më ëndërron me kostum noti.
Sa vjen dita dhe ikën në male vesh tjetër kostum,
më e pranueshme bëhet dëbora në veshje dimri.
Do pres në breg me durim të ngrihen temperaturat,
do pres të shpërthejë bujshëm prilli,
që malet e ngarkuar rëndë ta shkrijnë dëborën,
të ikë prej tyre njëherë e mirë i ftohti
dhe ujërat rrjedhëse të bashkohen po me atë blu,
të takojnë pa tjetër ndarje mua ku më le:
në bregun e nxehtë të pritjes me kostum noti.
Shkurt 2017
E NJËJTA ARITMETIKË
Për të numëruar ditët e nënës që iku
edhe sot përdora aritmetikën e saj
të thjeshtë:
numërova me gishta deri në dyzet,
dhe kështu do të vazhdoj përditë
me të njëjtën aritmetikë.

Edhe firmën po kështu do ta hedh,
si nëna,
me gisht,
kur të bëj Kryefamiljarin pasardhës
në ditët që do vijnë.

Nëna ime nuk mbajti kurrë në dorë
laps dhe penë për të shkruar
siç bën gjithë bota,
nëna ime mbajti në dorë pesë shtiza
dhe thuri gjithë jetën për ne
veshje të ngrohta.

12. 2. 2017 (E shkruar te varri i nënës)

BUKURI TË HAPURA

Kamarierja në bar “Mateo”
hap kanatat përballë:
të futet brenda Dajt.

Më duhet të përballem i vetëm
me dy bukuri goditëse
nga i njëjti kat.

Njëra është mal në gjelbërim
tjetra çel edhe si lule
që i projektohet në gji
malit Dajt

sidomos kur ajo hap,
hap kanata.

Të futet dritë, të futet ajër,
të futet mal që nga përjashta,
të humbas unë me vështrim
në dy bukuri të hapura:

gjelbërim dhe lule në “Mateo”.

Mars 2017

TË DAL NGA VENDE QË S`E PRET
Rrugën për tek ti e bëj më të lehtë
se përpiqem të hap një shteg të ri, një shteg
me emrin “Vetëm për dy të dashuruar”,
dhe të dal Princ i Kaltër nga vende që s`e pret
me lule të freskëta në duar
për të ta “zënë” rrugën.
Marrëzia ime e skajshme shkon kaq larg
sa mendoj që rrugën vetëm unë di ta hap,
gjithçka bën ti po me mund në krahun tjetër
e quaj si “mosmirënjohës” rrugë e vjetër,
por përsëri ngul këmbë që e reja ime
të quhet “Rruga e të dyve”,
se në dritën e diellit, yjeve dhe hënës
për të renë punohet në të dy anët me meritë
nga Unë dhe Ju, Kokrra e Majës
në 4 stinë, 12 muaj, 365 ditë.
Janar 2017
NË KUJTESË NJERIU
Si e ndiej që vërtet bëj dashuri me të madhe
e shëtis vargun në rrugën e zhveshur
“Nga floku deri në thua”
pa u mburrur se emrin ia gjeta unë
në nderim të poezisë dhe femrës që dua.
Është rrugë krejt pa pengesa, si bregu i detit
te Gjiri i Lalsit,
vetëm në një pikë i ngjan të preferuarës sime,
rrugës “Bardhyl”:
kur kërkon të më dehë
lëshon një aromë si të jetë e mbjellë me blirë.
Quhet prej shekujsh “Nga floku deri në thua”.
Mos mendoni se emrin ia gjeta unë
pse e solla me kaq mall në kujtesë njeriu.
SHUMË
Poshtë syzeve shumë të errëta
me mollzën e ndieshme të gishtit tregues
ajo fshehurazi shumë fshiu lotin,
ai, përballë aeroportit, të vetin e gëlltiti,
unë i fiksuar gjatë te përqafimi
kërkova shumë sa e gjeta shaminë
dhe mbi palat e saj shumë ndjeshëm
epilogun për librin në dorëshkrim
po me shumë lot nisa të shkruaj:
një ndarje shqiptare për mbijetesë,
live, me lot shumë si në dhe të huaj,
vendi im me shumë horra dhe varfëri.
Maj 2017
PRE`
Dua të m`i vrasë damarët e qafës femra
që ende s`e kam dashuruar deri në fund.
Të m`i vrasë në breg të Jonit
te Shkëmbi i Pëllumbave
sapo të lëshohet shigjetë një pulëbardhë
për të marrë në sqep prenë më të parë.
Si sqepi i pulëbardhës të jenë gishtat e saj
kur të më vrasë damarët sa të m`i çajë
për t`u ndjerë unë pre` deri në fund:
të vërshojë gjaku në dy palë buzë.
Maj 2017
KËPUT PRANGA
Dolën fshehtazi nga ëndrrat e njëri-tjetrit,
në ditët që pasuan nuk i treguan më si i panë.
Afër kryqëzimit te Biblioteka Kombëtare u ndanë:
ajo u bë erë në kërkim të një mashkulli pa unazë,
ai me mungesë të madhe lirie nga burgu i tij
ngjiti edhe më me nxitim ca shkallë
me dalje në tarracë.
I devijoi shkallët në kryqëzimin “KATI I DYTË”
dhe e shpëtoi veten nga ngjitja lart.
Në pushimin e radhës doli pa krahë në tarracë,
pa mundësinë e fluturimit nga i treti,
me bindjen se dashuria e tij ka shtrirje dy shekullore
me rrënjët tek i njëzeti
dhe këput pranga burgu.
Prill 2017
NDJEK RRUGËN E DIELLIT
Nga bukuria e ditës tënde në lindje
i marrtë edhe ca minuta dita ime në perëndim,
minuta që numërohen vetëm me një aritmetikë:
me të gishtave.
Për të mësuar numërimin në klasën e parë
mbajta në duar tufë ca shkopinj,
me aritmetikën e tyre më vonë
ndoqa rrugën e diellit nga lindja në perëndim
dhe i ngula si piketa në kohë:
maleve u mata lartësinë,
fushave – gjerësinë,
deteve – thellësinë,
dhe të gjitha përmasat me nge
ia mata dashurisë.
Nga dita jote e bukur plot shkëlqim në lindje
prek edhe ca minuta të çmuara me dorë
nëpër maja, nëpër fusha, nëpër dete
dita ime.
Prill 2017
DHUROVA
Të dashurës i dhurova shumë libra,
fillimisht libra se ç`është dashuria
dhe si e madhërishmja lind,
libra si të kurohemi gjatë
nga plagët e thella të dashurisë,
dhe në fund gjashtëqind poezitë e mia
me këtë autograf:
“Asaj që më mbajti lart!”
Si i lashë në dorë thesarin m`u përgjigj:
tani ik se unë po rri me të shkruarën tënde
që ma “nxiu” jetën dyzet vjet!
Gati gjysmë shekulli, e dashur, duke dëgjuar
një që flet me vete, një si unë…
Dhe jo vetëm në gjumë!
Te shpirtëroret autografin s`e shkrova me bojë,
torra hënën dhe mblodha në një bosht filigran
derisa e qëndisa me të artë:
“Asaj që më mbajti lart!”
Mars 2017

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen