Sonntag, 19. März 2017

Shkolla "Azem Bejta" e Grabanicës së Klinës, vatër e arsimit dhe e rezistencës.

Shkolla "Azem Bejta" e Grabanicës së Klinës, vatër e arsimit, e kulturës dhe e rezistencës.

Ose: Fotografia që flet!

Nga: Haxhi Muhaxheri

Kjo fotografi  shënon një ngjarje të rëndësishme, një veprimtari kulturore e kombëtare dhe flet e dëshmon më së miri për organizimin e intelektualëve dhe veprimtarinë e tyre kulturore e atdhetare në një kohë kur pushtuesi serb provonte për të penguar edhe frymëmarrjen e shqiptarëve në Kosovë.

Fotoja është bërë në hyerje të objektit të shkollës „Azem Bejta“ në Grabanicë të Klinës më datën 25.04.1991 dhe është ruajtur me gjelozi nga ish-drejtori i kësaj shkolle dhe veprimtari i palodhshëm z. Selman Etemi.

Në kohën kur dhuna serbe godiste pamëshirshëm mbi çdo gjë që ishte shqiptare, kur njerëzit burgosëshin e maltretoheshin për një fjalë goje, për një këngë që e dëgjonin apo e këndonin, për një gazetë apo liber që u gjendej në duar etj., falë guximit intelektual të drejtorit Selman Etemi, shkolla „Azem Bejta“ e Grabanicës së Klinës ishte bërë vatër e rezistencës. Përkunder faktit që ajo mbikqyrej nga organet dhe argatet e pushtetit të asaj kohe, aty frymonin lirshëm idealët e shenjta atdhetare bashke më dëshirën e madhe për tu çliruar sa më parë nga pushtuesi. 

Kështu, aty organizoheshin veprimtari të shumëta kulturore e atdhetare. Mbaheshin orë letrare. Promovoheshin libra. Shënoheshin përvjetorë e ngjarje të lavdishme të historisë sonë kombëtare. Përkujtoheshin figurat e ndritshme të kombit dhe përpjekjet e tyre pë liri... Aty takoheshin dhe bashkarisht vepronin intelektualet e Klinës, Pejës, Deçanit, Istogut, Gjakovës, Skënderajt, Malishevës etj. Aty frymonte lirshëm liria e mendimit shqip dhe gjakimi për liri.

Kësisoj, atë ditë kur është bërë kjo fotografi, në shkollën „Azem Bejta“ të Grabanicës së Klinës është shënuar 10 vjetori i demostratave të vitit 1981 dhe 66 vjetori i rënies heroike të Bajram Currit. Po atë ditë, është bërë edhe promovimi i një libri të autorit Jetish Kadishani dhe është mbajtur edhe një orë e madhe letrare ku me vargjet e tyre janë prezantuar një numër i madh poetesh.

Në foto shihen veprimtarë të ndryeshëm, punëtorë të arsimit, gazetar, letrare etj., si: Amrush Morina,  Gani Veseli, Mustafë Delia, Ukë Gashi, Kadri Sahiti, Kamber Atashi, Hekuran Atashi, Xhafer Shabani, Prenk Gjetaj, Pal Canaj, Haxhi Muhaxheri, Skëmder R. Hoxha, Prend Buzhala, Xhavit Aliçkaj, Sefedin Përgjegjaj, Mikel Gojani, Gjon Gjergjaj, Jetish Kadishani, Hasan Gjonbalaj, Hajdar Mekaj, Kolë Berisha, Jusuf Zenunaj, Maxhun Lokaj, Zenun Zeqaj, Idriz Dushi, Selman Etemi etj. 

Uroj që, edhe tash pas çlirimit dhe krijimit të shtetit të Kosovës, në këtë shkollë të ruhet dhe të vazhdohet tradita e organizimit dhe e zhvillimit të veprimtarive kulturore e atdhetare! Uroj që edhe drejtori i tashëm i kësaj shkolle z. Astrit Muhaxheri ta ketë vullnetin që e kishte dikur ish-drejtori  z. Selman Etemi, që përpos punës së mirë organizative që është duke u bërë në ketë shkollë, të organizohen sërish edhe evente kulturore.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen