Samstag, 29. Juni 2019

Shemsije Elshani: ËNDRRA E NËNËS

Shemsije Elshani

(Rrëfim i përjetuar)

Kur kaloi muaji i dytë në burg, e mora me mend qe nuk do të më dënojnë për kundërvajtje. Këtë e vërtetoi edhe gardianja e cila më solli të nënshkruaj aktvendimin për zgjatjen e paraburgimit. 
Inspektorët vinin nga Prizreni, ndaj për të kursyer kohën, në pyetje më mbanin tërë ditën. 
Burgu nuk ishte diçka e re për mua. Nuk kisha qenë aty brenda veç fizikisht. Kisha qenë aty sa e sa herë nëpërmes shembujve të historisë sonë, nëpërmes personazheve të librave e të filmave artistik, apo nëpërmes herojve të këngëve. E kisha përjetuar pastaj sa e sa herë herë edhe burgosjen e njerëzve të mi të dashur. Por kur je vetë aty brenda, është ndryshe. 
Atë ditë, kur ra buria e zgjimit, isha në ankth. Në fakt, aty çdo ditë ishe në ankth. Veç ankthi ishte ndryshe. Një ditë dëgjojë që torturonin dikë në dhomat lart. Një ditë dëgjoje të tërheqin dikë zvarrë pranë derës tënde, një ditë, të sillnin dikë të torturuar në dhomë. Dhe sikur e parandjeva, u hap dera ime. Hetuesia ishte në ndërtesën tjetër. Sa hyra në njërën prej dhomave, ende pa zënë vend në karrike, më pyeti një inspektore:
         - Sa vjetë i ke? 
         - 20, i thash. 
         - Sa gjynah, të vdesësh, tha ajo duke u bërë se i vinte keq. 
U rrënqetha. Nuk doja të vdisja. 
         - Nuk të vrasim jo, vazhdoi ajo me një ironi prej idioteje. -Të hedhim nga dritarja dhe themi që ke bërë vetëvrasje.
Hodha vështrimin nga dritarja, dhe po mendoja a thua shpëtoj gjallë, nëse vërtetë më hudhin. 
Kur u ktheva në dhomë, në burg, isha shumë e shqetësuar. Natën, mezi më zuri gjumi. Kjo gjendje m'u shfaq edhe në ëndërr. Po ëndërroja sikur hetuesit më kishin marrë me vete dhe më kishin shpënë te dyertë e shtëpisë së Muratit. Murati ishte shoku im i fëmijërisë, i klasës dhe i aktiviteteve. Shtëpitë tona i ndante veç sokaku i përbashkët. Arësya pse më kishin dërguar aty ishte se dyshonin që kam fshehur në oborrin e tij material të ndaluar. Por në ëndërr ata nuk e dinin kush ishte Murati, dhe nuk e dinin që mu aty është dhe shtëpia ime. Nuk e dinin që ajo derë e madhe e drurit, me rezë të drurit, të cilën, unë kurrë nuk mësova t' a hapja, shihej nga dritaret e shtëpisë sonë si në pëllëmbë të dorës. 
         - Hape derën, sikur më kujtoi që jam në ëndërr polici. Dhe oh more zot, njësoj edhe në ëndërr, nuk mund ta hapja derën. S'arrija ta fusja dorën në mes dy dyerve, për ta ngritur rezen, ndërsa gishtat, nuk e përballonin peshën. Po kërkoja mos gjej ndonjë shkop a copë druri, kur më shkuan sytë te dritarja, aty ku nëna ime kishte makinën për qepje. Shoh nënën time të endë ca pëlhura të bardha. Duket të kenë qenë dimija për nuse që dikush i ka sjellur te nëna ime për t'i qepur. Policët nuk dinin gjë jo, as hetuesit që më shoqëronin. Ata nuk e dinin që më kishin sjellur te shtëpia ime. Nëna ime, nuk e priste që do të më shihte aty, ndaj si për inat nuk e hidhte as edhe një shikim për të më parë. 
         - Hape moj derën ç'pret, ma priti hetuesi, i cili më ktheu prapë në ëndërr. 
Më duhej ta hapja derën, por nëna nuk më pa. Donte dhe një hap që të futem brenda derës dhe nëna nuk do të më shihte. Edhe në ëndërr e ndjeva atë dëshirën e zjarrtë për ta takuar shikimin e saj. Nuk arrija të pranoja faktin të më ikë ky moment pa u parë, ky moment kaq i rëndësishëm si për kohën poashtu edhe për vendin e për ngjarjen. Ndaj, bërtita me sa zë kisha:
         - Nanë, nanë, nanë...
Ishte ora tre mëngjesit. Gjumin ma nxori gardianja e cila kishte dëgjuar thirrjen time në zyrën e vet.
Të nesërmen, kur po hanim mëngjesin, më thirrën për vizitë. 
Vizitat i kishim njëherë në dyjavë, dhe për këto dy javë e kisha mbaruar. Po mendoja është ndonjë keqkuptim, apo mund të kenë ardhur ata nga hetusia. Por ç'të shoh, në vizitë nëna dhe babai. Ata andej telave, unë këndej. Në mes gardianja e cila ende nuk e kishte dorëzuar ndërrimin e natës. 
         - Pse kjo vizitë jasht orarit, i pyeta.
         - Nëna jote ka parë mbrëm ëndërr, që ti e ke thirrë tri herë, nanë, nanë, nanë. U zgjua, doli jasht, tha, po m'thirrë Shema, tha babai.

P.S.
Nëna ime, këtë vit ka 90 vjetorin e lindjes. Kjo ishte arësya që e solla këtë përjetim.
Arësya tjetër është, thash t' ua kujtoj atyre që flasin kaq shumë kundër diktaturës n'Shqipni, që edhe ne të shtypurit nga diktatura titiste, ekzistojmë dikund.

Sonntag, 23. Juni 2019

Hamit Aliaj: TË GJITHË KEMI VDEKË NGAPAK NË TY, KOSOVË...

Hamit Aliaj

UDHËTAR NË KOSOVË

Në dheun e Kosovës
Çdo grimcë është një rënkim,
Guri, druri, zalli i lumit s’bëjnë punë:
Shtëpitë ndërtohen prej shpirtërash

Nata, veçanërisht nata, kryesisht nata, pafundësisht nata
E ka terrin të rëndë, krejt të rëndë, pakohësisht të rëndë

Prej dheut gufojnë zëra rënkues, klithës, gjëmues, pagjumësisht gjëmues
E kandilë dritështerrur mbijnë te këmbët e udhëtarit nator,
Vetëtimat dalin prej dheut e qielli
Shtatë pash nën dhe bubullon

Në orêt e murit,
Në orët e njeriut,
Kurr më qyqe!

Bolla e verbtë e Danubit
E coftë shkon Drinit teposhtë

Shtëpitë janë prej shpirtërash në Kosovë
Dhe të tjerat dihen

Gjakovë, 8 qershor 2019



TOKA ME SY ÇELË

Të gjithë kemi vdekë ngapak në ty, Kosovë:
Unë, Europa, qytetërimet...

Po toka jote s’na ka lënë brenda,
Të pavarr endemi 
Nën hënat tua të nemura

Toka jote është sy, Kosovë:
Sy zogu nëpër qiell,
Sy njeriu nën qiell

Nga nëndheu yt na kqyrin,natën e ditën
Sytë e atyre që vdiqën me sy çelë
Në pritje të lirisë

Në sytë e tyre
Silueta e vrasësit të fundit

Toka jote është sy, Kosovë...

Samstag, 22. Juni 2019

Letërsia e Kosovës është vajzërore apo grua e bukur dhe e mençur?!

Intervista me Z. Pandeli Koçi (Sazan Goliku)

Nga: Alketa Maksuti Beqari

Në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës, në Salla “ Paolo Petta” pranë tavolinës më afrohet një Zotni dhe më thotë: Më falni, cilin autor po lexoni? I përgjigjem: Autor nga Kosova.
Gëzohem shumë që studioni autor nga Kosova. Unë jam marr nga vitet ‘ 70 me autorët nga Kosova.
Jam e interesuar të di më shumë për krijmtarinë e autorëve në Kosovë, sidomos të kohës para demokracisë. Nëse dëshironi mund të realizojmë një intervistë – shpreha interesin time me dëshirën.
Z. Pandeli Koçi pranoj pa hezitim.
Dua të vë në djeni lexuesit e këtij shkrimi, se në vitet kur demokracia nuk ishte vendosur, në Shkollën e Mesme , gjimnaziste, për historinë dhe gjeografinë e Kosovës njohuritë na përcilleshin nga Mësuesit me Shkrim. Në librin e letërsisë shqipe pak autorë studionim të Kosovës.
Kosova ishte e munguar.
Dhe për të plotësuar mungesën, falë rastësisë në Tempullin e Dijes, po ju sjell letërsinë e Kosovës së parademokracisë në Shqipëri.


1. Z. Pandeli Koçi, si erdhi ideja e botimit të veprave nga autorë të Kosovës?

Në vitet ‘ 70, punoja në redaksinë e poezisë tek Shtëpia Botuese “ Naim Frashëri”. Shef i redaksisë së Poezisë, Dramës dhe Kritikës ishte Dhimitër Fullani. Por para se të vazhdoj po tregoj se poezinë e Kosovës e njihja nga Agim Gjakova me veprën “…..dhe ata thanë se është një vend në botë” e botuar në 1962 dhe Adem Istrefi, student i letërsisë në vitet që edhe unë kam qënë student. Dashurinë për Kosovën e kam marr nga xhaxhai im, i cili më rriti pasi u kthye nga Argjentina, ku emigroi. Por, le të kthehemi tek letërsia e Kosovës.
Një ditë në tavolinën, ku punoja vjen shefi, Dhimitër Fullani dhe më thotë se kemi urdhër nga lart të botojmë vepra nga autorë të Kosovës. Me autorizim si ishte koha atëhere, shkoj të marr librat, botimet të cilat gjendeshin në Bibliotekën Kombëtare në arkiv ose të rezervuara. Autorizimin e kisha edhe nga Lidhja e Shkrimtarëve, në atë kohë udhëzimet ishin gjithmonë nga lart. Kështu në ‘ 71 doli Antologjia e parë me titullin “ Për ty” , titull të cilin e mora nga Esat Mekuli dhe një vit më pas me Antologjinë e dytë të titulluar “ E di një fjalë prej guri”, titull i marr nga Azem Shkreli.
Në përzgjedhjen e poezive isha i kujdesshëm për vet kohën që jetonim. Në këto Antologji ishin Enver Gjelqeku, Ali Podrimja, Rahman Dedaj, Fahredin Guraj, Din Mehmeti, Jakup Ceraja, Agim Vinca, Josip Rela, Edi Shukriu, Flora Brovina, Jusuf Buxhovi, Mehmet Kraja. Librat nuk lejoheshin të dilnin nga Biblioteka dhe më duhej t’ i shkruaja. Ndihmesë të madhe më ka dhënë gruaja ime, të dy deri sa mbyllej Biblioteka kopjonim poezitë duke I shkruar me dorë. Kishte raste i detyruar, fshehurazi t’ i fshija librat nga pas, të mbuluara nën xhaketë dhe shkoja në redaksi për të shtypur.

2. Si e cilësoni ju, nivelin e letërsisë të Kosovës së asaj kohe?

Po flas për poezinë se në atë kohë poezinë mbuloja. Ishte një poezi që I afrohej poezisë botërore me figuracione të ngjeshura dhe konceptimin poetik. Pra, faza e poezisë retorike ishte kapërcyer. Jugosllavia e asaj kohe ishte më e hapur me botën. Kishte edhe autorë tradicionalë apo me retorizëm të rëndomtë.

3. Në poezitë e autorëve sa e prekshme ishte tema e lirisë? Sa e dukshme ishte në vargjet e autorëve?

Para se të përgjigjem, po ju kujtoj që një pjesë e autorëve i kishin kushtuar poezi edhe Titos, gjithmonë do kujtojmë që poezia apo vepra analizohet nga koha dhe kushtet, vendi. Pra, jo vetëm tek ne ka ndodhur që i është kushtuar poezi udhëheqësit.
Kthehem tek përgjigjia e pyetjes, tema e lirisë ishte e simbolizuar te Fjala, Kulla, Gjaku, pra nëpërmjet hermetizimit. Pra idestë dhe aspiratat e tyre shpreheshin nëpërmjet ekuivokeve, për arsye që t’i shmangeshin goditjeve të regjimit. Në disa raste kanë përfunduar në burg si Jakup Ceraja, Rexhep Elmazi, të cilin dhe e vranë. Ashtu sikur ndodhi me Jusuf Gërvallën. Një vit pas vrasjes së tij, botova romanin “ Rrotull “ në 1983. Romanin ma dha e shoqja e Jusufit, Suzana, kur u kthye nga Gjermani, për arsye sigurie në Tiranë. Parathënia është shkruar nga Ismail Kadare dhe vizatimet së bashku me kopertinën nga Abdurrahim Buza. Më kujtohet një vizatim për skicimin e një ndgarjeje që përshkruan Jusufi tek romani si i lidhën serbet rrotull mullarit fshatarët dhe mullarit i vunë zjarrin. Botova reçensionin tim mbi romanin në gazeta “ Zëri i Popullit”, gjithashtu. Kjo ishte situata e poetëve, autorëve të Kosovës.

4. Si u prit romani nga shkrimtarët në Shqipëri?

Pak kritikë shkruheshe në atë kohë si në“ Drita” edhe “Nëntori”.

5. Niveli i letërsisë shqipe në Kosovë dhe Shqipëri si ndryshonte apo më saktë dallimet, veçoritë që i karakterizonin autorët e Kosovës.

Anton Pashku, babain e modernizmit të letërsisë shqipe.

6. Babai i modernizmit edhe nga autorët në Kosovë dhe në Shqipëri?

Po, babai i letërsisë shqipe moderne.

7. Pse është babai i modernizmit? Cilat janë veçoritë që e bëjnë të tillë?

Romani i tij, proza ka skemën e ndërtimit, strukturën dhe konceptin e përshkrimin e personazhit dhe rrjedhjes së ngjarjeve jashtë kufijëve të tradicionales, realistes si jemi mësuar ne ta shohim prozën, romanin. “ Oh” është vepra e tij që e personifikon si autor.

8. Të gjithë autorët e asaj kohe i keni botuar?

Jo të gjithë, Beqir Mysliun për shembull, ose autorin që ju po lexonit. Nuk më kujtohen rrethanat pse nuk e kemi botuar Mirko Gashin, një poet që është përkrah Ali Podrimes, Azem Shkrelit, poet i krahut verilindor që dallon oër stilin e tij të të shkruarit. Një bohem, i lindur në Grykën e Karadakut, aty ku bashkohen trojet shqiptare.

9. Si u krijuan rrethanat që ju filluat Lektor në Dega e Gjuhë Letërsisë, Lektor i Kursit Special për Letërsinë e Kosovës?

Jemi në vitet ’85 , vjen më takon Profesor Nasho Jorgaqi dhe më thotë se kam marr leje nga lart që me studentët e vitit të katërt të hap Kurs Special për Letërsinë në Kosovë. Për të përgatitur leksionet shfrytëzoja Historinë e Letërsisë, kritikën letrare të Kosovës, Gjurmë Albanologjike, revistën “ Jeta e Re”, “ Jehona” të Shkupit, gazetën “ Fjala”, libra me studime dhe kritika letrare që ndodheshin në Biblioteka Kombëtare. E kisha të vështirë sepse metodat, terminologjia me metodën e realizmit socialist tek ne.
Fillova me poezinë, me dramën e Anton Pashkut, me romanet. Kishte autorë si Beqir Musliu që nuk mund të flisja, dramën e Rexhep Qoses e të tjerë autorë.

10. Kur ju i trajtonit veprat e autorëve hynit deri në analizën e thellë të anës psikologjike të personazheve në dramë, roman apo tregim? Ose si e pasqyronit gjendjen shpirtërore të autorit?

Më tepër kanë qënë leksione panoramë, një herë në javë ishin leksionet, më pas dy herë, por me orë akademike dy orëshe ishin. Flisja për stilin e të shkruarit, tiparet e secilit dramaturg, por jo deri në hollësitë apo trajtimin e secilit personazh.

11. Sa ishin të interesuar studentët për lëndën?

Kishte studentë të interesuar si Mimoza Ahmeti, Ben Blushi që janë emra të njohur.

12. Lënda ishte firmë në vlerësimin e studentëve?

Po firmë, me notë.

13. Kur hyri demokracia lidhjet tuaja me letërsinë e Kosovës si vazhduan?

Pas ’91, botoja në faqe letrare të organeve të shtypit shkrime për autorë të Kosovës, kam shkruar për Anton Pashkun, Agim Vincin e të tjerë autorë.

14. Letërsia në Kosovë është vajzërore apo Grua e bukur dhe e mençur?

Pyetjes tuaj figurative unë nuk mund t’i përgjigjem se majat nuk janë arritur edhe sot. Nuk kemi më si ka shkruar Rahman Dedaj, Ali Podrimja, Azem Shkreli, apo Ibrahim Kadriu, Jusuf Buxhovi, Rexhep Qosja. Nga brezi i ri kam lexuar pak për vet moshën dhe punëve të mija të kësaj kohe. Pra, pyetjes tënde nuk mund t’ I përgjigjem me figurat që përdorët ju.

Faleminderit, Z. Pandeli Koçi për kohën që më kushtuat. Ishte kënaqësi të realizoja intervistën me ju.

-   -   -

Pandeli Koçi ka lindur në Vlorë më 1942. Ka kryer Fakultetin Histori – Filologji në Tiranë dhe ka punuar mësues, punonjës kulture, gazetar, si dhe redaktor letrar në SHB “Naim Frashëri” e gjetkë. Që nga viti 1970 është marrë aktivisht me botimin e letërsisë shqiptare të botuar në Kosovë dhe ka qenë lektor i këtij krahu të letërsisë shqiptare në Universitetin e Tiranës.

Nga viti 1981 – 2002 ka punuar si drejtues në sektorin e shtypit të Kuvendit të Republikës. Ka shkruar poezi, prozë dhe letërsi për fëmijë, si dhe tekste këngësh.

Është marrë me kritikë e studime letrare, recensione dhe ese. Është fitues i disa çmimeve kombëtarë dhe vendorë. Ka qenë kryetar i Shoqatës Mbarëshqiptare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj nga 2008-2016.

Freitag, 21. Juni 2019

Vasil Vasili: GJINJTË

Vasil Vasili

GJINJTË

tregim

Është zonjë e habitshme me trrille. Kështu thuhet. Dhe moshën s’ia përcakton dot, gjithsesi. 
Mbase është në ato vite të jetës, që natyra e përgatit gruan për më tej. I vendos rrudha të holla në cepat e buzëve, i merr shkëlqimin e flokëve, sytë ia ujon, pulpat me shkëlqim mishtor ia zbut. 
Por ajo, asgjë nga këto sajesa të mbrapshta të natyrës s’ka takuar ende. Dhe unë kështu e pashë në plazh, fanepsje të bukur, që të mbetet përherë në thilenë e kujtesës. Kisha një libër me vete dhe, s’e di se ç’më kishte tërhequr së tepërmi, që s’kisha ndjerë ardhjen e zonjës. Ajo ndodhej përskaj meje, e shtrirë mbi një shtrat plastik të bardhë. Krahët i kishte poshtë qafës si nënkrejsë. Vetiu po i këqyrja linjat e trupit që i kishte të përsosura. S’e shpjegoj dot, pse sytë, më mbetën te gjinjtë. Mbi ashtin e krahërorit ngriheshin dy kodra të bukura. Do ta kisha zgjatur këqyrjen e gjinjëve ende, por zonja foli:
         - Djalosh, thotë gjë ai libri tënd për femrat?
         - Natyrisht, zonjë.
         - Mirë djalosh, vazhdo.
Në të folurën e zonjës s’kishte asgjë fyese, madje mund ta merrje si grishje për bisedë, pas asaj vetmie, që po përjetonim. Edhe pse mendova kështu, m’u duk vetja i zënë në fajin e kërshërisë së tepërt, që të zvetënon para njerëzve. Zonja u ngrit e lehtë nga shtrati i bardhë, shkoi gishtrinjtë me gjest fin nëpër flokë, atë çast flokët i morën formë dhe i dhanë trupit bukurinë e kontrasteve, aq të domozdoshme për një femër të bukur. Zonja iku nëpër plazh, buzë detit, duke lënë një hulli shkëlqimi mbrapa.
Unë ndjeja dhimbje për gjinjtë e zonjës. I kishte me formë të mahnitshme, por brenda tyre, diçka ia thithte hovjen, që të tundon. Ajo erdhi përsëri dhe u ul në shtratin e saj. Mbylli sytë si për ta bërë të bardhë filmin e plazhit dhe humbi në një botë tjetër, të sajuar nga trrillet e saj. Qëndroi ashtu e përhumbur dy orë, me etje në buzët paksa të hapura. Ndërsa unë i këqyrja gjinjtë. Një çast ëndërrova puthjen e thimkave. Ata hapën kanalet dhe, në trupin tim, vërshoi erë e merme trupi femëror. Atëherë zonja lëvizi dhe unë u tremba.
         - Djalosh, hiqmi buzët nga thimkat e gjinjëve, pse më pengon diellin të hyjë brenda!
         - Zonjë, asgjë nga këto, që thua, s’po ndodh.
Zonja me sytë e mbyllur dhe me gjinjtë lakuriq s’më ktheu përgjigje. Qëndrova edhe pak dhe 
ika para kohe nga plazhi. Zonja më kishte zënë në befasi, në dëshirat më të fshehta, madje edhe 
me sy të mbyllur.

Natën trokiti dera. E trokitura qe e lehtë si një parfum këndellës. Pata dëshirë, që të përsëdytej e të përsëtretej, por ajo u ndërpre dhe, një zë femre hyri nga dera e mbyllur. - Hape. Kur çela derën pashë zonjën e plazhit. S’di se çfarë gjesti bëra, që zonja tha:
         - Çdo gjë jepet vetëm një herë në jetë, e dyta është hije e së parës.
U ula në karriken me thupra bambuje dhe prisja me kërshëri të tregonte pse kishte bujtur në dhomën time. Por ajo s’foli më. Zbërtheu kopsat e fustanit veror, e hoqi atë, e vari në varse, zbërtheu sustën e gjimbajtses, e hoqi dhe e hodhi mbi shtratin tim.
         - Djalosh, puthmi gjinjtë, po më pëlcasin nga shëndeti dhe nga bukuria.
         - Zonjë...
         - Djalosh unë erdha se kam besim tek ty.
         - Zonjë...
         - Djalosh, puthmi shpejt, shpejt, shpejt!
         - Zo...
         - Djalosh, kështu si sot i kam patur në moshën e artë tetëmbëdhjetë vjeçare. Ishin gjinjtë më të bukur të ishullit dhe ishulli është shtatë herë më i madh se shteti juaj.
U ngrita nga karigia, vura buzët, që më digjeshin mbi mishin e lëmuar dhe të bardhë të gjinjëve. Nisa t’ia përkëdhel me buzë, me gjuhë në një lojë të çmendur. Thimkat ia mbaja nëpër dhëmbë, dhe çast pas çasti, ia thithja me gjithë forcën e mushkrive. Në gojë vërshonte një ngrohtësi diellore. Në mendje, përsëriteshin çrregullisht fjalët e zonjës, “ ishin gjinjtë më të bukur të ishullit...”
         - Oh djalosh, më rrisolle vitet e triumfit tim femëror në ishull.
Zëri i ngazëllente. Pak çaste më pastaj ajo shkëputi lehtë gjinjtë nga goja ime, u bë gati të nxirrte një gjerdan fjalësh, por në çastin e fundmë, i tërhoqi. Ky ishte çasti i vetëm i mëdyshjes, që i spikata, ndoshta qe një dobësi e saj, që ajo e ruajti të pashprehur. Mori gjimbajtsen mbi shtrat, më tha,- mbërthema djalosh,- u pa në pasqyrën vezake me vëmendje femërore, kopsat e fustanit i mbërtheu gjer te gjinjtë. Tani gjithçka po ndodhte shpejt, shumë shpejt.
         -Lamtumirë djalosh!
Lamtumira e saj më bëri tokësor. Më dha dhimbje. Dhimbjen e asaj, që po ikën dhe s’do ta kesh më. Dera mbeti e hapur. Dëgjoheshin vetëm kërcitja e takave të saj në shkallët e mermerta. Pastaj qetësi. Asgjë.

7.11.1993

Buqetë poetike nga Vaid Hyzoti (4)

Vaid Hyzoti

TI KURRË NUK DO TË JESH E IMJA...

Kurrë nuk do të jesh e imja, ndonëse duhemi aq shumë,
Kurrë nuk do të prek e të frymoj poreve të lëkurës tënde të
brishtë,
Kurrë s’do t’i pi sytë e tu të thellë,
Kurrë nuk do të të thith gjoksin tënd të fildishtë!
Kurrë s’do të mbytem në humnerën ku shuhet çdo burrë,
Kurrë nuk do krenohem për rënkimin e orgazmave,
Kurrë nuk do të fryjë flokëve kur të fshihem në gushë,
Kurrë nuk do çmendem e të them në vesh fjalët e të marrëve.
Nuk do gëzojmë bashkë, se unë nuk jam i plotë,
Nga vetja dhashë gjithçka dhe mbeta me gjysmë zemre.
Dhe ti më je aq larg në vite e në vende
Më ktheve gati krejt një pako mungese.
Më bëre të besoj se vetëm shpirti duhet,
Veç ende nuk e di në shpirt unë kam akoma...
Prej ëndrre të krijova, prej shijesh e ndjesish,
Gëzo, se kurrë s’do shihemi. Nuk dashuron kufoma...



KAM MBETUR LARG...

Kam mbetur aq larg prindërve të mi...
Ka mbi njëzet vite që dhe varret s’u kam parë!
I blemë mermerin më të shtrenjtë
Dhe prapë (më thonë),
Ka plasa në damarë...
Kur do përmbysem, në një përqafim,
Të nxjerr një lot,
Të shërohem duke qarë...
Kam mbetur larg,
Sa lojë e ndyrë jeta!
Fëmijë u ikja nga duart,
Para tyre vrapoja unë...
Prapë para meje ata ikën kaq herët.
Shpesh fajtor ndihem:
Mos u vonova shumë?



NUK I NJOH GJARPËRINJTË...

Nuk i njoh gjarpërinjtë që falin helmin për mua,
Helmin që më duhet për ilaçet e zemrës...
Nuk ua njoh pyllin, vendin dhe fshatin,
Nuk e di ku flenë:
Rrëzë gurëve a majë pemës...
Nuk di a ushqehen me kafshë të egra,
Nuk di a gjuajnë për minj apo hardhuca,
Mbase ne bahçen me barë të dendur,
Ku ka shtëpinë
Ajo sygjarpërueshja...
Nuk di sa vazhdojnë te rrine të fshehur, 
Nuk di sa kane vendosur të më mbajnë në jetē,
Mbase kur ajo do të më shfaqet,
Mbase sygjarpërushja
Të më mëkojë vetë...



ËSHTË SHPIKUR
NJË MAKINË E RE

Një makinë e re është shpikur, që ka trurin tim,
Si unë udhëton pa sy, përmendësh e di rrugën...
Nuk shkel kurrë vijëzimet, s’ka mushkëri për borinë,
Para dritës së kuqe i këputen gjunjët.
Një makinë e re, që bindet aq shpejt,
Me një pëshpërimë vihet në lëvizje.
Si unë që zgjohem e rend në punë,
Si unë që ngjaj një orë me kurdisje;
Si unë, që nuk më duhen tabelat,
Se rrugën për punë e mas me hapa.
Për estetikë ka xhama, si sytë që kam në ballë,
Se kurrë nuk shoh as anash, as prapa.
Një bateri të vogël - në bagazhin e zbrazur,
Aq sa çanta ime e bukës me vete...
As dimër, as verë nuk i hap xhamat,
Si uniforma e punës në veshje.
Një makinë pa shofer është sot në modë,
Që bindet pa të bërtitur, me një urdhër të lehtë...
Një makinë që më ngjan mua e shumëkujt në botë,
Se makina si njerezit duhet te jete!



NE DO TE PROJEKTOSH NJE SPITAL...

Diploma, pervoja, projektet e shumta,
Nuk jane te mjaftueshme per arkitekturen
Sepse kerkesat jane te panumerta,
Dhe dhimbja,
Dhe hallet
Me nje projekt nuk permbushen.
Dhe do fillosh me studimin sizmik.
Por mos i ze bese plotesisht gjeologut.
Trualli i spitalit ka dridhje te forta,
Nga dhimja,
Nga dashuri,
Per te afermit dhe shoket.
E tmerrshme, por nuk ka rruge tjeter,
Morgun ta ndertosh njesh me themelet.
Cdo godine, grataicel, shkolle ku bujtin njerezit,
Mbahet ne kembe,
Mbahet e forte,
Prej atyre qe iken heret.
Ne katet e para te jete ambulanca,
Laboratoret e analizave dhe vaksinat e perditshme.
Nga dhimbjet e lehta mos te humbin shume kohe,
Njerezit ne gjallje u duhet levizja.
Injoronje plotesisht forcen e rendeses,
Per dhimbje sa me te renda cakto kate me te larta.
Se kur peshe e tyre behet me e madhe,
Dhimbjen s'e mban toka,
Rete e dhimbjeve behen flatra.
Mos te kesh paragjykime per numrin e dhomave,
Per futurizem a kubizem, per zgjedhje projektesh.
Katin me te larte beje me te madhin,
Po shtohen kaq shume streset-ndaj atje te vendosen
Teper te renduarit,
Ne prag te cmendjes.
Dhe puna jote ende s'ka marre fund,
Per hir te vertetes, catise mos i hidh soleten.
Nerto atje lart nje kishe te vogel:
Per pershpirtjen e fratit,
Shpirtrave qe marrin qiellin..

New York, 2011



NUK SHIHEMI SOT...

Nuk mund te shihemi sot, me thua,
Vec shkruhemi apo flasim ne telefon....
Une trembem, mos te lashe ndonje kafshim tek buza,
Ne enderr te nxiva thithken
E gjinjve te njome...

Mos ke pak grip e ka shperthyer ne pucra,
Mos nga te ftohtit hundet te jane zene...
Ti qesh aq i lirshem me hamendjet e mia,
Me nis nje cader plazhi,
Qe hijeson ne rere...

Pse druhesh, perse nuk me del paksa zhveshur,
Me ben mua te vuaj ne te nxehte,
Jam larg,
Nuk mund te vij nen cadren tende,
Vec dil te shoh,
Te ndihem det!



ENDE NUK JE ZGJUAR?

Nje top i zi rri pezull ne lindje
Eshte dielli , thone, i mbetur pa rreze,
Nje feshferime cicerimash fshihet pemeve,
Por asnje dritherime nuk ka neper gjethe.
Nje varg makinash e njerezish kane dale ne rruge,
Por asnje levizje, veç hije te ngrira,
Ze e buzeqeshje te shtangura, nje qytet- gravure,
Ca njolla bardhe e zi, pa kembe e pa fytyra...
E tmerrshme,
Te gjithe presin te marrin jete... por ti akoma nuk je zgjuar,
Hape syrin! Sille driten!
Mezi pres per tu verbuar!



ME NISE RRUFETE...

Ne fillim-nje vetetime ngjyreviolet,
Si e dale nga shtepi e funeralit...
Por s'durove:i nise rrufete
Nga keshtjelle e Krujes
E nga mali i Dajtit.
Ne kala te Ishmit, Durres, Preze, Petrele...
Qielli i teri
U dogj nga zjarret...
Thierzat e rrufeve me pershkuan venat
Vrullshem rrodhi gjaku tek damaret...
S'me duheshin me ilacet per hollim gjaku.
S'me vlenin recetat, doktoret, spitalet..

U shkri qielli dhe pikoi brenda shtepise sime ne Tirane.
Unë ne New York zgjohem dhe e gjej ne gote
Dhe e pi ne mesnatë qetë-qetë.
Vendi im me qeteson,
Me cmall mallin e mallte
Qofte dhe kur ketu larg me nis rrufete!



JEMI TE PANDEHUR

Jemi te pandehur ne kete bote te gjalle,
Jemi akuzues dhe vete gjyqtare
Na mallkojne femijet, sa here kane vuajtje,
Ah, moj nene?-themi
Kur ndihemi te vrare.
Jetesisht ne gjyq ne boten e vuajtjeve.
"Gjyqi behet lart"-thote Libri i Rralle.*)
Mungojne deshmitaret. Kurre nuk vijne te ikurit.
Veç ATJE deshmojne
Dhe njerezit e gjalle...

*Bibla



MARANGOZ

Kam ndertuar shkalle ne ajer, te ngrihesha lart,
Gjithe jeten...
Diellin ta kisha me prane,
Me afer frutin
Edhe gjethen...

U bera marangoz, por ende nuk di perse,
Gozhdet ne ajer fare pak po me zene.
Duhet te zbres,
Se per arkemort
Ne toke derrasat kam lene..

2017

Hamit Aliaj: IKJA E LIRISË

Hamit Aliaj

IKJA E LIRISË

Liria u shpall e humbur,
Rreth muzgut kish dalë nga shtëpia e s’u kthye më,
Thonë se e kanë parë në një stacion treni,
Dikush tjetër thotë se e ka parë në një anije refugjatësh,
Flokëshprishur dhe e zbathur u pa ne Alpe,thonë lajmet e fundit

Ndoshta ish ajo vajza cullak që e keni parë ekraneve,
Apo ajo plaka me shami që shiste luledielli ,
Policët ia morën dhe i vunë gjobë të rëndë,
Kryeplaku i shtetit i binte defit aziatik,
Dhe Liria kërcente si çengi,thanë gojëçarturit

Liria është me sklerozë dhe ka harruar emrin e vet,
Thonë ata që e panë për të fundit herë...

Më në fund u zgjidh enigma e madhe :
Liria e braktisur nga të gjithë
Është mbytur në lum e s’ka varr askund

Të çliruar nga Liria tash bëjnë gjumin e madh
Njerëzit modernë që përditë shpikin Zota,
Dhe u luten t’i shpëtojnë nga fantazma e Lirisë...

Donnerstag, 20. Juni 2019

Murat Aliaj: PAS FESTAVE

Murat Aliaj
PAS FESTAVE

Të paharruarit poet Zoi Dashi

        Sa egoist që është njeriu! Shpesh herë ai merr vendime edhe për gjëra që s’janë në dorë të tij. Një të tillë vendim mori edhe Besimi, që ta harronte atë ngjarje pas së cilës mezi e mblodhi veten. Të tilla kishte pat rrallë në jetën e tij, ndaj nuk e kishte të lehtë ta shkulte nga mendja. Shokët kishin qenë gjithnjë kuptimi i jetës dhe kurrë s’kishte guxuar të abuzonte me dashurin ë që jepte e merrte prej tyre. Por ja që mes kujtimeve të shumta futej edhe ajo që e kishte tronditur, duke e lënë pa gjumë për net të tëra? Çuditërisht, të njëjtin vendim kryeneç e kishin marrë të dy shokët e tjerë, si t’u vinte turp nga vetja, që kishin lejuar të arrihej deri në atë cak. Ishin miq të vjetër me njëri tjetrin dhe kishin më tepër kujtime të bukura, se sa ngjarje të atilla të pakëndshme, e cila do u kujtonte se diçka nuk shkonte në miqësinë e tyre .
        Ishte mëngjesi i parë i pas festave të Nëntorit aty nga mes vitet ’80. Një mëngjes i freskët, i dehur nga fjalimet dhe pijet që të kujtonin madhështinë e  festave të kaluara. Mbeturina të flakura mbi blerimin e parkut të vetëm të qytetit, ku mblidhej shumica e banorëve. Copa gazetash me pjesë nga fjalime udhëheqësish udhëheqësish të lodhur nga të folurit, e nga të demaskuarit e armiqve të jashtëm, që na kishin halë në sy. Nga ana tjetër ky grumbullim festiv shërbente edhe si një konkurrencë e heshtur, për të dalluar familjet e privilegjuara të qytetit e për të rrëfyer se cili do e festonte më mirë. Se vërtet që ne jetonin në një rend të barabartësh, por barazia gjithnjë mbetet relative. Njeriu gjithnjë e ndjen nevojën e krahasimit me të tjerët, dhe kur s’ka me se të mburret, do zgjedhë fjalorin e fryrë dhe triumfin mbi armikun e jashtëm, i cili edhe në kundërshton, ne s’marrim vesh asgjë nga apologjia e tij. Sepse ne duhet të dëgjojmë zërat e lavdishëm, e jo kundërshtarët tanë.
        Do kalonin shpejt edhe këto ditë festash dhe gjithë njerëzit do përballeshin me problemet e tyre të përditshme, duke lënë pas dore paradën.
       Gjatë festës Zamiri e kish tepruar pak me pije dhe pothuajse po harronte se të nesërmen duhej të merrte dezhurnin luftarak në ndërmarrje. Nuk ishte vetëm i lodhshëm ky shërbim, por edhe i mërzitshëm sa s’thuhej, aq më tepër kur të detyronte të shkëputeshe nga krevati, pas asaj dite të lodhshme gëzimi e pijesh. Por festa të përjetshme nuk ka, ndaj ai mori biçikletën dhe u nis për në punë. Bën t’i hipi, por ajo ishte në disk. Dikush, duke dashur të ta përshëndeste, i kishte futur një gozhdë në kopertonin e prapëm. Ishte herët dhe atë rrugë duhej ta bënte më këmbë. E mori biçikletën për dore dhe bëri për nga ndërmarrja, ku kishin gomistët e papërtuar.
       Rruga ishte e boshatisur. Rrallë herë kalonin autobusët e linjës Fier−Patos, që transportonin njerëz të lodhur, ata që sa linin turnin e tretë dhe nxitonin për të bërë një sy gjumë. Në lodhjen e këtyre njerëzve qëndronte lavdia e atdheut!...
       Pa mbërritur tek parku i mallrave, përballë stacionit të autobusit, i zuri syri një siluetë, që i tërhoqi vëmendjen. Dikush që po nxitonte t’i fshihej. Qenkej bërë padashur njeri i rëndësishëm, derisa dikush i ruhej! Këtë ndjenjë s’mund ta pranonte, ndaj u drejtua andej nga vazhdonte përpjekjet për t’u  fshehur njeriu. Hija e njeriut të panjohur preferoi të llokoçitej në baltërat e kanalit kullues, për të mos i rënë në sy asnjë të njohuri.
        Kur Zamiri iu afrua buzës së kanalit, vuri re mikun e tij poet Luan Përçorin të ulur mbi një tub, me kokën  e futur në pëllëmbët e duarve. Kështu enigmatik mbeti gjithnjë ky njeri! Ndërsa njerëzit nuk ishin ngritur akoma nga krevati pas asaj nate feste, ai kishte dalë qysh herët për t’i vjedhur natës magjinë.
         −Po ti çfarë bën këtu?- i tha.
         Luani ngriti vështrimin e këputur, duke i lënë të kuptonte se duhej ta linte në hallin e tij. Gjë që s’bëhej. Si mund ta vështrosh mikun në gjendje aq te rraskapitur e të bësh sikur s’ta zuri syri? Sytë e Luanit ishin buhavitur nga të qarët, kurse goja i ishte mbërthyer si të kishte harruar të fliste. Diçka serioze duhej të kishte ndodhur me të.
         −Më thuaj ç’të ka ndodhur?
         −Ik− mundi të shqiptonte Luani me zërin e tij lutës,− Nuk dua të të shohin me mua. S’dua të vuajnë edhe miqtë për shkakun tim.
         −Gomar!- shpërtheu Zamiri,− Ç’janë këto marrëzi që thua? Më trego çfarë ka ndodhur?
         −Pas arrestimit të Spiros, kanë vendosur t’i internojnë edhe familjen. Kam dalë këtu t’i përcjell...
          Habia poshtoi fytyrën e Zamirit si një erë e fortë që të lë pa frymë. 
          Spirua ishte kunati i Luanit dhe mik i vjetër i Zamirit. Kishin punuar bashkë në fund të viteve 60 në azotikun e sapo futur në prodhim. Njeri punëtor e i ndershëm tek zoti. Njeri i sakrificës që natë e ditë e kishe në repart, madje tre herë u rrezikua për të humbur jetën. Njëherë ndodhi pas një bllokimi në kullën kryesore të azotit, ku e mbuloi amoniaku dhe desh i mori frymën, e një herë tjetër në periudhë remonti të repartit. Kurse herën e tretë desh humbi për gjithmonë shikimin, sepse gjatë punës për mbushjen e një kolone të sodës kaustike, shpërtheu një valvul dhe ai u la i tëri me sodë. Dy ditë ndenji në ujë të vakët, sa u eliminua rreziku i verbimit, por lëkura e fytyrës dhe trupit shumë vonë i largoi shenjat e djegies. Nga këto virtyte, tërhoqi vëmendjen e udhëheqjes, e cila e tërhoqi si punëtor partie në aparat. Të tillë njerëz të sakrificës i duheshin partisë.
          Nuk ishte thënë që punët t’i ecnin mbarë, siç i kishin ecur në uzinë. Në detyrën e re nuk hynin në punë sakrificat dhe ndershmëria. Këtu duhej bindje dhe oratori. Me të dyja këto ishte pak i mangët i ziu njeri, që s’kishte ditur të bënte tregti me virtytet e shpirtit të njeriut. Bindjen e mbështeste në prova dhe s’kishte zot që ia tundte, ndërsa oratorinë e konceptonte si mjeshtëri të shekujve të shkuar, kur njeriu duhej të gjente mënyrën për të dalë në krye të turmës. Sot mjaftonte puna, e cila fliste më bindshëm se qindra oratori. Puna të cilën ai gjithnjë e kishte bërë me dashuri e përkushtim.
          E kishin sjellë në një sektor ku pak mund t’i ndrinte ylli. Punët me prodhimin e përpunimin e naftës po shkonin keq. Dhjetëra kuadro u konsideruan shkaktar dhe u përballën me akuza të rënda. Kjo nuk i ndryshoi shifrat e prodhimit, përkundrazi: shtoi frikën tek njerëzit që nuk ndiheshin të lirë. Erdhi një ditë që përgjegjësia nisi të kërkohej edhe lart, në instanca. U morën protokollet dhe u studiuan, për të parë reagimin e kuadrove. Aty u krijua dyshimi që edhe ai, njeriu i punës e i sakrificës,  ia paskej pat me hile Partisë dhe...
          −Do jetë ndonjë keqkuptim, − i tha Zamiri, duke pat parasysh se s’kishte veç disa muaj që Spirua ishte dekoruar me urdhrin më të lartë të shtetit−Eja të pimë ndonjë kafe këtu tek bufeja e parkut.
          −Jo. Mbrëmë gjithë natën i është kontrolluar shtëpia në Ballsh dhe sot në mëngjes, familja do degdiset në Seman, si gjithë të internuarit.
         −Nuk ka mundësi.- këmbënguli Zamiri si për ta qetësuar− Këto gjëra s’mund të ndodhin kaq rrëmbyeshëm. Eja të pimë kafen e të qetësohesh.
         −Jo. Dua të përshëndetem me motrën dhe me nipërit, se mund të ndodhë që të mos shihemi më.
         Diçka e kobshme kishte zënë vend në mendjen e Luanit. Nuk mund të ishte i kot gjithë ai shqetësim dhe Zamiri u bind se në çaste të tillë s’mund të lihet vetëm njeriu që do. Biseduan gati gjysmë ore me sytë nga rruga, biseda ngecte dhe s’dinin si mund t’i shpjegonin situata të tilla absurde. Mbase kishte kaluar mbi një orë, që ata vazhdonin të qëndronin të strukur pas njëri tjetrit, atje buzë kanalit kullues, kur së fundi tek kthesa e ish korpusit të jugut, u duk skoda, që kishte ngarkuar plaçkat e Spiros. Sa shumë i ngjante përcjelljes së doktor Zhivagos, që Zamiri sa e kishte lexuar. Ia kishte sjellë një mik i sapo kthyer nga Kosova. Diku gjetkë shkruhej me duf për këto barbari, ndaj njeriut, ndërsa tek ne flitej vetëm për armikun e jashtëm, pasi i brendshmi ishte vënë nën kontroll. Ishte një kontroll që ngatërronte të jashtmin me të brendshmin, duke i bërë shpesh herë të njëjtë. Armiq që çfarëdo emri t’u vije mbeteshin vetëm të urryer.
        Ajo ishte një skenë që t’i mbushte sytë me lot. E motra e Luanit së bashku me fëmijët ishin ngjeshur në karroceri, midis plaçkave të hedhura si e kishte sjellë rasti. Prej një mushamaje që i mbulonte, nxirrnin pak kokat, si për t’u mbushur me ajër. Një zë shpërtheu nga kraharori i Luanit. Thirri në emër të motrën dhe pastaj e mbytën lëngimet. Një dorë iu përgjigj prej makinës që rrëshqiti tutje, sikur e përpiu goja  e një përbindëshi. Sa ngjethëse ishin përcjelljet e  dhjetëra Zhivagove tona për të cilët s’guxonte të shkruante njeri, sepse lubia ndodhej gjithkund dhe ajo s’kursente asnjë..
        Kaq kishte qenë e tëra! Puna, nderimi e lavdia... Zhgënjimi ishte jashtëzakonisht i madh. Luani shpërtheu në lot, aq sa i këpuste shpirtin edhe më zemërgurit. Makina kishte humbur tej kthesës së unazës së qytetit, duke marrë me vete dhimbjen e keqardhjen e kujtdo që e ndjente të afërt rrezikun.
        Mbetën buzë kanalit ujë pak, si cironka që u zihet fryma prej asfiksisë. Diku mes barishteve të kanalit ia kishin marrë këngës së ngjirur bretkosat. Ato çaste Zamiri kujtoi për ku ishte nisur dhe i duhej të merrte një vendim. Përpara dhimbjes së shokut, ia vuri ferrën dezhurnit. E dinte që kjo do e përballte me ligjin, ndaj duhej të nxirrte ndonjë raport mjekësor për të justifikuar mungesën. Doktor Vlashi nuk ishte kursyer kurrë në raste të tillë. Kjo ishte e vetmja mënyrë për t’u shpëtuar pasojave. U kthyen në qytet pothuajse pa këmbyer asnjë fjalë dhe morën rrugën drejt shtëpisë së Zamirit. Vetëm atje mund të ishin të sigurt, larg syve kureshtar të qytetit, i cili akoma s’kishte marrë vesh ç’po ndodhte pas gëzimit marramendës me të cilët kaluan festat e mëdha. Zamiri kishte ca raki e turshi nga mbetjet e trapezit të festës. Ato çaste nuk kishte rëndësi çdo hanin e pinin. E rëndësishme ishte që të largonin sado pak mendjen nga ajo pamje e rëndë, që u kaloi para syve e që s’u shqitej dot prej zemrave. Ndjenin nevojë të fshiheshin diku, larg syve të të njohurve, që mund t’i bënin dhjetëra komente atij takimi të dhimbshëm.
       Tek cepi i turizmit, u ndalën për t’u takuar me mikun e vjetër Besim Lengun. Besua drejtonte të vetmen gazetë të qytetit e në çdo kohë ishte i informuar për ngjarjet që priteshin të ndodhnin. Ai mund të thoshte me javë para ndodhjes se kush do arrestohej, e kush do internohej, madje edhe kush do u zinte vendin në detyrat e tyre shtetërore. Sigurisht që edhe për ngjarjet me Spiron nuk duhej të ishte pa dijeni, por ndodhinë e tij nuk e hapi asnjëherë mes nesh. Ndoshta edhe ai ishte tronditur, por i pafuqishëm për të ndryshuar gjë, ishte solidarizuar me ndëshkimin. Ai ishte nja një dhjet vjetësh më i madh se dy miqtë e tij, e gjithashtu shkallët e karrierës i kishte ngjitur nga prodhimi. Luani nuk e pëlqeu atë takim të papritur dhe duke mos dashur ta zgjaste më tej, bëri disa hapa përpara, që të mos tërhiqte vëmendjen e tjetrit, por nuk ishte kaq e lehtë heqja qafe e njeriut të padëshiruar. Ata ishim miq që kishin hyrje dalje familjare me njëri tjetrin.
        −Nga shkoni kështu?- pyeti Besimi.
        −Na lindi një ide dhe po shkojmë të shkruajmë një shkrim me bashkautor− iu përgjigj Zamiri.
        Si dhelpër e vjetër që ishte, e kuptoi përse bëhej fjalë dhe nuk e humbi rastin:
        −Bëhet që ta shkruajmë me tre firma shkrimin?
        −Pse jo?- pranoi në mëdyshje Zamiri. 
         Nuk e shkoi ndër mend se duke dashur ta lehtësonte Luanin nga gjendja e vështirë, po e rëndonte edhe më tepër. Ai kishte një neveri patologjike për Besimin. Shkaqet ishin të shumtë, por të tillë që, s’mund të bëheshin pengesë për t’u prishur takimin. Luani ziente dhe s’dinte ku të shfryhej.
         Ishte paradite dhe në shtëpi u gjenden vetëm ata të tre. U ulën në formë trekëndëshi. Besimi, si më i madh në moshë, u ul në qoshe, kurse dy të tjerët, përballë njëri tjetrit. Si zot shtëpie që ishte, Zamiri përgatiti një pjatë sallatë, dhe mbushi gotat me raki. Uruan dhe kthyen gotat e para. Luani sa e vuri në buzë e boshatisi gotën duke dhënë sinjalin se atë ditë duheshin prerë drutë shkurt. Në çastin e heshtur që kaloi, Besimi vuri re fytyrën e nxirë nga pagjumësia dhe brenga, të Luanit. Sigurisht që e dinte shkakun dhe u ndje krenar tek shihte vendosmërinë e partisë në ndëshkimin e atyre që dilnin nga vija. Si më i pjekur e ndjeu detyrë të mbante një fjalim të gjatë hyrës, duke u bërë të qartë se në një jetë që zien, nuk është çudi, të përzhiten edhe njerëz që nuk e meritojnë. Ata vinim nga familje të varfra, që të vetmen shpresë mbijetese e mbështesnin tek vija e partisë, ndaj s’kishte pse trishtoheshin kur dëgjonin për spastrime të tilla, që u krijonin përshtypjen se lufta më e egër po zhvillohej kundër armikut të brendshëm, ndërsa vazhdimisht flitej për të jashtmit.
        Nuk ia vunë veshin dërdëllitjeve të tij prej triumfatori. Besimi fliste dhe atyre u ngjante sikur pamëshirshëm cingriste një plagë të freskët që dhembte. Të tilla fjalime nuk shkojnë, ndërsa ke gotën përpara se ajo mund të bëjë që mendja e njeriut të pësojë edhe ndonjë devijim, por Besimi s’donte t’ia dinte. Ishte i dehur prej kënaqësisë që i krijonte spastrimi i egër që po u bëhej kundërshtarëve.
         Dikur edhe vet Besimi e kuptoi se po bëhej i padurueshëm dhe kaloi në atë temë që na bënte bashkë. Kishte më tepër njohuri nga dy miqtë e tjerë dhe lexonte letërsi të ndaluar, por këtë e bënte për të parë se në cilin drejtim dekadentët e godisnin letërsinë proletare. Ndërsa dy të tjerët edhe kur u binte në dorë ndonjë libër i tillë, e lexonin me frikë, si të bëhej fjalë për ndonjë trakt të rrezikshëm antiparti.
         Ai fliste, ndërsa Zamiri shikonte herë pas here reagimet e përmbajtura me sforco të Luanit, i cili po arrinte në pragun e shpërthimit. Ato çaste ata e shikonin veten si armiqtë më të mëdhenj të njëri tjetrit. Sa ngushtë ndodhet i zoti i shtëpisë, kur ndjen se zemërimi i miqve mund t’i përdhosë folenë e shpirtit! Ndaj Zamiri u detyrua t’i bënte thirrje Besimit të qetësohej e t’i lejonte të shijonin atë gosti të sajuar varfërisht me mbeturinat e festës së shkuar. I trokitën prapë gotat dhe Besimi s’po ndalej së rrëfyeri, duke u bërë të qartë se armiqtë ishin shumuar dhe ata po vepronin në bashkëpunim me njeri tjetrin e me agjenturat e huaja...
        Aty ndodhi edhe ajo që s’pritej. Luani s’duroi më, u ngrit dhe e goditi Besimin me grusht në fytyrë. Gjaku spërkati murin. Si zot shtëpie, Zamirin sa s’e përpiu dheu. U ngrit i verbuar e me një goditje prej mjeshtri e dërgoi Luanin me gjithë karrige, tek muri që kishte nga pas. Pasuan disa çaste të çuditshëm kur ligjërimi ishte trembur. Besimi e mblodhi veten i pari. U ngrit dhe tundi kokën si për të parë se ku gjendej. Kur dalloi Luanin të mbledhur kruspull, u ngrit dhe i dha dorën për ta ndihmuar. Tani ndjente dhimbjet e mikut më të forta se të tij. Ai s’mbante mend të kishte ngritur ndonjëherë dorë mbi miqtë. Po tani ç’të kishte ndodhur? Kjo është miqësia e vërtetë, që pret çaste të tillë për t’u rrëfyer. Ndryshe ç’gjë tjetër do i bënte bashkë? Çaste të tillë acarimi s’kishte pat kurrë mes tyre, por tani që ato kishin ardhur, duhej të rrëfenin vetveten. Zamiri s’po merrte vesh ç’po bëhej.
        −Na fal. E djallosëm!- kërkoi falje Besimi i cili tronditej sa herë shikonte shenja  gjaku.
        −Nuk është faji yt, − i tha Zamiri.-Ne e humbëm kontrollin që të tre.
        −Por nuk kemi asnjë shkak për të arritur deri këtu.
        −As faji im nuk është− u shfajësua Luani.- Të kam thënë që rakia e fortë e prish jo vetëm revolucionet, por edhe çdo bisedë për to.
        −Leri këto fjalë Luan− ndërhyri Besimi,−Ne po flasim për letërsinë dhe ajo nuk i pranon skena të tilla.
        −Përkundrazi−nguli këmbë Luani që ato çaste ishte gati ta kundërshtonte mikun e tij edhe për ekzistencën e vet Zotit.- Letërsi pa ngjarje s’mund të ketë. Sa më të prekshme të jenë ato, aq më përgjëruese bëhet letërsia, kurse ti s’guxove të shkruaje kurrë për to... 
        Luani po bëhej gati t’i jepte grushtin tjetër, kur mes tyre u fut i zoti i shtëpisë, duke e ndalur ndëshkimin. Çuditërisht Zamiri vuri re se të dy miqtë po i ngulnin këmbët në tokë dhe po zgjatnin gotat për t’u mbushur. Ishte nga të rrallët raste nga mund të kuptohej se rakia jo vetëm të merr mendjen, por shpesh herë po ajo të bën t’i ngulësh këmbët në tokë. Pinë prapë dhe e harruan grushtin. Bisedat shkonin deri në një farë vendi dhe prapë ngriheshin tonet. Të zotit të shtëpisë i duhej shpesh herë të ngrihej e të futej mes tyre për t’i qetësuar. Njollat e freskëta të gjakut në mur, i kujtonin se humbja e kontrollit mund të sillte edhe pasoja më të rënda.
         Vonë nga pasditja u ngritën dhe u ndanë. Dukej se kishin vendosur ta hiqnin nga mendja plasjen e grushtit. Madje, Besimi u premtoi bileta për teatër. Të nesërmen trupa e Bylysit do jepte premierën e një drame të Driteroit, për misrat me kubikë. Në mbrëmje Zamiri u detyrua t’u shkojë në shtëpi të dy miqve, më tepër për të parë se çfarë shenjash kishte lënë grindja e një dite më parë, se sa për t’i marrë me vete e të shkonin në teatër. Nuk donte që pas asaj ngjarje të ngeleshin armiq të betuar, siç ndodh shpesh. Ngjarje të tilla bëjnë bujë në qytetin e vogël. Edhe pse asnjëri nga të tre nuk kishte rrëfyer gjë për të, paskeshin folur muret dhe në fillim e mësuan familjarët e të treve, pastaj komshinjtë e më pas, pjesa më e madhe e qytetit. Nuk dinin vetëm shkakun pse mund ta ndezin kaq ashpër sherrin, miqtë e mirë? Por ata të tre e kaluan me humor, duke kujtuar një postulat të lashtë se, s’mund të jesh krijues pa jetuar të tilla shaka të tepruara...
        Fatmirësisht asaj ngjarje askush nuk i ngjiti ndonjë bisht politik, i cili do u hapte probleme të tre miqve. Ajo ngjarje mbeti mes tyre e nuk denoncoi asnjë armik. Si shumë kujtime të këqija, ai pati edhe anën e mirë, duke e bërë Besimin të rrëfehej më i matur kur bëhej fjalë për pogromet e tmerrshëm. Por bindi edhe të tjerët për faktin se jo të gjitha të këqijat i pati sistemi, i cili s’do bënte aq dëme, po të mos kishte shërbëtorë kaq zemërzinj e të përkushtuar. Bëheshin të tillë nga frika apo nga bindja, kjo është pikë tjetër që s’lidhet me rrëfimin tonë.
         E rëndësishme dhe ngushëlluese është se ne shqiptarët harrojmë lehtë dhe kjo është arsye që dramat na përsëriten herë pas here.

Bexhet Asani: Një mësimdhënës i harruar me varr të vandalizuar

Bexhet Asani

NJË MËSIMDHËNËS I HARRUAR ME VARR TË VANDALIZUAR

(Dr. Ali Vishko 1930-2009)

Prof. dr. Ali Vishko u lind në vitin 1930 në qytetin piktoresk të Strugës. Tërë jetën e tij punoi në Tetovë dhe në Shkup, për të arsimuar dhe edukuar gjenerata e gjenerata të rejash e të rinj në Maqedoni. Përveç procesit edukativo-arsimor ai u mor edhe me shkencë. Veprat historike që i ka lënë popullit shqiptar trashëgim janë të një niveli të lartë shkencor. Ai ishte një orientalist dhe njohës i shkëlqyer i osmanishtes. Ishte një njeri me biografi të pastër si loti. Kurrë nuk u gjunjëzua para organeve të UDB-së jugosllave. Meqë përmenda UDB-në famëkeqe, prof. Aliu leçiti, e largoi publikisht, një familjar të tij vetëm e vetëm se ishte bashkëpunëtor i organeve të sigurimit. Dhe nuk e pranoi si të afërm të tij gjersa shkoi në amshim. Për këtë leçitje ai rrezikoi karrierën e tij, si ligjërues universiteti, por tërë nuk ia bëri syri. Punoi me ndershmëri gjer në fund të jetës. 
Pasi doli në pension, kryesisht vitet e pleqërisë i ngrysi në vendlindjen e tij të dashur, në copëzën e parajsës strugane. Në këtë kohë e kam njohur për së afërmi profesor Ali Vishkon. Pothuaj ditë për ditë takoheshim dhe uleshim te një kafene në qendër të qytetit aty afër ëmbëltoreve “Dredhëza”. Ai gjithmonë mbante në sqetull disa gazeta e revista. Preferonte të pinte makijaton. Bisedonim me orë të tëra për shkencë e rrallë për politikë. Ishte i gatshëm të përgjigjej për çdo pyetje rreth studimeve të tij. Kohët e fundit kishte bërë një studim për kultet fetare në rajonin e Ohrit dhe të Strugës. Një studim i thukët nga një osmanolog i shkëlqyer. Ai kishte shkruar edhe për xhaminë kontestuese nga disa qytetarë të krishterë të Ohrit, për xhaminë Ali Pasha, në qendër të qytetit. Për inaugurimin e së cilës flitet dhe shkruhet nëpër portalet elektronike se do të vijë kryetari i Turqisë Taip Erdogan...!
Në Strugë ai respektohej nga intelektualët struganë dhe nga të gjithë qytetarët që e njihnin. Për një kohë nuk doli profesor Aliu te kafeneja e tij e preferuar. Dyshova se nuk do të ishte mirë me shëndetin! Profesor Ali Vishko i përkiste sektit bektashian. Në Strugë ka shumë pak familje të sektit bektashian. Meqë janë pak në numër ata nuk kanë teqe, për t’ i kryer rritet fetare. Si iu rëndua shumë shëndeti ai vendosi që ditët e fundit, si bektashi që ishte, t’ i kalonte në Teqenë Harabati Baba të Tetovës. Dëshira e fundit e prof. Ali Vishkos sipas dervishit: - Të më varrosni këtu nën hijen e blirit..!” Amanetin e mbajti dervishi. Ai u varros aty sipas dëshirës së tij.
Në gusht të vitit 2017 bashkë me delegacionin e Lnshpa “Pegasi” Albania, prof. Kristaq Shabani, Engjëll Shametaj, Aleksandra Shabani, Vladimir Lulaj dhe unë, delegacionin e udhëhiqte prof. Kristaq Shabani qëndruam në Tetovë. Ata kërkuan nga unë që të shkonin e të vizitonin ndonjë monument kulture apo vend historik. Unë aty për aty pa u hamendur vendosa që të shkonim e ta vizitonim Teqenë Harabati Baba. Të gjithë ishin dakord me këtë propozim. Hymë në kompleksin e teqesë. Pas disa minutash erdhi dervishi udhëheqësi i teqesë z. Avdyl Mutalip Beqiri, na futi brenda në dhomën e pritjes. Pasi na uroi mirëseardhje, ia shtruam vendçe bisedës. Unë e dija se bektashinjt nuk e kanë të ndaluar rakinë, dhe mysafirët që i kisha me vete ata e pinin rakinë. Si shoqërues i tyre më takonte mua që të kujdesesha për ta. I them dervishit do ta ngrejmë ndonjë dolli!? Ai vazhdoi bisedën si duket nuk më dëgjoi mbase fola ngadalë e me zë të ulët. Miku im ma bëri me shenjë lëre tani..! Pasi u ndalë dervishi i them përsëri: - Do ta ngremë dollinë apo jo..!? – Po si jo... – U ngrit në këmbë dy metra burrë dervishi, bile na kërkoi falje pse nuk na kishte thënë që në fillim të bisedës. 
Dervishi u kthye me një shishe raki të përzier me arra të njoma dhe me një tabaka me gotat e rakisë dhe me një gotë të madhe me lëng molle. E mbushi gotën me raki dhe ma drejtoi mua. Jo, jo mua atyre, ata e pijn, unë për ta e kërkova, ja do ta marrë këtë lëngun e mollës. Si u mbushën gotat e ngritëm dollinë. “Vetë e kam zier rakinë edhe lëngun e mollës vetë e kam bërë” - tha dervishi. Rakinë e lëvduan miqtë e mi kurse unë e lëvdova lëngun e pastër të mollës që më freskoi në atë vapë të gushtit. Që ta përmirësonte shtyrjen e ngritjes së dollisë, dervishi ia dha shishen e rakisë miqve, nga Gjirolastra që ta mirrnin me vete. Dervishit i dhashë dy librat e mi “Optika letrare” (2017) dhe “Hyjnia e syve” (2017). U habita dhe njëherit më erdhi mirë kur dervishi i Teqesë “Harabati Baba” të Tetovës, Avdyl Mutalip Beqiri bekoi librat e mi!

Duke bërë dua me dervishin e teqesë Harabati Baba, para varrit të prof. Ali Vishkos
Kërkova nga dervishi që ta vizitonim dhe të bënim homazhe te varri i prof. Ali Vishkos. Po tha dervishi pasi të mbarojmë bisedën do të shkojmë ta vizotpjmë varrin e prof. Ali Vishkos, por ende nuk e kemi rregulluar si duhet. Dervishi na tregonte se ditën që e kishin varrosur Ali Vishkon, ai kishte ikur nga Kompleksi i teqesë sepse disa ditë me radhë e kërkone policia. Pse: E pyeta unë. Nuk duhej që ta varrosnim këtu Aliun! Pse nuk duhej, ai ishte një intelektual i madh dhe një bektashi i devotshëm! Një javë i gjori dervish ishte fshehur që të mos e arrestonin shkaku i varrimit të prof. Ali Vishkos dhe më në fund e kishin lënë të qetë. Bëmë një dua para varrit të prof. Ali Vishkos, që i ndrittë shpirti nur. 
Në portalin “Maqedoniashqiptare.com” lexoj një shkrim që më tmerroi, me titull: PËRDHOSJA VANDALE E VARRIT TË PROF. DR. ALI VISHKOS NË KOMPLEKSIN “HARABATI BABA TEQE! 
“Me iniciativën e OJQ,”Nisma’68”, pas shumë e shumë peripecish u arritë që më 12.06.2019, në dhjetvjetorin e vdekjes të përkujtojmë këtë mësues të popullit, viganin e historisë kombëtare… Ai tërë jetën e tij më vitale ia kushtoi arsimit shqip në gjimnazin e Tetovës dhe në themelet e Universitetit të Tetovës në kohëra shumë të egra për shqiptarët. Janë qindra e mijëra nxënës e studentë që sot me mburrje thonë se janë produkt i prof. Vishkos…
Dhjetë vite për ndalesa banale, varri i tij ngeli i pamirëmbajtur. Ka patur iniciativa nga një grupi qytetarësh që A.Vishkos t’ i bëhet një varr monumental ashtu siç e meritonte. 
Kjo u prolongua me arsyetimin se konpetentët e “Harabatit” atë do ta bëjnë sipas arkitekturës të varreve të Teqes së “Harabatit”…
Meqë atëherë deri me 12 qershor 2019 nuk u ndërmorë asgjë, me gjasa reale që mos të ndërmerret asnjëherë, Shoqata “Nisma ’68” me përkrahjen e UT-së, studentët, arsimtarët dhe qytetarët e disa qyteteve shqiptare e përkujtuan dhjetë vjetorin e vdekjes së tij. Varrit të rrënuar pa asnjë shenjë i mbuluar nga kullosa, iu dha forma e kornizuar identifikimi.
Në vend të pllakës përkujtimore prej mermeri (të përgatitur që më parë), si zëvendësim u vendos pllakë metalike që qëndronte e ngulur, siç thuhet, as në tokë e as në qiell. Kjo u bë që të respektohet vendimi i ndalesës administrative i masës së përkohshme…
Nga ana e iniciatorit ”Nisma’68” kjo masë u respektua. Varrit iu dha vetëm forma që i duhet. Rreth varrit, u mbollën lule të freskëta dhe simbolikisht pjesëmarrësit mbi të vunë 79 gurëz aq sa vite jetoi.
Për këtë njohtuam Myfteninë e Tetovës e cila me shkrim na u përgjigj se mundemi ta mbajmë këtë përkujtim, por duke respektuar “ligjet positive (?!)…
Manifestimi ishte ashtu siç e meritonte prof. Ali Vishko.Të gjithë u çliruam nga ajo barrë e turpit që Tetovën dhe tetovarët i rëndonte këto 10 vite…
Një nismë e shkëlqyer e Shoqatës “Nisma ‘68” por ç’ do të ndodhë një ditë më vonë, në natën e kobshme të “13 qershorit 2019 varri i prof. A. Vishkos ishte i rrafshuar me tokë. Vandalët gjatë natës kanë patur aq kohë, jo vetëm mos të lënë asnjë gjurmë, por edhe të sumojnë edhe eshtrat e të ndjerit(?!).Vandalët padyshim kanë urdhëruesin e tyre,kapedanin. Kush është ai, publiku do ta marrë vesh së shpejti!”
Si ka mundësi që të sulmohet varri i profesor Ali Vishkos? Ai ishte njeri që nuk pati kurrë mosmarrëveshje me njeri të gjallë! Ai ishte një shqiptar me zemër luani. Ai ishte një mysliman i devotshëm. Si ka mundësi që vëllezërit e tij shqiptarë myslimanë t’ia përdhosin,t’ ia vandalizojnë varrin!? Të mos e lënë të prehet në amshim Mësuesin e Popullit, shkencëtarin e madh shqiptar prof. dr. Ali Vishkon. Një turp që s’do të harrohet! Çfarë shqiptarë, çfarë fetarë mund të jenë ata vandalë..!? Organet kompetente duhet ta zbardhin këtë ngjarje të shëmtuar.
U prehtë në paqe faqendrituri Ali Vishko!