Posts mit dem Label Alketa Maksuti Beqari werden angezeigt. Alle Posts anzeigen
Posts mit dem Label Alketa Maksuti Beqari werden angezeigt. Alle Posts anzeigen

Samstag, 22. Juni 2019

Letërsia e Kosovës është vajzërore apo grua e bukur dhe e mençur?!

Intervista me Z. Pandeli Koçi (Sazan Goliku)

Nga: Alketa Maksuti Beqari

Në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës, në Salla “ Paolo Petta” pranë tavolinës më afrohet një Zotni dhe më thotë: Më falni, cilin autor po lexoni? I përgjigjem: Autor nga Kosova.
Gëzohem shumë që studioni autor nga Kosova. Unë jam marr nga vitet ‘ 70 me autorët nga Kosova.
Jam e interesuar të di më shumë për krijmtarinë e autorëve në Kosovë, sidomos të kohës para demokracisë. Nëse dëshironi mund të realizojmë një intervistë – shpreha interesin time me dëshirën.
Z. Pandeli Koçi pranoj pa hezitim.
Dua të vë në djeni lexuesit e këtij shkrimi, se në vitet kur demokracia nuk ishte vendosur, në Shkollën e Mesme , gjimnaziste, për historinë dhe gjeografinë e Kosovës njohuritë na përcilleshin nga Mësuesit me Shkrim. Në librin e letërsisë shqipe pak autorë studionim të Kosovës.
Kosova ishte e munguar.
Dhe për të plotësuar mungesën, falë rastësisë në Tempullin e Dijes, po ju sjell letërsinë e Kosovës së parademokracisë në Shqipëri.


1. Z. Pandeli Koçi, si erdhi ideja e botimit të veprave nga autorë të Kosovës?

Në vitet ‘ 70, punoja në redaksinë e poezisë tek Shtëpia Botuese “ Naim Frashëri”. Shef i redaksisë së Poezisë, Dramës dhe Kritikës ishte Dhimitër Fullani. Por para se të vazhdoj po tregoj se poezinë e Kosovës e njihja nga Agim Gjakova me veprën “…..dhe ata thanë se është një vend në botë” e botuar në 1962 dhe Adem Istrefi, student i letërsisë në vitet që edhe unë kam qënë student. Dashurinë për Kosovën e kam marr nga xhaxhai im, i cili më rriti pasi u kthye nga Argjentina, ku emigroi. Por, le të kthehemi tek letërsia e Kosovës.
Një ditë në tavolinën, ku punoja vjen shefi, Dhimitër Fullani dhe më thotë se kemi urdhër nga lart të botojmë vepra nga autorë të Kosovës. Me autorizim si ishte koha atëhere, shkoj të marr librat, botimet të cilat gjendeshin në Bibliotekën Kombëtare në arkiv ose të rezervuara. Autorizimin e kisha edhe nga Lidhja e Shkrimtarëve, në atë kohë udhëzimet ishin gjithmonë nga lart. Kështu në ‘ 71 doli Antologjia e parë me titullin “ Për ty” , titull të cilin e mora nga Esat Mekuli dhe një vit më pas me Antologjinë e dytë të titulluar “ E di një fjalë prej guri”, titull i marr nga Azem Shkreli.
Në përzgjedhjen e poezive isha i kujdesshëm për vet kohën që jetonim. Në këto Antologji ishin Enver Gjelqeku, Ali Podrimja, Rahman Dedaj, Fahredin Guraj, Din Mehmeti, Jakup Ceraja, Agim Vinca, Josip Rela, Edi Shukriu, Flora Brovina, Jusuf Buxhovi, Mehmet Kraja. Librat nuk lejoheshin të dilnin nga Biblioteka dhe më duhej t’ i shkruaja. Ndihmesë të madhe më ka dhënë gruaja ime, të dy deri sa mbyllej Biblioteka kopjonim poezitë duke I shkruar me dorë. Kishte raste i detyruar, fshehurazi t’ i fshija librat nga pas, të mbuluara nën xhaketë dhe shkoja në redaksi për të shtypur.

2. Si e cilësoni ju, nivelin e letërsisë të Kosovës së asaj kohe?

Po flas për poezinë se në atë kohë poezinë mbuloja. Ishte një poezi që I afrohej poezisë botërore me figuracione të ngjeshura dhe konceptimin poetik. Pra, faza e poezisë retorike ishte kapërcyer. Jugosllavia e asaj kohe ishte më e hapur me botën. Kishte edhe autorë tradicionalë apo me retorizëm të rëndomtë.

3. Në poezitë e autorëve sa e prekshme ishte tema e lirisë? Sa e dukshme ishte në vargjet e autorëve?

Para se të përgjigjem, po ju kujtoj që një pjesë e autorëve i kishin kushtuar poezi edhe Titos, gjithmonë do kujtojmë që poezia apo vepra analizohet nga koha dhe kushtet, vendi. Pra, jo vetëm tek ne ka ndodhur që i është kushtuar poezi udhëheqësit.
Kthehem tek përgjigjia e pyetjes, tema e lirisë ishte e simbolizuar te Fjala, Kulla, Gjaku, pra nëpërmjet hermetizimit. Pra idestë dhe aspiratat e tyre shpreheshin nëpërmjet ekuivokeve, për arsye që t’i shmangeshin goditjeve të regjimit. Në disa raste kanë përfunduar në burg si Jakup Ceraja, Rexhep Elmazi, të cilin dhe e vranë. Ashtu sikur ndodhi me Jusuf Gërvallën. Një vit pas vrasjes së tij, botova romanin “ Rrotull “ në 1983. Romanin ma dha e shoqja e Jusufit, Suzana, kur u kthye nga Gjermani, për arsye sigurie në Tiranë. Parathënia është shkruar nga Ismail Kadare dhe vizatimet së bashku me kopertinën nga Abdurrahim Buza. Më kujtohet një vizatim për skicimin e një ndgarjeje që përshkruan Jusufi tek romani si i lidhën serbet rrotull mullarit fshatarët dhe mullarit i vunë zjarrin. Botova reçensionin tim mbi romanin në gazeta “ Zëri i Popullit”, gjithashtu. Kjo ishte situata e poetëve, autorëve të Kosovës.

4. Si u prit romani nga shkrimtarët në Shqipëri?

Pak kritikë shkruheshe në atë kohë si në“ Drita” edhe “Nëntori”.

5. Niveli i letërsisë shqipe në Kosovë dhe Shqipëri si ndryshonte apo më saktë dallimet, veçoritë që i karakterizonin autorët e Kosovës.

Anton Pashku, babain e modernizmit të letërsisë shqipe.

6. Babai i modernizmit edhe nga autorët në Kosovë dhe në Shqipëri?

Po, babai i letërsisë shqipe moderne.

7. Pse është babai i modernizmit? Cilat janë veçoritë që e bëjnë të tillë?

Romani i tij, proza ka skemën e ndërtimit, strukturën dhe konceptin e përshkrimin e personazhit dhe rrjedhjes së ngjarjeve jashtë kufijëve të tradicionales, realistes si jemi mësuar ne ta shohim prozën, romanin. “ Oh” është vepra e tij që e personifikon si autor.

8. Të gjithë autorët e asaj kohe i keni botuar?

Jo të gjithë, Beqir Mysliun për shembull, ose autorin që ju po lexonit. Nuk më kujtohen rrethanat pse nuk e kemi botuar Mirko Gashin, një poet që është përkrah Ali Podrimes, Azem Shkrelit, poet i krahut verilindor që dallon oër stilin e tij të të shkruarit. Një bohem, i lindur në Grykën e Karadakut, aty ku bashkohen trojet shqiptare.

9. Si u krijuan rrethanat që ju filluat Lektor në Dega e Gjuhë Letërsisë, Lektor i Kursit Special për Letërsinë e Kosovës?

Jemi në vitet ’85 , vjen më takon Profesor Nasho Jorgaqi dhe më thotë se kam marr leje nga lart që me studentët e vitit të katërt të hap Kurs Special për Letërsinë në Kosovë. Për të përgatitur leksionet shfrytëzoja Historinë e Letërsisë, kritikën letrare të Kosovës, Gjurmë Albanologjike, revistën “ Jeta e Re”, “ Jehona” të Shkupit, gazetën “ Fjala”, libra me studime dhe kritika letrare që ndodheshin në Biblioteka Kombëtare. E kisha të vështirë sepse metodat, terminologjia me metodën e realizmit socialist tek ne.
Fillova me poezinë, me dramën e Anton Pashkut, me romanet. Kishte autorë si Beqir Musliu që nuk mund të flisja, dramën e Rexhep Qoses e të tjerë autorë.

10. Kur ju i trajtonit veprat e autorëve hynit deri në analizën e thellë të anës psikologjike të personazheve në dramë, roman apo tregim? Ose si e pasqyronit gjendjen shpirtërore të autorit?

Më tepër kanë qënë leksione panoramë, një herë në javë ishin leksionet, më pas dy herë, por me orë akademike dy orëshe ishin. Flisja për stilin e të shkruarit, tiparet e secilit dramaturg, por jo deri në hollësitë apo trajtimin e secilit personazh.

11. Sa ishin të interesuar studentët për lëndën?

Kishte studentë të interesuar si Mimoza Ahmeti, Ben Blushi që janë emra të njohur.

12. Lënda ishte firmë në vlerësimin e studentëve?

Po firmë, me notë.

13. Kur hyri demokracia lidhjet tuaja me letërsinë e Kosovës si vazhduan?

Pas ’91, botoja në faqe letrare të organeve të shtypit shkrime për autorë të Kosovës, kam shkruar për Anton Pashkun, Agim Vincin e të tjerë autorë.

14. Letërsia në Kosovë është vajzërore apo Grua e bukur dhe e mençur?

Pyetjes tuaj figurative unë nuk mund t’i përgjigjem se majat nuk janë arritur edhe sot. Nuk kemi më si ka shkruar Rahman Dedaj, Ali Podrimja, Azem Shkreli, apo Ibrahim Kadriu, Jusuf Buxhovi, Rexhep Qosja. Nga brezi i ri kam lexuar pak për vet moshën dhe punëve të mija të kësaj kohe. Pra, pyetjes tënde nuk mund t’ I përgjigjem me figurat që përdorët ju.

Faleminderit, Z. Pandeli Koçi për kohën që më kushtuat. Ishte kënaqësi të realizoja intervistën me ju.

-   -   -

Pandeli Koçi ka lindur në Vlorë më 1942. Ka kryer Fakultetin Histori – Filologji në Tiranë dhe ka punuar mësues, punonjës kulture, gazetar, si dhe redaktor letrar në SHB “Naim Frashëri” e gjetkë. Që nga viti 1970 është marrë aktivisht me botimin e letërsisë shqiptare të botuar në Kosovë dhe ka qenë lektor i këtij krahu të letërsisë shqiptare në Universitetin e Tiranës.

Nga viti 1981 – 2002 ka punuar si drejtues në sektorin e shtypit të Kuvendit të Republikës. Ka shkruar poezi, prozë dhe letërsi për fëmijë, si dhe tekste këngësh.

Është marrë me kritikë e studime letrare, recensione dhe ese. Është fitues i disa çmimeve kombëtarë dhe vendorë. Ka qenë kryetar i Shoqatës Mbarëshqiptare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj nga 2008-2016.

Freitag, 15. Dezember 2017

Meraku i Kolit

Alketa Maksuti Beqari
Alketa Maksuti Beqari

Bisedat tona ishin të gjata, me orë të tëra. Flisnim për gjithëçka dhe ishim aq të lirë me njëri - tjetrin. Më mungon, më mungon shumë. Ishte pa komplekse. Temat vinin aq natyrshëm dhe përfundonin me energji të lartë kur preknim tek tema më e nxehtë e njerëzimit, seksi. Ajo po merrej me një studim mbi këtë temë, madje shkruante edhe tregime të tilla. Isha lexuesi i parë i saj. Mbaja qëndrim kritik shpesh dhe në një fjalë të vetme. Më dëgjonte me vëmendje. Ishim shok prej vitesh, e lexonim mendimin e njëri - tjetrit, unë guxoja gjithmonë duke ja shprehur dëshirën të bëja dashuri - seks me të, sikur një natë të vetme të ndodhte. Gjithmonë merrja të njëjtën përgjigje: Të kam shok. Shokë jemi prapë ia ktheja, më lejo vetëm një natë, e adhuroj trupin tënd, të prek lëkurën, të ndjej aromën tënde, por përgjigjia ishte jo. Kjo më tundonte më shumë, dreqi ta hajë ego mashkulli, doja të dija si bënte dashuri, imagjinata më pushtonte më tepër kur i lexoja shkrimet. Herë pas here e pyesja: Si personazhi i tregimit je ti? Qeshte më të madhe. Unë jam si personazhi, sepse e krijoj unë më shtonte nga pas. E dija që dinte të bënte bukur dashuri, trupi i saj ishte, o Zot si ishte. Sa mirë që keni vendosur të shkruani për të dhe krijimet e saj. Kur më telefonuat ngurrova, sepse na mbyt gjykimi. Por tashmë kanë kaluar vite dhe njerëzit duhet ta dinë që Ajo grua ishte reale, prekte ku na dhembte të dyja gjinive. Dua të kujtoj, dua të kujtoj se që ditët e para të njohjes tonë, madje që në takimin e parë unë e doja ta kisha në krah, nën trupin tim. Kur i hynim letërsisë, jetës sociale, profesionit harroheshim, ikte koha, fluturonte, ama kur ndizej biseda për seksin unë humbisja fare. Ishte ekstremiste, sa nganjëherë nuk e kuptoja si arrinte të ishte aq rezistente ndaj meje. Edhe kur mund të kishte lëkundshmëri, nxitje neuronesh dhe ne të shkonim në kulminacionin që unë doja, ajo dinte të kalonte situatën. E admiroja. Një natë ndodhi. Kërkoj foto nudo ti realizoja. Por i vendosa kusht që do jemi të dy nudo dhe do rrimë bashkë. Nuk do të prek pa dëshirën tënde u shpreha, nëse do më ndjesh, atëhere nuk di çfarë mund të ndodhë. Ramë dakort. Zgjodha qytetin më të dashur për të Parisin. Preva biletat. Dhe u nisëm. Të kërkoj ndjesë se as për kafe nuk iu pyeta, më rrëmbeu ngjarja.

U ngrit. Më përgatiti kafen.
Sa sheqer doni? - më pyeti.
Dy kuba.
Po përgatit edhe për vete. Dua t' ju shoqëroj.
Vendosi pas pak kafet në tabaka dhe i serviri.
Biskotat janë franceze. Pak ditë kam që u ktheva nga Parisi. Sa herë jam atje shëtis mbi Senë dhe anash saj. Si harroj dy ditët që ne qëndruam aty. Gjithë vitet tona përmblidhen në ato dy ditë. Kur arritëm në Paris më kërkoj së pari ta çoja tek Mulin Ruzhë. Atje ku Arti shkrihej me botën e erosit, atje ku kurtizanet ishin edhe kërcimtare, atje ku qartësisht u tregua se njerzimi vuan nga sëmundja më e madhe, hipokrizia, e aty maska çirrej. Shpërrthimi vullkanik ishte tek ai vend. Adhurimi i sensualitetit zaptonte meshkujt, i linte pa frymë. Sytë e lumtur e të shëndritshëm të saj i kam të paharruara, i shoh edhe tani. Shëtitëm gjatë. Në mbrëmje shkuam në hotel. Hyri e para në dush. Doli e mbështjellë nga peshqiri pas pak minutash. Mora aparatin dhe nisa setin e fotove. U shtri mbi krevat. Nisa shkrepjet e njëpasnjëshme. Ajo ishte fushë magnetike.
Ndali tregimin dhe piu ngadalë kafen. Mori një biskotë e ngjeu tek kafja.
Buzëqesha.
Veprova kështu për ta ndjerë më pranë qënien e saj. I pëlqente kafen ta shoqëronte me biskota. I hante shumë ëmbëlsirat. Ndoshta prandaj ishte aq e ëmbël. Por kthehemi tek ajo natë. Sa të çlodhesh pak i thashë po bëj edhe unë dush. Pas minutash në dush dola. I mbështjellë nga peshqiri normalisht. Ajo kishte fjetur. Gjumi i kishte dhënë nur bukurie. U shtriva pranë saj. Nga lodhja më zuri gjumi shpejt. Mëngjesi na gjeti ngjitur trupash si gjumi është. Ajo hapi sytë dhe tek më pa që e vështroja fytyrën e saj të dlirë më tha mirëmëngjes dhe qeshi lehtas. Nuk të preka si ta premtova i thashë, qeshi edhe më. U ngrita dhe nisa ta fotografoja. Nudot dolën të bukura, njëra është në kopertinë libri që ajo botoi si u kthyem nga Parisi.
Heshti. Ngadalë ngriti filxhanin e kafes dhe e gjerbi.
Prita.

Samstag, 9. Dezember 2017

Çfarë duhet të ndjejmë kur lexojmë Medean?

Alketa Maksuti Beqari
      Kjo ishte pyetja e parë që më pushtoj teksa e mbarova së lexuari. Medea është një grua që shkon përtej të qënit nënë Apo është nëna që duke parashikuar pasojat e veprimit të saj kryen aktin më të tmerrshëm ndaj fëmijëve të saj, kthehet në vrasëse?
      Pse ndodh kjo me një grua, me një nënë?
      Përballja me rrethanat që jeta i krijon dhe dashuria për burrin e detyrojnë të çvishet nga shpirti i butë e delikat si shpirti i një vajze është dhe të kthehet në vrasëse më parë me anëtarët e familjes së vet tek dera e babës e më pas tek shkatërrimi i jetës së saj deri aty ku thika prek gjakun e saj, dhimbjen më therrëse.
     Dashuria verbon dhe nuk lë të shohësh qartë rrugën ku ecën.
     Lëndimet e kësaj lloj dashurie detyrimisht çojnë vetëm në fatkeqësi, sepse lindin në rrugë të tilla si është etja për pushtet dhe para.
     Duhet ta fajësosh dhe varësh këtë grua apo ta quash të marrë dhe ta lësh në fatin e vet deri sa Zoti ta marrë duke e lënë në lëngimet dhe vuajtjet e tmerrshme deri sa shpirti t'i dalë.
     Po kush është Medea?
     Pse pikërisht u krijua ajo nga Euripidi me këto dimensione?
     Pikërisht një njeri që u ndje i përbuzur nga shoqëria e atëhershme dhe kur nuk u përkrah? Pikërisht Ai që vdiq në tjetër Tokë, i dëbuar?
     Janë këto rrethanat që ky stoik parashikoj jo vetëm që do godiste shoqërinë e atëhershme, por çdo shoqëri të çdo shekulli e viti që do jetonte njerëzimi.
Sado ta përbuzësh mençurinë e dijen e një njeriu që ka ardhur në Tokë me misionin për të qënë Gjeni, asgjë dhe askush nuk mund ta përulë e përçmojë.
     Vet kryeveprat e Tij flasin. Edhe pse në të gjallë të Tij mbeti i pavlerësuar, mijëvjeçarët i referohen.
     Për këtë qëllim Ai krijoj Medean, sepse kur ngrihet dora e një gruaje, nëne pushteti, shoqëria, njerzimi tronditen nga themelet dhe goditen më fort, më ashpër. Pushteti dhe paraja nuk janë asnjëherë gjithçka sa është Dashuria mes njerëzve. Dashuria mban gjallë, dashuria frymon, bën që njerzit të ecin dhe zhvillohen. Dashuria ngre shpirtin të ndjehet i lirë dhe i paqtë, largon ligësinë, cmirë, urrejtjen.
     Ajo është triumfi i jetës jo vetëm tek njeriu në Tokë, por edhe tek Zotat në Qiell, të cilët e krijuan njeriun për këtë qëllim.
Euripidi krijoj një Medea duke e lënë çdo lexues që e lexon veprën në mëdyshje, ta dojë apo urrejë këtë grua, ta mbrojë apo dënojë, të ndjejë keqardhje, mëshirë apo neveri?
     E tmerrshme! Makabër!
     Është aktuale Medea sot.
     Është, jam e detyruar ta pohoj.
     Sepse shpesh herë lexoj tituj lajmesh të një nëne si Medea.
     Akte që të lenë pa fjalë dhe të futin në mendime.
     Arsyet sado kokëforta të jenë nuk ka fjalë që t'i justifikojë.
     Truri i njeriut është një mister. Misteri, i cili e shtyn një nënë të shkojë deri në këtë pikë, e di vetëm ajo.
     Unë them, pohoj se rastet ngjajnë me njëra- tjetrën.
     Nëse shoqëria do të ishte një perfeksion( kushte ideale të jetesës së njeriut, familjes, komunitetit, fshatit, qytetit, shtetit, shteteve) a do të ekzistonte Medea?
     Po një Euripid?


Donnerstag, 30. November 2017

Gruaja, Matematika, Seksi...

Seksi e vesh apo e zhvesh një grua?

Ideja të shkruaja mbi këtë temë më lindi nga personazhi femër i njërit nga tregimeve që po shkruaj. Gruaja nga e ndrojtur në seks fillon kërkon nga vetja, për të qënë zotëruese ndaj partnerit të saj, të cilin rrezikon ta humbë vetëm për këtë arsye.
Arsyeja tjetër që më tundoj të shkruaj mbi këtë temë është edhe një mentalitet midis përshkrimeve nga autori mashkull dhe autorja femër. Nëse nisemi nga koha, autorët meshkuj janë gjithmonë mbizotërues ndaj temave që trajtojnë mbi përshkrimin ndaj seksit, autoret femra janë më pak të guximshme, sepse paragjykimi është i dukshëm dhe reagimet, frika prej tyre e step një autore.
Seksi është erotikë, nëse përshkruhet nëpërmjet erotikës, gjuhës të saj natyrisht që jepet, shfaqet nëpërmjet bukurisë dhe përcillet tek lexuesi këndshëm. Gjuha e të shkruarit do i përshtatet mjedisit, njerëzve që e flasin? Nga studimet mbi seksin, të bërit dashuri ka një të përbashkët, meshkujve ju pëlqen që partnerja e tyre të flas me një fjalor “ të pistë”, kjo është një faktor që tërheqjen seksuale e shton dhe rrit adrenalinën në çift.
Një arsye tjetër është se fjala “seks”  më është dukur tabu si fjalë,kam qënë e pavendosur brenda vetes nëse duhet të shkruaj tregime të kësaj natyre, pra erotike dhe sa do gjykohem nga lexuesi. Kështu pavarsisht stilit tim të të shkruarit, një pjesë e imja përfshihet me romantizmin tim të ushqyer edhe nga librat klasikë. Më pëlqen të them: Bëra dashuri, ndoshta nga bindja ime që vetëm në dashuri dy trupa të dashuruar mund të jenë në delirin e kënaqësisë dhe arrijnë të gjitha etapat e të bërit dashuri. Pikërisht ky mendim vesh një grua dhe nuk e lejon të shoh përtej murit , i cili e izolon pas vitesh.
Romantizëm apo seks?
Sytë. janë elementi i parë që përcaktojnë tërheqjen, sepse sytë shprehin pastërtinë që ndjen dhe përcakton dëshirën për të qënë me personin e dëshiruar, për të ndjerë përqafimin, prekja e dytë e rëndësishme. Në përqafimin e partnerit marrim çfarë ndjesija jonë ka në ato momente. Na ka zhveshur syri dhe përqafimi, përjetojmë edhe pse trupi ynë është i veshur.
Puthja është aq e dëshiruar, e ëmbël sa humbasim tek mbyllim sytë dhe biem në delirin e dashurisë.
Puthjet të cilat ne gratë i duam aq shumë na zhveshin, na heqin ndrojen dhe na bëjnë të shprehim emocionin tonë për të shkuar më tej me partnerin. Është hap që na tregon se rruga e bukur e të bërit dashuri, seks është e çelur.
Mjedisi, nuk është dhoma, krevati ai që na tundon, por liria që duan dy partnerët për të qënë vetëm, vetëm dhe për të provuar çfarë kërkon rritja e energjisë së dy trupave të tyre. Kjo energji kalon në këmbim mes njëri tjetrit duke arritur pikën më të dëshiruar nga të dy partnerët pas seksit, ky është kulmi i cili trasmetohet në fytyrë dhe sytë e tyre dhe tregon nëse aty vazhdon lidhja e fortë.
Hyra në internet dhe lundrova mbi shkrimet që përcaktojnë jetëgjatësinë e një çifti dhe mbajtjen e pasionit mes tyre gjithmonë në ritëm. Thonë që pasioni shuhet me vitet dhe frika sidomos e gruas që humbet vëmendjen nga partneri i saj rritet.
Pse ka frikë një grua në raport me seksin?
Ka frikë se informacionin dhe përgatitjen e trupit të saj e mban të izoluar nga njohjet dhe njohuritë mbi lojën e seksit. Vitet kalojnë dhe në vend të zhvishet dhe të mos ketë ndrojë për si ndihet dhe çfarë do nga partneri i saj, vishet, vishet dhe paragjykon veten, aq më tepër në çfarë syri e sheh partneri.
Brezi ynë gjithmonë është paragjykuar nga një fjalë: Turp.
Turp sepse nuk duhet gruaja të jetë e para, por ajo ta ndjekë partnerin, në çfarë ai kërkon.
Gruaja ka instiktin e ndrojes, sepse mendon se paragjykohet nga partneri dhe lind një xhelozi e tij, ku ajo i ka mësuar lojrat e seksit. Kjo platitje, mos guxim shuhet vetëm duke biseduar të dy dhe provojnë lojrat, të cilat i japin lidhjes edhe më bukuri. Nga studimet e kryera mbi mardhëniet në çift, mes partnerëve, kjo bukuri zgjat 48 orë, reflektohet dhe pëlqimi për të qënë bashkë forcohet.
Tek ne, tabu, e paprekshmja në dukje mbi seksin, mbulohet jo vetëm vishet, mbulohet deri në fyt si me batanije.
Çfarë rrezikojmë ne gratë nëse nuk zhvishemi nga mentaliteti mbi seksin? Largimin e partnerit tonë, sepse dhe nga ana e partnerit është, ekziston frika nëse duhet me partneren time të kryej lojra të çmendura seksuale.
E para dhe më e rëndësishmja është seksi, loja e seksit.Kjo fjalë kaq tabu dhe kur thuhet, përmendet, shkruhet nga një grua që ka kaluar të dyzetat është për brezin si ne u rritëm një lule mos më prek. Pikërisht nga studimet e kryera përgjigjia është më pozitivja, kjo është mosha më ideale që mardhëniet seksuale kanë kulminacionin e tyre. Siguria dhe besimi mbi çfarë jemi pas një eksperience të gjatë na jep fuqinë seksuale dhe tërheqjen ndaj partnerit më shumë.
Për pikat erogjene tek një mashkull, të cilat rritin edhe më shumë dëshirën seksuale gjatë aktit, të të  bërit dashuri, seks kemi mundësinë të lundrojmë në internet dhe marrim informacionin. Jemi në kohë, ta shfrytëzojmë!



Përtej lakuriqësisë së saj, një tjetër grua

Ajo guxoj të realizonte këto foto. Janë ditët kur ne ishim bashkë. Ky moment është dita e fundit që u takuam. Një ditë e ngrohtë nëntori, megjithëse vjeshtë. Kishim të njëjtin vend ku takoheshim dhe shëtisnim. Ecnim dhe tregonim ngjarjet e ditës të njëri - tjetrit. Secili donte të fliste, tregonte si e kish kaluar ditën dhe në pauza të shkurtra këmbenim puthjet. Ne ishim dy njerëz që nga jeta kishim marr dhe përjetuar " dashuritë", dy njerëz që takoheshim për të këmbyer ndjenjat, emocionin që plotëson dëshirat seksuale. Tani që po të tregoj, mund të shprehem se ndiheshim mirë kur ishim bashkë. Në jetë bëjmë zgjedhje, marrëveshje. Kështu ishim ne, një zgjedhje, një marrëveshje.
Sa herë të tha të dua? Apo ju i shprehët këtë emocion? - e pyeta.
Një mbrëmje tek shëtisnim në rrugët e qeta të qytetit, më tha: Të kam thënë që të dua, më pas më puthi në buzë mbi dhjetë herë. Vetëm atë natë ndodhi. Unë asnjëherë. E dija që një ditë do ikte, do largohej. Trupin e saj nuk do ta prekja, përkëdhelja. Kam mësuar të jem praktik në lidhjet. Përtej lakuriqësisë së saj, admiroja qënësinë e saj, gruan.
Lenë gjurmë lidhjet e kësaj natyre? - e vazhdova bisedën.
Ne burrat, por edhe ju gratë, harroni, pra harrojmë. Erdhët ju që më kthyet në kohë, kjo foto. Në të kundërtën asgjë nuk do kujtoja. Ditët rrjedhin kaq shpejt sa ti duhet të shijosh jetën tënde, pa përmallime. Duart e mia do prekin lakuriqësinë e një tjetër gruaje, duhet të jetosh me emocionin dhe ndjenjën që një plotësim dëshirash seksuale të fal. Asnjë burrë apo grua nuk mund të pohoj të kundërtën ndaj kësaj të vërtete. Duam të jetojmë shëndetshëm dhe një nga pikat më kryesore të të qënit i shëndetshëm është raporti i marrdhënieve seksuale të jetë sa më aktiv. Unë jam praktik si e përmenda më lart. Kështu jeta vazhdon, dëshpërimet si hyjnë kujt në punë.  As juve. Meqë jemi në këtë bisedë po ju pyes: - Jeni e lumtur?
Natyrisht jam e lumtur, sepse e marr çdo ditë dashurinë. Po ju jeni i lumtur? - iu përgjigja me pyetje.
Lumturia është fjalë që veçon gjendjen e zakonshme nga gjendja më emocionuese. Pas një momenti kur bëjmë dashuri ne jemi të lumtur, e kemi kënaqur trupin tonë, i kemi plotësuar ndjesitë që e karakterizojnë kur ngacmohet truri. Në fund të fundit truri dhe ndjenjat realizojnë reaksionin zinxhir. Edhe nën kostumet e zyrtarëve më të lartë dhe në dukje serioz vidhet dhe përvidhet kjo dëshirë lumturie seksuale. Fasada fsheh qënien njerëzore. Edhe kjo grua në foto këmbeu me mua lumturi plotësimi dëshirash seksuale dhe emocion. Ju interesoheni për jetën e saj, doni të dini të pathënat e jetës që ka kaluar. Vet jeta që ajo kaloj deri sa unë isha me të dhe më tregonte ishte një aventurë e rrezikshme. Mundohesha ta kuptoja ndonjëherë po aq më dukej e pamundur të jetoje me kushtet e saj. Nejse, nejse, e njoha edhe unë kam çfarë kujtoj. Shpesh të kam pyetur: - Ku jeton ajo dhe nuk më keni kthyer përgjigje. E kam një fije të drejte ta di ku jeton.
 Sa rëndësi ka kjo për ju? - e pyeta.
Thjesht për bisedë. Sido të jetë, pavarsisht ku jeton, i takon tjetër kohe. Unë e kisha harruar. Dhe ajo më ka harruar. Jeta vazhdon.



Pse matematika është kaq seksi?

Kjo është pyetja që Profesori i Matematikës, Cédric Villani shtron në takimet e Tij me auditore Profesorësh dhe studentësh si dhe njerëz që jetojnë në të përditshmen me Matematikën.

Matematika është seksi, sepse ajo të tërheq në botën e saj të numrave, shprehjeve, ekuacioneve dhe integraleve deri tek shkalla më e lartë e saj me ekuacione diferenciale, integrale të shumëfishta etj.

Një matematikë seksi di si të të bëj për vete kur ti fillon ta prekësh botën e saj. Ashtu si seksi që ti duhet ta njohësh trupin e partnerit si aq mirë njeh trupin tënd në të njëjtën mënyrë ti prek çdo numër, shenjë, simbol, lidhëz logjike, të panjohur, shkronjë, shprehje, ekuacion deri sa hap pas hapi ti takon pikën kulminante, arrin ekstazën.

Seksi është emocion, ndjesi, pasion, rigjenerim, po kështu është edhe Matematika.

Matematika di të të josh, në çdo lagje të Botës së Madhe që na rrethon, kur ecën Matematika të gjithë kthejnë kokën. Ajo ka një vështrim të butë, një buzëqeshje të ëmbël, me një bukuri, sharm të lindur, me veprimet dhe nazet e saj ajo të fton ta ndjekësh, askush deri më sot nuk ka guxuar ta refuzoj.

Matematika është kaq seksi, sepse ajo të zhbiron, por ti nuk mundesh ta zhbirosh atë.
Ka intuitë, inteligjencë, ka qëndrim të ftohtë, indiferent që të çmmend dhe po aq e zjarrtë, përvëluese.

Të gjithë dashurohen me të por ajo përzgjedh.

Të jesh mik i saj, i dashur, duhet të njohësh mirë kodet  për ta zbërthyer.

Nuk është mendjelehtë. Ajo ka dashnorë të përjetshëm që nga lashtësia deri në ditët e sotme.

Të jetosh me Matematikën duhet durim mbi të gjitha pasion, pasion, pasion.
Ajo luan me durimin tënd, ajo të fton në lojën e saj, lojë e cila kalon edhe vite dhe nuk mund ta fitosh, madje humbet në labirinth, bie në kurth si Matematika di.

Partnerët, të dashurit i ka nga gjithë fushat e shkencës ekzakte dhe shoqërore, janë ata që e ndjekin në jetën e saj.

Seksi dhe Matematika janë me shenjë barazimi.
Çdo numër është, shpreh një simbol, një kuptim. Infiniti, i shtrirë në hapësirë, i vazhdueshëm, i pafundëm. Derivati, integrali me simbolikat e tyre dhe funksionet që mbajnë brenda vetes, ekuacionet, shprehjet të gjitha lidhen me proçesin jetësor si seksi.

Matematika është tabu, si seksi.

Matematika është notë, shkallë muzikore, tingull që jo të gjithë mund ta kthejnë në melodi, është art që jo të gjithë mund ta hedhin në telajo, është poezi që jo të gjithë mund ta shkruajnë, është pikë që ka lëvizjen e saj mbi trup që të eksiton, ashtu si trupi i një femre.Është e panjohura e mijëvjeçarëve që shkruhet në libra e libra e libra, flitet për të, si për seksin flasin.

Mister Seksi, Mister Matematika?

Na ftojnë në botën e tyre të përfolur herë heshturazi, herë me shpërthime vullkanike dhe bota merr Zhvillim.

Seksi dhe Matematika preken, ndjehen, japin emocion, përjetohen dhe Bota në këto momente merr Muzikalitet.

Muzikë, Poezi, Tablo, Hapësirë, Matematikë, Seks.