Samstag, 30. November 2013

Nikoll Ulndreaj - Cikël me poezi


QYTETI IM

Shami te plumbtë reshë
rreth koke
lidhë
qyteti im....

Kur......

fëmijët skamnor
unshëm flenë
në hije të plisit...

E ishullorët
pushtetar
bixhoz luajnë
me kohën...

 

 
KUR PUTHJA T’MË MBESË PËRGJYSMË

Kur puthja të më mbesë përgjysmë
Ti e dashur mos bëjë zë!
Fryma më dihat, eshtrat më tretin
Në shtrat me qiellin shkoj të fle...

 
ZESHKANIA IME

Krojet e malit nuk përqafohen si ti e unë
Zeshkania ime...
Kur ti shtrin dorën për të shijuar ëmbëlsinë gojës me gojë
Unë i zgjidhi nyjat errësirës, përpiqem të kapi yje, ...
Xixëllonja e meteor që pikojnë nga qielli
Dhe hënës e diellit
Krejt pa hile e mirëkuptueshem
U marrë pakëz dritë
Sa për të parë shkëlqimin e syve tu të rrushet
Kur të numërojmë puthjet e florinjta
Nëpër rremat e shpresës
E të pimë lakmisht verë buzësh nën nje pemë
Të mbushur përplot frute ëndrrash të shndritshme
Zeshkania ime...
Unë u kthej shpinën përbindëshave gjarpri
Kur dëgjoj simfoninë e gurrës së tingujve
Të shtrëngimit gishtave tu ndër duar,
Apo të kujtoj ty
S’ka më njeri që më ndalon
T’a hedh zinxhirin e frikës përtej xhunglës
Të këputur në mes
Edhe nëse shuhem si xixellonja në thellësinë e natës...
Siç duket Zeshkania ime
S’ka më lëndina të kullotë loti i ndarjes ndër sy
As sa një dridhje qepalle nuk ka më kohë...

 

 
VEÇ SONTE

Ah, mike
Ortek bore shkri
Me sytë jeshil..

Veç sonte
Mi lerë mua
Te kryet
Të më bëjnë dritë si kandil...

 

 
PEIZAZH VETMIE

Ky log bjeshke mbuluar me qiell fle...
Po, po fle. Edhe ditëve me diell e netëve me hënë...
Në djep ikje bjeshkatarësh
Përkundur nga flladnaja e pishave..

As Mujo, as Halili nuk e lodruan gjokun
Në livadhe padurimi zanash
Njomur me hije mrizi
Tërë verën e sivjetme.....

Të qeshurave vajzërore të trëndafilit të egër
Iu thanë lulet
Në zjarrin melankolik
Të vajit të barit harruar nga kosa...

Edhe era ish bërë hajdute stanesh
E frikshme
Njësoj si ikjet qe harruan hartat
E mbrëmjeve sfilatuese të hënës flokxixellonjet...

Tash fyellit të dëshpërimit të qyqes
I binte shpirti i një ujëvare
Djegur nga malli i zgjimit
Të këtij logu bjeshke mbuluar me qiell
Që ende fle...

 

 
E NJOH LOTIN TËND TANUSHË

Ne valët e detit e njoha lotin tënd moj Tanushë
Në arome të mëngjesit
Në erë të manushaqes çelur thellë në gërmushë
Dhe në shokën e brezit...

E njoha në tingujt e lagur në hapësirë qerpiku
Të rrëzimit të mrizit bjeshkës
Në fluturimin e lodhur të dallëndyshes që iku
Dhe në vesën e lules pjeshkës...

Dhe nga pëshpërima e frashrit, ahut e pishës
Nga Xixëllonjet për varëse zhbiruar
Në ngjyrat e fluturave dhe larat e këmishës
E nga zjarri i trupit përvëluar...

Në nazet e porsa nisur të syve të zes, zog i zilisë
E në verat e heshtura të pagojë
Në tinguj lahute, e në të kuq buzësh të qershisë
Në regëtinë lumi zhgënjyer në lojë...

Në oshtimë të grykave, tik-taket e orës së zgjimit
Në blegërimën e dhisë ngujuar në shkëmb
Dhe pëllumbat që pinë ujin e syrit para fluturimit
Nga zemëra, që për dashuri dhëmb...

Nga loti i ortekut, te dridhurat e tamlit mes bore
Dhe era që tremb një flok të ylbertë
Nga zogu i bardhë që përpëlitet në pëllëmbë dore
Dhe vjel qershi në shportë të blertë...

E njoha nga rrënjët e thepisura nga buron ngjyra
Nga mprehtësia e mjekrës se cjapit
Vërshëllima e gazi kurë qeshë në pranverë natyra
Nga frika e ujkut që ia mbatha vrapit...

E njoha nga puthja e mbetur përgjysmë që kurë
Nga psherëtima e lumit të Bardhë
Nga xhëmb i trëndafilit mbirë në Nikaj Mertur
Nga jehu i bjeshkës nis tek un me ardhë...

 

 
ÇAST I DEHUR

Hëna ledhatonte bjeshkët kujdesshëm
me buzëqeshje
përqafime
e puthje të dehura...
të mos i vyshket gojfili....

hijet
pushoni në gërmusha
pa u ndjerë
pa bërë zë
në mbretëri arome tërfili...

teferik
me bollëk...

gurrat
shtrydhnin këngët
të shuanin etjen
e kapriçiove
të ndjenjave të zjarrta...

vashat lehtazi tundnin kryet
të sigurta
se këtë mbrëmje verore
qiellit i kish numëruar gjithë yjet...

e një lot
si pikël vese
u prushojë
te qerpiku

pa këputur
një trëndafil puthje
dita si u iku..

 

 
ME NJË GRUSHT MALL
E NJË GRUSHT DIELL

Kuvendon vrrini e bjeshka
Po i djeg loti sikur eshka
Kur vjen vera e kur ik vera
Kullës fisit s’po i hapet dera......

As s’ka gjamë, as s’ka dekë
Dyert i ngujuan ditën në drekë
Rrugët morën nga mërgimi
Shtrydhen dhimbjen si jetimi...

U ul vetmia në hije të lisit
Me shua etjen me lotët e plisit
Mrize e stane nëpër vite
Vështrojnë larg një yll drite...

Shami të larme ka vënë hana
Me i fshehë vetullat gajdana
U deh dragoi e u bë tapë
Kërkon zanat ditën në vapë...

Tek një krua pret lauresha
N‘bjeshkë t’Kakisë t’këndoj baresha
T ’bjenë përmallshëm fyelli i çobanit
E të dalë syzeza në derë të stanit..

Bjeshka hesht dhe stani hesht
Shqipja ulet mendueshëm në kresht
Stane e kulla ndjek me sy
Shembë vetmia ngujuar në dry...

Në bjeshkë t'Zhabores e n ‘grykë t'Marinit
Po ndigjohet ofshama e Drinit
Ofshan Drini e ofshan Buna
Stinë për stine vajton Ajkuna...

Kur djeg dielli e kur frynë veri
Në gjumë të rëndë fle Omeri
Shket orteku e tundet mali
Kali i Mujit trokun se ndali...

I hingëlli Mujit i hingëlli Halilit
Derisa çelin lulet e blinit
Heshtë Halili hesht dhe Mujë
Atëherë i shterret zani për ujë...

Qyshe se iku nga bjeshkët deti
E me pushtua erdh Hyrrjeti
Me pushtua me shpatë e huta
Nuk ka heshtë më shumë lahuta...

Nuk ka hesht në këto bjeshkë guri
Ku zbardhë ditët Nikaj Mërturi
Ku zbardhë ditët deri në qiell
Me një grusht mall e një grusht diell...

 

 
LULE LOTI

Ditë-netët rrekullisen në Perëndim
Andej fluturon edhe drita
Zogj malli zihen në leqe, në prita
I gënje mërgimi. Sa zhgënjim......

Vashat po vyshken si lule në gur
Në ëndërr i dashuri u shfaqet
Loti i pritjes u puth faqet
E gjurmë mllefi u lenë në lëkurë...

Nga syt të mrrolur loti shket
E mbinë në dhe' si fara
E lule- loti lulon ara
Mblidh një tufë nëse donë të bëhesh poet..

 

 
KODRA PLAKË

Koha kërkonte udhë, shekujt e çmendur e bënë lodër...
Kjo ishte jeta, mbi jeta dhe fati
U thinjë flokësh, u rrudh ballit, u mplak kjo kodër
Roje e pikëlluar fshati....

Thonë që kurë lindi ka lindur përgjysmë plakë
Si vullkan kish shpërthye e ëma, gruaja e dheut
Të mos binte gjallë në duar turqish u dogj flakë
Burri i saj ish në lufte ushtar i Skënderbeut...

Nën hije të blirit e nxe dielli si në shpinë të atit
Mbuluar vetmi e dhimbje rrëzë mali në skutë
Vigjilon e ruan kullat ngujuar në dry të fshatit
Ditën pret koka heshtje, natën mat hënën me kutë...

 

 
HËNËN DUA ME VJEDHË

Hyp shkallëve deri në qiell hënën të vjedh
Atë sy ndezur, moj me qejf ta beje relikë qafe
Se fillikat vetëm del bjeshkëve natën bredh
E lenë në terr qafën tënde të hollë prej xhirafe.. ...

Magji ka me bërë rrelika kur të kullotin rreze në qafë
Gjoksit të shpërthejnë sythe njomëze si në bjeshkë
Flladet ndezin zjarre në zemër, kur të ecësh si xhirafë
Duke tund dy kokrra mollë sa dy kokrra pjeshkë..

Qershor 1975

Montag, 25. November 2013

Hamit Taka - Gjashtë poezi


PREZANTIM

Unë kam lindur në shpellën e mamuthit
Në skaj të humbëtirës pa fund;
Jam endur pa busull udhëve tërë pluhur
Që as nisin, as sosin gjëkund;

I punësuar gjithë jetën te Sizifi,
Gjithë jetën i etur si Tantali,
Të vërtetën e gurtë e lakuriqe
E kam gdhendur në muret e fjalës;

 

BABAI

Sa hap derën te shtëpia e vjetër
Portret’ i babait varur karshi
Faqja e murit e bardhë, e çveshur
Kornizë e praruar e jetës së tij.

 

ENDERRAT

Edhe ëndërrat shpejt i harxhova
Si para të lëna trashëgim;
Koha, që aq shumë e dashurova,
Më shket nëpër duar, gaz e pikëllim;

Babai ma mësoi drejtpeshimin
Kur gdhëndëte qoshet në gurë,
Nga nëna e mësova këngëzimin
Kur bukët i piqte në furrë;

Të shaja, për dreq, s’më mësuan
Dhe sot ul kokën nga fjalët banale;
Sharësit shumë para kanë fituar,
Unë sfilitem në kërkim të një fjale;

Kërkoj fjalën për vargun e figurshëm
Si gurin e latuar për harqe dhe pragje.
Po prapë mbeta belbacuku i dikurshëm,
Më shumë ëndërra kam thurrur se vargje;

 

NATË DIMRI ‘97

Në oxhak të dhomës dimërore
Digjej trungu i menduar,
Mbi lodrat, zhurmën fëminore
Endej paqja e sfiduar;

Ç’kanë një aromë kaq të dashur
Këto ullishtet tek po digjen,
Më thoshte nëna ime e plakur,
Dhe nga unë priste përgjigjen;

Ah, i thashë, moj nënë e dhimbshur!
Aroma e tokës dhe e gjyshërve
Në lëkurën e trungjeve të dirsur
Aromën e shpirtit u sjell nipërve;

“Hesht!”, më tha, “dikush troket”!
Dhe ngrinë lodrat e fëmijëve.
“Mos lëviz, do ta hap vetë!”
Më urdhëroi tek mezi ngrihej;

E hapi lehtë derën përgjysmë:
…“Jo, u tha, nuk është brenda,
Por ju këtu mua më prisni,
Ja dy sekonda, të keqen nëna!”

Shkoi me ngut te dhoma e saj,
Një çelës u ndie, i akullt brymë;
Diçka nxorri përtej derës
Dhe i vuri llozin me një frymë;

Si shenjtore u ul në gjunjë
I falej Zotit, shkrihej në lutje
M’i ruaj bijtë, nipat e nuset,
M’i largo lanetërit tutje!

Pranë meje u ul e urtë, e zbetë,
Mashën mori, trazoi thëngjijtë;
Kam parë shumë, tha, në këtë jetë
Nuk m’i merr dot mortja bijtë;

E kuptova unë nënën time,
I besoja asaj dhe Perëndisë;
Kriminelëve u fali gjithë kursimet
Në emër të jetës, dashurisë;

 

SHKALLET

Shkallë janë minutat, orët dhe vitet
Shkallë janë vargjet, strofat, poemat…
Dikush zbret i ngrysur, dikush i qeshur ngjitet,
Tunduese janë shkallët, tunduese dilemat…

“Mos shikoni nga unë, se ju verbohen sytë”
Kështu tha Krishti, kur po ngjitej në qiell.
Mbase e kishte fjalën për shkallët e lavdisë,
Por jo për shkallët në ditët me diell:

Shkallë që na ngjitin në çatitë e pjerrta
Te foletë e zogjve e frutat e pjekura,
Te këmbana e hënës e zilkat e yjeve,
Te mjegulla e lotit për humbjen e miqve;

Shkallë për të krasitur hardhinë e mendimit,
T’i heqim lastarët e egos, babëzisë
Lastarët parazitë të lakmisë e mashtrimit,
Për të vjelur vilet me verën e mirësisë;

Shkallë që na ngjitin te kupola e shpirtit,
Ku shkruajmë me ar fjalët “të dua”,
Në fron të Perëndisë, pranë Jezu Krishtit
Ca zjarr krijimi t’i japim atij hua;

Shkallë që na ngjitin në telat e sfidës
Si akrobat të jetës, pëllumba të paqes
Ku hapim të qeshur kanatat e agimit
Dhe shohim larg horizontet e pastër;

Shkallë që na ngjitin në kullën e idenditetit
Nga shohim syçelur botën e mistershme,
Të plotësuar shohim qëndrën e gravitetit
Vdekjen e pashmangëshme-
gjëndjen e përhershme;

 

BRAKTISJA

Nëpër dritare fishkëllen era
Dhomat shurdhmemece
Nuk e ndiejnë më ndërrimin e stinëve;

Kërkëllijnë menteshat
Rënkon e psherëtin dera
Çatia nuk djersinë më…

Çarçafët e harruar në tela
Lagen në shi, teren në diell
Flakërimë e një zjarri që nuk më digjet;

Në fund të oborrit
Uji i dënjur i pusit të bardhë
Endërron këngën e çikrikut;

Në mure kanë mbetur ëndërrat e ngurosura
Dhe hijet e zogjëve;

Pjergulla shtrin krahët mbi supet e avllive
Hëna e hepuar
shikon prapa çative;

Pëllumbat kanë ikur në drejtime të ndryshme
malli tretet në gjurmët e ikjes…

Brahim Avdyli - Poezi dhe biografia


KTHIMI I PËLLUMBAVE
 

U kthyen pëllumbat
nga fundi i shekujve
nga fillimi i shekujve
nga Drita dhe Qielli
duke pëshpëritur
dhembjen e tyre pëllëmbore...

Nuk e di cilën ngjyrë e kishin
herë më dukeshin të bardhë deri në të zi
herë më dukeshin të zi në të bardhë
e herë ndërronte rreze dielli në sy
deri sa e mbulonin Qiellin
me krahët e përpëlitjeve.

A e dini ndokush dhembjen e tyre
apo dhembjen time të ma tregoni,
nuk kam fjalë për këtë këngë përpëlitëse
me ajrin e mbarsur të lindjes
me ajrin e mbarsur të jetës!

Ejani pëllumba, ejani gjatë dhembje
me gugutë tuaja të këndshme,
nuk më jeni ndarë prej fëmijërisë sime
dhembjen tuaj të qetë e të butë
e kam qarë në qendër të vrapimit
rreth Diellit edhe pse i zjarrtë,

kur ta pushtoni rrezen e shkruar
nga Dodona e parë
na e sillni atë fjalë
tërë njerëzimi do ta kuptojë
pëshpëritjen e kthimit tuaj-

jeni tre kujtoj apo tre miliardë
që lëshoheni nga Degët e Lisit
të zgjatura nëpër hapësirën e Diellit

pëllumba të pandalur të shpresave
pëllumba të fatthënave!...

 


LEJLEKU I ËNDËRRAVE

Çdo gjë fillon me ëndërren
edhe kur nuk mund t`u bëjmë
me stërmundimin jetësor
si diçka të qenë,

kur hapen krahët e hapësirës
u nxjerrin juve në sipërfaqe
si pjesë e reales që vjen
me ngjyra të paqes,

ne u përkulemi përpara
sikur në vendlindje
edhe në Zvicër-
sytë e dritës ua ruajmë,

u thërrasim përtej fjalës
na e sillni një dhëmb të ri
kur ua hedhim të vjetrin...

dhe çdo gjë fillon me juve
lejlek të ëndrrave tona.

 


SHTEGËTAR I LIRISË

Me flatrat e qiellit
udhëtoni largë
për të ikur nga dhuna
për të gjetur pranverën,

ne jemi lelekët e parë
prej emrit të Karianëve-
pellazgëve parahelen
dhe paralajmëtarëve
të ditëve më të mira.

Bëhemi së bashku
me lejlekët e sotshëm
e dalim kudo
nëpër botën e dhembjeve
për ta mundur dimrin
nëpër Evropë
dhe dëshirojmë Lirinë,

bëhemi shtegtarë
me ngjyrën e bardhë
si drita e Diellit
që vizëllon të buzëqeshë
larg, përtej shekujve!

Nuk e di nëse jemi
në jug-perëndim të Azisë
apo njeriut me qime
të rruzullit tokësor-

lelegë apo lejlekë
duke ikur nga vuajtjet
me flatrat e lirisë!

 


ENIGRMË E PËRJETSHME

1.

O gjarpër i shenjtë,
mblidhesh në spirale
ethesh për ne

e ngritesh
me kokën e goditjeve
në bishtin
e dhembjeve.

2.

Kur të shoh
më thahet pa shpirt
një fjalë në gojë

e regëtimat e qenies
ndrydhen të heshtura-

mitologjitë e botës
mblidhen sertë,

a thua, si do të jetë
dënimi i Zotit?...

3.

Herë bëhesh
shtagë e gjatë
dhe mbi ty mbahet bota
për të mos rënë
skrupull
me dhembjet e viteve

e herë tjera
sa qel e mbyll sytë
bie mbi jetën
e shpërfillur-

aty ku nuk të mendon
aspak njeriu

dhe e ka lëshuar
rrugën e zotit!...

4.

Qindra poezi
mund të shkruheshin për ty

edhe po të gënjenim
për të paqenën me fjalë
apo të përkryerën

kur të takojmë
të mbledhur lakuriq
rreth pritjes-

ti ngjitesh më lartë
me kokën përmbi heshtje
e hidhesh si shpatë

prandaj na rrëqeth
me ngjyrat e tmerrit

ngadalë
pështillemi larg
e largohemi
përtej vdekjes.

5.

Njëmijë vjet
jeton me dhembjet
e vetminë

të ka plasur gjuha
nën gur
nën dushk e shi
nën dhé

duke pritur jetën
të soset
nën helmin tënd-

helm është jeta vetë
katran
i mbyllur në gur

enigmë e përjetshme!...

 


ORA E SHTËPISË

1.

Ora e shtëpisë
ka trajtën e gjarpërit,
nën trarin kryesor
e vëzhgon shtëpinë.

Fishkëllima e tij
është thirrje kushtrimi
që përbanë
në tri ndarje
vlerat e familjes.

2.

Është shpirt
i mbetur gjallë
ndër vite dhe shekuj

për të mbrojtur mikun
e për të shkatërruar armikun,

edhe pjesëtarët
që shpërfillen
nën kaptimin e djallit,

ata nderin e moralin
e dhunojnë pafalshëm!

3.

Atëherë zbresin
sa çel e mbyll sytë

e zeza është kob për ata
që dhunojnë bukurinë
dhe armiqtë e tjerë

që vinë të porositur
edhe nga Iblisi
për të zhdukur prore
shembullin e mirë,

e bardha është paqe
për të gjithë shenjëtorët
dhe për fëmijët-
lulen e përtërirjes.

4.

Në tulla të oxhakut
mund të qëndrojë ora

në djep të fëmijve
kur nuk janë të lidhur
që ta mbrojnë
nga Satani

ata që nuk kanë fuqi
vetë të mbrohen...

5.

Ora e shtëpisë
i ngjanë hyjneshës së vatrës

është gjarpër i veçantë
që i ndjekë brejtësit

ata që zhbirojnë
nga kërshëria e tyre
dhe dëmtojnë...

6.

mund të kthehen
në një qenie
mitologjike

në formën e gruas
t`i ngjajë Zanës-

është pra
gjarpëri i shtëpisë
bardhë e zi

deri sa nuk shuhet
shtëpia!...

 


SUFERINAT E DHEMBJES

Gjurma e shkrimeve niset nga lashtësia
me kalanë që nuk rrëzohet aspak me fjalë
por kënga të pavdekshme e ringjallë ndër ne,
energjia e pashtershme e kësaj mbijetese
pikon me qumështin e viteve të dhembjes
nëpër gjëmën e djalit të vogël e bonjak,
nuk ka si ta lëmojë gjysmën e trupit
derisa nuk flet dhe është i ftoftë si vdekja
kështu që vjen nëpër legjendën e stërlashtë
dhe na e rritë prore mbi gur një lule-pemë.
Fati i Rozës kthehet fuqishëm në Rozafat
dhe ushqehet prore i biri me lot në sy
e neve na jep të thithim gjithë atë helm
brez pas brezi duke e përkundur rriten
nëpër regëtimat e heshtura flijuar në kohë.
Kambana e vargjeve ushton nëpër shekuj
nëpër sytë e nënës – zanë e qenies sonë
që gjithnjë na e jep qumështin e viteve...
Gurëzimi na rritet dikur në Urën e Fshejtë
dy brigjet e këngës sonë të na i përputhë
me jehonë të pashtershme të shkëmbinjve
në pikë të Qiellit mbërrijnë të na kthehen
derisa thithim nektarin e lulebjeshkëve...

dhe çdo gjë fillon me gurët e kalave tona
që mbetën gjellë me fëmijë dhe rindërtohen
nëpër suferina e pambaruara të Këngës!

 


PUSHTETI I NDJENJAVE

Njerëzit dhe grupet
klanet dhe klasat
të gjithë popujt
të gjitha shtetet
i tërheqin zvarrë
vargonjtë e pushtetshëm

e ëndrrat e therura
antagonizmash të ndërsjellë
nëpër zgavrat e kafkës
tërë qelbin e njerëzimit
e kullojnë...
e kullojnë!

Askush se kupton
çka i tërheq vazhdimisht
kundër njëri-tjetrit
në rropullitje
copë-copë,

është pushtet i pafund
pushteti i ndjenjave!

 


KAM ZBRITUR NGA YJET

E shoh veten fëmijë nëpër arat me misër
jam në Zvicër por kujtoj se jam në Morinë
dhe loz me rrezet e ngrohta të Diellit
qe rriten në bukë të kallinjve.

Kalliri zgjatet e buzëqesh me vesën e mëngjeseve
sikur më përshëndet dhe dua ta përqafoj
jam edhe vet fëmijë që loz me Diellin mbi tokë.

Herë në Einsiedeln bëhesh birrë e misrit të artë
e herë bëhesh miell i bluar dhembjesh
për tu bërë misërnike
që e blej në shitoret e vogla të mallit
nëpër kodrinat e diellit

dhe vjen dita kur konzervohesh e grirë
për të ushqyer sërish Lopët e Diellit!...

Tani nuk e di mirë se në cilën kohë jetoj
në cilin shekull-

mijëra herë paskam zbritur rastësisht nga Yjet!

Thurau, 21.06.2013

 


PIKËLLIMI

Kur ndodhesha larg nga këtu
kur ndodhesha në perëndim
kur vërdallesha rrugëve të botës
për një metelik

ju, të ulur mbi fron
ndoshta ëndërronit llullën e fildishtë
gjarprin e verdhë të perëndimit

e përmalloheshit për mua
në pamundësi për të më gjetur.

Tani,
jam në vendlindjen e përbashkët
aty ku e kam harruar një varg
me ëndrrën e madhe të Atdheut,

më kot ëndërroj që tu shoh
pikëllohem, besoni!




Shënime biografike për Autorin:

Brahim (Ibish) Avdyli (1960), është poet i cili i takon plejadës së krijuesve të fundviteve shtatëdhjetë dhe të fillimviteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar (XX). I lindur dhe i rritur në Morinë të Malësisë së Gjakovës, në këtë vend me tradita të njohura kulturore dhe kombëtare, që në vitet e hershme të rinisë së tij u dha pas dy prirjeve: pas artit të fjalës dhe pas lëvizjes konspirative për li...rinë dhe bashkimin e kombit shqiptar.

Pas përfundimit të gjimnazit “Hajdar Dushi“ në Gjakovë i filloi studimet në Fakultetin Teknik, dega e arkitekturës, të cilat nuk i përfundoi, ngase, për shkaqe ekonomike, por edhe politike u detyrua të emigrojë në Zvicër. Dy herë ka qenë me vendim federal i përjashtuar prej Zvicrës. Më vonë, si student me korrespondencë në Fakultetin Filologjik i kreu studimet në Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe. Pas fatkeqësisë së madhe shëndetësore, ka vazhduar t’i ndjekë studimet postdiplomike në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, në Fakultetin e Shkencave Politike- Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci, ku në tetor të vitit 2010 ka mbrojtur temën e magjistraturës.

Ka botuar shumë shkrime, artikuj, analiza dhe akte të tjera politiko-organizative, ndërsa gjatë viteve 1990-1995 ka udhëhequr revistën „Qëndresa“ në Zvicër.

Pos botimeve në periodikun shqiptar, ka publikuar këto libra:
 
  • "Në hijen e Alpeve", poezi, Rilindja, Prishtinë, 1983;
  • "Buka e kuqe", poemë, Atdheu, Cyrih, 1990;
  • "Kur zgjohet Dodona", poezi, Rilindja, Prishtinë, 1992;
  • "Pasqyrë e përgjakur", poezi, Marin Barleti, Tiranë, 1994;
  • "Klithje nga fundi i ferrit", poezi, Onufri, Tiranë, 1997;
  • "Gjuha e dheut tim", poezi, Albin, Tiranë, 1999;
  • "Klithje nga fundi i ferrit", botim i dytë, Jeta e Re, Prishtinë, 2000;
  • "Baraspesha e humbur", poezi, Qëndresa, Gjakovë, 2003;
  • "Vragat e një kohe", prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2005;
  • "Lëvozhga e vdekjes", prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2007;
  • "Stelele Veşniciei /Yjet e Përjetësisë", Poezie albaneză, din Kosova, BKSH të Rumanisë, Bukuresht, 2008;
  • "Zogu i këngës", poezi të zgjedhura, SHB “Pjetër Bogdani”, Has, 2009;
  • "Mërgata shqiptare e Zvicrës dhe roli i saj", politikë-publicistikë, Brezi `81, Prishtinë, 2011;
  • "Qielli i paprekur”, poezi, Brezi `81, Prishtinë 2012.
  • "Vetëvrasja e një poeti”, dramë, Shoqata e Intelektualëve “Jakova”, Gjakovë, 2013; 
 
 
Është i prezantuar edhe në këto libra: 
 
  • "Rrjedhë e lë gjurmë", poezi e studentëve të Kosovës, Bota e Re, Prishtinë, 1983; 
  • Nebil Duraku, "Shkrimtarët e Kosovës, 1945-1985", Rilindja, Prishtinë, 1985; 
  • "Poezia dal Kossovo", Antologji e poezisë kosovare, Besa Editrice, Nardò, (Lecce), Itali,1999; 
  • Hasan Hasani: "Leksikoni i shkrimtarëve shqiptar, 1501- 2001", Faik Konica, Prishtinë 2003; 
  • "Vulcanul răbdării/Vulkani i durimit", Poeme traduse în limba română de Baki Ymeri, Editura Do-Minor, Bukureşti (Bukuresht), 2008; 
  • Halil Haxhosaj: "Përkushtime/Poezi kushtuar Din Mehmetit", KL "Gj.N.Kazazi", Gjakovë, 2009; 
  • Agim Vinca: "Muza e Mëmëdheut/Njëqind poetë për Atdheun", Antologji, SHB "Eugen" Tiranë dhe "Botomet Artini" Prishtinë, 2012; 
  • Betti Fichtl, "Bahnhof der Träume", Edition Wendepunkt, Weiden/D, 2013;
  • Lulzim LOGU, Muharrem KURTI: “Antologji e poetëve të Malësisë së Gjakovës”, Klubi Letrar “Gjon N. Kazazi”-Gjakovë dhe Klubi i Shkrimtarëve dhe artistëve-Tropojë, Gjakovë, 2013; etj...
 
Libri i tij i parë poetik „Në hijen e Alpeve“ ka hyrë në zgjedhje të ngushtë për shpërblimin “Hivzi Sulejmani“ që filloi të jepej në vitin 1983 për librin më të mirë të autorëve të rinj.
 
Është fitues i vendit të dytë në konkursin letrar me rastin e 28 Nëntorit, më 1997, të organit të LPK „Zëri i Kosovës“; i Penës së Artë në takimet pranverore të krijuesve shqiptarë të Diasporës, më 2001. Me 25 prill 2009 ka marrë shpërblimin e parë “Agim Ramadani” në Konkursin e hapur pranë Qendrës Kulturore Shqiptare për poezi në Cyrih të Zvicrës. Shpërblimin e dytë për poezinë më të mirë të dërguar në Konkursin Letrar dhe të lexuar me 1.5.2010, si dhe Shpërblimin e parë për poezinë më të mirë të dërguar në Konkursin Letrar, të lexuar me 25.4.2011, e ka marrë në Orët e mëdha Tradicionale Letrare për Pavarësinë e Kosovës, të organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve, Artistëve e Krijuesve Shqiptarëve të Gjermansë, në Koblenz të Gjermanisë. Nga e njëjta “Lidhje...”, në të njëjtin vend, e ka marrë Çmimin e e parë për poezitë e konkuruara dhe të lexuara atje, më 23.03.2013 në të cilën e ka prezentuar edhe Shoqatën e Krijuesve Shqiptarë të Zvicrës.
Shpërblimin e tretë “Azem Shkreli” për librin më të mirë të poezive “Qielli i paprekur”, të ndarë për tërë mërgatën shqiptare, e ka marrë poeti në Eneppetal të Gjermanisë, me 1.06.2013.
 
Shkrimi i parë që e ka shkruar ky autor ka qenë një dramë. Ajo nuk është botuar. Nga vendstrehimi nëntokësor në shtëpinë e tij në Morinë të Gjakovës është marrë apo është djeguar drama e tij e veçantë “Gremina”, e cila ka pasur si temë fundosjen e Jugosllavisë, së bashku me 1500 faqe prozë A4. Vepra e parë i është botuar më 1983, me dy vite vonesë, nga Ali Podrimja. Tani po mbushen 30 vite nga botimi i veprës së parë.
 
Brahim Avdyli është njëkohësisht anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK); anëtar i Autoreve dhe Autorëve të Zvicrës (AdS); anëtar i Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë të Zvicrës (SHKSHZ), dhe i disa organizatave të tjera.
Poezia e tij është përkthyer në italisht, gjermanisht, rumanisht, anglisht. etj.

Mittwoch, 20. November 2013

Poezi të zgjedhura nga Shefqet Dibrani


DIALOG PËR PAFAJËSINË

Pse ke lindur?
Nuk e di.

Si?
S'ka qenë përcaktimi im.

Atëherë kush ?
Një grua.

Kur dhe ku?
Kam qenë i vogël, nuk mbaj mend.

Çfarë të kanë thënë fqinjët?
Nuk merrem me thashethëme.

Mund të mos jenë të sakta.
S'ka rëndësi, ne i vërtetojmë.

Prandaj:
Duhet të përgjigjesh
Për një natë seksi
Për t'i dhënë dëshmi këtij gjyqi
Nëse akti i mbarsjes është bërë lakuriq.

Zotëri, ka qenë drita e fikur.
Po, ku e di këtë ?
S'ka nevojë ra di.
Kështu duhet të kenë përfolur

Ne nuk merremi me thashetheme
tha gjyqtari dhe ma dënoi zemrën.

(CH - Zurich, 2002)

 
 
UNË DHE LUMI

Ai rrjedh...
Unë jam këtu
Ky është kundërshtimi që më lind

Unë s'e di a hahem
Ai është i pijshëm...

Kjo është themelorja e dallimit

Unë lumit ia shoh të gjitha fshehtësitë
Ai mua nuk m'i di xhelozitë

Ne jemi në kundërshtim

Ai rrjedh... vazhdimisht
Unë nuk lëviz ...asnjë çikëz
Kjo është e kundërta e kundërshtimit

Ai lëviz dhe është i vdekur
Unë i shtangur në një vend dhe jam gjallë

 
 
INEGRIMI

Derisa guri të vërë bar përreth
Derisa dielli të ndërrojë kahen e vet
Derisa nata të mos bjerë errësirë
Derisa blerimi të blerojë në errësirë
Derisa uji të kthehet përpjetë

Emigranti s'do ta rregullojë integrimin e vet

(CH - Rorchbach, 14.12. 2000)

 
 
NË KOPSHTIN ZOOLOGJIK

Sa herë që shkoj në kopshtin zoologjik
Më shtohet admirimi për kafshët e egra
Po aq më shtohet dhembja për njeriun
Që tallet egërsisht me to

Ato vazhdojnë qetë, qetë
Jetën që ua caktoi njeriu
Ai që shkroi edhe Kartën e të Drejtave Për Liri
Me tela gjembaçë rrethuar

Ai perandor i përhershëm
Ka shtrirë nbi jetët e tyre
Edhe të drejtën e talljes
Kurse ushqimin ua mat me peshojë

Njeriu di të kërkojë të Drejta e Liri
Po di edhe të shfrytëzojë drejtësinë
E një ligji të lig
Që ua ka verbuar gojën vizitorëve

Andaj jeta është bërë kopsht zoologjik
Me Karta për të Drejta dhe Liri (?!)
Njeriu vepron për përfitime
Edhe kundër ligjit të Natyrës dhe të Zotit

Prandaj o Zot
Vazhdo t'i falësh këta mëkatarë
Që shpikin robërinë e tjetrit
Rrethuar me gjemba vrastarë

(CH - Gossau, 14.09. 2003)

 
 
ME FYTYRË KAH ATDHEU

Ngado shkoj e treti
Mbaj fytyrën kah At - Dheu

Ati vëngër më vështroi
Nga ngashërimi m'u duk
Me gjak profeti

Pastaj Dheu më tha:
S'më kujtohet fytyrra e juaj
kur trup e ndjenja i ke në vend të huaj

(CH - Bernë, 16 prill 2001)

 
 
GJËRAT E PAZGJEDHURA

Emri është një gjë e pazgjedhur
Sepse pa të pyetur fare t' kanë pagëzuar

Lind i një feje të pazgjedhur
Zoti zgjedh besimin tënd

As gjuha nuk është zgjedhur nga ti
Kur e flet së pari

Edhe atdheu është çështje fati
Teksa shkërmoqesh për ta bërë edhe më të mirë

Ke të drejtë të zgjedhësh një tjetër atdhe
Dhe të ta mohojnë ata që vetë s'e kanë zgjedhur

Vazhdimisht njeriu thotë: "Nuk pranoj imponime"
Duke e harruar absurdin e asaj që bën

 
 
DO TË VIJ

Qysh kur mërgova o dhe i shenjtë
Te ti më rri mendja
S'plaket as dita as ora
Shpirti mes jush më rri o njerëz të mi
O fusha plot begati o male kryeqiell
Ara mbushur me diell
Vendlindja ime e ngrohta fole
Me pemë e bar me zogj e dhe
Kosovë me baltën tënde u gatova
Me tamblin tënd u madhova

Me mallin tënd po përvëlohem Kosovë
Pa ty o Nënë pa dorën tënde të ngrohtë
O e shtrenjtë po ikën kjo jetë
Pa ty o Atë pa këshillën atërore
Pa përqafimin tënd motër pa sytë e tu vëlla
Pa ju shokë

Oooo
Gjithë jetën më mungoi ngrohtësia e diellit njerëzor
E malli djeg për ju njerëz për fusha e male
Për kroje e përroje për gjethe e bar për shi e borë
Për ty Lidhja Demokratike e Kosovës Dega Gjilan - ( Faqja Zyrtare )
Për ty Kosova ime këndova gjithë jetën
Me zërin e mekur të mërgimtarit
Me mallin e pashuar të poetit
Për ty Kosova trime

Një ditë do të vij te ju o male të bukura
O fusha të bleruara me Drinin me Ibrin e Llapin përmes

Do të vij në zemrën tuaj male që rritni veç shqiponja
Do të vij në Kosovën e Lirë

Po plakem me shpejtësinë e rritës së fëmijës
Sot mjeku gjeti një si kancer në trupin tim
Mbyllet një plagë shtatë të reja çilen
Unë i huaj se i huaj në një qytetku rrugët pastrohen
Për t'i lënë vend pluhurit të ri
Për çudi edhe këtu gjethet nga drunjtë në tokë bien
Kur fiken dritat terri më kaplon
Dita e re me lindjen e diellit nis

Unë shuhem si lulja e shtëpia nuk më ze
Lindjen time të dytë duke pritur

_____
Poezitë i përzgjodhi poeti Sabit Rrushtemi

Montag, 18. November 2013

Poezi e kodit të vetvetes


Shkruan Fadil Curri 
 
  • Edmond Shallvari: "Mos e ndiqni hijen!” (poezi), e.b. “D.I.J.A Poradeci”, Pogradec -S elanik  2008, fq 95
 
    Gjatë një takimi letrarësh para dy vjetësh poeti dhe gazetari mërgimtar nga Shqipëria në Greqi, D. Sh., i shpërndau disa libra të poetit tjetër mërgimtar, bashkëkombësit Edmond Shallvari. Sa herë që më falin libra, më kujtohet thënia e një shkrimtari dhe profesori universitar që kishte thënë ose shkruar diku se ata që më japin libra, mendojnë se ua lexoj. Si për inat të tij, librat e falur i shfletoj dhe, nëse vërej diçka që më ngacmon kërshërinë, i lexoj kryekreje me vëmendje. Kësisoj më ndodhi edhe me poetin Shallvari, librat e të cilit i lashë në leximet e radhës. Si me short, e tërhoqa njërin nga ta, “Mos e ndiqni hijen”.
  Qysh në nismë të këtij shkrimi për librin e Shallvarit vërejta se poeti ka në laboratorin e tij hijen e objektivit objekt, hijen e dikujt real dhe kureshtar për poetin, hijen e vetvetes burimore e identitetore. Nëse e kuptojmë identitetin e krijuesit letrar, këtë herë poetik, si analogji ose sinonim i vetvetes, libri lë të kuptohet se hija e ndjek autorin në shumë dimensione mbarështrimi.
   Përshtypje qendrore që më lanë poesitë, është autori bën hospitimin e hijes së vet, pra vetes përmes dialogut zbërthyes me veten, ia mat e shmat mirësitë e ligësitë dhe është i vendosur që edhe nëse në parajsë dërgohet me të dytat, do të shkojë me veten. Sjell antiteza karakteresh, sikur një ekspozitë që lë lirshëm të pëlqejë të mirën, si del porosia poetike te “I verbëri unë”. Duke ndjekur qëmtimin e hijes, poezia del dëshmi e veçantisë gjenetike, bind se ndryshimi i moshes nuk e zhbën shpirtësinë e identitetit(vetvetes). Karaketri i hijes së vërtetë sheshohet edhe te poezia “Porosia ditarit” dhe tipizimi i poetit-bojaxhi te një tjetër ose i dytësuari i brendajashtë vetes, i veshur me guxim e thjeshtësi të pronarit të hijes, pra vetes. Identifikohet edhe dashuria, si kurrë e tepërt, dëshira e aspiruar nga ajo me përmbyllje fatlume.
   Poezia e Edmond Shallvarit e ka identitetin e vet që prodhon hijen origjinale, qoftë kur merr për zbërthim temat nga e veçantja drejt së përgjithshmes ose anasjelltas. Në letërpoezinë Skenderbeut stigmatizon ikjen nga vetja e derdemenëve, që as hija e fatosit nuk   janë.Skënderbeu është hija e vetes dhe nuk ka nevojë për balada e legjenda, sepse i rrezaton vet ato. Pasojë e mungesës së vetvetes është edhe mungesa e Kosovës së vërtetë, e cila nuk përmendet në poezi, por nënkuptohet me cilësimin e  fatit të saj si më mirë se dje e më keq se nesër, edhe pas pavarësimit të saj më 17 shkurt 2008. Lidhmëria historike e dy frymëzimeve lë të kuptojë se populli, kombi e prijësi i tyre duhet të jenë vetja e përbashkët, jo hija e tij e përdhosur, sikundër na porosit poezia “I dyti Atdhe”. Edhe statuskuoja, që poetikisht duhet të kuptohet si gjendje zombiane(as i gjallë e as i vdekur), nuk është vetja, bile në një poezi duket si kundërvetja, antistatuskuo. Si në të përgjithshmen, ashtu edhe në të veçantën, lirisht mund të themi personalen e autobiografizon, se vetvetja duhet të ruhet me palëkundje edhe kur te shajnë të tjerët, pra të kesh krenarinë e shqiptarit, se nuk duhet tëhuajësohesh me përrallat e Ezopit dhe as me xhyben e Nastradinit. Pra, prore je vetja, e ke hijen tënde të papërdhosur, është nënteksti i poezisë së shumështresuar të Edmond Shallvarit. Shkrimtari  këlthet e fshikullon impinuesit e puthadories e palaçollëkut, të cilët  heshtin edhe kur kanë të drejtë të flasin, pra e heshtin të vërtetën edhe kur duhet sheshuar. Në prizmin e veçantësisë drejt së përgjithshmes, ruajtjes së vetes dhe mbrojtes së saj, është edhe letërpoezia Omar Khajamit, të cilit ia jep të gjitha femrat e botës, pos njërës, në të cilën pushon hija e vet, vetetvetja.
   Në këtë qëmtim të nxituar dhe fragmentar librit “Mos e ndiqni hijen” nuk do të ishte e udhës pa e përmendur edhe një moment psikoletrar, identitetin e krijuesit, vetveten e rtij letrare. Poezia e Shallvarit përshkohet me gjuhë të thjeshtë, herë-herë me burimësi folklorike, tipike për thuktësinë e ëmbëlsinë e toskërishtes popullore. Poezia shpesh pas një enumeracioni, përmbyllet me gjykim karakteri, individi, rrethane e dukurie. Fjala e poetit ka fuqinë narrative pas përshkrimit, e përshkon loja e antitezave të fjalëve, shprehjeve dhe gjendjeve. Sidomos fjalët e përbëra e kompozitat e fundvargjeve të një strofe rimike (ëndërrkryer, zemërrahje, shpirtrrëfyer, skuqjefaqe) te poezia “Atë kohë” krijojnë ritmin emocinal e intelektual që zbojnë monotinë vargëruese te lexuesi, si e vërejmë shpesh me supersimbolikën e pashteg. Identiteti i krijuesit vërehet edhe në stilin kureshtar të poezisë-kronikë, si është ajo për shpërthimin në Gërdec.
   Sipas stilit, metrikës e ndërtimit, poezia e ka identitin shallvarian, e ka fjalën që ngacmon tema, karaktere e dukuri, që shpërfaqen me guximin shprehës dhe bukurinë e fjalës poetike, cilësi që joshin letërsidashësit. Në këtë libër përshkohet poezia me strofa katërvargëshe të rimuara. Kritika, as edhe në këtë libër, nuk e ka thënë fjalën e merituar për vlerat dhe joshjet letrare të Edmond Shallvarit, kodin e fjalës së tij në poezi.

Musa Jupolli - Gjashtë poezi


Zanorët tona

Shkrimtar ' e Poet ' në kërkim
Aty ku Homer epik edhe atë
Me sy të verbër e bënte të këndonte
Epopenë e zanoreve të humbura

Vëbëreuar jemi nga komedi e njeriut
Plagosur me të njetën armë
Dhjetëmilion pika loti n' apostrof
T' ëmbëla derdhur në Det të njelmtë

Po unë, ç' farë faji kam
Të gjitha letrat më janë djeg
Germat ar(t)i më janë shkrirë
Pena ime shpirtin më ndrydhë

O o o zë që vjen nga mali
Melodi në zemër më kalli
Shnet
ShnetË
Zanoreve tona !



Hyu gjuhën e vet na e dhuroi

flas gjuhën e tokës sime
legjenda jonë n' melodi
lindi Besa e Tungjatjeta
Dielli e Hëna n' dëshmi
ëmbëltyrë e t' folmës parë
Hyu gjuhën e vet na e dhuroi
pesëmijë e më shumë vjet
që thërret ky zë
me notat e Atdheut tim
Zot ! Emri sot na torturohet
. . . dehje
qetësi e pafund
aty këtu një varg i imi
n' falje t' poetëve t' mi
n' dhembje e dashuri
. . .
pritni pak. . .
hapu zemër e madhështisë
një jetë tjetër është për ne
Zoti krijoi simfoninë
zërin ua fali poetëve
t' arrijmë deri të thesari ynë

Prishtinë 07/08/2012

 


Eh Vëlla Poet

Eh vëlla poet e mik
Orën letrare ma fale
pas shumë dekadash
në dhuratë lirinë
Lirinë e mbështjellur
me vujtje
Lirinë e ç'akorduar
ku as vapa s' ka mëshirë
ku papastërtia ka zënë vend
dhe i buzëqeshet Atdheut tim
si me pahirë

Ec e guxo të marrësh frymëzim
poetik,politik, ekonomik
Eh kultura e Atdheut tim
vuajtje e poetit e piktorit
në mërgim
Artist e Mjeshtër
piktura me libër në dorë
shetit e djersitur
në kërkim strehim
kritikë e ç ' veshur
lecka lecka

Ja atje mbi urë
rrafshnalta kopshtore
minaret e Atdheut tim
në lulishtën e dies
kryqi i armikut tim
Univesiteti i rinisë time

Vaso Pashës i bëra thirrje
më erdh në takim

leni kish' e xhami
feja e shqiptarit
asht' shqiptaria,

... dhe ashtu i mërrolur
fort më qortoi
Ku je shqiptar?
Pse nuk ma mësove vargun
O popull i pa fe
Pse e humbe fenë tënde t' ëmbel shqiptare

Zgjohu rinia e popullit tim
pa libër e me gjum
je bërë i topitur i kopitur

Vëlla poet e mik
nesër është vonë
Për atë Zot që flet shqip
bukën e gjuhën
n' adhurim i ke
burim i Atdheut tim



Zgjohu populli im,
Lisi ka etje, është i lënduar!


Kush ma dëmtoi lisin
e dhembjeve shqiptare
kush ma lëndoi lisin
e dëshmive t ' Atdheut tim
Ti ishe mbrojtës për rini
aty nën hijen tënde tubimi
mijëra puthje Atdhé e dashuri
të ndaluara nga Porta e Ferrit

O tokë e dhembjes
dru mali e lisa qyteti
prehen e lëndohën
pa mëshirë

Vapë!
lisi im i lënduar
ka etje
qe pesë muaj pikë shiu
nuk ka ra ta shuaj etjen
ta ujitë tokën
e malet e Dardanisë
dhe as bereqetet

Qiellit iu luta
mos ma le Atdheun tim
pa oksigjen!
Kush është përgjegjës
Po si nuk kanë mëshirë?
Po si nuk e dëgjojnë zërin
nga natyrë e dëshpruar?
Kush ma prishi bukurinë
e Kryeqytetit tim?
Prishtina e degraduar
Gërmia mushkëri e dëmtuar
Lumit i kanë zënë frymën
ujërat e zeza e bërllogu
lozin vallën me nota të armikut
në dirigjim ata në krye të vendit!

Lutujitëm!
Pran Lisit e bukura
mejtuar rrinte
ç' ke moj?
nga zemra fjalët më dolën
lisi im është i lënduar
puthjen e parë këtu
e kam dhënë
ka etje Lisi
me zë të vajtuar
lotujitëm Lisin
deri në pikë lotin e fundit

Fjalë i dërgova engjullit tim
në Qiellin e shtatë
t' i shkruante
DREJTËSISË
ta zgjonte Rininë
e Atdheut tim
në mbrojtje të lisave
të Dardanisë të Shqipërisë 



Çamëri shpirti im!

Natyra është e natyrshme ,
të tillë e krijoi Hyu Camërinë!

Seq Poet më thonë
nga dhé që më lindi
At - Mëmë
Gjysh e Babëgjysh
Gjergjin stërgjysh
n' udhëtim- n' udhëzim
kujtesë në pemurina
kopshte në vallëzim ,
fletë virgjire
Lisi metaforë që flet
Hymni melodi
Lirika ime në Liri
Vepër aty je , ËSHTË!
Bëra timen kohë të Historisë
vargjet e mia zgjim
njësim shikim
Camëri shpirti im!



O Afroditë e Malësisë time!

O Afroditë e kujtesës , banore e përhrshme e Malësisë!
Engjulleshë n'takimet e mia para dhe pas lindjes së Diellit!
Në zemrën time ke mbirë gjithë dashurinë , o engjulliesha ime!
S' mund të ma kopjoj askush shtojzovallën, se vetëm një është!

Në syrin tënd jetë e agoni janë mbjeshtjellur në një magji!
Buzëqeshja jote Eros si valë flamuri n' puhinë e shpirtit tim!
Ndjenja ime merr flakërim dhe shpirtin më ndezë o shpirti im!
Diell edhe Hënë marrin ngjyrën e dashurisë në ne të dy!

Të lutem zemër që m'ep përkdhelje në ngrohtësi e dehje!
Në folenë tonë melodi afsh e dashuri e mëndafshta bukuri!
O e bukura e dheut, ujëvarë e pashterrshme më je ti!
Si polenë e luleve pranverore ndritë e shkëlqen n' bukuri!

O Afroditë ! Lozonjarja ime , gushë e buzë mjalti i vendëlindjes time!
Nuk ka zë as fuqi që ka thirrje aq të fuqishme si unë për TY!
Ti dhe vetëm ti më je dritë e më bënë krenar si Lisi i shtëpisë!
Engjulleshë , dhuruar nga Hyu vetë, për mua o e bukura Afroditë!
Kur Dielli n' Lindje Afro-Dita Hyjëshon Atdheun tim!

Rrok Berisha - Shtatë poezi


PARA VARRIT TE KOMANDANTIT

Erdha t’i përkulëm gjakut të pafajësisë
Gjakut të fëmijëve e nenave
Të marr një shkendi
Dashurie për Shqipërinë natyrale
E frymë Lirie t’ etnisë.

Ti përkulëm,
Heroizmit e Kryeneçësisë,
Dhe zhgënjimit tënd,
Ndaj pabesisë,
Larot e gufave, qe te lan vetëm...!
Bacë...!

Bacë,
para varreve tuaj,
Mermer mbulua me lule t’ freskëta.
Erdha te të shpreh ngushëllim
Për shokët e turpin e tyre
Qe në kohë të vështirë,
thyen betimin
Te lanë vetëm...!?
E Ti, s’ u epe,
Nuk u dorëzove
Ballëë përballë me shkaun..
Në istikame,
Një familje, burra, gra, pleq et fëmijë
Të pa fajshëm...!
Ti bjeshkë qendrës...
Themel i shtetit,
i Lirisë.

Shqipfolës,
Laro, gjahtar postesh e medaljesh,
Profiter lufte e paqe
I pengoi Betimi,
Në Flamur,
Jetë e fat i lidhur,
me lirinë e atdheut.
Mbrojtja e pragut,
E Qëndresa e Kullës,
Besa e Madhe ...!

Larot, fshehur në gufat e shkurre
Inskenuan skenarë e plane,
Se ndezën as një pushkë,
Asnjë pushkallë,
N’ rrethimin t’ hekurt t’ Kullës Jasharajve
U bene spektatore...!

Qëndresë e flijimi madhështor,
Ne frëngji të Kullës,
Pa dallim, gjenerate a gjenie,
Babë e djalë, e vajze,
Gjyshe, re, Nënë
Një Familje një gjak bashkë,
Luftë për prag,
E tokën e Arbrit
Kundër makinerisë vrastare
e tradhtisë.
Heroizëm e flijim,
Legjendë...
Qëndresë e krenari Kombëtare.

Ata qe t’ tradhtuan,
Pas amshimit tënd
Shpallen vetën bashkëluftëtar...!
E filluan gjahun,
Pas uzurpimeve, plaçkitjeve, vrasjeve
Pas gradave e trofeve,
Në emër te Luftës e flijimit
Dhe Ty të rishpallen
Komandant Legjendarë,
Qe t’ përfitojnë,
nga Flijim e Heroizmi,
e sakrifica 54- jetëve, luleve...!

Jam këtu para varrezave tuja
Bacë...
T’i përkulëm sakrificës..flijimit
Fjalës e Besës,
Dashurisë e Trimërisë
Për atdhe...
Për Shqipni..
Pushkë për pushkë,
Plumb për plumb,
Top më gjoks
Dhemb për dhemb...
Me okupuesit vrastarë, armikun shekullor.
Mbrojte Pragun e nderin e shtëpisë
E Shqipnisë..!

Erdhe këtu, te të shprehu dhembje neverie
Për ketë kastë Larosh,
Që po vjelin merita si bashkëluftëtar
Të komandantit....!
Këta qe s’ tu bashkuan
qe ta ndihmojnë rezistencën,
Që shpëtonin fëmijët, gratë a pleqtë..
T’ mos behën 54 varre...

Skenaristet e autor t’ tradhtisë
Shkëlqejnë ne dritën e meritave,
Luftës e flijimit,
Plot grada e nishan,
Pallate e hareme,
E çka s’kanë...!?
Aktrojnë, deri sa betohen rrejshëm
Në tokën e zezë,
para varreve ku ju pushojnë eshtrat
Pa i vra ndërgjegjeje, e as pesha e varreve.
Varrit tende, e të 53-të tjerëve
E të qindra e m ija varreve
anë e këndë Kosovës..!
Pa i vra pesha e tradhtisë,
qe ta benë “shokët” e tu...!

Laro...mjeran,
Sa herë qe u luhatet karrika,
Ballafaqohen me drejtësinë,
Dhe n’ fushatë për vota..
për emërime e manipulime
Përkulën para varrit Tënd,
Pa e ndjerë peshën e tradhtisë
Ngase janë bërë kriminel ordiner,
Kanë vetëm një shqetësime,
Postet prej nga do kontrollojnë e lulezonjë krimin.

Ehe Bacë...
Po te mund te flisje vetëm një fjalë
Të dëgjohet e vërteta nga Goja Jote
Do na shpëtoje nga Kjo Garde “patriotesh” ,
Vrastare e kriminelesh
Qe thirren ne merita Lufte e sakrifice Tende.
Do shpëtoje dhe atdheun,
Qe e kanë qit ne ankand publik...

Ehe sikur te mund të ngritësh,
E ti shikosh
Ata qe të tradhtuan,
Të lanë vetën në balle të furtunës
Në gojë të djallit
Para makinerisë vrastare
Me 53 në shtëpi rrethuar n’ Kullën e Qëndresës
Nuk ndjenin trishtim as për fëmijët,
I lanë t’ martirizohen
Nën breshër plumbash e oshtime Gjyle topash
Do ua hiqesh maskat,
E vërteta rrufeshëm do shndritë
Do ndalesh te keqën qe po qelbë,
Do shpëtosh kombin...!

Erdha këtu në ketë përvjetor,
Të përkulëm para varrit tendë o Komandant
Qe ushtarë deri flijim kishe,
Familjen, prindërit, gratë-fëmijët
Besën për qendrës mos dorëzim ndaj tradhtisë
E zemër e madhe
Ushtarë kishe gjithë Kosovën, të pa uniformë,
e të pa armatosur
Kishe dhe Komandant Suprem,
Dhe ushtri n’ formim...
Por Larove...
U “ngutej”, kryen punën e tyre,
Të lanë t’ vetmuar në rrethim të hekurt
Të lanë me varre hapur...
E nga gufat, shikonin Luftën e Qëndresë,
Dhe flijimin e Heroike t’ Familjes Jashari,
Për te mos vdekur Kurrë...
Bacë...,
Ti vërtet ishe e je Komandant
Gjaku qe ujiti e shkëndite
Themelet e shtetit tonë
Je Hero
Ti je vet Liria.

Jam këtu sot,
Ti përkulëm,
Heroizmit e Kryeneçësisë,
Ti përkulem sakrificës
E Dashurisë për Shqipninë
Dhe të shprehu dhembje
Për Larot, qe shpallen,
bashkëluftëtar e bashkëveprimtar
Sa për t’i vjelë, meritat, gradat, postet,
Privatizuar emrin e Luftën,
E manipulojnë me emrin e veprën tënd t’ shenjt.
Lavdi,
O Komandant, o burrë o Trim,
Legjenda jonë..

Prekaz-Prishtinë, mars 2011




TOKË E NGROHTË DARDANE

Ma mirë tako vdekjen
Se shkëputjen nga rrënjët
E të jesh tjetër - i shartuar
Të japësh fruta - të sojit tjetër
Rrënjët janë të shenjta
Prej nga
Ushqehen e përjetësohen brezat.

Dukagjini,
Është jeta dhe vdekja
Dashuri e parë
Gëzimi e hidhërimi
Diell vere e diell dimër
Shi vere e borë dimri
Vapë e acar
Djersë e etje
Freski burimesh-jete

Bari ka tjetër aromë
Zogjtë këndojnë ndryshe
Vashat si lule zbërthejnë në prush dashurie
Burimet rrjedhin pastër si loti
Vend i qetësisë së përjetshme

Dukagjin
Vendlindje
Të përkulëm gjithmonë të jam borxh
E ndjej ajrin tënd
Edhe në prag të vdekjes
Aty ku thellë i kam të shtrira rrënjët
E trungu ka lëshuar degë
Tokë e ngrohtë Dardane
Djepi im je Ti



MOS E HUMB ADRESËN

Në orët e kobshme ...

Mos e humb adresën
Nuk di ku të trokitsh
As ta gjesh derën
Që miqësisht ta hapin
E kur ta kuptosh
Se shpirti nuk ngrohet me akull
As dashuria nuk qetësohet me furtunë
Ndoshta atëherë
Do jetë vonë miku im
Të gjitha portat e bujtinave
Mund të mbyllen

Kot nëse dikush ëndërron
Se akullin e shkrinë me akull
As ta afrosh dikë me urrejtje
Dashurinë nuk e mbron më xhelozi
As dhembja nuk largohet me dhembje

Mos e humb
As mos e harro adresën
Mendo se miqtë do të vizitojnë
Dhe Ti nuk do ngelësh vetëm...




MJEGULLIRË
/vargje te dhembjes /

Kjo mjegull horizontalisht me një mure te hirte,
Sikur ka ndarë Tokë e Qiell, ...

ka ndanë...!
Bregore krenare,
e lisa të vendlindjes
Bashkë më shumëkatëshet,
janë veshe më errësirë mjegulle
Dhe lartësitë kanë humbur për çastin,
krenarinë kryeneçe
Janë zënë peng e mbretërisë se zymtë të hirtë
Bukuria syrit i është cenuar,
Rrezikohet nga shëmtimi,
Dhembja është shumëdimensionale
Ditë e zymtë e ndryshimeve
Stinëve sikur iu janë përzier kohet.

Perandori e rreme,
s’ mund te jetë e përjetshme
As qe mund te përballet,
me rreze të ngrohta diell,
Qe për një çast,
e bëjnë shoshë dhe zhdukin mjegullën..
Rikthejnë Dritë-shprese e ngrohtësi..!
Cilët mbesim ne, në këto raporte
Drunjte qe u janë vjel frutat,
Thahemi duke u djeg në egon tonë,
N’ mohim t’ vetvetes,
e n’ vrap pas të huajës...!

Gjethe të regjura n’ baltë,
Bashke me heronjtë n’ tokë,
Gjak e sakrifice e përbuzur,
e harruar...!
As tim,
As zjarr...
As flakë.
Hijet, pas bishtit te ujkut sillen vërdallë

Ëndrrat na i ndrydhur në mjegull,
Mendjen e verbuan...
Kohë e zhytur pis,nga hajdut vlerash,
Prostitutë moralist,
Kriminel ordiner,
Bosa të krimit politik ekonomik
Ne këtë treg antivlerash përplasen,
Me ide e porosi të mjegulluar.
Mbijeto jetën,nëse mundesh
Miku Im..
Nëse nuk përballësh,
këta do pronësojnë dhe diellin,
E rrezet e tij do na i japin me qira.

Kjo mjegull e zymtë,
I është ngjitur si djerse e ndyrë
Qytetit e gjithë andej vendlindjes sime
Kafshon lëkurë e fytyra ortakesh,
Dhe ëndrrat e bardha të brezave
Qe s’pushuan e s’kursyen për mëvetësi të etnisë,
E këta Juda e Esat Pashë të rijnë,
Po bëjnë punë të pista,
drejt tjetërsimit,një identiteti te ri.

Të frikshme e tmerrshme këto hije hienash,
qe s’ pushon të na ngulfatni,
mendjen,
dijen,
historinë,
varret,
e tokën e Arbrit.

Këtë ditë,
s’ më bën punë,
Mendimi, pikat e bardha te qumështit...
As kujtimet për fëmijërinë e dhembshme
As dëshira për ardhmërinë e mbarë
Shekuj dhembje,
Unë e vazhdimi im /Fëmijët/..
Dhemb , shumë dhemb,
Humbja e vetvetes, për liri te të tjerëve,
Po, pse s’u bëmë fanar,
të rrezatojmë për vetveten...!

Këta të ligj të botë,
Qe e lanë veten ne terr e mjegull,
Vrasinë, shkatërrojnë, për poste lakmi e Lek,
Për Sllavet-Daçiç, Osmanet-Erdoan,
Çmenduri e dhembshme kohe
Gradime, merita, trofe e medalje.
Komemoracioni shtetit n’ ankand,
Ne këtë stad,
Qe u bëhen maskarenjve.
Kohë maskarenjsh është..!

Prishtinë, 24 tetor 2013
 
 
 
NUK MUND TA KAPËSH ËNDRRËN TIME

Kot mundohesh ta kapësh ëndrrën time
Dhe ta përkufizosh ëndrrën tënde
Ajo vjen pa dokument identifikimi
Pa pasaportë, pa vizë
Mirë është qe secili ka ëndrrën e vet
Le ta mbajë të lirë
Se ëndrrat janë të ndryshme
Siç janë dhe vet njerëzit
Ëndrrën time
Nuk mund të ma zëni
As ta burgosni
E as ta dënoni
Kjo më bën të lirë
Qoftë edhe në birucë...

Prishtinë mars 1981)
 
 
 
KLITHJA
Ç’më zgjon nga kotësia
Klithja jote çunak
Fërkoi sytë. S’ të kam afër
E zëri yt më duket I ngrohtë...


Mos të dhemb kund e ta prishë gjumin

Egër
Me dhembje më prek shpirtit
Kujtimi për prindërit e mi
Shumë net të pa gjumë
Ne emër të jetës së re
Dhe tash sa e sa vite më vonë
Barbaret ua lëkunden eshtrat
Varret e mia dhe tuat çunaku im

Ja pse këtë natë të skëterrshme
Klithja jote më la pa gjumë
Më bë roje varresh dhe lisash
Që flenë dhe ëndërrojnë të qetë

 
 
FILLIMI I RI

Nga plagët në kraharorin e pishës...

Pikë dhembja njerëzore në gurë
Digjet në flakë
E gjithë bjeshka

Dashuria di të bëhet piromane
Në çastin kritik të vlimit
Të përzierjes së ndjesisë e dhembjes

Dhe nga degët e haloret e pishës
Insekte bashkë me zogjtë-kullosin
Në dyluftim për ekzistencë
Buburreca e buba
Boçat kokrra farore
Pjekën për fillimin e ri
Dëshmojnë sojin dhe jetëgjatësinë
Pa ndje dëshpërim
Pikë e pikë në gurë
Sikur çlirohet
Kallë së pari vetveten
Që të mund të mbrohet nga xhelozia
E dhembja
Duke u flijuar për madhoren

Rrëshira pikë në gurë
Për t’u shndërruar në flakë
E në tym si bisht ere
Zjarr e dhembje që kallin
Për t’i dhënë mundësi përtëritjes
Fillimit të ri
Nga dhembja
Nga shkrumbi e hiri

Vjollca Tiku Pasku - Mozaiku i mallkimit

Sapo isha kthyer nga emigrimi për disa ditë pushimi.Doja të shijoja gjithë kuitancën e ditëve të pranverës dhe të ngopesha me ajrin e vendlindjes.Shtëpia ime atërore ishte njëkatëshe me avlli, e mbajtur mire. Ajo ishte si kërthiza e vendqëndrimit e të gjitha motrave të mia.Kudo që shkonim ktheheshim aty, dhe ata gurë na prisnin buzagaz.Në hapsirën rreth e qark me pemë të ndryshme doja të inçizoja zërin më të thekshëm të zogjve, të filmoja gjithë bukurine e luleve me sytë e mi, të fiksoja në flegrat e hundës gjithë aromën e tyre.Këtë koktej pranvere doja ta ruaja në tabakanë e kaltër të qiellit, dhe kujtesa të ma servirte sa herë ndihesha e malluar në emigrim.Përkëdhelja çdo gur të avllisë që koha e kishte grryer me stuhitë tranzite apo me puthjet e përvëluara të diellit.Ndjenjat e fëmijërisë më pushtuan dhe doja të hidhesha të kërceja , të marrosesha bashkë me ajrin.Syri më zuri disa tulla të hequra duke formuar nje vrimë të madhe katrore me shtëpinë fqinjë. Ajo vrimë dikur e vogël më lidhte me miken time më të mirë në vogëli. Para disa vjetësh e kishin shitur shtëpinë, e cila ishte blerë nga një familje tjetër. Teksa po sistemoja tullate avllisë dëgjoj një ngashërim të mbytur. Hapa sytë kureshtarë dhe pashë një vajzë të vrarë nga dhimbja.Lotët e saj ridhnin si tufat e shpendëve të zinj, dhe krahët e ujta viganë nuk lejonin të depërtonin grimca drite, e më pas gremiseshin për tu shkrirë në marshin funebër që luante shpirti. Më erdhi keq u afrova ngadalë dhe i thashë;
-Më fal që hyra nga muri. Jam fqinja përbri.Më quajnë Jeta.Shtëpia e blerë prej jush ishte e shoqes sime të fëmijërisë. Të gjithë janë jashtë vendit. Mund të të quaj si miken time,megjithëse jam më e madhe në moshë.Një profesor thotë ;çdo problem ka zgjidhje në jetë , veç vdekjes.
-Mirë e the , veç vdekjes- tha ajo
-Nuk të kuptoj, mos vallë je e sëmurë?
Ajo ngriti sytë e përlotur,sikur donte të depërtonte në retinat e mia.Ishte shumë e dobët.Thuajse një tis lëkure mbështillte një grumbull kockash.Sytë e tërhequr në dy gropëzat e thella dukeshin si dy ullinj të kalbur të rrethuar nga qeskat e zeza të mbyllura të vuajtjes.Lëkura e fytyrës tregonte formën e saj ovale.Kur ishte e shëndetëshme duhej të kishtë qënë e bukur,ndërsa tani ajo dukej si lule e tharë, nga thëllimi i papritur.E mora prej dore dhe u ulëm tek dy stolat e gurit pranë pemës me lule molle.-Po të tregoj historinë time,-tha ajo- ato kujtime nuk i ngre qielli, dhe nuk ulen as në tokë.Isha vitii parë në gjuhë-letërsi atherë.Isha e bukur.Më pëlqente të tërhiqja vëmëndjen e të tjerëve.Megjithëse shoqet e mia kishin nga një të dashur, dhe kishin hyrë në rrugën e kënaqësisë trupore, unë mendoja se kur të dashuroja me zemër do ti jepja edhe shpirtin tim.Nuk kaloi shumë dhe një djalë me emrin Laert, ndeshte gjithmonë në rrezen e vështrimittim. Një ndjenjë e rrufeshme më zgjoi nga mbretëria e përgjumur e ndezi lulezjarri në zemrën time.Mu duk sikur banoja në mbretërinë e valëve të kuqe të ndjenjave.Shpirti im mori në dorë spektrin e dashurisë e jetoja në botën që unë shndërroja si me shkopin magjik të Zanës.Kambanorja e ndjenjave nuk pushonte asnjëherë së rrahuri. Agjentët e ajrit më vishnin sytë.Të gjitha shoqet e mia më thanë ‘kujdes , nuk flasim mirë për atë djalë’ por mua arsyeja më dukej demon.Ai ishte përmua idhull, tempull, Perëndi.Ai ishte mesatar, me sytë të qeshur të mëdhenj e me flokë të drejtë, që i shkëlqente gjithmone me brilantinë,i veshur gjithmonë shik, me një fjalë simpatik.Një ditë pas leksionit m’u afrua dhe më tha’
-Përshëndetje Lindita. Më quajnë Laert. Dita ime vërtet lind nga sytë e tu.Madje edhe natën më je futur në ëndrrat e mia. E kam të pamundur mos të shoh, mos të mendoj për ty, mos të shkel në hapat e tua.Do të dëshiroja të njihemi më nga afër.Natyrisht, unë pranova.Në një nga ditë në vazhdim, ai më shprehu dashurinë e tij, me fjalët magjike’të dua’.Shikimi i tij ndeshi në fortifikatën me dyer të hapura të syve të mi.E kuptoi që unë isha tërësisht e dashuruar pas tij , si shigjeta e busullës ku tregon vetëm një drejtim.Zemra ime bubullinte tik-taket e saj, dhe u strehua në gjoksin e tij ,për të kërkuar simetriken e lumturisë.Nuk flisja dot. Më dukej sikur isha në një ëndërr e s’mund , të rendja, isha si e ngërthyer nga një stuhi e zjarrtë.Ai vazhdoi,
-Nëse nuk më do, atherë nuk do më shohësh më. Kur dëgjova këto fjalë zemra më ngriu. Kush vallë e ka këtë forcë dhe këtë fuqi kaq të madhe sa nga njëri çast në tjetrin zhegu përvëlues i diellit të ngrijë si akullnajë.,fjala apo ndjenja?Me shpejtësi i thashë –Edhe unë të dua. Sytë e tij ndriçuan si të tigrit.Atherë më puthi lehtë, çdo puthje lindte një fidan i cili rritej dhe çelte një lule.Dashuria mi zuri sytë. Vegimet e saj më shfaqnin qiellin me vesën transparente të ndjenjës.Një copëz e këtij qielli më shëtiste në yjet e kuq dhe tokën me gjelbërim.Në njërën prej këtyre netëve u bëra gruaja e tij në shtratin e vezullues të hënës.Mendoja se isha në krahët e dashurisë që nuk do më lëshonin kurrë. Arkitekte e ëndrrës, ndërtoja mure të njomë shtëpie, fëmijë, profesionin e adhuruar e mbi të gjitha projektoja dritë mbi rrugën e jetës.Një ditë ai erdhi vetëm në shtëpinë time dhe më kërkoi dorën..U justifikua për prindrit e tij se nëna ishte e sëmurë,ndërsa i ati nuk largohej,pasi i shërbente asaj. U habita sepse nuk më kishte thënë diçka të tillë Prindërit e mi, ma kishin ënë në dorë fatin tim.Edhe pse nuk u pëlqeu shumë zgjedhja ime, ata pranuan.Laerti tani që siguroi fejesën, më bindi të punonim të dy sëbashku jashtë vendit,pasi ekonomia jonë nuk do të rregullohej asnjëherë me rroga shteti.Shkollën mund ta vazhdoja me korrespondencë.Bleu dy viza dhe udhëtuam me avjon në drejtim të Belgjikës.Pasi arritëm morëm një taksi dhe ndaluam tek një ndërtesë e madhe.Diçka të keqe ndjeva në shpirt.Hajde –më tha- e më tërhoqi prej krahu, dhe u futëm në portën e madhe të rrethuar me hekura. Më ndolli mendimin e një burgu.Dy njerëz erdhën drejt nesh, më kapin me forcë dhe më mbyllën në një dhomë.U tmerrova,nuk e mblidhja dot mendjen , se ç’farë kishte ndodhur.Nuk doja ta besoja, mos vallë …jo…ai ishte dashuria ime…Teksa mendoja një njeri i veshur me lëkurë të zezë dhe mustaqezi m’u hodh sipër si një dem ieksituar, më shqeu rrobat …kundërshtova me të gjitha forcat …Ai hoqi rripin prej lëkure të pantallonave të tij dhe filloi shumë herë të binte fuqishëm mbi trupin tim.Rrëpirat e gjakut i lëpinte me qef, si vampirët që ndjejnë ekstazë kur thithin gjak.-Klithmat e mia dukeshin sikur e kënaqnin.Çdo goditje nxirrte një mllef.Një film horror që luhej në realitet.Kur mbaroi punë, tha---Do të punosh për mua bukuroshe, i dashuri yt të shiti. Do nxjerrësh të gjitha paratë e shitjes dhe fitimin tim. Kur dëgjova këto fjalë e alivanosur prej rrahjes dhe poshtërimit pësova psikozë akute.Nuk e di sa kohë isha e pavetëdijshme dhe ç’bënë me mua.Di që kur u përmenda më dhanë një kapsulë me forcë. ‘drogë ‘ekstazia’.Kjo gjendje vazhdoi tre muaj.Kështu filloi skëterra e jetës sime.Shihja panteonin e shpirtit të dhunuar. Hija e zezë e kishte ngërthyer në sarkofagun e kyçur hermetikisht të humnerës, ku u hodha.Fati im mbante vulën e të dënuarës.Edhe po të egzistoj ferri, aq më bënte.Më zi se ferri i kësaj toke nuk mund të ketë.Era e keqe dhe kupat e bardha që derdheshin mbi trupin tim më tmerronin. Endërroja të vdisja, por s’kisha asnjë mundësi.Mumja e trupit tim lëviste për inerci të drogës.Një herë kur isha me mendje të kthjellët, u afrova mustaqeziut dhe i shërbeva. Pasi u kënaq prej shërbimit tim e pyeta’
-Përse gjithë ky mllef kundër femrave?
- Sepse të gjitha jeni kuçka,tha ai.
-Diçka duhet të të ketë ndodhur ;-i thashë
- Askujt s’ja kam thënë, e çuditshme që po ta them ty.Kur isha i ri doja marrëzisht një vajzë. Do bëja gjithshka për të Edhe qiellin po të ma kërkonte do t’ja ulja poshtë.Mendoja që do emigroja dhe do t’i siguroja të gjitha kushtet për të krijuar një familje.Kur ju afrova edhe i thashë ç’ndjeja, ajo më tha ‘ ik ore bythë grisur’ . Bota m’u nxi.Vendosa, me ç’do lloj mënyre të pasurohesha, dhe të hakmerresha.Punova në të zezë dhe vura pasuri. Ajo u bë gruajae një tregtari.Pasurinë e përdora për ta falimentuar. Burri i saj tregtar i madh vari veten. Pagova të gjithë qytetin mos të gjente punë.Erdhi dhe më lëpiu këmbët, mua ‘bythëgrisurit’. E poshtërova dhe nuk i dhashë asgjë.Lyp dhe ushqehet në koshat e plehrave.
-Eshtë e dhimbshme të ofendosh dhe të lëndosh dashurinë –i thashë unë. Shija e hidhur e saj nuk zhduket prej gjuhës, të infekton pa dashur.
- Mirë bëri, ndoshta po të mos ishte ajo nuk do isha kaq i pasur- u zgërdhi mustaqeziu.
- Po unë që dashurova pastërtisht.
-Ashtu ishte shkruar fati yt.
-Kam një lutje…nëse ma plotëson do punoj dyfishin e kohës time..
-Ç’farë –m’u drejtua duke skërmitur dhëmbët..
-Lejomë të shoh prindërit e mi, për pak ditë, kam mall.Për një moment m’u duk sikur një erë e zezë u lirua prej tij dhe fluturoi larg. U mendua për një moment dhe tha;
-Mos më merr për budalla,
-Jo, por zëre se është dëshira ime e fundit para ekzekutimit. Në çdo epokë , të dënuarit me vdekje pyeten për dëshirën e fundit.
-Mos të shkon në mendje të hakmerresh…hë.. zotëria na ka bërë shërbime të tjera.Natyrisht është paguar.Do të lejoj, por të kthehesh përsëri këtu, ti e di që kemi njerëz kudo. Edhe në vrimë të miut të futesh do të gjejmë, mendo pasojat.Nëna dhe babai yt s’do bëjnë hije mbi dhe.
-Mos ki merak i thashë e lehtësuar.Mora avionin e parë dhe erdha. Nëna nuk u besonte syve kur më pa bashkë me babain.Ardhja ime shkaktoi më tepër vuajtje tek ata.Natyrisht nuk dinë ku punoj, dhe ç’farë bëj , dinë vetëm se jam ndarë nga i ‘fejuari.Më mirë mos të më kishin pare,kështu si jam katandisur.Erdha të përmbush betimin që i bëra shpirtit tim të vrarë.Kërkova ylberin e rremë me stemë prangash, që më lidhi e vazhdon të më godasi me shigjeta rrufeje të helmatisura,deri sa të më mari edhe atë pak frymë që më ka ngelur.Kur i preva rrugën Laerti më vështroi i habitur si një eklips,ku u errësua papritur.Për momentinm’u duk sikur shpirti më doli nga gryka dhe po e mbysja.Në atë moment isha si një armë, ku nga çasti në çast do shkrepesha ti mirrja jetën.Sa e kisha pritur atë çast.
- Mos u tremb i thashë, do ishte fare e lehtë të tërhiqja këmbëzën dhe të vrisja. Nuk do ta jap këtë kënaqësi.Tani mezi ndalon të më dëgjosh. Gjithë kjo kamje,, shtëpia, dyqani , jeta e rehatshme është paguar nga trupi im dhe i ndonjë tjetre që mashtrove. Sa të kam dashur. Do bëja gjithshka për ty. Më thanë, u martove, me mblesëri,i pazoti për të gjetur një vajzë. Ti, i shkathëti...A të do gruaja jote, po aq sa unë dikur. Për ty jepja edhe jetën time. Por gruaja jote a do ta jepte zemrën po të nevoitej?A do ti dhuronte sytë po të verboheshe.Hë..një grua e mirë për ty,që veç fjalëve, nuk besoj se ka ‘dashurinë e madhe’ Me atë fuqi që të desha me atë fuqi të mallkoj.Ai u drodh dhe vuri dorën përpara sikur donte të më thoshte‘ndal’.Buzëqesha me ironi. Shpirtin tim ta dhurova ty. Ti e shite, për një grusht euro.A ka më keq në këtë botë të jesh pa shpirt? Tani unë jam e pashpirt.Të mallkoj të ndjesh dhimbje në çdo qelizë të trupit, të mos kesh kurrë prehje në këtë tokë. Të mallkoj ta kërkosh vdekjen, dhe mos të marri.Çdo rrahje zemre të të shtërngojë,të mbysë, të errsoftë trurin.Errësira mbuloftë sytë e tu, e grimcat e ajrit t’u bëfshin gastare shpuese në çdo frymëmarrje.Klithmat e mia t’u bëfshin melodia e veshëve të tu,dhe ngulçet eankthit unaza e fytit tënd.Çdo natë këtej e tutje qoftë një hap drejtë fundit përpëlitës.. Të mallkoj edhe për jetët e tjera që i shite,Mallkimet e mia të zeza, shpresoj të shuajnë dritën e shpirtit tënd, që ti të mos shuash jetë të tjera.Ç’të ndodhi mostër mashkullore, mos e humbe gjuhën. Ai tmerruar sikur kishte parë djallin me sy , belbezonte ‘jo, jo;Nga fryma e këtyre mallkimeve qielli u mbyll dhe toka u bë gur. Piktakimi qiell- tokë u bashkua dhe formoi një unazë të zezë mjergulle sipër kokës së tij.Për momentin hija e tij u shkatërrua si hiri dhe më pas u mblodh kruspull.Ai zuri veshët me duar dhe thërriste ‘mjaft’…. iku me të shpejtë duke hedhur hapat si i dehur.Lotët i binin si topa qelqi e thyeshin rrugës.
-Më beso, atë çast që kisha ëndërruar për ditë me radhë, u ndjeva sikur edhe unë qëllova me të njëjtën përcëllimë ere që më qëlluan edhe mua, megjithëse ai ishte autori i fatit tim të zi.Ndihem keq, ndaj nuk më lënë lotët.
Isha tërësisht e tronditur nga ai rrëfim i dhimbshëm. E përqafova atë jetë të drobitur dhe i thashë;
- Lindita do bëj ç’mos të ndihmoj, do shfrytëzoj gjithë njohjet e mia.Je e re dhe do e marrësh veten shumë shpejt. Mos u kthe më kurrë atje. E di,… kam të njohur e mund të ndihmoj të fillosh një jetë të re me një emër të ri, mos të gjejnë kurrë.Nuk besoj se ata do hakmerren me nënën dhe babain tënd.
- Faleminderit Jeta, je njeri i mirë, por jeta ime është e djegur.Rrjeti i tyre është i hapur në shumë vende.Janë të pa shpirt.Përpara syve të mi kanë kaluar shumë egzekutime. Kur vajzat nuk mund ti përdorin më, ekzekutohen me një plumb në kokë.Më pas i dërgojnë të mbyllura hermetikisht nëper shtëpitë e tyre, nën pretekstin e një sëmundje të keqe në kokë.Këto raste i bëjnë shembull, të rrimë urtë.
- Lërmë të mendohem, një zgjidhje do ketë patjetër. Nuk e besoj se kjo botë është vetëm e errët.
Sa për atë njeri të paskrupullt, të jap fjalën se do paguaj çdo gjë që ka bërë.U ndava nga Lindita ,me lotë të plagosur që ridhnin nga qënia ime.Të nesërmen e kërkova përsëri Linditën.E ëma më tha ‘se kishte fluturuar në shtetin ku punonte’….U interesova dhe pagova një dedektiv privat të mbidhte prova për fajësinë e atij njeriu përbindësh. .Dedektivi më tha’’se do bënte çmos, por asnjëherë në vendin tonë nuk është bërë, një gjyq i tillë, pasi luan paraja.Në ngjarje të tilla njerzit marrin vetëgjyqësinë në dorë.-Vazhdo punën,pastaj të shohim ç’mund të bëjmë- i thashë.
Ditët kaluan dhe më duhej të kthehesha në vendin fqinj.Ajo ngjarje ishte një vurratë,në qetësinë e jetës time..Nuk kisha asnjë, mundësi komunikimi me Linditën.Lajmi famëkeq i vdekjes së saj më erdhi pas tre muajve.Pikërisht ashtu si e kishte parashikuar fundin e vet. Më dukej vetja fajtore, që u tregova e pafuqishme për ta shpëtuar.Kur u ktheva përsëri në qytetin tim të lindjes,pyeta dedektivin për hetimet.Ai i kishte ndërprerë tërësisht.Hapa sytë dhe i kërkova shpjegim.-Eja me mua- më tha ai. …Vajtëm në një shtëpi trekatëshe ku luksi binte në sy menjëherë.Hymë në njërën nga dhomat e shumta..Një njeri i mbledhur kruspull i zbehtë si limoni, pa bebëza përceptuese të shikimit,me një grumbull eshtrash plehra ku i mbulonte një tis lëkure si thes i endur përpëlitej nga dhimbjet.Ato ishin të padurueshme.Qetësusesit nuk e mbajnë për shumë kohë –më thotë infermierja. Agonia e gjatë ishte këllëf i shpirtit të errët.Qante me lotë të thatë. Gjuha e tij e trashë si e shkretëtirës, ku ka vetëm gjembaçë belbëzonte, pas pak çastesh ulurinte mbytur..Ka tumorr në kokë-tha dedektivi. Dola nga ajo atmosfere mbytëse të marr frymë lirisht.Porosita një kurorë për varrin e Linditës dhe shkrova’Nëse nuk egziton drejtësia njerëzore, egziston drejtësia më e madhe, ajo hyjnore.’

Freitag, 15. November 2013

Hyqmet Hasko - “Midis dy dashurive"

Të jetosh ” Midis dy dashurive”

Duke shfletuar librin me tregime e novela “Midis dy dashurive" të autorit Hyqmet Hasko
 

Nga Namik Selmani, Shkrimtar
 

1.
Besoj se nuk ka mëdyshje se poeziomania e kohëve të fundit qoftë në ballina librash apo edhe në ekranet virtuale të internetit, na ka mbërthyer të gjithëve madje edhe promovimet e librave poetike që ndjekin në radhë njëri- tjetrin në Shqipëri në Kosovë e gjetkë na krijojnë përsthypjen e gabuar se ky lloj letrar është më i lexuari më i preferuari, edhe pse krijimet që na vijnë në duar nuk janë të mira artistikisht dhe nuk ecin në modelet më të larta të poezisë shqiptare pa folur për atë botërore. Thjesht është ajo garë me vetveten për të bërë një letërsi gati si një hamburger që hahet në këmbë për të ndjekur ritmin e lëvizjes gatio marramendëse. Kjo përshtypje që kasha projektuar prej kohësh më erdhi kur mora në duar librin me tregime e novela të autorit Hyqmet Haskos me titull paksa intrigues “ Midis dy dashurive” Autori i këtij libri është i njohur prej vitesh në radhët e lexuesve në Shqipëri, por edhe më Kosovë. Ai është poet, kritik letrar i mirënjohur
Të flasësh për prozën me të cilën na shfaqet këto ditë zyrtarisht autori Hyqmet Hasko, në radhë të parë duhet të kesh parasysh librat e tij me poezi të botuara në vitet e fundit e që kanë pasur një lexues shumë masiv në rritje për të gjithë moshat. Jo thjesht se ato janë të një brumi artistik të asaj ngjizjeje që ai e ka shumë të veçantë dhe origjinale, po edhe aq pasionant në atë që shkruan, duket se ai e ka të një lloji të veçantë, por sepse ai ka një mison shumë të bukur krijues. Në veçantitë që ka në prozën e tij tij themi se ai po ecën edhe më fort, edhe më bindshëm, edhe më natyrshëm në atë udhë në atë lavdi që i ka dhënë poezia.
Një kapërcim i një lloji letrar, na rastin konkret nga poezia në prozë është një traditë e pashkruar e shumë autorëve deri te ata më të njohurit e letërsisë shqipe e asaj botërore e duhet thënë se nuk është i vetmi, po as edhe i fundit. Me të drejtë lëçitësi i këtij shkrimi do të më miratonte në mënyrë mirëdashëse këtë përsiatje, pa nisur e pa folur për risitë që sjell libri i tij në hullinë e madhe gati kuçedrore të botimeve tona në të gjithë trojet shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e në diasporë Për këtë po thërras në ndihmë së pari retorikën me disa pyetje që do të bëj. Mos është dëshira aspak aventurore për të sprovuar një sprovë tjetër letrare e këtij autori??? Mos është dëshira për të jetuar me misterin e ëmbël (nga ata që provojnë të gjithë krijuesit ambiciozë në misionin e tyre të shkronjëbërjes ) të një Porte të re???
Mos është ideja e konkretizuar e një risie të re rrëfimi letrar si të ishte një Magelan i vetvetes??? Në këtë udhëtim nga më të bukurit si është ajo e shkronjës artistike ku ti kërkon që, përtej modestisë së vetvetes, të hapësh dyer të rinj të talentit tënd??? Dëshira ose, më mirë të themi, mania e pyetjemanisë nuk është përherë simotër e përgjigjeve të sakta për atë që do ti, po për krijimtarinë e Hyqmet Haskos që e kam ndjekur që në fillesat e saj, mbase duhet parë më gjatë e më gjetkë. Edhe vetë Hyqmeti ndoshta, ashtu si pa dashur, në titullin e librit ve këtë mëdyshje që, padyshim koha do ta zgjidhë në mënyrën më të mire e më të saktë. Edhe vetë Hyqmeti ndoshta, ashtu si padashur në titullin e librit “ Midis dy dashurive”00 krahas me atë Fabul shumë humane që është aktuale dhe mesazhiere që del në fund edhe për breza të tërë për një rastësi të bukur, duket se ka shkruar edhe mëdyshjen e tij se në cilin lloj letrar të kalojë në të ardhmen.
 

2.
Një vëzhges i hollë letrar sheh se autori punon shumë me detajin që është një nga “sekretet “ e suksesit të tregimit e novelës. Për fat të keq ende kritika nuk e ka thënë si duhet mendimin për tregimet që botohen në Shqipëri. E kemi të vështirë që ta shohim këtë gjykim kritik edhe për botime të mirëfillta që përfshijnë vepra të autorëve të veçantë bashkëkohorë. Hyqmeti vjen në prozë pas poezisë. Që në vargjet e vëllimeve të tij do ne kemi parë aftësinë e tij për të kapur detajin dhe atë vëzhgim të mprehtë social që ai jeton si qytetar dhe si intelektual. Edhe këtu, pa rënë në një dualizëm artistik ai mundohet të jetë një tregimtar shumë social duke trajtuar temat më të rëndësishme që ka reliteti ynë shpesh herë edhe konfliktual po aq sa edhe tragji Personazhi i tregimit “ Midis dy dashurive“ edhe pse ka një dashuri të fortë, i duhet të mbajë afër zemrës nënën e tij që është invalide. Personazhi i tregimit “ Midis dy dashurive“, edhe pse ka një dashuri të fortë, i duhet të mbajë afër zemrës nënën e tij që është invalide. Bota shprirtërore e rojtarit të pyllit të mbetet në kujtesë për shumë kohë. Dashuria e mjeshtrit të ri, të largët dhe një trëndafil i mbjellë në varrin ku u varros krijesa e kësaj dashurie në tregimin “Sekreti i trëndafilit” e bën këtë tregim nga më të mirët e të realizuarit e këtij vëllimi Në rastin e zakonshëm librat e parë në prozë mund të mos e kenë suksesin e madh pasi mungon përvoja e krijuesve, po në këtë libër Hyqmeti vjen pas trajtimit me shumë sukses të temave sociale dhe filozofike. Ai është goditës kundër dukurive negative sa që mund ta kishte zili edhe një gjykatës dhe një avokat që kanë në duar ligjet e fatet e shumë njerëzve në nevojë. Këtë kahje të re dhe me shumë frymëmarrje na e jep edhe shkrimtari dhe kritiku letrar Bedri Myftari që u nda para pak ditësh nga jeta. Për këtë në parathënien e librit ai shkruan. ”Duke kërkuar në gjurmët e prozës së re moderne shqiptare, të kohës së pasçlirimit të letrave nga jashtësitë letrare, nuk mund të mos evidentosh një emër që, me tregimet e tij të shkruara me sharm gjuhësor dhe ngrohtësi ka bërë për vete lexuesët e shumtë të këtij zhanri të dashur letrar. Ky është Hyqmet Hasko, një zë i përveçëm në letrat tona kombëtare që tenton të sjellë në letërsi ngjyra të gjalla të jetës njerëzore.” Të bie në sy se shumë personazhe të tij zyrtarë, rojtyarë pyjesh, oficerë, policë, doganierë, hetues, mësues, fshatarë, të rinj, jetimë i takon në KAFE. Të vendosura në qytete të ndryshme me dekor të ndryshëm njerëzor, duket se syrit të tij nuk i ka shpëtuar institucioni i “kafeneve” ose i “kafeterive” dhe “çajtoreve“ si i thonë në Kosovë te shqiptarët e sotëm. Një institucion që është kthyer në një vend për ballafaqim vlerash, kundërshti, korrupsion, sozi e së kaluarës dhe e së ardhmes. Në kompozicionin e librit autori është kujdesur që ta vërë lexuesin shumë të madh në numër në një “grackë” të bukur leximndjellës që mund ta bëjë një profesionist i letrave. Nëse lexon një tregim si “ Midis dy dashurirve“ e në çast madje ke edhe dëshirë që edhe t’i rikthehesh aty për aty, ritmi i rrëfimit vjen në ngritje për ta mbyllur me novelat shumë interesante “Biri im“ dhe “Kujtime të lagura”. Në këtë zinxhir tregimesh që mbyllet me novelat rritet forca e dramës së personazheve, rritet forca e konfliktit, e dialogut e detajit shprehës, e gjuhës figurative etj. Hyqmeti mund të quhet autor i detajit. Pak përshkrime natyre ka në librin e tij. Pak digresione lirike. Lirizmi i tij shkrihet me rrëfimin me dialogun. Ai kujdeset shumë për dialogun. Ka një ritëm që nuk e ul për asnjë çast. Madje edhe personazhet e tij na shfaqen që në fillim të tregimit në forma të ndryshme. Temat që trajton libri janë ato të familjes ku paraqiten marrëdhëniet burrë -grua , prindër fëmijë, marrëdhënia e njeriut me paranë dhe me shtetin qoftë kur je i varfër, qoftë kur je i pasur, jepet fati i jetimit në shoqëri dhe elenmentët e humanizmit në trajtimin e kësaj shtrese sociale, marrëdhëniet e njeriut me emigracionin , me të huajt. E sheh këtë që te titujt e tregimeve e më tej të novelave si “Ai s’deshi t’i bënte keq shokut të tij”, “Babëzia për para” , “ Fejesa që nuk duhej bërë”, “Jetë hallemadhe”, “Surpriza pas vendimit”, “Kujtime të lagura”, “ Midis dy dashurive”, etj.
 

3.
Përetej konflikteve dhe situatave shumë interesante që jep autori Hyqmet Hasko vëren se në të ka një trajtim shumë të dukshëm e të gjërë të figurave femërore. Aq sa duket se personazhet meshkuj gati janë vënë për të realizuar në mënyrë sa më përsosmërisht dhe artistike portretin e personazheve femërorë qofshin vajza që janë të porsadashurara apo edhe nëna si Engjëllushja të novela e fundit. Ato janë mësuese, vajza, studente, jetime, gra në nevojë, etj. Këto personazhe dalin here herë me një fat tragjik. Të gjitha këto personazhe kanë një karakter të fortë, kanë personalitet të dukshëm. Brenda fragmenteve që do ta ilustronin dhe më shumë këtë mendim, do të citonim një monolog të novelës “Kujtime të lagura” . “O zot, këto janë kujtime të lagura! Gjithçka duket e lagur deri në palcë, deri në asht, si kjo natë ferri tek endemi si sonambula në një kohë e pa kohë. U ula në strehë të asaj shtëpie dhe mbështeta trupin për muri. Në prehër mora tim bir. Fli, ëmbëlsia ime, i thashë. Koka e tij më ra në gjoksin tim, por kapelen e kishte lagur. Hoqa shallin tim dhe ia mbështolla rreth kokës. Vesha pallton peliçe dhe e mbërtheva fort të ëmblin tim.. E ky portretizim bëhet me një gjuhën shumë të zgjedhur psikologjike në varësi të moshës dhe të gjendjes sociale, kulturore të secilit personazh femëror.
 

4.
Një risi e re që shfaqet që në hapat e para të prozës së tij artistike është edhe universialiteti ose së paku i një ballkanizimi të saj. Atë që ne e shohim në përditshmërinë tonë dhe që e jetojmë secili në mënyrën tone, ai na e ka dhënë me art shpesh edhe tragjikshëm, por shumë realist e me një kahje të qartë të pozicionit të tij qytetar dhe krijues në mbrojtje të vlerave të mëdha shpirtërore që ka e duhet të ketë njeriu pavarësisht se ku ka lindur se ku punon apo se ku vdes. Kur mendon se kjo është bërë fare natyrshëm, atëherë themi se edhe suksesi i librit është i admirueshëm. Ai qëmton në këtë Evropë e në këtë Ballkan, sa të bukur aq dhe të trazuar, jetë njerëzore me shumë dramë që gërshetohen si jetët e një familjeje apo të një lagjeje, po aq sa trajton edhe jetën e emigrantëve në Itali. Në këtë valë të vrullshme njerëzore, të bukur po edhe të mbushur me krime dhe me një lloj racizmi që shfaqet edhe sot në Ballkan, na jepet mesazhi se ajo duhet të jetë sot e mot Ballkani i paqes sociale. Novelat “ Biri im” dhe “Kujtime të lagura“ e japin shumë të qartë këtë risi. Duket se përvoja jetësore e tij dhe hulumtimi i shkrimtarit e kanë bërë shumë të besueshëm dhe emocionalisht temat dhe personazhet që ai i ka marrë nga kjo trevë shumëkombëshe. Nis kjo “gjeografi” personazhesh me Ledionën tek tregimi “Peripecitë e Ledionës” ku fabula e tregimit vendoset në Gjenova të Italisë. Vazhdohet me Hysen Tërbunin e tregimit “Ai s’deshi t’i bënte keq shokut të tij”. Drama e një krimi të paralajmëruar që ndodh në ishullin Rodos ndaj një biznesmeni grek që shfytëzon nevojën e një familjeje shqiptare për të marrë nderin e një vajze shqiptare është shumë domethënëse. Fabula e novelës ”Biri im “ ka si sfond qytyetin italian të Padovës dhe është bërë një ballafaqim shumë dramatik mes humanizmit njerëzor, mes portretit të heshtur të një nëne shumë të dashur, të një të papriture dhe të një fundi sa tragjik aq edhe të lumtur e të besueshëm. Për të ardhur tek novela “Kujtime të lagura” që e vendos rrëfimin në Kosovë me një monolog tragjik të një personazheje. Do të vazhdonim edhe një herë me vlerësimin kritikut dhe shkrimtarit Bedri Myftari që ka qenë dhe mbetet edhe një tregimtar shumë i talentuar sidomos me temën came. Nga vlerësimi i tij do të shkëpusim këtë mendim: “Kur lexon me një frymë përmbledhjen me tregime “Mes dy dashurive të shkrimtarit Hyqmet Hasko, seç ke një dëshirë që t’i kthehesh një leximi të dytë e të tretë dhe qasja drejt asaj bukuria të praruar e farfuritëse, ku ngjyhet pena e tregimtarit, i cili na përcjell me sharm dhe elegancë pjesë të vetvetes, të kohës së tij dhe të bashkkëohësve , të shumëzuara me aq shumë ëndrra dhe impresione. Ato gëlojnë në mënyrë të drejpërdrejtë apo nëntekstuale në çdo faqe të këtij libri të shkruar me aq mjeshtëi artistike me aq dashuri njerëzore brenda çdo rreshti dhe fjale.”

5.
Pa asnjë mëdyshje do të them se libri “Midis dy dashurive“ është një sukses i dukshëm jo vetëm i autorit Hyqmet Hasko, po edhe i tregimit shqiptar në përgjithësi. Këtu mund të sugjerionim për një drejtshkrim më të mirë të librit dhe zgjerimin e linjave të rrëfimit në novelën “Kujtime të lagura”. Buzëqeshja , dhimbja, malli, ëndërrimi, përditshmëria që të dërgon te mëkati dhe te njerëzorja, zhbirimi te bota e madhe shpirtërore e personazheve, mbijetesa njerëzore, pasioni i fortë i punës dhe i të jetuarit, mesazhi i një miqësie të fortë e afatgjatë që të shoqëron në çdo krijim e në çdo fat personazhi, i japin librit “pasaportën “ e tij të qartë e afatgjatë. Të vjen keq që në të ashtuquajtur globalizim dhe mungesë të një komunikimi kulturor libra libra të tillë me vlera mbeten shpesh vetëm në kufinjtë e ngushtë të një provincializmi të ngushtë të dy ose tre qyteteve. “Gracka” e rëndë e mundesisë së një shpërndarjes të librit të shkruar është vërtet e dhimbshme, pasi shumë vlera mbeten të mbyllura në një gjeografi të ngushtë. Në këtë “ Mëkat kulturor“ që i bëhet kulturës së vërtetë që krijojnë shkrimtarët tanë padyshim është dhe libri që porsa kemi marrë në duar i poetit dhe prozatorit Hyqmet Hasko