Montag, 25. November 2013

Brahim Avdyli - Poezi dhe biografia


KTHIMI I PËLLUMBAVE
 

U kthyen pëllumbat
nga fundi i shekujve
nga fillimi i shekujve
nga Drita dhe Qielli
duke pëshpëritur
dhembjen e tyre pëllëmbore...

Nuk e di cilën ngjyrë e kishin
herë më dukeshin të bardhë deri në të zi
herë më dukeshin të zi në të bardhë
e herë ndërronte rreze dielli në sy
deri sa e mbulonin Qiellin
me krahët e përpëlitjeve.

A e dini ndokush dhembjen e tyre
apo dhembjen time të ma tregoni,
nuk kam fjalë për këtë këngë përpëlitëse
me ajrin e mbarsur të lindjes
me ajrin e mbarsur të jetës!

Ejani pëllumba, ejani gjatë dhembje
me gugutë tuaja të këndshme,
nuk më jeni ndarë prej fëmijërisë sime
dhembjen tuaj të qetë e të butë
e kam qarë në qendër të vrapimit
rreth Diellit edhe pse i zjarrtë,

kur ta pushtoni rrezen e shkruar
nga Dodona e parë
na e sillni atë fjalë
tërë njerëzimi do ta kuptojë
pëshpëritjen e kthimit tuaj-

jeni tre kujtoj apo tre miliardë
që lëshoheni nga Degët e Lisit
të zgjatura nëpër hapësirën e Diellit

pëllumba të pandalur të shpresave
pëllumba të fatthënave!...

 


LEJLEKU I ËNDËRRAVE

Çdo gjë fillon me ëndërren
edhe kur nuk mund t`u bëjmë
me stërmundimin jetësor
si diçka të qenë,

kur hapen krahët e hapësirës
u nxjerrin juve në sipërfaqe
si pjesë e reales që vjen
me ngjyra të paqes,

ne u përkulemi përpara
sikur në vendlindje
edhe në Zvicër-
sytë e dritës ua ruajmë,

u thërrasim përtej fjalës
na e sillni një dhëmb të ri
kur ua hedhim të vjetrin...

dhe çdo gjë fillon me juve
lejlek të ëndrrave tona.

 


SHTEGËTAR I LIRISË

Me flatrat e qiellit
udhëtoni largë
për të ikur nga dhuna
për të gjetur pranverën,

ne jemi lelekët e parë
prej emrit të Karianëve-
pellazgëve parahelen
dhe paralajmëtarëve
të ditëve më të mira.

Bëhemi së bashku
me lejlekët e sotshëm
e dalim kudo
nëpër botën e dhembjeve
për ta mundur dimrin
nëpër Evropë
dhe dëshirojmë Lirinë,

bëhemi shtegtarë
me ngjyrën e bardhë
si drita e Diellit
që vizëllon të buzëqeshë
larg, përtej shekujve!

Nuk e di nëse jemi
në jug-perëndim të Azisë
apo njeriut me qime
të rruzullit tokësor-

lelegë apo lejlekë
duke ikur nga vuajtjet
me flatrat e lirisë!

 


ENIGRMË E PËRJETSHME

1.

O gjarpër i shenjtë,
mblidhesh në spirale
ethesh për ne

e ngritesh
me kokën e goditjeve
në bishtin
e dhembjeve.

2.

Kur të shoh
më thahet pa shpirt
një fjalë në gojë

e regëtimat e qenies
ndrydhen të heshtura-

mitologjitë e botës
mblidhen sertë,

a thua, si do të jetë
dënimi i Zotit?...

3.

Herë bëhesh
shtagë e gjatë
dhe mbi ty mbahet bota
për të mos rënë
skrupull
me dhembjet e viteve

e herë tjera
sa qel e mbyll sytë
bie mbi jetën
e shpërfillur-

aty ku nuk të mendon
aspak njeriu

dhe e ka lëshuar
rrugën e zotit!...

4.

Qindra poezi
mund të shkruheshin për ty

edhe po të gënjenim
për të paqenën me fjalë
apo të përkryerën

kur të takojmë
të mbledhur lakuriq
rreth pritjes-

ti ngjitesh më lartë
me kokën përmbi heshtje
e hidhesh si shpatë

prandaj na rrëqeth
me ngjyrat e tmerrit

ngadalë
pështillemi larg
e largohemi
përtej vdekjes.

5.

Njëmijë vjet
jeton me dhembjet
e vetminë

të ka plasur gjuha
nën gur
nën dushk e shi
nën dhé

duke pritur jetën
të soset
nën helmin tënd-

helm është jeta vetë
katran
i mbyllur në gur

enigmë e përjetshme!...

 


ORA E SHTËPISË

1.

Ora e shtëpisë
ka trajtën e gjarpërit,
nën trarin kryesor
e vëzhgon shtëpinë.

Fishkëllima e tij
është thirrje kushtrimi
që përbanë
në tri ndarje
vlerat e familjes.

2.

Është shpirt
i mbetur gjallë
ndër vite dhe shekuj

për të mbrojtur mikun
e për të shkatërruar armikun,

edhe pjesëtarët
që shpërfillen
nën kaptimin e djallit,

ata nderin e moralin
e dhunojnë pafalshëm!

3.

Atëherë zbresin
sa çel e mbyll sytë

e zeza është kob për ata
që dhunojnë bukurinë
dhe armiqtë e tjerë

që vinë të porositur
edhe nga Iblisi
për të zhdukur prore
shembullin e mirë,

e bardha është paqe
për të gjithë shenjëtorët
dhe për fëmijët-
lulen e përtërirjes.

4.

Në tulla të oxhakut
mund të qëndrojë ora

në djep të fëmijve
kur nuk janë të lidhur
që ta mbrojnë
nga Satani

ata që nuk kanë fuqi
vetë të mbrohen...

5.

Ora e shtëpisë
i ngjanë hyjneshës së vatrës

është gjarpër i veçantë
që i ndjekë brejtësit

ata që zhbirojnë
nga kërshëria e tyre
dhe dëmtojnë...

6.

mund të kthehen
në një qenie
mitologjike

në formën e gruas
t`i ngjajë Zanës-

është pra
gjarpëri i shtëpisë
bardhë e zi

deri sa nuk shuhet
shtëpia!...

 


SUFERINAT E DHEMBJES

Gjurma e shkrimeve niset nga lashtësia
me kalanë që nuk rrëzohet aspak me fjalë
por kënga të pavdekshme e ringjallë ndër ne,
energjia e pashtershme e kësaj mbijetese
pikon me qumështin e viteve të dhembjes
nëpër gjëmën e djalit të vogël e bonjak,
nuk ka si ta lëmojë gjysmën e trupit
derisa nuk flet dhe është i ftoftë si vdekja
kështu që vjen nëpër legjendën e stërlashtë
dhe na e rritë prore mbi gur një lule-pemë.
Fati i Rozës kthehet fuqishëm në Rozafat
dhe ushqehet prore i biri me lot në sy
e neve na jep të thithim gjithë atë helm
brez pas brezi duke e përkundur rriten
nëpër regëtimat e heshtura flijuar në kohë.
Kambana e vargjeve ushton nëpër shekuj
nëpër sytë e nënës – zanë e qenies sonë
që gjithnjë na e jep qumështin e viteve...
Gurëzimi na rritet dikur në Urën e Fshejtë
dy brigjet e këngës sonë të na i përputhë
me jehonë të pashtershme të shkëmbinjve
në pikë të Qiellit mbërrijnë të na kthehen
derisa thithim nektarin e lulebjeshkëve...

dhe çdo gjë fillon me gurët e kalave tona
që mbetën gjellë me fëmijë dhe rindërtohen
nëpër suferina e pambaruara të Këngës!

 


PUSHTETI I NDJENJAVE

Njerëzit dhe grupet
klanet dhe klasat
të gjithë popujt
të gjitha shtetet
i tërheqin zvarrë
vargonjtë e pushtetshëm

e ëndrrat e therura
antagonizmash të ndërsjellë
nëpër zgavrat e kafkës
tërë qelbin e njerëzimit
e kullojnë...
e kullojnë!

Askush se kupton
çka i tërheq vazhdimisht
kundër njëri-tjetrit
në rropullitje
copë-copë,

është pushtet i pafund
pushteti i ndjenjave!

 


KAM ZBRITUR NGA YJET

E shoh veten fëmijë nëpër arat me misër
jam në Zvicër por kujtoj se jam në Morinë
dhe loz me rrezet e ngrohta të Diellit
qe rriten në bukë të kallinjve.

Kalliri zgjatet e buzëqesh me vesën e mëngjeseve
sikur më përshëndet dhe dua ta përqafoj
jam edhe vet fëmijë që loz me Diellin mbi tokë.

Herë në Einsiedeln bëhesh birrë e misrit të artë
e herë bëhesh miell i bluar dhembjesh
për tu bërë misërnike
që e blej në shitoret e vogla të mallit
nëpër kodrinat e diellit

dhe vjen dita kur konzervohesh e grirë
për të ushqyer sërish Lopët e Diellit!...

Tani nuk e di mirë se në cilën kohë jetoj
në cilin shekull-

mijëra herë paskam zbritur rastësisht nga Yjet!

Thurau, 21.06.2013

 


PIKËLLIMI

Kur ndodhesha larg nga këtu
kur ndodhesha në perëndim
kur vërdallesha rrugëve të botës
për një metelik

ju, të ulur mbi fron
ndoshta ëndërronit llullën e fildishtë
gjarprin e verdhë të perëndimit

e përmalloheshit për mua
në pamundësi për të më gjetur.

Tani,
jam në vendlindjen e përbashkët
aty ku e kam harruar një varg
me ëndrrën e madhe të Atdheut,

më kot ëndërroj që tu shoh
pikëllohem, besoni!




Shënime biografike për Autorin:

Brahim (Ibish) Avdyli (1960), është poet i cili i takon plejadës së krijuesve të fundviteve shtatëdhjetë dhe të fillimviteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar (XX). I lindur dhe i rritur në Morinë të Malësisë së Gjakovës, në këtë vend me tradita të njohura kulturore dhe kombëtare, që në vitet e hershme të rinisë së tij u dha pas dy prirjeve: pas artit të fjalës dhe pas lëvizjes konspirative për li...rinë dhe bashkimin e kombit shqiptar.

Pas përfundimit të gjimnazit “Hajdar Dushi“ në Gjakovë i filloi studimet në Fakultetin Teknik, dega e arkitekturës, të cilat nuk i përfundoi, ngase, për shkaqe ekonomike, por edhe politike u detyrua të emigrojë në Zvicër. Dy herë ka qenë me vendim federal i përjashtuar prej Zvicrës. Më vonë, si student me korrespondencë në Fakultetin Filologjik i kreu studimet në Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe. Pas fatkeqësisë së madhe shëndetësore, ka vazhduar t’i ndjekë studimet postdiplomike në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, në Fakultetin e Shkencave Politike- Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci, ku në tetor të vitit 2010 ka mbrojtur temën e magjistraturës.

Ka botuar shumë shkrime, artikuj, analiza dhe akte të tjera politiko-organizative, ndërsa gjatë viteve 1990-1995 ka udhëhequr revistën „Qëndresa“ në Zvicër.

Pos botimeve në periodikun shqiptar, ka publikuar këto libra:
 
  • "Në hijen e Alpeve", poezi, Rilindja, Prishtinë, 1983;
  • "Buka e kuqe", poemë, Atdheu, Cyrih, 1990;
  • "Kur zgjohet Dodona", poezi, Rilindja, Prishtinë, 1992;
  • "Pasqyrë e përgjakur", poezi, Marin Barleti, Tiranë, 1994;
  • "Klithje nga fundi i ferrit", poezi, Onufri, Tiranë, 1997;
  • "Gjuha e dheut tim", poezi, Albin, Tiranë, 1999;
  • "Klithje nga fundi i ferrit", botim i dytë, Jeta e Re, Prishtinë, 2000;
  • "Baraspesha e humbur", poezi, Qëndresa, Gjakovë, 2003;
  • "Vragat e një kohe", prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2005;
  • "Lëvozhga e vdekjes", prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2007;
  • "Stelele Veşniciei /Yjet e Përjetësisë", Poezie albaneză, din Kosova, BKSH të Rumanisë, Bukuresht, 2008;
  • "Zogu i këngës", poezi të zgjedhura, SHB “Pjetër Bogdani”, Has, 2009;
  • "Mërgata shqiptare e Zvicrës dhe roli i saj", politikë-publicistikë, Brezi `81, Prishtinë, 2011;
  • "Qielli i paprekur”, poezi, Brezi `81, Prishtinë 2012.
  • "Vetëvrasja e një poeti”, dramë, Shoqata e Intelektualëve “Jakova”, Gjakovë, 2013; 
 
 
Është i prezantuar edhe në këto libra: 
 
  • "Rrjedhë e lë gjurmë", poezi e studentëve të Kosovës, Bota e Re, Prishtinë, 1983; 
  • Nebil Duraku, "Shkrimtarët e Kosovës, 1945-1985", Rilindja, Prishtinë, 1985; 
  • "Poezia dal Kossovo", Antologji e poezisë kosovare, Besa Editrice, Nardò, (Lecce), Itali,1999; 
  • Hasan Hasani: "Leksikoni i shkrimtarëve shqiptar, 1501- 2001", Faik Konica, Prishtinë 2003; 
  • "Vulcanul răbdării/Vulkani i durimit", Poeme traduse în limba română de Baki Ymeri, Editura Do-Minor, Bukureşti (Bukuresht), 2008; 
  • Halil Haxhosaj: "Përkushtime/Poezi kushtuar Din Mehmetit", KL "Gj.N.Kazazi", Gjakovë, 2009; 
  • Agim Vinca: "Muza e Mëmëdheut/Njëqind poetë për Atdheun", Antologji, SHB "Eugen" Tiranë dhe "Botomet Artini" Prishtinë, 2012; 
  • Betti Fichtl, "Bahnhof der Träume", Edition Wendepunkt, Weiden/D, 2013;
  • Lulzim LOGU, Muharrem KURTI: “Antologji e poetëve të Malësisë së Gjakovës”, Klubi Letrar “Gjon N. Kazazi”-Gjakovë dhe Klubi i Shkrimtarëve dhe artistëve-Tropojë, Gjakovë, 2013; etj...
 
Libri i tij i parë poetik „Në hijen e Alpeve“ ka hyrë në zgjedhje të ngushtë për shpërblimin “Hivzi Sulejmani“ që filloi të jepej në vitin 1983 për librin më të mirë të autorëve të rinj.
 
Është fitues i vendit të dytë në konkursin letrar me rastin e 28 Nëntorit, më 1997, të organit të LPK „Zëri i Kosovës“; i Penës së Artë në takimet pranverore të krijuesve shqiptarë të Diasporës, më 2001. Me 25 prill 2009 ka marrë shpërblimin e parë “Agim Ramadani” në Konkursin e hapur pranë Qendrës Kulturore Shqiptare për poezi në Cyrih të Zvicrës. Shpërblimin e dytë për poezinë më të mirë të dërguar në Konkursin Letrar dhe të lexuar me 1.5.2010, si dhe Shpërblimin e parë për poezinë më të mirë të dërguar në Konkursin Letrar, të lexuar me 25.4.2011, e ka marrë në Orët e mëdha Tradicionale Letrare për Pavarësinë e Kosovës, të organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve, Artistëve e Krijuesve Shqiptarëve të Gjermansë, në Koblenz të Gjermanisë. Nga e njëjta “Lidhje...”, në të njëjtin vend, e ka marrë Çmimin e e parë për poezitë e konkuruara dhe të lexuara atje, më 23.03.2013 në të cilën e ka prezentuar edhe Shoqatën e Krijuesve Shqiptarë të Zvicrës.
Shpërblimin e tretë “Azem Shkreli” për librin më të mirë të poezive “Qielli i paprekur”, të ndarë për tërë mërgatën shqiptare, e ka marrë poeti në Eneppetal të Gjermanisë, me 1.06.2013.
 
Shkrimi i parë që e ka shkruar ky autor ka qenë një dramë. Ajo nuk është botuar. Nga vendstrehimi nëntokësor në shtëpinë e tij në Morinë të Gjakovës është marrë apo është djeguar drama e tij e veçantë “Gremina”, e cila ka pasur si temë fundosjen e Jugosllavisë, së bashku me 1500 faqe prozë A4. Vepra e parë i është botuar më 1983, me dy vite vonesë, nga Ali Podrimja. Tani po mbushen 30 vite nga botimi i veprës së parë.
 
Brahim Avdyli është njëkohësisht anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK); anëtar i Autoreve dhe Autorëve të Zvicrës (AdS); anëtar i Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë të Zvicrës (SHKSHZ), dhe i disa organizatave të tjera.
Poezia e tij është përkthyer në italisht, gjermanisht, rumanisht, anglisht. etj.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen