Samstag, 30. November 2013

Nikoll Ulndreaj - Cikël me poezi


QYTETI IM

Shami te plumbtë reshë
rreth koke
lidhë
qyteti im....

Kur......

fëmijët skamnor
unshëm flenë
në hije të plisit...

E ishullorët
pushtetar
bixhoz luajnë
me kohën...

 

 
KUR PUTHJA T’MË MBESË PËRGJYSMË

Kur puthja të më mbesë përgjysmë
Ti e dashur mos bëjë zë!
Fryma më dihat, eshtrat më tretin
Në shtrat me qiellin shkoj të fle...

 
ZESHKANIA IME

Krojet e malit nuk përqafohen si ti e unë
Zeshkania ime...
Kur ti shtrin dorën për të shijuar ëmbëlsinë gojës me gojë
Unë i zgjidhi nyjat errësirës, përpiqem të kapi yje, ...
Xixëllonja e meteor që pikojnë nga qielli
Dhe hënës e diellit
Krejt pa hile e mirëkuptueshem
U marrë pakëz dritë
Sa për të parë shkëlqimin e syve tu të rrushet
Kur të numërojmë puthjet e florinjta
Nëpër rremat e shpresës
E të pimë lakmisht verë buzësh nën nje pemë
Të mbushur përplot frute ëndrrash të shndritshme
Zeshkania ime...
Unë u kthej shpinën përbindëshave gjarpri
Kur dëgjoj simfoninë e gurrës së tingujve
Të shtrëngimit gishtave tu ndër duar,
Apo të kujtoj ty
S’ka më njeri që më ndalon
T’a hedh zinxhirin e frikës përtej xhunglës
Të këputur në mes
Edhe nëse shuhem si xixellonja në thellësinë e natës...
Siç duket Zeshkania ime
S’ka më lëndina të kullotë loti i ndarjes ndër sy
As sa një dridhje qepalle nuk ka më kohë...

 

 
VEÇ SONTE

Ah, mike
Ortek bore shkri
Me sytë jeshil..

Veç sonte
Mi lerë mua
Te kryet
Të më bëjnë dritë si kandil...

 

 
PEIZAZH VETMIE

Ky log bjeshke mbuluar me qiell fle...
Po, po fle. Edhe ditëve me diell e netëve me hënë...
Në djep ikje bjeshkatarësh
Përkundur nga flladnaja e pishave..

As Mujo, as Halili nuk e lodruan gjokun
Në livadhe padurimi zanash
Njomur me hije mrizi
Tërë verën e sivjetme.....

Të qeshurave vajzërore të trëndafilit të egër
Iu thanë lulet
Në zjarrin melankolik
Të vajit të barit harruar nga kosa...

Edhe era ish bërë hajdute stanesh
E frikshme
Njësoj si ikjet qe harruan hartat
E mbrëmjeve sfilatuese të hënës flokxixellonjet...

Tash fyellit të dëshpërimit të qyqes
I binte shpirti i një ujëvare
Djegur nga malli i zgjimit
Të këtij logu bjeshke mbuluar me qiell
Që ende fle...

 

 
E NJOH LOTIN TËND TANUSHË

Ne valët e detit e njoha lotin tënd moj Tanushë
Në arome të mëngjesit
Në erë të manushaqes çelur thellë në gërmushë
Dhe në shokën e brezit...

E njoha në tingujt e lagur në hapësirë qerpiku
Të rrëzimit të mrizit bjeshkës
Në fluturimin e lodhur të dallëndyshes që iku
Dhe në vesën e lules pjeshkës...

Dhe nga pëshpërima e frashrit, ahut e pishës
Nga Xixëllonjet për varëse zhbiruar
Në ngjyrat e fluturave dhe larat e këmishës
E nga zjarri i trupit përvëluar...

Në nazet e porsa nisur të syve të zes, zog i zilisë
E në verat e heshtura të pagojë
Në tinguj lahute, e në të kuq buzësh të qershisë
Në regëtinë lumi zhgënjyer në lojë...

Në oshtimë të grykave, tik-taket e orës së zgjimit
Në blegërimën e dhisë ngujuar në shkëmb
Dhe pëllumbat që pinë ujin e syrit para fluturimit
Nga zemëra, që për dashuri dhëmb...

Nga loti i ortekut, te dridhurat e tamlit mes bore
Dhe era që tremb një flok të ylbertë
Nga zogu i bardhë që përpëlitet në pëllëmbë dore
Dhe vjel qershi në shportë të blertë...

E njoha nga rrënjët e thepisura nga buron ngjyra
Nga mprehtësia e mjekrës se cjapit
Vërshëllima e gazi kurë qeshë në pranverë natyra
Nga frika e ujkut që ia mbatha vrapit...

E njoha nga puthja e mbetur përgjysmë që kurë
Nga psherëtima e lumit të Bardhë
Nga xhëmb i trëndafilit mbirë në Nikaj Mertur
Nga jehu i bjeshkës nis tek un me ardhë...

 

 
ÇAST I DEHUR

Hëna ledhatonte bjeshkët kujdesshëm
me buzëqeshje
përqafime
e puthje të dehura...
të mos i vyshket gojfili....

hijet
pushoni në gërmusha
pa u ndjerë
pa bërë zë
në mbretëri arome tërfili...

teferik
me bollëk...

gurrat
shtrydhnin këngët
të shuanin etjen
e kapriçiove
të ndjenjave të zjarrta...

vashat lehtazi tundnin kryet
të sigurta
se këtë mbrëmje verore
qiellit i kish numëruar gjithë yjet...

e një lot
si pikël vese
u prushojë
te qerpiku

pa këputur
një trëndafil puthje
dita si u iku..

 

 
ME NJË GRUSHT MALL
E NJË GRUSHT DIELL

Kuvendon vrrini e bjeshka
Po i djeg loti sikur eshka
Kur vjen vera e kur ik vera
Kullës fisit s’po i hapet dera......

As s’ka gjamë, as s’ka dekë
Dyert i ngujuan ditën në drekë
Rrugët morën nga mërgimi
Shtrydhen dhimbjen si jetimi...

U ul vetmia në hije të lisit
Me shua etjen me lotët e plisit
Mrize e stane nëpër vite
Vështrojnë larg një yll drite...

Shami të larme ka vënë hana
Me i fshehë vetullat gajdana
U deh dragoi e u bë tapë
Kërkon zanat ditën në vapë...

Tek një krua pret lauresha
N‘bjeshkë t’Kakisë t’këndoj baresha
T ’bjenë përmallshëm fyelli i çobanit
E të dalë syzeza në derë të stanit..

Bjeshka hesht dhe stani hesht
Shqipja ulet mendueshëm në kresht
Stane e kulla ndjek me sy
Shembë vetmia ngujuar në dry...

Në bjeshkë t'Zhabores e n ‘grykë t'Marinit
Po ndigjohet ofshama e Drinit
Ofshan Drini e ofshan Buna
Stinë për stine vajton Ajkuna...

Kur djeg dielli e kur frynë veri
Në gjumë të rëndë fle Omeri
Shket orteku e tundet mali
Kali i Mujit trokun se ndali...

I hingëlli Mujit i hingëlli Halilit
Derisa çelin lulet e blinit
Heshtë Halili hesht dhe Mujë
Atëherë i shterret zani për ujë...

Qyshe se iku nga bjeshkët deti
E me pushtua erdh Hyrrjeti
Me pushtua me shpatë e huta
Nuk ka heshtë më shumë lahuta...

Nuk ka hesht në këto bjeshkë guri
Ku zbardhë ditët Nikaj Mërturi
Ku zbardhë ditët deri në qiell
Me një grusht mall e një grusht diell...

 

 
LULE LOTI

Ditë-netët rrekullisen në Perëndim
Andej fluturon edhe drita
Zogj malli zihen në leqe, në prita
I gënje mërgimi. Sa zhgënjim......

Vashat po vyshken si lule në gur
Në ëndërr i dashuri u shfaqet
Loti i pritjes u puth faqet
E gjurmë mllefi u lenë në lëkurë...

Nga syt të mrrolur loti shket
E mbinë në dhe' si fara
E lule- loti lulon ara
Mblidh një tufë nëse donë të bëhesh poet..

 

 
KODRA PLAKË

Koha kërkonte udhë, shekujt e çmendur e bënë lodër...
Kjo ishte jeta, mbi jeta dhe fati
U thinjë flokësh, u rrudh ballit, u mplak kjo kodër
Roje e pikëlluar fshati....

Thonë që kurë lindi ka lindur përgjysmë plakë
Si vullkan kish shpërthye e ëma, gruaja e dheut
Të mos binte gjallë në duar turqish u dogj flakë
Burri i saj ish në lufte ushtar i Skënderbeut...

Nën hije të blirit e nxe dielli si në shpinë të atit
Mbuluar vetmi e dhimbje rrëzë mali në skutë
Vigjilon e ruan kullat ngujuar në dry të fshatit
Ditën pret koka heshtje, natën mat hënën me kutë...

 

 
HËNËN DUA ME VJEDHË

Hyp shkallëve deri në qiell hënën të vjedh
Atë sy ndezur, moj me qejf ta beje relikë qafe
Se fillikat vetëm del bjeshkëve natën bredh
E lenë në terr qafën tënde të hollë prej xhirafe.. ...

Magji ka me bërë rrelika kur të kullotin rreze në qafë
Gjoksit të shpërthejnë sythe njomëze si në bjeshkë
Flladet ndezin zjarre në zemër, kur të ecësh si xhirafë
Duke tund dy kokrra mollë sa dy kokrra pjeshkë..

Qershor 1975

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen