Montag, 15. Juli 2013

Tregime humoristike


Nga Beqir Elshani

DARDHAT E KALBËTA

Një ditë shkova në bibliotekën e gjimnazit në Therandë, aty takova profesorin e gjeografisë me përvojë të madhe shkencore e pedagogjike dhe atdhetarin, Bajram Kurti, ndaj bibliotekari, Hysni Kabashi, na nderoi me kafe. Kishin kaluar dy-tri vjet që profesorin e gjeografisë për shkak të Demonstratave të Studentëve në vitin 1981 Komiteti Komunal e kishte larguar prej detyrës. Jo vetëm kaq, sepse profesor Kurti u jepte nota të larta nëse nxënësit dinin për pozitën gjeografike të Shqipërisë. Ishte një ndër profesorët e parë që aplikoi arsimin evropianoperëndimor, thoshte se mbi të gjitha duhet njohur mëmëdheun tënd - Shqiperinë. Si rrufeja u përhap lajmi se ish-kolegu i tyre Prof. Bajram Kurti gjendet në bibliotekë, ndaj disa arsimtarë hynë për ta përshëndetur. Pas pak hyn edhe një mësimdhënës i serbishtes, quhej Bora dhe ishte i moshuar, gjë që dukej i zbardhur në flokë. Profesor Kurti dhe arsimtarët e kuptuan qëllimin e serboçetnikut që hyri në bibliotekë, megjithatë përshëndetet edhe me këtë. Ndërkohë Bajrami e shfrytëzoi rastin duke “përgëzuar” kolonistin serb që puna po i ecën mbarë dhe vazhdoi duke ngritur duart:
“Borooo!!! Unë dhe ti kemi dalë në treg për të shitur dardha. Unë po bërtas në treg: Bujrum dardha të mira!… Mirëpo myshterinjtë nuk vijnë te unë, krejt po vijnë te ti, edhe pse dardhat e tua janë të kalbëta”. Arsimtarët e pranishëm në bibliotekë po qeshnin me zë për tregimin ironik të Bajramit, për të cilën e dinin se fjala ishte për burgosjen dhe largimin e mësimdhënësve shqiptarë nga procesi mësimor. Arsimtari serb, Bora, dinte shqip, ai një kohë të gjatë ka dhënë serbisht në paralelet shqiptare: prej shkollës fillore deri në gjimnaz, ndaj së shpejti do të shkonte në pension. Kështu edhe ngjau, para se të thyente qafën në pension, flitej se ka plaçkitur eksponatet ilire në dollapin e gjimnazit, mu pranë zyrës së drejtorit dhe i ka dërguar në Muzeun e Beogradit. Prandaj doli fjala e Prof. Bajram Kurtit, i cili një vit më parë i tregoi se si çetnikëve serbë po u shiten dardhat e kalbëta - (kupto: politika).

KU GJINDET KOMITETI KOMUNAL?

- Ku gjindet Komiteti Komunal, zotëri? - pyeti një vizitor qytetarin vendës.
- Komitetit vetëm minarja i mungon, …është një ndërtesë luksoze dhe mund ta gjeni shumë lehtë, - tha me ironi qytetari.
- Unë për herë të parë vij në këtë qytet, - tregoi vizitori.
- Ashtu, ë…! Shkoni drejtë, pastaj kthehuni në të majtë… kur të arrini te udhëkryqi i parë shkoni drejt dhe do të dilni në bulevardin e qytetit, pastaj kaloni skaj bibliotekës me xhama të thyer dhe do të dilni në krahun e djathtë të lumit. Kur të kaloni urën mbi lumë do të shihni një shtëpi të madhe me kopsht, aty mos hyni se është shtëpia e drejtorit gjeneral të kombinatit. Prej atyhit hyni në rrugën e majtë dhe përballë do të keni objektin që kërkoni, - kështu i tregoi qytetari.
- Duket se qenka larg, zotëri?! - ndërhyri vizitori.
- Jo nuk është larg, me automobil mund të arrini për pesë minuta. Mos jeni ndonjë ministër, zotëri? - pyeti qytetari duke vështruar me habi.
- Jo, jam bujk… Në atë ndërtesë do të hap fermën e pulave.
- Po të dëgjojë kryetari i komitetit…, të shkon koka!
- Atij, jo mua!… Sepse lidhja komuniste ka cofë, - tha vizitori.
- Pasha kapuçin, kurrë nuk kam qenë brenda në komitet! Më mirë pulat të kakarisin se komiteti të na dredhë - tha qytetari duke u përshëndetur me shpendarin.

NJË SKEÇ I MODËS

Në fund të orës mësimore të kursantëve mbahet një skeç humoristik. Një nxënës shpiku një lojë argëtuese për reklamimin e modës, të cilën shokët dhe shoqet e klasës e miratuan. Ai ftoi një nga shokët e klasës në mënyrë që të mbante gishtin e dorës së djathtë mbi sup, kurse vështrimin të mbante në drejtim të dritareve të klasës, ngjashëm porsi Davidi i Mikelangjelos. Pas pak, në derë hyn një vajzë dhe e varë bluzën në gishtin e djaloshit. Ky ishte një skeç i bukur, prandaj shokët dhe shoqet i dhanë një duartrokitje. Pastaj hyn një djalosh, nga beli nxjerrë rripin e pantalloneve dhe e varë në gishtin tregues të djaloshit. Edhe ky skeç u duartrokit nga klasa me arsimtaren e tyre. Mirëpo skeçi i tretë ishte më interesant. Në klasë hyn një vajzë zeshkane dhe në gishtin tregues të djaloshit vari një gjarpër plastik. Nxënësit u frikuan dhe të gjithë dolën prej klasës, ndërkohë edhe zilja cingëroi për pushim. Prandaj djaloshi mendonte se në gisht mban rripin e pantalloneve, kinse shokët dhe shoqet e klasës kanë vrapuar pas zilit për pushim.
Atëherë arsimtarja i tha: ”Shiko se ç’po mban në gisht.”
Kur djaloshi pa gjarpërin plastik, u trembë dhe menjëherë e hodhi në tokë.

HALLET E BIZNESMENIT
Një biznesmen i shkruan redaksisë:
E nderuara, Redaksi! Babai im, rahmet shpirtit të tij, ka qenë njeri me autoritet në pushtet. Ai më ka lënë një fond bukur të madh me libra të Titos, të kënaq synin kur i shikon: me ngjyra të kuqe dhe me shkronja të arta që vezullojnë. Librat janë të ruajtura dhe askush nuk i ka prekur me dorë. Një ditë shkova në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Prishtinë, jo për t´ua shitur librat e Titos, por për t´ua falur. Merreni me mend, bibliotekarët në vend se të më nderonin, më ndoqën me fshesë. Ai drejtori i Bibliotekës i ngrysi vetullat sikur t´ia kisha mbytur babën. Bile njëri nga bibliotekarët, që zyrën e kishte në krye të shkallëve, për fat të mirë, që arkitekti nuk ka lënë asnjë dritare të hapur se përndryshe do të më hidhte për dritare jashtë. Prandaj kërkoj të më udhëzoni se kujt duhet t´ia dërgoj këta libra të shkreta. Unë sot jam biznesmen dhe fare nuk më interesojnë librat që m´i ka lënë babai. Së shpejti do të hap një qendër të madhe tregtare. Shpresoj që ju do të më gjeni ndonjë dashamir të librave të Titos. Përshëndetje nga bamirësi.
Redaksia i përgjigjet kështu:
Letrën tënde e lexuam dhe kuptuam hallin që të mundon. Të njëjtin rast kishte edhe një qytetar nga ana e Karadakut. Mësuam se babai yt kishte qenë njeri i pushtetit dhe ka jetuar në luks, të cilin po e trashëgon ti. Ti shkruan se librat janë të stolisur me ngjyra të bukura vezulluese, megjithëse ato nuk janë asgjë tjetër pos gjemba që t´i vrasin sytë. Ke bërë mirë që fare nuk i ke shfletuar, sepse në veprat e Titos vetëm dreqi s’ka hyrë. Gjatë luftës në Kosovë shkiet nuk lanë shtëpi pa shkrumbuar, prandaj është çudi që librat e mikut tënd, Titos, kanë shpëtuar pa u djegur. Kuptuam që ti sot ke zgjedhur profesionin e biznesmenit, dhe së shpejti do të hapësh një qendër tregtare, prandaj të urojmë punë të mbarë.
Na erdhi keq, që bibliotekarët nuk të kishin nderuar, së pakut me një llokum, si dhurues i librave, mirëpo siç shkruan ti, të ndoqën si një langua. Megjithatë, ti duhet t´i kuptosh bibliotekarët e Bibliotekës Kombëtare, sepse kanë vuajtur të zitë e ullirit nga pushtuesi serb. Shkiet ua kanë plaçkitur ndërtesën, kurse fondin e librave në gjuhën shqipe i kanë djegur. Këtë e di vetëm lëkura e bibliotekarëve shqiptarë se çfarë pasoja kanë vuajtur nga barbaria serbe gjatë luftës në Kosovë. Për inat të kupolave të bardha të Bibliotekës, që i ngjanë qelesheve shqiptare, shkiet këtë institucion e kanë bërë për faqe të zezë, duke kthyer në stallë derrash. pijetore, shtëpi publike dhe depo armësh. Megjithatë, bibliotekarët e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, si demokratë dhe intelektualë shqiptarë, në mënyrë të kulturuar duhej të kishin udhëzuar ty që t´i dërgosh në Fabrikën e Letrës në Lypjan për reciklazhë dhe jo të kërcënohen me fshesë. Mirë që paske shpëtuar pa e thyer qafën shkallëve tatëpjetë.
Meqë ti banon në Rrafshin e Dukagjinit, të këshillojmë që librat t´i dërgosh në fabrikën e tullave në Landovicë. Shpresojmë që ata pranojnë t´i marrin librat nga shtëpia jote, meqë kohët e fundit ndihet mungesa e rrymës në Kosovë. Ti vetëm duhet lajmëruar fabrikën e tullave dhe ata vijnë menjëherë t´i marrin me kamionin e tyre.

QENI DHE ZOTËRIU
Një ditë Pomi, kështu quhej qeni, vendosi të udhëtojë prej Malmes në Kopenhagë. Andaj Pomi filloi të leh para të zotit. Të lehurit e qenit, ishte një kërkesë që edhe vetë i zoti e kuptonte dëshirën e tij.
- Unë dëshiroj të vizitoj Kopenhagën, - kështu tha Pomi, që e luhaste këmbën e parë një shenjë lutje.
- Më vjen keq, nuk mund të kalosh kah ura e gjatë e Oresundit, është rrezik për qentë, - tha i zoti i qenit.
- Mund të udhëtojmë së bashku me Volvo - tha Pompi entuziast.
- Edhe po të më ftonte princesha daneze, unë nuk do të luaja vendit, - tha kërcënueshëm i zoti.
- Meqë qenka ashtu, atëherë po udhëtoj vetëm me Volvo.
- Vetëm? Mos ke luajtur mendsh?! Ti nuk ke fare patentë shoferi dhe policia mund të dënojë, pastaj unë të paguaj gjobën për ty. A nuk e di ti, që sipas ligjit suedez qentë nuk kanë drejt të kenë patentë shoferi?!
- Atëherë do të udhëtoj me tren, - tha qeni Pomi, që tashmë kishte vendosur këmbët e para në prehrin e zotëriut.
- Të udhëtosh me tren pa mua dhe pa pasaportë?! E pamundur! Policia të nxjerrë në rrugë.
- Megjithatë mund të huazoj një pasaportë prej fqinjit tim, vetëm për një ditë shëtitje - shtoi Pomi me entuziazëm.
- Ç’ fantazi të hatashme ke Pomi im! Nëse të zë doganieri, të burgos dhe kurrë më nuk mund të shihemi, - e qortoi i zoti, që tanimë shpresonte se qeni i tij Pomi do të bindet.
- E di ti, që unë, si gjithë shokët e mi mund të notoj deri në Danimarkë, - tha qeni që tani me këmbën e djathtë, në shenjë revolte, e qëllonte zotëriun.
- Po, po! Unë i kuptoj dëshirat e tua, mirëpo mos harro se valët e detit janë të mëdha dhe ujët është i ftohtë, prandaj mund të mbytesh.
- Im Zotëri, ti gënjen!… unë e di që njeriu mund të shkojë edhe pa pasaportë në Danimarkë. Për këtë më ka treguar e dashura ime, ajo së bashku me zonjën e shtëpisë shpeshherë udhëton për Kopenhagë. Mirëpo ti je një dembel, që vetëm rri kot në shtëpi. Falënderoju zotit që unë jam qen i shkolluar, përndryshe do të kisha shqyer këtu në vend, - tha qeni Pomi me dëshpërim.

31.12.2007

Huazuar nga DERVINA.COM

Keine Kommentare:

Kommentar posten