Mittwoch, 31. Juli 2013

Katër tregime nga Lazër Stani


Vila e gjarpërinjve

E verdhë dyllë, Loreta Gjonpali ngjiti shkallët e drunjta që të nxirrnin në katin e tretë, aty ku ishte dhoma e saj, e strukur nën çati. Kur po ngjiste shkallët, nuk e ktheu kryet as majtas, as djathtas, nuk  kqyri në  kuzhinë, ku e ëma, Tringa, po kruante fundin e një tenxhereje dhe as dalloi në sallonin e ndjenjjes gjyshin Gjon që po lexonte një gazetë të vjetër. U lëshua në shtratin e saj të parregulluar dhe ngjeshi fytyrën pas jastëkut, që iu duk i lagësht dhe i athët, sikur kundërmonte aromën e një djerse të huaj, të panjohur për të. Nuk i shqitej nga mendja gjarpri që pa kur po ngjiste shkallët e vilës së vjetër katërkatëshe, të cilën pushteti e ri e kishte shndërruar në zyra të aministratës së qytetit. Gjarpri po zbriste ngadalë shkallët, duke u lakuar me mundim e duke e mbajtur kokën trekëndëshe lart, në përgjim. Vështrimin e kishte të lig, të poshtër dhe mjaft të egër. Të paktën këtë mendoi Loreta Gjonpali, duke rikujtuar atë vështrim që i futi të dridhurat. Ajo qe vonuar duke shqyrtuar një dosje me llogari taksash që nuk i përputheshin shifrat. Kishte thyer kokën në atë dosje, por nuk po e gjente gabimin, edhe pse i kaloi me dhjetëra herë nëpër duar ato fletë të zverdhura, të mbushura me numra të shkruar me kujdes, nga një dorë e zellshme nëpunësi. Shefi i pati thënë se në këtë dosje gjendeshin disa llogari të fallsifikuara tridhjetë vjet më parë nga një kompani matrapaze peshkimi, që për shumë vjet kishte mashtruar shtetin, duke mos paguar tatimin mbi fitimin.
“Ne duhet të zbulojmë mashtrimin e kësaj kompanie dhe të çojmë në gjyq trashëgimtarët e saj. Ajo kompani ka mashtruar shtetin për njëzet vjet dhe ne duhet të vendosim nderin e shtetit ne vend, duhet të hakmerremi”, tha shefi, duke ia përplasur në tavolinë turrën e madhe të dosjeve.
Loreta si nëpunëse e re e administratës, duhej ta zgjidhte me sukses këtë çështje, ose përndryshe, karriera e saj në administratë vihej në dyshim. Dhe një dështim në muajin e parë të punës, nuk do të mund të ndreqej kurrë. Dosja e dështimit do ta ndiqte pas si një mallkim, nga një zyrë në tjetrën, nga një shef personeli te tjeri. Askush nuk do ta qaste më në administratë, aq më tepër që edhe gjyshi i saj Gjoni, mbahej mend për skandalin e bujshëm në Ministrinë e Mbrojtjes. Me dekret të presidentit, i qe hequr titulli i gjeneralit. Gjenerali i çgraduar nuk e pranoi kurrë shpërdorimin e postit, ose “abuzimin seksual me gratë e vartësve”, siç qe shkruar asokohe në shtyp, por presidenti me dekretin e tij e shndërroi në kopshtar të rëndomtë, aq sa njerëzia gojëligë e thërret edhe sot e kësaj dite “Gjenerali i luleve”.  E vërtetë është se ai, pas hapjes së kufirit me Greqinë, hapi një magazinë të madhe lulesh dhe shiste lule greke. Lulet hollandeze nuk i qaste në magazinën e tij. “Nuk i meritojnë lulet e Europës këta derra”, thoshte, pa e përcaktuar se kush ishin derrat të cilëve ai u shiste lule.  Po gjindja, që ia njihte huqet gjeneralit, e dinte se kur ai fliste për derrat, e kishte fjalën për burrat e shtetit.
Loreta u rrotullua në shtrat, u tkurr duke e ndrydhur barkun, sikur ai gjapri i lig që po zbriste shkallët në atë orë të vonë të pasdites, ta kishte kafshuar në kurriz. Ajo e kyçi derën e zyrës, disa orë pas përfundimit të orarit zyrtar, pothuajse në perëndim të diellit, kur në vilë, përveç portierit, me siguri nuk duhej të kishte frymë njeriu. Kjo duhet të ketë qenë edhe ora e përshtatshme që gjarpri të dalë nga strofka e tij. Loreta mbante mend sytë e tij të ligj, kundërmimin e rëndë që lëshonte në ajër dhe atë vështrimin e tij djallëzor që të bënte të ndjeheshe e pambrojtur. Kur vështrimi i vajzës u kryqëzua me vështrimin e gjarprit (këtë Loreta e mbante mend mirë), ai tërhoqi kokën mënjanë, po vështrimi i tij nuk iu shqit, deri sa kapërceu portën e jashtme, ku portieri i përgjumur dremiste me kryet e lëshuar mbi tavolinë.
Një rrëshqitje nëpër hatulla, një rrëshqitje e ngadaltë që vinte e shurdhët nëpërmjet tavanit e trembi për vdekje. Kërceu nga shtrati dhe zbriti me vrap shkallët, e llahtarisur nga frika.
“Në çati është një gjarpër”, tha e lemerisur dhe u ngjesh pas së ëmës, që ende po merrej me larjen e enëve në lavaman.
E ëma i holloi krahun në qafë, e ngjeshi pas vetes, po nuk i besoi asnjë fjalë nga ato që e bija po i thoshte me ngut, duke iu mbajtur fryma.
“Në këtë shtëpi askush nuk ka parë kurrë një gjarpër”, tha e ëma, Tringa, që po fshinte duart me një pecetë të zhugatur. Po kur Loreta këmbënguli se ajo e dëgjoi zvarritjen e tij në hatulla, që ishte e njëjtë me zvarritjen e gjarprit që ajo pa po atë pasdite duke zbritur në shkallët e vilës ku punonte, Tringa hapi sytë e tmerruar, kqyri rreth e rrotull si për të kërkuar ndihmë, po kur pa se në kuzhinë përveç atyre të dyjave nuk gjendej kush, e mblodhi veten dhe tha: “A të të bëj një çaj kamomili?”
Loretës i erdhi t’i thoshte “çajin e sat ëme!”, po e mbajti veten. E mori të ëmën për dore, e tërhoqi pas vetes në dhomën e pritjes, aty ku gjysh Gjoni vazhdonte të lexonte gazetën e vjetër me lajme të vdekura, si për të sjellë me forcë në kujtesë të shkuarën.
“Pra, ti thua se në shkallët e vilës u ndeshe me një gjarpër”, tha Tringa duke e theksuar fjalën “gjarpër” që t’i tërhiqte mendjen të vjehrrit. Po Gjenerali i luleve vazhdonte të lexonte gazetën, pa e vrarë mendjen se çfarë përrallisnin dy femrat. Kërkonte midis faqeve të zverdhura dëshmitë e tri grave të botuara në shtyp, dëshmi skandaloze, që i shkatërruan karrierën ushtarake. Kur gazetarët i patën zënë pritë te dera e Ministrisë, pyetjeve të tyre të shumta, u pati dhënë një përgjigje të vetme: “Nuk merrem me dëshmi kurvash!”. Kjo fjali e vetme qe bërë titulli kryesor i gjithë gazetave të nesërme. Skandali mori përmasa kombëtare, organizatat e grave protestuan te presidenti, të kryeministri dhe kryetari i Kuvendit të Popullit. Një organizatë feministe që drejtohej nga një psikologe shtypi, doli me dhjetëra postera me fotografinë e gjeneralit, të cilat gratë i shkelën më këmbë në mënyrë demonstrative në festën e 8 Marsit. Gjenerali papritmas ia krisi të qeshurit dhe ngriti kryet nga gazeta.
Dy gratë rrinin të ngjeshura pranë njëra-tjetrës, të mbërthyera nga ankthi. Gjenerali vazhdoi të shkoklitej së qeshuri. I kishte hipur një gaz i madh, i papërmbajtshëm, një tallje e pandreqshme me atë mendimin e tij të atëhershëm për të vrarë veten. “Të vrasësh veten për dokrra kurvash, ama gjeneral që ishe!” mërmëriti me vete, duke u shkundur nga ajo dalldi që e kishte pushtuar.
“Më bëni një kafe të fortë”, tha gjenerali duke u drejtuar nga dy femrat. Nënë e bijë nuk luajtën vendit. Të kruspullosura nga ankthi ato qëndronin si të ngrira. Gjenerali ktheu kryet nga ato, kruajti qepallat nën syze që të qartësonte shikimin dhe mbeti shtangur nga fytyrat e tyre të zbehta prej fantazmash.
“Çfarë ka ndodhur?” tha dhe u ngrit në këmbë e eci drejt tyre. Atëkohë, Loreta u shkëput nga trupi i së ëmës, ngriti syti nga gjyshi dhe i tha se atë pasdite në shkallët e vilës ishte ndeshur me një gjarpër të tmerrshëm. I gjatë dy metra, xhepa-xhepa, me kokë shpatuke, me një gjuhë të zezë që e lëpinte pas buzëve të verdha dhe më sytë e tmerrshëm, që asaj i ishin dukur të njohur, sepse ajo mund të betohej, edhe diku tjetër e kishte hasur atë vështrim të lig. Dhe, sikur të mos mjaftonte takimi me gjarprin në shkallët e vilës, ajo dëgjoi nga dhoma e saj zhurmën e shurdhët të rrëshqitjes së një gjarpri nëpër hatullat e çatisë, kur shkoi lart të çlodhej e të merrte veten. Gjenerali i dëgjoi i përqendruar rrëfimet e mbesës, shkoi te tryeza e madhe, mori një cigare dhe e ndezi, diçka tha për një ftohje të vjetër në shpatull që po i acarohej sërish, kujtoi të birin që vdiq para tetë vjetësh në një aksident ajror gjatë një stërvitjeje ushtarake, tha se gjithmonë, gjarpërinjtë kishin jetuar kulaç në shtëpitë dhe gjokset e njerëzve. Loreta nuk e mori vesh se ku e kishte fjalën gjenerali, po ajo tha se ishte e tmerruar, kishte frikë të shkonte të nesërmen në zyrë, madje nuk ia mbante të ngjitej në katin e tretë në dhomën e saj, se gjarpri, ajo qe e bindur, ishte aty, i fshehur në çati dhe natën mund të zbriste e të futej ne dhomën e saj.
“O zot, tha Tringa duke u ngritur, gjarpërinjtë e shtëpisë janë të bekuar, po të ka keq shtati kur i shikon”. Ajo doli në kuzhinë që t’i përgatiste kafenë e hidhur gjeneralit. Ndërsa përziente kafenë në xhezve, Tringa kujtoi me dhjetëra histori me gjarpërinjtë e shtëpive, që nëpër mote, sipas pleqve, kishin bërë punën e rojtarit. Askush në anët e tyre nuk i vriste gjarpërinjtë e shtëpisë. Madje gjyshi i saj Ndoka, bujk i vjetër, që e njihte tokën si trupin e vet, thoshte se është gjynah të vrasësh një gjarpër, se ata, gjarpërinjtë, e pastronin tokën, shfarosnin minjtë dhe dëmtarët e tjerë të bimëve. Nga njëra anë, ajo i besonte gjyshit të saj të urtë, po nga ana tjetër, nuk e dinte origjinën e asaj shprehjes që grumbullonte të gjithë urrejtjen e tmerrshme: “T’ia shtypësh kokën si gjarprit”. I vu përpara kafenë gjeneralit dhe qëndroi në këmbë, me duar të kryqëzuara mbi bark.
“E ke nga lodhja”, tha gjenerali, duke iu drejtuar Loretës. “E ke nga lodhja. Kur je e dërrmuar të shtihen figura të frikshme. Ty të është shfaqur gjarpri, po e ke thjesht nga lodhja”. E përkëdheli mbesën duke ia rrëshqitur gishtërinjtë mbi flokët e saj të dendur dhe rrufiti kafenë, sikur po kthente një gotë me fund, ashtu shpejt e shpejt, në këmbë, në banakun e lokalit.
Pas këtyre fjalëve, askush nuk i zuri më në gojë historitë me gjarpërinj. Loreta megjithatë nuk guxoi të flinte në dhomën e saj, në katin e tretë, po fjeti me të ëmën, në dhomën e dikurshme të prindërve të saj, ku fotografia e të atit, e varur në mur prej shumë vjetësh, dukej se do ta mbronte nga e keqja.
Të nesërmen Loreta shkoi në zyrë si zakonisht, u përshëndet me portierin që po shënonte diçka në një bllok të zhubravitur, ngjiti shkallët, duke zgjedhur vendin ku shkelte, sikur gjithandej të gjendeshin gjarpërinj duke u zvarritur dhe u ngjit në zyrën e saj, ku kolegia e saj kishte hapur dritaren krah më krah. Kur Loreta hyri në zyrë, shoqja e zyrës, një grua rreth të dyzetave, e pamartuar dhe tekanjoze, tha se zyra kundërmonte një duhmë të rëndë kafshësh dhe pati hapur dritaren që të ajrosej.
“Ka dhjetë vjet që punoj në këtë zyrë dhe kurrë nuk kam ndjerë një duhmë të tillë të keqe”, tha ajo, duke kqyrur me dyshim kolegen e re. Loreta nuk i ktheu përgjigje, ndezi kompjuterin e saj, hapi raftin dhe nxori togun e dosjeve të vjetra dhe u bë gati të fillonte punën. Me bisht të syrit ndiqte lëvizjet e nervozuara të koleges që shprehnin hapur pakënaqësi dhe nervozizëm. Loreta u përpoq të gjente fillin e llogarive të ngatërruara dhe të përpunonte të dhënat në kompjuter.  Po për dreq, nuk mbante mend se ku e kishte lënë punën një ditë më parë; të gjitha dosjet i dukeshin njëherë të shqyrtuara dhe prapë i dukeshin të panjohura, aq sa ajo nuk po e gjente fillin. I shtyu dosjet grumbull në tryezë dhe ngriti kokën. Edhe kolegia po qëndronte e shpërqenduar para kompjuterit, me fytyrën të rrasur midis pëllëmbëve, pa zënë punë me dorë.
“A zbresim të pijmë nga një kafe”, i tha Loreta koleges së saj, duke e ftuar për herë të parë pas shumë muajve pune të përbashkët, në të njëjtën zyrë. Kur e patën caktuar në atë zyrë, atë e pati trembur fytyra e pakënaqur e koleges, që nuk e fshehu përbuzjen që në orën e parë të punës. “Përpiqu ta bësh vetë punën tënde”, e pati paralajmëruar. “Nuk kam kohë t’u mësoj zanatin çupkave, që pastaj bëjnë karrierë nëpër ministrira”.
Nëpunësja përballë, me emrin bimor “Florë”, zgurdulloi sytë nën xhamin e hollë të gjyslykëve dhe tha se edhe asaj nuk i punohej dhe se një parandjenjë e keqe po e gërryente në fund të barkut. “Zot, nuk kam ndonjë nga ato sëmundjet e këqija të grave!”, tha dhe u ngrit, duke marrë pallton që e varte në një komo të thjeshtë dërrase të kapur pas murit. Zbritën të dyja bashkë në kafenenë e Vilës që gjendej në bodrum. Kafeneja ishte e mbushur plot me nëpunës të rangjeve të ndryshme, të rinj dhe të vjetër, që pinin kafe dhe cigare, pothuajse në heshtje të plotë. Fytyrat e nëpunësve ishin të pakuptueshme si dosjet që shqyrtonin, si urdhrat e shefit të madh, që shpërndaheshin me shpejtësi nga një zyrë në tjetrën, nga një kat në tjetrin, duke u bërë gjithnjë e më të pakuptueshme dhe të frikshme deri sa pushtonin vilën e stërmadhe qosh më qosh, duke tkurrur dhe bërë të pazëshëm nëpunësit. Kushedi sa herë, ata nëpunës i kishin mallkuar tregtarët e mëdhenj të qytetit që e ndërtuan këtë vilë për motrën e bukur të mbretit në vitet tridhjetë, ditën e celebrimit të saj me një princ bukurosh.
Flora, si nëpunëse e vjetër e me përvojë, gjeti në tryezë të vogël në gjysmëerrësirë, ndërsa Loreta u afrua te banaku dhe porositi dy kafe me qumësht. Banakierja, një esmere që krihej vazhdimisht me gishta, i buzëqeshi ëmbël, i shkeli syrin djallëzisht dhe i bëri gati porosinë. Matanë, në errësirë, një burrë kollitej vazhdimisht, sikur donte të nxirrte nga fyti një lëngatë të vjetër. “Ky dreq ta shpif!”, tha Flora. “Ka njëzet vjet që kollitet kështu e nuk vizitohet kurrë te doktorët”.
Pinin kafe në heshtje, duke iu bashkuar turmës tjetër të nëpunësve, që gjithashtu thithnin cigaret dhe hurbatnin kafet, duke shkëmbyer ndonjë fjalë në të rrallë, sa për të thënë. Loreta e kuptoi se diçka nuk shkonte, se vila ishte gdhirë e paralizuar, se nëpunësve nuk u punohej, se diçka ose kishte ndodhur, ose pritej të ndodhte.
“Ajo duhmë në zyrë?! Kurrë nuk e pata gjetur zyrën të mbushur me duhmë sperme”, tha me përçmim Flora, duke kqyrur diku në errësirë, sikur diku në qoshet e errëta gjendej fajtori.
“Po ia këput kot”, ia ktheu Loreta e nxehur. “Dhe mos guxo më kurrë të flasësh kështu me mua!”.
Flora rrufiti e qetë kafenë e saj dhe i kërkoi një cigare një kolegu të një kati më lart. Ai i zgjati paketën, duke i bërë shenjë që t`i merrte edhe Loretës një cigare.
“Askujt nuk iu punoka sot”, tha nëpunësi i katit të tretë pa iu drejtuar askujt. Loreta ndezi cigaren, e thithi me forcë, si për të shuar me atë tym nervat që po i pëlcisnin nga inati. Nuk e duronte kolegen e saj dhe sa më shumë që kalonte koha, bindej se ajo ishte një femër shpirtligë, aq shpirtligë sa nuk e honepsnin as burrat. Thuhej se kurrë nuk pati një të dashur në këtë institucion. Madje qarkullonin fjalë se ajo na paskësh thënë se më mirë e linte t’i thahej mes këmbëve, se t’ua jepte këtyre horrave.
Loreta fiku cigaren në tavull dhe i bëri shenjë koleges të ktheheshin në zyrë. Kur po ngjitnin shkallët, Flora i tha koleges me një intimitet të pabesueshëm se ishte e shqetësuar. Tha se shefit të madh ia kishin bërë gropën ca maskarenj të regjur që punonin një kat sipër tyre dhe se shefit të ri nuk i dihej. Me siguri që do të nxirrte nga puna disa prej nëpunësve të vjetër, që tashmë i quanin si jashtë kohe. Dhe atë do ta flaknin me siguri, se fundja kush do të merrte përsipër ta mbronte. Nuk kishte asnjë mik. Kur u futën në zyrë, Flora shpërtheu në të qara, dridhej dhe dëneste kujshëm, aq sa të këpuste shpirtin.
Loreta ndjehej e zhgënjyer nga vetvetja. Ja, kishin punuar bashkë në një zyrë dhe as që kishte marrë mundimin ta njihte. Madje e pati urryer në heshtje, nuk e duronte dot, po ç’të bënte. I duhej të priste rastin kur atë mund ta ngrinin në përgjegjësi, duke e caktuar në një zyrë tjetër, ose të paktën do ta zbrisnin në përgjegjësi, po prapë do ta dërgonin në një zyrë tjetër. I erdhi të hante veten. I shkoi pranë koleges, i hodhi duart në qafë dhe u përpoq ta qetësonte, duke i thënë fjalë shpresëdhënëse, fjalë të ngrohta sigurie, po Flora, tashmë e fishkur, nuk donte t’ia dinte. Dëneste papushim dhe brinjët e saj lëshonin një kërcëllimë metalike, të trishtuar. Pjesën tjetër të ditës e kaluan në heshtje. Flora shfletonte papushim një dosje, duke u kthyer prapë në fillim, pastaj hapte internetin, kontrollonte postën elektronike, mallkonte një shoqe në Paris që as sot nuk i kishte kthyer përgjigje, ndërsa Loreta përpiqej pa sukses të gjente shkeljet në regjistrat e vjetër të llogarive. Kur mbaroi orari zyrtar, Flora mblodhi plaçkat e saj, u pa në pasqyrë, u ngjiti buzëve një të kuq të lehtë trendafilash të egër dhe doli, duke i kujtuar koleges se tashmë dita e punës kishte mbaruar. Por, Loreta e përqendruar në regjistrat me llogari mashtruese, llogariste në kompjuter shkeljet që nuk i dilnin dhe ia niste sërish punës nga e para. Tha me vete të punonte edhe nja dy orë, se përndryshe nuk do t’ia dilte të evidentonte shkeljet dhe pastaj çfarë do t’i raportonte shefit në fundjavë, se dosjet janë në rregull?! Me siguri që do ta përzinte duke ulëritur nga zyra dhe do ta shpallte një nëpunëse të dështuar të vilës. U përqendrua prapë mbi formularët e një dosjeje të vjetër dhe kërkoi t’i verifikonte shifrat nga e para. Vonë, kur muzgu u ngjesh pas dritares, ajo u përmend se duhej ta ndërpriste punën dhe të kthehej në shtëpi. Mblodhi shpejt e shpejt rraqet e saj, u futi një shkriftim flokëve me gishta, mori çantën e vogël dhe doli nga zyra duke e përplasur derën me forcë pas vetes. Por nuk kishte bërë as dhjetë hapa, kur nga shkallët e katit të tretë dëgjoi rrëshqitjen e frikshme dhe një si fishkëllimë paralajmëruese. Ktheu kokën dhe mbeti e shtangur për disa çaste. Nga shkallët e katit të tretë po zbriste një gjarpër vigan, me xhepa të verdhë në nënbarkëse dhe me xhepa të zinj në kurriz, me kokën shpatuke dhe të gjerë sa një shuplakë dore. Nuk ishte ai i djeshmi. Për këtë qe e sigurtë. Gjarpri nxirrte herë pas here jashtë gjuhën e kuqe flakë dhe sikur fishkëllente përmes dhëmbëve. Një bri i kthyer mbi kokë e bënte edhe më të tmerrshëm. Vajza ia dha vrapit teposhtë shkallëve e bindur se përbindëshi po e ndiqte. Doli fluturimthi nga porta e jashtme, duke përplasur portën metalike që lëshoi një rropamë  të tmerrshme aq sa e trembi për vdekje portierin që gjithnjë dremiste mbasditeve. Kur mbërrit në shtëpi, u përplas me të ëmën në sallon dhe e lëshuan këmbët.
“Qyqja, zemër, ç’ke ?!!” i tha e ëma e tmerruar kur pa fytyrën e çartur të së bijës. “Gjarpri!” tha ajo dhe u lëshua pa frymë në dysheme. E ëma e ngriti shpejt e shpejt, i lagu ballin me ujë, e shkundi nga krahët që të përmendej. Kur Loreta erdhi në vete, kqyri rreth e rrotull e frikësuar, shtrëngoi fort dorën e së ëmës dhe mbështeti kryet e drobitur në prehërin e gjysh Gjonit.
Ndërsa e ëma përziente një qetësues në një gotë, Loreta hapi sytë sërish dhe tha pa iu drejtuar askujt: “Nuk shkel më në vilë, nuk shkel më aty, ta di se vdes për bukë!”.  Gjysh Gjoni dhe Tringa përpiqeshin ta qetësonin, i thoshnin se ato fanitje i kishte nga lodhja. “Nga stresi”, shtonin duke huazuar fjalë nga emisionet televizive.
E shtrirë në divan, e kalamendur, me sy gjysmë të mbyllur, Loreta vazhdonte të ndiqte fragmente bisedash që bëheshin ndërmjet gjyshit të saj, gjeneralit dhe nënës, që shpërthente nëpërmjet lotëve: “Do të kemi probleme me këtë vajzë! Nuk di të ndajë realitetin nga fantazia” dhe gjeneralin që shtonte: “Punë e madhe; do t’u shesim bashkë lule greke këtyre horrave, do t’u shesim sa t´i dendim!”.
 
 

 



Shtrati i dytë i lumit


Ka do kohë që nuk dua ta ngrej më receptorin e telefonit. Mamaja erdhi mbrëmë shumë e shqetësuar tek unë, më këqyri me sytë e saj të vuajtur një copë herë, u mat të më kërkonte diçka që unë nuk e mora vesh, po sa herë bëhej gati të më fliste, fjalët e ngushtonin në fyt, gëlltitej, kryqëzonte duart mbi barkun e saj të shterrur dhe shqiptonte diçka krejt tjetër, ankohej se prizat e kuzhinës janë djegur ose thoshte se duhet të thërrasim hidraulikun se na është çarë një tub në banjo.
“Pashë një pllangë lagështire në murin e sallonit”, më tha. Asnjëherë nuk u bëmë mbarë në këtë shtëpi. Mamaja çdo ditë do të shpikë diçka të re: ose prishet dera e frigoriferit, ose digjen pllakat e sobës elektrike, ose çahet tubi i dushit, ose një virus ilegal futet në kompjuter nëpërmjet internetit, ose televizorit i ikën kujtesa e stacioneve dhe ne na ngatërrohen kanalet dhe figurat dyfishohen, trefishohen dhe ne shikojmë sekuencat e tre filmave njëkohësisht, një çift që puthet, burrin që prek me gishtrinjtë e zgjatur të dorës së djathtë seksin e femrës që përqafon, me hijen tjetër me kokë të lidhur, që qëllon me mitraloz dhe diçka tjetër të paqartë që mua më kujton filmin “Io ballo da sola”. Po mamaja këtë mbrëmje, nuk pati ardhur në studion time as për televizorin as për boljerin, as për shpinoren e divanit që ishte shtrembëruar, sikur ta kishte kapur një ngërç në kurriz.
Mamaja u kthye nga dritarja, po sytë i mbante të ulur, nuk po vështronte jashtë, ku diku në largësi feksnin dritat e autostradës.
“Sikur të blesh një telefon të ri”, tha mamaja.
Dera e studios qe hapur dhe unë pashë time shoqe, që kaloi nëpër sallon me hapa të shpejtë, sikur ngutej të hiqte tenxheren e gjellës nga soba. U shtriqa mbi shpinoren e karrikes rrotulluese, u ktheva nga mamaja dhe e këqyra drejt e në sy. Dy muaj më parë pata blerë në Vjenë aparatin e ri telefonik dhe nuk po kuptoja se përse mamasë i qe mbushur mendja të merrnim një tjetër, kur ai funksiononte për bukuri. “Ai telefon ndjell zi, tha mamaja, vetëm lajme të këqia na ka sjellë që kur e fute në shtëpi”. Kryqëzoi duart mbi gjoks, sikur e fshihte prej meje shterrjen e saj të pashmangshme, ngriti sytë nga tavani dhe tha një lutje për Zotin, i lëshoi sytë prapë poshtë dhe pëshpëriti me një zë të shuar: “Ka vdekur Mark Bigzeza. I shuemi, tha mamaja, vdiq e mbaroi”. Prapë ngriti sytë nga tavani dhe kërkoi mëshirë për të vdekurin. Iu lut Zotit ta ndjente për mëkatet, tha “I qoftë i lehtë dheu”. Fërkoi sytë sikur donte të zgjohej nga ankthi i asaj vdekjeje. Matanë, në dhomën e ndenjes njëra nga vajzat ia kishte ngritur zërin televizorit në kupë të qiellit. Këndonte Emminemi “Lose Yourself”-in e tij dhe ime bijë me siguri vallëzonte, duke ndjekur ritmin e shfrenuar të tingujve, që mua po më çirrnin veshët. “Ule atë dreq televizori se na çmendët”, i tha ime shoqe vajzës tonë të vogël pesëvjeçare.
Mamaja u lëshua në kolltuk, e kërrusur nga një dhimbje që unë nuk po e merrja vesh se nga vinte. Po në të njëjtën kohë më shfaqej para sysh fytyra e të vdekurit, ashtu siç e pata njohur unë qëkur isha fëmijë. Sytë e mëdhenj të vendosur larg njëri–tjetrit, të krijonin përshtypjen se Mark Bigzeza mund ta rrokte të gjithë botën me një vështrim të vetëm. Gjithmonë më merrte në shpinë të kalit, kur stërkatej si i krisur livadheve dhe unë kisha shumë frikë se do të na përmbyste të dyve e do të na thyente qafën. Kapesha me duart e mia të vogla pas krifës, ndërsa Marku me njërën dorë mbante frerin e lëshuar, kurse tjetrën ma lidhte mua rreth barkut që të mos i rrëshqisja nga prehëri. Dhe e tërhuzte kalin, që të fluturonte përmes livadheve aq sa të kthenin sytë e ta kundronin prej larg të gjitha gratë e katundit. “I shkreti Mark”, thashë me zë, pa iu drejtuar askujt.
“Ti e kishe mik, tha mamaja, të donte shumë. Ai gjithmonë thoshte se ti do të bëheshe i madh dhe se një ditë do ta bëje katundin tonë të njohur në të gjithë botën”.
Mamaja më tregoi edhe njëherë ëndrrën që pati parë Marku këtu e shumë vjet të shkuara kur unë isha shtatë vjeç. Më kishte parë duke zbritur nga kodra hipur mbi një gjog të bardhë arab, të veshur si mbret, me një përkrenare prej ari në kokë. Edhe rrobat i kisha të stolisura në ar, edhe pendët që kisha mbi përkrenare ishin prej ari. “Kjo ëndërr sjell fat”, thoshte Mark Bigzeza i shtruar për shtatë palë qejfe në mejhanen e vetme të katudit, me krye të rënduar nga pija. Askush në anët tona nuk është shfaqur ashtu, i ngrirë në ar”.
Mamaja e tregoi edhe njëherë ëndrrën, kurse unë ndjeja fuqinë e zisë që po më pushtonte. Mark Bigzeza gjithçka e kishte patur me shumicë; edhe zinë e kishte të bigëzuar në mbiemrin e tij, si një lumë dyshtratësh.
“Ti me siguri do të shkosh në varrimin e tij, tha mamaja. E kishe mik, nuk ke si të mos shkosh”. U ngrit nga kolltuku e doli nga studioja ime, duke tërhequr një hije të errët pas vetes.
Unë ndërkaq nuk gjendesha më në studion time. Po përpiqesha të vrapoja në rrugicat e fshatit si dikur, duke ngritur pluhur me shputat e këmbëve të zbathura. Kërcinjtë e këmbëve dhe gishtërinjtë e duarve i kisha gjithë vraga plagësh dhe gërvishtjesh, madje edhe lëkurën e barkut e kisha të çjerrë, duke iu ngjitur pas trungjeve të pemëve që në fshatin tonë kërkojnë të shkojnë sa më lart, sikur duan t’i mbajnë frutat e tyre larg njerëzve, ose ku ta dish, i lidhin ata vetëm për zotat. Isha i vetmi që ngjitesha edhe në pemët më të vështira që e kishin trungun të gjatë e të lëmuar si shtyllat e betonit të linjave elektrike. Babai më ndukte çdo mbrëmje flokët në tëmtha, duke më kërcënuar se do të më zhdepte në dru, po të merrte vesh se jam ngjitur herë tjetër nëpër pemë. Po ndërsa babai më kërcënonte dhe ishte nga ata burra që e mbanin fjalën, si për mirë ashtu edhe për keq, mua mendja me rrinte tek qershia e Tomit, në kodër, më e larta dhe më e vështira. Frutet e saj i hanin vetëm zogjtë dhe ne, kalamajve na mbetej vetëm ndonjë kokërr që u shpëtonte atyre nga sqepi. Atë paradite e kisha soditur me lakmi një copë herë, shikoja degët që kuqëlonin prej qershive të pjekura. Nuk dija qershi ta kishte kokrrën aq të madhe sa ajo. Tomi shtriqej në barin e butë poshtë saj, më tregonte histori për të shkuarën e tij të largët, thoshte se dikur kishte patur një mikneshë nja dy katunde më larg, që lëngëzonte kur e shtije në dorë, si ato qershi, që “unë plak dhe ti fëmijë, më thoshte, nuk i mbërrijmë dot”. E kisha vendosur që të ngjitesha në atë qershi të nesërmen, edhe pse e dija se po ta merrte vesh babai, kësaj radhe do ta pësoja keq. Këtë premtim ia pata bërë edhe Tomit, po ai më tha se gratë e bukura dhe pemët e larta të thyejnë qafën, se ato nuk janë krijuar për njeriun, po për shejtanin. “Ruaje veten, tha, mos u zgjo zilinë njerëzve se do të ta nxijnë jetën”.
Si në një film, më shfaqet vetja si një babuin duke u kacavjerrë nëpër degët e kurorës së lartë të qershisë, kapja kokrrat e mëdha e të lëngshme dhe i lëshoja një nga një poshtë në bar që t’i mblidhte Tomi.
“Thyeja degët, më thoshte, thyeja dhe hidhi poshtë. Mos u lodh t’i mbledhësh një nga një. Askush përveç zogjve nuk ka për t’u ngjitur më në atë qershi”.
Lëkura e barkut më digjte. Një gërvishtje e gjatë më fillonte poshtë sqetullës së majtë e përfundonte rrëzë kofshës së djathtë, rrëzat e kofshëve me digjnin nga fërkimi pas lëkurës së qershisë. Po degët nuk më shkonte mendja t’i thyeja, edhe pse e dija se aty nuk do të ngjitesha më kurrë.
E mbaj mend ditën kur vdiq Tomi. Dha shpirt mbasdite i rrethuar nga djemtë, e shoqja dhe shumë fshatarë të tjerë, që e lutnin pa pushim të fuste diçka në gojë. Siç më kanë treguar më vonë, ia prunë shpirtin në majë të hundës, duke e lutur të merrte diçka nga të gjitha ato pako me ushqime të zgjedhura që kishin gatuar amvisat e fshatit, për ditën e tij të fundit. “Po fut diçka në gojë, burr i dheut, një lugë mjaltë, i grimë peshk. Troftat i zuri për ty djali i Martinit, a e mban mend, Mateon?”
Tomi e kishte ngulur shikimin në tra dhe nuk përgjigjej. Këqyrte gjindjen e me siguri më kërkonte me sy midis asaj turme të bezdisshme të gjindjes, që s’po e linte rehat, po unë atë kohë, po zgjidhja në dërrasë të zezë një ushtrim algjebre që mësuesi ma kishte dhënë për dënim.
“Po s’i nuk po fut asgjë në gojë, Tom, a don ndonjë gjë tjetër?”
Atëherë Tomi, zëmërplasur nga prania e gjindjes që i lutej të fuste diçka në gojë, tha atë që donte e që i la pa frymë dhe i çakërdisi fshatarët:
“Dua pidh”, tha dhe e lëshoi zemra, sikur në atë fjalë mëkatare të na paskësh qenë përqëndruar tërë kuptimi dhe vuajtja e jetës së tij.
Fshatarët u tërhoqën të turpëruar, disa dolën kokëulur nga dhoma e tij e vdekjes, kurse djemtë dhe e shoqja, të tmerruar qëndronin të shtangur, duke mallkuar në heshtje të vdekurin: “Edhe ditën e mbrame na e more fytyrën. Shkofsh në Ferr!”, mallkuan.
Kur po kthehesha nga shkolla pashë tymin e zi që ngjitej nga oxhaku i lartë i shtëpisë së Tomit. Gjithmonë ai oxhak mbi kulmin e shtëpisë, më ishte dukur si një njeri i zi, që rrinte në këmbë, duke përgjuar me vrimat e tij të zeza rretherrotull gjindjen që kalonte nëpër urën që lidhte dy lagjet e fshatit. Dhe nxirrte tym, herë të dobët dhe të tejdukshëm, që humbiste duke bërë disa laradashe të pakuptimta në qiell, e herë të zi dhe të errët, që e ndante hisen e qiellit të fshatit në dy gjysma të barabarta. Atë pasdite tokës i kishte rënë një hije e keqe, e zymtë dhe zindjellëse, aq sa mua mu futën të ngjethura në trup. Oxhaku mbi shtëpinë e Tomës lëshonte shtëllunga tymi të errët, që krijonin ca figura të frikshme, ndërsa zhvendoseshin me ngadalë në qiellin e fshatit. Matanë kodrave, dielli ndriste pafuqishëm, duke i rrëshqitur rrezet me mundim shpateve, sikur po jepte shpirt në një humbëtirë të tejbotshme. I shpejtova hapat që të mbërrija sa më parë në shtëpi, i përndjekur nga një frikë e pashpjegueshme. Kur iu afrova portës së oborrit, pashë se në kopshtin ku ne mbanim kosheret e bletëve qe shtrirë Tomi, i veshur me një xhaketë të re ushtarake. Për koke mbante lidhur një shami të kuqe. Një bletë i qe ngjitur në kurriz dhe po çlodhej para se të ngrihej edhe njëherë e të gjente zgjoin e saj.
Hapa portën dhe u futa në shtëpi. Mamaja më përkëdheli kokën, më pyeti se si kisha dalë në shkollë, kërkoi diçka në një sirtar, u kthye prapë nga unë e më pyeti nëse doja diçka për të ngrënë. Tha me vete, sikur unë të mos isha fare aty: “Vdiq i marruar faqeziu”.
“Kush?”, pyeta unë.
“Tomi, kush tjetër,” tha mamaja e nxehur, sikur unë të kisha bërë ndonjë faj.
“Tomi ia ka këputur gjumit në kopshtin tonë të bletëve i thashë. Sapo e pashë.”
“Lëri dënglat, tha mamaja. Nuk bën të tallesh me të vdekurit.”
“Unë e pashë, këmbëngula. Kishte veshur një xhaketë të re ushtarake dhe një bletë i qe ulur në kurriz.”
“Çfarë Tomi, tha mamaja. Tomi ka dy orë që ka vdekur. Dhe vdiq për faqe të zezë.”
U bëra gati të dilja e të shikoja Tomin që po flinte në kopshtin tonë të bletëve, por s’ma mbajti. Mamaja më tmerroi me zërin e saj të ashpër.
Po Tomin unë e pashë, për këtë jam i sigurtë, të shtrirë në kopshtin e bletëve, të veshur me xhaketë ushtarake, zbathur, që të mos i djersinin shputat e këmbëve (mbaj mend se këpucët i kishte lënë njëra mbi tjetrën te deriçka e kopshtit) dhe bletën që prehej në kurriz të tij, duke marrë rrezet e fundit të diellit të asaj dite… .
Kur pashë trupin e të ndjerit, të veshur me kostum të zi, shtrirë mbi një tabut të freskët, u binda se vdekja nuk ishte e vërtetë. E krahasova trupin e të ndjerit me lëkurën e vjetër që gjarpërinjtë lënë në pranverë të kacavjerrë në degët e shkurreve. Tomi me siguri, pasi ka lënë këtu këtë lëkurë të vjetër, mbi të cilën askush nuk qan, tallet me ne duke na vështruar nga një qoshe e fshehtë.
Edhe Tomi, pas shumë rropatjeve në këtë jetë, më së fundmi e kishte çkyçur atë portë misterioze që i ndan të vdekurit prej të gjallëve. Po në të vërtetë, çfarë qëndronte pas asaj porte? Ata që arrinin ta çkyçnin këtë portë dhe futeshin në botën tjetër, ishin aq zemërkëqinj, sa asnjëherë nuk vinin të na tregonin se çfarë misteri fshihej pas asaj porte, po na linin të vuanim e të vrisnim mendjen duke bërë njëmijë hamendje, pa e gjetur kund fillin. Vetëm mendoja se në atë botë të gjithë vishnin rroba të reja.
Papritmas e mblodha veten, kërkova në tryezë paketën e cigareve, po nuk po gjeja kund shkrepsen. Vdekja e Mark Bigzezës më pati tronditur thellë, më thellë nga të gjithë pleqtë që kishin vdekur gjatë gjithë këtyre viteve që unë jetoja larg fshatit. Tomi, Vuksani, Nikolla, Martini, Gjergji, Pjetri, Pali, Kola, Hila, Zefi, Deda, Prela, o Zot, sa shumë kishin vdekur dhe unë i kisha përcjellë një nga një, duke lëshuar nga një grusht dheu të zi mbi dërrasën e freskët të arkivolit. Mark Bigzeza ishte plaku i fundit i katundit, i fundit që unë mbaja mend nga ata pleq të fshatit, që më përcollën deri te stacioni i autobusit, kur u largova përgjithmonë nga fshati në moshën trembëdhjetë vjeçare.
“Kam mbetur pa vendlindje”, thashë i pikëlluar me vete, duke kërkuar i hutuar në grumbullin e librave dhe shkresave të lëna rrëmujë në tryezë, sikur aty të gjendej ndonjë udhërrëfyes, që do të më shpinte në kohët e dikurshme.
Me një ngutje të padurueshme qenë ndarë nga kjo botë të gjithë ata burra të hershëm që e patën mbushur fëmijërinë time plot me histori dhe më patën mësuar se sa barrë e vështirë është në këtë jetë të lindësh burrë i njëmendët, ashtu siç pandehnin ata se kisha lindur unë, që ia kisha këputur kokën gjyshit tim të njohur.
Kur po ngjitesha në autobus, ata më porositën që të jetoja edhe për ta. “Jeto edhe për ne”, më thanë, se ky katundi ynë është i nëmur qysh prej krijimit. Mark Bigzeza, mu afrua ngadalë, ma shtrëngoi kryet pas gjoksit, aq sa mua mu futën në gojë qimet e ashpra dhe të thinjura të gjoksit të tij dhe pa më pyetur më futi në xhepin e pantallonave një shuk parash.
“Udhë të mbarë, më tha, më këqyri edhe njëherë sikur po përcillte për larg birin e tij, ktheu kryet mënjanë që të fshihte lotët prej meje dhe shtoi: Na e ke borxh nga një grusht dhè, na e ke borxh se të kemi dashur shumë”.
Unë atëherë as që mendoja për botën e përtejme dhe habitesha se si burrat në fshatin tonë mendonin aq shumë për vdekjen, flisnin për të si për një mikeshë të vjetër, me dhembshuri dhe ndruajtje, sikur trembeshin se mos e lëndonin.
Autobusi u nis me uturimë, duke vënë me mundim në lëvizje pistonat e vjetër të dieselit të tij. Unë ndjehesha krejt bosh dhe i trembur për vdekje. Aty, në fshat, ndjehesha i sigurt, kurse atje ku do të shkoja nuk e dija se çfarë më priste, nuk e dija a do t’ia dilja mbanë të mbaroja shkollën, të bëhesha i rëndësishëm, si ata burrat që shikoja mbrëmjeve në televizion gjatë rubrikës televizive të lajmeve.
“Vdiq e mbaroi”, shqiptova instinktivisht fjalët e mamasë, duke sjellë ndërmend edhe njëherë Mark Bigzezën. U ngrita nga karrikja rrotulluese dhe iu afrova dritares. Atje në thellësi dëgjoheshin të qeshura, nga Pub-i “Pantera e Zezë” vinin tinguj të çakorduar, ritme të shthurura të përziera me të qeshura, klithma, zëra të dehur njerëzorë. U përpoqa të shikoj këndet e errët, malin e fundosur në terr atje përballë. Prisja të më shfaqej nga ajo errësirë fytyra eshtake e Mark Bigzezës, prisja të dëgjoja të qeshurën e tij shkundëse, sikur shkulte vendit themelet dhe rrënjët e pemëve, u mundova të shquaj zërin e tij midis atyre zërave të përçartë, po ai tashmë ishte i humbur përgjithnjë dhe priste vetëm një grusht të ftohtë dhèu mbi dërrasën e freskët të arkivolit, i vetmi mesazh besnikërie që unë mund t’i dërgoja në këtë gjendje.
Aty për aty më erdhi në mendje Lena, e shoqja e Markut. Tani me siguri rrinte te kryet e të ndjerit, me fytyrën të mbuluar me një shami të zezë, të madhe si ferexhetë që mbajnë gratë arabe ose zonjat e vjetra të qytetit në lagjen muslimane. Qante të shoqin ose ku ta dish, lutej që i Lumnueshmi t’i falte mëkatet e shumta, ngaqë Mark Bigeza nuk qe rrëfyer kurrë në kishë. Gratë e tjera të fshatit hyjnë e dalin nga dhoma e të vdekurit. Shara, nëse është ende gjallë, thotë ndonjë histori me të vdekurit që ngrihen nga varri e enden rrugëve shtatë ditë e shtatë netë, duke i shkelur për së vdekuri të gjitha ato rrugë e vende që i patën shkelur për së gjalli. “Ditën e shtatë, thotë Shara, të vdekurin e marrin engjëjt, nëse e ka rrugën të çelur për në Parajsë ose djajtë, nëse në këtë jetën tonë të rrejshme, nuk i ka lënë dy gurë bashkë”.
Mamaja u fut prapë në dhomën time, tha diçka për jetën e përtejme dhe më pyeti nëse do të nisesha të nesërmen në mëngjes herët me makinë apo do të prisja të merrja linjën e trenit të shpejtë. “Do të nisem tashti”, i thashë. Desha të shtoj se nata është më e përshtatshme për një udhëtim zije, por nuk munda.
“Nuk po shkon për shëtitje”, tha mamaja e pakënaqur. Ngriti nga dyshemeja një këmishë timen që e kisha hedhur pa e vrarë mendjen lëmsh në mes të dhomës, tha se këpucët mi kishte lustruar, kostumin e zisë ma kishte pastruar dhe fshirë dhe se e kisha gati në garderobë.
Dy orë më vonë gjendesha në mesin e autostradës së shkretë në atë pasmesnatë të shurdhët. Rrëzë kodrave atje tej ndriçonin dritat e qytezave dhe fshatrave të ngjeshur pas njëri-tjetrit, kurse rruga drejt veriut ngjante e errët dhe e braktisur, sikur pas vdekjes së Mark Bigzezës, të mos kishte mbetur më frymë njeriu në ato anë. E dija se do të arrija atje në mëngjes, se njerëzia do ta zgjatnin kokën për të parë se kush na paska ardhur në fshat kaq herët, se te mejhania e fshatit, që tashmë është shndërruar në restorant dhe bar modern ndonjë nga djemtë haramë, që se mban shtëpia brenda do të më ftojë për kafe, edhe pse unë për të do të jem thjeshtë një i panjohur që vjen nga larg. Fshati ka ndryshuar shumë gjatë gjithë këtyre viteve, sa unë pothuajse nuk e njoh më, po vetëm kureshtja për të huajin ka mbetur po ajo e dikurshmja.
E shtova shpejtësinë në autostradën e zbrazët, i trembur nga ngutja e akrepave të orës dhe prapë më doli para syve Lena, e veshur krejt me të zeza me sy të enjtur nga lotët e derdhur për të shoqin.
Marku thoshte gjithmonë se nuk ka grua si Lena Bigzeza. Një natë të flesh me të e ta heq mallin e gruas për shtatë vjet. Unë skuqesha deri te veshët kur Marku më fliste për punët e grave, ulja kokën dhe gjuha më lidhej në fyt. “U bëre burrë, më thoshte Marku, kur ende nuk i kisha mbushur trembëdhjetë vjeçët. Zoti e krijoi gruan për të kënaqur burrin, djalli e zhveshi gruan dhe shpiku martesën që t’i hakmerrej burrit. Satanai nuk e duronte vetminë e tij dhe çmendej nga zilia kur e shihte burrin të shoqëruar nga gruaja e tij. Ai e shpiku martesën, ai djalli koqelëshuar, që i tërheq hallatet zhag kur endet rrugëve të fshatit”.
Unë ktheja kokën në anën tjetër, përpiqesha që të mos e dëgjoja, po ai e ngrinte zërin, këmbëngulte të më bënte burrë.
“Po pate turp me femrat more fund, thoshte. Gratë i duan burrat e pacipë, i tallin ata që u skuqet faqja kur duan t’u thonë një fjalë”. Fliste i sigurtë në vete, sikur këto të vërteta vetëm ai i dinte, fërkonte qafën e trashë, duke i ngulur bulat e gishtërinjve në mish, zgurdullonte sytë dhe aty për aty më kthehej, gati me inat: “Gratë veç te zdërveku i burrit e kanë mendjen”.
Unë isha mbledhur sa një grusht, dridhesha dhe më vinte për të vjellë nga fjalët e ndyra, që Marku i përdorte me shumicë, pa iu dridhur qërpiku. Njëherë kisha parë një grua të zhveshur, të gurët e zinj, një verë më përpara. Po lahej në piskun e vapës, kur gjindja ishin mbyllur nëpër shtëpi e po bënin pushimin e drekës. Pellgu, që përroi krijonte midis tre gurëve të mëdhenj që mbështetin kokën te njëri - tjetri, ishte i errët dhe i fshehur. Aty gjatë verës mblidheshin peshqit më të mëdhenj të lumit dhe unë shkoja shpesh për të peshkuar ose thjeshtë për të soditur peshqit në kullosën e tyre. Fshihesha mbrapa gurit, zgjasja kokën dhe sodisja për orë të tëra pellgun, duke ndjekur me sy lëvizjet e peshqve, ndjekjen e gaforreve fatkeqe, kapjen në befasi të fluturave të ujit ose luftën e troftave me njëra - tjetrën në kërkim të gjahut.
Atë drekë, pata ikur fshehurazi nga shtëpia dhe shkova si zakonisht te gurët e zinj që të sodisja pellgun. Kur u afrova dëgjova llokoçitje në ujë. Zgjata kokën dhe pashë gruan cullak. Fytyrën nuk ia shikoja, po gjoksin e varur dhe atë gjënë e errët midis këmbëve ia dalloja qartë. Në dorën e djathtë ajo mbante një makinë rroje si të babait, kurse me të majtën, po e fërkonte me sapun leshin e errët aq sa e mbuloi krejt me shkumë të bardhë. Po rruante qimet e gjata dhe të errëta, duke zbuluar një bardhësi marramendëse. Shtëllungat e vogla të leshit notonin mbi ujin e pellgut. Valëzimi i ngadaltë i ujit i shtynte ato drejt meje.
U tmerrova dhe ia dhashë vrapit, duke shkaktuar pas vetes një zhurmë të llahtarshme.
Askujt nuk ia tregova atë që kisha parë te gurët e zinj, po pas disa ditësh pashë një ëndërr të tmerrshme: disa burra të veshur krejt me të zeza më kishin lidhur këmbësh e duarsh pas trungut të blirit në oborr të shkollës dhe beqaresha e fshatit, Kaçuta, po më zbërthente kopsat e pantallonave. Donin të më turpëronin në sy të të gjithë shkollës. Vajzat nxirrnin gjuhën, kurse djemtë zgërdhiheshin në mënyrë të paturpshme. Kur më doli gjumi e kisha trupin të mbuluar me djersë. Atë natë e gdhiva pa gjumë, duke menduar se mëkati më i rëndë në këtë jetë është të përgjosh një grua të zhveshur.
Nga ky ankth më shkundi po atë ditë Mark Bigzeza. Më mori mes krahëve më ngriti përpjetë drejt qiellit, më hodhi lart e më priti me duart e tij të fuqishme, tha se kur të rritesha do të bëhesha një burrë tërheqës që do t`i çmendja gratë e katundeve rreth e rrotull. Papritmas ai më uli në tokë, nxori një paketë cigaresh nga xhepi, ndezi një cigare dhe u tret në mendime. “Kush i lakmon kësaj jete, s’din gja”, tha, duke e ngulur vështrimin mbi duart e tij të mëdha. Dhe sikur të fliste me veten shtoi: “Po unë as asaj jetës tjetër nuk i lakmoj”.
Papritmas u kthye nga unë, më këqyri drejt e në sy. “A të pëlqejnë vajzat?”
Unë u skuqa dhe nuk i ktheva përgjigje. “Nuk është turp të të pëlqejnë vajzat”, iu përgjigj po vetë pyetjes së tij. “Në këtë jetë duhet t’i shpenzosh të gjitha fuqitë, trupin, zemrën, shpirtin, mendjen, të gjitha. Të thonë si të donë, po Mark Bigzeza nuk i ka lënë gjë mangut kësaj jete. Dhe gratë ma kanë mbajtur gjallë këtë shpirt…”.
Kisha dëgjuar si nëpër mjegull se Mark Bigzeza e tradhtonte gruan, se madje këtë e dinte edhe e shoqja Lena, po ajo nuk e jepte veten. “Nderin gjithkush e ka për vete”, u pati thënë ajo grave të fshatit, duke ua prerë fjalën shkurt, sikur të mos bëhej fjalë për të shoqin, po për një të panjohur të largët.
“Kush nuk i do gratë ka shpirt të keq”, tha Mark Bigzeza, duke flakur tutje bishtin e cigares. U ngrit dhe iku me vrull, sikur të ishte vonuar për një takim dashurie, kurse mua më la në udhëkryq, pa ditur se nga duhej t’ia mbaja.
Sapo kishte zbardhur dita e re, kur mbërrita në hyrje të fshatit. Frenova makinën mbi urë, zbrita dhe, duke u mbështetur për parmak, ia ngula sytë lumit. Një erë e lehtë frynte nga jugu, duke më prekur pandjeshëm në fytyrë dhe në flokë. Matanë lumit qenë ndërtuar shumë shtëpi të reja, të larta, që ngjanin me një bllok vilash të fshehura në mes të gjelbërimit. Matanë, në vend të mejhanes së vjetër, ngrihej një motel trekatësh i ndërtuar me një arkitekturë tipike alpine, i ngjashëm me motelet luksozë që jemi mësuar të shikojmë në Alpet e Zvicrës apo të Austrisë. Një grua e re po endej midis tryezave që ishin shpërndarë në oborrin e motelit të mbushur me lule shumëngjyrëshe. Të pi një kafe njëherë pas këtij udhëtimi të gjatë, thashë me vete, pastaj shkoj nga shtëpia e të ndjerit.
U futa pas pak në lokalin e zbrazët që gruaja e re sapo e kishte pastruar. Zura një tavolinë në qoshe dhe prita të vinte ndonjë kamarier që të më shërbente. Pas një farë kohe doli prapë gruaja e re, më përshëndeti plot mirësjellje në dialektin vendas, që unë po e dëgjoja me aq mallëngjim mbas kaq vitesh dhe më ftoi të futesha brenda, se jashtë tha ajo bën shumë fresk mëngjeseve e mund të marrësh ndonjë të ftohur pa e kuptuar.
Iu binda zërit urdhërues të saj, e ndoqa mbrapa, u futa në një bar të vogël, ku ishin vendosur disa kolltuqe të shtrenjtë dhe disa tavolina të vogla, si ato që zakonisht mbajmë në dhomat e pritjes. Gruaja, pasi më pyeti se çfarë dëshiroja, tha se i shoqi ende nuk ishte zgjuar, se lodhej e këputej gjatë gjithë ditës dhe se në këtë vend të mallkuar ende nuk i kishin nxjerrë lekët që kishin shpenzuar për ndërtimin e këtij moteli, pasi këtu vizitorët janë të rrallë, kurse vendasit pijnë vetëm kafe dhe pije të lira.
Ajo bëri shpejt e shpejt dy kafe, solli një shishe me ujë sipas porosisë time, dhe mori një shishe me uiski e mbushi dy gota, një për mua dhe një për vete. I bëra shenjë se nuk doja të pija kaq herët po ajo kundërshtoi:
“Në anët tona, tha, kafja nuk pihet thatë.”
U rehatua në kolltuk përballë meje, tha se po të doja unë ajo mund të zgjonte të shoqin që flinte ende, dhe si për të shtyrë bisedën, që papritmas u gjend në fundin e saj, më pyeti se ç`e mirë më kishte sjellë në këto anë.
I thashë se jam nga këto anë dhe se kam ardhur të marr pjesë në varrimin e Mark Bigzezës. Gruaja e re zgurdulloi sytë e tmerruar, u tërhoq mbrapa në kolltukun e saj, më këqyri e çakërdisur dhe tha:
“Mark Bigzeza ka shtatë vjet që ka vdekur?!”
Unë shtanga. Gruaja e re po më këqyrte me vëmendje, papritmas u çel në fytyrë, tha se unë duhej të isha Antoni, ai fëmija i prapë që e braktisi fshatin trembëdhjetë vjeç dhe që thonë se është bërë i madh e merret me qeveritë e botës. Gruaja aty për aty ia krisi të qeshurit. “Ah more Anton, tha, sa u pëpoqëm të të merrnim në telefon atëherë, se Mark Bigzeza e la me amanet të të njoftonim. Gjithë fshati u përpoq, po linjat atë ditë nuk punonin…”.
Gruaja mori një cigare nga paketa ime dhe e ndezi. Dukej se e ndizte shumë rrallë se thithja e cigares i shtrembëroi fytyrën dhe i shkaktoi një të kollitur të lëngshme. “O Zot, tha, shtatë vjet qenka endur nëpër botë ajo telefonatë që të mbërrijë tek ti.”
“Po e shoqja pyeta unë, Lena, a është gjallë?”
“Edhe ajo ka vdekur, tha gruaja e re. U bënë dhjetë vjetë a më shumë.”
Mora shishen e uiskit, mbusha një got plot dhe e ktheva me fund që të merrja veten. Gruaja e re tha se në fshat tashmë të gjithë ishin të rinj e se, pas vdekjes së Mark Bigzezës, gjindja në këtë fshat nuk plakeshin më. Gruaja u ngrit, e afroi kolltukun e saj afër meje dhe duke u ulur më përshpëriti në vesh: “Po të rrish me ne, brenda javës do të bëhesh dhjetë vjet më i ri”.
Dikush u fut në barin e vogël dhe qëndroi në anën tjetër kundruall nesh. Gruaja e re i bëri shenjë të priste.
“Do të shkojmë bashkë në varreza, që të vendosësh një tufë lule të freskëta në varrin e Mark Bigëzezës”, tha gruaja e re.
“Dhe një grusht dhè të zi” shtova unë, krejtësisht i humbur, pa mundur ta marr dot veten pas atij udhëtimi të gjatë, rraskapitës.
 


Gruaja me të zeza

Imgjysh po më tregonte, ndoshta për të njëqindtën herë, se si erdhi i pari ynë në këtë fshat para dyqind vjetësh e që tash mban emrin e tij, kur te porta e madhe e oborrit u shfaq fqinja jonë Dilana, që mua mu duk se po vazhdonte të fliste me vete.
“Ah, kjo dreq, sa shumë fjalë ka”, u ankua gjyshi dhe shkoi gishtërinjtë e tij të gjatë nëpër flokët e thinjur, duke zbuluar ballin e lartë dhe tërheqës, edhe pse i kish kaluar të gjashtëdhjetat.
Dielli i pasdites qe ulur mbi kodër dhe një rreze që rrëshqiste pjerrtas nëpërmjet gjetheve të drurëve të mëdhenj që rrethonin shtëpinë tonë ra mbi fytyrën e gjyshit, duke e ndriçuar atë si ajo rrezja e vetmuar që vjen nëpër errësirën e kinemasë dhe ndriçon figurat në bezen e bardhë. Gjyshi u ngrit, mblodhi gazetat dhe librat që mbanim në tryezën që gjendej në oborr e ku kalonim mbasditet duke biseduar ose lexuar, sa herë koha ishte e mirë dhe e ngrohtë, pra deri nga fundi i tetorit. Kur u fut në oborr, Dilana i bëri shenjë gjyshit që të mos luante, tha diçka për kohën që pritej të prishej dhe diçka tjetër që unë nuk e mora vesh. Para se gjyshi të thoshte një fjalë, ajo shtoi se i pëlqente të rrinim këtu jashtë se brenda i zihej fryma. Ajo tha se kjo verë e zgjatur deri në tetor, nuk po ia bënte qejfin se kushedi pastaj se çfarë rrebeshesh do të vinin nga Podgorica, se kur po vinte te ne, kishte vërejtur qiellin dhe i qe dukur i shpëlarë e disi i çartur, jo si dikur.
“Qielli nuk është më si tridhjetë vjet më parë, Koko”, tha Dilana, më mori mua mes krahëve dhe më përqafoi, më puthi fort në faqe, duke mi ngjitur buzët pas lëkurës e që mua më shkaktuan një ndjesi jo si herët e tjera: mu dukën më të ngrohta dhe më të lagështa. Me gishtërinjtë e dorës së djathtë kërkoi të më prekte seksin e strukur nën pantallona, po unë ia shtyva dorën me forcë, pothuajse i trembur nga ky zakon i saj i keq.
“I doli lezeti dreqit, tha. U rrit.”
Unë tërhoqa çantën time të librave nga tryeza e drunjtë dhe u bëra gati të largohesha. Nuk e duroja Dilanën edhe pse ishte e pastër e vishej mirë, krihej e çkrihej e mbërthehej me kopsa se fliste shumë fjalë të pista që bënin të më skuqeshin veshët, kurse gjyshi, edhe pse nuk përdorte kurrë fjalë të tilla, argëtohej me fjalët e saj, shkrihej së qeshuri, i shkëlqenin ata sytë e mëdhenj e të zinj, kurse në buzë i varej një tallje e lehtë, e patëkeq, që unë nuk e kuptoja se me kë e kishte: me Dilanën që llapaçiste mbarë e prapë apo me mua, që skuqesha e turpërohesha prej marrëzive të saj që nuk kishin të sosur. Më dukej se te kjo krijesë e vjetëruar qenë mbledhur gjithë të zezat. Fjalët e ndyra, ëndrrat e këqia, historitë e shumta dhe të pakuptimta që të linin në kllapi, sidomos kur zbulonin të fshehtat e grave.
Ajo shfaqej te porta e madhe, atëherë kur nuk e prisje, ndalej një çast te pragu, shkundej e ngrinte kryet lart, sikur gëlltiste diçka që mbllaçiste në gojë dhe këpuste ndonjë fjalë që mua më linte pa mend e më frikësonte, më bënte të mbyllesha në vete.
Tjetërkujt në katund nuk ia shkelte derën. Gjithmonë thoshte: “Çfarë burrash janë këta, i lag shiu kot!” Qëkur dy djemtë e saj gjetën punë në qytet dhe ajo mbeti vetëm me të shoqin në fshat, hynte e dilte nga tre-katër herë në ditë në shtëpinë tonë, gjithnjë i thoshte nënës që të mos pështjellohej e të merrej me punët dhe shtrohej në bisedë me gjyshin, sikur të mos ishin parë prej kushedi sa vitesh. Fliste shumë e papushim, gjithmonë sillte një lajm të ri, të mirë a të keq, tregonte ndonjë ngjarje të sapondodhur dhe e peshonte me gjyshin, sikur ata dy të vendosnin për secilën ngjarje fundin e përcaktuar.
Dilana merrte e jepte me duar, zgjaste kokën përpara e mprehte sytë shkëndijues, i thoshte gjyshit se Marlekët na qenkëshin një racë robi e mbaruar se edhe me ndrikullat e veta na paskëshin pasë punë. Ose ndodhte që i lëshonte krahët poshtë, ngrinte sytë lart, lëshonte një psherëtimë të thellë, aq sa më dukej se i këputej fryma, shqiptonte diçka të turbullt për të ritë e saj dhe fliste si me vete: “Kush i lakmon kësaj jete është shtazë”.
“Po edhe asaj jetës tjetër s´po ia gjejmë fillin”, i thoshte gjyshi përhumbshëm e dyshues, edhe pse mbante kryq në qafë e lutej të kremteve.
Imgjysh fliste shtruar, rrjedhshëm, po fjalët e tij më rëndonin e më ngjallnin trishtim. Po më shpëtonte gjithnjë Dilana që ia priste gjyshit fjalën në mes, i kujtohej ndonjë histori e shkuar ose i kërcente në mendje ndonjë dalldi, kukurisej e llapaçiste për dy fyçkat e saj, nuset e djemve që s´merrnin erë nga kjo jetë. Kur merrte zjarr, goja nuk dinte t´i ndalej, i përfliste të gjitha të fshehtat e fshatit derë për derë, dinte huqet dhe tekat e grave në shtrat, madje njëherë po i thoshte gjyshit se nusja e Shados na paskësh ardhur me atë leshin të parruar, për faqe të zezë.
Imgjysh e dëgjonte me një të qeshur të ngujuar në sy, që unë nuk e kuptoja.
“Veç ti ke mbetë në këtë anë o Kokë, tjerët janë mo’Zo ma keq. Shkuan në atë anë”, thoshte dhe ia ngulte sytë paturpësisht gjyshit.
Nuk e dija se kush e pati thirrur për herë të parë gjyshin tim me emrin Kokë, ndoshta ndonjë stërgjysh që nuk rronte më, po atë në fshat të gjithë e thërrisnin Kokë dhe rrallëkush ia shqiptonte emrin e vërtetë Andrea.
Gjyshi bëhej në qejf kur vinte Dilana, i thërriste nënës që t’u bënte nga një kafe dhe ndonjëherë, kur ishte shumë në qejf mbushte edhe gotat me verë. E dija se atëherë biseda do të zgjaste, shihja sytë e gjyshit që shkëlqenin, lëvizjet që i gjallëroheshin, duart që nuk i zinin vend dhe bëhesha gati të shkoja në dhomën time e të merresha me mësimet. Në përgjithësi imgjysh me Dilanën nuk ruheshin prej meje, flisnin ç’t’iu vinte për mbarë sikur unë të mos isha aty, po edhe kur largohesha nuk e ndjenin mungesën time, edhe pse gjyshi, sapo Dilana kthehej në shtëpi të saj më përsëriste: “Sa shumë fjalë ka kjo grua”.
Dilana po më dukej ndryshe nga herët e tjera, sikur nuk po e mbante vendi, merrte e jepte me gjyshin, kur papritmas ia këputi:
“Më ka tradhtuar burri!”
Imgjysh qeshi më zë të lartë, siç nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë. Qeshi shumë, e pastaj e zuri një kollë e zgjatur, po prapë, kur iu qetësua kolla, vazhdoi me të qeshurën e tij tashmë të shtruar dhe të ëmbël, e cila të mbetej në vesh për një kohë të gjatë. Unë pashë se edhe Dilana po qeshte, madje mu duk se ndjehej e lumtur nga kjo tradhti. Nuk po kuptoja se çfarë po ndodhte midis atyre të dyve, pse po qeshnin aq shumë kur të paktën Dilana duhej t’ia plaste të qarit. Më erdhi keq për fqinjin tonë, Lucën, edhe pse nuk e doja se më ndiqte me një zdap kur ngjitesha në kumbullat e tij që ishin më të mirat në fshat, më kërcënonte se do të më lëshonte qenin e zi veshcuran, që do të më shqyente katërqind copash. Imgjysh me Dilanën mu duk se po e tallnin, kurse unë e dija, nuk e kishte zemrën e keqe.
“Hë o Kokë, ç’i thonë kësaj të tradhtojë burri pas katërdhjetë vjetësh martesë? Kësaj ç’i thonë?”, vazhdonte me të sajat Dilana. Sytë i shkëlqenin fort, kurse gjyshi, kur u qetësua, i tha se po dërdëlliste kot se nuk i besonte, se Luca tërë jetën e tij më shumë ka shikuar lopët se sa gratë.
E mora inat tim gjysh dhe u bëra gati të shkoja në dhomën time e të merresha me mësimet. Po Dilana më tha të lija çantën aty e t’i sillja një gotë ujë të ftohtë se po i thahej fyti. “Dhe i thuaj nënës të na bëjë dy kafe”, tha gjyshi që e thërriste time ‘më njësoj si unë “Nënë”.
Kur u ktheva me gotën e ujit, Dilana po tregonte historinë e të shoqit. Ajo po thoshte se ia tregoi vetë, sapo hyri në shtëpi. “Ishte bërë si gjynah, qyqari”, vazhdonte Dilana gjithë afsh. Piu deri në gjysmë gotën e ujit që i solla unë, vendosi gotën me kujdes në tryezën e vjetër, duke u kujdesur që të mos i rrëzohej në plasat e zgjeruara të dërrasave, dhe tregoi historinë, pa i shtuar e pa i hequr asgjë, ashtu siç i ishte rrëfyer asaj nga i shoqi.
Imgjysh e dëgjonte moskokëçarës, duke thithur llullën e tij, ndërsa mua çdo fjalë e saj më ngulitej në tru, aq e jashtëzakonshme dhe tërheqëse më dukej e gjithë historia. E ndjeva se isha skuqur. Zemra më rrihte fort, trupi më dridhej si i pushtuar nga ethet.
Ky Luca na paskësh shkuar atë paradite në shtëpinë e Dragës se i pihej një kafe, po burrat e shtëpisë nuk na qenkëshin gjendur aty. Ata na paskëshin pasë shkuar të thurnin një megjë në anën tjetër të lumit, ndërsa Draga, na e paskësh pritur me gjithë të mirat, me kafe e me pije e madje, na i paskësh afruar edhe një tryezë të vogël përpara ku kishin lënë gotat e pijeve dhe kafet. Dhe i qe ulur ngjitur në minder dhe po pinin kafe si njerëz, kur ajo na paskësh hapur këmbët dhe e kishte tërhequr Lucën mbi vete.
“As brekë nuk kishte veshur, kuçka”, i kishte treguar më vonë së shoqes, Luca.
“Zoti më mori mendjen dhe u ndyva”, i kishte thënë ai së shoqes dhe një kokërr loti i kishte zbritur faqeve, aq shumë ishte penduar. Zemërplastë qe lëshuar në karrike e me zë të mbytur, i ishte lutur të shoqes që t’i bënte gati dushin. Donte të pastrohej prej aromës së saj të shpifur, të fshinte mbetjet e puthjeve dhe lëngjeve të saj nga trupi.
“Burrat nuk qajnë kurrë”, ia kishte pritur Dilana duke i dhënë zemër. Gjuha e Dilanës është djegëse, helmuese, si gjuha e nëpërkës. “Mbaje të dashur e mos çaj kryet. Kur të shkoj në pazar do të të blej dhurata për të dashurën tënde. Edhe brekë të reja për të do të të sjell nga qyteti. Mbaje dhe gëzoje se një e dashur në këtë moshë që ke, të gjallnon, të bën burrë”. Luca i qe betuar së shoqes se nuk do t’ia shkelte më kurrë pragun e derës asaj bishtpërdredhure dhe kurrë më nuk do t’ia shihte sytë. Dhe ashtu bëri në ata gjashtë muaj aq sa jetoi, se pas asaj dite u lig e mbaroi, sikur ajo grua e çthurur të na i paskësh ngjitur ndonjë dergjë të pashërueshme.
Imgjysh që e dëgjoi historinë njësoj si unë, ndjehej i kënaqur dhe fliste me të qeshur.
“Epo u bë burrë edhe Luca!”, thoshte, po sikur fliste me vete e jo me Dilanën.
Kur Dilana u ngrit e shkoi, gjyshi shqiptoi frazën e tij të zakonshme: “O Zot sa e marrë është kjo grua. Të lodh kryet”. Unë dyshoja në fjalët e gjyshit, e dija se ai nuk thoshte të vërtetën se njëherë pata dëgjuar Nikun, mikun e vjetër të tij, që i thoshte me të qeshur: “Nuk hoqe dorë nga gratë edhe tash që po bëhesh gati të shkosh me të shumtët”. Dhe tim gjysh që i përgjigjej: “Të mbeti pidhi në gojë!”.
U ngjita në dhomën time, po nuk mund të lexoja mësimet e lëna përgjysmë. Mendjen e kisha te historia e Lucës me Dragën, e shikoja ngjarjen si në film, i ndihmuar edhe nga imagjinata ime e papërmbajtshme. Prisja që të nesërmen fjala të merrte dhenë, po as kur shkova në shkollë, dhe as kur u ktheva në shtëpi, kurrkush nuk e përmendi më këtë histori. Unë mora librin e leximit të klasë së shtatë, dola nga shtëpia, se më duhej të mësoja përmendësh një vjershë për flamurin. Gjyshi, si zakonisht ishte ulur në një karrike, pranë tryezës së vjetër në oborr dhe po lexonte gazetën që sapo e kishte sjellë postieri.
Te ne në fshat, gazetat e ditës, vinin zakonisht pasdite dhe gjithmonë imgjysh në mbasditet e vona lexonte gazetat, që i fillonte nga faqet e fundit, andej nga botoheshin lajmet e botës. Kur më pa që po dilja, më pyeti se ku po shkoja. I thashë se po dilja nga lumi të mësoja përmendësh një vjershë për flamurin. Atje mund të përpëlitesha, të lexoja me zë e të recitoja sa të doja, se zakonisht pasditeve nuk kish frymë njeriu rrotull. Sapo kalova portën pashë Dilanën që po vinte te shtëpia jonë dhe iu shmanga që të mos e takoja. Doja ta hiqja nga mendja historinë e Lucës me atë gruan e përdalë, po mendja më rrinte po aty. U betova me vete se kur të rritesha e të martohesha, kurrë nuk do ta tradhtoja gruan time dhe vazhdova rrugën që të mësoja vjershën për flamurin. Sapo iu afrova bregut të lumit, dëgjova zërin e dikujt që fliste. Pashë se nën arrën e vjetër buzë ujit, ishte Luca me tre lopët e tij, Murrën, Larukën dhe Shegën që po kullosnin duke përfshirë me gjuhën e gjatë e të lagësht barin e paktë të mbirë midis zallishtes. Të gjithë në fshat e dinin se Luca fliste me lopët e tij, njësoj siç flitet me njerëzit. I ledhatonte me fjalë, i mburrte, i nxiste që ta pëlqenin kullosën e njomë se po avitej dimri e nuk do të kishin më ku ta gjenin, u fliste për hallet e tij, u këndonte këngë të vjetra nga ato që diheshin në fshat. Njëra nga lopët, Laruka e Madhe, kishte ngritur kokën dhe po e vështronte Lucën me sytë e saj të mëdhenj e të pikëlluar, sikur e ndjente vuajtjen e tij. Dy lopët e tjera kullosnin afër një grumbulli shkurresh duke shkrofëtirë, si t'i kishte zënë rrufa e duke trembur me bisht mizat që nuk i linin të qeta.
“Po si nuk iu dridh syri kur i thashë, si nuk u shkreh në vaj, si nuk më zu me grushta e shqelma, si nuk më gjuajti me fshesë a stol kokës?” po i fliste lopës së tij që e vështronte me sy të pikëlluar dhe të pastër, sikur ia kuptonte dhimbjen. “Po më tha edhe që ta mbaja, pa le, më tha se do të më blente edhe dhurata në pazar për të, më tha, oh, ç’nuk më tha, me tha se do të gjallnohesha...”. Ishte ulur mbi një trung të prerë, shtrëngonte kokën midis pëllëmbëve dhe vazhdonte t’i fliste lopës së tij, Larukës: “A e merr vesh ti këtë punë? Këtu diçka ka, diçka ka që unë nuk e paskam ditur prej katërdhjetë vjetësh”. Lopa nxori gjuhën, pastroi hundët duke i lëpirë, ndërsa Luca vazhdonte t’i bënte asaj pyetje të çuditshme, sikur kafsha të na qenkësh e vetmja mike besnike, e aftë ta kuptojë vuajtjen e tij. U largova fshehtas kur filloi të dëneste.
Kur Luca vdiq pas gjashtë muajsh nga sëmundja e pashërueshme që iu shfaq në stomak, unë u përpoqa shumë të kuptoj se cila ishte e fshehta që ai ndante me lopën e tij, Larukën e Madhe. Ndalesha shpesh dhe e vështroja lopën e madhe në kullosë, pëpiqesha ta kuptoj nga sytë e saj të fshehtën, po qe e pamundur. Ata sy të mëdhenj e të bukur, të thellë e të kthjellët ishin si puse të brengosur, që kërkonin më kot livadheve të zonë e humbur.
Unë vazhdova prapë shkollën, edhe pse pata një rënie të dukshme në mësime atë vit, aq sa drejtori zemërgur paralajmëroi babain se nëse edhe në klasë të tetë do të vazhdoja ashtu, duhej të më bënte gati një kazmë e një lopatë që të punoja tokën se për shkollë nuk do të isha. Po parashikimet e drejtorit zemërlig nuk dolën, se klasën e tetë e mbarova shkëlqyeshëm dhe po atë vit, pa i mbushur ende katërmbëdhjetë vjetët, u largova nga fshati, ku u ktheva vetëm verërave ose gjatë pushimeve dimërore dhe të kremteve.
Dilana, edhe pse i vdiq i shoqi nuk e braktisi fshatin, jetoi aty edhe shumë vjet të tjera dhe siç më kanë treguar çdo ditë vinte nga tre-katër herë në shtëpinë tonë, ashtu siç bënte edhe kur unë jetoja atje. Gjyshi im vdiq atë vit që unë rashë në dashuri me Nevilën, gruan time të parë, po ai nuk arriti ta njihte edhe pse shumë herë më pati kërkuar të fejohesha se po u afrohesha të tridhjetave dhe sipas tij burri i sojmë nuk duhet ta shkojë dëm kohën me mendjen te gratë e botës.
Vdekja e tij qe shumë e rëndë për mua, më ligështoi e më vetmoi se ai qe njeriu më i dashur në këtë botë dhe më i miri nga të gjithë burrat që njoha e do të njihja në të ardhmen. Kur hyra në shtëpi dhe pashë trupin e tij të madh, të veshur me kostum të ri, shtrirë mbi tabutin e mbuluar me cohë të bardhë, më lëshuan këmbët dhe mu ndal fryma. Burrat që gjendeshin aty më bërtitën, më shkundën përkrahësh, kurse ime ‘më lëshoi një klithmë lutëse: “Ndihmojeni se mbaroi”. Ashtu i përhumbur nga dhimbja dëgjova nëpër mjegull zërin e Dilanës që po thoshte: “S’ka faj djali, nuk la shoq mbi këtë dhè!”.
Edhe sot e kësaj dite sa herë shkoj në qytetin e vogël ku banojnë prindërit e mi, tashmë të lodhur e të drobitur nga pleqëria, i pyes edhe për Dilanën, në rron a s’rron më dhe a mbahet. Dhe gjithmonë, im atë ma pret me inat: “Ende nuk e ka marrë dreqi hisen e vet. Karafilja nuk i hoqi kurrë rrobat e zisë qyshkur vdiq ai, gjyshi yt i bukur”. Dhe flet me urrejtje, sikur imgjysh të mos ishte babai i tij.



Shenjat e natës

Mamaja e Lulusë thotë gjithmonë se në këtë shtëpi ka disa shenja të këqija, që ajo edhe pse shikon filxhanet dhe parathotë fatet e njerëzve që i shfaqen në ëndrra, nuk i merr vesh. Edhe unë pata të njëjtën parandjenjë kur hyra për herë të parë në këtë shtëpi. Këtu do të vdes, thashë me vete, duke kqyrur muret e zhveshura, që kundërmonin erën sterile të gelqeres së freskët. E zbrazët, me pllaka të lëmuara, me faqet e mureve të sapobojatisura, dhomat e shtëpisë nuk të krijonin kurrfarë intimiteti. "Kam përshtypjen se do të vdes këtu" mendova përsëdyti, në vend që të gëzohesha se, më së fundi unë dhe Luluja kishim një shtëpi të re. Të njëjtën gjë e mendova edhe kur Luluja më tha se iu duk sikur dëgjoi një të qarë. "O, zot, tha, dëgjova një të qarë këtu!". Askush nuk qante aty, unë ende isha zgjuar, po Luluja këmbëngulte se e dëgjoi të qarën. "Ishtë një dënesje, tha, një dënesje e thellë, ngjethëse, që të këpuste shpirtin". Unë u ktheva në anën tjetër të shtratit tonë të madh, u zhvendosa në qoshen nga ditrarja dhe u përpoqa të flija. Luluja këmbënguli prapë se dikush dëneste aty, fare pranë nesh, në errësirë. Ndeza abazhurin që ta qetësoja, i thashë se nëse ndjehej e lodhur mund të pinte një qetësues dhe të flinte. "Çoje mendjen tjetërkund, përshembull kur bënim dashuri në kështjellë, duke u dridhur nga të ftohtit". Luluja më ndoqi pas në shtrat, u ngjesh pas kurrizit tim, më shtrëngoi me krahët që i dridheshin, shqiptoi diçka mbyturazi dhe më puthi lehtas tek vertebrat e qafës. Edhe unë dëgjova dënesjen, të qarën pikëlluese të strukur diku pranë meje. "Çfare ke Lulu, pse qan - e pyeta butësiht. "Nuk qaj unë", tha Luluja. U shtrëngua e trembur për vdekje pas meje. Shqiptoi mbyturazi diçka si "shyqyr që të kam", u ngjesh edhe më fort pas meje, tha se kjo dënesje e ndjellakeqe ka diçka jotokësore, që atë e frikësonte për vdekje. U ktheva nga ajo e shtrëngova fort, i bindur se askush në këtë botë nuk ishte dashur dhe nuk mund të duhej si ne. Edhe Luluja po ngjeshej pas meje, më ledhatonte me duart e saj të brishta kurrizin, shpatullat e imta, kurse kofshët i ngjeshte pas kofshëve të mia, sikur donte të bëhej njësh me mua, të futej e tëra brenda meje, të fshihej nën lëkurën time të ngohtë dhe të qendronte aty përgjithmonë, e mbrojtur nga kjo dënesje apo e qarë; ec e merre vesh se çfarë ishte.
Nuk e di se në çfarë ore të natës jemi. Luluja, e shtrirë pranë meje bën një gjumë të thellë, e mbrojtur edhe prej endrrave të keqia. Diku larg, andej nga rrethinat e lagjes, mbase nga blloku i Vilave të Reja, dëgjohet një angullimë. Me vonë dëgjohet një e lehur qeni, që sa vjen e bëhet më këmbëngulëse, më kërcënuese. Kjo e lehur kërcënuese më sjell ndërmend Xhixhin, qenin tonë të dikurshëm. Mamaja këmbëngulte se ai gjithë natën u lehte fantazmave, që sipas saj endeshin natën rrugëve të fshatit. "Mëkatarët nuk i mban varri, ecin këmbëzbathur rrugëve të fshatit, me shputat e këmbëve të mbushur me gjëmba dhe copëra gastaresh të thyera", thoshte.
U ktheva nga Luluja dhe u shtrëngova fort pas saj, aq sa ajo rënkoi në gjumë, shqiptoi një fjalë të huaj në një gjuhë që unë nuk e njihja (kjo më la pamend sepse unë i dija të gjitha gjuhët që dinte Luluja, madje edhe disa gjuhë të tjera që ajo nuk i njihte), tha prapë diçka tjetër, po kësaj here fjala mbeti e mbytur në fyt, u çliruar prej meje dhe u ngrit ndejur, këqyri rrethepërqark e trembur, shtangu duke ia ngulur sytë një qosheje të errët, diku ndërmjet raftit të rrobave dhe faqes blu të murit dhe lëshoi një klithmë të frikshme. E shkunda Lulunë për supesh, e shtrengova frot pas vetes, ia rrasa fytyrën pas gjoksit tim, po ajo vazhdonte të dridhej pa mundur të zgjohej nga gjumi i saj i makthshëm. "Lulu, Lulu", i thërrisja unë , duke e ngjeshur pas vetes dhe duke e ledhatuar. Ajo më vështronte me ca sy të prishur. Nuk e merrte vesh se ku ndodhej, as se kë kishte pranë.
Të nesërmen ajo më tregoi se në fëmijëri zgjohej shpesh në shtrat, lëvizte e përgjumur nëpër dhomë, madje njëherë pati zbritur shkallët dhe e ëma e pati mbërritur teksa ajo po përpiqej të hapte portën e rëndë të oborrit. "Kur mbusha njëmbëdhjetë vjeç këto shëtitje natën nuk m'u përsëritën më", tha ajo.
Më bëri përshtypje kujdesi i saj i veçantë kur përdori togëfjalëshin "shëtitje natën". Sikur e përkëdhelte atë sindrom të shkuar prej somnambule. "Por të lutem, tha, mos më zgjo nëse këto shëtitje më përsëritën sërish. Nëse më zgjon, do të vdes".
U përpoqa ta qetësoj Lulunë, i thashë se këto shqetësime i përkasin një kohe të shkuar, një fëmijërie të ankthshme, ndoshta një krize puberteti, ose një pasigurie më të thellë akoma, po fundja të gjithë ne, kishim kaluar situata të tilla dhe ajo nuk duhej të shqetësohëj për këtë. I kisha treguar shumë kohë më parë historinë time me shtrigën e vogël, që tashmë e quaja me përkëdheli, shtrigulë, e që më pati tmerruar një pranëverë të tërë, kur nuk isha më shumë se dymbëdhjetëvjeç. Maria, shoqja ime e klasës, qe shtrirë mbi mua e më shtrëngonte fort. Pesha e saj mbi trupin tim ishte e frikshme, mbytëse. Unë nuk lëvizja dot as majtas as djathtas, as mund të çlirohesha dot prej saj. Me ngjante sikur po më lëshonte fryma nën peshën e përqafimit të saj të dhunshëm. Kjo torturë zgjati shumë, shumë, derisa unë munda të rrotullohesha në shtrat dhe të hapjas sytë. Atëkohë pashë një shkëndijë që po largohej nga dritarja dhe, mëqe kisha dëgjuar se, shtrigat plaka qarkullonin natën si shkëndija të ndezura, mendoja se Maria, e kishte ngrënë zemrën time dhe se, do të vdisja shpejt. Gjithë atë pranvere jetova me ankthin e vdekjes së shpejtë, po pranvera shkoi dhe asgjë nuk më ndodhi. Ia rrëfeva edhe njëherë historinë Lulusë, po ajo nuk e kishte mendjen te ato që i tregoja unë. Tha se mbrëmë dikush dëneste në shtratin tonë, ose diku pranë nesh, në dhomën tonë të gjumit. "Kjo është e tmerrshme", tha. E kundërshtova me të gjitha fjalët që me erdhën në atë çast të zbrazët, i thashë se ndosha ne ashtu na është dukur, por kjo nuk mund të jetë e vërtetë, se askush nuk mund të dëneste në shtëpinë tonë të re, se gjithçka ishte me të vërtetë e re, edhe shtrati, edhe raftet, edhe tryeza e shkrimit, edhe karriket edhe qylymi i butë që kishim shtruar në dysheme, edhe muret, edhe kanatat e dritares ishin aq të reja sa nuk mund të terhiqnin pas vetes asnjë hije të së shkuarës. Luluja më kqyri më mosbesim, u përpoq të buzëqeshte, tha se isha një orator i mirë, ndonëse edhe vetë po e kuptoja se biseda ime ishte e shpëlarë, e pakuptimtë.
Ditët e tjera ne të dy i shmangeshim kësaj historie, bënim sikur nuk i dëgjonim më dënesjet e shtratit, ose atë kuisjen e përvajshme të mobiljeve, sado që kjo nuk qe e lehtë. Përkundrazi, të dy e ndjenim se diçka e jashtëzakonshme po ndodhte midis nesh, diçka që po të mos e ndalonim do të na shkatërronte të dyve. Kjo gjendje ishte e mundimshme sidomos për Lulunë, e cila kur e kur ngihej ndenjur në shtrat, kqyrte me sy të çakërdisur rretherrotull, shqiptonte ca fjalë të paktuptimta, ose që unë nuk i merrja vesh, nuk i deshifroja dot ngaqë isha përgjumësh, dridhej dhe përpëlitej në një makth të frikshëm. "Shoh një fytyrë të prerë nga grilat", duke vështruar e pikëlluar nga dritarja. E kundërshtova, sado që të kundërshtoje Lulunë nuk ishte e lehtë. Po, e dija, asnjë fytyrë nuk mund të shfaqej në dritaren e dhomës tonë të gjumit në atë orë të vonë të natës. U mendova ta qetësoj duke e përkëdhelur lehtë në qafë, ia zbrita dorën nëpër kurriz, pandjeshëm, butësisht dhe e përqafova. Nuk e di se si ndodhi, po buzët e mija u gjendën në puthitura me lëkurën e butë të qafës së saj. Ashtu e puthja gjithmonë, duke i zbritur buzet poshtë e më poshtë gjersa buzët e dridhshme preknin gjinjtë e saj. Ajo u ngjesh pas meje, u shtrëngua aq fort (ajo gjithmonë thoshte: dua të futem brenda lëkurës tënde) sa më shkaktoi një dhimbje therëse në shpatull, m'i nguli thonjtë në lëkurën e kurrizit dhe ashtu të mbërthyer mbas njëri-tjetrit provuam të bënim dashuri, duke i flakur tej mbathjet me vështirësi. "Tani dhoma do të mbushet me dritë", thashë me të qeshur, ngaqë muajve të fundit ishim dobësuar shumë të dy dhe kockat tona përlaseshim me njëra-tjetrën me një egërsi të shfrenuar. Unë edhe herë të tjera i pata thënë se skeletet tona janë aq të rrëmbyeshem sa lëshojnë shkëndija kur kacafyten me njëri-tjetrin. Papritmas Luluja u shtang, u përpoq të çlirohej prej meje, ktheu kryet në anën tjetër e tmerruar dhe tha se dikush na përgjon sa herë bëjmë dashuri, dikush dënes, ose rënkon përvajshëm, ngjitur me shtartin tonë, brenda shtratit tonë. U shkëputa prej saj i dëshpëruar dhe ndeza dritën. Asgjë e jashtëzakonshme nuk dallohej në dhomën tonë të gjumit, që deri para pak çastesh ishte dergjur në errësirën e natës. Rrobat e mia të mbrëmjes ishin aty, të hedhura njëra mbi tjetrën në qylym, fustani i Lulusë strukej i palosur në karrike, kapakët e raftit ishin të mbyllur, kur dy pasqyrat, ajo e ngjitur në kapakun e raftit dhe ajo tjetra përballë, e ngjitur pas murit pasqyronin ftohtësisht zbraztësinë e njëra-tjetrës.
Unë ndjehesha shumë keq, por po kaq keq duhet të ndjehej dhe Luluja. S'e mbaj mend për çfarë folëm në fillim, ndoshta unë i tregova diçka për të larguar vëmendjen, diçka të largët, që me siguri nuk kishte të bënte me ne. Luluja u pëpoq të buzëqeshte dhe shtoi se kështu nuk vazhdohet. Unë nuk e merrja me mend se si mund të vazhdohej, nuk e dija se çfarë bluante ato çaste në mendje Luluja; ndjehesha vërtet i zhgnënjyer dhe nuk kisha asnjë dëshirë ta përqafoja prapë dhe të fillonim sërish. Edhe unë kam përshtypjen se dëgjoj një dënesje sa herë provoj të bëj seks me Lulunë dhe nuk ndjehem i qetë. Më duket sikur po bëj një faj, sikur diçka e huaj po futet tinëzisht midis nesh, na përgjon dhe pikëllohet, lëshon klithma dëshpërimi, ose qan mbyturazi. Kjo sigurisht nuk është e vërtetë, po përderisa të njëjtin mendim e ka edhe Luluja, perderisa edhe ajo dëgjon të njëjtën dënesje, që tashmë është bërë e përnatshme dhe e thekshme sa herë duam të bëjmë dashuri, diçka me siguri duhet të jetë. Mesnata duhet të këtë kaluar me siguri, ndoshta është shumë vonë, dy ose tre e natës. Provoj të mbyll sytë, të harroj të gjitha pamjet e pshtjelluara që më shfaqen, dua të përqendrohem në një tingull magjik, që ta mbush shpirtin me nostalgji dhe harrim, por pikërisht atëherë kur jam larguar shumë nëpër atë udhëtim të heshtur e të paformë, dëgjoj dënesjen që të këput shpirtin. Shqyej sytë i llahtarisur kur shikoj te këmbët e bshtratit një mace të verdhe me ca sy prej njeriu të mbushur me lotë. E mbërthej nga qafa dhe e përplas me të gjithë fuqinë time pas murit. Dëgjohet zhurma e mbytur e përplasjes dhe një rënkim i mbytur. Ndez dritën e abazhurit, kerkoj të gjej trupin e maces së verdhë, por në dhomë nuk ka asnjë gjurmë të ekzistencës së maces, kurse unë po, jamë i sigurtë se ajo ishte aty dhe unë e përplasa me forcë pas murit. Madje unë ende e kam në gishtërinj ndjesinë e gëzofit të butë, një ndjesi ledhatuese dhe të pafajshme që më gandon zemrën. Nuk i thashë asgjë Lulusë për macen e verdhë që dëneste te këmbët e shtratit tonë dhe as për zhdukjen e saj misterioze. Kur takova të nesërmen Ninën me kryet të lidhur me një fasho të bardhë, shtanga, ngaqë aty për aty pata përshtypjen se unë isha shkatari i plagës së saj të fresket, që kishte krijuar një njollë gjaku mbi fashon që reflektonte një bardhësi verbuese. "U përplasa mbrëmë pas murit", tha Nina si për t'u shfajësuar. Ajo tha se ishte ngritur nga shtrati që të merrte një qetësues për dhimbjen e kockave, po ndërkaq nuk i hapte dot qepallat dhe qe përplasur në mënyrë të tmerrshme pas murit. "Pandeha se më lëshoi zemra, tha, po ja ku jam, prapë e gjallë..." Nina bëhet gati të largohet, thotë diçka nëpër dhëmbë që unë nuk arrij ta kuptoj, më shtrëngon lehtësisht dorën dhe unë prapë provoj atë ndjesinë e pushit të butë të maces së verdhë, që një natë më parë e kam përplasur pas murit. Ikja e saj e heshtur më duket e përgjithmonshme. Në anën e majtë të gjoksit diçka më shtrëngon nga brenda duke më shkaktuar një dhimbje të ngadaltë, por këmbëngulëse që ngjitet pas brinjve, duke u tretur dalëngadalë nën lëkurë. Pyetjes se Lulusë në mbrëmje vonë, se ç'më ka ndodhur që jam aq i përhumbur i përgjigjëm shkurt: "Kam fjetur keq natën që shkoi".
Luluja kthehet nga unë dhe më thotë me qortim: "Duhet të kishim blerë një shtrat të ri". Ajo thotë se ky shtrat nuk e di se çfarë ka, po gjithë natën lëshon gërvina, dënes nën trupat tanë, ka një vaj të brendshëm prej drurit të mobiljeve a ku di unë. "Lulu, unë të kam dashur gjithmonë i them. Asnjë gjë tjetër në botë veç dashurisë nuk më ka shtyrë të lidhem me ty".
Ajo më thotë se këtë e di, e di gjithashtu se unë kurrë s'do të pranoja të shrihesha në shtrat me një grua që nuk e dua, aq me tepër që të martohesha me të, po megjithatë mobiljet duheshin ndërruar, duheshin blerë të reja, ose përndryshe gjithçka midis nesh po merrte fund. I tha këto fjalë me dëshpërim të thellë, fatal, sikur në të vërtetë, tani e tutje nuk do të mund të ishim më bashkë dhe kjo për atë, të paktën kështu mendova unë në atë kohë, ishte një vetëvrasje, një shkatërrim i pariparueshëm, dhe unë, për agjë në botë nuk do të kisha dashur t'i shkaktoja, qoftë edhe një hije pakënaqësie në fytyrën e Lulusë që s'më ishte ndarë kurrë nga vetja që ditën e parë kur e njoha këtu e dhjetë vite të shkuara. Po edhe ndërrimi i mobiljeve të shtrenjta që i kishim blerë jo shumë kohë më parë me dukej çmenduri aq më tepër, që edhe punën me paratë e kishim pak pisk. "E megjithatë nesër do të blejmë mobilje të reja", thashë unë për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej. E shtrëgova në gjoks kokën e Lulusë, e përqafova dhe e putha fort duke e shuar gjithë zjarrin e një dashurie të ëndërruar në buzët e saj, paksa të ftohta dhe si të mpira. Provouam të bëjmë prapë dashuri, po Luluja i mbante sytë të hapur, kqyrte e trembur anash, mendjen e kishte të humbur kushedi se ku. Kjo më trishtoi, u shkëputa prej saj, i ktheva kurrizin dhe e ngjesha kryet fort pas jastëkut të akullt që ende mbante erën e detergjentit të ri që Luluja e kishte zgjedhur nëpërmjet reklamave televizive si markën më të mirë.
Papritmas Luluja u ngrit, duke u mbështetur në bërryl dhe më pyeti: "Si ishte Nina në seks, më e mirë se unë?" Ajo nuk priti që unë të t'i thoja diçka. "Pra e qive", tha me një zë të huaj që unë s'e kisha dëgjuar kurrë të shqiptohej prej buzëve të saj. Atë moment qeshë i bindur se nuk fliste Luluja, po dikush tjetër brenda saj, madje pata përshtypjen se ajo nuk fliste me mua, po me dikënd tjetër, me dikënd që unë nuk e njihja. Unë në jetë kisha njohur vetëm një Ninë, po me atë, as puthur nuk ishim kurrë dhe qeshë i bindur se Luluja nuk e kishte fjalën për Ninën time. E ngjesha edhe më shumë kryet pas jastekut dhe në heshtjen që përcolli fjalët fatale të Lulusë dëgjova përsëri dënesjen e thellë, që në të vertetë ngjante me një dënesje jonjerëzore: ishte një dënesëje e drunjtë, një dënesje pylli, që vinte nga larg, ndoshta nga kohët e shkuara. "Sidoqoftë, duhen ndërruar mobiljet që nesër", thashë me vete. U ktheva nga Luluja dhe u shtrëgova fort pas trupit të saj. Atë çast matanë grilave m'u duk se pashë një fytyrë të zeshkët të rrethuar nga kurora e lëshuar e flokëve të zinj, po kur pulita sytë që të kthjelloja vështrimin, fytyra nuk ishte më aty. Vetëm shtrati vazhdonte të dëneste nën peshën e trupave tanë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen