Montag, 15. Juli 2013

Një tregim nga Vullnet Mato


FORMIMI I KUQ
 Tregim


Në pasditen e njohjes te kafja kryesore e qytetit, një person që priste në këmbë para tryezës, së profesor Vasjarit, i zgjati dorën me buzagazin e nderur tejpërtej fytyrës:
-Më fal profesor, quhem Faruk Birani, jam mësues letërsie në fshatin Kotovash...Ju kam dërguar me një shokun tim para ca ditësh, një cikël me poezi, që po të kishit mundësi t’u hidhnit një sy, para se t’i çoj te gazeta e letrarëve të rinj...
-Oh, po, po i lexova. Kam krijuar mendimin se ju mund të ecni në poezi, po nuk i kam me vete të flasim konkretisht për to! Uluni! - e ftoi profesori, duke i treguar me dorë karrigen përballë.
Teksa kolegu i largët po zinte vend në tryezë, profesorit i shkuan sytë te thonjtë e tij të zinj të paprerë, te jaka e ndotur e këmishës dhe te një përvijim i errët në cepat e buzëve, ku kafja e tharë po e denonconte se e kishte tepruar me alkool. Këto konstatime të para i lanë përshtypjen, se poezia dhe poeti që e shkruante, kishin mes tyre një mospërputhje keqardhëse.
-Ju adhuroj, për talentin dhe fjalët e mira që kam dëgjuar nga të gjithë mësuesit e rrethit për ju! - filloi menjëherë lëvdatat e veta Faruku, duke lëpirë buzët herë pas here. - Për mua është fat që gjendem pranë jush në këtë rreth dhe që po më jepni mundësinë të ulem përballë madhështisë dhe famës suaj, që e njeh gjithë republika...
I rënduar nga këto fjalë të fryra, Vasjari i hodhi vrulltas një vështrim të mprehtë.
- Faleminderit, po nuk është e nevojshme të më ngjyeni kot me gjithë këto furça boje, mjafton që ne jemi kolegë! - ia preu i mërzitur në çast nga ky nxitim i tjetrit për ta lartësuar në sy më shumë nga ç’ishte në të vërtetë.
Në vijim të prezantimit, miku nga fshati e ftoi të kthenin ndonjë gotë se bashku. Por, kur e pa se mësuesi i vjetër e refuzonte alkoolin kategorikisht, ata u ndanë shpejt, për tu takuar të pasnesërmen pasdite në mbledhjen e krijuesve të rrethit, ku profesori do të bënte prezantimin e tij dhe do t’i jepte mendimet e veta për ciklin poetik.
Faruku ishte një tip që i ngjante hijes. Mjaftonte të binte fare pak mbi të dielli i buzëqeshjes së tjetrit dhe nuk i ndahej këmba- këmbës. Kështu i pashqitur si hija, ai filloi ta priste profesor Vasjarin kur dilte nga orët e fundit të mësimit, sa herë i kishte vetë bosh ato orë dhe vinte në qytet me autobusin e linjës.
- Ah, ç’fat do të ishte për mua sikur të jepja mësim në këtë shkollë, ku mund të isha pranë një njeriu kaq dashamirës, i cili po më ndihmon kaq shumë në krijimtari! - i tha Faruku kur njëra nga vjershat e tij, të përforcuara nga Vasjari si krijues me përvojë, u botua te faqja letrare e gazetës rinore.
Duke marrë shkas nga ai botim i vockël, ku publikohej për herë të parë emri i Faruk Biranit, Vasjari në një mbledhje të krijuesve, shprehu mendimin para drejtorit të arsimit të rrethit, se dega e letrarëve do të forcohej, po të afroheshin nga periferitë disa talente, të cilët mund ta gjallëronin jetën kulturore të qytetit.
Nuk vonoi, dhe vjeshta e emërimeve të reja, e gjeti Farukun mësues në shkollën e mesme të qytetit. Vasjari, me njohjet e veta, e ndihmoi te drejtori i fermës për t’i lëshuar atij një kthinë banimi te barakat e magazinave, ku ishin strehuar edhe nja dy beqarë të tjerë.
Tani pas mësimit, Faruku endej gjithë orët e vona klubeve me persona të rëndomtë që e mbyllnin fundin e ditës me fundin e gotës. Ca kohë iu vardis një amatoreje të kulturës, e cila shumë shpejt e përçmoi për jetën e tij të çrregullt dhe për pakujdesinë e pafalshme në higjienën personale.
Vasjari, si familjar i shkëputur nga thashethemnaja për intimitetet e orëve të vona të qytetit, e ftoi rastësisht kolegun Faruk në studion e tij për t’i treguar bibliotekën. Aty e qerasën gruaja e shtëpisë dhe më pas e bija e ndodhur të dielën e ardhjes së saj te prindërit nga studimet universitare. Faruku i dehur para kohe nga mikpritja dhe nga gota me verë që i vunë përpara, nxitoi për ta ftuar më pas profesorin e tij të adhuruar te dhoma e vet.
Pas lutjeve të shumta, një mbrëmje, gjatë xhiros te shëtitorja e qytetit, Vasjari shkoi me të te kthina e barakës ku strehohej kolegu. Për habinë e tij, vuri re aty se Faruku kishte mbuluar mbi tryezën e shtruar me gazeta dy pjata me mish dhe u kishte hequr tapat me kohë dy shisheve me verë “Kabernet”.
-Dua t’ju kthej qerasjen me verë te shtëpia juaj, e cila më ka lënë mbresa të pashlyera për mikpritjes tuaj familjare...
-Ne jemi kolegë dhe nuk ishte fare e nevojshme të harxhoheshit për mua, në një kohë kur duhet të kurseni paratë për të gjetur nuse! - bëri shaka Vasjari dhe pas këtyre fjalëve vuri re befas një shkëlqim të çuditshëm në sytë e kolegut.
Fytyra e mprehtë dhe pakëz e errët e Farukut, u zbardh krejt dhe u zgjerua nga gazi i menjëhershëm. Ndërkohë ai po ia mbushte gotën plot me verë Vasjarit, ende pa mbaruar të parën.
-Nuk pi më tepër se dy gota, më bëjnë dëm për mëlçinë! - zgjati dorën të pengojë grykën e shishes profesori, teksa shkathtësia e kolegut të ri e kishte rrafshuar rrethin në krye të gotës.
Pasi Faruku e thau shpejt shishen e parë me verë, atij iu zgjidh gjuha e tha paksa me druajtje:
-Profesor i dashur, në pak kohë unë kam arritur qiellin me dorë, duke ju bërë juve mik shpirtëror. Dhe ndofta s’do mundem kurrë ta shpërblej mirësinë tuaj...
Vasjari ia preu fjalën përgjysmë.
-Unë nuk u bëj asnjëherë miqve ndonjë mirësi, për të pritur shpërblimin e tyre. Mikut i them mik, për hir të miqësisë njerëzore dhe dua ta kem atë gjithmonë sa më afër vetes.
Farukut i ndritën ninëzat e syve, si dy xixëllonja nën dritën e dobët të llambës së tavanit.
-Po sikur edhe ne të bëheshim më të afërt me njëri-tjetrin?... - iu drodh zëri atij.
-Në ç’kuptim? - ia bëri Vasjari me kureshtje.
Faruku heshti një grimë dhe u tkurr i tëri, sikur bëhej gati të nxirrte nga fundi i mushkërive një frazë me peshë të plumbtë.
Gjatë këtij ngurimi të dyshimtë, profesorit fillimisht i shkoi mendja për keq. Mos ndoshta ky djalë kishte ndonjë fatkeqësi natyrore me problemet e gjinisë së tij. Mirëpo nuk zgjati shumë dhe Faruku i shpenguar e nxori së fundi në dritë idenë e vet:
-Me që përmendët nuse për mua, unë kam shumë dëshirë të kërkoj dorën e vajzës, suaj, profesor, a do të ma bëni edhe këtë nder tepër të madhërishëm...
Profesor Vasjari shqeu sytë nga habia, sa iu zbuluan kokërdhokët dhe iu kujtua personazhi i njohur letrar i Uriah Hipit. La pirunin e mezes mbi tryezë dhe iu drejtua tjetrit me ton të kontrolluar tashmë:
-Mirë, more koleg, po ti mendon se kërkimi i nuses mund të bëhet siç kërkohet te banaku i frutave një kokërr mollë?
Faruku u kapërdi me vështirësi dhe rrahu qerpikët e njomështitur.
- Pse, profesor, të gjithë beqarët diku do ta kërkojnë nusen një ditë...
-Sepse para se të kërkohet një nuse, pyetet një herë për të. Ime bijë ka një vit e fejuar në Tiranë dhe i fejuari i saj ka ardhur disa here këtu... Pastaj unë, edhe sikur ta kisha vajzën beqare, nuk kam asnjë të drejtë, ta jap atë në këtë formë të vjetër tregu, kur të ëmën e saj e kam marrë me dashuri para tridhjetë vjetëve.
Faruku hodhi anash një vështrim të pjerrët, uli kryet krejt i turpëruar dhe copa e mishit që ishte duke mbllaçitur, sikur i ngeci në fyt. Pas kësaj bisede, vera dhe mishi zunë të kapërdiheshin më tej me vështirësi. Ndaj dhe ftohja mes tyre u bë si vetë nata vjeshtore që kishte filluar të freskohej.
Qysh nga ajo mbrëmje Faruku i fyer në sedër fare kot, filloi pak nga pak të përjetonte një metamorfozë paksa të çuditshme. Shokë e miq të tjerë nuk kishte arritur të bënte për vete dhe i duhej një zgjidhje për tu shkëputur nga vetmia dhe alkooli i kritikuar në drejtorinë e shkollës. Ai pretendonte se rridhte nga një fis që kishte strehuar një natë në male udhëheqësin gjatë luftës. Dhe fillimisht për t’i bërë lartësim vetes, filloi të lexonte e konspektonte volumet e Marksit e të Leninit. Kishte kuptuar ndërkohë kotësinë e gjithë përpjekjeve për tu bërë mësues i mirë dhe kishte vendosur të bëhej komunist. Kishte biseduar me sekretarin e partisë së shkollës dhe ai i kishte dhënë shpresa se, bazuar në biografinë e tij, mund të pranohej në parti, nëse përgatitej mirë politikisht. Shkurt, pa e zgjatur ketë periudhë të armatosjes së tij me ideologji komuniste, Faruku pas gjashtë muajsh u pranua kandidat.
Bënte shërbime të rojës operative te baraka e portës së shkollës me volume të hapura tejpërtej tryezës. Propagandonte me zell të madh te nxënësit dhe te kolegët, që kishin durim ta dëgjonin, “Idetë e pavdekshme të marksizëm-leninizmit” dhe deklamonte me ton të larë citate pafund. S’kam për ta harruar një nga ato frazat e preferuara të tij për udhëheqësin: “Nuk e ka lindur nëna, po vetë Shqipëria nga barku i maleve!” Madje i ndikuar nga këto leximeve politike, ai bëri edhe një tufë me poezi, për të cilat profesori i tha me sinqeritet se ishin të përgjithshme, pa art, thjesht parulla politike nga ato që shkruheshin nëpër mure.
Pas kësaj, largimin nga miku i adhuruar, ai filloi ta bënte jo me hapa të zakonshëm, por me trokun e një katërkëmbëshi të goditur me kamxhik. Fytyra e tij po zymtohej në mënyrë të çuditshme nga metamorfoza e shkaktuar prej doktrinës, së cilës i kishte bërë vend në trurin e tij. Dhe në vijim të punës “kolosale” që bënte për ta ngjeshur trurin e vet me ide fikse të vjetruara, në zemrën e Farukut sa vinte e rritej një madhështi përçmuese për të tjerët dhe po bëhej egoist i vrazhdët e llafazan i papërmbajtshëm. Vështrimi përbuzës i rrëshqiste shpesh mbi të gjithë kolegët e nënvleftësuar prej tij. Dhe kuptohet, për të urryer dikë, kur je i indoktrinuar, nuk ka nevojë të kesh ndonjë arsye, mjafton të konstatosh se ai tjetri qëndron indiferent ndaj ideologjisë që ti ke përqafuar përzemërsisht.
Një ditë, pa pritur e pa kujtuar, Faruku kërkoi të dëgjonte një orë mësimi tek profesori, të cilin e quante dikur me krenim “Mësuesi im”.
Vasjari e pranoi me kënaqësi, që ai më së fundi po afrohej sërish dhe po pranonte të merrte shembujt e mësimdhënies së tij. Teksa profesori u rrek të bënte një orë mësimi sa më cilësore, me të cilën mund ta kënaqte kolegun, ndoshta të përmalluar për mësime profesionale, Faruku po nxinte te banka në fund të klasës me një shprehje zjarrmie në sy. Entuziazmi mësimdhënës i profesorit dhe përgjigjet e sakta të nxënësve të klasës ku jepte mësim, e kishin tërbuar smirën dhe cinizmin e kolegun të kandiduar në parti. Pak para mbarimit të orës, ai u çua si i dalë nga topitja dhe filloi nga fundi i bankave t’u mblidhte nxënësve fletoret e detyrave për të kontrolluar përgatitjen e tyre me shkrim, ku mund të gjente ndonjë mangësi.
Vasjarit sikur i dolën sytë nga orbita. Ky veprim qëllimkeq i kolegut, e revoltoi papritmas dhe e pyeti në çast:
-Ç’po bën ashtu, or mik?
-Do shoh detyrat, i kanë bërë të gjithë apo jo?...
-Ato i shoh unë, mësuesi i tyre që ua korrigjoj e ua vlerësoj me notë, jo ju!
-Dua t’i shoh edhe unë si pjesëtar i organizatës bazë të partisë!... - u shpraz me solemnitetin e njeriut që ka bërë një betim keqbërës.
Vasjarit ia sajua në fytyrë një nënqeshje e lehtë ironike.
-Unë ju kam pranuar në orën time të mësimit si koleg, jo me një status të tillë, i dashur mik! Organizata e partisë ka emëruar kuadro në drejtori për ta bërë këtë punë!
-Është e drejta ime të ndërhyj dhe të kontrolloj kudo e në çdo gjë me frymën e kritikës e të autokritikës revolucionare... - u shpreh ai vendosmërisht, duke e shigjetuar profesorin me ca sy që shprehnin përbuzje dhe paturpësi përzier bashkë.
Vasjari u step një çast. Mendoi se si kishte mundur ta donte e ta ndihmonte këtë farë krijese, që dukej tani si i mbirë nga mjegulla dhe i erdhi turp për qenien e tij njerëzore. Pastaj u mbush me frymë dhe thirri fort:
-Klasa, çou!... Përshëndeteni mësues Farukun, se do dalë nga mësimi!...
Nxënësit brofën në këmbë për dy-tri sekonda të vetme.
Kandidat Faruku me shëmbëlltyrën e tij politike u trand një çast në vend. Por duke parë se nxënësit prisnin daljen e tij, u shty drejt derës i gërmuqur e me dhëmbë të shtrënguar.
Ndërkohë profesori mendoi, se njeriu qenka një univers i mbyllur në formim e sipër. Shëmbëlltyrën e tij mund ta njohësh vetëm pasi ke hyrë në kufij të afërt, ku mund shihet më qartë struktura shpirtërore. Aty konstaton konkretisht, se blerimi i shpirtit të tij human, pas skuqjes me ideologji komuniste, prishet e deformohet tërësisht.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen