Freitag, 26. Juli 2013
Cikël poetik nga Shahadie Lohaj
SHAHADIE LOHAJ
MBËRTHYER NË DUART E MËMËDHEUT
Dikur mbi kurrizin
E shekujve robërues,
Të kafshonte robëria
E përrenjtë e harresës
Kuisin përvajshëm
Dhe pinte gjak e barut
Dheu ynë.
E agimet e Kosovës
Bëheshin muzgje e hije
Qullur me gjak shekullor
E mëmëdheut
I dridheshin duart
E fort e më fort
Na mëkonte, na shtrëngonte
Në gjirin e përlotur...
Sot, me shpresën e mirësisë
E ndjej në shpirt
Se jam
Frymëzimi yt i gjakosur.
Mbjell dashuri e besë
Nga thellësitë e viteve
Se s’ka kuptim më
Koha u thinj.
Nga pabesia e gjaku
Vjershërim i ri po lind,
Muzgjet po zbardhin
Në muzën e poetëve triumfues...
FRYMA E KOLOSIT
(Në vend të epitafit për mikun poet, Ali Podrimja)
Hapërove rrugëve të poezisë,
Me gjithë atë mall,
Me gjithë atë drithërimë në shpirtin tënd.
Ecje rrugëve të Francës
Dhe mendoje, mendoje
Për mallin e vendlindjes.
Edhe në agoni trupi yt nuk prehej,
Se doje më shumë për ne,
Për atdheun,
Për vendlindjen.
Aty i ngazëllyer flisje shqip,
Kur ëndrrat i shpalose për Kosovën.
Sytë të bënin dritë,
Kur shqiptoje fjalën KOSOVË.
Eh!
Gjithë ai mall,
Më shumë se puthja e tokës mëmë.
Vallë, na thuaj!
A të mungoi përqafimi i fundit?
A të mungoi ëndrra në shtratin tënd?
A të mungoi atdheu në trastën e zemrës?
Ah, atdheu!
Ah, vendlindja!
Plagët kush do të na i shërojë tash?
Sot lulëkuqet kurorë qëndrojnë
Në pritje
Të kolosit tonë.
Nëpër flakë u tretën
Rrugët e tua
Me shikimin e shqiponjës.
Ferizaj, më 23. 7. 2012, në orën 02:16
NJË ARNË PËR LIRINË E LECKOSUR
Nuk e di,
Qeveritarët
A e njohin fjalën LIRI?
Rrinë përtej gënjeshtrës
Ata heronj të përvuajtur,
Që lotët kushedi nga i huazojnë.
Por mund të më dëgjojnë,
Që sot e për mot t’u them:
Kam ardhur
Nga varreza masive e Reçkut,
Kam ardhur
Nga kullat e shkrumbuara
Të Jasharajve,
Të Haradinajve,
Kam ardhur
Nga varrezat e Likoshanit,
Nga varrezat e Rahovecit...
Pse më shikoni habitshëm?
Çfarë keni?
Prisni të hyj në lëkurën tuaj?
Kurrë jo!
Kam ardhur të heq grilat
Dhe kam marrë pak liri,
E t'ia shpërndaj popullit,
Ndryshe nga të tjerët.
Eh!
Lumenjtë sa nuk më morën me vete,
Mua që desha
Ta arnoj lirinë e leckosur.
URDHËR PARA NDËSHKIMIT
Në mes urrejtjes e dashurisë,
Je ti.
Në mes ëndrrës e zhgënjimit,
Je ti.
Në mes realitetit e fantazisë,
Je ti.
Në mes jetës e vdekjes,
Je ti.
Në mes kthimit e arratisjes,
Je ti,
Në mes këngës e vajit,
Je ti.
Nuk ta pata borxh.
Kthema jetën time!!!
KAMBANA
E braktisur jam,
Këndej jetës
E andej vdekjes.
Buzëqeshja jote
Më ka thyer
E më ka tundur në lot.
Kambanat e trishtuara thërrasin
Harrimi arratiset.
Rrugëve të trishta,
Lakuriqësia përgojon
Dashurinë.
Në botën e nëntokës
Intriga moderne,
Pluhur modern,
Shtëpi publike,
Rrugëve të shpifura.
Degjenerimi zhvat jetën.
Kujdes!
Mos i kaloni kufijtë!
ETHET E LUMTURISË
Horizontit fluturon imagjinata
Nëpër pirgjet e gjithësisë,
Groposën dashurinë.
Etheve të narkomanisë,
Rënkojnë udhët.
Një rrugë e bardhë
Më e ftohtë se bora
Pluhur i bardhë
Nën ethet e lumturisë
Shpirti rënkon.
LOTI YT, HELENË!
Nën bebëzat e syve të tu,
Ca shkëndija fiken.
Në shpirtin tënd,
Jetë e trishtë...
Akejt veç këlthasin,
Bërtasin,
Çirren fort,
Ndihen ngadhënjimtarë.
Veç ti helmohesh,
Për zemrën e Paridit
Dhe për zemrën e Trojës,
Rrethuar prej bishash e kuajsh.
Troja gulçon,
Gulçon edhe ti,
E sodit
Se si djajtë
Diellit ia mbyllën sytë e zhuritur,
E ti e vetmuar
Në majën e Olimpit
Sodit relieve prej gjaku.
Shpirti të drithërohet
Për frymën e dashurisë,
Tretur betejave.
Kushedi ku u gurëzua
Loti yt, Helenë!
Tretur e ngujuar shekujve...
DROMCAT E KOMUNIZMIT
Çmendina ka mbërthyer Gërdecin,
Dromcat e komunizmit
Zi kërcëllojnë damarëve të tij,
Shurdhmemecët
Kufomat i robëruan,
Varrtarët i mbuluan me verbëri.
Dromcat e tiranisë,
Si fantazmë
Trupojnë trollit tonë,
Kafkat e tyre çdo gjë rrënojnë.
S’është Hiroshima,
As Çernobili,
Është vorbulla e komunizmit,
Shpirtin e Gërdecit përcëllon.
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen