Agim Metbala
PUNA QENKA MË E FORTË *)
- A keni dëgjuar ju o lisat dhe shkëmbijtë krenarë, se këndej në male, do ta mbarojnë hekurrudhën dhe do të eci treni? – u tha lumi.
- Ih, çka flet budallaçe, or miku ynë i dashur, ku munden neve të na shpojnë? – ia kthyen shkëmbijtë gjigantë.
- E si munden neve të na presin? – i thanë njëzërit lisat e gjatë.
- Unë, kështu kam dëgjuar! – u tha lumi dhe vazhdoi:
- Ata do të vijnë lart, skaj shtratit tim. Ju mund të mos më besoni, por unë vetë i kam parë disa inxhinierë, duke u konsultuar dhe duke vizatuar në notesat e vet.
- Jo, jo, nuk u besojmë këtyre përrallave! – i thanë lumit shkëmbinjtë dhe lisat.
- He, e - e – e... edhe unë s’iu kam besuar këtyre përrallave, por ata mbi shtratin tim, ngritën urën e gjatë njëqind metra, pastaj ndërtuan një hidrocentral...
- Jo, jo, miku ynë i dashur. Neve s’munde të na bindësh se këtë mund ta bëjnë njerëzit! – i thanë njëzërit lumit shkëmbinjtë dhe lisat e gjatë.
- Do të thotë se ju nuk më besoni se njerëzit mund të bëjnë këtë? – i pyeti lumi.
- Ta merr mendja. Ajo që s’është bërë deri më sot, nuk mund të bëhet as sot dhe as nesër!
- Shihni ju lutem, tani është zhvilluar teknika, njerëzit kanë zbuluar makinat e reja dhe unë kam dëgjuar se njerëzit kanë shkuar aq larg, sa edhe kanë zbritur në hënë e lëre më në tokë, se nuk mund t’i çelin tunelet! – i tha lumi dhe vazhdoi:
- Mirë, mirë, do të flasim prapë! – ua ktheu lumi duke e përmbyllur bisedën.
Ditët kalonin, dhe netët rrëshqitnin edhe më shpejtë.
Një ditë, heu, çfarë kënge jehoi qytetit tim. Kudo të rinj dhe të reja. Me mjete pune të llojlloshme në duar, dhe të rreshtuar në kolona të gjata...
Dikush nga turma tregoi se këta të rinj dhe të reja, janë aksionistët vullnetarë, kanë ardhur të ndihmojnë që hekurudha të përfundojë sa më shpejtë.
Kolonat e akcionistëve u ndalën në fund të qytetit, mbase deri aty ishin vendosur binarët.
Punëtorët, kur i panë aksionistët, u gëzuan shumë.
- Mirë se na vini! – dëgjoheshin zërat e punëtorëve.
- Mirë se ju gjetëm! – u kthenin aksionistët si në kor.
Pas një kohe të shkurtër, aksionistët u vendosën, i lanë gjësendet e veta dhe me këngën e gëzimit, ia filluan punës menjëherë. Anembanë të qeshurat e ëmbëla, zërat e mjeteve të ndryshme, buçisnin pa ndërprerë...
Dita-ditës, punëtorët, inxhinierët, aksionistët dhe fëmijët e shkollës fillore "Isa Boletini" nga qyteti im, i afroheshin sa më shumë malit të lartë...
Dhe, më në fund, u afruan fare pranë malit të lartë.
Albi duke bartur valixhen e inxhinier Petritit, e pyeti me kurreshtje:
- Xha Petrit, si do të bëjmë tash? Si do t’i presim këta lisat e gjatë? Si do t’i shpojmë këta shkëmbinjtë gjigantë?
Inxhinier Petriti, duke buzëqeshur, iu përgjigj:
- Shumë, shumë lehtë pëllumbi im. E pse i kemi marrë të gjitha këto sharra elektrike? Dhe përse kemi marrë me vete gjithë këto dinamitë dhe këto mina?...
Albi duke buzëqeshur i dha shenjë se e kuptoi fare.
Inxhinier Petriti, pastaj i ftoi dhjetë punëtorë, dhe i urdhëroi t’i merrnin sharrat elektrike dhe të fillonin me sharritje.
Sipas urdhërit të inxhinierit, punëtorët filluan me sharritje.
Zërat e sharrave përplaseshin nëpër shkëmbinjtë, duke u shpërndarë grykave të malit...
- Hej, ç’po ngjet me neve? – pyesin njëri-tjetrin lisat.
- Kush po më ther mu në zemër? – pyeti nga habia lisi i vjetër dhe i trashë mbi tri metra.
- Ç’është kjo këngë? – pyesnin nga habia shkëmbinjtë e frikësuar.
- A mos vallë do të na dalë e vërtetë ajo përrallë që na e ka treguar lumi? – thanë ata njëzërit nga frika.
- Kr-a-a-ap... - u ndëgjua zhurma e madhe. Lisi plak ishte shtruar gjerë e gjatë për toke.
Pas tij, në tokë u shtruan edhe qindra lisa, ndërsa njëri prej tyre, nga habia tha:
- A thua vallë është e vërtetë kjo? Njerëzit që në krahasim me trupin tonë duken si buburrecat, do të na gjuajnë të gjithëve në tokë?
- Po, po, e vërtetë është! Ja ç’bëjnë njerëzit, ju nuk më besuat atëherë kur ju rrëfeva...
- Hej, ejani njëzet punëtorë! – thirri inxhinier Petriti.
Albi ia ofroi valixhen inxhinier Petritit.
Inxhinier Petriti, u dha urdhër punëtorëve të hapnin disa vrima nëpër shkëmbinj. Pas pak, inxhinier Petriti vendosi dinamitin dhe minat në shumë gropa nëpër shkëmbinj.
Të gjithë u strehuan.
- B-a-a-a-m-m-m-m!...
- B-u-u-u-m-m-m-m!...
- B-a-a-a-m-m-m-m!....
Kështu, me radhë, të gjitha minat eksploduan.
I pari kërceu inxhinier Petriti, dhe duke buzëqeshur siç e kishte zakon, bërtiti:
- Puna vajti shumë mirë, tuneli u hap mbi dhjetë metra!
Shkëmbinjtë nga frika filluan të dridhen.
- Çka do të bëjmë tash?
Disa më të vegjël thanë se do të dorëzohen.
Atyre u bërtiti Shkëmbi i Madh:
- Si, të dorëzoheni? Qyqarët.
Përkundër kësaj, shumë shkëmbinj të vegjël u dërëzuan menjëherë.
Lumi, duke qeshur ëmbël, i tha Shkëmbit të Madh:
- Mos u beso përrallave të mia!
Vetëm Shkëmbi i Madh, nuk deshi të dorëzohej.
Pastaj inxhinier Petriti, i thirri të gjithë punëtorët, aksionistët, dhe Shkëmbin e Madh e rrethuan anembanë, më pastaj filluan nga një copë, nga një copë, t’ia çelin gropën mu në zemër.
Tash edhe Shkëmbit të Madh, filloi t’i hyjë frika në palcë, mirëpo nuk dorëzohej kurrsesi.
Kaloi një muaj i tërë, e Shkëmbi i Madh nuk dorëzohej.
Mbasi ia hapën një gropë të madhe mu në zemër, inxhinier Petriti, dha urdhën të vendoseshin shumë nina.
- Hej, ç’do bëni me mua – klithi shkëmbi i trembur.
Nuk kaloi shumë kohë, filluan krismat e mëdha:
- B-a-a-a-m-m-m-m!
- B-a-a-a-u-u-u-u!
- B-u-u-u-m-m-m-m!...
I tërë mali dridhej nga minat.
Pasi shpërthenin të gjitha minat, inxhinier Petriti u ngrit i pari në këmbë, dhe i buzëqeshur e shikoi Shkëmbin e Madh të shtruar përtoke.
Ia nisi këngës nga gëzimi. Atij iu bashkuan të gjithë
Shkëmbi i Madh i rrëzuar për toke, psherëtiu:
- Vërtet puna qenka më e fortë!
Në fund të vjeshtës, kaloi treni i parë!
1972.
*) Në vitin 1973, ky tregim fitoi shpërblimin e dytë në konkursin letrar të "Pionierit".
VJERSHA E ALBIT
Babai i Albit, shkruante diç në makinë. Ai pastaj shkroi një vjershë të bukur për një vocërrak palestinez. Albi lozte nëpër dhomë me trenin elektrik që ia kishte sjell ai nga udhëtimi zyrtar kur ishte në Tiranë.
Pas pak, Albi i afrohet babait te tavolina e punës dhe e pyet lehtë:
- Babi, babi! Ç’po bënë ti me atë makinë për çdo ditë?
- Po shkruaj, pëllumbi i babit? – ia ktheu babai.
- Çfarë shkruan babi? – përsëri e pyeti Albi babain.
- Shkruaj vjersha për fëmijë, princi i babit! – ia ktheu babai me zë të ëmbël.
- Po a është vështirë të shkruhet vjersha, babi? – përsëri pyeti vogëlushi.
- Jo, aspak, pëllumbi i babit! – ia ktheu babi dhe e ndërroi letrën në makinë, ku vazhdoi të shkruante.
Pas pak, babi doli nga dhoma e punës. Albi shpejt e shpejt u ngrit, dhe u ul në karrigën e babit. Mori letrën e bardhë, dhe e vendosii në makinë. Pastaj filloi të shkrujaë:
A,a,a,a,...i,i,i,...ckplx587ezh4hmuuu!!!ah,hhh,222,sss,66-6...778900,0,pppppppppppppp....2,3,4,5,...zhhhhhhhhhhh...
Deshi ende të shkruante, mirëpo në atë moment u kthye babi, i cili kur e vërejti Albin, e pyeti:
- Ç’bënë ashtu, pëllumbi i babit?!
- Po shkruaj si ti babi! – ia ktheu Albi.
- Çfarë ke shkruar syrrushi im?
- Kam shkruar një vjershë, babi! – ia ktheu me të shpejt, dhe plot krenari Albi.
Babi qeshi i gëzuar, dhe ia ktheu:
- Të pastë, babi!
- Babi, babi, të lutem dërgoje vjershën time në gazetë!
Babai buzëqeshi, ia përkëdheli flokët dhe i premtoi Albit, se vjershën do ta botojë në gazetë... Në fytyrën e Albit u duk hareja dhe i gëzuar vazhdoi lojën me trenin elektrik...
1985
BABI, SHKRUAJ DIÇKA PËR MUA.
Babi rri në dhomë dhe me laps shkruan diçka në fletore...
Albi, duke ngarendur nëpër dhomë e pengon babin, sikur lodron mbi kokën e tij.
- Babi, çka po bënë kështu?
- Po mundohem të shkruaj diçka për gazetë, biri im!
- Mirë babi!
- Mirë, por ti më pengon. Nga ngarendjet tua, më ik frymëzimi dhe nuk mund të shkruaj!
- Të tregoj unë, babi!
- Çfarë më tregon ti, Albi?
- Ja, shkruaj për mua, babi!
Babi vuri buzën në gaz dhe në fletoren e vet, vërtet shkroi për Albin.
Albi mori arushën, lodrat e veta të preferuara dhe i gëzuar, vazhdoi me ngarendjen prapë të vraponte nëpër dhomë...
P A J T I M I
- Mami, pse rri e mërzitur?
- Ma dhemb paksa koka!
- Albi, më sjell "Rilindjen"!
- Pse nuk ia kërkon mamit?
Mami e babi heshtën... Albi e shikoi një herë mamin e pastaj edhe babin.
Pas kësaj heshtjeje, Albi i drejtohet babit:
- Babi, ti më pate thënë se me shokët e shoqet nuk duhet të mos flasim.
- Po, ashtu, biri i babit!
- Po ti pse nuk flet me shoqen tënde?
Babi qeshi. Qeshi edhe mami. Babi i kërkoi mamit gazetën. Ajo ia solli.
Albi i gëzuar i hypi fshesës edhe filloi të "kalurojë" nëpër dhomë . . .
ATË NATË E PAU SKËNDERBEUN N’ËNDËRR
Albi i vogël, mori abetaren e së motrës. Në faqen e parë pa fotografinë e Skënderbeut. Menjëherë e njohu, sepse e kishte parë disa herë në televizor.
- Mami, mami!
- Urdhëro Albi!
- A ka ngrënë bukë Skënderbeu?
- Po si jo, sikur ti Albi!
- A ka fjetur Skënderbeu, mami?
- Shumë më pak se ti, Albi!
- Po fëmijë, a ka pasur Skënderbeu?
- Po, si unë ty!
- I ka dashur ai fëmijët, mami?
- I ka dashur, bile i ka dashur shumë!
Edhe shumë pyetje të tjera, Albi i vogël i bëri së ëmës për Skënderbeun, derisa nuk e mori gjumi i parë.
Atë natë Albi e kishte parë Skënderbeun në ëndërr.
ALBI I PANGOPUR
- Mami, më jep pak bukë?
Mami i jep Albit bukë, kurse ai me të shpejtë del në oborr.
Dhe prapë:
- Mami, më jep edhe pak bukë?
Mami i jep bukë prapë, ndërsa ai si shigjetë ik në oborr...
Dhe prapë:
- Mami, më jep vetëm edhe pakëz bukë?
- Ç'je duke bërë me bukë, pëllumbi im?
- Mami, sot më hahet shumë buka!
Mami lëvizi me kokë e hutuar.
- Mami, mami! Genci ka një qen!
Mami, e kënaqur, i dha Albit sërish bukë...
GJYSH, KUSH T’I KRIPOSI FAQET?
Gjyshi ujiste lulet në kopsht. Albi ngarendte pas fluturave të kuqe e të larme... Faqet i ishin skuqur e bërë prush. Dikur gjyshi ulet të pushojë nën hije të dardhës. Në prehër i ulet Albi. Albi e puthë gjyshin në të dy faqet, pastaj papritmas pështyn në bar.
- Ç’ke Albi? - e pyeti gjyshi.
- Gjysh, kush t’i kriposi faqet?
Gjyshi përdredhi mustaqet e bardha, iku te kroi dhe i lau faqet me ujë të freskët për ta larguar djersën...
Albi pastaj e puthi edhe disa herë me kënaqësi të madhe.
TË KEMI LËPIRË SHEQERIN
Në dhomë të gjithë shikonin televizorin. Fitorja luante me kukullën që ia kishte blerë mami për ditëlindje. Albin e vogël e merrte herë gjyshi, herë gjyshja, herë mami dhe herë-herë babi, duke e puthur e përkëdhelur me dashuri...
- Gjyshe, gjyshe!
- Urdhëro, Fitore!
- Kë do më shumë, mua apo Albin?!
- Ty të kam shpirt, kurse Albin xhan!
- Jo gjyshe, jo! Ti Albin e do më shumë se mua. Atë e puth më shpesh, kurse mua shumë rrallë.
- Bija e gjyshes, ty të kam puthur aq shumë, saqë nga puthjet e shumta, ta kam lëpirë krejt sheqerin!
Sakaq Fitorja iku në kuzhinë. Lyu shpejt e shpejt faqet me sheqer, pastaj u kthye në dhomë.
- Ja gjyshe, edhe unë tani jam gjithë sheqer!
Fitoren pastaj e puthën të gjithë me radhë, ndërsa gjyshja ia fshiu sheqerin nga faqet...
MUA MA BLEU GJYSHJA
Albi doli mbrapa ndërtesës me shokë e shoqe.
- Albi, paske kapelë të re?
- Po, Artan!
- I ndërrojmë?
- Me çka, Artan?
- Unë të jap trotinetin, e ti mua - kapelën.
- Jo, nuk dua, Artan!
- Je i marrë, Albi? A kushton më shtrenjtë kapela apo trotineti? – e pxeti Artani.
- Trotineti!
- Atëherë? – shtoi Artani.
- Nuk dua!
- E pse nuk do?
- Sepse, kapelën ma ka blerë gjyshja për ditëlindje!
Artani me shokë e shoqe e miratuan mendimin e Albit dhe vazhduan të luajnë me top . . .
MAMI, MIZA MË THERI ME GJILPËRËN.
Albi hante kokrrat e ëmbla të kalaveshit të bardhë të rrushit, derisa mami përgatiste drekën. Papritmas bërtiti dhe zuri të qajë me të madhe:
- Kuku, mami!
Mëma, e frikësuar, u kthye me nxitim nga Albi:
- Çfarë të ndodhi, biri i mamit?
- Mami, mami! – belbëzonte Albi. – Ajo, miza më theri me gjilpërë! – i tha duke ia treguar atë me gishtin tregues.
Mami vërejti bletën duke fluturuar. Me të shpejtë nxori nga frigoriferi një copë akull dhe ia fërkoi Albit vendin në dorë, ku e kishte ngrënë bleta.
Albit dhimbja iu tret në sarajin e vet...
BABI, ATËHERË , MUA MË HAHEN MOLLËT.
Pasi hëngrën drekën, mami e pastroi tavolinën. Edhe Albi i pastroi duart në lavabo dhe u kthye në dhomë. Ndejti sa ndejti mbi minder, pastaj u ul në prehrin e babit dhe ia lidhi dy duart rreth qafe.
- Babi, babi!
- Urdhëro, shpirt!
- Të hahen tash mollët?
- Po ty, Albi?
- Mua jo, babi!
- As mua Albi! – ia ktheu babi i painteresuar.
- Atëherë babi, mua më hahen! - ia ktheu Albi.
Në dhomë plasi gazi e dhoma u mbush me të qeshura.
Gjyshja doli në kuzhinë dhe ia qëroi një mollë të kuqe Albit.
GJYSH, A NUK JAM UNË TRIM?
Halla i solli Albit një qese me biskota, të cilat ia bleu në vetëshërbim. Albi zuri t’i hajë me shije. Së pari e hëngri një luan, pastaj me të shpejtë një ujk e në fund, me lezet e kallofiti edhe një dhelpër.
- Gjysh, a nuk jam unë trim?
- Pse Albi?
- Si pse, gjysh? Kam ngrën një luan të madh me dhëmbët si sharrë, një ujk të rrezikshëm, e besa edhe një dhelpër, si thua ti, dinake.
Halla e mami qeshën.
- Që të bëhesh trim, duhet t’i hashë së paku edhe tri biskota! – ia ktheu gjyshi. Albi shpejt e shpejt i hëngri edhe tri biskota.
- Tani je trim, Albi!
Albi, në shenjë ngadhënjimi, ngriti grushtin lart . . .
UJKU NË QIELL
Albi luante në oborr me Laroshin. Papandehur shikoi nga qielli. U habit. Murmuroi në vete:
- Ujku në qiell?
- Me çfarë shkalle hypi aq lart? - pyeti më vete.
- Larosh, e sheh ti ujkun në qiell?
Laroshi duke i ngritur veshët lart e duke lëvizur bishtin i hodhi një shikim Albit. Albi vrapoi në dhomë për t'i treguar babit. I mbushur frymë, i tha babait me të shpejtë:
- Babi, babi, ujku në qiell!
- Jo, biri i babit, ujku jeton në male! - ia ktheu babi për t'ia ndërprerë pyetjet e tjera.
- Po, babi, Po! Unë e Laroshi e pamë ujkun në qiell! Nuk më beson? Eja ta shohësh sa i bukur që është! Eja, eja babi të lutem!
Babi e mori Albin për dore dhe së bashku dolën në oborr.
- Ku është ujku Albi?
- Në qiell, babi!
Që të tre, edhe ai, edhe Albi edhe Laroshi, shikuan nga qielli.
- Shih, tani u bë arushë!
Babi shikonte renë e murme se si lëvizte lehtas qiellit.
Albi vazhdoi për ta hapur pusin...
QËNDRESA NUK BURGOSET KURRË
Si shumë fëmijë të tjerë, edhe Besartit të vogël babai iu gjend në burg, si i burgosur politik.
Pasi u kthye nga shkolla, Besarti i kreu detyrat e shtëpisë, ra për të pushuar.
Në dhomë, ndodhej e ëma dhe e motra.
E shikonin me kujdes dhe me mall. Sa ëmbël dhe sa qetë flinte.
Për një moment, Besarti filloi t’i lëvizë duart, herë si duke lëmuar diç, herë sikur tërhiqte diç pranë vetest. Në fund sikur puthi diç, disa herë aq me afsh...
E ëma vërejti, dhe lehtas e zgjoi nga gjumi:
- Besart! Besart! Zgjohu!
Besarti i hapi sytë e kaltërt si Deti Adriatik. Faqeve të skuqura, i rrëshqitën dy pika loti të kristaltë...
E ëma dhembjen e fshehu në kutinë e nusërisë.
Besarti i vogël pastaj i tregoi të ëmës se e kishte parë babain në ëndërr, se ishte kthyer nga burgu, dhe se e puthte me ëndje deri në pambarim...
E motra ia zgjati revistën letrare për fëmijë “FILIZAT”, ku në faqen e dhjetë, i ishte botuar vjersha kushtuar babait.
Në ballin e Besartit të vogël, u shfaq guximi. Ngriti grushtin lart dhe i tha të ëmës dhe të motrës:
Qëndresa nuk burgoset kurrë!
1992
Për një moment, Besarti filloi t’i lëvizë duart, herë si duke lëmuar diç, herë sikur tërhiqte diç pranë vetest. Në fund sikur puthi diç, disa herë aq me afsh...
E ëma vërejti, dhe lehtas e zgjoi nga gjumi:
- Besart! Besart! Zgjohu!
Besarti i hapi sytë e kaltërt si Deti Adriatik. Faqeve të skuqura, i rrëshqitën dy pika loti të kristaltë...
E ëma dhembjen e fshehu në kutinë e nusërisë.
Besarti i vogël pastaj i tregoi të ëmës se e kishte parë babain në ëndërr, se ishte kthyer nga burgu, dhe se e puthte me ëndje deri në pambarim...
E motra ia zgjati revistën letrare për fëmijë “FILIZAT”, ku në faqen e dhjetë, i ishte botuar vjersha kushtuar babait.
Në ballin e Besartit të vogël, u shfaq guximi. Ngriti grushtin lart dhe i tha të ëmës dhe të motrës:
Qëndresa nuk burgoset kurrë!
1992
BABI IM QUHET BABI
Albi rrinte para portës së shtëpisë, dhe me një thupër i mëshonte asfaltit pa ndërprerë.
- Hej ti vogëlush, si e ke emrin?
- Unë?
- Po, po, ti syrrush!
- Albi!
- E gëzofsh! Po, i kujt je ti!
- I babit!
- I babit?! Po, si quhet babi yt?
- Babi im quhet... quhet - babi! – iu gjegj Albi.
Albi vazhdoi t’i binte asfaltit me thupër.
Kalimtari i panjohur qeshi. Në ballin e tij sikur lindi një ylber. Albi, e kishte kthyer në kohën e fëmijërisë...
Albi rrinte para portës së shtëpisë, dhe me një thupër i mëshonte asfaltit pa ndërprerë.
- Hej ti vogëlush, si e ke emrin?
- Unë?
- Po, po, ti syrrush!
- Albi!
- E gëzofsh! Po, i kujt je ti!
- I babit!
- I babit?! Po, si quhet babi yt?
- Babi im quhet... quhet - babi! – iu gjegj Albi.
Albi vazhdoi t’i binte asfaltit me thupër.
Kalimtari i panjohur qeshi. Në ballin e tij sikur lindi një ylber. Albi, e kishte kthyer në kohën e fëmijërisë...
SI NUMËRON FITORJA
Pas darke kishte ardhur tezja e Fitorës, për të vizituar Albin, i cili ishte ftohur dhe kishte temperaturë. Tezja e mori Fitorën në prehër dhe kohë pas kohe bisedonte me nënën e saj.
- Teze, teze! – thirri Fitorja.
- Urdhëro, drenusha e tezës!
- Unë di të numroj!
- Vërtet?
- Po, teze!
- Hajde, shpirt i tezës të të shoh!
- Ja: një, dy, tre, katër, pesë!
- E më tutje, pëllumbesha e tezës?
- Më tutje nuk më duhet!
- Pse nuk të duhet?
- Ashtu, nuk më duhet. Unë nuk ha më shumër se pesë sheqerka, nuk ha bukë më shumë se pesë herë në ditë . . . Pastaj, nuk dua të më japin më tepër se pesë monedha.
Plasi gazi. Tezja nxori nga çanta pesë monedha dhe ia dha Fitorës. Fitorja i futi në xhepin e fustanit me flutura të kuqe ...
ËNDRRA NËN HIJEN E MOLLËS
Kur u kthye Albi në shtëpi, mamin nuk e gjeti aty. Ajo kishte shkuar në vetëshërbim për të blerë ca gjëra. Kot u mundua Albi ta çilte derën e shtëpisë... Pastaj shkoi në kopsht. U shtri nën hijen e një molle. Albi pastaj hëngri një pjatë të madhe me qebapa. Hëngri edhe pesë samuna të nxehtë, si dhe një qyp me reçel dhe çka tjetër nuk hëngri...
Pastaj piu një kovë të madhe limonatë. Hëngri një shportë rrush të kuq. Deshi të kapërdijë një tepsi me ëmbëlsira... Në atë moment nga vetëshërbimi u kthye e ëma.
E zgjoi nga gjumi.
Ëndërra e Albit u tret në sarajin e blertë...
Për ditëlindje mami ia bleu Fitorës një kukull që qeshte e qante, posa ta prekje në stomak.
Mirëpo, pas ndonjë muaji, kukulla e Fitores nuk qante e as nuk qeshte më.
- Mami, mami!- Urdhëro, shpirti i mamit!
- Më është sëmuar kukulla!
- Çfarë e ka gjetur, pëllumbesha e mamit?
- Nuk di mami, por as nuk qesh, as nuk qan më!
- E ç’të bëjmë tani, bija e mamit?
- Ta dërgojmë te mjeku, mami. Mjeku me siguri do të dijë çfarë ka kukulla ime e bukur!
Mami vuri buzën në gaz. U ngrit nga minderi, mori nga kutia bateritë. Me lehtësi ia ndërroi kukullës.
Fitorja e mori në përqafim.
Kukulla filloi të qeshë e të qajë. Fitorja i lidhi duart për këmbët e nënës...
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen