Freitag, 19. Juli 2013

Gazetaret femra shqiptare në diasporë


Kush janë gazetaret
femra shqiptare
në SHBA dhe Diasporë


Nga Sevasti Qiriazi, Albana Lifschin, Elida Buçpapaj deri tek gazetaret e VOA-s

Nga Raimonda MOISIU

Diaspora shqiptare vazhdon përpjekjet për të njehsuar identitetin kombëtar në formë e përmbajtje me barasvlerën e vlerave kombëtare mes gamës së gjerë të kulturave dhe komuniteteve të ndryshme në shoqërinë demokratike amerikane -multikulturore. Nevoja për zërat e kulturave të ndryshme është bindëse dhe domosdoshmëri e komunikimit të tyre,  si shprehi të humanizmit thelbësor dhe pikëpamjes teorike se raca, kultura, etnia në shoqërinë demokratike nuk janë variabla të jashtëme, por më tepër tipare të qenësishme në procesin e vazhdueshëm të integrimit të tyre dhe pjesëmarrjes në jetën social-kulturore dhe diskursit politik. Me këtë rast dua të sjell pasqyrën freskuese dhe  zërin e shpirtit femëror, intektual e krijues,vetëdijen e cilësive shpirtërore të gruas shqiptaro-amerikane me vizionin, pozitën dhe historinë e saj,-dhe jo vetëm kaq-por e bukur dhe unike. Veçmas arritjeve të ndjeshme, të prekëshme e të realizueshme, domethënies kulturore nga koha në kohë dhe ndryshimin brenda konteksteve social-ekonomike-kulturore dhe politike në ambient e tolerancës për diversitet, për të qenë e barabartë mes të barabartëve dhe për të arritur qëllimin e përbashkët, – dinjitet e mundësi të barabarta me diversitetin e pasur multikulturor dhe pluralist. Si kurrë më parë gruaja shqiptaro-amerikane ka më shumë hapësirë mes zërave të ndryshëm multicanionalë, si ajo të arrijë ëndrrën dhe shpresën ende e papërmbushur në vlerën e diversitetit, për të ndërtuar urat e mundësitë me punën dhe kontributin e saj krijues, qytetar e intelektual, që nëkupton të vërtetën e madhe se brenda forcës së krahëve e duarve, mendjes e dijes, ka perspektiva të ndryshme nga perspektivat e shumicës. Sot Diaspora Shqiptare ndjehet krenare që ka në gjirin e saj gra intelektuale tashmë të afirmuar; shkrimtare e poete, publiciste e politikane, piktore e pedagoge, artiste me emër e famë, veprimtare dhe aktiviste të çështjes kombëtare, patriote e adhuruese të artit në përgjithësi, që i shërbejnë qëllimit të universit së të drejtave të komunitetit shqiptar në një status të barabartë me botën e qytetëruar amerikane, vazhdimësisë e përjetësimit të traditës, kulturës, gjuhës shqipe, historisë, letrave shqipe, ashtu sikundër kanë bërë paraardhësit, në ecje me kohën e kanë dëshmuar potencialin e tyre intelektual, dijet, aftësitë krijuese, talentin e mrekullueshëm, vlerat dhe virtytet e tyre. Ato janë heroinat e heshtura me penë, që pavarësisht mundësive që ofron Amerika, ato përballen me vështirësitë që hasen në emigracion dhe  kontributi i tyre është më tepër angazhim vullnetar ekstra prej punës e obligimive të ndryshme familjare e ekonomike. Ato i shërbejnë, jo vetëm pretendimit legjitim për dinjitet e mundësi të barabarta mes kulturave të tjera në tokën amerikane, në Diasporë, por edhe atdheut tonë e gjithë trevave shqiptare të Shqipërisë etnike, -kombit shqiptar. Kjo është ndjenjë atdhetarie dhe qytetarie e veçantë, për t’ju lënë brezave të ardhshëm, koloritin e çmuar të vlerave kombëtare e bëjnë historinë. Dhe nuk ka gjë më të madhërishme se t’i shërbesh çështjes kombëtare, të integrosh kulturën dhe artin, emrin e mirë të shqiptarit, identitetin kombëtar, në tokën e huaj, ta bësh pjesë të kulturave të ndryshme në Amerikën multikulturore dhe në botë. Fusha e komunikimit në gazetarinë shqiptaro-amerikane në kohët e hershme ka qënë e dominuar nga zërat mashkullorë.
Sipas disa hulumtimeve zbulova disa të dhëna të vakëta, por domethënëse, rreth tre vajzave shqiptaro -amerikane, që së bashku me Sevasti Qiriazin, kanë shkruar disa poezi e shkrime publicistike në dekadat e para të shekullit të XX-të, përkatësisht në revistat “Përparimi” , 1917-ë dhe “Kalendar i Botës” e vitit 1938-të, rubrika kulturë e aktualitet. Njëra prej tyre është Vasiliqi Elia, e bija e Thoma Kondit nga Korça e lindur në Athinë dhe e emigruar në SHBA-ës,  që fëmijë. Ajo ka shkruar në greqisht dhe anglisht. Tjetra është një vajzë nga Vithkuqi i Korcës-e quajtur Bara e rrëmbyer nga një grek dhe e shitur në Boston një tregëtari me origjinë greke, i cili e mbajti grua që në moshën 13 vjeçe dhe kur ajo u bë 18 vjeçe, e divorcoi. Me ndihmën e Sevasti Qiriazit fitoi gjyqin duke i marrë edhe pjesën e pasurisë.Filloi të shkruajë në revistën “Përparimi” jetën e saj.E treta është gruaja Antoneta Limoni, e bija e Tasi dhe Thomaidha Limoni nga Shën Mërtiri. Do të më duhet të sjell në kujtesë edhe amerikanen Sara Panariti, gruaja e botuesit të gazetës më të vjetër shqiptare në Amerikë dhe botën shqiptare, “Dielli”, -Qerim Panaritit.
Në arkivin e “CNN” dhe “Zërit të Amerikës”, një vend të veçantë zë edhe profili i gazetares, publicistes dhe intelektuales së shquar shqiptare, -Nexhmije Zajmi, -e cila bëri emër në median amerikane. Shumë personalitete të njohura të medias amerikane e përmendin herë pas here kontributin e reporteres e gazetares shqiptare, që për asnjë çast nuk u tërhoq nga rruga e saj, nga angazhimi në shërbim të çështjes shqiptare dhe shqiptarizmës. Ndër kujtimet, shkrimet e artikujt e shkruar prej saj, që ruhen nga i biri, fakte tejet domethënëse dhe me shumë vlerë, përvec mbresave dhe kujtimeve, ajo veçon konsideratat që senatorë e kongresmenë amerikanë shfaqnin hapur për kulturën, aftësitë diplomatike dhe inteligjencën e diplomatit shqiptar, Faik Konica. Ajo është ndër personalitet shqiptare që ka marrë me dhjetëra dekorata nga institucionet ndërkombëtare, nga shoqëria amerikane e veteranëve të luftës “American Legion”, titullin e nderit “Komandante e Kryqit Italian”, “Medaljen e Mirënjohjes” nga presidenti i SHBA-së, Franklin Delano Rusvelt. Ajo ka qënë zv/presidente e Vatrës në mes vitet ’80, kryetare për degët e NYork & NJersey. Është autore e librit “Daughter of the Eagel” (Bija e Shqipes”.)
Në mesin e komunitetit të gazetareve shqiptaro-amerikane të njohura dhe me influencë tashmë në median amerikane, ndërkombëtare, dhe kombëtare, janë gazetaret e institucionit të transmetimit, një nga pesë transmetuesit ndërkombëtarë që operon në 43 gjuhë të botës,- Zëri i Amerikës. Ato janë; Isabela Cocoli, Laura Konda, Mirela Milori, Rudina Dervishi, Ardita Dunellari e Keida Kostreci, -të cilat nëpërmjet programeve në gjuhën shqipe promovojnë lirinë dhe vlerat e demokracisë amerikane, mbajnë audiencën shqiptaro-amerikane, botën shqiptare ngado, të mirëinformuar me ndryshimet social –ekonomike, politike e kulturore, proceset demokratike, ngjarjet historike e aktuale, brenda e jashtë trojeve shqiptare.
Shkrimtarja Rozi Theohari është gazetare profesioniste dhe publiciste mjaft prodhimtare dhe e spikatur në gazetarinë e hershme shqiptare, me një karrierë brilante në shtypin shqiptar, më pas e deri më sot në Diasporë. Krijimtaria e saj karakterizohet nga një gjuhë e pastër, rëndësia, përkushtimi që ajo u kushton ngjarjeve dhe mbresave historike, për të cilat vendos të shkruajë, përshkrimin me ndjenjë e profesionalizëm, janë disa nga pikat e forta në publicistikën e saj. Pena e saj publicistike mjaft e njohur me editoriale, reportazhe, esse, opinione e kolumnat e saj në shtypin shqiptar në Shqipëri, në gazetën Dielli, Iliria, revista “Kuvendi, në SHBA-ës, Fjala e Lirë, Londër, paraqesin Amerikën në dy plane, si -Vendi i Lirisë e i demokracisë i mbështetur në ligje të palëkundshme dhe vendi i mijëra emigrantëve shqiptarë. Në vazhdën e traditës Rozi Theohari, në raport me vitet dhe me epokën, nuk rresht së shkruari, sjell të gjalla ëndrrat, shpresat, kontributin, veprat, idetë e shqiptarëve të parë të vendosur në Boston – e quajtur ndryshe-Rilindja Kombëtare- të Nolit e Konicës, Qerim Panaritit e Sotir Pecit,Josif e Vasil Pani, Goni Katundi dhe Kol Tromara, Anthony Athanas, Kristaq Trebicka e At Arthur Liolini, Kosovës e Camërisë, të shqiptarëve të vjetër e të rinj që jetojnë e punojnë në Boston. Ajo manifeston talent, energji, vullnet dhe ndjenja thellësisht humane. Shkrimtarja e publicistja Rozi Theohari, autore e dhjetëra librave në publicistikë, prozë e poezi, e përkthyer në gjuhën angleze dhe e vlerësuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare si Pena e Artë dhe çmimi ndërkombëtar i nderit “Naji Naaman Literary Award”.

Albana Mëlyshi -Lifschin, një nga pionieret e para të gazetarisë shqiptare–femra. Diplomohet në vitin 1973, në Universitetin e Tiranës. Fillimisht punoi tek gazeta “Zëri i Rinisë” dhe në vitin 1977-ë, në (TVSH) punoi si gazetare dhe përgjegjëse e redaksisë për moshat shkollore, deri në vitin 1992, para largimit në Nju Jork. Në vitin 2001, mbaron studimet në Universitetin prestigjioz të Nju Jorkut (NYU). Është bashkëpunëtorja më e vjetër e gazetës shqiptaro-amerikane “Iliria”, e ka filluar bashkëpunimin me këtë gazetë që në dhjetor të vitit 1992, me reportazhe, opinione, esse, këndvështrime letrare dhe shkrimeve publicistike. Ka më shumë se një dekadë që mban rubrikën e përjavshme në ndihmë të emigrantëve;“Çështje të emigracionit”. E vlerësuar nga Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave në New York, për kontributin e saj si gazetare e karrierës  me “Certificate of Achivement”, dhe Shoqata e grave shqiptaro-amerikane e mirënjohur “Motrat Qiriazi” e ka vlerësuar si “Gruaja e Vitit”. Shkrimtarja dhe gazetarja Lifschin, ka shkruar librin dokumentar në anglisht dhe shqip “Children of Kosova –stories of horror”(Fëmijët e Kosovës-histori tmerri) për ngjarjet e vitit 1999, genocidit të popullsisë kosovare nga regjimi i Milosheviçit. Libri u vlerësua nga Bordi i Arsimit i Nju Jorkut, si tekst shkollor për studimet sociale. Gjithashtu libri i është dhuruar edhe ish presidentit Bill Klinton, në një takim që Albana pati me të. Është autore e dhjetra librave në poezi, prozë e publicistikë, në shqip e gjuhën angleze, e vlerësuar me çmime dhe me audiencë të admirueshme lexuesish në botën amerikane e shqiptare.
Poetja dhe publicistja Merita Bajraktari –McCormack-arritjet dhe eksperiencat e saj studimore, akademike dhe profesionale janë të nivelit të admirueshem. Kontribuese në shtypin shqiptar të Diasporës, veçmas të gazeta “Dielli”, dhe në Shqipëri, Itali, dhe Kroaci,  me artikuj, kolona, analiza letrare e sociale dhe shkrime publicistike. Merita është shkrimtarja e zgjedhur dhe e vetmja nga mëmëdheu ynë, mes 130 e ca kombeve që marrin pjesë nga Leëis Carroll Society of North America, për të kërkuar e shkruar mbi historinë 150 vjeçare të librave “Liza në botën e çudirave” me rastin e botimit të vëllimit të parë nga Lewis Caroll. Ajo është edhe një aktiviste e shquar e çështjes kombëtare. Presidente e Degës së Vatrës për zonën e Washington DC dhe shteteve përreth. Dega e Vatrës në këtë zonë u krijua për herë të parë në historinë shekullore të Vatrës dhe shënoi rigjallërimin e Federatës Pan Shqiptare të Amerikës. Kontaktet e para janë rivendosur me Institucionet qeveritare amerikane dhe organizata të ndryshme që kanë të bëjnë me Kombin Shqiptar. Në bibliotekën e Kongresit Amerikan krijimi i seksionit shqiptar dhe ndarja nga seksioni sllavik i atribohet kontributit të Degës dhe Meritës, për këmbënguljen sistematike e profesionale dhe veprimtarive të shumta në divizionin Europian. Objektivat e Degës janë vendosja e statujës së Nënë Terezës dhe Skënderbeut në kryeqytetin amerikan dhe mbështetja e brezit të ri shqiptaro-amerikan për të vazhduar misionin urëlidhës mes dy kombeve. Është autore e disa librave me poezi, tregime dhe publicistikë në shqip e gjuhën e angleze, pena krijuese e saj dallon mes letrave shqipe e çështjes kombëtare.
Në prag të rrëzimit të diktaturës, korrespondentja e parë grua nga Tirana që do të informonte nëpërmjet Radios “Zëri i Amerikës”, do të ishte poetja, publicistja, analistja dhe përkthyesja Elida Buçpapaj -bija e vetme e poetit e publicistit të persekutuar nga regjimi –të shquarit e të paharruarit Vehbi Skënderi. Elida Buçpapaj është diplomuar në universitetin e Tiranës për Gjuhë –Letërsi, shkrimet e para filloi t’i botojë në shtypin e postdiktaturës, si te gazetat Atdheu, Kosova, Rilindja Demokratike dhe Tribuna Demokratike. Gazetare profesioniste me aktivitet për më se dy dekada në Diasporë dhe 22 vjecar në shtypin shqiptar e atë shqiptaro-amerikan. Korrespondente, redaktore, editore, freelancer, autore, kolumniste – tek Zëri i Amerikës, tek Rilindja Demokratike, Zëri i Rinisë, Republika, Revista RTSH, dhjetë vjet editorialiste tek Bota Sot. Prej 5 vitesh së bashku me bashkëshortin e saj publicistin dhe shkrimtarin, Skënder Bu 135papaj, janë editorë të portalit Voice of Albania. Po ashtu Edlira është bashkëpunëtore e rregullt me gazetën më të vjetër në Amerikë, Dielli -dhe gazetat e platformat në Diasporë. Ka të botuara mijra faqe publicistikë në gazetarinë shqiptare dhe atë shqiptaro-amerikane. Elida Buçpapaj ka lëvruar e vazhdon të lëvrojë me sukses pothuaj të gjitha zhanret e shkrimeve publicistike dhe letrare, që nga kronika, reportazhi, përshkrimi e deri tek analizat, komentet, replikat etj. Jep kontributin e saj tek Bota Sot si redaktore-kolumniste, duke mbuluar rubrikën e politikës, aktualitetin dhe kulturën. Autore prodhimtare dhe njohëse në mënyrë perfekte e katër gjuhëve të huaja anglisht, frëngjisht, gjermanisht dhe italisht, duke përkthyer në shqip majat e poezisë botërore. Autore e dhjetra librave në zhanret e poezisë, prozë, publicistikë e përkthimit dhe e vlerësuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare.

Poetja dhe publicistja Iliriana Sulkuqi me urtësinë e mençurinë, madhështinë që e karakterizon  për nga krijimtaria dhe personaliteti i saj, jeton midis New York-ut dhe Shqipërisë, mes poezisë e gazetarisë, ajo nuk ndalet por vargu dhe pena e saj poetike e gazetareske vërshon vrullshëm kudo, në shtypin shqiptar, në Shqipëri, Kosovë, Ballkan, Amerikë,kudo në trojet shqiptare. Gjithkush që lexon publicistikën e Iliriana Sulkuqit befasohet nga forca dhe e vërteta e fjalës së saj, nga ‘vrapimi” i saj për të shkruar e krijuar me mesazhin i virtytit të mirësisë e një shportë sa qielli me dashuri, që e karakterizon këtë perlë të letrave shqipe. Kryeredaktore e revistës tremujore “Pelegrini”, në bashkëpunim me botuesin e saj Nase Jani, bashkëpunëtore e korrespodentr e gazetave në shtypin shqiptar në Shqipëri, Kosovë, Diasporë e SHBA-ës, në gazeta “Iliria”, Fjala e Lirë, Londër etj. Është Nën/kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Autore e dhjetëra librave në poezi e publicistikë, e vlerësuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare dhe e nominuar si Ambasadore e Paqes.
Aida Dismondy-i, e diplomuar Bachelor për gjuhën gjermane në Shqipëri dhe Masterin 2 vjeçar në SHBA-ës, këtë muaj mbaron doktoratën në Jurisprudencë, ajo ka ravijëzuar profilin e saj në Diasporën shqiptare për kontributin, angazhimin shoqëror dhe atë të artit në veçanti, si poete, pikturiste, kritike letrare, publiciste, esseiste, bashkëpunëtore në shtypin shqiptaro-amerikan, përkatësisht te revista “Kuvendi”, gazeta Iliria, Dielli, Fjala e Lirë, Londër, etj. Shkrimet e saj publicistikë kanë paraqitjen e dukshme e të ndjeshme që prekin tema sociale: mbrojtjen e fëmijëve nga abuzimet seksuale dhe dhuna ndaj femrave. Në dokumentarin me temë sociale shfaqur në New York para do kohësh, Aida Dismondy-i bëri një ekspoze të gjendjes; se ku ndodhet gruaja sot, dhunës ndaj saj, ç’po bëhet e ç’duhet bërë, rëndësia e pjesëmarrjes së gruas në jetën aktive, politike e sociale për të garantuar që të drejtat e saj të vazhdojnë të mbrohen.  Aida Dismondy-i si shumë gra krijuese në mërgim, larg atdheut, rrezaton shkëlqimin e vet të brendshëm, vecmas si gazetare e temave sociale.
Elmira Muja, gazetare profesioniste, jeton prej vitesh në West Neë York, New Jersey, USA. Që në moshë fare të re angazhohet në Radio-Kukësi e më pas në Radio–Tirana, gazetare dhe spikere e RTSH, deri në ditën që emigroi. Në Amerikë ajo tashmë është gazetare e medias së shkruar e vizive në shtypin shqiptaro-amerikan, përkatësisht në gazeta Iliria, Dielli, revista Kuvendi, në TV- Albanian Culture i Adem Belliut, në Telegraf, etj., me artikuj të temave të ndryshme nga jeta social –ekonomike- kulturore e politike, analiza, reportazhe, mbulon rubrikën aktualitet dhe të kulturës në Diasporë. Dallohet në veçanti për pasqyrimin në shtypin shqiptar e atë shqiptaro-amerikan të historikut, aktivitetit dhe kontributit  të Organizatës të Grave Shqiptaro-Amerikane “Motrat Qiriazi”.

Mimoza Dajçi, gazetare profesioniste dhe aktiviste e mirënjohur në komunitetin shqiptaro-amerikan. Me artikuj të ndryshëm, shkrime, analiza, opinione, kolumna reportazhe dhe dossier, emrin e saj e has në shtypin shqiptar dhe Diasporë, në gazeta Iliria, Dielli, Kuvendi, në SHBA-ës, e Republika, Rilindja Demokratike në atdhe, Fjala e Lirë Londër etj. Rrëfimet e Mimozës për komunizmin çnjerëzor në Shqipëri janë të vërtetat drithëruese,. Mimoza Dajçi, si përfaqësuese e asaj shtrese të popullsisë së persekutuar më egër nga diktatura, që s’donte të dinte se i përkiste një familje patriotësh me lidhje në trungun mes Isa Buletinit dhe Çerciz Topullit, është konseguente deri në fund në luftën e saj, shprehje e humanizmit njerëzor dhe respektit për viktimat e diktaturës, të cilat ajo i sjell nëpërmjet rubrikës dossier.
Shkrimtarja dhe publicistja, Dr.Yllka Filipi është diplomuar në Universitetin e Tiranës, dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, e specializuar në Degën e Letërsisë dhe ka mbrojtur Master-in dhe Doktoraturën. Shkruan kritikë, publicistikë, poezi, prozë dhe esse. Ka botuar në periodikë të ndryshëm brenda e jashtë Shqipërisë, dhe e vlerësuar nga kritika kombëtare dhe ndërkombëtare si një zë unikal në letërsinë modern shqiptare. Ka mëse dy vjet që është bërë pjesë e komunitetit shqiptaro-amerikan.
Aktualisht jeton dhe punon në New York, ku bashkëpunon midis të tjerash, me gazetën Illyria në New York dhe revistën Kuvendi në Michigan, Tirana Observer, Shqipëri. Është autore e dhjetra vëllimeve me poezi, publicistikë, studimorë dhe prozë, disa prej tyre në gjuhën spanjolle.
Elinda Marku, gruaja krijuese në mërgim, e angazhuar si editore në revistën periodike Kuvendi, së bashku me bashkëshortin e saj, botuesin e kësaj reviste shkrimtari e publicisti Pjetër Jaku. Poete dhe publiciste Elinda e thotë fjalën e saj të guximshme, të thuktë e kryenece, nëpërmjet opinioneve, analiza, replika, komente, por edhe si krijimtari letraro-artistike. Shkruan vazhdimisht në revistën Kuvendi, Fjala e Lirë Londër, Tirana Observer, Shqipëri, Iliria e Dielli, Gazeta Kritika ,-Amerikë. Është autore e disa vëllimeve me poezi dhe publicistika e saj botohet kryesisht te Revista Kuvendi, SHBA. Me revistën Kuvendi bashkëpunon gjithashtu në rubrikat aktualitet e kulturë, edhe gazetarja Alma Prifti.

Publicistja e poetja Julia Gjika-Naci me emigrimin në SHBA-ës, natyrisht në vendin e lirisë e të fjalës , shpalosi talentin krijues përveçse në poezi edhe në publicistikë. Brenda një dekade në Amerikë, ajo na ka dhënë pesëfishin e asaj c’ka krijuar më herët në Shqipëri. Është bashkëpunëtore dhe korrespodente në organet e shtypit shqiptaro-amerikan të Diasporës , si në gazetën Dielli, Iliria, gjithashtu në atdhe, Gazeta Shqip, Korca, etj, në shumë forume, web-site, gazeta dhe lista bashkatdhetarësh online, duke sjellë portrete, reportazhe nga jeta e emigrantëve në Amerikë e më gjerë, tema sociale, kolumniste dhe opinione të ndryshme nga aktualiteti e kultura. Autore e disa vëllimeve me poezi e përkthyer në anglisht, rumanisht dhe polonisht, vëllime në prozë e publicistikë.
Shpresa Vrana- shkrimtare, esseiste dhe publiciste. Aktualisht jeton e punon në Boston, SHBA-ës, Bashkëpunëtore dinjitoze me organet e shtypit në Diasporë, si në gazeta Iliria, Dielli, revista Kuvendi, Fjala e Lirë, Londër e në shumë ëebsite e lista internetike e gazeta të ndryshme në Shqipëri, vecmas në gazetat e Vlorës nga ajo ka edhe origjinën. Autore e librit publicistik “Saga e një Gruaje”, -alegoria e një figuracioni të plotë që udhëton mes rreth treqind faqeve të librit. Autore e disa librave me publicistikë, prozë dhe e qindra- qindra rreshtave esseistike në shtyp.
Këze-Kozeta Zylo, bashkëpunëtore dhe korrespodente në periodikë të ndryshëm të Diasporës, median e shkruar dhe vizive, mbulon rubrikën aktualitet dhe kulturë, me artikuj, shkrime e reportazhe, në gazetat on line, gazeta Iliria, Fjala e Lirë Londër, web-site e lista internetike, dhe operon në rubrikën intervista nëpërmjet TV lokal Albalife disa orësh në javë në State Island,N. Është autore e disa librave me poezi dhe publicistike.
Flutura Zavalina,-Presidente e Organizatës Jofitimprurëse “New Life”, (Jeta e Re) AACO, NY,SHBA. Editore e gazetës “Our Words”, që lindi si domosdoshmëri e kohës dhe është e përjavëshme. Me anë të shkrimeve, komenteve, ngjarjeve historike reportazhe dhe profile historike, qytetare e intelektuale, Flutura sjell nëpërmjet gazetës, jetën e komunitetit shqiptar në Amerikë, Shqipëri, Londër e të shqiptarëve jashtë trungut amë.
Valentina Vila, gazetare televizive e Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës, nën logon ALBTVUSA,Detroit, Michigan, në Departamentin e Informacionit dhe përgatitjes së lajmit,spikere e lajmeve qendrore në këtë televizion. Në stafin e ALBTVUSA, bashkëpunojnë edhe dy gazetare të reja në moshë Blerina Lumaj dhe Manjola Tërshana.
Makfire Maqedonci Canolli, adhuruese e gazetarisë, e ka bërë atë që të jetë bashkëpunëtore dhe moderatore e Radio-Diaspora, në rubrikën’Heroizmi i popullit tonë në shekuj”, dhe -drejtuese e rubrikës “Me krijuesit shqiptarë në Diasporë”, e Radio Projektit e shqiptarëve të Danimarkës, -që operon në Neë York.
Ermira Babamusta,-editore e portalit mediatik online, Prishtina 24 orë, shkruan editoriale në rubrika të ndryshme; politikë, speciale, aktualitet, reportazhe, kulturë, intervista, analiza, koment, replika në gjuhën shqipe dhe angleze. Autore dhe experte në shkencat politike dhe marrëdhëniet me jashtë. Mbështetëse e fortë e fushatës së presidentit amerikan Barak Obama fizikisht dhe me penën e saj publicistike.

Nastila Mano,- gazetare profesioniste e Radio –Korça e Radio ABC, që përcillte me zë nëpërmjet mikrofonit emisionet dhe lajmet, kryesisht në radiofoninë modern, jeton e punon aktualisht në Florida. Është e para gazetare femër që përgatiste dhe drejtonte emisionin sportiv në TV KORÇA, “Energy Sport”, dhe emisionin për rininë “Studio Kontakt”, vendlindje. Por gazetarja simpatike korcare nuk e ka ndërpreë pasionin e saj për gazetarinë edhe në mërgim. Është bashkëpunëtore e gazetës Tirana Observer, Fjala e lirë, Londër, Iliria, Kuvendi, SHBA-ës, në gazetat online, ëebsite e forume bashkatdhetarësh, me një penë gazetarie profesionale, intensive, të suksesshme dhe të admirueshme. Gjithashtu shkrimet e saj në gazetari e publicistikë mund t’i gjeni në rrjetin social Facebook, nën profilin -Nastila’Page.
Dr.Ruki Kondaj,-korrespondente dhe bashkëpunëtore e gazetës Iliria, Dielli, revista Kuvendi, në SHBA-ës, -Fjala e Lirë Londër, Zemra Shqiptare-Europë etj, nëpërmjet opinioneve, komenteve, reportazheve, kryesisht në rubrikat kulturë dhe aktualitet, sjell mbresa dhe moment nga jeta në komunitet. Aktualisht jeton e punon në Kanada, është Presidente e Shoqatës Shqiptaro-kanadeze dhe autore e disa librave studimorë e shkencorë.
Edhe unë autorja e këtij shkrimi, si pjesë e komunitetit të gazetareve femra në Diasporë, -Raimonda Moisiu shkrimtare dhe publiciste, gazetare e pavarur, më lejoni të shtoj disa rreshta rreth veprimtarisë sime publicistike. Kryesisht prej disa dekada jam marrë me krijimtari në lëvrimin e të trejave zhanreve; poezi, publicistikë, prozë, esse dhe kritika letrare. Vlerësime nga kolegë, institucione të ndryshme të medias e shtypit shqiptar e dashamirës të artit e letërsisë, më kanë dhënë kurajon të vazhdoj dhe të ndjehem e motivuar për më tej. Jam autore dhe bashkëpunëtore e dhjetëra vëllimeve me poezi, prozë, esse dhe publicistikë dhe e vlerësuar me mbi dhjetë çmime kombëtare e ballkanike, në Amerikë, Shqipëri, Kosovë dhe Ballkan për poezinë dhe publicistikën. Për kontributin qytetar e intelektual jam nominuar nga Bashkia e qytetit të Hartfordit CT USA, ku unë jetoj me Official Citation si: ”Gruaja e Vitit në komunitet”, dhe që prej vitit 2005 aderoj në Partinë Demokratike Amerikane. Jam bashkëpunëtore e rregullt me statusin e Freelancer( gazetare e pavarur) e gazetës Tirana OBSERVER dhe Albanian Daily News që del në gjuhën angleze, në Shqipëri, Fjala e Lirë, Albanianews, Londër, Iliria, Dielli, revista Kuvendi, SHBA-ës, dhe korrespodente në organe periodikë të ndryshme të shtypit shqiptar online, website dhe lista internetike, në atdhe, Kosovë,Greqi, Kroaci, me shkrime profil, opinione me tema sociale vecmas asaj për dhunën ndaj gruas e fëmijëve, këndvështrime e kritikë letrare, reportazhe, rubrikën altualitet, kulturë dhe intervista. Falë angazhimit tim në publicistikë kam mundur e pasur nderin të njoh e të bashkëpunoj me shumë njerëz me prirje të forta qytetarie e intelektuale dhe të jem e privilegjuar të paraqes gruan publiciste në Diasporë.
Vetë puna dhe shembulli i këtyre grave, janë dëshmi e gjallë e aftësive, kontributit e inteligjencës, sakrilegjit të vetvetes për lirinë e shtypit që mbartin në vetvete ato, -gazetaret që në emër të lirisë së shtypit sakrifikojnë lirinë e tyre dhe përcjellin pjalmin e jetës. Jemi forcë e madhe!

Burimi: TIRANAOBSERVER.AL

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen