Shefqet DIBRANI
Tradita e shkollës shqipe në mërgim
Nga libri: “VIRTYTE E VISARE”
Pothuajse e gjithë tradita e shkollës shqipe lidhet me
mërgimin. Figurat më të shquara shqiptare në fusha të ndryshme të shkencës,
artit dhe pedagogjisë, që për kushtet e pushtimit të vendlindjes nga turqit apo
pushtimet e mëhershme dhe deri tek këto në ditët e sotme, u detyruan ta
zhvillojnë veprimtarinë e tyre krijuese dhe pedagogjike jashtë kufijve etnik të
atdheut dhe me kontributin që dhanë, e përfaqësuan mëmdheun në lëvizjen e madhe
të Rilindjes Evropiane të shek.XV-XVI. Shefqet DIBRANINga këta më të njohurit
janë histografët shqiptarë Marin Barleci dhe Marin Beçikemi në veprat e të
cilëve jepen të dhëna mbi edukatën e asaj kohe në Shqipëri, sistemin e saj,
sidomos për sa i përket edukimit patriotik, ushtarak, fizik e moral. Pastaj na
janë të njohur shkencëtarët dhe pedagogët e shquar Gjon Gazulli dhe Nikollë
L.Tomeu. Gj.Gazulli rrjedh nga familja me tradita patriotike e Gazujve të
Mirëditës. Prej kësaj familje dolën dhe figura të tjera të shquara si Pal dhe
Andrea Gazulli, të cilët, përveç funksioneve të tjera shërbyen si përfaqësues i
Skënderbeut në Raguzë kurse Pal Gazulli qe dhe mësues e rektor i shkollave të
Raguzës. Gjon Gazulli studimet e larta i bëri në Padovë (Itali), në degën e
filozofisë. Nikollë Leonik Tomeu me origjinë nga Durrësi lindi në Venedik, në
një familje arbëreshe që kishte mërguar në Itali për t'u shpëtuar ndjekjeve të
pushtuesve osmanë. Studimet i bëri në Firencë, ku pati pedagog Demetrio
Kalkondilin, u dallua për zgjuarsi. Për aftësit që zotronte u emërua profesor e
më vonë drejtues i katedrës së filozofisë në Universitetin e Padovës.
Popullariteti që kishte fituar si pedagog, tërhoqi studentë nga disa vende të
Evropës, ndërmjet të cilëve edhe Nikolla Kopernikun (1473-1543). Bashkohësit e
tij, në mes të cilëve dhe Erazmi i Roterdamit (1469-1536) e vlerësuan shumë
kontributin e tij në fushën e kulturës dhe të shkencës. Në kushtet e pushtimit
osman, ishte i pamundur zhvillimi i veprimtarisë shkencore-kulturore në tokat e
Arbërit. N.L.Tomeu, ashtu si dhe shumë humanistë të tjerë shqiptarë të mërguar
si Gjon Gazulli, Mikel Maruli, Andrea Aleksi etj. e zhvilluan atë në kuadrin e
Lëvizjës së Rilindjes evropiane, jashtë atdheut, duke dhënë kështu kontribut në
fusha të ndryshme të kësaj lëvizjeje. Mikel Maruli (1453-1500), pas pushtimit
të perandorisë bizantine nga turqit u shperngul nga Kostandinopoja, vendlindja
e tij, dhe u vendos në Itali, ku i ndoqi studimet në Venedik dhe Padovë. Në
Padovë kreu studimet e larta për filozofi. Për veprimtarin e tij u pranua
anëtarë i Akademisë së Napolit. Kësaj plejade i përkasin edhe shumë figura të
tjera që dhanë ndihmesat e tyre në fushën e historisë së arsimit dhe të
mësimdhënies si Gj.Kadumi, Gj.Muzaka, M.Artioti etj. Një nga institucionet
arsimore më të vjetra shqiptare jashtë vendit, e njohur nga bashkëkohësit me
emrin ”Scuola degli albanesi”, (Shkolla e shqiptarëve), e themeluar në Venedik
(Venezia-Itali), nga të mërguarit shqiptarë të atyshëm rreth viteve 1500-1504.
Kjo shkollë ishte kryesisht shkollë zejesh, por aty jepeshin dhe njohuri të
ndryshme. Pranë shkollës funksiononte internati. Shkolla frekuentohej nga
fëmijët e familjeve shqiptare të mërguara dhe të vendosura në Venedik dhe në
Istria. Si tekste mësimi janë përdorur edhe veprat e dy humanistëve shqiptarë
Marin Beçikemi dhe Marin Barleti. I pari ka qenë dhe mësues në këtë shkollë.
Ndërsa shkolla e shqiptarëve, me vlera historike në fushën e artit, u ndërtua
me kontributet e bashkëvëllazërisë të të mërguarve shqiptarë të Venedikut, e
cila ishte mjaft e organizuar në atë kohë. Përveç humanistëve që përmendëm më
lart, në këtë bashkëvëllazëri bënin pjesë edhe humanistë të tjerë si Viktor
Karpaçi (1455-1525), Mark Bazaiti (1460-1530) dhe Nikollë Leonik Tomeu
(1456-1531). Viktor Karpaçi punoi si arkitekt dhe skulptor i ndërtesës të
Shkollës së Shqiptarëve. Ai stolisi fasadat e saj me basorilieve që paraqesin
aspekte të luftës së popullit shqiptar për liri, gjurmët e të cilave kanë
egzistuar deri vonë e që mund të jenë ende edhe sot e kësaj dite. Shkolla e
shqiptarëve e cila u ngrit për nevojat të mërgimtarëve tanë në Republikën e
Venedikut, gjatë kohës së veprimtarisë së vet prej vitit 1442 deri në fund të
shekullit XVIII, jo vetëm që luajti një rol të rëndësishëm në ngitjen e
kuadrove nga më të ndryshmet, por ajo është shquar edhe nga vlerat artistike që
zotëronte godina e saj. Merita të mëdha në këtë aspekt ka pasur Viktor Karpaçi,
një piktor shqiptar nga rrethi i Korçës, i cili pa dyshim qe njëri ndër
artistët më të shquar të Rilindjes Evropiane. Nën mbikëqyrjen e tij është
ngritur shkolla dhe janë dekoruar ballina dhe pjesa e mbrendshme e shkollës së
shqiptarëve gjatë kapërcyellit të shekullit XV dhe fillimit të shekullit XVI.
Vend të veçantë në opusin shumë të pasur të tij zënë pikturat që i bëri për
shkollën e bashkëvëllezërve të tij të cilat ruhen në muzet më të mëdha të
botës. Si shkollë e shek.XVI, ”Scuola dela albanezi”, përveç rëndësisë
historike dhe artistike, ka dhe rëndësi pedagogjike. Mbajtja më këmbë e saj për
shumë kohë, dëshmon se shqiptarët e mërguar duke përbërë një tërsi dhe duke qenë
të organizuar, jo vetëm që ndienin nevojën e hapjes së një institucioni për
edukimin e fëmijëve të tyre, por edhe se trashëgonin njëfarë tradite, se kishin
forca ekonomike, organizative dhe kulturore për ta mbajtur atë. Ajo,
gjithashtu, ka vlerë të veçantë në drejtim të nivelit të zhvillimit të arsimit
profesional të asaj kohe. Më 20 prill 1711, të shtytur dhe ndihmuar nga Papa
shqiptar Klementi XI, hapet në Romë në kuvend te S.Pietroj Montorio një kateder
për gjuhën shqipe e cila përgatiste misionaret katolik qofshin këta edhe të
huaj për të kontribuar vendit tonë. Këtë iniciativ e kanë marrë mësues e freter
shqiptar të përkrahur nga Papa shqiptar Klimenti XI, të cilët kanë përpiluar
gramatikat e para, fjalorë e përkthime dhe librat e duhur. Po kështu, poeti,
pedagogu dhe autori i një varg tekstesh shkollore Jeronim de Rada (1814-1903),
një kohë të gjatë punoi si mësues në Kolegjin e Shën-Adrianit në Shën-Mitër
Koronë (Itali). Gjatë periudhës 1838-1878, De Rada drejtoi gjimnazin klasik
“Garopoli” të Koriliano-Kalabros (Itali). Në saje të përpjekjeve të tij u
formua katedra e gjuhës shqipe pranë Kolegjit të Shën-Adrianit. Gjatë viteve
1849-1852 dhe 1889-1892 De Rada dha aty mësimet e gjuhës shqipe. Kontribut
mjaft të rëndësishëm që zë vend me rëndësi në lëvizjen e arbëreshëve të Italisë
në shek.XIX, kryesisht në fushën e studimeve të gjuhës shqipe si dhe përhapës i
dorëshkrimeve të shkrimtarëve arbëreshë është padyshim Dhimiter Kamarda
(1821-1882). Ky ishte një gjuhëtar i shquar, autor i dy varianteve të alfabetit
të shqipes, problem ky që shqetsonte të gjithë rilindësit tanë. Një figurë
tjetër e shqiptarëve të ngulitur në vende tjera është Elena Gjika (1829-1888),
historiane, publiciste, një nga figurat e shquara që ka kontribuar për
Rilindjen tonë Kombëtare. Në historinë e mendimit pedagogjik shqiptar të
shek.XIX Dora d'Istria zë vend si grua që dha mendime për gjuhën, letërsinë dhe
historinë e Shqipërisë dhe që hartoi projekte për themelimin e institucioneve
arsimore e kulturore dhe të një akademie shqiptare. Kemi të dhëna se Panajot
Kupitori (1821-1881), ishte nga Hidra, mësues i gjuhës shqipe ndër arbëreshët e
Greqisë, pedagog, gjuhëtar, albanolog. Me iniciativën dhe nën drejtimin e tij u
hap një shkollë nate për arbëreshët. Këtu mësimet zhvilloheshin në gjuhën
shqipe. Një figurë tjetër e arbëreshëve të Greqisë është Anastas Kullurioti
(1830-1887) i cili pasi mori arsimin fillor në Kulluri (Salaminë), vendlindja e
tij, të mesmën në Athinë, mërgoi në SHBA, ku vazhdoi studimet e larta. Anastas
Kullurioti udhëhiqej nga parimi që ideja kombëtare shqiptare të shtrihet dhe
ngul rrënjë vetëm me anën e mësimit të gjuhës amtare. Më pas botoi gazetën
“Zëri i Shqipërisë” dhe mjaft libra me rëndësi për kulturën dhe shkollën
shqipe. Shkollë shqipe ndër ngulimet shqiptare në mërgim kemi edhe “Shkollën
Normale” të Shoqërisë “Drita”, institucion arsimor me profil pedagogjik, i
themeluar në Bukuresht më 1892 me iniciativen e shoqërisë “Drita”. Projekti për
ngritjen në Rumani të një shkolle për përgatitjen e mësuesve shqiptarë ishte
rezultat i punës së palodhshme të patriotit Nikolla Naço. Në vitet '80 të
shekullit të XIX, Rumania kishte filluar për vete, organizimin e rrjetit “të të
ashtuquajturave shkolla normale për përgatitjen e mësuesve të fillorës”. Duke
pasur njohje të gjerë në sferat e larta shoqërore e intelektuale rumune, Naçoja
siguroi përkrahjen e tyre për hapjen e një “skoli-mësonjëtore në gjuhën shqipe
në Bukuresht”. Në këtë kohë kolonia shqiptare në Rumani ishte shumë e madhe.
Vetëm në Bukuresht ajo numëronte 3 000 frymë, ndërsa krahina e Vllahisë
strehonte në atë kohë 20 000 shqiptarë. Hapja e një shkolle nga shqiptarët në
mjedisin ku ata banonin ishte kërkesë e kohës. Njoftimi për hapjen e Shkollës
Normale të Shoqërisë “Drita” u bë nga gazeta “Drita” më 24 korrik 1892. Nikolla
Naço, kryetar i shoqërisë “Drita” nënvizonte se është hapur një “...shkollë
normale e epër me internat...”. Kjo shkollë filloi së punuari më 10 maj 1892 në
Bukuresht ku e kishte qendrën dhe vetë Shoqëria “Drita”. Drejtor i shkollës u
caktua Nikolla Naço, kurse “drejtues shkencor-pedagogjik...” akademiku rumun,
Bogdan P.Hazhdeu, personalitet shkencor mjaft i njohur në këtë shtet, i cili
ishte njohës i gjuhës shqipe dhe mik i popullit shqiptar. Shkolla funksiononte
mbi bazën e kursit të parë të gjimnazit (4 klasë), ndiqej nga shqiptarë të
emigruar dhe rumunë, konviktorë dhe të jashtëm. Mësimet jepeshin në gjuhën
shqipe dhe rumune. Si tekste mësimi janë përdorur veprat shqipe të botuara nga
shtypshkronja shqiptare në Bukuresht, siç është psh. rasti i librit “Leçitje
Sqipe”, (1887), kurse mësimi i gramatikës shqipe mbështetej në veprën
“Gramatika e gjuhës shqipe”. (Gramatica limbri albaneze), tekst të cilin Bogdan
P.Hazhdeu e përgatiti posaqërisht për këtë shkollë. Të rinjtë që mbaronin këtë
shkollë fitonin aftësi profesionale për mësues. Në këtë shkollë mësuan edhe
mjaftë figura të shquara të letërsisë kombëtare e ndër ta edhe Mihail
Gramenoja, Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni), Thoma Avrami, Dervish Hima,
Kristo Luarasi, Shahin Kolonja, Jani M.Lehova, Kosta I.Trebicka, Spiro Garo,
Jashar Erbara, Dhimitër Mole, Gjergj Xhamoja etj. Pra në këtë shkollë mësuan
nxënës të ardhur nga Toskëria, Gegëria, Kosova, kolonitë shqiptare etj. të
cilët sipas rregullorës, me të mbaruar shkollën “kanë borç... të venë më çdo
anë që i dërgon qiveri i Shoqërisë”. Ata “do të dërgohen me hargçin
(shpenzimet) e Shoqërisë, mësonjëtorë në Shqipëri e Kosovë, në (kolonitë
shqiptare), Bullgari, Serbi, Mali i Zi, Greqi, Rusi, Itali dhe Austro-Ungari,
të hapin skoli shqipe...”. Shkolla Normale e Shoqërisë “Drita” u ngrit në një
periudhë kohe kur nevoja për mësues ndihej e madhe kudo në vendet e Ballkanit.
Shkolla u mbyll më 1899. Ky njoftim merret vesh nga një letër e Mark Hilës,
babait të Hil Mosit, që mban datën 9 maj 1899, nga Stambolli. Një shkollë
tjetër me rëndësi ndër ngulimet shqiptare të Arbëneshit, lagje periferike e
qytetit Zara të Dalmacisë, është Shkolla Normale e cila funksionoi në vitet e
para të shek.XX që ndiqej nga djem dhe vajza të Arbëneshit. Gjuha shqipe në këtë
shkollë u fut me kërkesën e banorëve të Arbëneshit, që donin t'u mësonin
fëmijëve gjuhën amtare përmes mësuesve shqiptarë dhe teksteve në gjuhën shqipe.
Në vitet e para të përfshirjes së gjuhës shqipe në planin mësimor të kësaj
shkolle këtë lëndë e dha Konstantin Shtjefën Gjeçovi (1906). Dhënja e gjuhës
shqipe këtu u zhvillua në një atmosferë kontradiktash politike. Ndjekja e
mësimit nga dhjetëra vajza e djem ndihmoi në njohjen dhe përpunimin e gjuhës
amtare tek arbëneshët e kësaj zone në atë periudhë.
Marrë na GAZETAKRFITIKA.NET
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen