Montag, 15. Juli 2013

Fakete Rexha: Nënë, unë po mërzitem.


Fakete Rexha

NËNË, UNË PO MËRZITEM

Rrezet e diellit depërtojnë si fashëza të holla përmes kanateve të dritares, pa u ndier në dhomë. Lëvizin parreshtur nëpër tepih, mobilie e tavan. Nëpër fustanin e Berilu me fleta e lulemollë. Dhuratë për ditëlindjen e saj te gjashtë, të tretën në Francë. Ndërkohë qe ajo po luante, then këtë heshtje vrasëse, mbyllur në ne, e në dhomën tonë të ditës:
- Nënë, a janë babat e këqinj?
- Si, ashtu moj zemër? Janë të dashur e të mirë sa s'bëhet!
- Edhe kur i harrojnë fëmijët në shkollë?
- Prindërit kurrë për asnjë çast si harrojnë fëmijët e vetë. Por, për ndonjë arsye të madhe ndodhë të vonohen. Kurrsesi ti harrojnë.
- E për ç'arsye babi u vonua atëhere, e s'erdhi të më marri në shkollë?
- Ngaqë pati punë në Paris, dhe...
- Po, babi s'është në punë. E...Parisi...a është Parisi në Prishtinë?
- Jo, gëzimi i nënës. Prishtina është në Kosovë. Kurse Parisi në Francë.
- Cka është Kosova?
- Është vendi dhe e kaluara jonë!
- Po, Franca?
- E sotmja dhe e ardhmja!
- Nënë, ç'do të thotë e kaluara?
- Cdo ditë dhe çdo gjë që mbetet pas nesh.
- A është dhoma ime e kaluara?
- Poooo,....mund të jetë!
- Ëëëëë....ëëë...( Berilu, bënë kinse po qanë duke fshirë sytë me grushtet e vogla, e duke rrudhur buzët e holla si një dredhëz).
- Oh, ç'ka zemra ime? ....Pse shpirti i nënës qanë?
- Po qaj...për të kaluarën time...ëëë...lodrat, fustanet, shtratin...ëëë...mësuesen, shkollën, Prishtinën!
- Mos qajë, zemra e nënës! Do të shkojmë edhe në Prishtinë. Mos qajë!
- Ngrihu pra të shkojmë!
- Jo, o shpirt! Tani s'kemi të drejtë. Do të shkojmë një ditë, në të ardhmen.
- E, ç'është e ardhmja?
- E ardhmja janë ditët që vijnë. Ajo që mendojmë të bëjmë në jetë.
- Po, e drejta ç'është?
- Liria për të bërë një gjë. Pa e prek lirinë e tjetrit. Pa i bërë të keqe. Pa penguar tjetrin.
- E, ne kë e pengojmë nëse shkojmë në Prishtinë...Gjakovë...Kosovë? Unë shkoj në dhomën time.
- Po, shpirti nënës. Por, ne kemi ardhur në Francë për të qenë të lirë. Mirëpo, ende s'kemi të drejtë të kthehemi.
- A është ende lufta në Kosovë?
- Jo, ka mbaruar. Por, ende duhet kohë që të lirohemi krejtësisht.
- Nënë, e pse ndodhë lufta? Ajo është e keqe! I vrasin fëmijët e vegjël. Ata s'janë të fortë si nënat, e si babat.
- Berilu, shpirti nënës! Ti ende je e vogël, kur të rritesh më bukur do ti kuptosh gjërat.
- Po unë jam e madhe. Shiqo, unë jam më e madhe se ti (ajo hyp në fotelen ku jam ulur, pas shpinës sime, me duart e vogla më kap kokën që ta shiqoj nga prapa se sa e madhe duket mbi mua). Pastaj, kur unë të flas frengjisht, ti po më përgjigjesh shqip, ngaqë je e vogël e s'di me folë mirë.
- Uaaaaa, si flet me nënën kështu, Berilu? Po të ndëgjoj dikush do të përqeshë. Do të thoshte, çfarë vajze, sa e madhe e si flitka me nënën e vetë, si me qenë bebë!
- Ata më përqeshin por unë do tu them: nëna ime është e vogël se nuk di frengjisht. Por, është e fortë. Po të kapi do të rrahi aq bukur shqip, sa do t'çuditesh!
- Berilu, mjaft më. Mos e lodh nënën me këto gjepura!
- Nënë, po unë po mërzitem. E, babi ende s'erdhi...

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen