JE NGROHTË NË MITRËN TIME?
-tregim-
“A mund të mbetemi miq Kris?” ... ...
- Miq?.. Miq!.. Miq.. Kris?.. Kris!.. Kris.. - hapat e saj – Krak.. krik.. tak.. tuk.. tik.. - përflaknin bujshëm rrugën tërë pluhur të buzëlumit; Pluhuri i argjiltë dukej sikur po e vishte me tisin e vdekjes fytyrën e saj të zbehtë, …
Frrrrrrrrrrr… Një fëshfërime e çuditshme u ndje në të majtë, dhe u pasua nga frenimi i rëndë i një makine te kuqe, nga e cila u dëgjua refreni i zakonshëm i shekullit:
- Ah, të palloj një herë unë ty, o yll bote, o të hëngsha …
Çapitjet e saj indiferente, dhe të rënda, merrnin zvarrë çdo fjalë dhe mbeturinë të flakur prej kalimtareve. Dielli digjte, digjte dhe ngrohte qiellin, ngrohte pemët e tulatura nga mardhja i një nate me parë, mizat dhe insektet që çuditërisht ishin kaq të shumta nën diell, atë mëngjes nëntori.
... “E dashur Kris, dua të më lexosh me kujdes. Unë nuk kam asnjë arsye për të të fyer dhe mërzitur ty, asnjë arsye për t'u treguar i pasjellshëm me ty... Përkundrazi, unë kam shumë arsye për të të trajtuar ty si një njeri të veçantë... sepse ti më fal prej disa muajsh gjënë tënde më të shtrenjtë, dhe ma fal siç di ta falësh vetëm ti, plot pasion dhe pastërti, pasion për të cilin unë nuk kam dyshuar asnjë çast.” ...
- Hahahaha…e dashur Kris… Ç’ironi?!… Kris, e dëgjon ç’thotë ai? Ti je e veçante… Hë... E veçante.
Ja, një mizë e madhe, duke krijuar orbita të rrumbullakëta zukatjesh, më në fund tërë elegancë, qëndroi zonjërisht mbi faqen e saj. “Mashkull a femër është?” - mendoi duke ndier një lloj lehtësimi. “Femër, padyshim. Ku dinë meshkujt të sillen kaq ëmbël… Meshkujt… Sa keq që ai është mashkull, sa keq që edhe ajo është femër. E tmerrshme, dashuria nuk duhej te kishte seks. Ja ky seksi vetëm të këqija i kishte sjellë kësaj bote.”
- Eh.., ku u katandise moj vajzë,... - iu bë se dëgjoi një zë brenda, jashtë, anash, ...vetes. Një zë që vinte nga kudo, i kudondodhur, i kudogjendur, dhe i kudo...pjerdhur!
- E bëre mut fare fjalorin Kris! – ushtoi përsëri zëri.
... "Ta kam thënë edhe herë të tjera, ...mua kurrë nuk më ka dashuruar ndonjë femër siç më dashuron ti, ...me kaq zjarr dhe çmenduri, ...me kaq pasion dhe përkushtim... Nëse është dikush që nuk duhet të ndjehet mire përballë teje ...ai jam unë, jo se kam bërë diçka të pandershme kundrejt teje, por, thjeshtë se, nuk mund të jap atë që ti meriton, ...nuk mund të ta shpërblej ndjenjën tënde të veçante me të njëjtën cilësi ndjenje, për arsye të cilat t’i kam thënë shumë herë, dhe që nuk po i përmend tani.” ...
-Po, zemër,ma ke thënë miliona herë. Ma ka thënë, më beso,... – i pëshpëriti ajo tek veshi "zërit" të çuditshëm, atij, bashkudhëtarit të saj, në këtë shëtitje nën diell.
Ia kishte thënë nga larg, sepse, kur ishin gjendur pranë, mes puthjesh të çmendura, nuk kishin pasur kohë të bisedonin.
Atë mëngjes në kafe-barin ku ishin strukur, mes morisë së puthjeve të lagura nga gllënjka Uiski që, dukej se buronin nga goja e saj drejt shpellës së tij pëshpëritëse si jehonë e mbytur, ku ata, kishin dëshmuar publikisht çmendurinë e radhës. Puthje. Puthje. Puthje të pafundme, dridhje, padurim, etje, përsëri puthje, puthje, puthje per orë të tëra… Sytë e etur të kameriereve që vështronin puthjet, dhe pas të cilave kishin nisur me radhë të bënin ritualin e spermëderdhjes në tualetin e flashkët aty pranë, duke përfytyruar gjinjtë e saj të fryrë, dhe gojën e lagësht si breg deti… Atë mëngjes, asnjë barrierë bregdetare nuk ekzistonte mes tyre. Ndërsa tani, ai e-mail, kish nxjerrë ca dhëmbë të stërmëdhenj peshkaqeni të cilët, i mprihte me limën e diellit, gati për ta kafshuar gjer në asht.
... "Pra unë kaq mundem të të jap, dhe mendoj se gjithsesi kjo që mund të jap, është e bukur, por jo e mjaftueshme për ty. E di këtë. Por, kaq mundem të jap... ...rëndësi ka, ajo që të jap është e sinqertë. Edhe ajo dashuri është, një dashuri ku mbizotëron një miqësi e thellë të cilën do të doja ta pranoje siç ta jap unë.” ...
Dy lot te ngrohtë u ftohën, ngrinë akull, mbi të zbehtat faqe të saj, si për të dëshmuar se, edhe gjaku po i ftohej. U ndie reptilë. Mbase nepërkë, sic e quante shpesh ai. Nepërkë e ftohte që, digjte brenda saj një dashuri të nxehtë. Një dashuri të çuditshme, pa kufij dhe pa përmasa…
“Hahahahahaha”, - u skërmit pacipërisht “zëri”, bashkudhëtari i atij mëngjesi – “Kris, ti je budallaqe. Ai nuk të do. Kris, ti meriton shumë. Zgjohu Kris, më dëgjon? Zgjohu moj vajzë e çuditshme..” - i pëshpëriti rreze veshit duke e gudulisur.
Krak.. krik.. tak.. tuk.. tik.. Në sy, një cipëz e hollë e lëvizshme i dëshmonte herë pas here se, ende “budallaqja” brenda saj vazhdonte të ëndërronte! Dhe më e çuditshmja ishte që lumi, nuk kish pikë uji. Pikë uji… Ahh!, sa do donte të kridhej tani, në këtë çast. Të dridhej e të perdridhej ndanë vorbullave e kafshuar në palcë nga i ftohti, të shuante diellin që i digjte shpinën, qafën, kokën… Por kishte një urë aty. Ku dreqin u ndodh kjo urë këtu? Iu kujtua nuk e di përse një personazh i vobektë i një filmi, i cili u hodh nga një urë madhështore, me sa i kujtohej, mbi Danub. “Epo tërë fat ai fukarai i gjorë! Perëndia kish qenë dorështrënguar me të në jetë, por, dorëlëshuar në fundin e jetës së tij. I kishte falur gjithë atë ujë ku mund të përfundonte. Të mbytej për shtatë palë qejfe. Kurse ky lumi i këtushëm, nuk kishte pikë uji. Edhe ura sipër tij ngjante shëmtarake dhe krejt e pavlerë. Hahahahaha…”!
... "Më thua që po tregohem i ftohtë dhe mospërfillës ndaj teje? Ke të drejtë. Por, edhe unë kaloj periudha jo fort të këndshme në jetën time familjare dhe personale. Halle dhe situata të cilat vërtetë më kanë ashpërsuar dhe ndonjëherë më bëjnë në sytë e tu, pikërisht, ashtu siç thua ti: Të ftohtë dhe mospërfillës. A mund të mbetemi miq Kris? Dy miq të veçantë dhe pa kushte?! Unë e di që çdo ndjenjë ka nevojë për dy anë të ndërsjellta që të mbetet ashtu siç është, ...e bukur dhe e pa plagosur... Edhe miqësia ka nevojë për sjellje të ndërsjellët të cilën unë jam përpjekur ta jap, pavarësisht se me hope. Duke përfunduar këtë e-mail ja tek po ta them edhe një herë që, ti je një person shumë i veçantë në jetën time. Edhe unë të dua dhe të vlerësoj shumë në mënyrën time. Të përqafoj fort! "
Dielli shkëlqente. Hapat e saj u ngadalësuan duke u zvarritur derisa një çast u ndalen. “Zëri”, e kapi për krahu në çastin kur trupi i saj i rënduar nga asgjëja, u përplas përtokë, si një thes me qymyr.
“Kurajo Kris!”
Insektet, nisën të silleshin zhurmshëm... Tashmë duart e saj kishin nisur të lëpinin dhe përqafonin me ngut gjunjët, duke u munduar të zvogëlonin përmasat dhe kontaktin e mundshëm me hapësirën… Me kohën; Kishte shekuj që ish divorcuar... Dukej si një plakë – vajzë e vockël - që struket brenda asgjësë se saj.
Një makinë kaloi aty pranë, por, kësaj here zëri i shoferit-harbut klithi: “Hej, plakushe, gjete kohë të bukur për të gjuajtur sot.”
Brenda saj diçka lëvizi. “Ç’të jete?” - mendoi “Zëri”.
Tashmë gjunjët nuk përfshiheshin dot nga përqafimi i duarve. Majat e ftohta të gishtërinjve arrinin deri tek barku: “Sa i maaadh!”…
Përsëri dicka levizi. Poshtë bluzës, u ravijëzua një formë koke… Pastaj, e pasuar nga nje ulërimë e largët, një lëvizje e hapërdarë u duk sikur i shqeu barkun dhe brenda nje sekonde, u gjend e nderur krejt mes pluhurit. “Kris, çeli sytë zhbirues, të vetmit gjë të gjallë në këtë katrahurë mishrash, pluhuri e djerse,” ..dhe buzëqeshi.
- Jam shtatzëne…jam shtatzëne dëgjon? – klithi brenda saj një ulërimë e fortë që e shurdhoi. U habit nga ai zë që buroi.
- E mbarsur me veten?! – mendoi “zëri”.
U ngrit natyrshëm. Me një lëvizje të bukur, shkundi krahët e lehtë pendë, dhe mori pozicionin klasik të një ... fluture.
- Nuk fluturoj sot, mos u tremb.
- E di, - mërmëriti "zeri", duke përpirë me sy profilin e saj të mermertë që, mes pluhurit të argjiltë, i ngjasonte një Perëndeshe Pjellore të Lashtësisë. Emri si kujtohej, por, ç’rëndësi kish emri në këtë çast? Kris, duke u mbështetur tërësisht tek ai zë, nisi te ecte duke zvarritur kembet tërë qejf, duke kënduar nëpër dhëmbë një refren të çuditshëm kënge. Një këngë ndoshta e sapo kompozuar, në pentagramet e qiellit…
“A mund të mbetemi miq Kris?” ... ...
- Po. Ne do të mbetemi miq..., e më pas shohim e bëjmë..., pasi të kem risjellë në jetë..., i dashur. Sot është dita e parë. Ji i duruar..., të kanë mbetur edhe... 8 muaj, 29 ditë, 59 minuta, dhe ca sekonda…
Je ngrohtë aty, në mitrën time?
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen