Mittwoch, 24. Juli 2013

Poezi nga Zejnepe Alili - Rexhepi

 
Zejnepe Alili-Rexhepi
 
Një lutje

Mos më shiko,
mjeshtërinë e syrit s’e njeh!
Mos ndiz flakë në zemër,
s’djeg zjarri i saj!

Mos thuaj se më do,
s’e kupton dot këtë ndjenjë!

Mos më përkushto vargje,
s’e ndien poezinë!

Mos më prit me ëndje,
S’rrëmben dot dashurinë!
 

Varg vetmie

As veten më s’e njoh...
kurrë s’isha poete
as këngë në jetë s’këndova
veç dhimbje, dashuri s’shijova.
Tmerr më mbushe zemrën...
mjerisht më deshe mua,
më pas, në ankth vetmie më le
ku shpirti s’gjen qetësi,
jam diell në bebëzat tua,
në syrin tim je mall për dashuri.


Mos u zbeh në dritë të syrit

Më zgjate dorën mëshirshëm
kur padiktueshëm më vrau heshtja,
më shterri malli
për zjarrin e syve të gjelbër.
Madhërishëm i dhe kuptim fjalës
që dikur u tha
në perëndim të diellit,
kur netët ishin të gjata,
me qetësi gushti...
Shpirti tretej nga loti
teksa lutjet m’i dëgjoje
më i adhuruari i zemrës
për jetë të jetëve mbete,
edhe kur pendimin e refuzove...
Ku je tani?!


Jeta në këngë

Çaste kujtimesh një mesnatë,
kur ngadalë më treste vetmia
nga larg dëgjohej një kitarë
“Ah, moj ti me sy të zi”!
Seç më ngjallte mall...
e bëhej peng dëshirash në pakthim,
Si një jetë pa mallkim, pa urim...
Me droje i shtrij duart kah ti,
marrëzisht ta dua prekjen,
me ëndje fjalën ta dëgjoj
bukur ndihem kur dashuroj.


Pas grilave

Qetë të ndjek me shikime,
i druhem kthimit tënd
në vendlindjen time të harruar,
nën vellon e mistikës fshehur
e pazbuluar mbetet dashuria,
buzëqeshja e mbytur në klithje.
Mirupafshim...
me buzë të dridhura më thua!
Atë çast, malli është zhuritës...
sa dua të më ndrydhësh
në të ngrohtin përqafim,
ku të paprekura ruhen kujtimet,
pas kthimit tënd të vonuar
dhe... dënimit tim në grilat e mesjetës.
Sa më e madhe bëhet dhimbja,
aq më shumë rritet dashuria.


Ankand ndjenjash

Hijevrarë,
si mumje trishtuese,
me shikim të përhumbur,
ata vëzhgojnë lumturinë
e jetës që s’i përkasin.

Ku mbeti miqësia,
me brishtësi kristalore!?
A thua, të përgojohet
rrugicave të errëta, pa yje ...
një botë vendbanimesh pa gjallëri?!

Njerëz,
me ndjenja të bakërta,
a thua, ku dhe pse
si në ankand ndjenjash,
ç’shenjtërohet dashuria?!


S’më shuan nata

Të përndezur pas etjes, yjet bëjnë sehir
dhe deti i trazuar qetësohet, fle ...
shpirti i robëruar dremit në pritje,
ëndërron një valle trëndafilash
ca pika të kuqe petalesh mbi buzë.

Ankthi është trazues, pritja vrastare,
orëve të mëngjesit vetmia mposhtet,
arsyeja mund pasionoin,
koha plagët i shëron e dremitur
në pritjen e së nesërmes.

Kur hëna të pushtohet nga yjet,
deti të përgjumet nga vala e qetësuar,
shpirti bredharak le të trazohet…
në pritje sypishë,
mëngjes për mëngjes.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen