Montag, 15. Juli 2013

Vjersha për fëmijë nga Janaq Pani


Janaq Pani

KËSHTU I KE DHËNË SHPIRT

Hidh ca male në një hartë
Në midis shpalos luginat,
Pishat, bredhat kryelartë
Manushaqet, trëndelinat.

Fushat gjer te deti zgjati,
Me kaskada i bën lumenjtë
Dhe shqiponjėn pėr sė larti
Që mbron çerdhen mbi shkëmbenjtë.

Të gjithë njerëzit i skalit
Me tipare burrërore,
Kështu i ke dhënë shpirt
Mbi glob tokës Arbërore.


O TOKA MËMË
ME SHPIRT TË DUA

O toka atë, o toka nënë
Të parët tanë na kanë lënë.

Na lanë fushat, pyjet, buronjat
Dhe majëmalet ku rri shqiponja.

Na lanë nderin, na lanë besën
Dhe burrërinë edhe qëndresën.

Na lanë shkronjat, gjuhën amtare
Që nisin rrugën në abetare.

E shtrenjtë je gjithmonë për mua
O toka mëmë, me shpirt të dua.



PËR SHQIPËRINË
JETËN SHKRIU


( Naim Frashërit )

Gjeti penë e gjeti kartë
Kish dhe fjalëzën e artë
Kishte zemërzën e artë.

Për Shqipërinë jetën shkriu
Veç në këmbë si qiriu
Ndaj dhe manushaqja mbiu.

I këndoi trimërisë
Bagëtisë e Bujqësisë
Ky baba i vjershërisë,
Nder e nur i bukurisė.

Ju fėmijë të gjithë e dini
Është poeti i madh Naimi.



NË DITËLINDJEN E ELONËS

Vogëlushja jonë Elonë
ditëlindjen po feston.

Uron mami, uron babi,
gjithë fëmijët e pallatit.

Vijnë shokët, shoqet vijnë,
mbushin plot me gaz shtëpinë.

Në një gojë të gjithë i thonë:
" Njëqind vjeçe u bëfsh Elonë!"

Sot dhe lulja e shqiponjës
duket se i thotė Elonës:
"Çfarë kërkon të të dhuroj?
Ja, një gjethe po e shtoj!

Si më shtohet mua blerimi
ty, Elonë, t'u shtoftë gëzimi!"



VJEN E MË SHFAQET
NJË YLL

( Për mbesën Joanë)

Se ç'më ngjan një çupë e bukur
Herë zog
E herë flutur,
Herë si yll i këputur.

Dhe sa herë sytë i mbyll
Vjen e më shfaqet ky yll
Brenda syrit më bën dritë
Pa më zbret nga lartësitë
M'i sjell pranë Perënditë
Kjo e mira e florinjtë.

I malluar krahët hap
Këtë yll dua ta kap,
Ta mbaj butë në pëllëmbë
Ëmbël t'i këndoj një këngë
Ta hedh hopa nëpër duar
Ta shtrëngoj në kraharuar
Unë gjyshi i malluar,
Këtë yll me rrezatime
Që i ngjan Joanës time.



FOTOGRAFIA

Uuu, moj mami, sa çudi
bëj me babin dhe me ty,
sa herë dal fotografi
po më luteni të dy:

"Shpirt i vogël, pa qesh pak
aparati kur bën traaak!..."

Mami, moj, lodheni kot,
i kurdisur nuk qesh dot.

Kur po shoh Tomin e Xherin
si po ndjekin njeri-tjetrin,
pa kuptuar hedhin grepin
fët e fët gazin ma nxjerrin.

Atë çast me zemër qesh
më shkon goja vesh më vesh.
Atë çast moj mami, ti
traaak, më nxirr fotografi.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen