Montag, 15. Juli 2013

Vaid Hyzoti: BIRI I KURVËS

Vaid Hyzoti

BIRI I KURVËS

Dera kërciti dhe babai nervoz thirri mamanë: 
          - Bëhu gati, do të shkosh që sonte në Tiranë. Doktori më tha se për gjysëm ore vjen ambulanca. Doktori do të vijë me ty.....
Si? Edhe babai ia paska dhënë llafin? Si duket se ka ditur më parë që vendosi ta heqë qafe kaq shpejt. E megjithatë, për tu besuar hamendjeve të tij, kishte pyetur me një fije zëri:
          - Pse do të shkojë në Tiranë?
          - Sec..kanë një... seminar me këto të punës... u ngatërrua babai- por ti do të më bësh bukën gati për punë, se ty të jepet, - dhe i ati e kish puthur në faqe.
Iu dhimbs babai. S'kishte si t'i thoshte të vërtetën, i vinte rëndë. Toren, edhe sikur ta pyesnin, e kishte vendosur që të rrinte me të atin. Nënën, që më parë i dukej se e kish dashur shumë, kishte filluar ta urrente.
Ambulanca erdhi dhe doktori ishte ulur në vëndin e parë. E ëma doli shpejt e shpejt me një cantë në dorë. Torja as që doli ta përcillte. Kur e pa që ajo e kishte hazër cantën, kuptoi se ajo ishte përgatitur të ikte. Babai e përcolli deri tek makina dhe atë natë tymosi deri vonë. C'ishte ky tersllëk vetëm një javë para se të niseshim për Amerikë?
Kishte dëgjuar të thoshin se gruaja e mirë ia zbardh faqen burrit... Po gruaja e keqe? Ja, bëri babanë të nisë prapë duhanin..Sa donte Torja të shkonte të përqafonte të atin, por ai, kur ishte i mërzitur, bëhej kaq i sertë...
Të nesërmen u hoq gjoja kish harruar dhe pyeti përsëri babanë;
          - Mami nuk ka ardhur..
I ati lëshoi një ofshamë:
          - Hektor, je burrë tashti. Për cfarëdo që mund të ndodhë unë të dua në krah. Ishallah... - babai e preu fjalën dhe u mbyll. s'mund të pyesje më tej.
Në shkollë Sefedini donte të merrte hak, ndaj e kërcënoi në sy të të gjithëve:
          - Do ta përndrydh kokën si zog kurve...
Ndërhynë i ndanë sërish.
Nëna erdhi pas tre ditësh. Desh të puthte Toren, por ky iu shmang. Babait iu kthye hareja. Si ishte e mundur të duronte turpin? Vetëm tre ditë e mbajti "burri" i ri dhe e kthehu në gjini?
          - Me një fjalë tani unë duhet të lë përsëri cigaren, ë? Seminari shkoi mirë?
          - S'ka më asnjë problem. Bisedoi doktori vetë. Çdo gjë në rregull...
Babai piu nga gëzimi atë natë.
          - Mos, ti paske filluar rakinë që duhet të merrnim me vete?
          - Na bëre merak moj grua, thashë se na u dogjën biletat. Vajti Amerika...
Pas tre ditësh u nisënNë aeroport kishte dalë dhe doktori. U takuan miqësisht me babanë, u puthën në faqe me mamanë. ja aty..në sy të babait..... e Torja u shmang të mos i jepte dorën.
          - Sapo të vini telefon në shtëpi më merrni e më tregoni numurin e adresën. Do të vij t'ju takoj atje..- tha doktori i përlotur.
Dashka dhe të na vijë prapa edhe në fund të botës. kurrë mos t'i pafshim sytë, turipetull, shahu me vete Torja. edhe kur u nis avioni ata shquan jashtë dritares doktorin dhe menjeherë silueta e tij u zhduk se avioni mori shpejtesinë e ngritjes. T'u zhduktë fara! Shau përsëri Torja.


****
Kishin tre muaj që kishinardhur dhe sikur po i vihej rregullsia e përditshme. Qeratë ishin të shtrenjta, por me rrogat që merrte babai e nëna në një fabrikë të "Cadillacut"dhe me paratë që fitonte vëllai që kishte gjetur punë si marangoz, cdo gje dukej mirë. Sa i thoshin malësorët, që kishin vite e vite që kishin rrahur kurbetin: Amerika i kishte marrë me të mbara. Torja kishte nisur pa problene kolegjin për drejtësi kriminale, me që anglisht dinte mirë. Një ditë e ëma i tha ta conte në spital tek gjinekollogu. I duhej patjetër përkthyes. Formularët ishin të besdishëm, por duhej patjetër t'i bëje hyzmetin burokracisë të letrave. Dhe Torja u habit, ndërsa duhej të plotësonte historikun e kancerit të gjirit. Po i tha e ëma kam vuajtur, e kam pikasur pak para se të vija dhe analizat dolën mirë; kanceri ishte mashkull... Nëna shpjegonte për mjekun dhe Torja i hutuar harronte të përkthente. Iu kujtua doktori, babai që rinisi cigaren, "seminari" në Tiranë, Sefedini... Nëna shihte sa nga i biri, sa nga mjeku i huaj.
"Everything os O. K. iu fiksuan në anglisht fjalët e mjekut, pasi pa analizat. Si me dorë mamit iu hoq ai trishtimi. Dhe Torja kuptoi gjithshka, Mbase u zbardh kur pas kaq kohësh ai po i përkëdhelej si i vogël. A më kupton nëna?
Doktori kishte thënë se do të vinte në Amerikë dhe t'i takonte. Po sikur ai t'i kishte rënë në të pse hiqej (nuk hiqej, atëhere ishte e vërtetë për Toren), si mund t'i dilte përpara?
Zilja e telefonit binte e binte. Po vinte doktori dhe nëna thërriste që nga kuzhina:
          - Tore! Tore! O Hektor! - I tha emrin e plotë. - Hajde jepi adresën në anglisht, se më duket se këtë gjuhë unë kurrë s'do mundem ta mësoj.....


Marre nga Kritika

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen