Freitag, 21. Januar 2022

Murat Aliaj: TRE BREZAT DHE RAKIA

 Tregim nga Murat Aliaj


TRE BREZAT DHE RAKIA

       Çdo familje ka diçka të mallkuar, që s’do ta shikoj në shtëpinë e vet. Ne kishim më tepër se sa një, që i ndryshonim sipas situatave, por të pandryshueshme kishim neverinë për rakinë. Dhe jo më kot. Ajo na kishte kushtuar shtrenjtë, duke na lënë plagë të pa shëruara prej tre brezash. Prej saj iku i plagosur rëndë gjyshi. I mori gojën dhe e la të dergjej si deng pa markë në një qoshe, derisa mbylli sytë përjetësisht. Po kështu edhe babai nuk i shpëtoi këtij fati, megjithëse duke iu trembur fatit të gjyshit, ai u bë më specialist në përdorimin e rakisë. E pinte me raste si terjaqi e si mjeshtër i saj. Kur i erdhi fundi, gratë e shtëpisë thanë se ai ia shkurtoi vetes rrëskun, duke mos u ndarë nga rakia. Unë që e dija mirë sa i përkorë ishte ai, nuk  mund t’i besoja këto fjalë grash, por as mund të hahesha me to. Sepse në mënyrë të heshtur tek ne ishte vendosur një ligj: rakinë e pinin burrat, por konkluzionet i bënin gratë.

         Unë që i takoja brezit të tretë, duhej të korrigjoja gabimet e dy të parëve. Me sforcim e privime të mëdha, ia arrita deri diku, por këto ishin më tepër arritje të sime shoqe, se sa të miat. Kush tjetër më shumë se ajo, mund ta dijë se çfarë dëme u më shkaktonte rakia? Madje ime shoqe arrinte deri aty sa të analizonte dëmet që rakia na kishte shkaktuar ndër breza, edhe pse nuk e pati fatin t’i njihte të mëparshmit e mi. 

         Ne kishim arritur suksesin që po shkëpusnim çdo lidhje të shtëpisë me rakinë dhe kaq nuk është pak. Duhet thënë se triumfe të tilla nuk arrihen lehtë. Madje shpesh ato janë aq paradoksale, sa të bëjnë t’i kthehesh sërish rakisë, sepse është më e lehtë të përballosh dëmet e saj, se sa rrebeshin e egër anti raki.

         Atë dimër e kalova keq. Sinjalin e vuajtjeve e dha një dhëmballë e prishur, e cila po bëhej e padurueshme. Asnjë pikë rakie s’mund të gjendej, për të më qetësuar dhimbjet. Kush mund të besonte se neve, të rriturve mes pjergullave e vreshtave, do na mungonte rakia? Për të më bërë ta harroja kurimin tradicional me raki, ime shoqe më gjendej pranë duke zbrazur gjithë njohuritë e saj mjekësore e duke më ngopur me çaj e aspirina, të cilat i shoqëronte me ndonjë mallkim për rakinë, si të ishte ajo shkaktari i prishjes së dhëmballës.

        —Të paktën duhet të pranojmë se në këtë rast rakia mund të shërbejë si një qetësues i dobishëm— i thashë unë duke pritur që të ma plotësonte dëshirën.

       —Në asnjë mënyrë s’duhet të të shkojë mendja tek rakia,—shfryu ajo si të kisha zënë në gojë vet djallin e zi— Ti e di mirë se ç’dëme ju shkaktoi ajo.

       —Po mua më dhemb dhëmballa e për këtë s’mund të bëjmë shkaktare rakinë. Disa pika sa për qetësim, s’do ishte keq që...

       —Asnjë pikë se të bëhet ves dhe pastaj...

        Pastaj... dihej që mund të përsëritej historia e tmerrshme e brezave, të cilët ishin masakruar nga rakia dhe unë e mbyllja gojën e u bindesha kurave të saj me çaj e me lëng bliri, që as më ftohnin e as më ngrohnin.

         Erdhi dimri dhe pa u qetësuar akoma dhëmballa, filloi gripi që të merrte frymën. U bllokova fare, por edhe të më shihte duke tundur këmbën, nuk hapte rrugë për të ma sjellë gotën e rakisë. Reumatizma gjithnjë ka qenë kërcënimi im më i madh. Si të mos mjaftonte bllokimi i hundëve, më pllakosi edhe një kollë që m’i zbërtheu kokallat. Nuk do ishte e tepërt një pikë rakie, që ta thithja me hundë e t’i zbërtheja kanalet e frymëmarrjes. Po ku ta gjeja atë të bekuarën, këtu ku edhe për kallot e këmbëve, bëjnë shkaktare rakinë? 

          Im vjehërr ishte prodhues i madh rakie. Vet nuk e pinte. Madje kur e ziente rrushin, për t’i mbajtur një gradë fortësie, e provonte duke derdhur disa pika në zjarr dhe e vlerësonte gradacionin e saj, sipas ngjyrës së flakës. Ishte shumë i përkorë vjehrri, ndaj nuk vuante nga sëmundjet e rakisë, por vuante nga ca sëmundje të tjera edhe më të rënda. Sidoqoftë, ai nuk hoqi dorë nga prodhimi i saj. Ishte e vemja gjë që e kishte me bollëk e i mbyllte shumë halle. Shtëpia ishte e madhe e fisi akoma më i madh. Ndaj kudo që shkelte nuk i mungonte shishja e rakisë, të cilën e linte si dhuratë.

         Sëmundjet e mia ndoqën njëra tjetrën dhe u hap lajmi se vështirë ta nxirrja atë dimër. I shqetësuar, erdhi edhe vjehrri për të më parë. Atë vit ai sa e kishte zier rakinë dhe iu duk pa vend që të më linte pa një pikë. Me vete kishte marrë nja tre bidonë rakie, në të cilët kishte shkruar nga një etiketë me emrat e personave, të cilëve do u dorëzohej. Këtë vogëlsi ime shoqe nuk e vuri re dhe shpërtheu në një ligjëratë të egër antialkol:

         —Çfarë bën kështu baba?! A s’kemi thënë që duhet të ruhemi nga dëmet e rakisë?

         —Kemi thënë moj bijë, por kjo sikur nuk shkon. Të çojë babai raki tek miqtë e të dashurit e të lërë pa një shishe dhëndërin!

        —Jo. Dhëndëri ka bërë vullnetarisht divorc me të.

         E vërteta ishte se dendur e kisha menduar divorcin me time shoqe, por me rakinë s’kisha arsye. Ndaj e dëgjoja si merhum arsyetimin e saj, e cila me aq zgjuarsi argumentonte kthimin e domosdoshëm në jetën pagane, pa raki, duhan e produkte të tjera, që e dëmtojnë shëndetin e njeriut. Dhe jo vetëm unë, por edhe i ati i saj detyrohej t’i bindej e ta merrte prapë me vete, gjithë bidonat e  sjellë nga fshati.

          Sado që vjehrri është me sëmundje sheqeri, ne e pritëm me liker e me lëngje frutash. Ime shoqe është xhahilë e madhe. Mbrojtëse fanatike e ligjit të prohibicionit. As ndaj të atit s’pranonte të bënte ndonjë lëshim. Kurse unë vuaja më tepër kur syri më shkonte tek bidonat prej të cilëve asnjëri s’ishte për mua. Vjehrri më kishte fshirë përfundimisht nga lista e përdoruesve të produktit të tij.

          Në fund të javës, kur do largohej për në fshat, mori përpara tre bidonat dhe duke më rrëfyer etiketat, më la porosinë:

          —Këto i kam për ca njerëz që u jemi borxhlinj. Ky Petrua që e ka të shkruar këtu adresën, është doktori që na shpëtoi nga vdekja mbesën, kurse ky Nakua është avokati që na shpëtoi nga burgu atë derdimenin e ngatërruar në allishverishe. Kur të shërohesh, çojua në shtëpi dhe bëju të fala prej meje.

          Unë tunda kokën gjithë pikëllim. Si mund të shpërndaja rakinë e vjehrrit nëpër dashamirë, kur për vete nuk më kishte sjellë asnjë pikë? Të nesërmen e përcollëm vjehrrin me autobuzat e linjës, kurse për porosinë e tij unë nuk u kujtova më. Nuk desha të kujtohesha, për të plotësuar me dorën time një porosi që më fyente, derisa një ditë më përmendi ime shoqe:

        —Këtë porosinë e babait sikur e harrove fare!

         —Nuk e kam harruar, por jam në pozitë të vështirë e s’di si të bëj se në vend t’i vë vetulla, mund t’i nxjerr sytë.

        —Pse?

         —Sepse kjo raki nuk bën për miq të tillë të nderuar. Si duket e paska prishë dorën vjehrri...

        —Kështu është kur rakinë e nxjerrin njerëz që nuk ia dinë vlerën— tha ajo gjithë keqardhje.

        —Nuk është puna se ai nuk i di vlerën, por qenka bërë tamaqar dhe ka rendur pas sasisë. Pastaj... sikur i ka marrë edhe pak thartirë. Ndoshta është ngutur për ta zier pa u fermentuar mirë mushti.

        —Po si do ja bëjmë?!

        —Nuk e di, por nuk më lejohet ta turpërojmë vjehrrin, duke ia plotësuar porosinë. Një herë për një herë, lere aty në batar, sa të staxhionohet pak e mos e ndryshon cilësinë.

        —Po babait si do i themi kur të na pyes.

         —Mos e vra mendjen se diçka do i themi dhe ai do e kuptojë se gjithçka e bëmë për të mirën e tij, për t’i ruajtur nderin.            

           Kaluan disa muaj dhe me ardhjen e pranverës, vjehrri ja behu i përtëritur e gjithë gaz. Pranvera kishte ardhur e bukur në fshat dhe pemët kishin çelur sythet.

         —Këtë vit parashikojmë bollëk, se rrushi  u krasit në kohë dhe me spërkatjet do u qëndroj në kokë. Por nuk më thatë si shkoi porosia e shpërndarjes së bidonave?

          Unë u ngrysa e tunda kokën i dëshpëruar, kurse ime shoqe po më shihte në sy, si do dilja nga situata. T’i flisja mjeshtrit për cilësinë e prodhimit të tij, sikur nuk shkonte, ndaj përdora mënyrën tjetër.

         —Keq!- i thashë i dëshpëruar.- Ndodhi diçka që më vjen turp ta them, por që kjo s’ndryshon gjë. Porosia nuk vajti në vendet për ku ishte nisur.

         —Pse?

         —Sepse unë bëra gabimin e rëndë që s’mund ta çoja pa e provuar. Por gllënjka e parë solli të dytën dhe e fundit solli hatanë e madhe. Mora një taksi dhe u nisa. Por kur zbrita, harrova për ku isha nisur. Po kështu edhe bidonat i harrova në taksi.

        —Për këtë qenke mërzitur ti? Të na marrin të keqen, se neve po na zë rakia rakinë. Do sjell tjetër për ta.

         Dhe vjehrri është burrë që e mban fjalën. Dërgoi të tjerë bidona dhe kështu unë arrita dy suksese. Edhe vura në vend nderin e vjehrrit, edhe në shtëpi e hoqa mallkimin e vjetër për rakinë.

Prend Buzhala: BASHKËBISEDIMI LIRIK ME KOHËT

Shkruar nga Prend Buzhala
(Sinan Sadiku: “Poezi”, klubi letrar “Nositi”, Dardanë 2021)
 
Te tre librat poetikë të Sinan Sadikut: “Rrobat e Engjëllit” (2000), “Shigjetat e Lakmisë” (2009) dhe “Nata rri zgjuar” (2019), të përfshirë në botimin më të ri me titullin “Poezi”, vijnë në 60-vjetorin e lindjes së poetit, si kurorë e shumëfishtë. Të botuar gjatë dy dekadave të fundit, në Kosovën e lirë, në një kohë vlimesh letrare me rryma e zhvillime paradoksale, shpesh kontradiktore, në një kohë që solli edhe anarki vlerash; këto vëllime dëshmojnë edhe për një qëndrim të rreptë të autorit: që të publikojë  sa më rrallë libra letrarë, së paku një libër në një dekadë, kundruall vërshimit të botimeve të panumërta letrare.
 
1. Libri i parë:
ose lirika e ikjes si shpëtim deri te kthimi brenda vetes
 
Poeti bisedon me kohët, me jetën, me vetveten e me protagonistët e tij lirikë. Te libri i parë kjo kohë na shfaqet me hijen e saj të rëndë, të lodhur me peshën e ekzistencës së vështirë, gjithë plagë. Folësi lirik merr rolin e poetit: është ai çasti kur ai nuk dëshiron të flasë për kohën e tij. Simetria kontrastive e thënies është gjetur me mendjemprehtësi krijuese: është ai çasti dramatik i një situate kur ai shkruan plagosshëm, i lënduar.
 
Koha ime
të lutem
shumë të lutem
mos m’i prek plagët
e mbuluara me hi
se edhe gurët
do të pikojnë gjak
e gjëma e tyre
do t’i pikëllojë yjet
e do t’i shterë lumenjtë
o koha ime

(Poezia “KOHA IME”)
 
E, si t’i iket kësaj gjendjeje? Kësisoj, edhe ciklet e vëllimit të parë (Le të vijë pranvera, Ku e harruam urtinë dhe Lulejetës), duan ta theksojnë këtë ikje nga situata e tillë: ato shënjojnë kthimin kah ripërtëritja e jetës, cikli i parë; kultin e urtisë te cikli i dytë dhe kah vizionet e çiltra e të kthjellëta të jetës dhe realitetit, cikli i tretë.
Kjo ikje, e thurur nga inspirimet e ngazëllyera të jetës dhe pamjeve të saj, gjithsesi që është një mënyrë për ta kuptuar atë më mirë, nën cipën e të cilës gëlojnë plagët. A e bën këtë ikje për t’iu shpëtuar plagëve, sëmbimeve e therjeve të tyre, apo për të krijuar një situatë të re qëndrese ndaj vuajtjeve shpirtërore që ende lëndojnë aq shumë nga kjo e kaluar? Edhe nëse ka një konceptim të tillë ku lexojmë këngë butësie, ai i trajton edhe fjalët e tij të zgjedhura poetike me butësi. Në këtë  mënyrë, mbulohet një gamë me shtrirje bukur të gjerë tematike, ideore e motivore, me ndjeshmëri elegjiake, baladash të jetës, ndjenjë melankolie e përjetime peizazhore të gjetura; ai nuk e harron edhe Lutjen e tij engjëllore kundruall këtij realiteti të vrazhdë, shteg shpëtimi  dhe si grishje ndërgjegjësimi:
 
Vite të tëra kotem
u  besoj ëndrrave të mira
e plagët më rrjedhin gjak
 
Tanimë nuk mund ta gjejë
as vetveten
kam harruar të flas
 
Nuk e di ku më qet kjo rrugë
as të eci as të rri
nëse heshti bëj mëkat
nëse flas nuk e di
 
Më ruaj nga vetvetja o Zot
sot në mot përmot
 
(poezia LUTJE)
 
Nëse ka ikje të tilla poetike, çfarë na sugjerojnë vargjet e punktet tematike të lartësuara, atëherë jo vetëm lutja, po edhe disa poezi tjera na e sugjerojnë, pra, edhe rrugën e kthimit brenda vetvetes, në gjirin e realitetit. Ai nuk e humb këtë rrugë kthimi, sepse  ai kërkon yllin e tij:
 
Nuk di ku më qet kjo rrugë
as të eci as të rri
nëse flas një mëkat
nëse heshti dy a tri
 
Sa e errët është kjo natë
edhe yjet i ka fshehë
kërkoj yllin e mëngjesit
në këtë natë natë të zezë
 
Kjo do të thotë që arti poetik e heton se realiteti është aq i pasur, ashtu sikundër është e larmishme jeta vetë.
 

2. Libri i dytë:
ose kërkimi i lirimit nga iluzionet
 
Kurse poezia vjen si ditar shpëtimi dhe urtie. Është ai ditar, kur njeriu është peng i shumë vendimeve në jetë, i prangosur nga shumëçka, por ai ëndërron të fluturojë, qoftë edhe imagjinativisht deri te yjet. Kësisoj, dorëshkrimi poetik merr formë, na ligjëron nëpërmes metaforës dhe figurës letrare, me urtësinë e fjalës na sugjeron se ku e kah duhet ta dërgojmë atë trastën e iluzioneve tona, pasi ajo është stër-rënduar aq shumë nga faktet e rënda të së përditshmes, nga zhurmat apo nga kronikat e zeza (Na mbyti heshtja/ zhurma na i prishi veshët/e fjalët lëshojnë mjegull). Mund të jetë edhe mot me erë e furtunë, një kohë përsëri e rënduar, pasi as vargjet nuk zgjidhkan asgjë! Madje, poeti dëshiron të çlirohet edhe nga ky iluzion. Kështu, te libri i dytë, përpos urtisë, na rivjen sërishmi përsiatja për kohën, tashmë me thënie më të begatshme lirike:
 
Poeti im i dashur
koha jote dhe koha ime një
 
janë ndërruar
vetëm numrat në kalendar
 
Asgjë nuk ndryshuan vargjet
(poezia ME MIGJENIN)
 
Edhe te libri i dytë vjen ajo përplasja dramatike e poetit midis realitetit dhe imagjinatës, midis jetës dhe frymëzimit.
 
Më janë thyer
krahët e imagjinatës
kroi i frymëzimit
ka shterur
e muzat
më kanë braktisur
 
Poezinë ai nuk e dëshiron vetëm si strehë të tij lirike. Ajo është venstrehim ku e shpall solidarësinë me dhimbjen, vuajtjen, kryengritjen kundër së ligës.
 
Çka t`i bëj
dhimbjes
çka t`i bëj
vetmisë e zhgënjimit
dashurisë e shpresës
kur të çohen në kryengritje
dhe të kërkojnë
strehim në vargje
 
Tashmë ai e shqipton të vërtetën e jetës dhe poezia bëhet dëshmia më autentike e gjallimit vetjak. Poeti tashmë e ka krijuar prizmin e fjalës së tij. Folësi lirik është feniks i krijimit vetjak poetik, pasi flaka e jetës ka marrë hove të reja, dhe dëshminë e kësaj flakë, poezinë, e ka shndërruar në hirin e vetvetes.
 
Kur reshjet
ta ndryshuan ngjyrën e flokëve
të vetmin mik pate mjerimin
 
U dogje nga vetmia
asnjë stinë nuk të përkëdheli
 
Hiri është dëshmi se aty ka pasur zjarr, ka pasur ngjarje e përjetime dramatike. Ti duhet të rilindësh nga ai hi, nga ajo dëshmi, si feniksi krijues.
 
t’i rizgjoj kujtimet e fjetura
të fëmijërisë
e të rilindem
 
këndon te libri i parë.
Apo:
 
Këndoje këngën e ecjes me bujë
këndoje atë këngë me lëvizje e besë
me zërin e zemrës këndoje he burrë
këndoje të tillë që ngjallë lind shpresë
 
te libri i dytë. Apo:
 
I doje ngjyrat
luaje kënaqeshe me to
 
Me të kuqen
atdheun rilinde
 


3. Libri i tretë:
nga qëndrimi dyshues deri te pasioni për jetën
 
Mirëpo, te libri i tretë, që në titull poeti e shfaq skepticizmin e tij, mosbesimin dhe qëndrimin e tij dyshues:
 
Në këtë natë këtë mesnatë kaq të gjatë
asgjë s’ka ndryshuar në rendin e yjeve
në etjet tregimet as mençurinë e pyjeve
mbetur si klithmë si mallkim si lëngatë
 
Nga ana tjetër, ekziston, pra, e vërteta e dinjitetshme, çfarë është vetë e bukura në jetë apo në art, me mbresa të pashlyeshme, aty ku folësi lirik e vë jetën e tij nëpër vargje. Folësi lirik vetëm mund t`i drejtohet Tjetrit: mbahu, miku im! Gjërat më me vlerë qenkan miqtë, ëndrrat dhe kujtimet. Janë vargje të jetës, sepse ky folës lirik e ka gjetur harmoninë e tij, jeton në lidhje të natyrshme e në pajtim me universalen. Qëndron më afër burimit të jetës. Edhe tani, te libri i tretë poetik, nuk është e habitshme përse poeti e përsos prirjen e tij për paralajmërime, qortime apo për profetizomë lirike, sepse vetë krijimi poetik i paraprin jetës.
 
Edhe këngën edhe këngën
desha ta fus në vargje
për t’i shëruar veshët
nga zhurmat e turmat
 
Desha të bëj vargje
me diellin e vendlindjes
me fjalët e nënës
me buzëqeshjen e vashave
... dhe këngën
 
Përpos të bukurës, poeti aspiron edhe të mirën në jetë, ndryshe, ekzistenca jonë nuk do të kishte kuptim.
 
Dita më e bardhë
në portën time
aromë pranvere
 
Ta përqafosh jetën, të bukurën, dhe ta jetosh me pasion atë, duke humbur e duke fituar në këtë lojë, siç thotë nganjëherë folësi lirik i kësaj poezie; kjo do të thotë se ajo iu takon atyre që dinë të shkojnë pas asaj që e duan.
Tone elegjiake e një tis prej baladash jehojnë gjithandej nëpër vargje. Humbjet e jetës kanë qenë të mëdha, rrënimet e vlerave po ashtu.
Tashmë në gjirin e realitetit të tillë, kaq pikëllues, përsëri kërkon rrugëdaljet, për ta gjetur arsyen për shpresë, për ta gjetur drejtpeshimin e vetvetes, kohës, për ta rigjetur forcën e tij. Ndryshe, një libri të mirë, po qe se i mungojnë mesazhet e tilla, atëherë te lexuesi lënë shijen e hidhur të dëshpërimit, të mbështjellë në lëkurën e trashë të mëkatit, siç shprehet me figurë poeti. Poetit i dhemb kur e shkuara largohet sa më shumë prej nesh me trashëgimitë e saj të vyera, dhe e ndien veten të lënduar, kur e ardhmja nuk premton diçka. Së këndejmi, përmes vlerave të realizuara artistike, poeti risjell gjithnjë ato lidhje të magjishme e të mrekullueshme me jetën, si duhet jetuar ajo, si i dhuron energji lexuesit. Ai bën art për njerëzit. Qoftë edhe me poetikën e kontestimit. Libri i tretë vjen si shumë e grumbullimit të përvojave krijuese dhe jetësore, si dhe i intensitetit e dendurisë së këtyre forcave dhe përvojave. Khalil Gibran do të shprehej: “E djeshmja nuk është veçse kujtimi i sotëm, dhe e nesërmja është ëndrra e së sotmes.”
Libri, në ciklin e fundit, ngërthen edhe lirika me përjetime të emocionit të bukur të dashurisë, si ndjesi e përjetshme e së bukurës, intimitetit, përkryerjes si kategori estetike:
 
Sa e sa herë të pata thënë
 
e përkryera është trillim i poetëve
po ti kurrë s’e kuptove
 
Ideali arketipor i poetëve për këtë ndjesi e për të bukurën, mbetet gjithnjë një realitet i ndërtuar artistik mbi modelin ideal të realitetit.
 

4. Në dalje
 
Lirika e Sinan Sadikut, e krijuar këtu, nëpër disa dekada e në këto hapësira, na dëshmon se këto kohë e hapësira janë tonat, me ne brenda nesh, jo thjesht si hartë gjeografike, por si entitet yni. Ato i kemi krijuar e mbrojtur me qenien tonë. Në to ecën e rrjedh koha jonë. Në të tre librat poeti përçon jo vetëm përvojën e tij të pikësynimeve dhe kundrimeve lirike mbi botën tonë dhe realitetin; por  na e dhuron edhe sintezën e bukur artistike për to:
 
Është
edhe engjëll edhe djall
edhe parajsë edhe ferr
 
Letër e shkruar
 
që e lodron i hunit e i konopit
është libri
(Poezia “Libri)
 
Përtej semantemës libër, poeti personifikon kohët, aty ku folësi lirik është banor i përhershëm dje, sot e nesër, si qenie gjithëpërfshirëse e ekzistencës sonë. Le ta themi, pra, që të tre librat janë kika a maja të këtij subjekti lirik të kohëve, me shpresën e ardhjes së një tjetër qenieje jetëdhënëse, humane, shpirtbutësie e shpirt-etnie:
siç e thotë në vargjet e fundit të librit:
 
Do të vish një ditë
kur acari ngrinë
me zjarrin e zemrës
ta ngrohësh shtëpinë
 
Dhe ti vjen e shkon
pret s’pret flet
asgjë nuk harron
as valët në det
 
Pothuajse, në të tre librat, ky subjekt lirik personifikon njeriun tonë kundruall së keqes së pushtimit dje, dhe kundruall së keqes së lakmisë e mallkimeve tjera mbi ne, në të tashmen. Është ndërgjegjja e tij që ligjëron me dorën e shtrirë të humanizmit.
Poetët janë ëndërrimtarë të papërmirësueshëm, siç na e thonë poezitë “Ëndërr poetike” dhe cikli “Midis ëndrrave” te libri i parë; “Nisma” te libri i dytë”; apo “Liria”, “Ëndrrat”, “Një zog më buzëqeshi” etj. te libri i tretë.
Pa ëndrra, bota mbetet e shkretë.

Nëntor 2021

Poezi nga Naim Kelmendi

Naim Kelmendi


NË EMËR TË ATDHEUT

E si më vjen kaq i dhët rrëmbim
Më zë pas mesnate me sy hapur
S n'vargun e Azem Shkrelit vjen tingëllim
M'i bie kokës mendim i rëndë, i prapur

Jo,po duhet të jetë Evropë aty ku është
Jo,po Londra të jetë Londër këtu e prapa
Po gjakn, po luftën kush guxon të m'i heshtë
Po emrin a s'e patë, në maje kudhre a e pata

Zini vend mes kohe, mos  bini rrotull
Gjak ynë i miri s'është derdhur për kot
Në sytë e njëri tjetrt shihemi për së kthjellti
Nëse dashurisë i lëmë pakëz vend për Zot

Si në vargun e Azem Shkrelit vjen tingëllim
Po gjakun, po luftën ksh guxon tē m'i heshtë
M'i bie kokës mendim i rëndë, i përflakur
Besnik gjakut tim t'i mbetem derisa të vdes



DASHURI E PAFUND

Unë në ëndrren tënde
Ti në zhgjëndrren time

Kalërojmë rrakadyljes vuajtjen
Tonë nëpër një pe
Nën prush në afsh gjaku pritjes
Dashuria jonë nuk fle

Orëve fatkeqe fatin
Na e lidhën fort si një qen
Nga mishi nga kocka
Çka duhet prapë për t'i dhënë

Unë  në zhgjëndrren tënde
Përherë përgjërim
Ti në ëndrrën time
Përgjithmonë trishtim

20.01.2022



PËRSERITJA E HISTORISË

Prapë e njëjta nyje lidh
Jetëvdekjen në një rrëfanë
Të njëjtat fjalë,të njëjtat
Pështymë në të njëjtat gjuhë

Të njëjtat mē janë varri
I tërë asaj që s'u përgjigj
Kurrën e kurrës drejt

Po Flaka po Tymi po Hiri
Po masakra po Gjaku ynë
Po vrasja e Albanit e Albanit
A nuk përkthehen në gjuhët e botës

Ia ngre këmbëzen dhe vras
Vras për atë copë Shqipëri
Vras se nuk bën ndryshe

Dhe s'ka punë mē njerëzore
Se të vrasësh bisha të egra
Kur tyrren në oborr me hove të verbëra

21.01.2022



MJEGULL NË OLIMPIN E PERENDIVE
 
Seç i vënë në rend
E në plan të parë 
Kaosin në ç'vend
E në ç'vend tjetër luftën

Në ç'kohë e në ç'radhë
Gjëmēn për akëcilin
E tradhëtitë për tjetrin
Dhe mëritë e egra
Mbi të tjerët -

Mjegull e mister
Në Olimpin e Perëndive
Athua çdo të na pjellë
për fate e tragjedi popujsh
Me hipokrizitë e djajve të verdhë

Ç'skenar ogurzi
Kanë shkruar sërish
Për skenën e tragjedive...



PRAPË DEMONËT

Dje ishin kokë kerberêsh
Kryerrugës, kryejetës
Nëntokës kaliruan me biografitë
E egra prapashpine

Plehu i kohëve t'perënduara
Ende na zbardhë rrugën
E idealit t'një plehurine

Në kryejetë në kryerrugë
Kanë dalë përsëri
Të verdhë, të kuq
Soj i çuditshëm
Helmin e gjuajnë kujdesshëm
Në kohë tjetër në njeri
Dhe prijnë me flamujt
E dufit të tmerrshëm

Në krye të radhës
Në dardhë kokrrojnë



S'E PASKAM NJOHUR NJERIUN

Njeriun s'e paskam 
Kërkoj ndjesë vetes

Sa më shumë thellohem
Në malin e paprerë
Dal i vetmashtruar

Njerin s'e paskam njohur
As për një qime të flokut
I kërkoj ndjesë të vërtetës

Kafshëve u kërkoj falje po ashtu
Për jetën e tyre humane pa respekt,lart
Nga njeriu kafshor që vret e tradhton e vret



I-LIRIKE

Këmbanë atdheu bie thërret zjarri
Ndërgjegjet zhbiron në Ne
Llava karpatesh
E kafshërojnë
Shpirtin e saj të djegur të saj

Ngjallen fantazma mesjetash
Karvane monstrumësh
E shqyejnë padhembshëm

Asnjë sy gjumë pa arritur bregun

T'i mbledhim pikat e kokat ndarjeve
Ai që pret në heshtje
Heshtja vetëtradhton

Nata nëpër botë
Mjaft u dogje vetëm
Feniks vegimtar

Hirësive të shenjta u duhet farë
Nga pema e dheut arbëror



JU,TË POSHTËRIT ZEUSË

Juve
Të poshtërve
S'ju mungon asgjë
Nga përkryerja
E poshtërsive

Jeni statujë e përsosur
Në gjuhën e hipokrizisë
Të cilës me mepatjetër
Një ditë e një radhë
Do ua përmjerrin kohën
Tuaj të poshtër e biografitë

Uh, po sa mall i pështirë
Jeni në tregun e antivlerave

Ju,të poshtërit Zeusë...
Vrasës të t'vêrtetës...



MË NË FUND

Ne s'duam mor kurrën
Të bie amerika

Duam të na rrojë
Sikur palca e gurit
Sa malet
Na paqin bekimin
Vespuqët,vilsonët,klintonët
Në jetë të jetëve

Njëmijenëntëqindenëntëdhjetenënta
Erdhi e na shkroi gjeografinë
E lirë të zogut dhe tonën

Në moment i kthyem
Kah majet thembrat,u kthyem
E as u zhdukëm -

Ne duam të na rrojë
Përgjithmonë amerika e njeriu
Dhe liritë për jetë të jetëve



FATALËT E FUNDIT FATAL

Tatpjetës së tyre t'marrë
Koha ia dha mandatën
Kah erdhën e kah shkuan
Ngulën flamujë te zinj e koka
Nëpër lakmizezën e jetës t'zjarrtën

N'kujtesë të popujve lanë
Vetëm varre e krime e dhunë
Me atë shkencë krimi nuk shkuan
Sa menduan aq larg asgjëkundi
Asnjëherë dhe kurrë s'e vunë

N'historinë e popujve një gur për t'mirë
Zbuan e vranë njeriun në kohë të vet
Nuk shkruan kurrë pergamenë pendimi
Të tmerrshëm dolën në zgjimin e tyre

Kriminelë dhe krim që plagosi njerëzimin
Fatin e popujve, po fatal dhe i tmerrshëm
Është përgjithmonë i tyre ngadhënjimi -



MËSIM PËR FATIN

Mos e ha ashtin tënd
Nuk ka limë që e han
Përveç dhëmbit te vet

Dririt i dhemb më shumë
Kur me oykën e vet e çajnë

Mos ha ashtin dhe mos u mashtro
Me dhuratat e Danajve...

Dhe mikut përjetësisht bëri vend
Ku e ka vendin e mos ia harro
Se të është gjetur n"orët më të liga

Mor, mos harro asgjë prej fatit
Prej fatkeqësisë prej bimës tënde 
Danajve s"u besohet as kur dhurata sjellin...



KA NË MES NJË MOSKUPTIM

Mëritë e tyre kanë mbjellur
Në mes nesh një moskuptim
Për të na ndryshuar nga e njëjta e jonë

E kanë ujitur fort egër moskuptimin
Në mes nesh kohëve me tradhti
Për të mos e kuptuar njëri-tjetrin

E farëjona që moti pikë e pesë
Mërgatave na e zbuan atje
I thanë bëj vend këndej andej dhe dikund
I dhanë lëngun e lotusit për të harruar
Prapadiellin e rrugën në prapakthim
Dhe vendin dhe emërmbiemrin

Mot e motmoteve pandalur caqeve
Derdhet farëjona dhembjeve të thikta

Në nënqiellin tonë,jo koha,por smira e tyre
Na ndau në gjysma atë ditë e sot
Në mes mbijnë gjelbër kohët në moskuptim
E dhembjen s'e ndjejmë njësoj gjysma
Për të mos kuptuar gjysmën tjetër
Gjysma të të njëjtës rrënjë, po çfarë gverre

Sepse ka në mes një moskuptim
Mbjellë përdhunë kohëve në një mallkim



DY MIJË VJET DASHURI

Tash e dymijë vjet po të duam
Duke vdekur e duke lindur

Truproja e vdekjes na lidhte këmbeduarsh
Maje hunde na rrinte shpirti

Tokat gjelbëruan kuq liritë zi
Plot dhembje retrospektiva e fatit t'pafat

Përtypnim egërsitë
Si lulet gjuhëplaka
Flamurit i bënim fli

Ku fle Zoti ynë që s'e shohim
E t'ia thejë qafen të keqit
Erret e gëdhinë me ne orëvdekja

Ke për të hyrë kah ke dalë
Na thoshin çmenditë e vrerta
Ç'dashuri e rrezikshme

Tash e 2000 vjet kështu po të duam



FANTAZMA NËPËR ATDHE

I fryjnë shtogut

Dolën nga kohë e plumbtë
Fantazmat, të frikshme turren
Të përpijnë vite, epoka
Hanë koka andej këndej
Nëpër Dhe Atdhe 
U rrit bimë e egër

Mjegullave të mendjes
I arriftë nama e idhët e gjirit të nënës 
Shetisin me mustaqet e zeza të Stalinit

Me kapelat e kuqe të Leninit
Shohin vëngër nënqiellin
Epokat i duan terrinë
I kanë lakmi kokat n'maje 
Këpusin përqafime

I vrasin ëndrrat në blerim
Kosova frymon nëpër vrimë fytëze
Sioas mendjes së mjegulluar,të zezë
I fryjnë shtogut dhe jetës
Së tyre të zrazët dhe vdesin

Brenda një dite të mjegullt...