Samstag, 12. Juli 2014

Billall Maliqi dhe Rrugët e shikimit


Vështrim kritik

MALLI PËR ATDHEUN

I SHKRIRË NË FRYMËN POETIKE

  • (Bilall Maliqi, “Rrugët e shikimit” ( Paths of vision), Sh.b. “Lulu Enterprisse” SHBA, 2014, faqe 100)

Nga Kujtim Stojku 
 
Biografisë së pasur të shkrimtarit nga Presheva, Bilall Maliqit, këtë vit iu shtua edhe një libër tjetër me poezi “Rrugët e Shikimit” (Paths of vision). Mbresat e poetit fillojnë me vizitën e tij të parë në sh...tetin amë, Shqipëri, gati pas një ndarje shekullore, ky, vendi amë i kthyer në një “mollë të ndaluar” për bashkëkombasit e një gjaku të ndarë padrejtësisht nga fuqitë e mëdha, për poetin Bilall Maliqi i cili e shkel për herë të parë, me vështrimin e tij fotografon dhe ngulit në kujtesë, me një kurreshtje të epshme, tërë peizazhin e atdheut amë. Me një mall që e djeg si eshka në shpirt, e brendshmja e tij spirituale i bën një dhuratë lotësh. Ai bashkëbisedon me gjithçka, gjuha e tij është e pasur, kjo gjuhë e veshur përmes figurave artistike e manovron atë nga brenda.
Ndijesitë e tij vaditen me mallin dhe çmalljen. Reflektimi mediativ na sjellë në epiqendër një nga figurat e letërsisë sonë A.Z. Çajupin. Ku gjuha hyjnore i flet fjalë të ëmbla mbi jastëkun e tij. Atij i flasin lotët, i flasin gurët. Qenia e tij në mes të jetës gjallëruese të kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës, e rrëmben në vorbullën e saj të jetës dhe të larmisë.Të gjitha këto ai i fut në gjirin e tij, si një bir i dashur që mbështet kokën në prehrin e nënës.
Me këtë mall ai përkëdhelë faqet e lëmuara të valëve të detit, shijon të puthurat e tij, zbulon bukuritë e ëndrruara, ku neonet në mbrëmbje thërrmojnë errësirën.
Meditimi poetik endet nëpër kohë, kodrat i sheh me rrudha ku duken sikur janë zhytur në mendim. Por çfarë mund të mendojnë ato? Historia jonë ka qenë e dhimbshme.
Vështrim i mprehtë i poetit përmes vargjeve pohon lakminë e fqinjëve që deshën t’i tjetërsonin ato. Por ai pohon se ato kanë qenë të Arbrit dhe të tij do të mbeten.Ai thith ajrin, mbush mushkritë dhe mbushet me një frymë ngazëllyese, ndjenjat shpërthejnë, muza e shoqëron atë në çdo hap dhe nuk e braktis. Ai kthehet në një piktor që hedh në kanavacë kontraste ngjyrash,ku i prishen ëndrrat.
Vargje mjaft prekëse. I paharruar do të mbetet në kujtesën e poetit qyteti i antik i Durrësit., Deti Adriatik, ku ai e pagëzon me vargun mbreti dritëjonë. Në këndvështrimin e poetit nuk shpëtojnë as bukuroshet durrsake, ku flladi i detit ua prish flokët. Ai zbulon shpirtin e tyre fisnik, e portretizon vajzën durrsake,të bukur dhe qafëgjatë. Këtu kemi një krahasim mjaft pikant, ku poeti shprehet “Ah moj Preshevare”…Bukuria shqipatre e ngritur në art.
Ëndrra e poetit që në lindje të tij, ashtu si shumë bashkëkombas që jetojnë jashtë kufijve të shtetit amë, i ka ndjekur ata hap pas hapi për ta parë atë. Historia na ka parë shpesh me syrin e njerkës. Këto shkulme historike, ia shprishën kujtimet motit të thinjur.Varg i fuqishëm ku vetëm ata që kanë këtë mall mund ta shprehin në vargje, pikturë, këngë, etj.
Kur shkel për herë të parë tokën e shtetit nanë, ai për herë të parë sheh Kuksin, nga qepallat iu rrokullis një pikë lot ku i ndal dhe i pushon në mjekër. Zemra e poetit është e coptuar, por në këtë moment kjo pikë loti që i pushoi mbi mjekër ia bashkon….dhe pikërisht këtu ai mbushet me fuqi si në ciklin e Mujit e të Halilit, trimërohet dhe shprehet me guxim se tani jam mbështetur në ty nënë e babë –Shqipëri.
Ëndrra e kahershme që trolli i ndarë të bashkohet.Kjo ëndërr i ka bërë bashkëkombasit të mbajnë gjallë gjuhën e të parëve,doket dhe zakonet nga asimilimi sllav.
Në meditimin poetik të autorit malet djersisin, edhe ata kanë mall për ta parë poetin, ata marrin frymë të dy, krijohet një mjegull dhe heshtja e qytetit i palëson ndjenjat, rruga e kombit për poetin është një venë që përshkon gjaku udhën e tij për në zemër.Të gjitha këto e ngacmojnë ndërgjegjen e poetit duke ia nxitur fantazinë, fryma që e përshkon tërë veprën e tij është malli që e përcëllon në gji….Padrejtësitë historike natyrisht që nuk mund të zgjidhen nga pena e krijuesit, por kushtet historike janë shtrati ku krijuesi vendos veprën e tij.
Autori kthehet në një pikë gjaku, dhe kjo pikë gjaku vrapon nëpër venat e atdheut. Ai mundohet që të përshkojë çdo ind dhe damar, ai është pulsi i frymëzimit të veprës që sapo e ka botuar. Ky udhëtim në rrugët e etnisë, i përzhitur nga malli e bënë atë të dëpërtojë në zemrën e saj. Ai simbolikisht sheh dy pika, dhe këto dy pika nuk janë të ndryshme për të, ato janë të njëjta, më në fund ndodh bashkimi i këtyre dy bulëzave….Ata s’mund të ndahen më….Një frymë filozofike permanente e përshkon tërë veprën poetike.
Ndjekim rrugëtimin e ofshamave të poetit. Fjala e tij ulet si një plak i moçëm duke biseduar me kreshtat dhe plisat dhe, poetit i trazohet vargu….dhe kujtesa e murosur fillon gërryerjen e saj…Një mendim figurativ që të fut në meditim.Ai është një skalitës i fjalës, nuk e lëshon do kudo, ai sakrifohet për të. Amaneti i poetit Azem Shkreli ku thotë se nuk mund të jesh poet nëse nuk sakrifkohesh për fjalën….Bilall Maliqi e ka bërë një sakrifikim të tillë, ai është një përrua që gurgullon me fjalët e reja duke e pasuruar gjuhën tonë të bukur.
Në iamgjinatën e pasur të krijuesit kemi një krëhër që kreh kujtesën. Kjo imagjinatë thyen çdo barrierë, ajo nuk njeh pranga, skllavëri dhe burgosje, sepse ai sheh dhe transmeton përmes ekraneve të syve, ai duket sikur ndjek një program televiziv,dhe këtu ai kujtohet për Detin Jon, dhe shpirtin ia pushtojnë përrallat e stërlashta….Poeti prandaj është poet sepse ai flet pak dhe, brenda fjalëve që ai shpreh ka shumë brumë, shumë mençuri dhe urtësi.
Furtunat historike që ka kaluar ky komb ka bërë gurët dhe shkëmbinjtë t’ia marrin vajit, për hidhërimet që kaloi lisat lëshuan mjekër. Ky popull i lashtë dhe në trojet e veta përuli në gjunjë një nga perandoritë më të mëdha të kohës, ky popull me krenarinë e tij duket sikur krahasohet me qiellin, kjo rracë që arriti deri në këtë shekull të ri pa u asimiluar as nga turqit dhe as nga sllavët. A thua është rastësi apo mëshirë nga këto pushtues të egër dhe shfarosës për genin e tyre shtazarak?
Poeti nuk është mistik, por ai me mesazhet poetike përcjellë dhe përçon një lajm madhor të madh që ia lë në dorë lexuesit që ta zbërthejë. Prandaj fjala poetike është për elitën, prandaj ajo rron më shumë se proza.
Çdo krijues duhet të ketë si model popullin e tij nga ai ka dalë, atdheun e tij ku ai rritet që në djep me ninullat e nënës, përrallat e gjyshes, historinë e të parëve të tij. Aty fillon ngjizja. Dhe nëse një krijues nuk i ka këto ai mund të jetë çdo gjë tjetër por vetëm se krijues për vendin e vet nuk është.
Krijuesi e begaton historinë e popullit të vet nga i cili ai ka dalë dhe e ka për detyrë të shkruajë për të. Poeti ynë i madh Naim Frashëri pavarësisht se ishte një nga nëpunësit më të lartë të Perandorisë Osmane, së bashku me vëllezërit e tij, Abdylin dhe Samiun nuk e harruan asnjëherë historinë e popullit që ata i përkisnin.Vepra e Naimit është një nga visaret e arta të letërsisë sonë kombëtare. Ata mund të kishin zgjedhur fare lehtë të heshtnin, postet shtetërore i kishin, pse të mos kalonin një jetë të qetë?. Por janë ato përrallat e stërlashta që ua prishnin ëndrrat, nuk i lenin të qetë. Ishte hija e dheut të babës që i ndiqte hap pas hapi e nuk u ndahej, se ai lente pa gjumë.
Kjo pikërisht ndodh edhe me poetin Bilall Maliqi. Ai s’ndjehet i qetë, ai ka një përkushtim me veten, popullin dhe atdheun e tij. Dhe kjo e bën atë të gurgullojë nga shpirti me penën e tij, fjalën e ëmbël shqipe, pa turqizma e sllavizma. Ai e pasuron më tej këtë gjuhë të lashtë. Janë pikërisht këto që ia ndezin shpirtin poetit i cili sheh përmes shpresës së përflakur, duke ecur përmes ëndrrash si në një pikturë mitike.
Ideja e krijimtarisë së tij përshkuhet fund e majë nga filli kuq e zi, duket sikur në çdo poezi të tij sheh të valvitet flamuri ynë i kuq me shqiponjën dykrenore, sheh kështjellat që sot janë treguese të një qëndrese të pashembullt ndaj hordhive të pushtuesëve osmanë përmes flakës dhe zjarrit. Aq sa hyri edhe në fjalët e urta të popullit tonë se :Aty ku shkel turku nuk mbin më bar”. Dhe të gjitha këto janë pjesë e gjakut të poetit, dhe gjaku është jeta. Për disa momente autori duket se e braktis ëndrra, dhe pikërisht këtu kemi atë vuajtjen e madhe për fjalën,dhe ai shprehet se megjithëse ndodhet në një gjendje të tillë as deti nuk ja shpëlan dëshirat, e fjala del prej gjoksit tij duke fluturuar me pulbardhat mbi valët e kaltra.
Por qenies njerëzore lotët i rrjedhin o nga hidhërimi, o nga gëzimi. Por në këtë rast gjendja shpirtërore e poetit është e tillë që atij padashje i shkojnë lotë nga sytë. Këtë dashuri që shprehet përmes krijimatrisë së tij ai e sheh të shtrihet në bark të motit.Dhe kjo gufon mbi gurë, çan dheun, dhe shprehet me vargun kulminant: “është e ndarë në bark të fisit”. Rishikimi historik në retospektivë e bën autorin që të shprehet në këtë formë të fuqishme.Ndarja e padrejtë dhe kujdesi nga duart e njerkës të japin frymën për të bërë një perceptim të tillë të përshkuar nga fryma….Dhe pikërisht në këto çaste ai mbushet dhe fillon me ngadalë të shprazë shpirtin. Malli i rri varur në fijet e qerpikëve dhe, ai e ka çdo ditë, orë e çast para syve të tij.
Poetët nga vetë natyra e tyre janë të heshtur,u pëlqen vetmia, ata shpeshherë edhe flasin me veten e tyre, ata flasin me memecërinë e netëve, kujtesa e tyre është si një pasqyrë magjike, përtej cakut të ëndrrave ata masin durimin. Vetëm një botë e pasur dhe me shpirt të madh i kalon këto. Edhe kur është jashtë atdheut të tij, kur poeti është në shtegtim nëpër Evropë, ky mall për atdheun nuk i hiqet .Ai ëndërron vazhdimisht për gjuhën e tij amtare. Si Çajupi që shprehet në poezinë e tij se” Ku është më e ëmbël mjalta se balta,në Shqipëri”. Qytetërmi Evropian të cilën poeti e sheh me sytë e tij,e bën të nxjerrë një ofshamë prej thellësive të shpirtit.
Poeti e kthen vargun në një hulli arash për t’u mbjellur. Një varg mjaft domethënës është se ai e sheh kujtesën të brejtur dhe të cunguar…mirëpo fryma e zgjon atë nga ëndrrat e kotura. Botës së pasur të krijuesit nuk i shpëtojnë as fjalët idhnake që futen në fjalorin e përditshëm të jetës. Ai këto i ndjen dhe e plagosin në shpirt. Ai shprehet se edhe koha vetë është idhnake, duke e bërë atë të shfryjë me ofshamë i djersitur.
Gjuha e paskrupëllt e përdorur helmon edhe kohën. Mesazhi i tij është i qartë. Ai kërkon rrugëdalje nga ky fjalor i zi, ku njerëz pa moral dhe pa dinjitet vetëm nxijnë dhe nxijnë çdo gjë. Ky realitet e bën autorin të shikojë me dhimbje shpërfytyrimin e sotëm të disave në këtë shekull të ri ku ëndrrat janë drejt realizimit….por fjalët e liga si thika të mprehta janë gati në çdo moment të godasin pas shpine, të përgjakin ëndrrën e bukur që përkundet në djep dhe pritet të burrërohet.
Ky realitet e bën atë të shohë ëndrra të trishta, gjumi i prishet dhe i plagoset zemra.Ai edhe pse është jashtë kufjve gjeografikë të hartës së tij, ai është kurdoherë me fjalën shqipe që e ka në majën e penës, dhe me këngët e saja të magjishme që i shuajnë mallin.Të gjitha endjet nëpër Evropë ai i idh me kërthizën e kohës. Edhe këtu ai gjen gëzimin e tij. Hallet dhe brengat janë të mëdha, ata si hallka i ngjiten durimit në këtë fat të përhitur që na rezervuan epokat.
Kënga e poetit përzihet me këngën e turtullit, që dëgjohet pyjeve të harruara. Skenat e përlotura e bëjnë atë të mos heshtë. Edhe pse ai shtegton rrugëve të Evropë, si në Zvicër, Vienë, Paris apo Londër vargu i tij ka një mall, atë mall që nuk e le që të mbyllë sy dhe e bën shpirtin e tij të këndojë këngët e moçme e të reja. Përmes një sintakse të pasur,vepra e poetit Bilall Maliqi krijohet dhe ngjitet zellshëm dhe kalon në ndijim.
Akoma më me vlerë është ky libër, kur është i përkthyer edhe në gjuhën angleze dhe u servohet për lexim lexuesve amerikan dhe kritikës amerikane, nga përkthyesi dhe publicisti i njohur Peter Tase, botuar nga një shtëpi prestigjioze “Lulu Enterprisse” në SHBA.

Dienstag, 8. Juli 2014

Rexhep Shahu - Poezi nga Qyteti i Lutjeve


NGA DRITARJA IME
NË MAJË TË PIKËLLIMËS

Nga dritarja ime në majë të Pikëllimës
Vështroj si zog përmbi botë.
Me dritën e syve të mi
Shkruaj melodinë e përmallshme
Të një kënge të trishtë që s’e njoh.


Lexoj luftrat e humbura të të parëve të mi
Luftra të përgjakshme ku secili
Prej tyre edhe pse ish ushtar i vetëm
Sillej si ushtri.

Nga dritarja ime në majë të Pikëllimës
Shoh luftrat e sotme të bashkohësve të mi
Luftra të egra që bëjmë me veten,
Mburrjet neveritëse të humbësve
Dhe mashtrimin që humbjet i shet si fitore.

 
 
LEHJA E QENVE

Si nuk u kujtua kush për festivalin e lehjes
Në qytetin tonë qenëshumë
Qen që lehin e s’të hanë,
Qen që s’lehin e të hanë tinëz.

Festivali i lehjes do t’ia shtonte dinjitetin qytetit
Që lehjet muzikë i ka në sfond ditë e natë.

Lehja askujt s’i prish punë,
Liria jonë është liri e lehjes.

 
 
KUR T’MË SHOHËSH PA SY

Kur të shohësh bosh gropat ku duhej të ishin sytë e mi
Gropat e zeza pa sy,
Pafund të frikshme,
Mos mallko kot korbat.

Kur t’më shohësh pa buzë
(Mbeti në buzë të nxira tuli i buzëve të mia).
Kur të shohësh dhëmbët e mi të ndryshkur
Që duken sikur qeshin për botën,
Mos mallko të qeshurën,
Mos mallko borën.

Kur t’më shohësh pa zemër,
Kur t’ma shohësh bosh zgavrën e kraharorit
Pa shpretkë e mushkëri,
Mos i mallko zotat.

Zotat do të thonë më vonë,
Se frymuan dikur në tokë
Do hije,
Që ngjanin si njerëz
Dhe hanin njerëz.

 
 
SI TA SHKRUAJ HARRIMIN

Si ta shkruaj se të kam harruar, kur nuk shoh letër të bardhë,
Por veç fytyrën tënde derdhë nga sytë e mi.
Lapsi nuk vlen për të shkruar, filloj me gishta
Të shkruaj buzët e tua, të prek hundën tënde
Të puth nishanin tënd dhe ti gudulisesh.

Si të shkruaj se të kam harruar a dua të të harroj
Kur harrohem në ty dhe s’kam kohë për gjë tjetër,
Kur pamja jote ka zënë sytë e mi gjithë kohën
Si tani kur të shkruaj letër.

Më thuaj si ta shkruaj harrimin e vetës time në ty.

 
 
HISTORINË E SHPIRTIT TIM

Historinë e shpirtit tim unë mund ta shkruaj
Vetëm me ty, vetëm mbi ty e në ty.
Nuk gjeta kurrë pergamenë tjetër,
Letër tjetër, rrasë guri a tokë tjetër,
Ku të mbjell veten e ëndrrën ta rris.

Nuk gjeta kurrë liri as burg pa ty gjysma ime,
S’e pashë kurrë veten sa jam, si jam,
Pse jam, përveçse në sytë e tu
Të pafund që kanë zënë brenda
Gjithë qiejt e dimrave e detet e verës bashkë.

Historinë e shpirtit tim unë mund ta shkruaj
Vetëm në çastet e marrëzisë së thellë,
Teksa rend me buzë si rreth botës, rreth gjinjve të tu,
Teksa vizatoj me duar gjurmë të papërkthyeshme
Nëpër barkun tend, strehë e zotave. 

 
PO BËHEM MBRËMJE

Dalëngadalë
Po bëhem mbrëmje,
S’kam më sy,
Por dy male mjegulle.
Brenda syve dy kalorës pa kuaj zvarriten
Dhe një diell i shuar që kush e di kur ka vdekë.

Dalëngadalë po bëhem ikje,
S’kam më këmbë,
Por dy kaproj vetmie.
Në brirë kaprojsh është ngatërrue pylli,
Nuk di nga mund të dilet.

Dalëngadalë po bëhem dhimbje,
S’kam më duar,
Por dy mjellma malli.
Në krahët e tyre do ta mbaj qiellin
Dhe botën që është veç prej ajri.

 
 
UNË E DI BIJË

Unë e di bijë
Askund nuk jam i pacënueshëm
Si në mbretërinë e dashurisë tënde,
Askund nuk jam më i sigurtë dhe mbret i vërtetë
Sa në planetin tënd të dashurisë,
Askund nuk jam më njerzor, bijë
Sa nën vështrimin e ëmbël të syve të kujdesit tend,
Askund nuk jam më ngrohtë se në zemrën tënde.

Në netët e errta të jetës
Duart e tua më mbështjellin fytyrën,
Ma ngrenë kokën të shoh yjet që vallëzojnë në qiell
Dhe në sytë e tu.

Në ditët e trishta kur dimri më ngrin,
Duart e tua mbështjellin fytyrën time,
E kthejnë nga dielli
Dhe unë ngatërroj diellin me ty.

Unë e di, bijë,
Kur qesh ti, kur qeshin sytë e tu
Qesh rruga, qeshin vëllezërit e tu krenarë për ty
Qeshin orenditë, pikturat, librat, pemët, oborri, lulet
Qesh shiu kur bie, po, betohem qesh shiu kur qesh ti.

Unë jam i bekuar, më i bekuari i zotave në jetë
Qeshja jote bijë është zemra ime. 

 
TI KURRË NUK MUND TË JESH MË E BUKUR

Me mollzat e gishtave pikturoj në fytyrën tënde
Gjithë ëndrrat e mia.
Me dritën që buron nga sytë e mi kur të shoh,
Vizatoj udhët që kalova dhe udhët që më presin.
Kur ti buzëqesh tek më sheh sa pikturoj
Bëhem kanibal për buzët e tua që i thith,
Derisa ti më gudulis që ta ndërpres.
Kur ti më vështron ashtu thellë,
Unë hesht dhe zhytem në sytë e tu.

Teksa lundroj si në lumenj, në fytyrën tënde
Dhe shoh vetën të pikturuar aty,
Ti më dukesh më e bukur se kurrë,
Fillimi dhe fundi i botës është në ty,
Fillimi dhe fundi i çdo horizonti dhe mendimi,
Verimi e dimërimi.

Unë që s’kam besuar në zot asnjëherë,
Të shpall në heshtje e me zë zotin tim të vërtetë,
Zot që të besoj dhe të falem,
Zot që të shoh e të prek,
Zot që më jep besim e jetë,
Dhe nuk ka kund tjetër zot në asnjë qiell,
Zot i vetëm i imi je ti.
Unë e shoh teksa pikturoj me gishtërinjtë e mi
Ëndrrën për jetën në fytyrën tënde.

Me mollzat e gishtave rrëshqas nëpër fytyrën tënde,
Lehtas e dridhshëm si flutura mbi lule
Qiejve s’ua gjej dot fundin,
As deteve që i shoh bashkë në sytë e tu.

Ti kurrë nuk ke qenë më e bukur
Se kur unë pikturoj në ty, në fytyrën tënde
Sigurinë time, vrasjen e frikës dhe përkëdhel shpresën.

Kurrë nuk mund të jesh më e bukur
Se kur ta pi lotin e gëzimit në burim të cepi i syrit,
Lotin e sigurisë së burrit që njom rrënjët e paqes
Dhe mëkon fuqinë për jetën.

Ti kurrë nuk mund të jesh më e bukur
Se në çastet kur unë shkruaj në ty
Në fytyrën tënde me gishtërinjtë e mi
Fjalët e pashkruara që s’i thotë asnjë gjuhë.

Ti kurrë nuk mund të jesh më e bukur
Se në çastet kur ta marr kokën në duar,
I ngazëllyer çmendem e harroj të flas,
Të vështroj e të puth të vështroj e thërras.

 
 
VIJ PATJETËR

Gjithmonë do të kthehem te ti,
Vonoj, por vij patjetër.

Si mall, si thinjë, si rudhë
Si lot i pavënë re, si harresë,
Si dorë që dridhet
A udhë që s’shkilet.

Edhe kur vonoj e s’vij
Vij patjetër! 

 
NË MOTET QË DO TË VIJNË

Heronjtë heshtin. Ç’kishin për të bërë e bënë,
Gjithnjë do vdesin për Atdhe.

Trimat që ikën nga lufta
Kërkojnë statuja trimërie.

Që njerzit të kenë një vend më shumë
Ku të bëjnë shurrën në motet që do të vijnë.

 
 
E KA FAJIN VETË, AJO KURVË

E ndjej shollën e këpucëve tuaja
Mbi eshtrat e mia që kërcasin prej dhimbjes,
E ndjej por s’kam fuqi të thërras,
S’kam kujt t’i thërras,
As pse t’i thërras,
Askush në qytetin tonë nuk të gjendet pranë,
Nuk bëhet me ty kur ke nevojë.

Të gjithë të bëjnë fajtor
Dhe thonë në kor, e ka fajin vetë kjo kurvë!

E ndjej gëlbazën kur pështyni mbi mua,
E shoh kënaqësinë tuaj, kur pështyni gëlbazë
Mbi fytyrën time,
Kur kruani fytin si gjiriz i papastruar kurrë,
Ju njerëz gjirize mbi gjirizin e madh të qytetit tonë
Ku mbretërojnë minjtë.

Ju minj, mbretër të qytetit
Që thërrisni në kor: “Vetë e ka fajin ajo kuuurvë”!

Nga libri "Qyteti i Lutjeve"

Sonntag, 6. Juli 2014

Dhimitër Nica - Cikël Poetik


B
ALADA E KRIZËS

U gdhi dita, iku nata,
vjen vërdallë si robot,
se mban mend sa ka dhe data
të njejtat xhiro lart e poshtë.

Del te sheshi, m’u në qendër,
sheh lokalet plot e plotë,
rënkon thellë e heq në zemër
“ah,xhepat e mi gjithnjë bosh…”

E “vrasin” dritat,nuk sheh mirë,
i duket se e shpojnë dhe mizat,
shkon dhe futet në errësirë
në vend të zi, siç janë vet krizat.

Nga xhami sheh ca bullafiqër,
që hanë mish e gishtat lëpijnë,
ca zorraxhinj e një ministër
i njeh mirë,i ka fqinjë.

Rrekëllejnë e zgërdhijnë
mishin si çakenj e shqyejnë,
jargët mbi kocka lëvrijnë
trutë e pjekur me kripë ngjyejnë…

Ata hanë,ai përtypet,
verën brenda e kthejnë me Kanë,
me pështymë për pak sa s’mbytet
“nga ju pashë,gjeçi belanë!…”

Kthehet mbrapa në errësirrë,
kërkon cigare,qenkan mbaruar,
dy paketa sot ka pirë,
në dyqan lista është shtuar…

Vjen vërdallë të dyqanxhiu,
do paketë,s’ka si t’i thotë,
por ai ka shpirt njeriu
e fton brenda,i jep një gotë!…

Me atë gotë bëhet pasha,
i ndrijnë sytë,i merren mendët,
kishë dy ditë pa ngrënë diçka,
majtas-djathtas po ikin këmbët.

Thith cigaren plot me epsh,
në gurmaz ndjen dhimbje fort,
një kancer s’do jetë i tepërt
“t’më shpëtojë nga kjo botë…”

Shkon e shtrihet në divan,
në ëndërr i dalin “ata…”
Sustë i rrinë këmbët i lajnë
“qenkam kthyer në Ali pasha!…”

Ngopet e shqyhet në ëndërr
dhe tani s’i vjen më keq,
stop t’ia bëj e shkreta zemër
ikën me vrap,ikën si mbret…


DITA E PARË E SHKOLLËS

Të gjithë ne ruajmë nga një ëndërr,
nga dita e parë e shkollës,
nga klasa e parë në fillore!
Ato mbijnë si vegime në zemër,
zenë vend thellë në venat e kokës,
pavarsisht nga distancat kohore…
Dhe ne ndjehemi më të lehtë
e ndjehemi në shpirt më të ngrohtë,
kur hedhim ca vargje për mësuesen e parë…

Ndërsa Elona e vogël këtu larg në kurbet,
këtë ditë të parë mezi e ka pritë!
Këtu,ku dhe rrugët mbajnë emra të huaj,
ku dhe shkolla,klasa e komplet orenditë,
ku dhe mësuesja e bukur e me sytë blu,
flasin të gjithë në gjuhen e tyre…
Për Lonën si të ngatërruara,më shumë se kuturu…

Më thoni ju miq mësues,shkrimtarë e poet,
ç’mbresa të ruaj Lona e vogël, në zemrën e vet
e vetme te banga e fundit,te muri në cep?!…


EKSTREMITET

Mendja thonë,qenka një “kokërr” gruri,
ndërsa unë e mendoj si një brumë të bardhë,
të mbushur me nyje,nerva dhe kapilarë…

Shumë koka të “mëdha” me urdhëresë të “grurit”
i dhanë vetes fund,duke kaluar në ekstremitet!
Kur s’shihnin dritë në horizont dhe ishte tharë çdo shpresë!…

“Lëri të tjerët,më tha dikush në një bisedë,
mua më ka shkuar mendja për vete disa herë!…”
Krizë me orë të zeza,pa dorën e ngrohtë,pa ndihmën e lehtë…

Zoti mos u dhentë kurajo ta realizojnë vërtet!…
Se kur bën komandë një kokërr “gruri” e shkretë,
kush ka shkuar përtej…s’është kthyer prapë në jetë!…


THASHETHEMI…

Thashethemin fare pak ta përgojosh,
t’i japësh pa dashje pak shtytje e ushqim,
krraukrinë si sorrë…I zgjeron degët pa mbarim…
Një ditë pengohesh e mpleksesh në rrënjët e tij
dhe ngecesh në rrjetën e zezë pa dyshim!…


GABIMET E BUKURA

Gabimisht ne s’ishim aty kur duhet të ishim,
gabimisht edhe pa ne gjërat shkuan si në vaj,
ndonjëherë në vend t’i ndreqim ne gjërat i prishim
ndonjëherë më mirë që s’ndodhemi aty,ku digjemi kollaj!…

Mittwoch, 2. Juli 2014

Brahim Avdyli - Cikël poetik

 
Brahim (Ibish) AVDYLI:

SUFERINAT E DHEMBJES

Gjurma e shkrimeve niset nga lashtësia
me kalanë që nuk rrëzohet aspak me fjalë
ndër ne, kënga të pavdekshme e ringjallë,
energjia e pashtershme e kësaj mbijetese
pikon me qumështin e viteve të dhembjes
nëpër gjëmën e djalit të vogël e bonjak,...

nuk ka si të lëmojë gjysmën e trupit të amës
derisa ajo nuk flet dhe është e ftoftë si vdekja,
kështu, përherë, nëpër legjendën e stërlashtë
vjen e na e rritë prore mbi gur një lule-pemë.
Fati i Rozës kthehet fuqishëm në Rozafat
ushqehet djaloshi prore me lotët ndër faqe
e neve na jep të thithim gjithë atë helm
brez pas brezi duke e përkundur vetë rriten
nëpër regëtimat e heshtura flijuar në kohë.
Kambana e vargjeve ushton nëpër shekuj
nëpër sytë e nënës – zanë e qenies sonë
që na e jep gjithnjë qumështin e njomë të viteve...
Gurëzimi na rritet dikur nëpër Urën e Fshejtë
dy brigjet e këngës sonë të na i përputhë
me jehonë të pashtershme të shkëmbinjve
në pikë të Qiellit mbërrijnë e të na kthehen
derisa thithim nektarin e lulebjeshkëve...

dhe çdo gjë fillon me gurët e kalave tona
që mbetën gjallë me fëmijët tanë e rindërtohen
nëpër suferinat e pambaruara të Këngës!

 
 
SHKRUAR ME LOTË

- Tre dishepujve,
të vrarë në Untergrupenbach,
me 17 Janar 1982
1.

Kam shkruar
këtë letër të gjatë
deri në fund të këngës,

me lotët e derdhur pikë-pikë

përpara botës së shurdhtë
edhe njëherë bëhem fëmijë-

"kush të vrau o Jusuf Gërvalla"
i marrtë Mortja
me gjirin e shterur,

Kokrra e Kripës le të pëlcas
fuqishëm, midis tokës-

derisa Bekimi i Nënëmadhes
të bëhet bekim i përjetshëm

si pemë e pjekur
e trojeve tona!...

2.

Nuk e di
në cilin varg për Ju do të vdes
kur të shpie në vend amanetin tuaj

e trojet shqipe
do të ulen këmbëkryq
në një sofër të madhe të pishave tona

si gjënë e shenjtë
që nuk harrohet
të qajmë dhembjen tuaj,

si është e mundur
të ndahen tokat tona

kuçedrat në çdo anë
na kanë rrethuar,

shqyejnë sa mundin trojet tona
rrënojnë kullat me fëmijë
pluhur i bëjnë sikur të mos jenë,

gjuha e bukur të mos eksistojë
nëpër ato pjesë të gëlltitura...

Tani, Zoti të dëgjojë
ankesën me lotë
zëdhënës të tjerët janë bërë,

pëshpëritin
në çdo varg që e nxjerrin

duke ndihmuar
pa pushim
copëtuesit e tokave tona.

3.

E kush ka guxuar
t`u vrasë-

me gojë të mbyllur
kanë mbetur miqtë
pranë thirrjeve tuja,

as klithja nuk u dëgjohet...

Anash
do ta hedhë këtë fletë
të shkruar në paharrim

jeni vet Dielli
që ngritet ngadalë
gjelat në mëngjes kur këndojnë

nga Burimi
do të vie Drita e juaj
për të pushtuar të gjitha Zemrat,

mbase,
do të shkruhet përgjithmonë
emri i juaj i pavdekshëm

në fletën e madhe të Qiellit!

 
 
ZOGJ TË PIKËLLUAR

1.

Ju shoh përherë të pikëlluar
nëpër fshatrat malore
rreth kodrave tona
a bregut të liçeneve
si fëmijë të mitë, këputur prej zemre.

Një lot u vardiset
në bebëzat e thara të shpirtit,
magmat e zemrës
ndizen flakë e gjëmojnë

shkrihet murana e hekurt
e shtatëqind rrufé me godasin
në harfën time të këngës!...

2.

Jeta e juaj
është Bibël e dhembjeve fëmijërore

jeta e juaj digjet përherë
metaforikisht
në kuptimin e së bukurës
të dhëmbshurës
të mallit
e pikëllimit të pashuar,

mjellma të shpirtit tim-
ju, bijë të Sy-thit
të Adamit me të cilin fillon jeta,

nuk e di
në cilin shekull të mallkuar jetoj

jam mijëra vjet jete
para lindjes së Bakut
dhe mbetem
me gojën e tharë të pëshpëritjeve,

nuk mund ta gjëj fillin e parë
jemi të përgjumur pip në këmbë,
nuk e vërejmë Diellin

në miliona plagë shpirti
dhembja lulëzon
prore e ndej veten Josip
e dua të shtrëngoj me zemër Klemestrën

ti më vjen me sytë e përlotur
je Noema, bijë e Sellës
Zotneshës pellazge...

fëmijë të braktisur përherë
zogj mjellme
në të gjithë shekujt!...

3.

Nëpër sytë e mi
ngjallet pikurë e pavdekshme pikëllimi
më le të çmedem
bukuria me emër të rrejshëm,

kuptimësia e së bukurës rilind
nga veza e pa numër e dhembjes,

çuditërisht ndjehem
në shekujt e tanishëm

shihem i ngrirë në piklën e bardhë të lotit
që pikë ngadalë
nga bebëzat e ngrira:

herë u ngjanë fëmijve
që shdërrohen në pulëbardha të lotëve
e përplasen
me dhembjen bregut të këngës;

e herë prindërve, baballarëve
që zvogëlohen në mjellma të vajit,

pastaj rreshin me shi
duke më përcjelur
në krojet e pandalura të lotëve

deri në zhdukjen e maleve!...

4.

Ndojëherë
shdërrohem në mjellmë
për t`u takuar me ëndërren time

në thellësinë e ujit të zi
nga shtërgata shekullore
vetëm për një çast të shkurtër,

pastaj, për t`u sjellur vërdallë
nëpër shekuj vuajtjesh
mbi dallgët e zemrës
dhe për të lundruar nëpër kohë,

nuk kam ku të ulem mbi valë
dhe të marr frymë,

a mos kam ardhur gabim
në këtë strofull jete

sa çel e mbyll sytë
ju notoni nëpër liqenin e zemrës,

fëmijëria e juaj e pikëlluar
është me krahët e fluturimit
nëpër dallgët e trazuara

deri sa shpirti pëlcet!...

5.

Kështu
mbeteni prore
zogj mjellme
nëpër vargjet e mia-

fëmijë
të braktisur
përherë!...

 
 
ENIGRMË E PËRJETSHME

1.

Mblidhesh në spirale
ethesh për ne

e ngritesh
me kokën e goditjeve
në bishtin
e përpëlitjeve.

2.

Kur të shoh
më thahet pa shpirt
një fjalë në gojë

e regëtimat e qenies
ndrydhen të heshtura-

mitologjitë e globit
mblidhen
në botën e sertë-

athua,
ku do të jetë
dënimi i Zotit.

3.

Herë bëhesh
shtagë e gjatë
dhe mbi ty mbahet bota
për të mos rënë
skrupull
me dhembjet e viteve

e herë-herë
sa qel e mbyll sytë
bie mbi jetën
e shpërfillur

aty ku nuk të mendon njeriu
dhe e ka lëshuar
rrugën e zotit!...

4.

Qindra poezi
mund të shkruheshin për ty

edhe po të gënjenim
për të paqenën me fjalë
apo të përkryerën

kur të takojmë
të mbledhur lakuriq
rreth pritjes-

ngjitesh më lartë
me kokën përmbi heshtje
e hidhesh si shpatë

na rrëqeth
me ngjyrat e tmerrit

ngadalë
pështillemi larg
e largohemi
përtej vdekjes.

5.

Njëmijë vjet
jeton me dhembjet
e vetminë

të ka plasur gjuha
nën gur
nën dushk e shi
nën dhé

duke pritur jetën
të soset
nën helmin tënd-

helm është jeta vetë
katran
i mbyllur në gur

enigmë e përjetshme!...

 
 
KOKA E LUANIT

1.

Leu trim
Llavë e ujqërve
Luan-

tre emra pellazgë
përpëliten
nëpër Alpet tona.

Është zhdukur
nga pakujdesia
deri në xhungëll

të pashkelur
nga qytetërimi-

simbol i metur
mbi portën
e Mikenës

e ju flet shekujve
jam këtu
roje e pavdekshme
e fuqisë!...

2.

Kush e di
trimi Leu
Luan
mbret i lashtë
i tokës
pellazge

e dhjetëmijë vite
numëron
i pafjalë
mbi portën tënde
Evropë,

thotë Leu
llavë do të bëhem
kur nuk flet
s h q i p...

kur
s`më njeh!...

TRANDJE

Më duket
se guri
derdhë lot mbi sipërfaqe

dridhet e rënkon
trandet
e lëkundet prej dheut...

Befas i fshij sytë
qetësohem nga lëvizjet
jashtë meje

athua
më rëndë është të them
se guri qanë
pranë meje

përderisa
e trishtueshme është jeta
me vetminë!