Samstag, 20. Juli 2013

Rrëfenja popullore për figura historike


"Emrat dhe kujtimet e njerëzve të mëdhenj janë paja e një kombi." /Paskuale Willord/


Skënderbeu dhe Ballabani 
                       
Në vitin 1463, Ballaban pashë Badera nga Mati, hyri me 18 mijë ushtarë në Dibër. Para se të fillonte lufta, i dërgoi Skënderbeut dhurata shumë te çmuara. Skënderbeu i dërgoi një plor dhe një krrabë. Me këto dhurata ai i thoshte Ballabanit se do të ishte më mirë bujk ose bari në Shqipëri, sesa pasha në Turqi.


Mençuria e Lekë Dukagjinit

Lekë Dukagjini u nis për të shkuar në një kuvend burrash. Rrugës takoi një fshatar, i cili i tregoi se turqit kishin zënë prite për ta vrarë. Leka menjehere u ndal dhe ktheu rrugë.
- Përse kthëve rrugë? - ia ktheu fshatari.
- Më mirë të thonë dredhoi Leka, sesa vdiq Leka, - ia priti Lekë Dukagjini.


Ali Pasha dhe Napoleoni

Napoleon Bonoparti i kërkoi Ali pashë Tepelenës një sasi gruri për ushtrine që kishte në ishujt grekë.
Sekretari formuloi përgjigjen me terma të zgjedhura dhe nisi tia lexonte pashait. Ali menjëherë e ndërpreu dhe i tha:
- Nuk më duhen fjalët e mëdha, prandaj shkruaj këto që po të them:
"Napoleon, dërgo paratë të marrësh grurin!
Unë, Ali Pasha"


Abdyl Frashëri në Dibër


Rrugës për në Prizren, Abdyl Frashëri fjeti një natë në Teqenë e Vleshës në Dibër. Aty u mblodhën mjaft fshatarë, të cilët dëgjuan me vëmendje Abdylin, që foli për qëllimin e lartë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pas fjalës së Abdylit, njëri nga pleqtë e fshatit iu drejtua:
- Abdyl bëj, pas fjalëve të mira që na the, të japim besën se, edhe diellin sikur ta ketë në dorë sulltani, prej tij nuk e duam.


Nikoll Kacorri dhe flamuri

Në kuvendin mbarëkombëtar me 28 Nëndor 1912, kur u shtrua për diskutim koha për ngritjen e Flamurit, patrioti i shquar Nikoll Kacorri, ngrihet dhe thotë:
" Burra, në qoftë për të vdekur nesër, më mirë vdesim sot!" dhe i zgjat flamurin Ismail Qemalit, i cili nga ballkoni i ndërtesës e shpalosi para mijëra njerëzve nga gjithë Shqipëria.


Ismail Qemali dhe Kanan Maze

Luftëtari Kanan Maze shkoi në zyrën e rekrutimit te qeverisë së Vlorës për të hyrë në ushtrinë shqiptare.
Oficeri pasi e mati i tha:
- Shtatin e ke disa centimetra më të shkurtër nga sa e kërkon rregullorja, prandaj nuk mund të të pranojmë në ushtri.
Kanani shkoi menjëherë tek Ismail Qemali dhe i tha:
- Ismail Bej, vetëm për të gjatët e ke bërë Shqipërine apo edhe për të shkurtërit?
- Pse si është puna? - e pyeti Ismail Beu.
Kanani i tregoi çfarë i kishte ngjarë në zyrën e rekrutimit.
- Shqipëria ka nevojë edhe për të shkurtërit e, veçanërisht për trimat si ti, - ia ktheu Ismail Qemali dhe i dha një letër për komisionin, që jo vetëm ta pranonin në ushtri, por ta bënin edhe suvari.


Isa Boletini në Londër

Në marsin e vitit 1913, një delegacion shqiptar me Ismail Qemalin, Luigh Gurakuqin, Isa Boletinin etj,. shkuan në Londër, ku mbahej konferenca e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha, të cilat do të caktonin edhe kufijtë e Shqipërisë. Kur delegacioni hyri në Ministrinë e Jashtme, sipas rregullit, Isa Boletini dorëzoi koburen. Ministri i Jashtëm, Eduard Grej i tha Isa Boletinit:
- Gjeneral, nesër gazetat mund të shkruajnë se Isa Boletinin që s'mundi ta çarmatoste Mahmud Shefqet Pasha, e çarmatosën në Londër.
- Jo besa, as në Londër jo, - u pergjigj Isai dhe nga xhepi i jelekut nxorri nagantinë (koburen) tjetër.


Elez Isufi dhe diplomati

Një diplomat i huaj, i shtyrë nga politikanët serbë i thotë patriotit dibran, Elez Isufi:
- Elez Aga, Bjeshkët e Sharrit është mirë tia jepni Jugosllavisë kundrejt një shpërblimi të mirë. Bjeshkët e Sharrit edhe sikur te jenë cifligu im, kurrë nuk i shes, lëne ma që ato janë pronë e kombit shqiptar, - ia ktheu Elezi.
Diplomati për të ndërruar bisedë tha:
- Zoti Elez, ku e ke qepur kaq bukur këtë kostum shajaku?
- Ne Galican te Dibrës, - ia ktheu elezi.
- Interesant, - thotë me mëndje diplomati, - kurrë s'kam parë njeri me veshje Galicani dhe me mëndje europiani


Ismail Spahia dhe Mahmud Kacaku

Mahmud kacaku nga Kolesiani i Lumës, ishte ngatërruar me luftëtarin Islam Spahia për çështje kufijsh. Mahmudi, si kaçak që ishte, doli në mal të vriste Islamin. Me të marrë vesh ngjarjën, erdhën nga Prizreni dy ofiecerë turq dhe i shkuan në shtëpi Mahmudit.
- Përse keni ardhë, - i pyet ai.
- Morëm vesh që ke dal në mal me vra Islam Spahinë, që është armiku i perandorise osmane, - tha njëri oficer, - prandaj po e vrave do të jepen 100 lira.
- Kaq trim i madh qenka Islam Spahia sa e njihka dhe Stambolli? - pyeti i habitur Mahmudi.
- Islam Spahisë ia ka dëgjuar zërin edhe sulltani, - tha oficeri tjetër. Mahmudi, si u mendua pak tha:
- Përderisa Islam Spahia qenka kaq i zoti, sa e njihka dhe sulltani, unë nuk jam budalla me e vra për dy pëllembë tokë, prandaj merrini lirat dhe mu hiqni sysh se, po të mos ju kisha në shtëpi, nuk shkonit gjallë në Prizren.
Oficerët ia mbathën menjëherë për në Prizren.


Themistokli Germenji para pushkatimit

Me 9 nëntor 1917 do të ekzekutohej në Selanik, Themistokli Gërmenji. Para pushkatimit Themistokliu shfaqi tri dëshira të padëgjuara ndonjëherë:
1. Të vishem me kostum kombëtar shqiptar,
2.Të mos më lidhni sytë
3.Komandën për zjarr ta jap vetë


Gjergj Fishta dhe shkrimtari serb

Poeti kombëtar Gjergj Fishta shkoi në një konferencë shkrimtarësh në Romë. Në konferencë merrte pjesë edhe një shkrimtar serb, i cili në një libër të tij kishte shkruajtur se shqiptarët janë me bisht. Kur të gjithë u ulën për te filluar konferencën, Fishta ndenji në kembë.
- Zotëri, a nuk keni karrigë? - e pyeti drejtuesi i seancës.
- Karrigën e kam, por nuk ka vrimë ku të fus bishtin, - u pergjigj Fishta.
- Cilin bisht? - e pyeti i habitur drejtuesi i seancës.
- Bishtin që kemi ne shqiptarët për të cilin ka shkruajtur ky shkrimtari sërb, - tha Gjergji duke shenjuar serbin.
- Ju lutem zotëri, mos bëni shaka! - foli përsëri drejtuesi.
- Nuk po bëj aspak shaka, - u përgjigj Fishta, - sepse sërbi, o do të gjejë bishtin shqiptarëve për të cilin ka shkruajtur, o të dalë përjashta i turpëruar.
Shkrimtari sërb nuk e zgjati, por kokulur dhe i mbuluar me turp, doli nga salla.


Fan S. Noli dhe delegacioni grek

Në konferencën e paqes në Paris, perfaqësuesi i delegacionit grek, për të bindur të pranishmit se Shqipëria e Jugut është tokë greke, në mes të tjerash tha se të gjitha kishat në Shqipërinë e Jugut janë me mbishkrime greke. F. S Noli që perfaqësonte delegacionin shqiptar, i dha këte përgjigje grekut:
"Në pjesën veriore të Parisit është një kishë me mbishkrimin grek, prandaj Komisioni i Paqes, le ti japi grekut njëherë Parisin, pastaj kur të dojë të vijë të shohë mbishkrimet greke në kishat tona.


Mustafa Qemal Ataturku dhe Shqipëria

Mustafa Qemal Ataturkut, sekretari i solli për të firmosur një listë me emrat e disa shqiptarëve, që do të shpërnguleshin nga Turqia.
Ataturku, pasi i lexoi emrat, mori stilografin dhe në krye te listës vuri emrin e tij.
- Zotëri, nuk e kuptoj përse e vute emrin tuaj në krye të listes?! - pyeti sekretari i habitur.
- E vura, sepse i pari që duhet te shpërnguleme nga Turqia, duhet të jem unë sepse edhe unë jam shqiptar, - ia ktheu Ataturku.
 

Ahmet Zogu dhe atentatori

Me 23 shkurt 1923, Beqir Valteri i bëri Zogut atentat në shkallët e parlamentit. Zogu. megjithëse i plagosur, çarmatosi atentatorin dhe hyri qetësisht në parlament e tha:
- Zotërinj deputetë, këto gjëra ndodhin shpesh herë prandaj nuk kini përse shqetësoheni.
Mjaftuan këto fjalë që parlamenti të vazhdonte normalisht punimet.
Më pas kur Zogu u shërua e pyetën:
- çfare dënimi ti japim atentatorit?
- Meqë është matjan do ta fal, - tha Zogu, - sepse baba, kurrë nuk e vret fëmijën e vet.


Bajram Curri dhe Dava e Ndue Markut

 Në vitin 1924, Bajram Curri gjatë rrugës për në Tiranë, fjeti një natë tek Brahim Gjoci në Lurë. Të nesërmën u nis për në fshatin Merkuth. Njëri nga shoqëruesit shkoi te Dava e Ndue Markut, që ishte plakë me zë dhe i tha:
- Bajram Begu është nisur për te shtëpia jote me pi një kafe, prandaj duhet me gjet ndonjë karrigë.
- Bajram Curri është njeri i popullit e nuk kërkon karrigë, - ia ktheu Dava, - ndërsa për ty që don të dukesh, kam koshin që ushqej kecat.

Keine Kommentare:

Kommentar posten