Freitag, 26. Juli 2013
Cikël poetik nga Ali R. Berisha
MË KUJTOHET
Më kujtohet
Kur lexoja poezi lirike
Në lëvoret e drunjve
E poezi epike
Në shpellat e bjeshkës.
LIRIKA E NJË NATE
U bëra mik me natën
Dhe me fatin që mban ngjyrën e saj
Për ta ngarkuar edhe me një poezi
Që kurrë nuk munda ta bëj timen
-Natëziu! - e quajta veten
“Natëziu” - e titullova poezinë
Të shkruar në mesditë
-Natëziu! - më quajti lexuesi
Vuajtjet e poetëve
Nuk po përfunduakan njësoj
Qindra poetë qindra thyerje poetike
Të netzinjve: ata dhe nata
Gjithmonë qajnë njësoj...
Kur vetmia na mundonte shumë
Nata me shpirtin e saj guva-guva
U bë mik me mua t’i lexonte poezitë e mia
Poetët e rrugës nuk flasin më me të
Përse? Kur ata mund të flasin
Me vashat që kthehen nga puthjet
Poetët e kafeneve nuk flasin më me të
u merren mendtë -
S’ka më as trubadurë!!!
Tash unë dhe nata
Ia heqim mërzinë njëri-tjetrit.
PAS SOTIT
Pas sotit edhe një ditë
Do ta ketë emrin e vet
Me temperaturë të harruar
Pa freskun e shiut
Frymëmarrja merr n’thua
Jetëzon - e në mua
s’lë gjë
Rrugë quhet ajo
Nëpër të cilën kalon dashuria
Nëpër gropat dhe urat e saj
Pas sodit edhe një përqafim
Edhe një ag edhe një gji i freskët.
POEMA MË ÇOI TE LOTI
E lexova poemën që më çoi te loti
Ma çoi nënën prej varrit
Dhe ma solli babën e vrarë për gjak
E m’çoi në një fushë të përgjakur
E m’çoi në guvat e kasolles sime të vjetër
Si në pëllëmbë të dorës
S’mund të rehatohem
Për disa kapërcyelle drite
S’munda t’i shpjegoj kujt se çka kam
As t’i bëj të më kuptojnë
Mirë ka bërë Europa që e zbuti poezinë
Se ishte një ujk i çartur
Kur merrte me u nxe
E me i shti valë prushit poetik
Poetët e rinj kanë shëruar poezinë
E dikurshme të mjerë
Nga gjaknxehtësia
Nga indoktra
Nga manifestet
Nga armiqtë e panumërt
Dhe na dhimbsej që çdo çast
Prisnim t’i dilte shpirti
E të shpëtonte nga lotët
Duke na lënë të ciflosur
Në gotat e spirrëzuara të alkoolit.
FITOJANI LIRINË DASHURISË
(Atyre që u përflaken puthjet në buzë)
Vështrimi i afërt i katërantë
i dashurisë
lulëzim ngjyrë-arome
hapet qielli i hapësirtë
rrezet e yjeve në ylber
shikim-shigjetë për të hyrë nën të
dëgjohet një metaforë
përqafime të ngadalta
të dashurisë
mal mal mal
ëndërr e paskaje e dashurisë
gjakimi sy i përdashur
këtu vjen një simbol
tash
s’jam askund ku s’je
je kudo ku jam
nuk do ta pushtoj
asnjë dëshirë
mos ma robëro
dashuria ka fituar
dhe strehuar në ne
ku ndalet fshikullimi
tash
e ka radhën të luajë në piano
me tinguj vështrim
pa lojëçka
siç jemi ne
është dashuria
-është vargu i parë i baladës.
KËNGË E THJESHTË
një shoqe ime e ngushtë
as e gjerë as e gjatë
në të zgjuar të një mëngjesi
pa në dritare një perëndeshë
- perëndeshën e këngës
Zgjohu i tha
Dhe i shkoi pas
Do ta fal një bukuri përbrenda
brenda do ta kesh
nektarin shpirtmbajtës të këngës
Se ç’u bë mikja ime
art dhe robinjë e këngës
se ç’u bë e se ç’u bë
mikja ime e ngushtë
nisi të më shngushtohej
nisi të shperëndeshej
nisi të më - shmikohej
arrita ta këshilloj
- mos u stilizo
se po ia vjedh bukurinë këngës
mos vallëzo kur këndon
se po ia thyen këmbët melodisë
këngës mos ia humb pahun
mos e ndal
le të marrë udhë në lirinë e vet
s’ka nevojë për bukuri të tjera
në një mesditë
në të zgjuar
mikja ime
pa në dritare një shperëndeshë
qau dhoma e zbrazët
qau shumë
për vdekjen e hershme të këngëve.
STINA SI KUJDES
Më fal për stinën
Dua t’i bëj derë një ere
Ku jeton çdo gjë
Do t’i shkoj asaj
Që do të mund t’i marr erë
Era hapësirë shtegu.
DASHURIA QË DASHURON
Vetëm dashuri -
Dashuria ushqen
Pastaj vijnë radhazi
Gjethet, lulet, bletët
Ushqehuni me dashurinë
Ky ushqim të rron
Të rron e të flatron
Dëgjoi ama e dashurisë
Dhe e mori engjëllin folës
Mbi krahët e nderë yll më yll
E flatroi, e flatroi, e flatroi
E flatroi pa zë
E la jetim shikimin e shigjetuar
Në kurmin e cepëndrrës
Të njërës prej Rinave tona
Mirë e ka!
E vë dorën në zjarr
Se mirë e ka – tha vuajtjetari
Dhe kërkoi ndjesë
Për këngën e përgjysmuar
Për lotin
Një shikimdehur
Nga habia përgjaku buzën
Në gotën e spirruar
Kur dëgjoi vargun
Vetëm dashuria dashuron
I dashuri
I njërës prej Olimbive tona
S’deshi të besonte se engjëlli
Ka rrëshqitur
Nga krahu në fluturim
PIKAT NË SHI
Pikat në shi
Shfletim fletësh të një qershie
Hijesorja e oborrit
A thua do të mund të shkruaj një varg
Nga ajo që po shoh
Në gjethin e rënë kaq herët
Asnjë fjalë
Asnjë zë
Qershia tash do të mbesë këtu
Nëse kam nevojë
Mund të lëviz vetëm unë
Shihen pikla në shi vese
Fryrë nga një erë
Unë tani
këtu ku gjendem tani, në fshatin tim
as e shoh pikën e shiut si filxhani
as e shikoj gjethin të gjallë as të rënë
as e shikoj erën kur fryn
Ja: m’u bë, s’di se çka,
T’u shes mend njerëzve
Që u takoj
PUTHJA OSE JAM
Natës i humbi hëna
floku i vashës
nuk e gjeti
Djalit i humbi kënga
Syri i vashës
nuk e gjeti
Puthjes i humbi rruga
E mori hëna përdore
Dhe vashës afër ia çoi.
PIKU VARGU
Piku vargu -
Ra në lotin e vashës
E mori trimi
Që të mos i lëndohet
Dhe ia fluturoi
Majë bjeshke
Atje ku vallëzojnë poezitë.
MË THUAJ
Më thuaj
Sytë e mi
- janë një apo dy
Më thuaj
Malli im
- fëshfërit apo bubullon
Më thuaj
Pse gjumi im
-nuk di gjuhën e mashtrimit
Për hatrin tim -
Shko vraje ujkun!
Atje në dimrin e maleve
Atje ku bishat krehin pyjet
E nuk i lënë rehat degnajat e gjata
Si flokë të vashave.
NËPËR TYTËN E VARGUT
Dëgjo
Nëse s’ke dëgjuar
Se lotët e tu
I kam kaluar
Nëpër grykën e vargut
Le të vuajnë edhe të tjerët
Për fjalët e rrëmbyera
Që mbysin dashurinë
Urinë
Dhe
Inë
Kujtoje ditën
Kur të kam quajtur
Diell dhe hije.
PIKAT KËRKON JETË
Kam parë terrin
Natën dhe mandatën
Tash shoh njeriun
Njeriun dhe Njeriun
Djallin, perëndinë
Le t’k’naqdurojnë sytë
Fillimditën traditën
E (këtij) vendi të “grytë”!
Tek Ura, tek ura –
Vraponi burra burra!
Përmbajtja e tretë
Nisja me fushqetë
Ndër lumenj dhe gurra
Pika kërkon jetë
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen