Montag, 15. Juli 2013

Biser Mehmeti: Tri tregime


FAJTORI

Kur vjeshta filloi të pikturonte një peizazh të zymtë, atëherë kur mendoja se ishte çasti më i volitshëm për t’u çlodhur nga një rrugë e gjatë, u përhap fjala si rrufe se do të shkonim në mal për disa ditë ose për disa vjet. Pasi që apriori kuturisa të mos lëvizja nga shtëpia as që dëshiroja të dija shkakun përse bëhej një udhëtim kaq i gjatë,madje në një kohë me mot të ftohtë e me shi. Edhe po të mbetja fillikat në shtëpi nuk e kishte ndërmend të kaloja nëpër ato rrugë të rrëpirta, nga të cilat gjithnjë çuditërisht jam frikësuar. Disa ditë në tërë shtëpinë ndjehej një atëmosferë ngazëllyese, e cila fare lehtë hetohej në fytyrat e të gjtihëve. Gjatë kësaj kohe në imazh gjithnjë më faniteshin ato ditë të mbushura me vetmi, me të cilat do të ballafaqohesha shumë shpejt. Nuk kisha ide si ta mbysja atë vetmi të qartur, e cila më vështronte përtej një errësirës së tejdukshme si të ishte një bishë e egër. Sapo ato gjëra të neveritshme i hidhja në humnerën e errët të mendjes, një dorë e paduksahme tinëzisht i hudhte mbi pasqyrën e vagëlluar të mendjes së dërrmuar...
-Edhe ti duhet të vish me ne,madje të vish edhe nëse nuk e dëshiron një gjë të këtillë! - më tha një zë me do tinguj të akullt. Ai zë më ngriu të tërin e pastaj më mbërtheu për shtrati.Mendimet filluan të luftonin në mes veti me një vrazhdësi e egërsi të madhe. Ndjenjat rebele grindeshin pa pra, duke e kafshuar njëra-tjetrën pamëshirshëm. Koka kishte zënë të më pëlciste nga një dhembje e pazakonshme. Më bëhej sikur së shpejti do të shndërrohesha në torzo. I shëmbëlleja një njeriut që ka humbur çdo gjë, madje edhe kohën...
- O Bac, dëgjom vetëm një herë,- i thashë me një zë të përvajshëm, i cili sikur buronte nga fundi i zemrës së pëlcitur,- dëgjon vetëm pak se...
- Vendimi është i prerë! Bëhu gati se nesër në agim do të nisemi!- dhe pasi i la fjalët brenda si të ishin kufoma të pavarrosura e përplasi derën i xhindosur me sa fuqi që kishte. Pastja doli jashtë i tërbuar si një bishë e egër...Disa çaste qëndrova indiferent sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Të gjitha mendimet më ishin ngrutësuar. U mundova t’i mposhtja të gjitha ndjenja ogurzeza që sorollateshin si korba nëpër kokën e rënduar. Me duart e mia e varrosa durimin, shpresën dhe lumtrurinë. Me këmbët që mezi më mbanin i rrafshova tri varre, të cilat gjithnjë vinin pas meje. Isha kredhur në një humnerë të mbushur ankth, i cili gjithnjë ushqehej me jetën time. Më nuk dija a jetoja apo vetëm shtiresha se jetoja... Gjatë tërë natës me sy të zgurdualluar vështroja do gjëra pa trajtë e pa formë, të cilat sorollateshin rreth trupit tim të ngurosur. Një gur i rëndë, i cili kishte lëshuar rrënjë të thella në zemrën time rritej pa pra. Errësira hynte në qepallat e mia e pastaj gërmonte në thellësinë e tyre. Dëshiroja të dilja nga lëkura e pastaj të trtetesha në errësirën e natës. Mundoshesha t’i frenoja sfilitjet, por ato gjithnjë mbinin nëpër fushën e jetës sime si të ishin bimë halore. ..Kjo është nata e fundit, më thoshte një zë i largët. Nesër do të varrosem në një vend të largët.Korbat do të ma hapin varrin... Më bëhej se nata nuk do të kishte mëngjes fare.
Kur më në fund erdhi mëngjesi, një mëngjes i zymtë, me një acar të çuditshëm, u nisëm për në mal. Rruga e ngushtë ishte e mbushur me baltë dhe heshtje. Më bëhej sikur po shkoja për ta varrosur vetveten që kishte vdekur gabimisht. Me sytë e mendjes e përfytyroja çastin kur kortezhi, të cilit i printe njeriu që më kishte sjellë padashur në jetë e pastaj ishte penduar që e kishte bërë një gjë të këtillë, ndalej pranë varrit të hapur. Pastaj ngadalë brenda lëshohej trupi im që ende nuk kishte vdekur tërësishst... Çapitesha me hapa të rëndë. Mendjen e kisha të trurbullaur, kurse në kokë më kishte hyrë një mjegull e denduar që nuk më lente të shihja asgjë. Dielli më dukej sikur ishte lëshuar mbi kokën time dhe gjithnjë më kërruste. Koha tashmë ishte ngurtësur. Nëna qëndronte pranë meje dhe vazhdimisht dëneste nga një dëshpërim i thellë. Mbi fytyrën e saj të zverdhur kishte rënë një mallëngjim i egër, të cilin s’mund ta mposhtte. Ajo i shëmnbëllente një hënës së përgjysmuar që ka vdekur në mëngjes...
-Ah, si nuk vdiq ky i mallkuar, por jetoi që të të shkatërrojë jetën tënde se jeta ime s’më dhembest fare!- thoshte me një zë që më shumë ishte vaj e që buronte nga thellësia e zemrës së shkrumuar. Nuk e dija a zvarritesha drejt zhdukejs apo qëndroja në vend duke u sjellë në një rreth vicioz. Ishte një përzierje e nevetishme e ndjenjave, të cilat humbnin trajtën reale dhe merrnin trajtë joreale. Objektet që i shihja më ngjanin në kufoma, të cilat çuditërisht më vështronin me sy të verbër. Në mesin e tyre e shihja edhe kufomën time, të cilën e hanin korbat dhe krimbat. Dëshiroja ta shkatërroja atë imazh të plogështë që ishte tiposur në një skaj të mendjes. Mirëpo, forca më ishte shterur si të ishte kandil që mbetet pa gaz. Isha shndërruar në një mekanizëm që vihet në veprim nga forcat e jashtme...
Nuk e pashë fare se nga doli një mbrëmje e plagosur që zvarritej me këmbë të thyera. Ajo e lëshua mbi hapësirë së bashku me do krrokama të thekshme e me do ulërima të zgjatura. Vetëm atëherë nga qepallat e ndryshkura i largova merimangat dhe vërejta se kishim arritur në një mal me lisa të mëdhenj, të cilëve nuk u shihej fundi. U mundova të shquaja dikë e diçka, mirëpo çdokund shtrihej një vetmi e qartur, e cila më mbështillej rreth qafës si të ishte një gjarpër i madh. Isha kredhur në rrjetën e një frikës së paanë, në të cilën ngadalë kisha zënë të mbytesha. Dëshiroja ta thërrisja nënën të më nxjerrte nga ajo gjendje e mundimshme. Mirëpo zëri nuk më formësohej dot. Nuk e dija çka kishte ndodhur me mua as me të tjetrët, të cilin ishin tretur pa gjurmë. Mendime të kobshme më silleshin vërdallë nëpër kokën e rënduar. Nuk dija ç’të bëja me vetveten as me kohën që më vështronte përtej errësirës. E vetmja gjë që duhej ta bëja ishte që të mendoja për gjëra të lumtura. Mirëpo, mendimet mezi arrija t’i krijoja vetëm me gjysmë forme. Nga ato mendime të përgjysmuara dolën tri hije të bardha, të cilat vallëzonin rreth trupit tim të shtrirë pranë një humnere të thellë. Nga një largësi e papërcaktruar jehonin do ulërima ujqish të uritur, të cilët kërkonin trupin tim për ta ngrënë. Mundohesha të ngritesha nga vendi, por një forcë e padukshme më mbante të mbërthyer. Më dukej sikur isha i gozhduar... Stinët filluan të ndërrohehen njëra pas tjetrës me shpjetësi të rrufeshme. Koha rrëshqiste si të ishte një lumë i rrëmbyeshëm, kurse unë qëndroja larg saj. Qëndroja gjysmë i fjetur e gjysmë i zgjuar. Çdo gjë që më rethonte ndryshonte trajtën dhe formën... Një ditë ose një natë ( pasi ato vështirë arrija t’i dalloja) arrita të ngritem nga vendi si të ngritesha nga varri. Fillova të sorollatem nëpër atë hapësirë të shngjyrosur. Zvarritesha tërë kohën e në fund arrija në fillim të shtegut. Dëshpërimi me një shpatë të mprehtë në dorë ma copëtonte zemrën. Gjithnjë e më tepër bindesha se nuk mund ta gjeja rrugën që më nxjerrte nga ai mal i madh, në të cilin jetoja me vetminë time të qartur. Shpesh binte shi dhe i lagte ato pak gjëra që gjendeshin rreth meje. Gjithnjë mbisundonte një stinë e ftohtë, e cila e sjellte një mjegull të zezë që i gëlltiste gjërat që mungonin. Qielli dukej sikur kishte mërguar së bashku me dielllin... Kushedi sa vite i treta në brendësinë e atij mali, duke mos mundur të gjaj rrugën që më nxjerrte prej tij. Një ditë m’u duk sikur e gjeta shpëtimin që e kërkoja. E pashë me sy të vagëlluar njeriun që më solli pa dëshirën time në jetë e pastaj më mbylli në këtë mal të shkretë. Ai gjendej vetëm pak metra larg meje. Më vështroi me dy sy të mbushur urrejtje e mllef sikur të dëshironte të më gëlltiste. E thirra shumë herë me sa zë që kisha. Ai përsëri më vështroi me dy sy të zgurdulluar, në thellësin e të cilëve lodronte një urrejtje e çuditshme. Pastaj një zot e di nga u tret dhe kurrë më në jetë nuk e pashë. Më kot vazhdova ta kërkoj rrugën që më nxjerrte nga ai mal i mallkuar, në të cilin dielli gjithnjë mungonte.
"Kush është fajtor për sfilitjet e mia?" më pyeste një zë i largët në vetvete. Nuk guxoja t’i përgjigjesha. Flokët vazhdimisht më rriteshin e pastaj edhe më thinjeshin. Fytyra vazhdonte të më mplakej pa mëshirë. E unë nuk bëja tjetër veçse kërkoja rrugën që më shpinte larg atij mali të mbushur me korba e ujq të uritur...
Disa ditë para se të takohesha me trajtën e vdekjes reale, përtej mosqenies erdhi nëna, të cilën e përfytyroja të vdekur, dhe më nxori nga mali. Mirëpo mezi më njohu, ngase isha mplakur aq shumë sa që mezi qëndroja në këmbët e mia. Kur arrita në shtëpi i gjeta do njerëz të cilët, as nuk i njihja, as nuk më njihnin...



COPËTIMI I SHPIRTIT

Në xhamin e ndotur të dritarës së vogël paprimtas u shfaq një mëngjes i hidhur, me fytyrë të mërzitur e me sy të pikëlluar sa që dyshohej se së shpjeti do të ndërronte jetë.
"Edhe mëngjesi më nuk është siç ka qenë dikur! Vjen për pak çaste e menjëherë pendohet që ka ardhur e pastaj bën vetvrasje në mënyrë të qetë!"
Fliste me veten e tij me një zë të qetë derisa e vështronte hijen në mur, e cila gjithnjë dridhej nga shtypja e ajtrit të ftohtë. Nga sytë e vagëlluar i rrjedhte një lumë me zjarr, me një zjarr të furishëm që s’mund të fikej as pas vdekjes. Mundohej ta gëlltiste një send të padukshëm që kushedi kur i kishte mbetur në gurmaz. Derisa e gëlldiste me vështirësi të madhe sendi i mprehtë ia prente ngadalë organet e brendshme duke i shkaktuar dhembje nëpër gjithë trupin.
"Më parë pranoj të vdes se sa ta gëlltis këtë send të mallkuasr!" i tha vetvetes i nevrikosur. Një drithërimë e fuqishme ia përshkoi gjithë trupin e dërrmuar. Djersë të ftohta filluan t’i rrjedhin nëpër ballin e regjur. Filloi të dridhet nga ethet dhe zjarrmia. Dridhjet iu ndalen vetëm pasi të gjitha organet iu ngrinë. Trupi i tij ishte shndërruar në një statujë të gjallë, e cila zinte një vend të parëndësishëm në hapësirë.
"Duhet ta gëlltisesh patjetër! Vetë e fute në gojë e tash erdhi koha ta gëlltisesh!" i thoshte një zë i ashpër që vinte përtej mosqeniesë. Ata tinguj të furishëmn e godisnin në kokë si të ishiin gurë të mëdhenj që lëshohen nga qielli. Zëri i zhveshur nga zanoret qëndronte para tij si ti ishte një kufomë e vjetër, të cilën koha s’ka forcë ta dekompozon.
"Më mirë pranoj të vdes se sa ta gëlltis!" iu përgjigj sërish vetvetes ose dikujt tjetër që e vështronte me përbuzje përtej një kohës së perënduar. Ajo kohë e mallkuar qëndronte e varur në një kornizë në një skaj të hapësirës. Një parzierje e gjërave reale dhe ireale që ndodhën në brendësinë e mendjes ,zuri të krijonte një gjendje plot angështi. Ishte një gjendje e amulltë, gjatë së cilës kishte bindje se gjysma e trupit kishte zënë të vdiste para shumë kohe dhe se ky proces tashmë kishte marrë fund.
"Me gjysmën e turpit e kam të vështirë të arrij në fund të jetës!" mendoi me vetveten derisa një dorë e padukshme dhe e rëndë e mbërtheu me gozhda.
Me sytë e mendjes e shihte trupin e vet të përgjysmuar si zhvarriej në një rrugë të boshatius nga qeniet e gjalla. Dukur u ndal sikur para tij të shtrihej një vdekje adimenzionale e cila prej lindjes e përcjellte si një hije e gjallë.
"Ku dreqin mund të më shpie kjo rrugë?!" e pyeti vetveten. Disa çaste shpresoi se vetvetja do t’i përgjigjej. Mirëpo vonë heroi se vetvetja i mungonte, madje ajo gjithnjë i kishte munguar. Pahetueshëm i ishte shkëputur nga tupi i tij e tash bënte jetë të pavarur në një skaj të botës.
"Të gjitha rrugët më shpiejnë atje ku s’dua të jem!" i tha vetvetës ,e cila në atë çast gjendej shumë larg tij dhe sigurisht bënte një jetë tjetër më të lumtur.
Dëshiroi të ecte, të shkonte dikah, vetëm të mos qëndronte në vend i ngursour. Mirëpo ndjenjat ogurzeza ia paralizuan gjymtrët. E tmerronte frika e paqartë, e cila i thoshte: kudo që ta hedhësh hapin do të shkellësh mbi trupin tënd të vdekur!
"Mjaft e ushqeva shpirtin me helmin që ma prodhonte shpirti im! Mjaft jetova mbi krahët e durimit. Dikur fijet e durimit u këpuiten si fije bari..."
Edhe më tutje deshi të fliste me një njeri të dashur që duhej të ishte pranë tij, por sa herë kishte nevojë për të ai mungonte. Mungesa e asaj krijese të dashur i sjellte një trishtim të madh. Dëshironte ta zbrazte lumin e mllefit që i ishte mbledhur si një ortek në shpirt... "Njëqind herë të rashë në gjunj e pastaj t’u luta si fëmijë duke të të këshilluar: largoje mjegullën nga sytë se ajo të ka vërbuar! Mos e ushqe shprtin me trillime të panovjshme. Mos i bën katikule vetvetës! Një ditë gabimi në jetë do të të shkel si një rrotë e rëndë prej çeliku...
U lëshua në kthedrat e heshtjes së kobshme. Pështyu tri e më shumë herë me një pëpbuzje të pakuptimtë mbi rrugën e pluhrosur. I ngjau sikur pështyma i ra mbi fytyrën e vet të ngrysur. Me gishtat e tharë e fshiu pështymën që s’ishte fare nga fytyra. Çdo gjë i nënshtrohej një transforimi të çuditshëm, të cilin s’ishte në gjendje ta zbërthente. Të gjitha ndjenjat i ishin arratisur nga trupi dhe mendja. Më nuk ndjenjta as nuk përjetonte asgjë. Veten e krahasonte me një trup të ngurtë që zë një vend të parëndësishëm në një peizazh të pikturuar keq.
"Ka ardur koha që ta ndaj zemrën në dy pjesë! Pjesa e zemrës që do të më takoj mua do të vazhdon të prodhojë një helm të rëndë me të cilin do ta ushqej shpirtin tim derisa ta takoj fytyrën e vdekjes"
Filloi t’i vështronte mjegullat me përgjerim thuase kërkonte shpëtim prej tyre. Në qiell dikush kishte krijuar një peizazh të pajetë, i cili ta shtonte disponimin për të trokitur në dyert e ferrit sa më parë. Në asnjë skaj të tij, aty ku ishte ndezur një zjarr i madh, me shikim zuri të kërkonte një krijsë të çmueshme,të cilën kurrë s’e kishte pasur. Edhe pse i kishte sytë, madje shihte fare mirë, sërish e gllabëronte mendja se ishte vërbuar! Çdo gjë që e rrethonte kishte bindje se është pjellë e medjes së dërrmuar...
"E tërë jeta është vetëm një zvarritje e mundimshme!" i thoshte vetvetës me zë të dëshpëruar.
Një pjesë e trupit të leqendisur vazhdonte të jetonte, kurse pjesa tjetër kishte vdekur. Kishte vdekur përgjithmonë...
Në mendjen e dërrmuar iu shfaq pa dëshirën e tij një pikturë e vjetër që e kishte mbuluar pluhuri i harresës. Në atë pikturë kishte zënë vend një fytyrë e heshtur, e mbërthyer nga një gazavaj i çuditshëm. Sytë e zhytur në vegime gjithnjë e akuzonin për gjëa banale, të cilat i ngjallnin neveri të përzier me trishtim e që e bënin të vjellte...
"Sa më shumë që më donte aq më shumë i shtohej urrejtja e sa më shumë që më urrente aq më shumë i shtohej dashuria! Shpirti i saj ishte i mbushur me sadizëm, i cili aktrivizohej sa herë që dashuria arrinte shkallën më të lartë... Ditë për ditë e copëtonte shpirtin derisa e ndau në dy pjesë... I ngjau sikur ishte kredhur në një humnerë të mbushur me pikëllim, nga e cila s’mund të dilte as pas vdekjes. Duke e ndjekur një hija e tejdukshme ngadalë iu qas dritares së ndotur nga insektet. Mëngjesi qëndronte i varur në një skaj të xhamave të pistë dhe dukej sikur tri herë kishte bërë vetvrasje.
"Ky s’është mëngjesi i zakonshëm!Është një mëngjes i trilluar që kërkon të më mbyt... Eh, dikur sa shumë që i kam adhuruar mëngjeset! I kam adhuruar deri në çmenduri! E doja marrëzisht agimin, lindjen e diellit e përjetoja si një rilindje të shpirtit... E tash?!...Në zemër ndjeu peshën e rëndë të një shkëmbi, i cili e pengonte të lëvizte normalisht.
"Gjatë gjithë jetës jam denuar ta barti këtë guri e kur të vdes do të ma ngulin te koka mbi varr" i tha vetvetës i dëshpëruar. E zuri kokën me duart që i dridheshin. Filloi ta shtërngonte fuqishëm. Një parandjenjë e kobshme i thoshte se së shpejti edhe koka do t’i shkëputej nga trupi..."Po,po! Edhe trupi do të më pëlcet si zemra!...
U shtri në shtratin e fortë edhe pse e dinte se nuk mund të gjente qetësi shpirtërore. I ngjau sikur u mbyll në një varr të ngushtë, nga i cili s’do të dilte kurrë. U mundua çdo gjë ta mbulonte me velin e harresës së përjetshme. Mirëpo para syve të vagëlluar parakalonin do mendime me trajtë të përgjysmuar. Mbi të gjitha mbizotëronte një fytyrë e tejdukshme, e cila e akuzonte për do gjëra banale dhe mjaft neveritëse, nga të cila villte. Në fund ia shpallte aktakuzën, e cila e denonte me burg të përjetshme për vrasjen e qindra njerëzve, të cilët kanë jetuar njëqind vjet para lindjes së tij... Në një imazh të vjtër i bëhej sikur ia kallte varrin, në të cilin gjendej një kohë të gjatë. Pas kësaj e dehur nga lumturia dilte e kërcente nëpër një fushë të boshatiusr. Klithte e çirrej me një zë të tmerrshëm, derisa vdekja i përbirohej nëpër sy...



HESHTJA E GJALLË

Herë rrinte ulur këmbëkryq, herë ngritej në këmbët që i dridheshin nga një trishtim i egër. Çdo herë e ndjente veten më të lehtë, sikur pesha e trupit shkrihej ngadalë. "Edhe disa çaste e mund të fluturoj!" i tha vetvetes me një zë të lumtur e të ndrojtur që mezi e dëgjone. " Do të fluturoj si një shpend derisa të arrij mbi etër. Atje është një hapësirë e papanë, ku njeriu mund lirisht të çlodhet nga krajatjet e jetës. Po,po! Atje mund të jetoj lirsht! Askush nuk do të më ndal të bëj çka të dua. Nuk do të mund të më ndal askush të klithi e të çirrem si bishë e egër... Një ditë do të jem i lirë edhe të ulërij derisa të më kalbet gjuha, derisa goja të më mbushet me krimba, derisa vdekja ta hap gojë e të më gëlltit... Kur imazhi u këput vazhdoi me intesistet të shpejtuar procesin që e kishte lënë në gjysmë...
Ditëve të fundit kishte krijuar bindje të plotë sikur kishte rrëshqitur nga binarët e kohës reale. Tash e shihte veten nëpër do binarë që e shpinin në një kohë të trrilluar. Gjërat që e rrethonin kishin trajtë tjetër, të panjohur për të. As vetë nuk ishte në gjendje të thoshte si ndodhi që paprimtas gjërat rreth jetës dhe kohës së tij u rrokullisën nëpër një shteg të rrëpirtë e pastaj u fundosen në një errësirë të frikshme. Më nuk shihte asgjë, sikur dikush t’ia kishte vërbuar te dy sytë. Nuk e dinte as kur është ditë, as kur është natë. Ishte krijuar një përzierje e mistershme e gjërave. Orë e çast i ngjante sikur një diell i madh sa toka i qëndronte mbi kokë dhe gjithnjë i shkaktonte një zjarr të brendshëm. Një vetmi e qartur shtrihej në të gjitha anët. Dyshonte se në tërë botën mbizotëronte ajo vetmi e tërbuar. Ajo, si për inat shpesh ia nxjerrte gjuhën e krimbur e pastaj zgërdhiej me të paturpësisht. Ngado që shkonte ndeshej në një heshtje të mbarsur, një heshtje që merrte formën e vdekjes e pastaj e ndjekte si një hije e gjallë për ta gëlltitur. Prej lindjes ishte orvatur të ikte nga heshtja. Mirëpo, ngado që shkonte shtrihej pushteti i saj. Ishte një heshtje e egër, me dhëmbë të krimbur. Shpesh, kur dhembja arrinte kulmin, mbyllej në vetminë e qartur dhe mallkonte çdo gjë:kohën së cilës i takolnte gabimisht, jetën nga e cila nuk mund të arratisej, hapësirën që ishte mbushur me helm, natyrën që i shëmbëllente një pikturës së vdekur...
Detin e mllefit e derdhte mbi nënën, e cila e kishte lindur gabimisht në një kohë të rebeluar.
"Në jetë kam bërë shumë gabime fatale!" i tha vetvetës. Dëshironte ta ngushëllonte shpirtin që ishte gati të pëlciste nga mëzia, të cilën ia kishte sjellë heshtja e trashur. Një ditë një njeri kishte zbritur nga mali, atje ku kishte bërë një jetë të shkëputur nga realitet. Thuhej sa atje kishte shkuar për ta vrarë ujkun e pasi e kishte vrarë ishte kthyer në mënyrë triumfale. Një ditë kishte hyrë në mes të turmës e pastaj kishte klithur me një zë kërcnues: "Do t’ua djeg gjuhën dhe zemrën me zhig! S’dua të dëgjoj asnjë fjalë!" Deshën, s’deshën u pajtuan me vendimin e njeriut që kishte zbritur nga mali. I zgjatën duart dhe e përqafuan heshtjen e përjetshme. Njeriu që ishte shoqëruar tërë kohën me arinj e ujq, një ditë tjetër i ishte tekur e pastaj kishte klithur e ishte çjerrë me zë të lartë: "Unë duhet të flas e ju duhet të më dëgjoni!" Ata që e vështronin vengër i fyente pa mëshirë,ua shante nënën shtatë e më shumë herë, pastaj motrat ua shkërdhente, i quante " muta të kalbur" që i frikësohen ujkut... Ata që s’u pajtuan me të ishin mbyllur në guacën e heshtje së kobshme. Askush nuk dëshironte të mbeste pa gjuhë e ndoshta edhe pa zemër..."Edhe sot jam thelluar në botën e heshtjes, të një heshtjes së përjetshme, e cila më hanë për së gjalli si të ishte një kirmb i varrit..." Me kalimin e kohës ndjeu se heshtja ngadalë po e mbyste, po e shndërronte në një qenie amorfe, në një qenie që ka gojë, po që ajo i shërben vetëm për të hëngër... Dhe një ditë apo një natë një njeri nuk mundi ta përballonte pushtetin e egër të heshtjes. Ngadalë i këputi fijet e durimit të rrejshëm. Me duat e mërdhira e rrëmbeu një kazmë të vjetër e pastaj me të e theu heshtjen e stërtrashur. Me njëqind sakrifica i riktheu në jetë organet e ndryshkura të të folurit. Me një zë të thekshëm bëriti:O njerëz të çmendur! Dilni nga vorbulla e heshtjes mortare,sepse edhe ashtu jeni të vdekur.Mos lejoni që heshtja t’ua kalb trupin... Të nesërmen pa aguar mirë mëngjesi në fushën ku gjendeshin varrezat gdhiu një varr i ri. Prej asaj dite të kobshme edhe gurët zunë t’i nënshtrohen ligjit të pashkruar të heshtjes, madje edhe zogjtë nuk guxonin të cicëronin lirshëm...
Disa çaste kishte qëndruar këmbëkryq, i ulur në një skaj të dhomës së errët, në atë dhomë ku heshtja të hante për së gjalli. Ëndërronte që së shpejti të shkëputej nga ajo heshtje e mallkuar, e cila sikur ia kishte hëngër një pjsë të madhe të zemrës. Shpesh ajo i dukej sikur ishte shndërruar në një guri të rëndomtë, i cili pastaj kishte pëlcitur. Nuk kishte mundur t’u duronte fyerjet, njollosjet, etiketime, shantazhet... Pendimi për çdo gjë zuri ta ngulfaste. Ai kishte marrë trajtën e një shpatës së mprehtë e pastaj ia rjepte lëkurën e trupit të dërrmuar duke i hedhur ujë të ftohtë. Një ditë do t’ia prente edhe gjymtyrët kryesote të trupit. Shpirti i tij po pëlciste nga inati, nga mllefi dhe nga trishtimi. Çdo veprim ishte vetëm sfilitje e vetvetes, sepse heshtja ia kishte paralizuar të gjitha organet e brendshme. Çdo gjë, madje edhe kohën e kishte mbërthyer pluhuri i ndryshkur i heshtjes. Nuk i kishte mbetur tjetër përveç që të vajtonte për fatkeqësinë e jetës, e cila ia kishte vërbuar sytë e mendjes. Një zë i brendshëm i tha: do të qaj derisa të mbulohem nga lotët e mi!... Çdo gjë i dukej e tepërt. Edhe vetvetja i dukej e tepërt. Dëshironte të arratisej nga koha, nga jeta dhe nga çdo gjë tjetër. Mirëpo, të gjitha rrugët i kishte të mbyllura me gurët e varreve. Heshtja e tërbuar ia kishte zgurdulluar sytë e verbër. Ajo gjithnjë ishte zgërdhirë me jetën e tij. Zëri i saj sikur i thoshte: patjetër iu nënshtrove pushtetit tim! Ta shajta nënën, motrën, pasataj të njollosa sa desha, ta nxiva fytyrën kudo që shkove... Sot nuk ke fytyrë të dalësh jashtë katër mureve, sepse njerëzit të pështyjnë në fytyrë... Ha-ha! Tingujt e rrëmbyeshëm që dilnin nga imazhi ia shponin zemrën si të ishin gozhda të mëdha. E kaploi frika se së shpejti do të vdiste,e pasi të varrosej heshtja do të vinte dhe do të kënaqej duke u pëshurrë mbi varrin e tij... Ha-ha! As të vdekur nuk do të të lë të qetë! i thoshte ajo me zë të zgjatur. Dëshironte të dilte nga lëkura e tij, por ajo ishte bërë shumë e ngushtë. Brenda lëkurës ishte bërë e pamundur të jetonte. Aty bënte vapë e madhe, pastaj menjëherë bënte acar i madh. Trupi i tij herë ngrihej e herë shkrihej. Pas çdo procesi kishte tjetër formë, tjera dimenzione. Jeta e tij i nënshtrohej procesit të metamorfozës. Vetëm heshtja ishte e njëtrajtshme. Ajo shtrihej në të gjitha anët. "Çdo gjë në botë e ka fundin, i thoshte vetvetës me zë të dëshpëruar, vetëm kjo heshtje e mallkuar nuk ka fund. Fundi i saj një Zot e di pse mungon...
Edhe disa çaste vazhdoi të ulej këmbëkryq e të ngritej në këmbë. Pas një kohe të papërcaktuar një mjegull e zezë si futa ia hapi qepallat e pastaj me dhunë i hyri brenda...

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen