Montag, 15. Juli 2013
Prend Buzhala: Etnosi i pleqnisë
PREND BUZHALA
ETOSI I PLEQNISË
(Libri i njëmbëdhjetë “Kanuni i Pleqnisë” i veprës së Atë Shtjefën Gjeçovit “Kanuni i Lekë Dukagjinit” - intepretim)
Në Antikën greke logos-i dhe ethos-i, dija dhe virtyti, ishin e njëjta gjë; ishin dy faqet e së njëjtës medale. Kurse praxis-i e kishte pjesë të veten, të pandarë, theorisis-in. “Kanuni i Lekë Dukagjinit” (KLD), nga ky kënd, përbënte të drejtën zakonore dhe normat fillimisht të pashkruara e të transmetuara nga brezi në brez. Pra, përbënte etosin dhe logosin shqiptar. Kurse praxis-i dhe theorisis-i ngjizeshin e ngërtheheshin në të memorizuarit e tyre në kujtesën e kombit. Që nga viti 1913, kur Atë Shtjefën Gjeçovi filloi ta mbledhë të drejtën zakonore shqiptare; që nga viti 1933, kur KLD u botua si vepër postume e fratit martir; që nga atëherë kjo vepër ka hyrë edhe në fushën aq të privilegjuar të Kulturës së Shkrimit. Sado që KLD mban autorësinë e Gjeçovit, vepra, si e tillë, merr pjesë në kulturën autentike shqiptare, në formësimin e identitetit kulturor e në atë të vlerave nacionale kulturore, nga njëra anë, po edhe në “trashëgiminë e mendësisë juridike popullore shqiptare, tek është arritur në konfigurimin e së drejtës kanunore shqiptare” (Xhyher Cani), nga ana tjetër. Së këndejmi KLD, është i pashkëputshëm nga vlerat e traditës e të thesarit kulturor nacional. Nga problematika e gjerë e dymbëdhjetë librave të KLD, kësaj radhe, veçuam disa aspekte e refleksione të librit të njëmbëdhjetë, që mban titullin “Kanuni i Pleqnisë”.
Shumë autorë te huaj e shqiptarë, kanë thënë që gjatë shekujve, kur popujt tjerë jetonin në hordhi, të paktën shqiptarët kishin një KOD, shenjë civilizimi (e pra, nuk na qenka KOD barbarie dhe fshatarësie, apo KOD "malokësh", kur malokërisë përreth u mungonte edhe sensi per rregullimin e jetës, u mungonte koncepti për ligjin, rregullimin e brendshëm shoqëror e shtetëror e të bërjes së civilizimit!!!). Mjafton të thuhet se tradita evropiane nis nga KODI ROMAK, madje nga një perandor ilir i prenandorisë romake (Justiniani, në bazë të emrit të tij doli edhe emri i drejtësisë apo i jurisprudencës - jus-juris, JUSTINIAN - njeri i drejtë). Mjafton të thuhet se i tërë KANUNI I LEKË DUKGAGJINIT mbështetet në CIVILIZIMIN ROMAK, në TË DREJTËN ROMAKE; ata që e kanë lexuar KANUNIN, mund t'i shohin referencat latine dhe shpjegimet e citatet e Gjeçovit e të Fishtës në fund të secilës faqe, e ku gjenden konkordancat me Të Drejtën Romake. Mbasi KANUNI zë fill me kapitullin KISHA, ai nuk i takon as civilizimit oriental, si shpjegohet gabimisht nga pseudo-kanunologë...
Dhe, të mos harrojmë: SECILA KUSHTETUTË e djeshme dhe e sotme EVROPIANE, ka qenë e mbështetur dhe mbështetet edhe sot NË KODIN ROMAK, ashtu siç mbështetet në pjesën më të madhe edhe KANUNI YNË.
Ndërkaq, "fenomeni" i "gjakmarrjes" nuk i takon "mbeturinave të së kaluarës", por është mbeturinë e prodhim i sistemeve e rendeve shoqëroere që erdhën këndej, që nuk kanë vullnet t'i zbatojnë ligjet e shtetit dhe duan një shoqëri anarkike, pa ligje, për të zhvatur sa me shumë privilegje në gjendje anarkie e papërgjegjësie... Duan një "sistem paralel" drejtësie, të Kushtetutës dhe "Kanunit"... më mirë të thuhet: të Kushtetutës dhe te Antikushtetutës pushtetore...
Burimi qëndron tek shteti mbeturinor dhe jo tek "mbeturina e së kaluarës".
Majfton të thuhet se Kanuni është një monument kulturor historik i së drejtës tradicionale të shqiptarëve.
SEMANTIKA E NUMRIT, LIBRI I NJËMBËDDHJETË
Përse dymbëdhjetë libra? Numri dymbëdhjetë, në semiologjinë e shkrimit gjeçovian, ka ngarkesë semantike etno-kosmogonike. Ky numër do të ngërthejë edhe paradigmën e shkrimit historiko-letrar antik. Gjeçovi ishte gjurmues e gjakues i lashtësisë, i etnopsikologjisë dhe i dokeve shqiptare. Ai flet për dymbëdhjetë fise, për dymbëdhjetë pleq etj. Numrat hyjnorë kanë forcën e tyre magjike.
Ndërsa numrin njëmbëdhjetë, te libri i njëmbëdhjetë, “Kanuni i Pleqnisë”, do ta konsiderojmë numër emblematik qiellor, (për numrat çift Xh. Cani thotë se janë tokësorë). Semiologjia e numrit çift dymbëdhjetë të çon te kërkimi i harmonisë, ndërsa njëmbëdhjetëshi do t`ishte “numër i krizës”, numër i çasteve në kapërcyell kohësh apo të gjetjes së alternativave. Kurse Gjeçovi zgjedh Alternativën e Harmonisë, ashtu sikundër këtë parim e gjakon secili Kanun, pra, secila Kushtetutë europerëndimore, për të krijuar bashkësi harmonike njerëzore. Ishte, ky, ai gjakimi e parimi i lashtë biblik për Kopshtin e Edenit, pra për ndërtimin e Parajsës në Tokë përballë parashikimeve apokaliptike e katastrofike të fundit të njerëzimit apo të fundit të qytetërimit.
Nëse në librat tjerë kërkimi i dokeve apo i të drejtës zakonore, si trajtë e lashtë e rregullimit të marrëdhënieve shoqërore, shikohet në raport me Kishën, Familjen, Martesën, Shpinë, Gjanë, Pronën, Punën, Të Dhanunat, Nderën, Damet, Mbrapshtitë, dhe së fundi, te Shlirimet e Përjashtimet, libri i parafundit, këto raporte i vë përballë urtisë, gjykimit dhe drejtësisë, pra përballë Pleqnisë. Prandaj, urtinë, mençurinë, vetitë e karakterit, drejtësinë dhe, përgjithësisht, pleqninë, Gjeçovi i kërkon te libri i njëmbëdhjetë. (Në Fjalorin e shqipes ekzistojnë fjalët PLEQËRI, PLEQËSI. Mirëpo, nocioni PLEQNI, që paraqet një nocion të Kodit të trashëgimisë sonë, të institucionit shqiptar, është fshirë, zhdukur...për t’u pështyrë, përbuzur, kuptohet: nga armiqtë e kësaj trashëgimie, por jo edhe nga kultura e civilizimi evropian, mbasi këta autorë evropianë shprehin konsiderata të larta diturore, civilizuese e juridike ndaj këtij Kanuni...).
SEMIOLOGJIA E AKSIOLOGJIA E PLAKUT DHE E PLEQNISË
Në mendësinë juridike popullore shqiptare fjala plak shenjon parësinë e katundit a të fisit, shënjon burrin që thirret për gjykimin e një çështjeje apo grindjeje. Ndërsa fjala pleqni tregon gjykimin, peshimin apo zgjidhjen e një çështjeje me pleq të thirrur prej të interesuarve. Në traditën e lashtë e të pasur të vlerave kombëtare, po edhe universale, pleqnia ishte ngritur në institucion shqiptar. Kjo mendësi, sa e veçantë, aq edhe universale, është rrezatim i urtësisë krijuese popullore, i mençurisë dhe i filozofisë së shpirtit nacional.
Nëse Institucioni i Pleqnisë ishte i njohur tek popujt antikë për të zgjidhur konflikte e mosmarrëveshje me anën e mjeteve paqësore e të ndërmjetësimit, vetë Gjeçovi dikund e përmend se kjo traditë e pleqnisë e ka burimin te shtetet e para ilire, për të vazhduar në Mesjetë te principatat shqiptare. Ekzistencën dhe praktikën e këtij institucioni e hasim që nga shekulli XV e këndej, jo vetëm në disa variante të KLD, po edhe në Kanunin e Skënderbeut,, në Kanunin e Labërisë, nëpër kanune të veçanta të bajrakëve të Dukagjinit, në besëlidhjet e ndryshme, siç ujanë Besa e Malsisë së Madhe, Besa e Lezhës, Besa e Krujës etj. Gjithashtu e hasim edhe në Kanunin e Maleve. “Kanuni ka pengun, pengu pleqninë e pleqnia drejtësinë, tue i dhanë gjithkujt çka i përket”, theksohet nëpër korpuset tekstore të këtyre kanuneve. Ekzistonin pleqtë e ndarjes, që ishin burra me përvojë. Institucioni i Pleqnisë, si te gjykatat moderne e demokratike, përmbante procedurën e vet të veçantë, provat, mjetet e proves, (R.Halili), përmes betimit apo Fjalës së nderit (Qe besa), Kapucarit, dëshmitarëve, porotës e poronikëve, argumentimit përmes të zanunit e kryesit në vepër, ndjekjes së gjurmëve të shtazës së vjedhun apo të shenjave tjera, dorëzanëve, marrjes së vendimit, të drejtës për ankesë te Dera e Gjon Markut, etj.
Fiset kishin njëfarë autonomie që i rregullonin marrëdhëniet e tyre në mënyrë të pavarur (Ragip Halili) . Secili fis kishte nga katër kësi pleqnarë. Çështjet që kishin rëndësi të madhe, si ato midis të konflikteve midis fiseve, trajtoheshin nga një lloj i veçantë i pleqnisë, siç ishte Pleqnia e Madhe (paragraphed 1003, 1005 të “Kanunit të Pleqnisë”), në të cilën merrnin pjesë pleq me famë e flamurtarë (a bajraktarë) fisesh “të regjun e të shkathtë” në zgjidhjen e konflikteve. “Pleq thirren edhe burrat ma në za për urti” (paragrafi 994 i KLD). Pleqnia përbëhej nga disa pleq, apo anëtarë, që t`i kujton anëtarët e një kolegji gjyqësor modern. Si tek gjyqet moderne, edhe pleqnia kishte kompetencat e veta. Ja disa theksime: “Plaku i pengut nuk mund t’i lypë të falmet e t’premet e kanus, pa e nreq punen.” Ndërkaq, sipas Kanunit të Pleqnisë, edhe vetë pleqtë i nënshtrohen ligjit, por i nënshtroheshin edhe vegjëlisë apo vogjëlisë, po edhe djelmënisë, ashtu siç veprohet në botën e qytetëruar, ku para ligjit janë të barabartë si kryetari i shtetit, ashtu edhe qytetari thjeshtë. Pleqnia ngritet në autoritet të veçantë shoqëror e juridik, kurse pleqtë duhet të jenë të ndershëm, të paanshëm e të drejtë.
Figura e plakut, siç thekson Xhyher Cani, ishte ajo e burrit të urtë e të ditur në fushën e të drejtës zakonore. Kurse sipas tipologjisë së kësaj trashëgimie e mendësie, ekzistonin Plaku i Fisit, Plaku i Katundit dhe Pleqtë e Flamurit. Këta të fundit përbënin Parinë e Vendit, ose “oxhakun”, si formë e tillë e organizimit në shumë fshatra. Mendësia mitologjike, religjioze dhe ajo shoqërore e përshkon tejendanë personalitetin e fortë etiko-moral të Plakut, ashtu sikundër do ta karakterizojë edhe Drejrtësia, Urtia dhe Të regjunit në punë të gjyqeve. Nga ana tjetër, nuk ishte rastësi, që Institucionin e Flamurit a të Bajrakut e drejtonin flamurtarët (kurse me islamizimin e popullsisë bajraktarët), tek e përfaqësonin pushtetin ushtarak, pushtetin gjyqësor dhe pushtetin vetëqeverisës. Nga ky këndvështrim, do të thoshim se kështu përfaqësohej e spikatej ndërgjegja për shtetësinë, sado që gjatë shekujve që ndjerë mungesa e shtetit nacional shqiptar. Këtë mëvetësi nacionale përballë të huajve e pushtuesve, në mënyrë të veçantë e spikat Kanuni. Flamurtari a Bajraktari gjithmonë flamurin e ruante në shtëpi. Luftëtari që e merrte flamurin, i printe ushtrisë dhe fitonte titullin flamurtar ose bajraktar, prijës, udhëheqës ose plak (Kanuni i Skënderbeut, paragrafi 1754). Struktura dhe problematika e pleqnisë dhe e pleqve, ishte mjaft e ndërlikuar dhe e ndërliqshme, tek përbënte, si e tillë, një sistem interesant vlerash të kulturës e të trashëgimisë shqiptare, dhe, pse jo, edhe të qytetërimit evropian. Te “Kanuni i Pleqnisë”Gjeçovi këtë strukturë të ndërliqshme pleqsh e të pleqnisë, e paraqet me këto shenjime, sikundër janë: Plaku i pengut,, Pleqtë e Kanusë,, krenët e Kanunit,, Pleqtë e Krenët e Falmurit,, Pleq e Vogjli, Strapleqtë apo Stërpleqtë që mbajnë anën e Vogjlisë, Plaku i Katundit, Pleqnija a Gjygji, Gjygji i Pleqvet, Porota e Poronikët, Kapucari, Pritëtarët e Kapucarit, Burrat e Malevet,, Pleqtë e Fiseve, Kasneca fisesh e katundesh, Dera e Gjon Markut, Gjobtarët, Vogjlia, Leçija, Lajmëtari etj. Secili prej tyre dhe secila kaptinë e pleqnisë, përmban një semiologji të tërë shkrimore e kuptimore, por ato përbëjnë edhe një sistem të tërë vlerash etiko-nacionale të paprekshme.
Në këtë mes, prin kapitulli për Kishën apo Hija e Kishës e figura e Priftit. Pra, pos fondit mitologjik (Cani), kemi edhe mendësinë e krishterë, si shenjë e identitetit evropian të shqiptarëve, sepse kasha e krishterimi përbëjnë një shenjë të përbashkët të identitetit evropian të kombeve. Do të thotë: themel e parim kryesor i etosit evropian e atij nacional është besimi në Hyjin, sepse prej këtij besimi del edhe përsosmëria e moralit dhe e së drejtës. Por Gjeçovi i ndan Të drejtën Hyjnore prej Të Drejtës Njerëzore:”Kisha gjendet e vendosme nën sundim të të Parit të Fes e jo nën ligjë t`Kanunit”. Mendojmë se këtu, te ky princip i kulturës e i civilizimit evropian dhe te kjo alternative e ndarjes së shtetit nga kisha, e ka burimin edhe “kundërshtimi” i “Ligjës së Lekës” apo i “malsorëve” ndaj “predikimeve” të klerikëve që binin ndesh “Ligjës…”. E pra, sipas parimit të shtetit demokratik modern, feja dhe pushteti qeverisës, gjyqësor e ushtarak janë të ndarë. Këtu nuk ka të bëjë asgjë me privilegjet që Kanuni po ia njihka Kishës. Kurse Kanuni, sikundër theksohet, është produkt i marrëdhënieve të hershme shoqërore! Mbase, KLD ishte “ nga ma të vjetrat ligje të Evropës” (revista “Shkodra”, 1965, fq 335). Do të thoshim: është produkt i kulturës, i civilizimit e identitetit evropian të ilirëve-arbërorëve-shqiptarëve. Le të jenë sot dëshmi përdallimi shtetet teokratike aziatike, që ndryshojnë nga kultura e civilizimi evropian dhe në fjalorin e të cilave ndryshe lakohen fjalët kulturë, civilizim dhe identitet. Po të ishte ndryshe, Atë Shtjefën Gjeçovi, si klerik, nuk do t`i hynte një pune që bie ndesh me petkun e tij fetar, apo jo!
Te e fundit, çfarëdo ndryshimesh që të kenë ndodhur, ky etos nacional apo ky etos kanunor, do të ketë mbijetuar. Aty e kanë gjetur vendstrehimin e tyre, mbase gjithnjë prej frikës përballë të panjohurës e përballë ndryshimeve apo asimilimeve të të huajve që e rrezikojnë apo e zvetënojnë këtë identitet! Nga ky këndvështrim, Kanuni ishte nyjë e fortë për të ndërtuar e ruajtur kulturën autentike nacionale, me shenjime të forta humaniste e demokratike, përballë depërtimit asimilues të islamizmit, që po e zvetënonte dhe zhdukte autoktoninë shpirtërore shqiptare. Prandaj, të yshtur nga pushtuesit e mercenarët e pushteteve, zvetënime të shumta i kanë ndodhur edhe Kanunit, prej lakmisë për të vënë pushtet mbi njerëzit dhe mbi pronën.
NJIH VETVETEN/ TAUTOTES/ IDENTITAS
Pra, në problematikën e gjerë që shtron libri i njëmbëdhjetë i KLD, Kanuni i Pleqnisë, plaku dhe pleqnia kanë statusin e tyre specifik juridik, por e kanë edhe etosin e tyre. Duke pasur parasysh faktin, se janë pak popuj që e trashëgojnë që nga lashtësia traditën kanunore e traditën shtetërore evropiane; atëherë edhe tradita iliro-arbërore-shqiptare hyn në universin e pluri-identitetit evropian të kulturës e të sistemit të vlerave. Sipas traditës sokratiane “Njih vetveten”, edhe vetë Aristoteli e përmend fjalën tautotes (të jesh vetvetja), ndërkohë që latinët kishin për këtë gjë fjalën identitas. Së këndejmi, edhe tradita e veçantë e etosit të plakut e të pleqnisë tek ne, përbën vetveten tonë, pra, e paraqet atë jetën autentike shqiptare të vetërregulluar e të vetorganizuar. Piter Berger do të thoshte se strukturat shoqërore specifike, si dhe strukturat e tilla historike, i krijojnë tipat e identitetit, të cilët do të mund të përveçoheshin e të njiheshin në shumësinë e në përdallimet e këtyre strukturave.
Te “Kanuni i Pleqnisë”, po përgjithësisht te KLD jo pak studiues i pëkulen prirjes gjuhësore e sintetizuese të Gjeçovit, tek ka arritur që t`i veçojë ato formula e njësi ligjërimore-stilistike (si “Beja merr gjanë e vet”, “Beja lanë gjaqet”), të nocioneve shqiptare të së drejtës zakonore (ndore, dorëzanë, kapucar), të njësive e fomulësimeve ligjërimore që shprehin esencën etnike apo “palcën e etnisë” (si lisi i gjakut, lisi i tamblit), apo të semantizimit etnospsikologjik të fjalëve-nocione si mik, besë, gjak, burrë, be, gur, plak, zjarrm etj. Apo si bën hire formula shqiptare e mikpritjes: “Buka e krypa e zemra, zjarmi e trungu e do firi për shtrojë do të gjindet gadi për mik në çdo kohë të natës e të ditës” (KLD, paragrafi 609); apo i besës si virtyt i lartë njerëzor: “Me çue gjind për besë asht kanû, me dhanë asht detyrë e burrni”(KLD, paragrafi 855).
Do të thoshim, se KLD dhe Kanuni i Pleqnisë do të përbëjnë identitetin e përjetuar dhe identitetin e projektuar: të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen e këtij etosi të spikatur e të shprehur. Emil Benveniste dikund thotë se fjalët kulturë dhe civilizim (qytetërim), janë krijime e fjalëfomime brenda identitetit kulturor evropian: “E tërë historia e mendimit modern dhe e tërë baza e të arriturave të kulturës intelektuale të botës perëndimore lidhen me lindjen dhe ndryshimin e disa fjalëve qenësore, të cilat iu takojnë gjuhëve të Evropës Perëndimore”. Krijuesi e dijetari ynë, Sabri Hamiti, Kanunin e sheh njërin ndër tri monumentet e kulturës shpirtërore të shqiptarëve, duke theksuar se ai ndërton “kultin e përsosmërisë morale (besë, trimni, burrni)”. Nuk ishte për t`u habitur, prandaj, pse tradita e këshillave të pleqve, gjatë viteve `90, u ngrit në këshilla të pajtimit, në Lëvizjen e madhe të Pajtimit të Gjaqeve, duke paraqitur para vetes dhe para botës fytyrën e një populli të civilizuar, që di, në momente të caktuara historike e shoqërore, si t`i mënjanojë dukuritë ndëshkimore të dëmshme për trupin e kombit. Gjakmarrja mbahej e ushqehej nga institucionet e huaja e nga ato të totalitarizmit e jo nga KLD, siç iu pëlqen të thonë ideologëve të “humanizmit socialist” në Kosovë apo gjetiu. Prandaj, pas shembjes së ngrehinës totalitare, në Kosovë del në skenën e historisë edhe njëherë Alternativa e Harmonisë dhe e krijimit të shoqërisë harmonike shqiptare. Si te miti biblik i harmonisë. Kjo alternativë, gjithsesi, e ka burimin te Kanuni. Te logos-i dhe ethos-i shqiptar.
(Shënim: kjo kumtesë gjendet në librin e autorit “Odeoni i fjalës” (2003),- i botuar, së pari tek revista klinase “Zoja e Këshillit të Mirë”, organ i Kishës Katolike, Klinë, nr 2. 2002, mandej te “Gjurmë të Gjeçovit 2002”, reviste periodike e TAKIMEVE TE GJEÇOVIT.)
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen