Donnerstag, 18. Juli 2013

Haxhi Muhaxheri: POEZI KUSHTUAR ÇAMËRISË

Haxhi Muhaxheri


ÇAMËRIA

Çamëria
Është Lumi i Loteve që nuk shteron
Malli i të dëbuarve që përvelon
Kënga e Shpresës që gjallëron

Çamëria 
Është ora e lutjeve që nuk mbaron

Çamëria
Është ëndrra jonë e përnatshme
Amaneti i shenjtë i etërve
Emblema e krenarisë së emrit

Çamëria 
Është damari i ngushtuar i atdheut

Çameria
Është tregimi për barbarinë
Plaga ime e pashëruar
Libri i papërfunduar i historisë

Çamëria 
Është kodi i pazbërthyer i perëndisë

29.04.2013




NË ÇAMËRI

Në Çamëri 
sa herë që bie shi – ndizet qielli 
e Lumi i Lotëve del nga shtrati

Atje – 
të gjitha lulet
mbajnë erën e gjakut

Në Çamëri – çdo natë 
dëgjohet vaji i fëmijëve
që djepat ua kanë djegur
dhe perëndive u errën sytë

Atje –
më nuk këndohen ninulla
as Vallja e Osmat Takës luhet

Në Çamëri
Sa herë lind dielli
mbijnë lulet e shpresës
dhe ëndrrat përshpirten 
në rrethin e shtatë

Atje –
veç Zoti nuk është zën peng


02.06.2018

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen