Montag, 15. Juli 2013
Tregime nga Ramadan Mehmeti
DALLËNDYSHET E GJYSHIT
“Sa herë shkoj verës në vendlindjen e gjyshit, atje kaloj bukur. Nuk ka shumë vetura. Nuk ka as zhurmë njerëzish. Nuk ka sirena automobilash. Por, ka shumë dallëndyshe… Fluturimi i tyre akrobatik tepër më pëlqen!” - i tregonte Eroni shokut të tij të lagjes, Fatosit, duke e përjetuar atë kënaqësi edhe gjatë rrëfimit.
Po afrohej fillimi i vitit shkollor. Eroni duhej të hynte në klasë të parë. Ai mezi priste atë moment madhështor dhe një kohë nuk mundi të shkonte në vendlindjen e gjyshit.
Një pasdite vjeshte, Eroni kishte dalë në parkun e qytetit dhe aty e kishte takuar shokun e tij, Fatosin.
“Eron, si je? Si ia kalon me fillimin e vitit të parë shkollor?”.
“Mirë”, - ia kishte kthyer Eroni.
“Këtë verë, a ke qenë në vendlindjen e gjyshit? A i ke parë dallëndyshet? A i ke dëgjuar cicërimat e tyre?” - e kishte pyetur Fatosi.
“Jo!” - ia kishte kthyer Eroni, me një përmallim. Si duket e kishin preokupuar shkronjat e para të mësimit dhe vizatimet e shkollës… “Do të shkoj për fundjavë dhe do të çmallem me dallëndyshet e gjyshit”, - ia kishte kthyer dikur Fatosit.
Pas pak, Eroni ishte kthyer, dhe paksa i mërzitur ishte ulur në trotuarin e kopshtit të oborrit.
Nuk vonoi shumë dhe babai u kthye nga puna. Porsa hyri në oborr, Eroni vrapoi drejt tij duke e përqafuar.
“Do të shkojmë te gjyshi në fshat për t’i parë dallëndyshet, se me siguri edhe ato janë përmalluar për ne”, - i tha Eroni babait.
“Po, si të mos shkojmë! Nesër, pasi të kthehesh nga shkolla, do të bëhemi gati dhe do të vizitojmë edhe gjyshin, edhe dallëndyshet”.
Eroni e puthi në faqe babanë. Mezi priste të shkonte në shkollë dhe sa më parë të mbaronte ora e fundit e mësimit. Për këtë udhëtim i kishte bërë gati të gjitha sendet që kishte… Edhe ushqim për dallëndyshet.
Duke u kthyer nga shkolla, u takua me Fatosin. I tha: “Fatos, sot me babanë, nënën dhe motrën do të shkojmë në vendlindjen e gjyshit! Do të vizitojmë atë dhe dallëndyshet. Mezi po pres të shkoj në shtëpi e sa më parë të nisemi!”
“I lumi ti!” - ia ktheu Fatosi. “Edhe babai im, sikur të kishte gjysh, do shkonte në fshat! Por nuk ka!”
“Ditën e mirë, se jam duke u ngutur. Kur të kthehem, do të takohemi! Do të tregoj për dallëndyshet”.
Babai kishte arritur në shtëpi para Eronit dhe ishte bërë gati për t’u nisur në vendlindjen e tij.
Tërë rrugës Eroni bëri shumë pyetje rreth dallëndysheve. Si do ta kalojnë dimrin? Çka do të hanë? Si do të ngrohen?
Kur arritën në shtëpinë e gjyshit, shkoi për t’i parë dallëndyshet. Për çudi, nuk pa asgjë. U dëshpërua nga ajo qetësi. Gjyshi ishte në anën e kundërt të shtëpisë, duke vjelë kumbullat e pjekura për të bërë pekmez. Eroni vrapoi te gjyshi për ta pyetur për fatin e dallëndysheve.
“Gjysh, të lutem, ku janë dallëndyshet?! Mos i ke trembur? Mos kanë ngordhur nga ndonjë sëmundje? Ç’u bë me fatin e tyre?”
“Ato kanë ikur, o nipi im. Në pranverë do të kthehen përsëri!”
“Pse kanë ikur?” - e pyeti gjyshin.
“Ato janë shpezë shtegtare. Kur të vijë pranvera, përsëri do t’i kesh këtu të gjitha. Këtu i kanë çerdhet…
Eh, nipi im, kështu e ka natyra, shkojnë e vijnë e vijnë e shkojnë, siç vijmë e shkojmë edhe ne.”
GJELI NË PALLAT
Një ditë tregu, gjyshi i Jonit mori rrugën për në tregun e kryeqytetit. Me vete mori një gjel të bukur, që nuk ia ndante këngës asnjëherë. Donte ta shiste për të blerë gjësende për shtëpinë në fshat. Pasi arriti në qytet, së pari ktheu te nipi Jon, në soliterin nr. 4, që ta shihte. Atij i kishte sjellë dardha, mollë e pak groshë nga fshati.
Gjyshi, gjelin e kishte futur në hejbe. Kokën ia kishte lënë jashtë grykës, që të mos mbetej pa frymë gjeli i bukur.
Derisa po ngjitej shkallëve, gjelit i kishte ardhur koha e këndimit të këngës së tij. Me zërin e tij të bukur lajmëronte fshatarët se po zbardhte një ditë e re. Edhe pse atë ditë nuk mundi t’i rrihte krahët, pasi kishte këmbët të lidhura dhe ishte i futur në hejbe, nuk e pengoi t’ia thoshte këngës së bukur me një: Ki-ki-ri-ku të gjatë.
Gjyshit i erdhi keq për këtë Ki-ki-ri-ku në pallat. Mundohej t’ia ndalte këngën gjelit.
Joni në atë çast ishte duke u përgatitur për në kopsht dhe e dëgjoi gjelin duke kënduar, ndaj iu drejtua babait:
“Babi, më bli një gjel si ky që këndon!”
“Mund ta blejmë, por gjeli nuk këndon në banesën tonë. Nuk kemi ku ta mbajmë. Ai do hapësirë që të këndojë e te ne nuk ka ambient të mirë”, - ia ktheu babai.
“Po si atëherë te fqinji ynë këndoi? A e dëgjove ti? Më thuaj, pra?”
Përderisa mes tyre zhvillohej ky dialog, u dëgjua zilja. Kur u hap dera e hyrjes, hyri gjyshi i Jonit me hejbe në kraharor dhe me gjelin në shpinë.
Porsa e pa gjelin në shpinën e gjyshit, Joni iu vërsul në qafë dhe e përqafoi. I tha:
“Të lutem, gjysh, nxirre gjelin, se dua të luaj me të. Më pëlqenë për lojë, se ka zë të mirë!”
Gjyshi nxori nga hejbet gjelin me këmbë të lidhura.
“Gjysh, të lutem, më trego: Pse gjeli i ka këmbët të lidhura?”
“Jon, gjeli i ka këmbët të lidhura për të mos ikur”.
“Gjysh, të lutem, nëse ia zgjidhim këmbët, do këndojë përsëri?”
“Jo, Jon, gjeli atëherë mund të bëjë sherre në banesën e vogël, mund t’jua thyejë shumë gjësende”.
“Gjysh, po le t’i thyejë, vetëm le të këndojë edhe një herë, se mua më pëlqen. Nëse nuk bën t’ia zgjidhësh këmbët në dhomë, atëherë mund ta lëmë në ballkon dhe le të këndojë tërë ditën”.
Gjyshi, për t’ia bërë qejfin nipit Jon, e hapi derën e ballkonit, mori gjelin dhe ia zgjidhi këmbët. Joni kureshtar hapi derën për ta parë. Po gjeli, i mërzitur, hop e u hodh nga ballkoni dhe duke fluturuar ra në oborrin e banesës tjetër, në “Ulpianë”.
Joni iu drejtua gjyshit: “Gjysh, mos ki merak, gjelin do ta zëmë me shokë dhe shoqe të mia.
Gjyshi filloi të qeshte.
“Me kënaqësi do të rrimë së bashku... Babai dhe nëna jote le të shkojnë në punë”.
Joni u gëzua pa masë dhe zbriti në oborrin e pallatit për ta kërkuar gjelin. Porsa zbriti poshtë, shumë fëmijë të pallatit, u nisën pas tij. Ata që kishin dëgjuar duke kënduar gjelin, kishin zbritur për ta parë atë gjel të bukur dhe e kishin rrethuar. Gjeli, i frikësuar, nuk dorëzohej. Herë në njërën anë të oborrit, e herë në anën tjetër... Dhe fëmijët pas tij... Ai, nga frika, hyri në shkallë të pallatit. Por, pas pak gjyshi e zuri dhe ia lidhi këmbët. Ia preu edhe krahët për të mos fluturuar. Jonit i plotësoi një dëshirë që kishte për gjelin. Ia fali. Joni një kohë të gjatë e mbajti në ballkonin e pallatit. Gjelit më vonë i ishin rritur krahët dhe në një mëngjes i kishte hapur ata. Kishte fluturuar përsëri dhe kurrë më nuk u pa nga fëmijët e pallatit.
PËLLUMBAT NË ÇATI
Në çatinë e shtëpisë sime jetojnë dy pëllumba të bukur. Njëri është i bardhë dhe tjetri i larmë. Kur ishte verë, rregullisht këndonin këngën e tyre të bukur: gu, gu, gu!...
Tani bën dimër i ftohtë. Dëbora ka mbuluar fushën dhe pullazet. Si duket, nga mërzia, rrallë këndojnë dhe nuk dalin shpesh nga strofulli ku jetojnë. Vetëm kur i merr uria, dalin nga strofulli i tyre dhe së bashku me nxënësit e shkollës..., edhe ata shkojnë në shkollë…. Fluturojnë rreth tyre, duke pritur që mos po u bie ndonjë trohë byreku të ngrohtë nga dora.
Orarin e kanë të mësuar. Sa herë që babai del për të shkuar në punë dhe ndez veturën, edhe ata zgjohen dhe fluturojnë drejt e në oborrin e shkollës. Shkojnë dhe përsëri kthehen. Kështu vazhdon jeta e tyre.
Meqë po afrohej pushimi dimëror, Arbërit i shkoi ndër mend se çka do të bënin pëllumbat gjatë kësaj kohe. A do të shkonin edhe ata në pushim dimëror, apo si do t’ia bënin për ushqim. Bora e kishte mbuluar fshatin.
Pëllumbi Larosh, siç e kishte pagëzuar Arbëri, ishte prindi i Bardhoshit, i cili kishte lindur këtë verë dhe nuk kishte shumë përvojë nga ky dimër i egër që bënte.
Kur erdhi pushimi dimëror dhe nxënësit më nuk shkonin në shkollë, babai, sapo ndezi veturën, nga pullazi i shtëpisë doli Bardhoshi dhe fluturoi në oborrin e shkollës. Atje priti gjatë, por askund nuk u duk asnjë fëmijë. Mendoi se mos i kishte zënë gjumi. Por, seç iu fiksua në mendje se nuk ishte e mundur që ky gjumë dimëror t’i zinte të gjithë nxënësit.
Kaloi ora e parë e mësimit pa nxënës. Bardhoshi ende ishte duke pritur në oborrin e shkollës. Mendonte se atë mëngjes mos ishte vonuar dhe nxënësit kishin hyrë në mësim! Kështu priste zilen e shkollës. Por, as kjo nuk ndodhi.
U shqetësua pa masë. E kishte kapur uria. Nuk kishte ngrënë që nga dita e mëparshme. Më pas u kthye në pullazin e shtëpisë, ku ishte i strehuar Arbëri dhe filloi ta pyeste:
“Larosh, pse ti sot nuk erdhe në shkollë?”
“Nuk e kam dëgjuar automobilin”, - iu përgjigj.
“Po unë jam zgjuar me kohë dhe isha në shkollë!... Por, atje nuk kishte fëmijë… Bile gjatë kam pritur!...”
Laroshit, të gjitha këto biseda nuk ia mbushën mendjen. Doli nga pullazi i shtëpisë dhe fluturoi në një pullaz tjetër, nga ku shihej oborri i shkollës. As ai nuk pa asnjë fëmijë në oborr. Mendoi se mos për shkak të ftohtit që bënte atë dimër, fëmijët nuk dilnin në oborr.
“Bardhosh, si duket nga të ftohtit nuk dalin në pushim”, - i tha Laroshi. “Si t’ia bëjmë tani? Më ka marrë uria. Nuk mund të qëndroj më”, - tha dhe shkundi krahët që bile sadopak të këndellej.
Në çast, pëllumbit Larosh, nga përvoja e vitit të kaluar iu kujtua se fëmijët janë në pushim.
“Hë, tani m’u kujtua! Fëmijët kanë pushim dimëror dhe një kohë nuk do jenë në shkollë”, - i tha Bardhoshit.
“Po halli ynë, ç’të bëjmë në këtë dimër kaq të ftohtë pa ushqim?”
“Duhet të kërkojmë ushqim diku tjetër”, iu përgjigj.
“Ku të gjejmë diku tjetër?”
“Po a do të zgjasë shumë ky pushim?” - i tha Laroshit.
“Nuk di”, - dhe hapi krahët…, duke i thënë të shkonin diku tjetër, se për një kohë nuk do të kishin ushqim.
Që të dy fluturuan drejt stallës së xha Bujarit, ku ai mbante ushqim për bagëti. Aty kishte edhe sa për pëllumbat që i kishte zënë dimri i egër.
Kështu vazhduan çdo ditë, përderisa nuk filloi përsëri mësimi.
MACJA E MËRZITUR
Mbesa ime, Vesa, kishte një mace të bukur të murrme. Atë e kishte pagëzuar Murroshe dhe e donte pa masë. Sa herë shkonte në shkollë, përshëndetej me të dhe Murroshja e përcillte deri te dyert e oborrit, duke mjaullitur pas mbesës sime të bukur.
Si duket, edhe macja kishte orë në dorë. Kur vinte koha e kthimit të Vesës nga shkolla, ajo dilte në vendin e veçantë, ku edhe e kishte përshëndetur për në shkollë, dhe priste derisa të vinte Vesa.
Porsa vinte Vesa, përqafoheshin. Për këtë respekt që ia bënte macja, Vesa ia dhuronte ndonjë pjesë të çokollatës, të cilën e kishte blerë për vete dhe për Murroshen e bukur.
... Ditë pas dite, në qytetin tonë të bukur ndodhi diçka e trishtuar. Ndodhi një tërmet që dëmtoi shumë shtëpi (por për fat të mirë, pa viktima në njerëz). Shtëpinë e Vesës e bëri të pabanueshme. Babai i Vesës vendosi që ta rrënonte shtëpinë e plasaritur. Shtëpinë e re dëshironte ta ndërtonte në një vend tjetër dhe kështu ndodhi.
Nga shtëpia e vjetër u larguan të gjithë. Edhe Murroshja. Të gjithë u vendosën në një pallat me shumë kate. Por, Murroshja ishte tepër e shqetësuar dhe e mërzitur. Ajo çdo ditë kthehej te shtëpia e vjetër. Aty bëri një vend të ri, pasi nuk i pëlqente pallati. Nuk deshi të largohej nga vatra ku kishte lindur.
Edhe pse Vesa, sa herë i vinte koha për të shkuar në shkollë, së pari e vizitonte Murroshen dhe duke e përkëdhelur e dërgonte në pallatin e ri, Murroshja, në rastin e parë që hapej dera e dhomës, dilte nga pallati dhe vrap e te vatra e vjetër.
Vesa këtë e dinte dhe, kur kthehej nga shkolla, nuk hynte në pallat. Së pari shkonte te vatra e vjetër për ta marrë Murroshen e pastaj shkonte në pallat ku ishin vendosur.
Murroshja, si zakonisht, i dilte përpara duke mjaullitur. Dukej tepër e shqetësuar dhe e mërzitur nga kjo ndarje.
Kështu ndodhi shumë herë me Murroshen. Vesa e dërgonte në pallat, por Murroshja, me t’u hapur dera, sërish merrte rrugën drejt vatrës së vjetër.
Vesa pyeti shokët dhe shoqet, pse po ndodhte kjo me macen e saj, Murroshen? Ata i thanë se nuk kishin ide. “Kështu është me macet në përgjithësi. Ato kurrë nuk e lëshojnë vatrën e tyre ku kanë lindur. Ato aty qëndrojnë gjithmonë”.
Pasi Murroshja kishte marrë një vendim të tillë, Vesa vendosi që t’ia rregullonte një shtëpizë të re. Një ditë, mori gëzofin që kishte në shtëpi, ia dhuroi Murroshes. Mori edhe disa tulla, që kishin mbetur nga shtëpia e rrënuar dhe ia bëri një sishtëpi Murroshes. Ia shtroi gëzofin për të mos u mërdhirë netëve të ftohta.
Vesa çdo ditë ia dërgonte ushqimin Murroshes. Por, kur një ditë dimri mori një shishe me qumësht të ngrohtë për t’ia sjellë maces, atë nuk e gjeti! Si duket, kishte ikur nga të ftohtit ose kishte pësuar ndonjë fatkeqësi në atë trafik të dendur, aty afër pallatit ku jetonte.
Vesa nuk deshi të dyshonte në këto gjëra të pakëndshme dhe kishte dëshirë që një ditë Murroshja t’i kthehej përsëri.
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen