Montag, 15. Juli 2013

Bexhet Asani: Do të kthehem Bespinë!

Tregim nga libri "Nuse përtej detit"
Bexht ASANI
DO TË KTHEHEM BESPINË…!
Nga testamenti i pashkruar i Gjin Serembes: ”Dëgjoni, o bijtë e mi-iu drejtua Gjin Serembja nipërve e mbesave të tij-ju duhet të dini se prej nga kemi ardhur ne këtu në Strigar. Ju mblodha sonte që të gjithëve t’ju tregoj. E dini ju se si e quajnë qytetin tonë italianët?
                - Po, Kosmo Albaneze. – U përgjigj një djalë i vogël.

              - Ne e pagëzuam Strigar për të mos e harruar kurrë Strugën, vendlindjen tonë matanë detit. Strugën e bukur buzë liqenit me plepa të gjatë e shelgje të pikëlluara. Drini i Zi  e ka ndarë mes për mes, kurse ne na ndau i ziu barbar – turku. Mos e harroni gjuhën tonë…zakonet…mos e harroni…”-Gjini, i përmalluar mbylli sytë përgjithmonë pa e përfunduar testamentin e tij!

*        *        *

Gjin Serembja atë ditë u zgjua herët dhe ngadalë hoqi jorganin mënjanë që të mos ia prishte gjumin të shoqes, Donës.U ngrit, veshi rrobat dhe duke ecur në maja të gishtërinjve iu afrua derës dhe filloi ta hiqte llozin duke shikuar nga shtrati. Dona  u kthye në krahun tjetër.Dukej e lodhur.Tërë natën s’kishte vënë gjumë në sy. Kishte menduar e kishte qarë, jastëkun e kishte bërë qull. Me të dëgjuar krikëllimë e derës, u ngirt sakaq.

          - Është koha Gjin? – e pyeti të shoqin.
           - Jo…jo…fli edhe pak, - u përgjigj ai.

         -Po ti, pse je veshur? Nga vete kështu? - e pyeti ajo duke i fërkuar sytë me duar.
          -Do të dalë edhe njëherë nga liqeni.

        -Jo… mos shko, nuk sheh se ç’bëhet? Do të të vrasin të mallkuarit! – U shqetësua ajo.
          -Ç’flet, moj, Donë? Sikur nuk e di që unë u rrita e u plaka me këtë të bekuar liqen.

         -Prit sa të gdhihet, shko ditën – e luti ajo – ku dihet se ç’pjell nata?
          -Le të pjellë çfarë të dojë, unë do të shkoj. S’mund të rri pa e parë liqenin…pa e parë barkën time…

Dona s’foli më. Fjalët e të shoqit e prekën thellë. Ajo dëgjoi tek mbyllej dera dhe kollitjen e tij.

Gjin Serembja u afrua buzë liqenit, u përkul dhe e piu një grusht ujë esëll. Valët e lehta të liqenit ia ledhatonin këmbët. Preku me duar barkën që e kishte gdhendur vetë sipas merakut me lloj-lloj zbukurimesh. Në ballë të saj kishte gdhendur shqiponjën dhe barka e tij, kur lundronte, dukej sikur fluturonte. Hipi në barkë dhe u nis nga mesi i liqenit.
          -T’i shoh edhe një herë këto male – filloi të fliste me vete.Të shoh edhe një herë nga liqeni si duket Struga ime, si duket vendlinja ime e bukur. Nxori nga xhepi shaminë dhe i fshiu dy pika lot që po i rrëshqisnin faqeve.

        -O Drini i Zi, pse e ndave qytetin tim të bukur! O zot, pse ndan zemrat tona?! O turk, o barbar, ne do të kthehemi!
Rrezet e diellit ranë mbi sipërfaqen e ujit dhe prej barke deri në breg nga lindja dukej sikur u hap një rrugë nëpër liqen. Kjo e mërziti edhe më shumë Gjin Seremben, sepse ia përkujtoi rrugën e gjatë e të mërzitshme që do të bënin për në Itali, ia përkujtoi rrugën “Via Egnacia”. Hodhi lopatat në ujë pllac – pllac – pllac dhe u nis drejt bregut me zemër të plasur. U ndal buzë liqenit, e puthi barkën që e kishte gdhendur me aq dashuri dhe e lëshoi të lundronte nëpër liqen. Barkën filluan ta rrihnin valët dhe ta bartnin sa andej – sa këdej...

Pulëbardhat herë ngriheshin lart në qiell herë uleshin në sipërfaqen e liqenit dhe lagnin krahët e tyre. Asnjëherë Gjini s’i kishte parë pulëbardhat kaq të shqetësuara. I silleshin atij mbi krye sikur donin t’i thonin diçka!...
Piu edhe njëherë ujë nga liqeni dhe u nis i përmalluar për në shtëpi. Gjinin sikur e shtrëngonte njeri për fyti. Filloi të kollitej. Sa e dëgjoi Dona, doli te dera.

          - U ktheve Gjin? – e pyeti ajo.
           - U ktheva. – u përgjigj ai i mërzitur .

         - Të dhemb gjë? Ti je zbehur në fytyrë?!

         - Jo! – u përgjigj me zor ai dhe iu drejtua së shoqes:
          - Dona!

         - Urdhëro, Gjin!
          -Kur do të niset karvani, s’kanë lajmëruar gjë?

         - Sot në mesditë – u përgjigj ajo.

Ata u shqetësuan pa masë. Nuk i zinte vendi – vend.

Ç’ kishin në shtëpi, i bënin gati që t’i merrnin me vete.

        - Karvani po niset!
         - Karvani po niset!

Shpejtoni pak! – dëgjoheshin njerëzit duke thirrur nga të katër anët e qytetit. Qanin gra, burra, fëmijë e pleq. Lemeritjet e tyre kishin kapluar qytetin. Qentë ulërinin. Murroja, Gjinin e ndiqte këmba – këmbës, e s’ndahej dot nga i zoti.

*        *        *

          -Do të kthehem, mos u mërzit – i thoshte Doda Bespinës dhe ia fshinte lotët nga faqet.
           -Jo, nuk kthehesh, Dodë! – përgjigjej ajo dhe mbështeste kokën në kraharorin e tij. Ai e shtrëngonte fort dhe ia ledhatonte flokët që i arrinin deri në vithe.

Bespinë Muzhaqi dhe Dodë Serembja ishin rritur bashkë. Bashkë kishin kullotur bagëtinë që nga mëngjesi e deri në mbrëmje. Vetëm nata i kishte ndarë. Nëse një ditë s’e shihnin njëri – tjetrin, u bëhej se nuk ishin parë me vite të tëra.Ashtu të përqafuar ata sollën ndër mend natën kur Bespinës i kishte humbur lopa në mal, pastaj si kishin humbur vetë. I kujtuan thirrjet trishtuese të asaj nate të tmerrshme: - Bespinë – bërtiste Doda me sa zë që kishte ...Bespinë...Bespinë...Bespinë... –  i kthehej jehona e zërit të vet.
          - O Dodë – thërriste Bespina, - O Dodë...   O         Dodë. .. O Dodë... Dëgjonte zërin e saj.

S’e humba vetëm lopën, por e humba edhe Dodën. Dodën tim. Ah! Dodë, të humba! Ajo nuk thërriste me zë të lartë, sepse nuk donte të dëgjonte përsëri kumbimin e zërit të vet që i dukej se e përqeshte e që e neveriste aq shumë.
          - O...Oj Bespinë! – Doda thirri me gjithë fuqinë dhe e zgjati i-në sa mundi.
           -...Ja ku jam, Dodë! – u përgjigj ajo.U gëzua kur dëgjuan zërin e njëri – tjetrit, sepse vetëm atëherë kuptuan se të dy ishin gjallë. Kur shikuan vendin se ku gjendeshin, ata panë se kishin arritur te “Këmba e kalit”, shikuan sy më sy dhe folën të dy:

         - Sa larg paskemi ikur nga qyteti! U përqafuan duke thënë:
          - S’do të ndahemi kurrë më!

        - Kurrë...kurrë...kurrë...

Nga pëllitja e lopës ushtoi mali.

        -Të çaftë ujku, të çaftë! e mallkoi Bespina.
         -Do të na çante neve, se ty s’të gjen gjë jo!

Zbritën malit tatëpjetë dhe nga mëngjesi arritën në qytet.

       -Dhe vërtetë, Dodë, ujku s’na ndau, ndërsa sot po na ndan barbari, turku. Më mirë të na co... pto.. nte.. uj.. ku.. Bashkë, do të ishim bashkë...ajo fliste si në ankth. Karvani u nis. Njerëzit thërrisnin të trishtuar. Retë e zeza e mbuluan qiellin. Shiu që binte ua lante njerëzve faqet e përlotura. Gjini iu afrua Dodës, e kapi për krahu dhe i tha:

        - Ec, Dodë!
         - Jo! – klithi Bespina. Gjini ia fshiu lotët Bespinës dhe e përqafoi duke i thënë:
        
          - Lamtmirë!

Ajo nuk iu përgjigj përshëndetjes. U shtang në vend dhe qante me dënesë.

        - Mirupafshim, Bespinë! – e përshëndeti Doda.Sytë, i ishin mbushur me lot dhe ajo e shihte si nëpër mjegull Dodën që largohej në drejtim të Qafëthanës.Ai i kishte hipur kalit për prapë dhe sa më shumë që largohej, aq më e vogël dukej Bespina, aq më i vogël dukej qyteti.

Doda thirri edhe njëherë:

         - Do të kthehem Bespinë...

*        *        *

Njerëzit e fshatit Strigar me vite të tëra shkonin në një kodër buzë detit Jon dhe shikonin nga lindja gjersa dielli lëshonte rrezet e para, pastaj fillonin lutjet. Pas lutjeve kryeplaku i Strigarit ngrihej në këmbë para tyre dhe dorën drejtonte nga dielli:
        -Ja atje, matanë detit, ku lind dielli, atje është vendlindja jonë!

         Të gjithë qanin. Çdo mëngjes kodrën e lanin me lot. Më vonë e pagëzuan “Kodra e lotëve”. Me të mbaruar lutjet, ata shpërndaheshin kodrave djerrë të Strigarit. Ato i mbillnin me lloj-lloj agrumesh dhe për pak vjet djerrinat e Strigarit u bënë kodrat më pjellore e më të bukura jo vetëm në rrethinë, por edhe në tërë Kalabrinë!

         Testamenti i pashkruar i Gjinit dhe kujtimet e paharruara të vendlindjes së tyre përcilleshin gojë më gojë e brez pas brezi në Strigar. Zefi i vogël dëgjonte me vëmendje rrëfimet për vendlindjen e të parëve të tij dhe ndonjëherë papritur i shpëtonte ndonjë pyetje:
         -Si e ndau Drini qytetin? A është e bukur Struga? Po Doda, u kthye te Bespina?

         Të vjetrit rrudhnin krahët dhe habiteshin me pyetjet që bënte Zef Serembja i vogël. Ata përpiqeshin që me përgjigjet e tyre të kënaqnin vogëlushin, mirëpo kishin kaluar shekuj të tërë e ngjarjet e vërteta ishin zbehur aq shumë, saqë ato i kishin ngritur në legjenda që të mos harroheshin kurrë...

         Zef Serembja shpesh shkonte te “Kodra e lotëve”. Ulej aty dhe sodiste detin. Valët e detit Jon e mbushinin plot mall për vendlindjen e stërgjyshërve dhe nxirrte nga xhepi fletoren e lapsin dhe ia niste të shkruante, po vargjet shpesh i ngatërroheshin:

Tërë shkëlqim më hapet përpara deti.

         Se ne të huaj jemi te ky dhe!
         Sa vjet shkuan, e zemra nuk harron

         Që ne turku na la pa mëmëdhe.
         -Zef...Zef...Zef!... – thirri Nerënxa duke u ngjitur këmbadorës pyllit. Ai brofi në këmbë i shqetësuar:
         -Ç’ke Nerënxë? Kush të ndjek?

       -Asnjeri...asnjeri...- dhe iu hodh në grykë.

Ajo mezi merrte frymë.

       -Uh, sa u lodha! – tha ajo.
        - Pse vrapoje aq shumë? – e pyeti Zefi.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen