Montag, 22. Juli 2013

Lirika metaforike e kopshtit idilik

Nga MAJLINDA RAMA
-redaktore e librit "Stina e peste" e autorit Myrteza Mara...

Eh, ç’bëri Dante për Beatriçen e Portinarit, Petrarka për sytë e Laurës! Shekspiri nuk mund të ishte bërë mjeshtri i soneteve pa u marrosur pas Ana Hathaway. Nga apogjeu i lirikës së dashurisë, do të zbriste ethshëm Ali Asllani për të shkruar vargjet: “Po u bë ajo që s’bëhej, si, pra, zemra do duroj’,/ syri lotin ta qëndis, loti syrin ta harroj?”; Serembe do të shkonte deri në Brazil për të gjetur të dashurën e tij… të vdekur, Pietro Krespi do të priste damarët për Amaranta Buendian, ndërsa Lasgushi do të mbetej gjithsesi “këngëtari finosh” i lirikës së dashurisë… Por ndjenja për të dashurën, vagëllimi i shpirtit i kapërcen kufijtë e kohëve, të stinëve, të së përcaktuarës. Ajo lind “Stinën e pestë”, si një oaz për të hyrë në çeltirën e Kopshtit të Madh, Kopshtit të Dashurisë. Me këtë gjuhë artistike vërshon vrullshëm në lëmin e lirikës dashurore poeti Myrteza Mara.

Por, le të bëjmë një pakt me fjalën. Kur përdorim përkufizimin “dashuri” në kontekstin e poezisë së Myrteza Marës, nuk duhet të kemi parasysh vetëm ndjesinë erotike, sepse poeti Mara e shpërfaq dashurinë në shumë plane, duke e formësuar atë si plotëri të paekuivoke të dashurisë njerëzore…

Ashtu si Naimi, që do të përgjërohej për të dashurën e tij që mbetej gjithmonë trëndafil në lulëzim, "Baltë e pluhur do të bëhem, të më shkelë këmb'e saj!", edhe Mara bëhet pishtari-këngëtar i dashurisë së përjetshme.

I kapluar dhe i zënë në grackë nga shigjetimet e Amurit, heroi lirik përpëlitet mes jermit e dalldisë, trishtimit dhe mallit, ankthit dhe shpresës, angështisë dhe fluturimit në qiej, marrëzisë dhe dëshirës, lotit dhe gëzimit, gënjeshtrës së bukur e mëkatare dhe pasionit dashuror. Ai, poeti, përjetësisht i dashuruar me jetën. Ai që ka për detyrë të këndojë duke qarë e të qajë përmes vargjeve të këngës. Të këngës së jetës…

Rrezet e diellit, brerima e shiut të beftë pranveror, sytë e kristaltë të vashës që thyejnë ditën dhe kulpërimi i hënës mbi pemën e vetme në oborr, ylberët e ngritur mbi urat e mallit, një yll i zemëruar xhelozisht dhe ai, poeti, në përdëllimën drithëruese të muzës së tij.

Lutem Zotit për një urë,/ urë në qiell, si hark ylberi,/ ti matanë, këtej dhe unë,/ piqemi te syri i diellit.

Në këtë prurje të autorit, stinët shkrihen sosh, njëjtësohen dhe marrin emrin e dashurisë apo ngrihet një stinë mbi të gjitha stinët, ajo, e gjithëpushtetshmja, kurmi i saj llahtarues, kryefjala e ditës, natës, ditë - natës.


Më parë,
e dija: viti kishte katër stinë,
më pëlqente më shumë vjeshta.
Tani që ti shtove një “çmendinë”,
përhumbem tek e pesta.
(“Stina e pestë”)

Lirika e dashurisë në vëllimin “Stina e pestë” nuk ka fund, lirika e dashurisë njeh vetëm buronjën e pashtershme të frymëzimit, kulmimin e ndjenjës dhe majat. Dhe vetë poezitë pikojnë në lirika malli, loti, pritjeje, trishtimi të ëmbël, takimesh e largimesh, belbëzima të një ndjenje rrezëllitëse në netët e vona të prill - majit. Dhe të gjitha krijojnë të fortifikuar ngrehinën e dashurisë, duke e shndërruar lirikën në foltoren metaforike të dashurisë, sepse kështu është poeti: të mirën dhe të bukurën e sheh, jo vetëm te shpirti, por edhe te ajo që duhet të jetë siç ai e ëndërron.

…ti, luleputhje në pranverë,/ më pik dashurisht me drithërime. (“Aromë fëmije”)

Në kapërcyellin e kufijve të lirikës së tij, dashuria në vargun e Marës është mbikohore dhe tejkohore. Ndjenja pjalmohet brenda qenies së njeriut të dashuruar. Heroi lirik vuan mungesën e personit të dashur, largësinë, brehet nga caku i mallit, por nuk lodhet nga vjeshtat e pritjes. Përjetimet e tij, pavarësisht ikje - ejave të ëmbla dhe torturuese të dashurisë, kanë një pikë përbashkësie në gjithë vëllimin: përjetësinë e dashurisë.

Atë urë shpirti/ e ngrita enkas unë,/ atje do thinjem/ dhe në jetën tjetër. (“Nuk është faji yt”).

Përndezja e çmendur e një nate në një hapësirë të papërcaktuar vjen si një tingull pa sendërtim poetik. Në këtë hulli krijimi, dashuria zë rrënjë qysh në fillesat e ngjizjes së jetëve, pastaj shpërthen me një tjetër vetëdije njerëzore, deri në reciprocitetin e shikimeve, prekjes së dorës, aromës së munguar.

Të doja
edhe kur s'të kisha,
o dashuria ime e munguar!


Si një misionar i magjisë së fjalës së shkruar, Mara ka konceptin e vet për dashurinë, për mallin. Ai e sjellë hierore ndjenjën, të prekshme, konkrete, ndërsa pasioni dhe rendja pas saj, dashurisë, e bën poetin që t’i atribuojë hera - herës edhe tipare kozmogonike, sigurisht me doza të kontrolluara. E tillë është dashuria. Ajo të ngre në qiell. Ajo është magjikuese. Ajo është përjetësi. Dhe heroi lirik betohet për këtë.

Sa të pashë në sy më mbive
dhe unë ty, natyrisht,
Perëndi - ti, shenjta ime
për ty, le të bëhem Krisht!
(“Ika larg”)

* * *

Lirika e dashurisë e poetit Mara është himn jo vetëm i një emocioni gjithpërfshirës, por një metaforë me një nëntekst të harmonizuar të jetës njerëzore e asaj mbinjerëzore. Vargu i Marës kthehet në një varg unikal vlerash, ku magjia e dashurisë krijon një kadencë gurgullitëse, duke rrjedhur natyrshëm me vrulltësinë e ndjenjës, duke përzgjedhur një skemë që krijon trajtëzën e lojës dashurore.

Ja ku del, ja ku më del,
si një copë qiell me dritë,
si statujë mbi mermer,
ku qëndrojnë perënditë. (“Kur kam ty“)

Kush mund të jetë vallë? Një vajzë? Një Perëndi? Çfarë e ka bërë djalin të ngjiret nëpër natë? Ajo del dhe, së bashku me të, ndjenja që buçet si kuajt hergjele. Ajo rri në vendin e perëndive, aty ku ndizet prushi i valë i dashurisë dhe thërrmohet shpirti për t‘u ngjitur sërish nga e para. Ajo vjen e ikën, ikën e vjen me vrap vese dhe shkëndijon flakëzën e përndezur dhe dallgën e marrosur të dashurisë: “katër stinët në një hap“... Ai mbushet nga flladi mbrëmjesor që ia sjell vetëm Ajo, e Bukura e Dheut, ajo që mbi krye i rri si mendim i lidhur nyjë, ajo... “grabitësja“ e diellit të botës...

Ja ku vjen e si më vjen,/katër stinët në një hap,/diellin botës ia rrëmben/ dhe e vë ikonë mbi shtrat.

Dhe prapë ajo... vjen e ikën si qëmoti. Ecën me firomën e madhështisë, me vallen e gjëmimit fluturues. Prej saj “ndizet“ lufta, nisin britma galaktike, lëshohen stuhitë, sepse është ajo, ajo që ka zënë rob atë, djaloshin e munduar nga një mal dashurie.

Ja ku ikën e më ikën,/ prapset hëna dhe hap udhë,/ yjet nga marazi fiken,/ i djeg zjarri yt në buzë.

Dhe sërish Ai sfilitet në buzët e mbrëmjeve pambarim, kur ajo shfaqet e fshihet. I del, pastaj struket e më vonë e kërkon. Ajo dhe Ai nga të dyja anët zgjatojnë fije për të mbërritur në të njëjtin destinacion, në atë që i pret të dy njësoj, në atë destinacion ku jeta merr kuptim, ku vetë jeta bëhet ylber ditënetësh...

Ja ku del, vjen e ikën,
me një degëz lidhur ëndërr,
kur kam ty, ç'ta dua dritën,
yjet m'i derdhe në zemër.
(“Kur kam ty“)

* * *

Ashtu si Bërnsi, autori na sjell një panoramë të qartë të ndjesisë së dashurive të mëdha, të një realiteti të formësuar brenda një vargu të stilizuar artistikisht që mbrujtet me aromë idilike. Erosi në poezinë e Marës ridimensonohet, vjen si një tempull i pacenuar që e mbush me jetë poezinë. Dëshmi të gjalla të dëshirës, sublimes, të arritshmes dhe asaj që ëndërrohet, tokësores dhe qiellores, dimrit dhe pranverës, i hasim në shumë poezi të Marës, si: “Përpara teje“, “Porta e zemrës“, “Ëndrrat e zhveshura“, “Bota më duket blu“, “Prushi i zemrës“, “Më piku malli“, “Dhuratë për Shën Valentinin“, “Kështjellë me puthje“, “Ti dhe unë“ etj.

Heroi lirik që na sjellë Mara, nuk e largon ëndrrën e tij, madje e dëshiron sërish të nesërmen e të nesërmen. Duke kalëruar frymëzimit të tij dashuror, ai nuk e tret imazhin, nuk e fshin vegimin, ëndrrën e vërtetë, aty ku bashkohen shirat, shkrihen simbolet dhe bëhen njësh. AI dhe AJO, dy emra që kanë krijuar bashkësinë e “kompozitës” në sajë të ndjenjës së dashurisë.

Dhe në mbettë diku një shenjë, do të jetë si tatuazh,
emrin tim dhe emrin tënd, dy simbole një imazh,
një imazh si rrufe qielli, që e vesh botën me dritë,
një ikonë ku falen shpirtrat, bekuar nga perënditë.
(“Bëhu dallgë deti“)

I dashuruari, ky dëshmitar i vetëm, ndizet si vatër me prush, teksa kërkon sytë e të dashurës në errësirën e heshtjes. Ai nuk mban rezerva. Atij i flet zemra, syri, buza, shpirti. Trupi i tij del përtej së përtejmes vetëkontrolluese. Ai digjet zjarr, mushkëritë i tkurren prej gjëmimit të mungesës dhe, pas konstatimit, ai lutet në dënesje: “Mos vono, o stina ime!”.

Mos vono, o stina ime,
pa frymë mbetem kur s’je ti,
shpirti thyhet nga gjëmimet,
heshtjet ngrijnë në vetmi.


Poezia e Myrteza Marës është kënga, është malli është gjuha, është vetëdija, është jeta, është agimi, është lulja e pranverës së thekur, simbolikë e patjetërsueshme e trinomit dashuri-jetë-dashuri, siç thotë dhe Christopher Marloëe: “Më bëj të pavdekshëm me një puthje”. Edhe ky polaritet krijues i Marës kalon sa te jetësorja, aq edhe tek universalja, e mbinatyrshmja. Dashuria në vargun e tij vjen si një ndjenjë mbi të gjitha ndjenjat, herë e gjallë e herë platonike. Ajo ka në përbërje qeliza me membranë pavdekësie, të cilat gjenden jo rrallë në përbërjen e të gjithë këtij vëllimi me një konotoacion gjenerues, ku ushqimi shpirtëror lind dhe vdes nga dashuria.

Nuk dua të kthehem andej nga u nisa,
le të grisen velat nëpër lundrime,
mos pyesni dallgët, edhe po u mbyta,
në detin tënd shkruar vdekja ime
. (“Në detin e shpirtit tënd”)

Por vashëza nuk mjaftohet. Ajo ia trazon gjumin, ajo s’fle, ajo luan, endet në ëndrrat e djalit, lozonjare, e bukur, e ëmbël, e brishtë, me vrap fluturze, luleshegë, mjaltë mjaltesh. Ajo vjen që ta marrosë, vrapon para tij mbi kuaj muzash e këngë sirenash. Dhe ai sërish vdes në buzën e saj, dergjet kurmit hieror dhe e kërkon në shtatë ngjyrat e ylberit, në shtatë mrekullitë e botës …dhe pret…

Nuk di sa herë do vdes e ringjallem,/ as sa psherëtima do mbyten në det,/ me durimin e një murgu di të falem,/ me po atë durim, di edhe të pres. (“Nuk të them ‘Lamtumirë!”)

Gjetjet figurative krijojnë një tjetër vizualitet të paraqitjes së lirikës së dashurisë tek autori. Ai di ta dojë fort jetën. Ai njeh përkushtimin ndaj dashurisë, e cila pranon të bëjë edhe kompromise, e të sjellë përplasjen e të kundërtave, si një zgjidhje e pakontestueshme e zemrës. E, pra, te “Stina e pestë” rrjedh natyrshëm e bukura e pakundërshtueshme, e bukura e vështirë, e bukura e zemrës, syrit dhe shpirtit. Nëse dikur ka ekzistuar një “nepërkë pika-pika”, poeti, me një oskimoron të beftë (“helmi i ëmbël”), ka krijuar gjarprin helmues.

Ah, gjarpri yt helmues!
Më helmove gjer në palcë, e dashur...
Tani gjarprinjtë do t’i dua,
edhe në botën tjetër.


Por dashuria në poezinë e Marës njeh të tjera dimensione. Ajo zgjatet mbi botët apokaliptike, duke na sjellë edhe një brishtësi me emrin “nënë”. Nëna vjen te poeti si një imazh. Ajo pret një letër malli, atje larg në planetin e ftohtë akull dhe poeti simbiozon bukur emocionet në kapërcime kohore. Mall dhe dhimbje nëne!

E ka zgjatur rrugën e mallit, nëna,/ që unë të rri shumë në këtë botë… ( “Në prehrin e hënës”)

Poeti ka zgjedhur hënën si prehrin ku mundet të qajë, të rrëfehet, të digjet për mallin e pashuar të mëmës.

…vjen të më shuajë mallin e nënës,
në prehrin e hënës ulem e qaj!


Njeriu është një qenie sociale dhe, si e tillë, përballet me kompleksitetin e ndjesive dhe të funksionimit të marrëdhënieve shoqërore, kështu që vëmendjes së poetit nuk i shpëton asnjë detaj as nga problematika të ndjeshme dhe delikate kësisoj. Në poezinë “Diell pa perëndim”, poeti krijon një hartë narrative me të vërtetat e hidhura të kohëve që mbetën pas, vite që autori i krahason me gërmadhat, endur mes psherëtimash e hijesh të pakodifikueshme e të tejzgjatura në netët e pafundme të sistemit.

Lindëm të lidhur, na prenë kërthizën,/ na panë ç’farë ishim, pastaj na rilidhën,/ u rrita, u rritëm si ushtarë në rresht:/ “Kjo s’është e juaja, keni tjetër jetë!”.

Por poezia e tij nuk është thjesht dhe vetëm një rrëfenjëz; ajo oshëtin, gjëmon, duke sjellë paralelisht me kohët që jetojmë edhe atë kohë të grijëzuar, ku loti gjunjëzonte më mirë se xhandari, ku shkallët e ngjitjes të bëheshin epokë Sizifi, me emblemë honin e atypranëndodhshëm.

Jetova, jetuam në vitet gërmadhë,/ në çdo ngjitje, na digjnin një shkallë,/ sërish u ngjitëm me psherëtima,/ matanë ngjitjes, e ftohtë gremina…(“Diell pa perëndim”)

Ndërkohë misioni i poetit është shumë më i gjerë, më përmasor. Poeti di t’i shohë botët me ngjyra. Ai di të jetë arkitekt i botës së re, ngritur mbi rrënoja. Ai nuk është pragmatist dhe nuk kërkon të jetë poseduesi i vetëm i kësaj ndjenje. Sa do të donte që gjithë njerëzia të dashuronte dhe ta shihte botën me sytë e shpirtit të poetëve çmendurakë!

Poeti e jeton jetën dhe për një çast,/ një çast poeti vlen sa njëmijë diej… (“Banori më i vjetër”)

apo:

Pas hijes sate,/ unë rend si i marrë,/ siç rendin pas muzës,/ të çmendurit poetë. (“Nuk është faji yt”)


 * * *

Mara është mjeshtër i gjetjeve metaforike, si në formatin e metaforave emërore dhe foljore, ashtu edhe në epitetet metaforike: po ndryshkem në orën e pritjes sate , lisharësja dehej nga dashuria, në qiellin e syve të tu, re shtegtimi në ikje, ëndrrën tonë s’ka qiell që e djeg, pi lotin e hënës, thinjet trok’ i zemrës, kulpra e rrëqethjes etj.

apo edhe krahasimet: rrokullisem si ortek, hënë e zverdhur si një rrudhë, si një varkë në lundrim, më djeg si vetëtimë, si një shtegtar i etur, si qiri i ndezur në këmbë etj.

Një element i veçantë është edhe rimarrja e vargut të parë, duke e përdorur në fillim të çdo strofe. Krijohet kështu veç detajit anaforik, edhe një lidhje më organike e muzikalitet i brendshëm i vargjeve. Kjo haset në pjesën dërmuese të poezive të Myrteza Marës. Ja disa tituj: “Më mbetën sytë mbi kalendar”, “Qenka e vërtetë”, ” Është e diel”, ”Endem nëpër qiej”, “Ti dhe unë”, ”Kam filluar”, ”Nuk di”, ”Ç'më duhet mua”, “Përpara teje” etj

Mara përdor gjithashtu figura të tjera stilistike, si: metoniminë, simbolin, epitetin, hiperbolën, antitezën, personifikimin, oksimoronin, pleonazmën, etj.

Ai arrin të sjellë një strukturë të paqtë krijuese, duke ndërtuar poezi të rregullt me varg, rimë e metrikë. Megjithëse i mëshon vargut të rregullt, ai nuk heziton të shkruajë edhe me varg eliptik. Vargu i tij shquhet për gjetje stilistike. Edhe në rastet kur është përdorur vargu relativisht i gjatë, autori ka ditur t’i japë vendin e duhur cezurës, duke krijuar balancën e hemistikëve. Ndërtimi strofik nuk ka asgjë taksative, pasi poeti nuk është i dhënë vetëm pas distikëve, tercinës, apo katrenave, por përdor larmitet strofash

Në “Stinën e pestë“ të Marës, gjen vend një formim leksikor origjinal e i larmishëm, ka një përkujdesje për krijimin e neologjizmave, kryesisht të tipit kompozitë, si këpujore, ashtu edhe përcaktore: luleputhje në pranverë, diellin e pikëlotit, vazo lulelutjesh, aromëjete, natëvdekja, lëndinë-flori etj.

Përdorimi i numrave në poezi është një “kurth” ku bien shumë poetë. Janë numra që përdoren edhe përtej simbolikës që përfaqësojnë, duke fituar dimensione të reja. Numri 3 apo edhe 7 janë më preferencialët e autorit, i cili, përmes tyre, sërish shpalon emocionin e një gjendjeje, situate, motivi apo… të gjitha komponente të “fushës leksikore” të dashurisë:

Tri ditë i dehur, tri ditë si i marrë,
tri ditë parajse nuk qenkan pak…
(“Në ëndërr”)

* * *

Themeluesi i Romantizmit evropian, Viktor Hygo, bën një vlerësim domethënës për dashurinë. “Ajo që ndiej për ty, duket më e vogël se toka dhe shumë më e madhe se qielli pa rè”, - shprehet ai. Edhe Mara nuk i shpëton dot qerthullit të paralelizmit të ndjenjës së dashurisë me elementet e veçuara nga natyra.

Pa stërhollime, por me tharmin e fjalëve të përzgjedhura në bahçen dashurore. Dallga, deti, lumi, hëna, retë, pshetërimat, ura, ylberi, ëndrrat - për të sjellë mungesën e realitetit, vjeshta, kopshti poetik, lulet, sytë, buzët, puthjet, heshtjet, fjalët, pritjet, malli, dashuritë në 100 trajta, ëmbëlsia, qiejt, netët, dita, pranverat, rrugët, madje edhe të braktisura...gjithë bota, çka të sjellë në mendje Paul Verlaine me shprehjen e tij antologjike: “Këtu janë frutat, lulet, gjethet, dhe degët, këtu është dhe zemra ime që rreh vetëm për ty“. Syresh, shtresimet, fjalori poetik dashuror, gjithherë mbetet një pleonazmë e bukur, sepse, t’i këndosh dashurisë, i ke kënduar të gjitha meloditë, po ashtu, të krijosh fjalorin dashuror, ke mekur gjithë fjalorët e botës, sepse: "Themelet e botës flenë mbi dashuri!", varg që është edhe lajtmotivi i këtij vëllimi poetik, i përcakuar qartësisht nga autori.

Lirizmi në krijimtarinë e Marës nuk është rastësi. Ai ka gjetur “strehë“ edhe në 11 librat e mëparshëm me poezi, si: “Dielli i puthjes“, 2003, “Qiriri i penduar“, 2006, “Sytë e erës“, 2010 etj.

Kanë qenë të shumtë magët dhe bardët e poezisë së dashurisë, secili me të veçantën dhe origjinalitetin e vet, duke sjellë një përfytyrje dhe përqasje të këndshme të ndjenjës së tyre pranë lexuesit. Dhe “Stina e pestë” e Myrteza Marës është një trëndafil më shumë, me aromën e vet, në kopshtin e lirikës erotike të poezisë shqipe.
 

1 Kommentar:

  1. Sa mirë dhe sa me fat e ndiej veten të kem lexuar vetë ,të dhuruar nga poeti këtë mrekulli dashurie dhe e dini se çmë tha në një bisedë telefonike me të?:-më pyeti ime shoqe -Vërtet për mua i ke shkruar gjithë këto?.-Patjetër- i përgjigjem.
    Një zemër e madhe kurrë nuk lëndon një zemër që e do.

    AntwortenLöschen