Sonntag, 21. Juli 2013

Luigj Gurakuqi në themelet e shtetit te shqiptareve

Hasan Prishtina mbi varrin e tij do të shprehej : "Fli i qetë Gurakuq , shpagën tande do ta marrim me përparimin e Shqipnisë".

Studimi i veprimtarisë së Luigj Gurakuqit është i nevojshëm për të gjithë ata që dëshirojnë të kenë sadopak dijeni për historinë e shtetit të shqiptarëve. Luigj Gurakuqi është njëri prej themeluesve më të rëndësishëm të këtij shteti. Luigj Gurakuqi (në vetëdijen e autorit) është figura më emblematike e patriotizmës shqiptare dhe studimi i veprës së tij ndrit pjesë të historisë sonë. Kjo është arsyeja që në këtë libër është lënë një vend më vete për këtë liberator atdhetar.

Kujtimi i figurave të rëndësishme të kujtesës sonë historike është i rëndësishëm në shumë aspekte, siç shprehej edhe vetë Gurakuqi: "Një popull që nderon burrat e vet, një popull që pavdekëson kujtimin e tyne, jo vetëm ndër faqet e historisë, por edhe mbi rrasa e në monumente, ai popull tregon se ka ndërgjegje, se ka ndiesi të holla, se njeh miradijen e ka dëshirë me u sjellun e me u drejtuem mbas shembullit të të Mëdhajvet të vet".

Luigj Gurakuqi ishte politikan e diplomat, shtetar i shquar, gjuhëtar, njeri i kulturës dhe i shkencës. Ishte njohës i thellë i trashëgimisë kulturore të shqiptarëve dhe i kulturës klasike romake e latine.
Ai ishte patriot i madh, bashkëthemelues i shtetit shqiptar të epokës moderne. Përveçse themelues i alfabetit të shqipes, zotëronte në mënyrë të shkëlqyer latinishten, italishten, turqishten, frëngjishten, greqishten e gjermanishten. Fan Noli e cilësonte Gurakuqin pionier të qytetërimit perëndimor në Shqipëri, si një nga shqiptarët e flakët që thithi me themele kulturën e Perëndimit dhe si njeriun që punoi më gjatë e më shumë se kushdo tjetër për të mbjellë farën e saj në Shqipëri.

Luigj Gurakuqi u lind me 19 shkurt 1879 në gjirin e një familjeje tregtare të kulturuar shkodrane, nga prindërit Pjetër e Leze Gurakuqi.

Shkollën fillore e disa klasa te mesme i ndoqi në Kolegjin Saverian në Shkodër, pas ai ka qenë nxënësi i parë shqiptar i kolegjit arbëresh të Shen Adrianos të Shen Dhimitër Koronës. Ku edukua nga atdhetarë e intelektualë të shquar si Anton Xanoni, Gasper Mërturi dhe themeluesi i Rilindjes Kombëtare te shqiptarëve Jeronim de Rada. Studimet universitare do t’i kryente në Napoli (Itali) në vitet 1901-1906.

Luigj Gurakuqi iu kushtua tërësisht veprimtarisë politike e luftës për çlirimin kombëtar pas vitit 1906. Në verën e vitit 1907 bashkëpunoi me Bajo Topullin për organizimin e kryengritjes në Veri. Ish i dënuari me burgim të përjetshëm për veprimtarinë e tij kombëtare rikthehet në qytetin e lashtë të Shkodrës në vitin 1908 në moshën 29-vjeçare për të mbetur i pavdekshëm në kujtesën historike të kombit të vet për shekuj të shekujve. Ndërsa i afrohej qytetit, kishin dalë për ta pritur shumë bashkëqytetarë të tij, të krishterë e muhamedanë, të cilët në shenjë nderimi të thellë, në Parrucë çmprehën kuajt dhe e tërhoqën të gjithë bashkë deri në qendër të qytetit.

Jemi në fillimet e shekullit XX kur shqiptarët po riorganizoheshin pas një periudhe të kobshme te pushtimit mizor te anadollakëve, të cilët shkatërruan sa mundën, plaçkitën sa mundën e vranë sa mundën, por nuk arritën synimin kryesor- zhdukjen përfundimtare nga harta gjeopolitike te kombit shqiptar. Anadollakët do të riktheheshin në Anadoll, ndërsa shqiptarët do të mbeteshin ne trojet e veta. Pasi Zoti "Për shqiptarët, Shqipninë e kish krijue".

Më 1911 merr pjesë në kryengritjen e malësorëve te Mbishkodrës e si një nga udhëheqësit e saj. Ai harton Memorandumin e Greces të njohur si "Libri i kuq". Më 1912 zhvillon një veprimtari të dendur për organizimin e kryengritjes së përgjithshme. Mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit dhe në shpalljen e pavarësisë (nëntor) ishte bashkëpunëtori më i ngushtë i I. Qemalit. Gurakuqi shkroi vendimin historik të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, nëpërmjet të cilit shpallej se "Shqipënia me sot do të bëhet më vete, e lirë e mosvarme". Gjatë Luftës I Botërore, me pushtimin e Shkodrës nga ushtria malazeze, Luigj Gurakuqi internohet në Podgoricë. Gjatë pushtimit austro-hungarez, emërohet drejtor i përgjithshëm i arsimit dhe punoi për hapjen e shumë shkollave shqipe. Mori pjesë në Kongresin e Durrësit më 1918, ku zgjidhet ministër i Arsimit në qeverinë e përkohshme e anëtar i delegacionit të saj në Konferencën e Paqes në Paris. Më 1921-24 qe deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar.

Disa herë ministër në kabinetet qeveritare, i Arsimit, Financave, madje edhe ministër i Brendshëm në kabinetin disaditor të Hasan Prishtinës. Shtetarë të tillë do t’i mungojnë Shqipërisë jo vetëm në shekullin e 20-të, por edhe në shekullin e 21-të. Si politikan e burrë shteti Gurakuqi ishte liberaldemokrat. Kur në parlament Ali Këlcyra i bën vërejtje për qëndrimet e tij liberale, Luigji përgjigjet se "z. Ali Këlcyra më tha si për qortim se jam liberal. I faleminderit dhe mund të jetë i sigurt zotnia e tij se vdekja do të më ndajë nga mendimet e mija liberale". Luigj Gurakuqi na ka lënë një përvojë të pasur për jetën parlamentare, ndërtimin dhe funksionimin e shtetit ligjor.
Ai kishte vlerësim e besim të madh te parlamenti, ligji e vota e lirë e popullit.

Sipas dokumenteve të kohës, Luigj Gurakuqi, në kundërshtim me historinë e pasluftës nuk ka qenë ndër frymëzuesit e Revolucionit të Qershorit. Megjithatë, ai iu bashkua këtij revolucioni dhe në qeverinë e kryesuar nga Fan S. Noli u emërua ministër i Financave. "Gurakuqi, - shkruante S. Vinjau, - u tërhoq (në revolucion - V.H.) pas një kundërshtimi të fortë". Patër Anton Harapi kujton se kur ka filluar Revolucioni i Qershorit bashkë me Luigjin po punonin për nxjerrjen e numrit te gazetës "Ora e Maleve" dhe një telegram nga Vlora e njoftonte për fillimin e revolucionit. Sidoqoftë, përfshirja e tij në këtë revolucion është një nga ato momente kur L. Gurakuqi iu shmanget parimeve të tij liberaldemokrate.

Personaliteti i Gurakuqit spikat në fushën e diplomacisë. Ai qe përfaqësues i Shqipërisë kur vendoseshin fatet e saj në ballafaqimet diplomatike në qendrat më të mëdha të politikës evropiane: në Londër, në Romë e në Vjenë, në Paris dhe në Gjenevë. Kështu, në Londër, më 1913 me Ismail Qemalin dhe Isa Buletinin; në Konferencën e Paqes në Paris, me 1919, me delegacionin e Qeverisë së Durrësit apo në Gjenevë me 1924, në Lidhjen e Kombeve me Fan Nolin.

"Diplomacia e vërtetë, - shkruante Gurakuqi, - mbështetet mbi udhën e mesme, të cilën e gjejnë vetëm ata që, tue mbajtun të patundun parimet, dijnë me pajtue të drejtat e nevojat e atdheut të vet, në kushtet e politikës së përgjithshme".

Gjergj Fishta, në një përshkrim të delegacioni shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, shkruan: "Asht e kotë të gënjehemi. Nëse përjashtohet Gurakuqi që vetëm ai ka një kulturë të përshtatshme, ka një atdhetari të shëndoshë dhe një njohuri të gjerë për njerëzit dhe për sendet e Shqipërisë, asnjë nga anëtarët e qeverisë, qoftë të asaj të mëparshmes, qoftë te së tanishmes, nuk mund të thotë se e paraqet denjësisht Shqipërinë dhe të mbrojë siç duhet interesat e saj". Luigj Gurakuqi e kishte të qartë rolin e diplomacisë ndërkombëtare rreth fatit të Shqipërisë. Dhe, për hir të së vërtetës, duhet pranuar se mbështetja evropiane, sidomos ajo austro-hungareze, italiane dhe e shtetit te Vatikanit për krijimin e shtetit shqiptar ka qenë më përcaktuese se sa lëvizjet kaotike dhe të paorganizuara si duhet të shqiptarëve në këtë drejtim.

Luigj Gurakuqi është ndër hartuesit kryesorë të programit arsimor e kulturor të lëvizjes sonë kombëtare për autonomi, liri e pavarësi. Gurakuqi luftoi për njësimin e alfabetit i udhëhequr nga teza një komb, një gjuhë, një alfabet. Më 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit ku u zgjodh nënkryetar dhe anëtar i komisionit për njësimin e alfabetit. Më 1909 u emërua drejtor i së parës shkollë normale që u hap në Elbasan, ku dha një ndihmesë me vlerë për vënien e arsimit mbi baza kombëtare.

Nën drejtimin e tij u hodhën themelet e para të sistemit arsimor fillor shtetëror në Shqipëri. U krijua përvoja e parë e ngritjes së administratës arsimore shqiptare, u hartuan dokumentet e para shkollore, u ngrit një sistem i tërë i përgatitjes dhe i kualifikimit të mësuesve. Si ministër i parë i arsimit shqiptar, ai punoi që gjithë fryma dhe përmbajtja e shkollës të ishte në funksion të qëllimeve dhe idealeve kombëtare.

Luigj Gurakuqi ishte i vetëdijshëm më shumë se kushdo për dobinë e alfabetit dhe të shkruarit të gjuhës amtare, kjo shihet edhe në botimet e tij. Më 1905 do të botonte në Bukuresht librin "Abetar i vogël shqyp mas abevet t'Bashkimit e t'Stambollit me shënime n'dy dialektet". Botoi në Napoli "Fjalorth shqip-frëngjisht e frëngjisht-shqip" i fjalëve të reja dhe më 1906 "Vargëzimi n'Gjuhën Shqipe". Ndërsa si publicist ka botuar dhe shumë artikuj në gazetat "Albania", "Kalendari-kombëtar", "Drita", "Liria e Shqipërisë", "La nazione Albanese", etj. Edhe si poet Gurakuqi potencon idealin për të cilin ”ia vlen për me jetue”:


Q E N D R E S A

Oh, jeta përnjimend me rrena e vajplot qenka n'kët botë t'lashtë!

U shueka tepër shpejt lakmimi i saj,si zjarri i bamë me kashtë.

Veç nji qëllim i naltë t'ban me durue e zemrën të forcon;

ndër kundërshtime s'vyen kurr me u ligshtue,

mjerë ai qi nuk duron!
Gurakuqi është tekstologu më i shquar shqiptar i fillimit të shekullit tonë. Ai i dha shkollës shqipe, si autor e bashkautor, 8 tekste mësimore me një vëllim prej 738 faqesh. Si krijues Gurakuqi pati relacione të shkëlqyera me elitën intelektuale të vendit. Disa nga veprat e krijimet e veta L. Gurakuqi ia kushtoi Gjergj Fishtës, Preng Doçit, Hilë Mosit e Mati Logorecit. Por edhe Gurakuqit i drejtohen mjaft dedikime e përkushtime. Ashtu si Filip Shiroka, Hilë Mosi vazhdon ta quajë bylbyl në tingëllimin që i kushton, "S'këndon bylbyli".

Po ashtu patër Anton Harapi veprën e tij kryesore "Andrra e Pertashit" (Urti e burrni ndër banorët e Cemit), duke ia kushtuar Gurakuqit shkruan: "Burrit t'vërtetë burrë, L. Gurakuqit, i cili me kulturën e naltë shpirtërore, mishnoi, madhnoi, përjetoi urtinë, besë e burrni shqiptare, tue mbetë përherë shembull shqiptari me kulturë, simbol i bashkimit kombëtar, idealist i shkëlqyeshëm në vorfni".

Luigj Gurakuqi i ka kushtuar shumë kujdes problemit të fesë dhe të marrëdhënieve në mes shqiptarëve me besime të ndryshme fetare, vendosjes së unitetit në mes tyre dhe të sigurimit te mirëkuptimit e të tolerancës ndërfetare. Ky mirëkuptim ishte dhe do të jetë i kushtëzuar për hir të specifikave tona si popull në shërbim të unitetit kombëtar si dje, ashtu edhe sot, nëse shqiptarët do të dëshirojnë të kenë shtet të tyre në hapësirat ballkanike.

Që në mbledhjen e parë të Kongresit të Durrësit, më 1919, L. Gurakuqi kërkonte që çështja e lirisë dhe e nderimit të feve në Shqipëri duhet të zgjidhet mbas formulës: "Feja e lirë në shtet të lirë". Gurakuqi ishte besimtar. Sipas tij, Zoti është qenie që s'ka as fillim e as mbarim, se asgjë nuk mund të krahasohet me të, se "...qielli e toka, fushat e gjana, malet e nalta, detrat e mëdhana, T'gjitha prej Zotit patën krijim, Qi s'di mase me vedi, fill as mbarim". Zoti i madh dhe i vërtetë, shkruante L. Gurakuqi, ka në dorë fatin e njerëzimit e te popujve, ai di gjithçka, bën gjithçka dhe sheh gjithçka. Eshtë ky Zot i plotfuqishëm tek i cili L. Gurakuqi ka shpresë dhe besim se do të marrë në dorë fatet e Shqipërisë e të shqiptarëve, se do të bekojë punët e tyre e do t'u plotësojë dëshirën për liri e pavarësi. Gurakuqi gjatë gjithë jetës së tij pati relacione të shkëlqyera me të gjithë ata drejtues të komuniteteve fetare që luftonin për një Shqipëri të lirë.

Më 26. 9. 1913, abati i Mirditës i dërgon këtë telegram në Vlorë, Gurakuqit, ministër i Arsimit të Qeverisë së Përkohshme: " Te lutem, epi zemër Komisionit te metingut të Vlonës e shtrëngoi dorën Kryetarit të Qeverisë së përshtatshme për bashkim e të lidhun bese që kemi me ta në të gjitha punët e mbara për ngadhnimin e lulëzimin te Shqypnies. Sot ashtë dita me këqyrun edhe shqyptarët kundërshtarë, si vëllazën e me mënyra vëllazenore me i avitun nga mprojtja e Atdheut nën hije t'Ismail Qemal Begut e t'atyne burrave qi njohin e nderojnë flamurin e Shqypnies. Uroj shëndet e jetë e faqe të bardhë të gjithë atyne Shqyptarëve qi me vepra urtie, bese e dashunie diftohen te bajnë per kujdes t'Europes e cila mundohet me e mkmbun e me e burrnue Atdheun tënë".

"Parimet e fesë, - shkruante ai, - të ndjekuna mirë, i bajnë njerëzit qytetarë të ndershëm, i mësojnë që t'i shërbejnë atdheut, që t'u nënshtrohen ligjeve të shtetit"

Sipas F. Nolit, Gurakuqi "qëndronte aq larg fanatizmës fetare të ngushtë, sa muhamedanët e Veriut kishin një besim të pakufishëm", aq sa në Gegeni, "s'ka pasur një tjetër udhëheqës, i cili...bashkonte rreth vetes së tij katolikët e muhamedanët gegë"..." Ai ka qenë aq pak regjionalist sa që kur lindi çështja kombëtare s'ka pasur një gegë patriot, aq të dashur midis toskëve sa Gurakuqi".

Pak a shumë, në të njëjtën parullë si Kenedi i drejtohej kombit amerikan, "Mos mendoni se çfarë bën atdheu për ju, por çfarë bëni ju për atdheun", Gurakuqi që në fillimet e shekullit të 20-të porosiste - dita e 28 Nëntorit nuk duhet të jetë vetëm një ditë festimi, ku secili duhet të bëjë analizën e jetës së vet dhe, me dorë në zemër, të pyesë vetveten nëse ka bërë gjithkund e gjithmonë detyrën që kishte para atdheut. Ai ishte politikan me një vizion kombëtar. Ndër fjalimet më të forta të Gurakuqit në parlament janë ato mbi mbrojtjen e popullsisë shqiptare të Kosovës. Kur qeveria jugosllave, në një telegram e quante ndërhyrje në punët e brendshme të saj interesimin e shqetësimin e qeverisë shqiptare për gjendjen tepër të vështirë të shqiptarëve të Kosovës, Gurakuqi, plot indinjatë e zemërim do të merrte fjalën e do të thoshte: "Si mundte me thanë një qeveri (jugosllave), e cila ka mbjellë viset tona me varre të vllazënve tonë, se po i përzihemi në punët e brendshme të saj. Si mundte nji qeveri me thanë se po i përzihemi në punët e brendshme, kur shohim se për shkak të saj me mijëra fëmijë e gra sillen të zhveshur e të zbathur këtu për Tiranë e ushqehen me sevapet e amerikanëve e tepricat e ushtrisë". Ai ishte një prej miqve më të mëdhenj të patriotëve të Kosovës, sa Hasan Prishtina mbi varrin e tij do të shprehej : "Fli i qetë Gurakuq , shpagën tande do ta marrim me përparimin e Shqipnisë".

Si vdes Luigj Gurakuqi?

Vritet tinëzisht mbas dere të një hoteli, prej djalit të tezes, një kriminel i rëndomtë- Baltjon Stambolla. Për këtë vrasje u akuzua Ceno beg Kryeziu, kunat i Ahmet Zogut, që vetë do të vdiste pak më vonë në një atentat në Pragë. Ndër të akuzuarit e kohës ishte edhe Ahmet Zogu, megjithëse nuk ka dokumente që e mbështesin një akuzë të këtillë, përveç disa deklarimeve të ish-konsullit shqiptar të asaj kohe në Bari. Pas rënies së qeverisë 6-mujore të Fan Nolit, Gurakuqi ishte emigrant në Itali, ku vite më parë kishte emigruar edhe ai që ngriti flamurin në Vlorë, Ismail Qemali.

Sidoqoftë, megjithëse saktësisht nuk dihet emri i sponsorizuesit të këtij atentati dihet se antishqiptarizmi kreu një goditje të rëndë ndaj kauzës kombëtare me datën 2 mars të vitit 1925 në derë të hotel “Cavour”, në Bari të Italisë. Dihet se u sponsorizua që krimineli të lihej i lirë nga shteti italian, që asokohe sundohej nga Benito Musolini.

Fan Noli do të shkruante në elegjinë e tij

SYRGJYN -VDEKUR

Nëno moj, vajto, merr malin,

Larot t'a përmbysnë djalin

Që me Ismail Qemalin

Ngriti flamur trimëror.


Nëno moj, ç'është përpjekur

Gojë-mjalt' e zemër-hekur,

Syrgjyn-gjall' e syrgjyn-vdekur,

Ky Vigan Liberator.

Eshtrat e tij do të preheshin në Bari për t’u rikthyer në Shqipëri në vitin 1957. Shtëpia e Gurakuqve ne lagjen Gjuhadol u kthye në muze. Luigj Gurakuqi shpallet "Hero i Popullit", ndërsa Universiteti i Shkodrës përjetëson emrin e tij.

Ne shqiptarët e tashëm kemi nevojë për një histori selektive në mënyrë që t’u tregojmë brezave se si arritëm të ekzistojmë si komb dhe të kemi shtet, cilat ishin parimet e larta mbi të cilat u ngjiz identiteti ynë kombëtar dhe cilët ishin themeltarët. Në historinë tonë të vjetër dhe të re janë pak burra apo gra që mund të vendosen në panteonin e ndritur, ku ky vigan liberator e vendosi veten me shërbesat që kreu karshi popullit të vet.
Bardhyl Ukcamaj

nga libri " Shqiptaret ne Qyteterimin Perendimor"

 
Marrë na FB

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen