Vështrim
mbi vëllimin poetik “Jeta e censuruar” e autorit Fran Tanushi
Në mënyrë krejt të
rastësishme, përmes botës së teknologjisë së informacionit, do të takohesha për
herë të parë në jetën time me Fran Tanushin. Ai që jetonte në Gjermani dhe unë në
Shqipëri. Për herë të parë u përshëndetëm në të njëjtën gjuhë, shqip me fjalët
“Tungjatjeta, miku im”.
Kështu kemi mbetur ende dhe sot e
kësaj dite me fjalën plot vlerë si dy miq të mirë. Në kalim të ditëve do të
njiheshim dhe zbulonim akoma më shumë nga jeta e njeri-tjetrit. E përbashkëta mes nesh, letërsia. Në
atë shkëmbim të krijimeve, do të më tërhiqte vargu i Franit dhe figura letrare
që ai sillte në atë gatesën e tij poetike. Bile, këmbëngula që disa nga këto
poezi të botoheshin në revistën artistike kulturore “Obelisk”, këtu në Tiranë.
Ndërsa pak kohë më vonë, Frani do të sillte në Tiranë librin e tij “Jeta e
censuruar”.
Në atë shfletim të shpejtë të faqeve
të librit e kuptova që do të më duhej koha e duhur, por edhe gjendja ime
shpirtërore për të lexuar dhe shijuar vargun e Tanushit. Në fillim të vëllimit poetik Fran
Tanushi do të tregohet paksa lirik dhe besnik i dashurisë dhe tregon qartazi se
prej nga i vjen ky ngazëllim shpirtëror “që i sjell kthjelltësi qiellore” dhe
që e bën të ndihet kaq djalë.
Më pas përmes një epiciteti dhe
ndjeshmërie poetike autori Fran Tanushi do të tregojë se kush është ai. Dhe së
pari ai është Dardania. Një dashuri që ka zënë rrënjë thellë në shpirtin e tij,
thuaj sa ka njohur veten si Fran. Në mënyrë metaforike ai do të tregojë se toka
dhe vendi ku ka lindur, emri që ajo mban
është e vjetër “shekujve të tërbuar çmendurisht”. Kjo temë atdhedashurie do të mbetet e
pranishme sërish në një tjetër poezi të titulluar “Pse Kosovë?”
Një pyetje e cila prek ditën e sotme.
Mbart brenda shqetësimin e birit të kësaj martireje.
Mos
gërshërët,
djalli
i mpreh shtatit tënd
nga kalon lumi
Në mënyrë kaq të qartë dhe të shprehur
metaforisht bukur autori kërkon të sjellë edhe një herë rrezikun që vendit të
tij i kanoset nga copëtimi territorial në këtë kohë moderne. Por si njeri me gjak dhe dell
atdhetari Tanushi pa ngurrim bën të
ditur se si është fituar kjo pavarësi ashtu dhe do të mbrohet. Nuk do të ketë
një tjetër 1913 për tokën shqiptare kaq shumë të cunguar.
Mbi
ty s’do të lëmë gërshërë
Pa
e ndezur edhe një herë.
Siguria e tij në këto vargje sjell me
vete dhe atë të shumë e shumë djemve e vajzave të Kosovës që kanë brohoritur të
gjithë një zë “Bac u kry !” dhe po ashtu janë të gjindshëm një zëri të thonë
“Kurrë më ndarje nga trupi yt Kosovë.”
Sepse si thotë poeti në atë urë dhe
mbi atë lum:
Në
cakun e pikëtakimit
Me
të shkuarën e ardhmja ngjitenTrupat e njomë përmendore
I shtojnë të tashmes rritën
Në poezinë “Ky jam unë”, ndoshta dhe
për herë të parë, Tanushi zbërthen veten e tij, heq gjithçka që mund ta mbulojë
dhe ruajë nga sytë e të tjerëve. Ai zhvishet në kuptimin poetik për tu treguar
miqve dhe shokëve të tij, bashkëkombësve të vet se edhe kur hesht, ai mendo, se
edhe kur shumë lexon nga pak shkruan, apo që nuk di të urrejë, por veç të
dashuroj. Dhe mbi të gjitha përmes këtij vizatimi poetik ai vulos duke thënë
përfundimisht: Ngjaj një engjëll, me trup njeriu.
Duke kaluar nga një poezi te tjera, nga një
varg te tjetri Tanushi zbërthen akoma edhe më shumë veten e tij që në të
vërtetë mund të ketë edhe emrin Unë, Ti,Ata... Dikur kur të tjerët kanë qarë me vajin
e tij të ardhjes në jetë, sot Tanushi as qesh e as qan, sepse me ta këndon.
Në shumë vargje autori na del me një
natyrë vërtetë burrërore, me ato norma e zakone që i kanë hije një kosovari,
por befas në një çast, ndoshta edhe i vetëm, gjunjëzohet. Ajo, dashuria,
ndjenja e bukur dhe e pastër e bën fëmijë, të ndihet i dobët, i butë, i
brishtë,i ujshëm . Bile edhe vetë e pranon dhe kërkon ti tërheqë vëmendjen asaj
se çfarë i ka bërë. Duke sikur e kap nga krahu dhe i thotë disi me nevrik :
“E
di ti moj”
...
kam harruar Krenarinë burrërore
Ndoshta “marrosur” jam
Por ai nuk ndalet këtu. Ndalet edhe në
kopshtin e kujtimeve të rinisë së tij, të botës së nostalgjive
ku
gotës plot me verë
nuhat
aromën e pikturimit
të portretit të saj
Si një poezi lirike lodron nëpër buzë
poezia “Vargu im”. Në të vërtetë këto vargje, plot nxehtësi dhe ndjenjë, plot
ëmbëlsi do të shkonin për shtat një portreti dashurie. Dyshues, në tërësinë e
brendisë së kësaj poezie, do të thoja që këtë poezi autori e ka përdorur si një
fshehje të një dashurie të madhe në botën e tij. Por edhe dedikuar vargut të
tij, përsëri qëndron, më shumë sesa një poezi për muzën që atij i vjen shpirtit
dhe trazon kulmin.
Të
puth, të dashuroj
si
më të bukurën dashnore.
Ai e di autori se si dashurohet një
dashnore? A është kjo lloj dashurie disi më e ëmbël se mbart brenda dhe
misterin e fshehtësisë?
Por të gjitha hamendësimet autori i
zhduk veç me vargjet e fundit
Shtegtimeve
me kapërcyell
Adresave
të pluhurosura Duke kërkuar NJERIUN
Ky është misioni më i vështirë në
jetën e përditshme. Pamundësia e të gjeturit të njeriut është ndërruar në një
problem sa enigmatik aq dhe të vështirë. Krijesa njerëzore ka në çdo cep të
jetës, por njeri vështirë. Kanë vdekur shumë ndjesi shoqërore, shumë zakone,
tradita, norma të marrëdhënieve mes njeri-tjetrit. Autori përmes fjalës kërkon
të ecë në atë rrugë fundcila do ta takojë me atë që ai kërkon; Njeriun, por me
njeriun e vërtetë.
E konceptuar në formën e kapitujve, Në
një tjetër përshëndetje Tanushi do tu thotë të gjithëve “Mirëdita Mirditë”Zakonisht
në emrat e të lindurve në Kosovë do të gjesh shumë prej emrave të qyteteve dhe
vendeve në Shqipëri, Do të takosh njerëz me emrin Berat, Sarandë, Vlora,
Valbona dhe në librin e tij, dhe Mirditën.
Përsëri një pikëpyetje. Një
përshëndetje për një mikeshë apo diçka tjetër. Enigmën e zbulon vetë autori.
Bëhet fjalë për Mirditën që në sytë e
autorit shfaqet si,
Fole
e shqipeve në fluturim
Kur
gjarpërinjtë gurët rrokullisin.
Edhe në këtë nënkapitull poetik
autorin do ta gjejmë mes epizmit dhe lirizmit. Ai do të lutet dhe kundërshtojë.
Që të mos ia kërkojnë frymën, këngën, dhembjen, vargun, rininë dëshirat, nuk mund të jetë i askujt, pasi nuk mund te
jepet bile zhduk çdo hamendësim që ai të përulet ndonjëherë që t’i ndrydhin
ëndërrta me “sadizëm”.
Por në një tjetër poezi do të kemi një
djalë që ka pritur shiun e natës të pushojë dhe shfaqjen e yllit të mëngjesit,
që të bëj roje pranë dritares së asaj që ia ka trazuar zemrën. Një poezi lirike
që i ngjan një serenate korçare “Dritares sate do t’i bëj roje” dhe me atë dëshirën e çartur
dhe që nuk e pengon asgjë;
me
flatra zogu
do
vij ku je ti këtë mëngjes të bekuar
me Ty për ta ndarë.
I druajtur për këtë gabim të bërë përsëri
një tjetër kthim do të ketë nën atë dritare brenda asaj dhome dhe e gjithë kjo
shkon përmes një premtimi nga vetë autori që :
Prapë
do të kthehem atje
Qytetit
poshtë nën sharrëNëse të bezdisa
A ke për të më falur?
Por a ka në të vërtetë vend për falje nëse ajo dhomë ka qenë e tija dhe e saj për një ditë apo një natë. Ajo derë që iu hap me dashuri një herë, padyshim që e mirëpret përsëri që ai:
Të
ledhatojë faqet
Nën
sytë e tu magjikAty ku loti i kthjellët dikur
Rrëshqiti pa dëshirë.
Brenda nën emërtesës “Diku në Ulpianë”
do të ndeshemi dhe me poezinë që mbart vetë titullin e këtij vëllimi poetik.
Shqetësimi i madh i poetit si njeri, si qytetar i kësaj bote është që pse ende
ai nuk është çfarë do të jetë në të vërtetë. Censura rëndon ende.
Ndërkohë që ai dëshiron:
A
mund të shkruaj emrin
Pa
censurëPa kllapa
Dëshira e tij rritet dhe të duket se
një tjetër Migjen jeton diku në këtë glob. Është ky migjenian i ri, me rrënjët
prej Kosove, që kërkon që përmes fjalës së tij
“t’ia lëshoj namim shekullit”, por
zemra e tij është e ndarë më dysh, jeton në dy vende , në dy kohë, sepse një
mur ngrihet mbi të. Shënimi i lënë në fund të kësaj poezie (... 86 Bregu i Diellit, Prishtinë) do të bëj të kuptosh pse jeta e tij është e censuruar. Në atë kohë, pa frikë jeta e çdo njeriu që mban vendlindjen Kosovë, ishte e censuruar.
Në poezitë e këtij nënkapitulli poetik do të gjesh edhe poezi dedikime kushtuar emrave të njohur të artit , poetit Ali Podrimja, piktorit Gjelosha Gjokaj, Martin Camajt, për të ndalur në atë që është më e ndjeshme në varg. Cilido në një formë apo tjetrën ka belbëzuar fjalë kushtuar njeriut më të shtrenjtë të jetës, asaj që na ka sjellë në jetë;nënës.
I merakosur dhe me një mall në gji, autori i thotë qoftë dhe përmes yjeve dhe hënës lart në qiell që të mos ta presë më si dikur,kur ishte gjimnazist, apo pranë sofrës mos ta presë të shijojë bukën e bekuar, as lot të mos derdh sepse:
Vetë
Ti më ke thënë
Jeta
është luftë Që duhet fituar.
Por edhe për atë që e ka bërë burrë më
hijen e tij, babait, nuk mungojnë vargjet. Përkundrazi, këtu ka më shumë
ndjesi, ka më shumë “Dhembje dhe lot”, sepse sekondat gëlltitën dekada. Është
një dhimbje që rrokulliste me forcën e një orteku brenda kraharorit të tij.
Është loti i burrit që derdhet për ndarjen e burrit nga kjo botë, për atë nisje
në atë rrugëtim ku kthimi pas nuk ndodh kurrë. Duket se në këtë poezi ka një
qortim për atë ikje të beftë, për atë ngurtësim të atij shtati vigan në atë
shtrat të ngushtë.
Gjeneratat
që vijnë
Do
të thonëU ngute bre burrë
Sa lirik dhe epik, sa i drejtpërdrejtë
dhe i fshehtë, sa burrëror aq dhe djaloshar do të shfaqet dhe në këtë pjesë të
vëllimit të tij poetik aq sa pa ngurrim pohon: “Të duhemi s’është marrëzi” duke
shkuar edhe më tej në shprehje dëshirash për të qenë një piktor për të bërë pse
jo dhe portretin e saj që herë është si engjëll e herë si zanë “që ndihem kaq djalë pranë kur më je” thotë
autori në poezinë “Portreti yt”.
Në marrëdhëniet që ndërtohen në
tërësinë e vargjeve të poezisë së vëllimit “Jeta e Censuruar” vazhdimisht
shfaqet raporti mes njeriut dhe kohës, me qëllimin madhor që pikërisht njeriu
ti japi kohës emrin që ajo meriton.
Pak më lart autori ishte vënë në
kërkim të njeriut dhe, në pasgjetjen e tij, të vënit e emrit kohës është një
tjetër problem që ai kërkon të marrë zgjidhje.
Edhe në nëndarjen “Ankthe e shpresë”
do të gjesh të harmonizuar një gamë temash dhe ndërtimesh poetike që e bëjnë
poezinë e tij akoma më familjare, akoma më bashkëkombëse, akoma më të prekshme
dhe të imagjinueshme. Përmes vargjeve të tij autori e çon lexuesin në skaje ku
ai nuk ka qenë më parë dhe përmes fjalës së përzgjedhur pikturon një tablo
interesante, e ndare në katrorë të mëdhenj e të vegjël, ku secili prej tyre ka
një përmbajtje të vetën.
Ai e fillon këtë nënndarje me pyetjen
“A qajnë poetët” për ta përmbyllur me poezinë “Në dukagjin”, atje ku një nënë
ka lindur shumë fëmijë. Një mesazh sa i bukur dhe
domethënës:
Në Dukagjin është një nënë
Që pas dhembjeve jetë mbjell
Fëmija është jeta, është
e ardhmja, është shpresa, është përparimi. Pikërisht këtë kërkon të ketë
tabloja jetësore që ai si autor dëshiron të pikturojë në poezinë e tij.
Duke menduar që nuk i
kam thënë të gjitha për këtë vëllim poetik, jam ndjerë mirë që ende në këtë
jetë ka njerëz që me vargun e tyre kërkojnë që jetës t’i japin frymë.
Ka ende njerëz që
mendojnë se përmes dashurisë dhe jo urrejtjes, përmes besës dhe jo tradhtisë,
që përmes jetës dhe jo vdekjes, që përmes ruajtjes së traditave dhe zakoneve,
përmes të shikuarit në qiellin e pamat të së ardhmes dhe jo skutave të errëta
të shpirtrave zezonë, do të ketë më shumë shpresë për ditë të mira në jetën e
çdo njërit prej nesh. Nuk ka rëndësi çfarë gjuhe flasim dhe ku jetojmë, jeta
është e shenjtë për këdo. Por më e madhe, dhe më vlerë merr jeta e njeriut, kur
nuk harron rrugën nëpër të cilën ka ardhur në jetë.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen