Sonntag, 21. Juli 2013

Irena Gjoni: Çmendja e kukullzës

IRENA GJONI

ÇMENDJA E KUKULLZËS

(Tregim)

Përvjetori i parë i tyre po afrohej. Ajo kishte ditë që po mendohej t’i bënte dhuratë diçka të jashtëzakonshme. Ishte i vetmi njeri që ajo donte ta bënte të lumtur me çdo lloj mënyre. Nuk humbiste asnjë çast që të rrinte me të. Sa herë ishin bashkë përjetonte diçka të veçantë. Pas shumë kohësh po e kuptonte se bota rrotullohej vetëm rreth ti...j. Se gjithësia, vetëm me praninë e tij kishte kuptim. Se ajri kishte shije kur aty ishte ai. Pasioni që ndiente për të e bënte të mos jetonte rehat dhe i kishte zhdukur oreksin, gjumin, qetësinë.
Duke sajuar lloj – lloj dhuratash me mendje, futej në lloj – lloj marketesh ku ose nuk i gjente ato që mendonte, ose i gjente dhe atëherë i shndërroheshin në gjëra të rëndomta. Tepër e pezmatuar pas gjithë asaj kohe kërkimi dhe dëshpërimi, u fut në një dyqan sendesh të çmuara. (Muret e veshur me pasqyra mashtruese e ngatërronin çdo blerës duke mos e lënë të orientohej shpejt se në ç’vend ndodhej kjo ose ajo gjë. Të gjitha pasqyroheshin në çdo pasqyrë dhe secila sikur e ftonte: Eja se gjendet tek unë).
Dielli i akullt i asaj paraditeje maji u shumëfishua në pasqyra, në kristalet e qelqurinave dhe në xhevahiret e shtrenjta të vendosura gjithandej. Në atë përballje ndjeu një lotim sysh si në pragverbim të përjetshëm dhe shmangu kokën pak anash. I rihapi sytë duke iu trembur një riverbimi që nuk ndodhi. Ndoshta ishte një lloj mirëseardhjeje ai verbim paverbues.
Pas një çasti orientimi, ajo pa qetësisht mbi gjithçka. Megjithëse të çmueshme nga pamja, nuk ia mbushën syrin. Pastaj e hodhi shikimin nga kthina e fundit e dyqanit dhe ngeli e mrekulluar. Aty kishte gjithfarësoj kukullash dhe midis tyre ajo dalloi njërën të veshur nuse. I ngjau sikur ai dyqan ishte një mrekulli përrallore. Banorët e saj ishin ato kukulla që atë ditë kishin dasmën e kukullës më të bukur.
Vajza shikonte e mrekulluar dhe e magjepsur duke kënaqur veten. Në shpirtin e saj filluan të krijoheshin lloj – lloj kompleksesh nga më ekstremet. Duke mos i duruar dot, brenda sekondës mendoi: “Ja më në fund një dhuratë që ia vlen” – dhe në të njëjtën kohë i foli shitësit (një djalosh me shikim fin).
- Ma jepni atë kukullën, ju lutem, - dhe e tregoi me gisht kukullën nuse. Ai ia dha dhe filloi ta kundronte të vetmen blerëse të atij çasti. I kishte bërë përshtypje ajo vajzë që kur hyri. Kishte një pamje të veçantë dhe sytë e mëdhenj sikur trembeshin prej diçkaje. Ndoshta prej “asgjësë” që mund të gjente aty brenda.
Vajza e mori kukullën në dorë me atë entuziazmin që e kishte parë dhe në çast duart iu drodhën, hovi i ra dhe e lëshoi kukullën pa kujdes mbi xhamin e vitrinës. Prej saj u dëgjua një zhurmë si e qarë.
- Oh, e vrava, - tha vajza me zë.
- Ç’patët, mos nuk jeni mirë? – e pyeti djaloshi kur pa ndryshimin e menjëhershëm të saj. Iu afrua. Duke i ngritur flokët e verdhë që i kishin rënë mbi fytyrë, i dalloi më mirë sytë e bukur të mbushur me një dritë të pashpjegueshme që herë sikur shkëlqente dhe herë sikur venitej brenda një çasti të vetëm. Menjëherë i shkoi në mendje se ajo kukull i kujtonte vajzës ndonjë ngjarje të dhimbshme.
- Ç’keni, mos nuk jeni mirë? – e ripyeti djaloshi me shikim të vëmendshëm.
Ajo nuk i ktheu përgjigje, por filloi bisedën e saj me veten: “Vajzat kur vdesin pa martuar, i veshin nuse dhe ashtu nuse i çojnë në varr. Unë nuk e çoj në varr. Unë nuk e çoj në varr këtë vajzë. – Pastaj heshti. Pastaj prapë vazhdoi, - Ah, po kjo nuk është vajzë, është kukull. Megjithatë, edhe kukullat, vajzat i çojnë të veshura nuse vetëm tek shtëpia e dhëndrit ditën e dasmës së tyre. Ai që dua t’ia dhuroj unë, nuk është dhëndër. Dhe kam frikë se ai nuk do të bëhet ndonjëherë dhëndër në të njëjtën ditë me mua nuse”.
I fliste vetes me një siguri absolute. E ndiente dashurinë për atë njeri si universe të pazhbëshme. Jetonte çdo sekondë. Ndiente prekjen e çdo poreje të trupit të tij. Lëvizshmërinë e çdo fijeje floku. Drithërimën e çdo fijëze shpirti.
E ngriti kukullën nuse me kujdes dhe ia ktheu djaloshit që vazhdonte ta shikonte i habitur. Vajza u hodhi një sy kukullave të tjera që kishin ngelë. Zgjodhi njërën duke e treguar me sy.
- Merr këtë! – sugjeroi djaloshi për një kukull më të bukur.
- Jo, jo, - ia ktheu vajza. - Më jep atë balerinën me flokët e verdhë që të tregova. Kukulla që më thoni ju, s’është balerinë dhe nuk është bionde, - diçka ndryshoi për mirë tek vajza. Ajo kukull balerinë ishte krijuar si prej Zotit enkas për të. Po për kënaqësinë e saj, truri filloi të jepte një film me xhiro të përshpejtuara . . .
. . . Ndiente se gjendej brenda pështjellimit të muzikës, që ishte e vetmja gjë e bukur në gjithë atë mjedis mbytës. Në zhgunin e guackës së saj, ndjeu të trokitura. Përtueshëm ngriti sytë dhe pa atë të mrekullueshmin, mashkullin e ëndërruar për shumë femra. Duke e parë vajzën në një pozicion si një kamariere në pritje të marrjes së porosisë, ai me një ironi të lehtë e pyeti:
- Kërceni, apo jeni vetëm kamariere?
Ajo ia ktheu ironinë me një shikim indiferent – vrastar për tjetrin përballë të mësuar me përqendrimin e gjithë vëmendjes së vajzave.
- Ah, lojë e vjetër. Kur njeriu e ndien veten inferior për diçka, në atë diçka kërkon të mposhtë tjetrin me çdo formë: me një hipnotizim apo presion të lehtë psikologjik, - tha ajo. – E vemë njëri – tjetrin në provë, - vazhdoi me një buzagaz të fluorshëm pa harruar kësaj here të shihte sytë e tij të mrekullueshëm, aq të përfolur në bisedat e vajzave. Ata sy të magjishëm që për një çast e tronditën dhe e hutuan.
- Në provë ë? – ia priti dhe djaloshi po duke buzëqeshur.
Vetëm kaq mjaftoi dhe ai e afroi prej vetes duke e kapur për beli. Truri i tyre i ngjashëm në marrëzi dhe në indiferencë ndaj gjithkujt që tregonte interes për ta, bëri që ata të ishin Princi dhe Princesha e asaj nate të mbushur me tinguj që si refren kishte thënien e djaloshit: “Je shumë e bukur. O Zot, je shumë e bukur...”. Pasioni flakëriti pa pritur ende të ndizej eshka. Ishte nga ato takimet e paracaktuara nga fati që ndodhin një në njëmijë vjet. Ku vullneti ishte hyjnor për të bërë diçka me afsh. Të dy po vetbraktiseshin duke e lënë njëri - tjetrin në krahët e njëri - tjetrit. Akrepat e të dyve shënonin të njëjtën orë në të njëjtën kohë. Kërcyen deri në agim. Një shall i zi endej në ajër nën ritmin e muzikës.
- Më jepni balerinën me flokët e verdhë, - u përmend vajza.
- Atëherë, urdhëroni. Ju ngjan shumë. I paskeni sytë dhe flokët njëlloj, - tha djaloshi.
- Edhe shpirtrat, shpirtra artistesh, - shtoi vajza me ngazëllim.
- Do bëheni një çift i mrekullueshëm flokëverdhash, por kujdes! - ai pa me nënkuptim. Edhe vajza vuri buzën në gaz duke e ndier edhe vet që kishte ndryshuar prej çastit të parë dhe ia ktheu:
- S’e dua për vete kukullën, por për ta bërë dhuratë.
- Ndoshta një njeriu që e doni sa vetja? – e pyeti si nën zë djaloshi. Vajza e humbi përsëri buzëqeshjen dhe duke e parë ngulmueshëm mos zbulonte ndonjë gjë në fytyrën e tij, i tha:
- Po ju ku e dini?
Sikur tjetri përballë ta kishte gati përgjigjen, ia ktheu:
- Vetëm një njeriu që e doni sa veten, mund të përpiqesh t’i falësh veten apo diçka të ngjashme me të, sepse vetëm atij mund t’ia besosh ruajtjen e saj.
Tjetri kishte një aftësi të jashtëzakonshme intuitive dhe ia kishte zbuluar gjithçka që ajo kishte në tru, sikur t’i kishte të shkruara në ballë.
Ata e ndienin domosdoshmërinë e njëri - tjetrit në çdo çast. Kushedi sa herë brenda ditës ndërtonin të njëjtën fjali deri në detaj.
Mendonin të njëjtën gjë, edhe pse mund të ishin qindra kilometra larg. Rrinin gjithmonë duke bërë dashuri, pa bërë dashuri. Qëndronin bashkë me orë, me ditë, me muaj pa përcaktuar se kur mbaronte dita e kur fillonte nata.
E nisnin vallzimin një ditë dhe e vazhdonin ditën tjetër, pa ia gjetur fundin. Në çastet e dremitjes e gjenin njëri-tjetrin zgjuar, pa lënë t’u ikte edhe një sekondë jete e tjetrit. Heshtonin të rrahurat e zemrës së vetes që të dëgjonin të rrahurat e zemrës së tjetrit. Kjo ishte dashuria e tyre.
Nuk foli më. Pagoi lekët e kukullës dhe kur po bëhej gati të ikte, ai ia lidhi pakon me një fjongo të verdhë.
- Pse të verdhë? – pyeti ajo instiktivisht, por tjetri s’iu përgjigj.
Doli nga dyqani duke e përshëndetur djaloshin dhe frymën e mbajti në dhomë. Ideja për të shkruar diçka në fustanin e kuq të kukullës balerinë, iu duk fantastike. Dora, Truri dhe Zemra, apo Zemra, Truri dhe Dora, ishin lidhur ngushtësisht atë çast dhe fustani po zbukurohej me fjalët:
“Tungjatjeta Dashuri. Për një përvjetor Dashurie, duhej diçka që të mbante brenda gjithë Shpirtin e Dashurisë. Unë zgjodha këtë kukull balerinë (emrin vendosja vetë). Kjo kukull nuk vdes si njerëzit. Jo pse është e vdekur që në fillim, por ngaqë është e gjallëruar e përjetshme. Brenda saj gjendet diçka prej meje që kur zemra ime të vdesë nga unë, apo unë të vdes nga një zemër, të jetë ajo që të kujtojë diçka prej meje. Ose, të mundohet të krijojë diçka më tepër, për t’i ngjarë të gjithës së dikurshme. Apo ashtu si është, e gjallëruar, të bëjë që të harrojë të padëshiruarën. Do më pëlqente që kjo kukull, ditëlindje të kishte ditën e njohjes sonë. E, megjithëse ne të dy s’e dinim se kjo ekzistonte më shpejt sesa tani që e pamë, prapë do të më pëlqente që kjo kukull të ishte njëvjeçare sivjet. Dhe në çdo vit (për aq kohë sa të mos kemi vdekur për njëri – tjetrin), ne të festojmë ditëlindjet e saj, ditëvdekjen time dhe rruga vetëm të jetë e mirë dhe e bukur. Uroj që ditëlindjet të jenë shumë, ditëvdekja jo afër dhe rruga në vetmi e shkurtër”.
Iu duk paksa i çuditshëm ai mesazh. Ishte nënndërgjegjia e saj që e formuloi. Kur e pa se nuk mund të shkruante më, e vendosi kukullën balerinë gati për premierën e saj. Dhurata ishte gati. Në skajin më të fundit të shpirtit, ndiente frikë. Një frikë të pashpjegueshme. Thonë se dashuritë e mëdha vdesin shpejt. Ndërsa ajo donte ta largonte atë ankth. Kishte nevojë të shpresonte që mund të realizohej një ëndërr.

. . . . . . . . . . . .
...të gjitha këto, vajza flokëverdhë i kujtoi gjatë rrugës që po bënte për të shkuar te dyqani i kukullave, fiks pas një viti. Kaq kishte që s’kishte shkelur aty. Hyri brenda dhe ndryshe nga një vit më parë, drita e akullt e asaj paraditeje të mesmajit që po përthyhej prej pasqyrave, kristaleve të gotave dhe xhevahireve të shtrenjta, nuk e verboi. I dukej sikur asgjë nuk kishte ndryshuar aty. (Edhe djaloshin me shikim fin – si e pagëzoi para një viti shitësin, e gjeti po tek ai vend). Sytë i hodhi tek këndi i kukullave.
- Doni kukull? – e pyeti djaloshi që çuditërisht nuk e kishte harruar, megjithëse kishte kaluar një vit.
- Po, dua kukull.
- Përsëri balerinë flokëverdhë?
- Jo. Flokëverdhë të çfarëdoshme, por të çmendur. - Ai i hodhi sytë tek flokët e verdhë të vajzës që ishin zgjatur dhe shprishur. Zgjodhi kukullën që i ngjante më shumë vajzës dhe ia dha.
- Ju gjendet një krehër ? – e pyeti ajo.
Ai i zgjati një krehër të artë që e mori nga vitrina dhe vajza filloi të shprishte flokët e verdhë të kukullës.
- Kur e dërguan Ezopin të blinte gjellën më të mirë, më të shijshme në treg, ai bleu gjuhë, - filloi të fliste vajza duke shprishur njëkohësisht flokët e kukullzës. – Kur e dërguan Ezopin për gjellën më të keqe, ai bleu përsëri gjuhë, – vazhdoi vajza. – E pra, kështu po bëj edhe unë me kukullat.
- Përsëri po ia fal veten një njeriu që e do sa vetja? – e pyeti si një vit më parë djaloshi.
- Po një njeriu që e dua sa veten, që më deshi më shumë sa vetja. Fatkeqësia jonë ishte që kishim gjënë më të shtrenjtë në botë dhe nuk mundëm ta zotëronim dot kurrë.
Djaloshi ia mori nga duart kukullën që vajza po mundohej ta çmendte duke i çmendur flokët. Iu duk sikur mbante mes pëllëmbëve vajzën bionde që qëndronte para tij. Donte të bënte diçka që ta nxirrte nga ajo gjendje çmendurie, por nuk dinte.
- Përse? – guxoi ai të fliste pas fjalëve të vajzës.
- Ne u dogjëm në zjarrin e emocioneve tona. Jetuam në gëzimin e përjetimit të të ndjerit të dashuruar. Në dhimbjen e fatkeqësinë e së parathënës se dashuritë e mëdha vdesin shpejt duke ngelë të përjetshme brenda nesh. – Vajza mori kukullën dhe e futi brenda kutisë së saj. E lidhi me një fjongo të verdhë që e kishte marrë me vete. Doli nga dyqani pa përshëndetur djaloshin. Ecte ngadalë si të donte ta zgjaste sa më shumë rrugën . . .

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen