Dienstag, 30. Juli 2013

Intervistë me veteranin e arsimit dhe poetin Nehat Jahiu


Bisedës i priu Haxhi Muhaxheri

Të ruajmë vlerat kulturore dhe historike

  • Punëtorët e arsimit i kanë sjellur, i sjellin dhe do ti sjellin vetëm të mira kombit.
  • Puna e mësimdhënësit nuk vlersohet sa duhet nga institucionet.
  • Fatkeqësisht, sot shumë më teper respektohet një rrugaç apo një hajn se sa një arsimtar.
  • Të edukosh gjeneratat e reja është një krenari dhe përgjegjësi e madhe.
  • Edhe sikur te kishim mundesi ta kthenim kohën prapa, përseri do ta zgjidhja profesionin e mësimdhënësit.
  • Gezimi për botimin e librit të parë mund të krahasohet me ardhjën në jetë të fëmiut të parë apo edhe me dashurine e parë.
  • Tek nxënësit gjithnjë e kam gjetur gurrën e pashterrrshme të frymëzimit.
  • Dikur kriteret e botimit ishin krejtësisht ndryshe. Sot botohen libra pa kurrfarë kritreresh. Lekët në xhep dhe drejt e tek shtëpia botuese.
  • Duhet ruajtur vlerat tona kulturore dhe historike, sepse janë krijuar me djersë e me gjak nga bijat dhe bijtë më të dashur të këtij popolli.
  • Revistës së re elektronike “ AlbPlanet” i dëshiroj sukses dhe jetëgjatësi!

Revista „AlbPlanet“: Cili do të ishte prezantimi i pergjithshem i biografise suaj.

Nehat Jahiu: Jam i lindur më 10 tetor të vitit 1951 në fshatin Orizare të komunës së Likovës, rrethina e Kumanovës të Maqedonisë. Shkollën fillore tetëvjeçare e kam mbaruar në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme e kam kryer në Preshevë. Studimet kam mbaruar në Shkollën e Lart Pedagogjike “ Bajram Curri” në Gjakovë në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Menjëherës pas përfundimit të studimeve u punësova si arsimtar i gjuhës dhe letërsisë në shkollën fillore tetëvjeçare “ Jeta e re” të fshatit Sllupçan sot shkolla fillore nëntvjeçare “ Faik Konica”. Pra, që nga dita e parë e punësimit dhe deri më sot kam punuar dhe jam duke punua mu në këtë shkollë ku dikur isha edhe nxenës i kësaj shkolle që nga klasa e parë e deri në përfundim të tetëvjeçares. Pos punës sime profesionale të mësuesisë gjer më tani jam marrë me shumë aktivitete, por mbi të gjitha më mbeten të paharruara dhe shpirtërisht jam i lidhur me aktivitet kulturore e sidomos me krijimtarinë letrare. Krijimtarinë letrare e kam dashur që nga bangat e shkollës fillore dhe prej saj nuk jam shkëputur asnjëherë dhe besoj se deri sa të jem gjallë do të jem me te, sepse prej saj nuk mundem të shkëputem. Krijimet e mia i kam publikuar që herët nëpër revista e gazeta që herët dhe edhe sot e kësaj dite me krijimet e mia jam prezent nëpër shumë mediume si në trojet tona dhe në diasporën shqiptare. Të gjitha këto krijime që i kisha krijuar qofshin të publikuara apo të papublikuara nëpër revista më vitin 1982 i publikova në librin tim të parë me titull “ Në sytë e tu “ për të vazhduar gjer më sot për të botuar gjithësejt 21 tituj librash dhe ate në poezi, prozë, publicistikë etj. Sa i përket veprimtarisë sime si në profesionin tim dhe në ate letrar nuk do të them asnjë fjalë se sa kam qenë dhe jam produktiv dhe i suksesshëm këtë gjithnjë si gojarisht dhe nëpër intervista e kam potencuar se ia lë të vlerësojnë nxënësit, kolegët e mi të punës, prindrit e nxënësve dhe rrethi ku jetoj dhe punoj, ndërsa poashtu edhe në sferën e krijimtarisë letrar edhe këtu gjithnjë ia kam lënë fjalën mbi të gkitha ta thonë lexuesit , krijuesit e letrave dhe kritika letrare. Deri më tani jam i prezentuar në shumë antologji, leksikone etj, si në trojet tona të banuara me shqiptarë njashtu edhe në diasporë. Jetoj dhe punoj në vendlindjen time të dashur Orizare që nga lindja e gjer më sot.

Revista „AlbPlanet“: Fillet e punës suaj në arsim. Cilat janë kujtimet tuaja mbi përjetimin e ditës së parë të punës me nxënës?

 Nehat Jahiu: Të ju them të drejtën edhe pse e kisha zgjedhur me dëshirë këtë profesion pa asnjë imponim, por kurr nuk e kisha menduar se aq shumë do ta doja dhe aq shumë do të mishërohesha me te, por ja që një gjë e till ndodhi që nga ditët e para kur mora ditarin në dorë dhe u futa në mësonjëtore në mesin e nxënësve, kështu që për të vazhduar edhe në ditët e sotme të karrierës sime të profesionit tim të mësuesisë. Ato kujtime të fillimit të punës në arsim me nxënës kurrën e kurrës deri sa të jem gjallë nuk mund ti harroj, sepse janë kujtime qe janë ngulitur thellë në shpirtin tim që asnjëherë nuk munden të harrohen derisa ta kem frymën e fundit të jetës sime.

Revista „AlbPlanet“:  A është vështirë të jesh mësues dhe pedagog i mirë?

Nehat Jahiu: Të jesh një mësues ose një pedagog i mire nuk është fare vështirë, sepse të fusin të bëhesh i mire nxënësit. Ata janë që të obligojnë që ti të jesh edhe mësues edhe pedagog i mire, por kuptohet nëse mësuesi dhe pedagogu profesionin e tyre e kanë zgjedhur me dëshirë, pa imponime. Njëherit ky profesion nuk don rastësi për ta zgjedhur sa për ta provuar, sepse këtu ke të bësh punë me krijesa të gjalla dhe mu në fillim të formësimit të njomësisë së fëmijës dhe formimin e personalitetit të tij që nga klasa e parë. Mu atëherë kur fillon gatimi i këtij personaliteti që do të marr rrugëtimin e tij deri sa te jetë gjallë, kështu që çdokush nuk mund të jetë mësues dhe pedagog nëse nuk e don me përkushtim këtë profesion dhe nese nuk e don me zell dhe nëse nuk i përkushtohet me tërë qenien e tij shpirtërore dhe fizike këtij profesioni. Ky është një profesion shumë i dashur dhe i shenjtë, por është edh shumë i vështirë dhe është njëri ndër profesionet më me përgjegjësi, sepse të mësosh dhe të edukosh gjeneratat e reja me vite të tëra është një krenari shumë e madh, por është edhe një përgjegjësi e madhe.

Revista „AlbPlanet“:  Sa gjenerata keni përcjellur, kush janë nxënësit tuaj sot(të arriturat e tyre)?

Nehat Jahiu: Deri më tani kam përcjellur shumë gjenarata, sepse tani më jam në përfundim të karrierës sime të këtij profesioni dhe kisha dashur që ta përfundoja ashtu siç ia kam filluar që në ditët e parë ashtu edhe ta përfundoja. Nxënësit e mi sot janë gjithkund në vendlindje dhe në diasporë. Janë me profesione të ndryshme që nga bujku, zejtari,afaristi, politikani, mësuesi, inxinieri, mjeku, mgjistri  e doktor shkencës edhe ate të të dy gjinive e shumë e shumë profesione të ndryshme që nuk do mundja ti numëroja të gjitha që kjo për mua sot kur i shiqoj dhe kurr dëgjoj për suksest e tyre zemra më bëhet mal nga gëzimi.

Revista „AlbPlanet“:  Cilat janë kujtimet tuaja nga puna në arsim që nuk mund të harrohen?

Nehat Jahiu:  Shumë është vështirë të përgjigjem në këtë pyetje, sepse të punosh kaq vite në arsim me të vërtetë është koxha vështirë të veçosh ndonjë kujtim që të mbetet i paharruar, sepse të punosh në këtë profesion një kohë kaq të gjatë ka shumë kujtime që nuk mund të harrohen asnjëherë. Me të vërtë është shumë vështirë të veçosh, sepse tek ne shqiptarët arsimi gjithnjë nga pushtetet përjetoi shumë peripeci dhe sakrifica që disa tek arsimtarët nuk do të harrohen derisa të jenë gjallë. Ka shumë ngjarje dhe kujtime të mira që gjithnjë do më kthejnë në kohën kur kanë ndodhur për ti kujtuar dhe për ti mos harruar asnjëherë dhe për ti marrë me vete edhe pas vdekjes sime tek i imi varr, por ama ka edhe ngjarje dhe kujtime që kurrën e kurrës nuk dua të rikthehem për ti kujtur edhe pse nuk dua edhe ti harroj asnjëherë edhe pse ishin shumë të hidhura për mua dhe për të gjthë mësuesit shqiptarë varësisht nga koha e tyre kur punuan në arsim.

Revista „AlbPlanet“:  A ndihmon puna me nxënësit në kapjen dhe pasurimin e frymëzimeve?

Nehat Jahiu: Unë do të flas në këtë rast për vetveten dhe jo për të tjerët se mua puna me nxënësit jo vetëm që më ka ndihmuar, por më ka nxitur dhe më ka stimuluar gjithnjë që ta kapi siç thuani ju pasurimin dhe frymëzimin mu këtu tek shpirti i nxënësve të mi. Këtu gjithnjë ka filluar inspirimi, frymëzmi dha këtu mu këtu ka përfunduar. Unë tek nxënësit gjithnjë e kam gjetur gurrën e pashterrrshme të frymëzimit tim, sepse këtu është ai kopshti dhe livadhi më i bukur mbushur me lulet më të mira dhe si mos ta gjesh atë frymëzm kur je në atë kopsht dhe livadh kaq të bukur të mbushur plot e për- plot me lule e unë si krijues mos ta thithi nektarin e këtyre luleve kaq të bukura që ta dhurojnë nga shpirti i tyre i njomë dhe çiltër si ujë kroi nxënësit.

Revista „AlbPlanet“:  Kam bindjen se punëtorët e përkushtuar të arsimit i sjellin të mira kombit dhe mund të quhen edhe heronj; cili është autoriteti i mësimdhënësit sot sipas jush, sa respektohet ai nga rrethi dhe shoqëria, sa vlerësohet puna e tij nga institucionet?

Nehat Jahiu:  Ndoshta nuk më përket mua ta them këtë që ju e keni thënë në këtë pyetje tuajën, sepse edhe unë i takoj këtij profesioni si një punëtor i arsimit, por duhet thënë gjithnjë të vërtetën pa marrë parasysh se në çfarë pozite je kur të bëhet një pyetje e till, sepse opinion kërkon përgjigje të saktë dhe unë jam i till që gjithnjë më pëlqeu apo dikujt tjetër përgjigjet e mia i jap ashtu siç duhet dhënë pa kurfarë hamendjeje. Është më se e vërtet ajo që e thuani edhe ju me bindjen tuaj se punëtorët e arsimit kanë qenë janë dhe do të jenë ata të cilët i kanë sjellur, i sjellin dhe do ti sjellin të mirat kombit të tyre dhe lirisht siç potenconi edhe ju se mund të jenë heronj, por këtu unë do të kisha shtuar se kjo nuk vlenë për të gjithë punëtorët e arsimit në përgjithësi. Kjo vlenë vetëm për ata që janë të lidhur ngushtë shpirtrisht dhe fizkisht me tërë qnien e tyre me profesionin e arsimit që kanë zgjedhur që nga fillimi i karrierës së tyre e deri në përfundim të karrierës duke e kryer këtë mission të shenjtë me nder dhe respekt. Pa u sakrifikuar në këtë profesion nuk mund të jesh hero. Unë lirisht do e them edhe këtë për fat të keq me një keqëardhje se disa në kohëra të ndryshme , por edhe sot janë rastësisht në këtë profesion,rastësisht e bartin emrin punëtor i arsimit dhe këta individ që nuk janë të paktë duhet sa më shpejtë të largohen nga ky profesion, sepse nuk e kanë vendin aty. Këtë e them me plot vetëdije dhe përgjegjësi se duhet sa më shpejtë të ikin nga ky prefesion se rastësish janë në këtë instucion arsimor që nuk duhet të jenë. Sa i përket edhe pyetjes se cili është autoriteti i mësimdhënësit sot nga rrethi apo shoqëria edhe ketë përgjigje do e them troç e shqip. Autoriteti i mësimdhënësve nga rrethi jo në përgjithësi, por jo edhe pak është mjerim. Sot shumë pak për të mos thënë aspak, sepse duhet bërë përjashtime mësuesi nuk ka fare respekt nga rrethi ku ai jeton dhe vepron. Shumë më teper respektohet një rrugaç, një hajn dhe..., një… se sa një arsimtar i mirëfilltë i cili tërësisht ia ka përkushtuar jetën e tij arsimimit dhe edukimit të gjeneratave, ardhmërisë së poppullit të tij. Dua ta plotësoj përgjijen e pyetjes në tërësi duke mos lënë anësh se edhe nga ana e shoqërisë autoriteti i mësidhënësit në këto vitet e fundit është mbivlerësuar dhe është nënçmuar dhe mbivlerësuar dhe nuk i është dhënë vendi të cilin ata e meritojnë. Nga institucionet puna e mësimdhënësit, gjithnjë flas për mësimdhënësin e mirëfilltë është shumë përbuzëse në çdo aspekt. Është për keqardhje për mësimdhënësit se në çfarë niveli të jetesës së tyre kanë mbetur në këtë kohë të pa kohë siç e quaj unë në të shumtën e rasteve. Mjerim… Është absurd mbi absurdin!... Është turp!... Atëherë çfarë respekti kërkojmë të ketë mësimëdhënësi. Unë besoj se këtu nuk duhet koment…

Revista „AlbPlanet“:  Në qoftë se mund ta kthenim kohën prapa, a do ta zhgjidhnit përsëri profesionin e mësimdhënësit apo do i përkushtoheshit ndonjë profesioni tjetër, a kishit për të ua preferuar këtë profesion gjeneratave të reja?

Nehat Jahiu:  Sa here që do të ishte kthyer koha prapa për mua unë gjithnjë do ta kisha zgjedhur me shumë dëshirë këtë profesion, por gjithnjë duke apeluar që shoqëria të ia jap hakun këtij profesioni dh ta vë në vend të parë, sepse këtë e meriton në çdo aspekt, sepse vetëm stimulimi i mësimëdhënësit dhe autoriteti do e nxisë mësimdhënësin që gjithnjë ta don profesionin e tij dhe kur me te të mos zhgënjehet, kështuqë edhe pas vdekjes, po nëse do i kërkonin të ndryshoj profesionin e tij ai nuk do e ndrroj. Edhe unë do të mbetem i tillë në çdo kohë aty ku e kam vendin mu në profesionin tim të dashur të arsimit, sepse kurr nuk nuk kam qenë i rastit në këtë profesion dhe në çdo kohë do e zgjidhja të jem në këtë profesion të shenjtë të mësimdhënësit pa asnjë dyshym dhe nuk do zgjedhja kurr profesion tjetër që nuk e kam në shpirt. Po ua kam preferuar gjithnjë nxënësve të mi, gjegjësisht gjeneratave të reja këtë profesion dhe një numër prej tyre sot e kryejnë me shumë sukses detyrën e mësimdhënësve që nga arsimi fillore, i mesëm dhe deri tek ai univerzitar.

Revista „AlbPlanet“:  Ka shumë barcoleta për raportet mësimdhënës-nxënës dhe anasjelltas. Do të ishte interesante që për lexuesit të na tregonit ndonjë barcoletë të kësaj natyre që ju ka mbetur në kujtesë apo që mund ta keni shënuar…

Nehat Jahiu:  Po është e vërtetë që ka shumë barcoleta të tilla. Një numër prej tyre nuk më kujtohen, sepse ju them të vërtetën gjërat që nuk shënohen edhe harrohen dhe më vjen shumë keq dhe tani po e shoh se jam penduar shumë që nuk i kam shënuar që nga e tërë kjo karrierë e imja që kam punuar me nxënësit dhe kemi pasur shumë barcoleta për raportet e mia mësimdhënës- nxënës dhe anasjelltas dhe jam i bindur se po ti kisha shkruar sot do të dilte një libër shumë i bukur dhe i kapshëm për lexuesit. Çdo të hëne sipas orarit mësimor orën e parë kishim orë kujdestarie ku gjatë asaj ore bisedonim për vijimin, disiplinën, pastërtinë, sjelljen etj. Gjithnjë ju thoja nxënësve që në mëngjes të zgjohen më herët dhe të përgatiten për në shkollë dhe 15 minuta para se të bie zilja të jenë në oborrin e shkolës dhe asnjëherë mos të vonohen që të vijnë në orën mësimore pasi të futej arsimtari në mësonjëtore. Nganjëherë për ti frikësuar që të vijnë në kohë të duhur ju thoja se kush vonohet do ia jap në duar katër mëshuarje me thupër, kështuqë edhe nxënësit e klasës ishin pajtuar me ketë propzim. Por, ja që një ditë të hënë edhe unë isha vonuar në orën e pare të kujdestarisë. Kur hyre në klasë me shpejtësi fillova ta regjistroja njësinë mësimore në ditarin klasor. Nxënësit pëshpërisnin mes vete dhe nuk e dija se çfarë kanë. U ngrita në këmbë i pyetja se çfarë ka ndodhur ata qeshnin ,por nuk tregonin dhe dikur insistova me të madhe të më tregonin. Atëherë kryetari i klasës tha z. arsimtar sot ti je vonuar dhe nxënësit thonë se mësuesin tani duhet ta rrahim me katër shtaga në shuplakë të dorës. Të gjithë qeshën, qesha dhe unë dhe ua zgjata dorën që të dal njëri nga nxënësit të më mëshoj me shtagë, sepse e meritoj se isha vonuar, por asnjëri nga nxënësit nuk doli të më ndëshkoj për gabimn që kisha bërë gjatë asaj dite.

Njëherë pash një nxënës që gojën nuk e kishte pastruar mire që nga darka kur kishte ngrënë. E qortove që herave tjera mos të vi pa i pastruar duart, sytë, veshët, fytyrën e gojën. E pyeta se çfarë kishin ngrënë për darkë. Ai mu përgjigj se kishin pasur lakër me mish të thatë ( pastërmë) të gulakut që e kishin prerë për dimër në familjen e tij. Pas më tregoi i thash ulu dhe të pastë bë mire, por ama e kisha merak shumë lakrën me mish të thatë ( pastërmë). U mata disa here ti them atij nxënësit që ti thotë prindrit të tij që të më mbështjellë nja dy rrypa në një letër dhe të mi sjellë që edhe unë ta porositja të nesërmën bashkëshortën ta vë një mish e bathë apo mish e lakër me atë mishin e terur të gulakut, por nuk guxova, sepse ishim të rregull që arsimtari nuk guxon asgjë të marr nga nxënësit ose familjet e tyre. E sot për besë disa arsimtarë, profesora që nga shkolla fillore e sidomos disa të shkollave të mesme dhe të fakultetve u kënaqën duke ngrënë e pi rë nga nxënësit dhe studentët nëpër restorane, sepse nxënësit u paguajnë për të marrë notën më të madhe nga këta profesorë. Këtyre nuk ju hahet lakra ose batha me pak mish të thatë si mua dikur, sepse tani ka specialitete të llojllojshme. Ka… Ka edhe lekë për ti mbushur xhepat duke ua futur notën sa duan nxënësit që nuk e dijnë as mësonjëtoren dhe shkollën ku e kanë dhe fare nuk merren në përgjegjësi nga askush, sepse sot është sallamadi edhe pelat qorra mund ta kullosin livadhin…

Revista „AlbPlanet“:  Fillet e krijimtarisë letrare. Si u frymëzuat dhe si lindën vargjet tuaja të para? Cili ishte përjetimi juaj? Si u prit publikimi i vjershës së parë? A gjetët perkrahjen e krijuesve më të moshuar?

Nehat Jahiu: Që të jem i sinqertë siç kam thënë edhe në intervistat e mëhershme se fillet e krijimtarisë sime letrare ishin që nga bangat e shkollës fillore duke marrë pjesë në kuadër të grupit letrar që funksiononte në shkollë dhe udhëhiqej nga arsimtarët e mi dhe që kanë merita shumë të mëdha për fillet e krijimtarisë sime. Shkruanim vjersha ,i lexonim para tyre, pastaj ata na bënin redaktimin e tyre, i bublikonim në gazetën e murit dhe në fletushkën e shkollës, shkonim si grup të udhëhequr nga arsimtarët tanë nëpër shkolla tjera ku prezentoheshim me krijimtarinë tone, kështu që më vonë arsimtarët bënin një përzgjedhje të krijimeve tona dhe na i dërgonin në revistat për fëmijë të kohës siç ishin “ Fatosi” dhe “ Gëzimi”që botoheshin në Shkup. Frymëzimin e kam gjetur gjithnjë në fshat dhe në shkollë. Vargjet e parë kanë lindur për fshatin, bujkun, bariun, dallëndyshet etj, ndërsa ata që më preukuponin në shkollë dhe që i derdhja në vargje ishin poezitë për shkollën, librin, lapsin, mësuesen etj. Përjetimi im ishte i papërshkruar. Publikimi i vjershës së pare u prit jashtzakonisht mire nga shoqet dhe shokët e klasës, ndërsa unë veç sa nuk fluturoja nga gëzimi… Sa i përket përkrahjes nga krijuesit më të moshuar lirisht do të them se nga disa prej tyre kisha një mbështetje të jashtzakonshme dhe nga kjo merrja kurajo dhe stimulim për të vazhduar së shkruari, ndërsa kishte edhe të tillë që nuk të mbështesnin dhe nuk të jepnin përkrahje. Këtë nuk e di pse e bënin.

Revista „AlbPlanet“:  Thonë se gëzimi për librin e parë është i njejtë me gëzimin që përjeton njeriu kur sjell në jetë femijën e parë. A është e vertete kjo?

Nehat Jahiu:  Kjo që thuani edhe ju është më se e vërtet dhe mund të bëhet lirisht një krahasim i tillë. Me të vërtetë krijuesi me botimin e librit të parë ndjen në shpirt një gëzim shumë të madh. Këtë gëzim edhe unë e kam përjetuar me botimin e librit të pare, por unë do të shtoja edhe diçka më tepër se kjo. Edhe botimet e librave tjerë që vijojnë pas botimit të librit të parë priten me shumë gëzim, njashtu siç pritet edhe lindja e fëmiut të pare, të dytë, të tret dhe… Pra, çdo botim libri për autorin është një gëzim i madh dhe çdoherë pasi ta bëjë gati për botim mezi prêt që sa më shpejt ti dal nga shtypi, kështu që çdo botimi libri krijuesi i gëzohet, por kuptohet gëzimi i botimit të librit të pare dhe lindja e fëmiut të pare kanë një gëzim të vaçantë ashtu siç është edhe dashuria e parë e cila mbetet në shpirt deri në vdekje e paharruar për të dashuruarit… Hahahaha!

Revista „AlbPlanet“:  Cili ishte rrugtimi juaj drejt formimit të personalitetit krijus?

Nehat Jahiu: Rrugëtimi drejt formimit të personalitetit krijues besoj se jo vetëm për mua, por edhe për të tjerët nuk ka qenë i lehtë. Unë konkretisht do e them për veten time pasi që mua më parashtrohet pyetja, do të thoja se nuk ka qenë i lehtë për mua ky rrugëtim për të arritur aty ku gjendem sot. Është një rrugëtim i gjatë dhe me shumë mund. Dikush ndoshta ka mund të gjej ndonjë rrugëtim të lehtë, por unë asnjëherë nuk munda ta gjej sot e kësaj dite këtë rrugëtim të lehtë për formimin tim të personaliteti si krijues.

Revista „AlbPlanet“:  Cilat janë motivet që keni trajtuar më shumë në krijimtarinë tuaj?

Nehat Jahiu: Motivet të cilët i kam trajtuar dje dhe sot në krijimtarinë time gjithnjë kanë qenë të nduarnduarta. Janë ato me motive të atdhedashurisë, sociale, gurbetit, dëshmorëve, heonjve, lirisë, lirikës pa e lënë anësh asnjëherë satirën dhe humorin që i kam shumë për qejfi edhe pse sidomos satira me nxjerrë shumë telashe, por ja që unë nuk i largohem fare duke e shprehur nëpërmjet vargjeve të poezive të mia. Këto kanë qenë dhe janë motivet e mia që i kam trejtuar nëpërmjet vargut, ndërsa në publicistikë më së shumti ka dominuar vendlindja, historiku i saj dhe shumëçka që nga lashtësia e gjer më sot dhe nuk i kam lënë kurr anash temat e arsimit dhe historikut të tij aty ku punoj e më gjërë. Pra dua të them se gati të gjitha temat i preki gjatë krijimtarisë sime.

Revista „AlbPlanet“:  Cili është mendimi i kritikës për krijimtarinë tuaj?

Nehat Jahiu:  Mendimi i kritikës për krijimtarinë time ka qenë gjithnjë i mire. Sa ka qenë i realt ky mendim që kanë dhënë ata për krijimtarinë time unë nuk mund të them asgjë, sepse ky është mendimi i tyre, por unë si çdoherë edhe në këtë rast do e them se gjithnjë e kam vlerësuar dhe e vleësoj mendimin e kritikës letrare, por për mua kritik më i sinqertë dhe më i realtë ishte dhe mbetet lexuesi.

Revista „AlbPlanet“:  Cili është mendimi juaj mbi rrjedhat e sotme të krijimtarise letrare?

Nehat Jahiu:  Unë nuk mund të jap një mendim rreth rrjedhave të sotme të krijimtarisë letrare, sepse nuk jam një person i cili jam i thirrur ose i përcaktuar për ta dhenë ketë vlerësim, por sido që të jetë unë si një lexues dhe si një krijues do të thoja se e tërë krijimtaria letrare sot nuk rrjedh në shtratin e duhur, kështuqë ka shumë raste që del nga shtrati dhe atëherë kur dilet nga shtrati dihet se çfarë krijimtarie letre kemi në ditët e sotme nga disa të ashtuquajtur krijues… Kuptohet gjithnjë këtë e them për indivit të caktuar të krijimtarisë letrare…

Revista „AlbPlanet“:  Cilat ishin kriteret e botimit dhe a ka kritere sot?

Nehat Jahiu:  Dikur kriteret e botimit ishin krejtësisht ndryshe. Ishin më të filtruara nëpërmjet institucioneve me njerëz që merreshin kryesisht me krijimtari letrare. Libri para se të botohej kalonte në lexim të mirefilltë të duarve të të merituarve për të ardhur deri te botimi i një libri, ndërsa sot është shumë lehtë të vihet deri te botimi i librit me kritere dhe pa kritere. Lekët në xhep drejt e tek shtëpia botuese ose tek shtypshkronja, por kjo nuk bëhet nga krijuesit e mirefilltë, por nga ata që dojnë vetëm të shohin emrin e tyre në ballinë të librit sëbashku me foton e tyre. Por, nuk mund të mos përmendi edhe diçka tjetër për kriteret e kohës së më të hershmës kur shumë vështirë e kishte nje krijues të botoj librin e ti edhe pse ate e meritonte. Ishte shumë vështirë të depërtosh deri tek ata dyer ku kishte aty nga njerëz që botonin nëpër shtëpi botuese shtetrore, sepse në ato kohëra ekzistonin vetëm shtëpitë botuese shtetrore që shumë vështërësi ishte për të kalua nga njerëzit e tillë që botonin unë ti e ti mua ose i përshtatshëm dhe i papërshtshëm, por edhe në këtë rast nuk e them për të gjithë , por për individ. Ky, pra është një dallim në mes të kritereve të dikurshme dhe të kësaj së sotmës që unë mendoj se kjo don një elaborim më të thuktë dhe më të gjërë.

Revista „AlbPlanet“:  Na fol pak për aktin e krijimit… Sa e respektojnë ate krijuesit e sotëm?

Nehat Jahiu:  Akti i krijimit nuk respektohet aq sa duhet të respektohet. Sa e respektojnë këtë krijuesit e sotëm do të kisha thënë se disa krijues fare nuk e respektojnë, ndërsa disa e respektojnë deri në maksimum. Pra, janë dy kategori krijuesish ata që respektojnë normat e krijimit dhe ata që nuk respektojnë asnjë normë të krijimit sot.

Revista „AlbPlanet“:  Cili do të ishte mesazhi juaj për krijuesit e rinj?

Nehat Jahiu:  Unë gjithnjë i kam respektuar të rejat dhe të rinjtë në çdo aspekt, kështu që edhe sot e kësaj dite shumë i respektoj, sepse pa rini nuk ka ardhmëri. Por ,mesazhi im gjithnjë ka qenë dhe do të jetë që krijueset e reja dhe krijuesit e rinj le të kultivojnë art të mërëfilltë. Krijimtaria e tyre le të ketë vlera dhe të jetë e përqafuar nga lexuesit dhe mos të nguten për të botuar libër pa vlera dhe mos të bien preh e profiterëve, sepse libri njëherë botohet…

Revista „AlbPlanet“:  Çka mund të presim nga krijuesi Nehat Jahiu? A keni ndonjë vepër te re në proçes botimi?

Nehat Jahiu:  Edhe në të ardhmen do të pritet përsëri diçka prej meje, por kjo si zakonisht le të mbetet si suprizë si çdoherë dhe le të ia lëmë kohës…Por, do të ua them se kam një dorëshkrim të një libri të bërë gati dhe i gatuar mirë e mirë edhe prej meje si autot edhe i redaktuar mire e më mire nga një redaktore krijuese e mirëfilltë e letrave shqipe dhe do të pres vetëm anën matriale për ta realizar këtë botim që veç është në finalizim në të gjitha aspektet siç thash edhe më lartë të redakturës, recensionit, lekturimit dhe kopertinës. Është future në filtra të duhur siç duhet të futet një libër për të ardhur deri në finale e botimit dhe besoj edhe nga vetvetja dhe nga redaktorja recensentja se do jetë një libër me pozi të bukura të llojeve të ndryshme të një niveli të lartë, por edhe për këtë do presim kohën kur të botohet dhe atëherë për vlerën e këtij libri le ta thotë përsiri fjalën kritika letrare dhe lexuesi.

Revista „AlbPlanet“:  Çka kishit për ti shtuar bisedës që bëm me ju për Revisten e re elektronike „AlbPlanet“?

Nehat Jahiu: Në këtë kohë pak sa të mbrapsht do të kisha pasur shumëçka për të shtuar, por në këtë rast nuk dua që të zgjerohem shumë. Apeloj tek shqiptarët kudo që janë sidomos tek institucionet përkatëse që të përkrahet vlera dhe jo antivlera në çdo aspekt, sepse dita ditës me disa individ në vend që të ecim para ne kthehemi mbrapa dhe shkatrrojmë vetveten si popull. Poashtu kisha për të thënë: Shqiptarë kudo që jeni në trojet tona dhe në diasporë kur të jetë për të mirën e popullit,kombit, vendlindjes, atdheut të bashkohemi të gjithë sëbashku, sepse kështu të ndarë e të përçarë vetëm dobësohemi dhe ujin e dergojmë në mulli të huaj. Njëherit poashtu kisha apeluar që krijimtarisë letrare, artit dhe kulturës sonë ti ndihmohet dhe njerëzit që ate e kultivojnë dhe e ruajnë të përkrahen, sepse një popull të gjallë historikisht e mban kultura dhe arti i tij në përgjithësi. Ti ruajmë vlerat tona kulturore dhe historike, sepse janë krijuar dhe ruajtuar me djersë e me gjak nga bijat dhe bijtë më të dashur të këtij popolli. Juve i nderuari dhe shumë respektuari z, Haxhi ju përgëzoj nga thellësia e shpirtit per gjithë këtë kontribut që po e jepni në shumë deminsione! Revistës së re elektronike “ AlbPlanet” i dëshiroj sukses dhe jetëgjatësi!

Revista „AlbPlanet“:  Këto ditë u botua edhe monografia e bërë pë ju nga Namik Selmani. Si u prit dhe sa jeni i kënaqur ju me punën e bërë autori i monografisë? Kjo është pyetja janë e fundit për këte intervistë.

Nehat Jahiu:  Në këtë pyetje dhe shumë më tepër besoj se një ditë kur të bëni një intervistë me të nderuarin dhe shumë të respektuarin autorin e monografisë “ Jetë mes zileve dhe shkronjave shqipe” ( Monografi për Nehat Jahiun) do ju flas z. Namik Selmani, por unë do të them në fjalë të shkurtra edhe pse kjo monografi që tani ka dalur nga shtypi dhe duhet pritur pak kohë për të dhënë mendimin tim se si është pritur, ndërsa unë jam i kënaqur me punën e z. Namik, sepse me të vërtet ka dhënë një kontribut shumë të madh për ta bërë një monografi të tillë, kështuqë unë e përgëzoj ngrohtësisht dhe e falëmnderoj përzemërsisht! Edhe njëherë po e përsëris se monografia e z. Namik ka një kohë të shkurtër që është botuar, por interesimi është i madh nga lexuesit që ta kenë në duartë e tyre këtë libër dhe besoj se do të jetë mirë i mirëpritur... Por, edhe një gjë do e them se çdo sugjerim që do të kenë lexuesit rreth kësaj monografie unë do e mirëpres me kënaqësi, sepse çdo gjë nuk mund të jetë e përkryer dhe çdo vërejtje do e pranoja me zemërgjërësi që në të ardhmën të gjitha ato mangësi do të eliminohen. Besoj se edhe autori i monografisë z. Namik Selmani do pajtohet me mendimin tim. Në fund edhe njëherë ju falëmnderohem që gjetët kohë dhe më bëtë një respekt që të ju jap një intervist juve për revistën tuaj elektronike “ AlbPlanet! Respekt!

30.07.2013

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen