Montag, 18. November 2013

Rrok Berisha - Shtatë poezi


PARA VARRIT TE KOMANDANTIT

Erdha t’i përkulëm gjakut të pafajësisë
Gjakut të fëmijëve e nenave
Të marr një shkendi
Dashurie për Shqipërinë natyrale
E frymë Lirie t’ etnisë.

Ti përkulëm,
Heroizmit e Kryeneçësisë,
Dhe zhgënjimit tënd,
Ndaj pabesisë,
Larot e gufave, qe te lan vetëm...!
Bacë...!

Bacë,
para varreve tuaj,
Mermer mbulua me lule t’ freskëta.
Erdha te të shpreh ngushëllim
Për shokët e turpin e tyre
Qe në kohë të vështirë,
thyen betimin
Te lanë vetëm...!?
E Ti, s’ u epe,
Nuk u dorëzove
Ballëë përballë me shkaun..
Në istikame,
Një familje, burra, gra, pleq et fëmijë
Të pa fajshëm...!
Ti bjeshkë qendrës...
Themel i shtetit,
i Lirisë.

Shqipfolës,
Laro, gjahtar postesh e medaljesh,
Profiter lufte e paqe
I pengoi Betimi,
Në Flamur,
Jetë e fat i lidhur,
me lirinë e atdheut.
Mbrojtja e pragut,
E Qëndresa e Kullës,
Besa e Madhe ...!

Larot, fshehur në gufat e shkurre
Inskenuan skenarë e plane,
Se ndezën as një pushkë,
Asnjë pushkallë,
N’ rrethimin t’ hekurt t’ Kullës Jasharajve
U bene spektatore...!

Qëndresë e flijimi madhështor,
Ne frëngji të Kullës,
Pa dallim, gjenerate a gjenie,
Babë e djalë, e vajze,
Gjyshe, re, Nënë
Një Familje një gjak bashkë,
Luftë për prag,
E tokën e Arbrit
Kundër makinerisë vrastare
e tradhtisë.
Heroizëm e flijim,
Legjendë...
Qëndresë e krenari Kombëtare.

Ata qe t’ tradhtuan,
Pas amshimit tënd
Shpallen vetën bashkëluftëtar...!
E filluan gjahun,
Pas uzurpimeve, plaçkitjeve, vrasjeve
Pas gradave e trofeve,
Në emër te Luftës e flijimit
Dhe Ty të rishpallen
Komandant Legjendarë,
Qe t’ përfitojnë,
nga Flijim e Heroizmi,
e sakrifica 54- jetëve, luleve...!

Jam këtu para varrezave tuja
Bacë...
T’i përkulëm sakrificës..flijimit
Fjalës e Besës,
Dashurisë e Trimërisë
Për atdhe...
Për Shqipni..
Pushkë për pushkë,
Plumb për plumb,
Top më gjoks
Dhemb për dhemb...
Me okupuesit vrastarë, armikun shekullor.
Mbrojte Pragun e nderin e shtëpisë
E Shqipnisë..!

Erdhe këtu, te të shprehu dhembje neverie
Për ketë kastë Larosh,
Që po vjelin merita si bashkëluftëtar
Të komandantit....!
Këta qe s’ tu bashkuan
qe ta ndihmojnë rezistencën,
Që shpëtonin fëmijët, gratë a pleqtë..
T’ mos behën 54 varre...

Skenaristet e autor t’ tradhtisë
Shkëlqejnë ne dritën e meritave,
Luftës e flijimit,
Plot grada e nishan,
Pallate e hareme,
E çka s’kanë...!?
Aktrojnë, deri sa betohen rrejshëm
Në tokën e zezë,
para varreve ku ju pushojnë eshtrat
Pa i vra ndërgjegjeje, e as pesha e varreve.
Varrit tende, e të 53-të tjerëve
E të qindra e m ija varreve
anë e këndë Kosovës..!
Pa i vra pesha e tradhtisë,
qe ta benë “shokët” e tu...!

Laro...mjeran,
Sa herë qe u luhatet karrika,
Ballafaqohen me drejtësinë,
Dhe n’ fushatë për vota..
për emërime e manipulime
Përkulën para varrit Tënd,
Pa e ndjerë peshën e tradhtisë
Ngase janë bërë kriminel ordiner,
Kanë vetëm një shqetësime,
Postet prej nga do kontrollojnë e lulezonjë krimin.

Ehe Bacë...
Po te mund te flisje vetëm një fjalë
Të dëgjohet e vërteta nga Goja Jote
Do na shpëtoje nga Kjo Garde “patriotesh” ,
Vrastare e kriminelesh
Qe thirren ne merita Lufte e sakrifice Tende.
Do shpëtoje dhe atdheun,
Qe e kanë qit ne ankand publik...

Ehe sikur te mund të ngritësh,
E ti shikosh
Ata qe të tradhtuan,
Të lanë vetën në balle të furtunës
Në gojë të djallit
Para makinerisë vrastare
Me 53 në shtëpi rrethuar n’ Kullën e Qëndresës
Nuk ndjenin trishtim as për fëmijët,
I lanë t’ martirizohen
Nën breshër plumbash e oshtime Gjyle topash
Do ua hiqesh maskat,
E vërteta rrufeshëm do shndritë
Do ndalesh te keqën qe po qelbë,
Do shpëtosh kombin...!

Erdha këtu në ketë përvjetor,
Të përkulëm para varrit tendë o Komandant
Qe ushtarë deri flijim kishe,
Familjen, prindërit, gratë-fëmijët
Besën për qendrës mos dorëzim ndaj tradhtisë
E zemër e madhe
Ushtarë kishe gjithë Kosovën, të pa uniformë,
e të pa armatosur
Kishe dhe Komandant Suprem,
Dhe ushtri n’ formim...
Por Larove...
U “ngutej”, kryen punën e tyre,
Të lanë t’ vetmuar në rrethim të hekurt
Të lanë me varre hapur...
E nga gufat, shikonin Luftën e Qëndresë,
Dhe flijimin e Heroike t’ Familjes Jashari,
Për te mos vdekur Kurrë...
Bacë...,
Ti vërtet ishe e je Komandant
Gjaku qe ujiti e shkëndite
Themelet e shtetit tonë
Je Hero
Ti je vet Liria.

Jam këtu sot,
Ti përkulëm,
Heroizmit e Kryeneçësisë,
Ti përkulem sakrificës
E Dashurisë për Shqipninë
Dhe të shprehu dhembje
Për Larot, qe shpallen,
bashkëluftëtar e bashkëveprimtar
Sa për t’i vjelë, meritat, gradat, postet,
Privatizuar emrin e Luftën,
E manipulojnë me emrin e veprën tënd t’ shenjt.
Lavdi,
O Komandant, o burrë o Trim,
Legjenda jonë..

Prekaz-Prishtinë, mars 2011




TOKË E NGROHTË DARDANE

Ma mirë tako vdekjen
Se shkëputjen nga rrënjët
E të jesh tjetër - i shartuar
Të japësh fruta - të sojit tjetër
Rrënjët janë të shenjta
Prej nga
Ushqehen e përjetësohen brezat.

Dukagjini,
Është jeta dhe vdekja
Dashuri e parë
Gëzimi e hidhërimi
Diell vere e diell dimër
Shi vere e borë dimri
Vapë e acar
Djersë e etje
Freski burimesh-jete

Bari ka tjetër aromë
Zogjtë këndojnë ndryshe
Vashat si lule zbërthejnë në prush dashurie
Burimet rrjedhin pastër si loti
Vend i qetësisë së përjetshme

Dukagjin
Vendlindje
Të përkulëm gjithmonë të jam borxh
E ndjej ajrin tënd
Edhe në prag të vdekjes
Aty ku thellë i kam të shtrira rrënjët
E trungu ka lëshuar degë
Tokë e ngrohtë Dardane
Djepi im je Ti



MOS E HUMB ADRESËN

Në orët e kobshme ...

Mos e humb adresën
Nuk di ku të trokitsh
As ta gjesh derën
Që miqësisht ta hapin
E kur ta kuptosh
Se shpirti nuk ngrohet me akull
As dashuria nuk qetësohet me furtunë
Ndoshta atëherë
Do jetë vonë miku im
Të gjitha portat e bujtinave
Mund të mbyllen

Kot nëse dikush ëndërron
Se akullin e shkrinë me akull
As ta afrosh dikë me urrejtje
Dashurinë nuk e mbron më xhelozi
As dhembja nuk largohet me dhembje

Mos e humb
As mos e harro adresën
Mendo se miqtë do të vizitojnë
Dhe Ti nuk do ngelësh vetëm...




MJEGULLIRË
/vargje te dhembjes /

Kjo mjegull horizontalisht me një mure te hirte,
Sikur ka ndarë Tokë e Qiell, ...

ka ndanë...!
Bregore krenare,
e lisa të vendlindjes
Bashkë më shumëkatëshet,
janë veshe më errësirë mjegulle
Dhe lartësitë kanë humbur për çastin,
krenarinë kryeneçe
Janë zënë peng e mbretërisë se zymtë të hirtë
Bukuria syrit i është cenuar,
Rrezikohet nga shëmtimi,
Dhembja është shumëdimensionale
Ditë e zymtë e ndryshimeve
Stinëve sikur iu janë përzier kohet.

Perandori e rreme,
s’ mund te jetë e përjetshme
As qe mund te përballet,
me rreze të ngrohta diell,
Qe për një çast,
e bëjnë shoshë dhe zhdukin mjegullën..
Rikthejnë Dritë-shprese e ngrohtësi..!
Cilët mbesim ne, në këto raporte
Drunjte qe u janë vjel frutat,
Thahemi duke u djeg në egon tonë,
N’ mohim t’ vetvetes,
e n’ vrap pas të huajës...!

Gjethe të regjura n’ baltë,
Bashke me heronjtë n’ tokë,
Gjak e sakrifice e përbuzur,
e harruar...!
As tim,
As zjarr...
As flakë.
Hijet, pas bishtit te ujkut sillen vërdallë

Ëndrrat na i ndrydhur në mjegull,
Mendjen e verbuan...
Kohë e zhytur pis,nga hajdut vlerash,
Prostitutë moralist,
Kriminel ordiner,
Bosa të krimit politik ekonomik
Ne këtë treg antivlerash përplasen,
Me ide e porosi të mjegulluar.
Mbijeto jetën,nëse mundesh
Miku Im..
Nëse nuk përballësh,
këta do pronësojnë dhe diellin,
E rrezet e tij do na i japin me qira.

Kjo mjegull e zymtë,
I është ngjitur si djerse e ndyrë
Qytetit e gjithë andej vendlindjes sime
Kafshon lëkurë e fytyra ortakesh,
Dhe ëndrrat e bardha të brezave
Qe s’pushuan e s’kursyen për mëvetësi të etnisë,
E këta Juda e Esat Pashë të rijnë,
Po bëjnë punë të pista,
drejt tjetërsimit,një identiteti te ri.

Të frikshme e tmerrshme këto hije hienash,
qe s’ pushon të na ngulfatni,
mendjen,
dijen,
historinë,
varret,
e tokën e Arbrit.

Këtë ditë,
s’ më bën punë,
Mendimi, pikat e bardha te qumështit...
As kujtimet për fëmijërinë e dhembshme
As dëshira për ardhmërinë e mbarë
Shekuj dhembje,
Unë e vazhdimi im /Fëmijët/..
Dhemb , shumë dhemb,
Humbja e vetvetes, për liri te të tjerëve,
Po, pse s’u bëmë fanar,
të rrezatojmë për vetveten...!

Këta të ligj të botë,
Qe e lanë veten ne terr e mjegull,
Vrasinë, shkatërrojnë, për poste lakmi e Lek,
Për Sllavet-Daçiç, Osmanet-Erdoan,
Çmenduri e dhembshme kohe
Gradime, merita, trofe e medalje.
Komemoracioni shtetit n’ ankand,
Ne këtë stad,
Qe u bëhen maskarenjve.
Kohë maskarenjsh është..!

Prishtinë, 24 tetor 2013
 
 
 
NUK MUND TA KAPËSH ËNDRRËN TIME

Kot mundohesh ta kapësh ëndrrën time
Dhe ta përkufizosh ëndrrën tënde
Ajo vjen pa dokument identifikimi
Pa pasaportë, pa vizë
Mirë është qe secili ka ëndrrën e vet
Le ta mbajë të lirë
Se ëndrrat janë të ndryshme
Siç janë dhe vet njerëzit
Ëndrrën time
Nuk mund të ma zëni
As ta burgosni
E as ta dënoni
Kjo më bën të lirë
Qoftë edhe në birucë...

Prishtinë mars 1981)
 
 
 
KLITHJA
Ç’më zgjon nga kotësia
Klithja jote çunak
Fërkoi sytë. S’ të kam afër
E zëri yt më duket I ngrohtë...


Mos të dhemb kund e ta prishë gjumin

Egër
Me dhembje më prek shpirtit
Kujtimi për prindërit e mi
Shumë net të pa gjumë
Ne emër të jetës së re
Dhe tash sa e sa vite më vonë
Barbaret ua lëkunden eshtrat
Varret e mia dhe tuat çunaku im

Ja pse këtë natë të skëterrshme
Klithja jote më la pa gjumë
Më bë roje varresh dhe lisash
Që flenë dhe ëndërrojnë të qetë

 
 
FILLIMI I RI

Nga plagët në kraharorin e pishës...

Pikë dhembja njerëzore në gurë
Digjet në flakë
E gjithë bjeshka

Dashuria di të bëhet piromane
Në çastin kritik të vlimit
Të përzierjes së ndjesisë e dhembjes

Dhe nga degët e haloret e pishës
Insekte bashkë me zogjtë-kullosin
Në dyluftim për ekzistencë
Buburreca e buba
Boçat kokrra farore
Pjekën për fillimin e ri
Dëshmojnë sojin dhe jetëgjatësinë
Pa ndje dëshpërim
Pikë e pikë në gurë
Sikur çlirohet
Kallë së pari vetveten
Që të mund të mbrohet nga xhelozia
E dhembja
Duke u flijuar për madhoren

Rrëshira pikë në gurë
Për t’u shndërruar në flakë
E në tym si bisht ere
Zjarr e dhembje që kallin
Për t’i dhënë mundësi përtëritjes
Fillimit të ri
Nga dhembja
Nga shkrumbi e hiri

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen