Tregim mitologjik
Shkruan Prelë Milani
Në ato male të egra dhe madhështore, komplet të thepisura dhe të çveshura, dikur moteve të lashta kishin qënë plot pyje të dendura ahu, bredhi e pishe, me qilima të blertë livadhore plot me barë e lule aromatike,vezulluese, me kroje dhe burime të dlira, me ujë bore që i jepnin jetë e gjallëri kësaj parajse edenjane të alpeve tonë. Një gojdhënë e vjetër, moshatare me gjenezën e fisit epik të Kelmendit na rrëfen se një banor i atyre bjeshkëve kishte pasë jetuar dhjetë vjet vetëm me të shoqën e tij si Adami me Evën i rrethuar prej të gjithë të mirave tokësore, në atë bjeshkë së cilës edhe krijuesi ia kishte zili. Por e vetmja gjë që i mungonte këtij çifti të lumtur ishte një fëmijë. Pas dhjetë vjetësh, mes në një parajsë të magjishme Zoti i plotfuqishëm kishte menduar që çiftit kelmendas tu falë një dhuratë tjetër të bekuar si pas frymës së tij të shenjtë. Burri, sa kishte diktuar shtazaninë e të shoqes, ishte bërë shend e verë me shpresën dhe dëshirën se së shpejti do të bëheshin me trashëgimtar(djalë) që do të trashëgonte këto visare të pashoqe natyrore. Por burri e bjerri shpejt atë shpresë kur hirushja e tij me xhubletë lindi një vajzë si xhevahir margaritar. Por burri maskilist i lafitur u mërzit, u trazua, humbi çdo arsye dhe ndjenjë prindërore aq sa e mori vajzën e vogël që flinte gjumë me një buzëqeshje engjëllore, e zgjidhi nga shpergajt e djepit dhe e hodhi si i xhindosur nga maja e një horsti që puthej me qiellin në fundin e një grabeni qindra metra në humnerë duke e bërë copë-copë dhe spërkatur me gjakun e saj shkrepat e malit të cilat kurrë nuk kishin parë një tmerr të tillë. Mirusha rrezatare malësore, kur pa mizorinë e burrit të saj të lajthitur, bërtiti duke tmerruar dheun. Dihamën e saj ia përcolli mali malit aq sa u shtini mnerën edhe zogjëve të qiellit. Pastaj hoqi shaminë e kokës dhe duke shkulur flokët dhe gërvishtur e gjakosur faqet me thonj thirri: -O Zot , o Orë, o Zana, ku jeni, a keni sy me pa. Ndëshkojeni atë të pashpirt që vrau e varrosi në greminë frytin e barkut tim. Më ta dëgjuar Zana atë brimë të tmerrshme, u zemërua dhe u lëshon nemën(namën) atyre bjeshkëve të begata, duke tha ahët, bredhat, pishat. Pas këtij mallkimi të tmerrshëm krojet i përpiu shkëmbi, livadhet humbën plisin e blertë. Jeta, gjallëria dhe bukuria magjike u zhdukën dhe gjithçka mbeti një masiv karbonatik i thatë. Kështu që atij shpirtkatili, shejtan me fytyrë njeriu, iu desh të kalonte një jetë ferri toksor i rreshkur nga dielli përvëlues i verës, i rrahur nga murlani, i mardhur nga ngricat e stuhishme të borës së dimrave të ashpër alpin, duke dëshiruar gjatë gjithë jetës edhe ujin edhe drutë deri sa një ditë vdiq pas një pleqërie të gjatë e të mundimshme.
Më në fund, një ditë Zoti ia ndau mundimet e tmerrshme këtij plaku të molizur, i cili vetëm për të dhanë shpirt, ju deshën disa vjet.
Pasi vdiq plaku mekattar i ketyre maleve të shkreta dhe të vetmuara u mbeti emri Bjeshkët e Nemuna (Namuna) si ndëshkim ndaj mëkatit të Kainit të këtyre bjeshkëve.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen