Dienstag, 8. Mai 2018

Rrëfenja nga Alketa Maksuti Beqari

Alketa Maksuti Beqari


1. Nudo

Sot dua të tregoj për të dielat e mia. Takimet me miken time. Ti ke gjithë këto ditë që je në bashkëbisedim me mua. Më saktë ishte dëshira tënde të mësoje më shumë për lidhjen tonë, mikeshën time dhe mua. Këto kohë nuk kam dashur të shkruaj, më tepër argëtohem duke parë filma që më bëjnë për të qeshur. Dua të qesh. Po le të kthehemi tek të dielat që kaloja me miken time të dashur.
Pse nuk e quani të dashurën tuaj? - e pyes.
Termi e dashur është më i fuqishëm shpirtërisht. - ma kthen ai. Ne kishim një lidhje që plotësonim njëri - tjetrin me ndjesitë përkatëse si natyra na krijoj, por shkonim edhe pak më tej duke ndarë copëza nga jetët tona aq sa donim. Mund të rrinim tërë javën pa i telefonuar njëri - tjetrit, por të dielën ose ajo, ose unë telefononim për t'u takuar. E diela mbasdite ishte e jona. - vazhdoj shpjegimin ai. - Për këtë më tërhiqte më shumë. Ne ishim të lirë, pa detyrime për të treguar ngjarjet e përditshme. Sa herë vinte, vinte me mall drejt meje, e kuptoja nga sytë e saj, ishin të qeshur, ndjehej e lumtur. Kështu ishte edhe për mua, por asnjëherë nuk ia shfaqa ndjesitë e mia. Isha më i rezervuar. Gabim kam bërë.
Ku është ajo? - e pyeta kurioze si natyra ime është.
Nuk e di. Nuk jam interesuar ta kërkoj. Ndoshta do vij prapë, ndoshta.......- foli ai me zë mallëngjyes.
Keni ndonjë foto bashkë? - e pyeta prapë me kureshtjen time.
Foto?! - tha pak i habitur. Ah, jo, asnjë foto bashkë. Por kam një foto të saj nudo. Më kërkoj t'i realizoja foto nudo. Ishte e paparashikuar në çfarë kërkonte ndaj vetes. Më kujtohet fare mirë ajo ditë. Ishte mëngjes. Unë zakonisht pi kafen e mëngjesit herët tek lokali i lagjes. E lashë në gjumë. Madje më pëlqente kur e mbuloja trupin e saj me çarçaf ose jorgan si të ishte stina. Kishte një trup të bukur, një simetri të linjave dhe formave. Si po ju tregoj pas kafes u ngjita në shtëpi. Ajo ishte zgjuar dhe po lexonte, si gjithmonë. U ngrit rrëmbimthi nga krevati, më puthi dhe më kërkoj ti realizoja foto nudo. Megjithëse rrinte me mua në shtrat zhveshur, prapë në momentet kur e fotografoja ajo mbante ndrojtjen femërore, fshihte pjesët intime të saj, kishte turp. Kjo më pëlqeu.
Unë shkrepja dhe shkrepja me gishtin mbi aparat duke fragmentuar lëvizjet e trupit të saj. E admiroja për guximin. Kemi qëndruar dy vite bashkë. Kujtimet rënditin çastet kur bënim dashuri. Më pëlqente si bënte dashuri. Sa qetësisht, aq vrullshëm!
Nga xhepi i xhaketës së vjeshtës, ai nxjerr protofolin. E hap. Nga xhepi i protofolit tërheq një foto. Zgjat dorën drejt meje. Ishte një grua me durat lart tek flokët të cilat i kishte ngritur lart si për ti kapur bisht. Gjoksi i fshihej nga gjunjtë e mbledhur. Ishte e qeshur. Ia ktheva foton. Ai e mori në duar, e mbajti disa çaste në dorë duke e shikuar. Më pas e futi sërish tek xhepi i protofolit, të cilin e futi tek xhepi i brendshëm i xhaketës së vjeshtës.



2. Datëlindja

Këtë herë u takuam të premte, ndryshe nga programi i përhershëm.
Kishte datëlindjen, gjithashtu kishim edhe një vjetorin e njohjes. Dy festa.
Kisha rezervuar një tavolinë në ambjentet me muzikë live pranë qëndrës. Duke ditur se sa e adhuron muzikën nuk mund të shmangia dëshirën e saj. 
I shkrova dhe i lashë takim tek stacioni i autobusit, aty ku ishim takuar edhe herën e parë.
Këtë herë jam një vit më e rritur, më shkroi, di të kujdesem më shumë për veten. Gjithashtu di të bëj më bukur dashuri. Gjithmonë e dija që Arti i të bërit dashuri do edhe partnerin që të përputhet ADN. Si duket zinxhiri i ADN - së time plotësohet në lidhjet e dyfishta nga ti.
Normal që qesha kur lexova filozofinë e saj.
Koha kaloj shumë shpejt dhe në mbrëmje vonë, afër mesnatës u takuam tek stacioni i autobusit.
Kur u afrua i pashë një kurrorë me lule natyrale të vendosur në kokë. 
Tashmë isha mësuar me natyrën e saj. Veshjet, stilin e të veshurit më saktë, kapriçiot.
Sa më puthi në buzë, më pyeti: - Të pëlqen kurrora ime?
Po- ia ktheva. Dukesh bukur, të shkon.
Ecëm drejt qëndrës, tek ambjentet e muzikës live.
Sa hymë brenda e ndjeu tingujt e muzikës nisi të luante supet.
Nuk i rezistoj dot muzikës, duket sikur kam lindur me të - më tha tek veshi dhe mbështeti kokën tek supi im me përkëdheli.
Zbritëm shkallët dhe hymë në sallën e arenduar me tavolina e karrige në hapësira që mundësonin të kërceje pa pengesë. 
Të shoqëruar nga pronaria e lokalit, u ulëm në tavolina e rezervuar për ne.
Porosita birra për të dy.
Pas disa minutash filloj muzika.
Muzika- Ajo, Ajo - Muzika.
Ndërsa ishte nën ritëm të saj, i shkova dorën tek beli. E përkëdhela. Ndjesia iu rrit aq shumë sa trupi iu ngjit tek i imi trup dhe puthjet tona u shtuan.
Ikim! - më tha- Dua të jem me ty, vetëm me ty. Po të ndjej në gjithë qënien time. Ikim!
Porosita taksinë.



3. Kërthiza

Ajo çelte, lulëzonte, ishte vet pranvera për mua.
Të dielat që kalonim të dy ishin të diela flladitëse, bulëzimi, shpërthyese.
Ishte mes prilli.
U takuam si gjithmonë.
U puthëm dhe përqafuam tek vendi i takimit.
Rastësisht dora ime preku tek pjesa e barkut, në kërthiza e saj. Ndjeva si muskujt u tendosën, një ndjeshmëri që u pasqyrua tek sytë tanë.
Puthjet tona u bënë më të ëmbla.
Dua të jemi sa më parë tek strehëza e dashurisë, zemër- i pëshpërita tek veshi- t'i ndjej si rrahin e pulsojnë muskujt rreth kërthizës, mezi po duroj.
E mora para vetes në biçikletë dhe pedalova nxitimthi.
Mirë që ishim afër me banesën.
Ajo zbriti nga biçikleta unë isha ende ulur. U afrua, u puthit me trupin tek unë. I vura dorën tek kërthiza, e fërkova ngadalë. Nxehtësia ishte rritur tek trupat. Ishim kthyer energji.
Kaq shumë të merr malli për mua? - e pyeta me frymën e shpeshtuar.
Duke më puthur ma ktheu: - Po.
Hymë brenda pa ndalur përkëdheliet.
E ula tek komoja e korridorit.
Kërthizën ia puthja dhe ndjeja tek buzët e mia valën e nxehtë.
Ajo më puthte kokën.
Dhe përkëdhelte trupin tim.
E mora tek krahet dhe e lëshova butësisht mbi krevat.
Shkova tek bufeja dhe mora nje shishe verë.
E kisha blerë në Francë.
E hapa dhe e pikëzova brenda kërthizëz.
Muskujt i lëviznin, ndjenë ftohtësinë e lëngut.
Vura buzët tek vera.
Po pija.
Trupi i saj ishte në gjendjen më të lartë, i eterizuar.



4. Biçikleta

Mund të më japësh edhe mua bukë? - i foli një zë burri - Kështu i ushqejmë të dy rosat- vazhdoj ai pa marr përgjigjen e saj. Ajo i buzëqeshi. Hapi qesen ku kishte bukërat e mbledhura për to. Ai mori disa feta buke të thata. I coptoj dhe i hodhi në ujë. Rosat ishin mbledhur para tyre. Ushqimi ishte i pandërprerë. Një herë iu hidhte ai, një herë ajo. Qesja u boshatis. Ai foli:
Ke makinë?
Jo, eci në këmbë.
E ke shtëpinë larg?
Jo shumë, nuk e kam problem. Eci në këmbë.
Unë kam biçikletë. Eja tè të çoj deri te shtëpia, kështu të falenderoj që më lejove të ushqejmë rosat.
Ajo e pa në sy. Kishte sy të bukur, plot energji, të ndritshëm. Ishte i qeshur. Tek ai gjendej qetësia.
Ajo tundi kokën në shenjë pohimi.
U ul para tij. Vendosi duart para timonit.
Gati?- e pyeti ai.
Gati!
Është hera e parë që shëtis me biçikletë - i tha ajo. - Është bukur!
Nëse dëshiron ne mund të takohemi prapë - i sugjeroj ai - kështu mund të shëtisim me biçikletë.
Ndjehem kaq e gëzuar, era që më rreh fytyrën, mënyra si i parakalon makinat dhe duket sikur iu thua: Më mjafton pak vend dhe kaloj. Do ma mësosh edhe mua biçikletën? - mbylli të folurën ajo.
Patjetër, do ta mësoj. Ne do takohemi dhe mund të gjejmë një shesh. Patjetër. - pohoi ai.
Tani kemi një të përpjetë. Po rrit shpejtësinë që të ngjitemi. - iu shpjegua ai më pas.
Po zbres, mos u mundo! - foli ajo
Kjo është shumë e lehtë për mua. - i tha zëri i tij i prerë.
Për herë të parë ajo ktheu kokën dhe sytë e tyre u kryqëzuan. Buzët e saj ishin pothuaj ngjitur me fytyrën e tij. U ndje aq mirë nga fjalët që i tha. U mat ta puthte.
Ai ndaloj biçikletën.
Çfarë ka? - pyeti ajo.
Nise diçka, çoje deri në fund. Pse u stepe?
Ndjeu të skuqej në fytyrë.
Ai i mori kokën mes pëllëmbëve dhe e puthi. Kaluan duart rreth qafës dhe puthja zgjati me minuta.
Si u ndjeve? Ishte bukur? - e pyeti pa ia ndarë shikimin ai.
Ëhë, shumë!
Kur të takohemi sërish, do të mësoj biçikletën dhe në çdo xhiro ke një puthje- i tha duke qeshur.
Pranoj- pohoj ajo dhe me kast e ktheu kokën prapë dhe buzët e tyre u takuan.
Këtë herë edhe më e mirë puthja - i foli ëmbëlsisht zëri i saj.



5. E dehura

Tek Club- i sa hyra iu afrova banakut dhe u ula tek stolat ngjitur me të.
Dua pijen më të fortë që mbani, ju lutem- i thashë banakieres.
Madje që të mos iu lodh, më sillni shishen dhe gotën- shtova fjalët.
Urdhëroni! - u drejtua ajo bashkë me shishen dhe gotën përkatëse sipas pijes.
E mbusha gotën jo me elegancë si pija servirej, por deri tek buza. Kisha vendosur të dehesha. E ktheva gotën me eks.
Banakieria u habit pak, por nuk guxoj të fliste, ishte zgjedhja ime.
Sërish gotën e mbusha buzë më buzë. Madje sumbullat nga pija e fortë ishin lidhur fort me njëra - tjetrën. Ishin në sfidë me mua. Me eks edhe gotën e dytë.
Muzika ishte një tango.
E treta gotë ishte pirë me eks prapë nga unë dhe për çudi isha normale.
Shishja shkoj tek çereku i saj.
Tango më shoqëronte në dehjen time.
Trupin e kisha në ethe.
Nëse vazhdoni me këtë ritëm do ngatërroni shtëpinë - më foli zëri i një burri. Kur shpirti vuan nuk dehesh, por humbet arsyen- vazhdoj ai.
Doni t' ju shoqëroj? - më pyeti me xhentilesë.
I hodha një shikim duke i treguar që po më prish planin.
Vallzojmë? - pyeti prapë.
Tango, po e dua - ia ktheva.
Lëvizjet tona gjatë vallëzimit të tangos ishin harmonike sikur të kishim vallzuar prej vitesh bashkë.
Tangon e mbyllëm me harkimin e trupit tim në krahët e tij.
Më shoqëroj tek banaku, vendi ku isha ulur. Më falenderoj. Mundem të të shoqëroj në pije? - pyeti.
Dua të dehem e vetme - i pohova.
Buzëqeshi dhe u largua.
Gota katër, gota pesë, gota gjashtë......
U zgjova dhe isha në tjetër krevat, jo tek shtëpia ime.
U ngrita rrëmbimthi dhe iu drejtova dritares.
Lulet në oborr ishin të të gjitha ngjyrave. Më përtej lëndinë e mbuluar me lule dele.
Fshiva sytë. Ndoshta isha në ëndërr.
Trokiti dera.
Hyr! - fola.
Një grua tej të gjashtëdhjetave me tabaka në dorë më tha mirëmëngjes dhe më dorëzoj një letër.
Shkruante:
" Nëse dehjet tënde do të jenë të tilla, dua të jem shoqëruesi yt i çdo nate dehëse"
U skuqa në fytyrë.
Zonja doli jashtë dhome.
Nuk mbaja mend asgjë.
Hodha sytë mbi trupin tim.
Isha e veshur.

Buqetë poetike nga Pal Ndrecaj

Pal Ndrecaj


TORTURE

Po! Kam me u vare per fjale
per secilen qe ka ku me iu vu litari

S'ashte ne rregull me mendue 
se e ke te drejten e saj
se mundesh me i dhane shpirt
po s'qe ne gjendje me ia sjelle te fyti
ne menyren ma mizore
n'torturat e gdhendjes!

Nga "Gdhendja e permasave"



NJË QEN I LARMË I BUKUR I SERTË

Një qen i larmë i bukur i sertë
vëzhgon gjithcka rreth meje
me sytë që unë kurrë nuk arrita t’i kem

Ka qartësinë ma të madhe të mundshme 
zero mundësi mashtrimi optik 
dhe nuk fal asgjë

Sheh qartë si i bën ti gjërat
si reagoj unë

Ai këput zingjirët 
dhe del ndonjëherë prej meje
në përpjekje për t’u krijuar si qenie në vete
është pjesa ime përsosmërisht e kulluar 
pa mua si tërësia e gjithë kësaj përzierje
pa pjesët e ndyra nga llumi që ngjitet anash
ai nuk pranon asnjë arsyetim për baltën
as për rrugët që e kanë me bollëk as për ato 
që kanë aq sa nuk kanë qare pa pasë

ai qen i larmë i bukur i sertë
leh e me kërcënon saherë
baj lajka nga interesi
saherë nuk jap hakun
nga xhelozia

leh në mua
saherë nuk jam i larmë i bukur 
rigoroz si ai

Bën gjithë atë zhurmë
e dëgjohet aq pak
kurrë nuk leh në rrenë 
edhe pse shpeshherë themi bane zot rrenë 
se nuk është lehtë me mësy andej kah prin ai
me i ndjekë gjithë ato egërsira
nga kaçubat që me vite janë rritë në ne

Bane Zot rrenë themi
dhe ai bindet bahet zap
sendet kthehen në rendin normal të rrenës
dhe vazhdon maskarada njerëzore

Nga “Gdhendja e përmasave”



ÇKA NA THOTË SIZIFI KUR RIKTHEHET TEK GURI

Vetë lufta drejt majave mjafton për të mbushur zemrën e njeriut. 
Duhet ta përfytyrojmë Sizifin të lumtur.
                                                          Albert Kamy

1.        
Edhe gjërat që nuk mund t’i ngremë në majë vlejnë 
qoftë vetëm për hir të përpjekjes

Kështu pastaj ato marrin peshë
dhe nuk iu nënshtrohen ligjeve të gravitetit
tërheqin përpjetë

Me rënie të lirë bien vetë gjerat e lehta

Dëshmitar kemi imagjinatën krijuese - 
realitetin tonë përtej të gjitha kufizimeve
ku ideja e dorëzimit
mbahet në prangat e Sizifit

2.
Nuk është e vërtetë se s`mund të rri në paqe
me perënditë si shumë të tjerë
ku asnjëri nuk ia prish tjetrit tymin e duhanit
por është vesi im grindavec me u farku me majat e shtizave
me ato ma të helmtat që ngrisin çështje
të gjitha të kundërtave me iu ba e kundërta tjetër
dhe kurrsesi mesi
mesi është rrenë e madhe që na pajton
saherë duam me i shpëtu atij vesit grindavec
që permbys rendet
është pusi në të cilën prehet në besë imagjinata
prandaj nuk e kam zgjedhë mesin
kam zgjedhë me u rrëzu në ndonjë skaj
por që është skaji im
që është maja ime deri ku jam ngrite tue shtue peshë
dhe tue mos nigue me shkue pas tjetërkujt
as me u terheqë me litar 3 deri 5 metra
si makinat e prishta të mbetura në rrugë
ah, makinat, s`mberrin me to 
ku mbërrin me këmbët tua
e me qenin tënd të larmë të bukur të sertë
që të tërheq përdore
të prin e ta tregon udhën
pasi  ka mujtë me i këputë zinxhirët
e me dalë jasht teje
e me të qortue 
saherë humbasish peshë

Nga “Gdhendja e përmasave”



KAUZË

Dy zogj u grindën pranë meje për një trohë
dy vajza për një zemër pak ma tej
një trohë sherri u gjet kudo e në cdo kohë
dhe dy vajza përherë n’fushëbetejë

Në këtë pikë me shekuj u përplas njerëzimi 
si në një kauzë madhore
zemrën atë çast e plasi hidhërimi
e troha u ba një bjeshkë madhështore

Pastaj u fut me shpjegimet e veta  historia:
si u ngrit kjo kauzë kjo spirale...
që në fakt qe mashtrimi që na bëri dhuratë zilia
veç lufta ngeli përherë reale


VAJZA SIRIANE IA MBYLL SYTË KUKULLËS 
MOS ME PA TMERRIN E LUFTËS 

Ka frike kukulla ime zemërthyeme 
ndaj ia mbyll syte me gishta të dorës
ca gishta tjerë te punëve të përlyeme
po thurin rrjetin e jonjerëzores

Këta sy që po shuhen janë qielli juaj e moti
këta tjerët që po hapen janë sytë e mëdhenj të frikës
njerëz botën s’e dënuan as Djalli as Zoti
e dënuat ju nga mungesë e etikēs

Vonë dikur sytë tanë në yjet kanë me u shfaqë
si grishje për dashni si dorë e pajtimit
është ofertë kozmike për liri e paqë
bëjeni fe të vetme të krejt njerëzimit

Këta sy që po shuhen janë qielli juaj e moti
këta tjerët që po hapen janë sytë e mëdhenj të frikës
njerëz besomëni mua: botën s’e fundosën as Djalli as Zoti
e fundosët ju nga mungesë e etikēs



ME THOTE SE I DO VJERSHAT E MIA 
POR PERHERE ME QORTON SE ATO FLASIN 
ME SHUME PER TE KEQEN SE PER TE MIREN

E keqja ne vjersha eshte per me e ndjeke te keqen ne jete
sic e nxjerrnin gjysherit tane plumbin me plumb
nje trendafil i kuq si metafore e te mires me duket teknologji e lehte
per me e godite te keqen duhen ca predha qe  e bajne shkrumb

Mbaje mend dy sy qe varen ngadale e shuhen n’ekstaze
mund t’i tremb nje krisme e befte qe ndodh edhe me pahir
imja eshte t’ua siguroj paqen ne ate oaze
qe i bjen se e nxorem plumbin...
pastaj dollia: Gezuar, tash per te mire!



IMAZH

Kjo qershi e kalbun n’dege
ashte nji rast i harruem me buzeqeshe

Ti qe rri ne paqe me te pamundshmen 
mundesh me u godite
nga ajo gja e kalbun

Une edhe pse sajoj imazhe per qejfin tim
nuk gjej dot mundesi me e suprimu kete rend
pos nese e vendos ngjarjen
ne castin para kalbjes

Mirepo ketu ban roje nje qen i bukur shume 
por qe mrrolet sakaq e leh ne mua 
tue pandehe se i kam ba vjedhe

Nga “Gdhendja e permasave”




TUE PRITE GJERGJIN ME U KTHYE

Kur ka hyre Gjergji ne Kruje une kam qene i fshehur pas ketij muri
dhe nuk kam luejte vendit se disi me ka ardhe marre prej vetes

Ne fillim erdhi ai lajmesi e kur u ba terr hyne kaloresit 
tue ndjeke Gjergjin mbrapa

Ketu ne kete vend e kam prite 
prej dites kur e moren jeniçer se e dija se ka me ardhe
turqve u thoja se po luaja me yjet 
(ata mendonin se deri atje e kishin ba t'veten)  
se ndryshe ma kishin pre kryet

Une pernjimend u flisja  yjeve cdo nate
dhe mundohesha me e dite cilet muj me i preke ne zemer 
e me i ba me pike mbi atdheun tim
me na pa e me ia deftue Gjergjit udhet
per me u kthye

(Ai e besoi kur ia thash kete dhe tha se pikerisht udhet e mia kishte ndjeke)

Une isha nje njeri i thjeshte si gjithe te tjeret
asnje gja te jashtezakonshme nuk kam ba vec kam qajte shume ate dite kur e moren turqit 
dhe ai me kishte pa mua me lot ne sy tek ky kand

Ketu tek ky kand pastaj kam qajte cdo dite
kam derdhe aq shume lote sa yjet tona kane pike ne ta 
e jane la dhe fytyra ime ashte vizatue ne yjet
Gjergji e ka pa fytyren time ne ta dhe i ka brofe zemra me u nise kah na

II
Dikush thote se kjo ka ndodhe nji here e nji kohe
600 vjet para nesh
por nuk ashte mire me besu keshtu
se koha nuk matet gjithmone me ore me dite a me vite
ajo mund te matet me nje hap te vetem qe e ban per mire a per keq
kur e ke ne dore me e pshtue koken tande e t`atdheut
prandaj edhe ajo qe thash deri ketu mundet mos me qene e tera
ndaj rri ende ketu ne kete kand e flas me yjet
me shprese se ata kane me ia deftue Gjergjit fytyren time...

Kruje, 13 shtator 2017



EKLIPSI

Eklipsi ma i tmerrshem ashte ai
mes teje e andrres
kur hyn ndermjet mungesa e vetebesimit

Atehere ti nuk di deri ku rrjedhin
ujnat tua
a e kane ba nji vije qe duhet me kane vija e tyne
per me i barte ato ndo’j lugine me bare
ndo’j kodre me pisha
ne menyre qe neser kur duhet me pase mberri te derdhja
me mujte me thane: po, isha!

Nga “Gdhendja e permasave”



URIM

(Për tim bir, Martinin II dhe për të tjerët)

Tash nis ai lumi që duhet me e mbushë vetë
prej shpresash t`mbijetueme me nga nji pikë ujë
thellë në shpirtin tand nji burim e pret
fjalën që i hap rrjedhën me ia cue cdokuj’

Le të rrjedh ky lumë në secilin vend
me pata të gëzueme që bajnë nji fregatë
nesër dita e re ka me të mbajtë në mend
për nji patë te vetme që ia dhe dhuratë

E patë kur zemëroheshim si i lotonin motit
e nga zemer e tij shpërthenin ulërima
hajt lëshoni zogjtë k’ta t’bekuemt e Zotit
unë n`këtë anë, kah vargjet, kam me i grishë me rima



SHERR TE MADH NA KE LANE N'DERE

(Per Ali Podrimjen)

Kush t'ka thane gja
qe rri ashtu mrrolte
gurue n'kete gur guri

Ashte guri yt 
qe vet e ke zgjedhe per fat
zor me hype aty pa 'i faj te madh

A ndodhet kund ai qiell
qe s'e dogji rrufesh
boten qe e krijojne poetet

Sherr te madh na ke lane n'dere

Andaj vuaje tash denimin e mrrolave
e vere me goje mos ban
se Arberia eshte semundje e pasherueshme
kjo e shitueme zane
mot per mot na e ha ymrin
vec mos dish cka ashte dashnia

Gjakove, shtator 2017




NATA NE MOGLICE

Nata eshte nate si kudo tjeter
me yje hene e qetesi
vec une duhet ta gjeja vete ate te fshehten e vjeter
ne i nxori sonte te me prese si mik
a te me mundoje per ndonje pabesi

Per mikpritje nuk e besoj lehte
se dikur hene e yje ia vjedhja si pirat
per me i thane naj vajze ti je hena vete...
dhe rete pos meje s'ti heq kush ne bote

Dhe rete e kapluan sonte henen si kurre me pare
dhe fytyre e saj ne ankth ne siklet
ku je ti shpetimtar i marre
qe s’i le gjerat n’paqen  e vet...

Moglice, 4 shtator 2017



POEZI PER NJE FLUTUR DHE PER NJE IDE 
QE DIGJEN NE FUND TE FLUTURIMIT TE TYNE

Nje flutur sillet rreth drites 
mbi tavolinen time
ndoshta tue besue 
se ashte drite e agimit

Aq moskokecarese 
sa me ban me u frikesue
se do te digjet

Pas pak pikerisht kjo ndodh

Mbas kesaj s'levrin gja ma
heshtje
gjithcka ndalon ne cast
edhe mendimet qe silleshin rreth nje ideje
qe mundohej me e ba nji poezi
te cilen pastaj e gelltit terri i pasigurise
e djeg

Mbyll keshtu diten time te sotme
me keto shkrumbe
dhe shkoj te fli

Neser do te ngushellohem
se ishin fluturime te rastesishme
qe provokojne para kohe
dhe se ashte e zakonshme me u sjelle
edhe nese ke me u djege ne fund

Nga "Gdhendja e permasave"




MARTINI ME SHKRUAN 
PASI MBERRIN NE ATDHE

Demarkacioni nuk ish' pune e kontestueshme vec ne Çakorr, babi!

Mate kah ta masesh
atdheu im nuk ishte tamam
ai qe ndante me majat
tash paska zbrite ne rraze

Ne vargun e tij te vlerave
dikush i paska luejte guret e kufinit
i kane zbrite ku s'ishin kurre
dhe atdheu im ish' tkurre
atdheu qe i kishte kufijte matane
nji gur ne diell
nja tjeter ne hane

I kane luejte guret i kane luejte
guret qe i kishin rranjet thelle ne zemer
njanin qe ishte fare
tjetrin qe ishte emer

Guret qe merren me qafe i kane luejte...!



Pal Ndrecaj u lind ne Moglice te Gjakoves me 1960. Ka studiuar letesine shqiptare ne UP dhe ka punuar si gazetar e mesimdhenes.
Ka botuar: 

  • “Lule mbi plage”, 
  • “Akti i krijimit”, 
  • “Lista e zeze”
  • “Gdhendja e permasave”

Jeton ne New York

Samstag, 5. Mai 2018

Zija Çela: NJË SHKRIMTAR I KËRKOI DORËHEQJEN XHELIL GJONIT

(Dhe ngjarje që ndërthuren)

Po, edhe në realitetin e sotëm e tillë më ka mbetur ajo tërheqja misterioze... Herë-herë, më vjen të mbath kundrat e reja, të vë një kravatë të zezë dhe, me një qiri dylli në dorë, t’ju trokas në derë ca partiakëve e funksionarëve të rangut të lartë: “Tak-tak!” “Kush je?” “Një shërbëtor shpirtrash.” “E me çfarë kumti vjen?” “Vij që t’ju kërkoj dorëheqjen...” Vetëm për një gjë s’e kam ndarë mendjen ende, kur dhe cila do të jetë dera e parë, ku do të trokas.
1
Një pasdite, po kaloja në brinjë të Shallvareve me time shoqe dhe shkrimtaren Luljeta Dano, kur shoh përballë zotin Xhelil Gjoni. Sikur e ndieva se, pas shumë e shumë vitesh, kishte diçka për të më thënë dhe të dy biseduam më këmbë. Mbaj mend se më përmendi një intervistë, që do të botohej të nesërmen. Dhe më bëri me dije për një hollësi, tha se kishte pohuar që “një miku im më kërkoi dorëheqjen”.
Të nesërmen nuk di sesi më doli nga mendja dhe nuk e mora gazetën a revistën. Mirëpo formulimin se një mik ia pati kërkuar dorëheqjen, nuk e harrova. Xhelil Gjoni kishte qenë një nga partiakët e lartë gjatë regjimit komunist, por kishte bërë karrierë për pak vite edhe në pluralizëm, duke u zgjedhur deputet i Partisë Socialiste.
Në pozitën e një lexuesi neutral lindnin disa pyetje. Kush ishte njeriu që ia kërkoi dorëheqjen? Meqë cilësohej si mik, cili ka qenë rrethi miqësor i zotit Gjoni? A ishte më e mundshme që kërkuesi të ishte një kolegu i tij, funksionar i lartë partiak apo funksionar i lartë i shtetit? Për çfarë shkaku nuk përmendej me emër? Duke e lënë anonim, protagonisti i bënte nder vetes, ia bënte atij tjetrit, apo thjesht ishte një boshllëk memoristik? Nëse ishte i tillë, dashje pa dashje, a nuk ndillte më tepër mister për lexuesin, pasi anonimati ia kalon në enigma nominales? E prapë, cilës periudhë i përkiste kërkesa për dorëheqje, asaj të monizmit apo të pluralizmit?
Të gjitha përgjigjet e këtyre pyetjeve i dija, ma kishte sjellë jeta t’i dija. Për këtë ishte i bindur edhe vetë autori i intervistës, prandaj gjatë takimit nuk e zgjati me hollësira, vetëm më kumtoi pohimin: një miku im më kërkoi dorëheqjen. Por meqë zoti Gjoni nuk kishte ngurruar ta bënte publike “diçiturën”, pse ishte retushuar vetë fotoja? A nuk ia vlenin për lexuesin faktet e panjohura dhe ftillimet e ngjarjes? Prej thatësirës së vet, një pohim kalimthi mbetet i pamjaftueshëm, ndërsa rrëfimi e rikrijon dhe e dëshmon tablonë.
Kështu, m’u duk sikur rrethanat më kishin vënë vetiu para detyrimit për të rrëfyer.
2
Emrin e Xhelil Gjonit e kisha dëgjuar qyshkur punoja në Kukës. Fakti që ishte kryeredaktor i “Zërit të popullit” i jepte peshë e personalitet. Një shoku im nga fshati Buzëmadhe, i cili ishte korrespondent vullnetar i shtypit, sa herë përmendej emri i Xhelilit, kushedi pse i shkundte krahët deri në sqetulla dhe, duke fërkuar shuplakat si për të hequr nga trupi ca mornica, thoshte: “Është burrë i zoti, pasha sytë e ballit, është taravol Xhelil Gjoni, të shkulë!”
Pasi isha transferuar në Tiranë (isha emëruar në Kukës në shtator 1968 dhe kisha qëndruar deri në janar 1977), ndonëse nuk e kisha takuar ndonjëherë drejtpërdrejt, autoriteti i tij ndihej në Lidhjen e Shkrimtarëve si prani në mungesë. Siç ndihej edhe më gjerë, në rrethet intelektuale të kryeqytetit. Mbaj mend se ajami i disave shprehej me fjalët: “Dje kam takuar shokun Xhelil!” Pa le pastaj ngazëllimin: “Dje piva kafe me shokun Xhelil!” Sipas tyre, për ne të tjerët kjo nënkuptonte: Vëth në vesh, babëlok, i kam shpatullat e ngrohta unë! Dhe vërtet, ta kishe mik Xhelil Gjonin, anëtarin potent të Komitetit Qendror, i cili tashmë ishte bërë edhe sekretar i komitetit të partisë për Tiranën, patjetër ishe më i mbrojtur, prandaj ky afrim ishte gjerësisht i lakmueshëm. Marrëdhënit me disa shkrimtarë e artistë, zoti Gjoni i ka dëshmuar vetë në një libër të tij mbas ndërrimit të sistemit. Por tabloja do të bëhej e plotë, po të kishim edhe të anasjelltën: pikëvështrimet e këtyre marrëdhënive nga shkrimtarë e artistë.
Mjerisht, ndoshta atëherë kisha mbetur ende një “gjysmë provinciali”, në kuptimin se jo vetëm kisha një rreth të mbyllur shokësh (që të gjithë të dorës sime), por bëja gjithashtu jetë të mbyllur, punë – shtëpi, shtëpi – punë dhe, doemos, në kafene ku pinim pije të forta. Shumë kemi pirë në atë kohë, pinim e “llapnim”. (Ndërkaq, nga redaktor i prozës në revistën “Nëntori”, ku pata zëvendësuar të paharrueshmin Faik Ballanca, më kishin çuar në “Drita”, madje për ca kohë s’po na sillnin as kryeredaktor.) Edhe atëherë, por sidomos më vonë, e kam menduar se cili ishte “çelësi” që më mungonte më tepër, aq sa nganjëherë dilja zbuluar e bëja “gafa”. Ky ishte informacioni. Ai lloji i veçantë i informacionit që nuk përhapet zyrtarisht, por qarkullon në qarqe që kanë lidhje me rangjet e larta. Në Lidhje e jashtë saj kishte nga ata, që i kishin këto mundësi ose përmes urave farefisnore, ose krushqive, ose klaneve e tarafeve që, si në çdo shoqëri, ishin të konsoliduara. Mua këto më mungonin. Kështu që, kur tepronte diçka për veshin tim, e kishte mësuar gjithë Tirana. Por ndoshta lidhej edhe me tipin e njeriut. Ato kohët e para, mbasi “kisha zbritur” nga malet e Kukësit në kryeqytet, teksa bisedonim një ditë në mjediset e katit të parë dhe m’u bë një pyetje, së cilës i dhashë përgjigje të menjëhershme e fare të hapur, kryeredaktori im i revistës, profesor Dalan Shapllo, m’u kthye me një si dhembsuri e keqardhje paralajmëruese: “Ah, mor Zija, ti je një Lysien!” (Pyetja: Cili është sot, sipas teje, shkrimtari ynë më i talentuar? Përgjigjja: Ismail Kadare.) Pastaj profesor Dalani buzëqeshi, duke shpjeguar se e kishte fjalën për Lysienin e Balzakut kur, plot iluzione, sapo ka zbritu në Parisin metropolitan. Mbaj mend se të pranishëm kanë qenë Hasan Petrela, Ndue Zef Toma dhe një tjetër, me gjasë Llambro Ruci.
Vite më mbrapa, më 1982, së bashku me dy redaktorë të gazetës “Drita”, bëra një udhëtim pune në Fier, Vlorë, Sarandë. Kur u kthyem, më njoftuan se më kishte kërkuar shoku Xhelil Gjoni dhe se do të lajmërohesha prapë për t’u paraqitur në zyrën e tij. Më ra e beftë kjo thirrje dhe ka gjasa që prej ndonjë bestytënie të kem nëpërdhëmbur, për hair daltë, siç thuhet në qytetin tim të lindjes, në Shkodër. Nuk vonoi dhe po atë javë, ka qenë ditë e premte, më njoftuan sërish.
Por merret me mend, nuk doli për hair.
3
Nga Lidhja e Shkrimtarëve deri në komitetin e partisë (ndodhej pikërisht ku është sot selia qendrore e PS-së), rruga nuk mbante më tepër se tre minuta. Por ma zgjati dikush që po më thërriste: “Mësues, o mësues!” Ishte një i njohur nga Helshani, një fshat mes Kukësit e Tropojës, ku më patën emëruar bashkë me time shoqe, me të mbaruar studimet e larta. Shtrënguam duart e biseduam një grimë herë, por më mbeti peng që atë njeri, i cili më dhuronte ftonj në katund, nga nxitimi nuk po mund ta ftoja për kafe.
Megjithëse ishte takimi i parë, çuditërisht, në zyrën e shokut Xhelil nuk dëshmova emocione frenuese, nga ato që sikur ta mbyllin gojën. Ndoshta ndihmoi edhe mënyra e pritjes me pyetjet standarde por çliruese, si je, si shkon, etj. Dhe unë kujtoj se u përgjigja: “Mirë jam. Por sapo takova një fshatar nga Helshani i Kukësit dhe ai i shkreti më qau hallet. Për shkak të liqenit të Fierzës, rruga që lidhte Helshanin me Shëmrinë, pra edhe me Kukësin, është përmbytur. Fshati ka mbetur i izoluar dhe në kooperativë u binte të merrnin njëzet lekë për ditë pune, vetëm njëzet lekë, shoku Xhelil.”
Ai uli kokën, u kollit lehtë si për të kruar grykën dhe diç murmuriti. Se çfarë murmuriti nuk e di, por ka pasur të drejtë edhe të thoshte me vete: “Shih si vjen ky tekahyti, vjen si cjapi te kasapi!” Pastaj m’u drejtua:
“Të kam thirrur…”
Dhe prapë një kollitje përpara se t’ia niste.
4
Më kishte thirrur për të më komunikuar se, nga organet e rendit, mbi tryezën e tij kishte mbërritur dosja dhe urdhëri i nënshkruar për arrestimin tim. Se kush e kishte nënshkruar, do ta mësoja më vonë. Por nëse miratohej edhe në instancën e partisë, atëherë...
Ka të ngjarë që, atë çast, kam ngritur kokën lart për të parë se mos po binte tavani. Xhelili ishte ulur në tryezën e kreut, unë pranë tryezës tjetër që ishte e gjatë dhe krijonte formën klasike të T-së. Tashmë, ndërsa fliste, kishte filluar ta shfletonte dosjen fletë pas flete, të cilat dukej se të gjitha ishin të ildisura dhe të qëndisura.
Ngaqë nuk po ndalej veç e veç te secila, kuptova se nuk kishte ndër mend ta zbrazte “koburen” me gjithë ç’përmbanin kartat. Pasi më tërhoqi vëmendjen se herë pas here kisha folur qesim (Ah, ato klubet dhe “shoqëria e keqe”!), se madje edhe refuzimi im për të kaluar nga revista në gazetë kishte qenë një mufkë e papeshuar, u ndal sidomos te një dorëshkrim që, ashtu siç po ia përshkruante historikun nëpërmjet dosjes, çuditërisht rezultonte krejt i vërtetë.
Tha: Kur e ke shkruar në fillim këtë novelë, ke qenë në Kukës, mbante titullin “Njerëz që jetojnë me të vdekurit” dhe ka qenë më e shkurtër. Pastaj e ke përdorur në romanin “Burrat nuk dalin nga lufta”, një roman me gabime të theksuara ideore, që shtëpia botuese “Naim Frashëri” ta ka kthyer si të pabotueshëm dhe të paripunueshëm. Këtu (në dosje) ka analiza me shkrim prej specialistësh që e njohin mirë metodën e realizmit socialist, mësimet e Partisë dhe të shokut Enver. Heshti një çst. Pastaj: Tashti dhe diçka tjetër, ato lidhjet e ngushta me...
Sapo ndalesha të mendoja për një argument, gjysma e tjetrit më shkiste pa e dëgjuar mirë. Përveç atij romani, dy gjërave të tjera më thoshte mendja se nuk do t’u shpëtoja dot. Njëra ishte lidhja e ngushtë me Visar Zhitin, të cilin e kishin arrestuar në Kukës dhe në hetuesi, siç do ta pohonte më vonë në librin e tij “Rrugët e ferrit”, e kishin pyetur ngulmueshëm për mua. (Edhe në gazetën MAPO: “Arrestimi, akuzat dhe pyetjet në hetuesi për Zija Çelën”.) Si për t’i rënduar më tepër dyshimet dhe animin e peshores, pak kohë pas arrestimit të tij, doli nga shtypi romani im “Një verë pa lamtumirë”. Në Kukës më kurdisën një si “gjyq të lexuesve”, me protestën se përse personazhin kryesor e kisha quajtur pikërisht Visar, përse hasianët i kisha paraqitur të varfër e të paditur, siç ulërinin disa militantë në sallë dhe përse... Gazetari i Radio Kukësit, bash ai që më kishte zëvendësuar mua, i formuloi akuzat në mënyrën më të rrezikshme: Nxirje e realitetit, deheroizëm, mungesë e partishmërisë proletare. Por mbas 90-tës, Skënder Vaqarit do t’i publikohej shërbimi si hafije e Sigurimit dhe ai do ta pranonte publikisht në gazetën “Koha jonë”.
Tash e di se dosja ime, ajo që do të kishte më pas Xh. Gjoni mbi tryezë, ishte hapur që në Kukës, duke u plotësuar pastaj fletë pas flete. Jo më kot kryeprokurori Avdi Gashi, me të cilin kisha polemizuar jashtë sallës, i skuqur në fytyrë, thua se do të pëlciste prej mllefit, më kishte kërcënuar rreptë: “T’i hedhim hekurat në vend, hekurat t’i hedhim!” Por nuk arriti të m’i hidhte as atëherë, as më vonë.
Pika tjetër e dobët ishte biografia nga ime shoqe. Vjehri himariot ishte arrestuar për tentativë arratisje në grup dhe, pavarësisht politkave penale, kishte bërë shtatë vjet burg. Kjo kishte qenë arsyeja përse me time shoqe, bashkëstudenten me të cilën u kurorëzova në vitin e katërt të studimeve, na kishin emëruar aq larg, në një fshat pa dritë elektrike. Por Xhelili pati mirësinë që “njollën”, të cilën unë ia paskësha vënë vetes herët, të mos e zinte ngoje troç. Dhe kështu pata kohë të mbushesha me frymë. Në një çast, kur nuk e prisja në ato rrethana, më pyeti: “A je mirë?” Kushedi çfarë kishte kapur në çehren time, ose kishte arsyetuar në përgjithësi mbi efektet e këtyre situatave. Ia ktheva, po, mirë jam. Në fakt, me aq tym në kaptinë, isha në hava.
Ka qenë e premte, po e përsëris, se dita më ka mbetur gozhdë e fiksuar. Të premteve shtypeshin në poligrafik tetë faqet e brendshme të gazetës “Drita” (një gazetë ku para meje e “kishin ngrënë” edhe të tjerë) dhe, ndonëse shkoja mbasditeve vonë, duke dashur t’i shmangesha shtëpisë, u nisa për atje qysh në atë orë të drekës. Pasi kisha dalë nga ajo zyrë, për një gjë isha i sigurt: Nuk do të isha më ai kali i vrapimeve të lira, i prirjeve natyrale për lirinë, i dufeve që nuk m’i mbante shpirti. Atje në Kukës, në një rast i kisha rënë me grusht tryezës së shokut Sinan Demhasa, sekretarit të komitetit të partisë për ideologjinë, duke mbrojtur naivisht të drejtën e Agim Spahiut – sipas rradakes sime e drejtë kushtetuese! – për të botuar. (Me një letër dërguar drejtorisë së “N. Frashërit”, ferman që mbante vulën zyrtare dhe nënshkrimin e sekretarit, poetit i qe ndaluar botimi i librit të parë për kleçka biografie.) Tashmë më kishin vënë pengonjësen e theqafjes dhe më bëhej sikur gjunjët më ishin përgjakur nga rrëzimi i befasishëm. Nëse nuk isha arrestuar me atë dosje, siç do ta mësoja më vonë, kjo vinte se për njerëz publikë urdhri i arrestimit eksekutohej mbas miratimit të partisë, partia – shtet, në atë rast Xhelil Gjonit. E unë, siç m’u tha, “hyja te shkrimtarët e talentuar”.
5
Rrugës për në shtypshkronjë kujtoja shumë halle, si çdokush në vend tim. Bluaja me vete se, po të kisha hyrë në burg, ç’do të bëhej me familjen, cili do të ishte fati i fëmijëve, do t’i internonin së bashku me time shoqe?! Atëherë im bir ishte dymbëdhjetë vjeç, ime bijë dhjetë. Unë isha tridhjetë e gjashtë, pikërisht në moshën që Dritani do të mbyllte sytë nga një sëmundje e rëndë. Por nëse disa sëmundje na i çon Zoti, si të ishte pak despotizmi totalitar, mjaft nga ligësitë shkatërruese ne ia çonim (e ia çojmë) edhe vetë njëri-tjetrit! Kujtoja e rikujtoja akuzat, mundësinë e burimit të tyre, nga dhe si ishin mbledhur. Për sa më kishte thënë Xh. Gjoni, kishin qenë të sakta. Këtë s’mund ta mohoja. Edhe dorëshkrimet e novelës e të romanit ekzistonin, i kisha ende, i kam edhe sot bashkë me përgjigjen e redaksisë dhe katër recensionet, pesë materiale të egra, që në dosje ndoshta ishin përfshirë si “dokumentime”.
“Njerëz që jetojnë më të vdekurit” e kisha shkruar më 1973, ishte 56 faqe të daktilografuara. E kisha qarkulluar te disa duar në Kukës, shkrimtarë e jo shkrimtarë. S’e mbaj mend mirë nëse e çova edhe në Lezhë. I ndjeri Agim Spahiu, Visari dhe unë ishim të lidhur me djemtë e talentuar të Lezhës dhe, kur e kishim të mundur, jepnim e merrnim dorëshkrime origjinale apo përkthime. Disa nga këto përkthime me emra të rremë, me gjasë përkthime të Rudolf Markut, të cilat i daktilografoja në tri-katër kopje me Olivetti-n tim, i ruaj gjithnjë. Natyrisht, me ato ngarkesa që kishte, “Njerëz që jetojnë me të vdekurit” nuk kisha guxuar ta paraqisja për botim. Por është e vërtetë se e ripërdora më 1974, kur shkrova romanin e parë “Burrat nuk dalin nga lufta”, të cilin e paraqita njëherësh edhe për konkursin e vitit, edhe në shtëpinë botuese “N. Frashëri”. Nuk vonoi dhe në Kukës erdhi haberi se romani po shihej si skandal nga juria e konkursit dhe dikush më këshilloi se më e mira që mund të bëja, ishte ta tërhiqja sa më parë. Nuk m’u lejua ta tërhiqja.
Ndërsa përgjigjja që erdhi nga “N. Frashëri”, bashkë me reçensat, ishte shpartalluese. Aty paditesha edhe për çfarë as e kisha pasur ndër mend kur shkruaja. Sepse vetëm një i çmendur mund të vetëdenoncohej açik me tekstin ashtu. Ndër të tjera, ja ç’thuhej në përgjigjen e redaksisë së prozës:
“Romani nuk ka hero pozitiv e kjo rrjedh ngaqë vëmendja e shkrimtarit nuk është përqëndruar në ato fenomene që janë tipike për jetën tonë, sepse ajo është përqëndruar më shumë në “hijet” sesa në “dritat”. Në shumë skena dhe episode mishërohen ide pacifiste e disfatiste. Ideja e pacifizmit lidhet me atë të humanizmit mbiklasor, që pasqyrohet në keqardhjen e mëshirën kristiane... Të katër ish-partizanët që kanë ardhur në festën e brigadës (...), përshkruhen kryesisht si njerëz të shushatur, ndonjëherë të paekuilibruar dhe që rrojnë me ankthin e vdekjes. Fizionomia e tyre shpirtërore nuk është ajo e luftëtarëve komunistë, “burrat” të kujtojnë heronjtë e Remarkut e të Olldingtonit, ata janë heronj të lodhur nga “lufta”. Mbizotërimi i personazheve negativë në këtë linjë e përgjithësisht në tërë romanin krijon përshtypjen e gabuar se jeta jonë, vendi ynë socialist, është mbushur tej e ndanë me psikopatë, me mediokër, meskinë e burokratë. Urgua, që është i vetmi personazh pozitiv, paraqitet inaktiv, në rolin e një soditësi. Ku është ndikimi i ambientit punëtor tek ai, dhe aq më tepër te personazhet negativë?!.. Kjo zgjidhje e stisur të çon në idenë se lufta klasore në gjirin e popullit nuk duhet bërë, se revolucionarizimi i ndërgjegjës se njerëzve është një proçes i vetvetishëm. Ju keni pajtuar në mënyrë arbitrare dy gjëra që s’mund të pajtohen, dy ideologji armike. Si konkluzion, duhet të themi se ju keni krijuar një vepër mbi një platformë ideo-artistike të gabuar, shumë të dëmshme. Romani juaj “Burrat nuk dalin nga lufta” nuk vlen për botim dhe s’ka mundësi ripunimi.” Shtoni këtu edhe vrullin e recensionistit shkrimtar, të ndjerit F. Gjata, që për shkaqe të kuptueshme të ndjeshmërisë së lartë, tingëllonte si pretencë e gatshme: “Mund të mendohet, për shembull, se ideja qendrore është vetë titulli “Burrat nuk dalin nga lufta”. Por kush lexon librin, del me konkluzionin e kundërt... Pasqyrimi i festës së brigadës (partizane) më shumë nëpërmjet syve të Dermanit e të zonjës Bektashe, që shpifin si armiq për veteranët, e jep festën pa emocione, pa entusiazëm, si një gjë amorfe dhe e nxin atë, përderisa në mend na mbetet mendimi reaksionar i Derman Dermanit se “njërin e rrasën brenda”, kurse për të tjerët kërkon të dijë se sa nga ish-partizanët kanë shkelur ose devijuar nga vija politike, që ka caktuar PPSH-ja. Autori nuk merret me thellimin psikologjik të tyre (personazheve), por nxjerr në plan të parë fobitë, bile edhe deliret që janë karakteristikë për të sëmurët psiqikë dhe njëkohësisht karakteristikë e letërsisë dekadente borgjeze. Të gjitha këto janë të papranueshme për metodën tonë të realizmit socialist.”
Tani përfytyroni gjyqin për një çast. Siç kanë dëshmuar përvojat e atëhershme me nenin e agjitacionit e propagandës, çfarë do t’i duhej më tepër prokurorit për akt-akuzën?!
6
Kur Ramiz Alia u zgjodh President i vendit, Xhelil Gjoni u bë numri Një i partisë. Po të gjykohej nga karriera e gjatë, si dhe nga rrethanat kur veteranët e Byrosë dhe përgjithësisht nomenklatura e ndryshkur u treguan nul përballë realitetit të ri politik, kjo ngjitje e Gjonit ngjante e pritshme. Mirëpo në këndvështrimin tim, e jo vetëm timin, shihja dy papajtueshmëri. Së pari, me udhëheqësit e monizmit do të vonoheshin proçeset e instalimeve demokratike dhe vetë rinovimi i së majtës. Unë mendoja se vendi duhej të shkonte djathtas dhe se këtë mund ta bënte më shpejt, por edhe më bindshëm e djathta e sapoformuar. Pavarësisht se i kishte fituar zgjedhjet e para, e majta duhej të përgatitej për të kaluar shpejt në opozitë dhe rotacioni (nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme) nuk duhej të sillte as shkallmimin dërrmues të së majtës, aq sa të katandisej në opozitë parlamentare krejt raketike, as mospranim për dorëzimin e pushtetit, pra konflikt e dhunë. Sa ishte i përgatitur për këtë, në krye të partisë, Xhelil Gjoni?
Së dyti, zoti Gjoni gëzonte namin se përfaqësonte krahun e ashpër, atë më konservatorin në parti. Ky opinion ishte i përhapur gjerësisht, madje tashmë (dukej se po e merrte ferra uratën dhe ajo qeveri s’e kishte të gjatë) e trumbetonin edhe një pjesë prej atyre, që më parë ishin mburrur për një kafe me shokun Xhelil. Fjala që kishte mbajtur në të ashtuquajturin miting të Tiranës kundër emigrantëve, që u larguan nëpërmjet ambasadave të huaja, kishte qenë aq kategorike dhe dogmatike, sa të krijohej bindja se ky lider ishte i pandreqshëm dhe i përkiste përfundimisht së kaluarës.
Unë kisha shumë distancë me zotin Gjoni, në kuptimin se nuk kishim asnjë marrëdhënie, as ndonjë takim qoftë dhe të rastit, madje s’isha i sigurt se çfarë mendonte për mua, sa peshë do të kishte tek ai fjala ime prej shkrimtari dhe personi publik. Sa më takonte privatisht, ruaja kujtimin se me dashjen e tij apo ndonjë rekomandimi nga instanca më të larta, kisha shpëtuar nga dera e burgut. E megjithatë, arsyetoja se zoti Gjoni duhej të tërhiqej nga politika, sidomos nga lidershipi politik. Afërmendsh se kishte njerëz, të cilët mendonin po kështu edhe në kampin e tij. Po përse nuk ia thonin ata që kishte rreth e rrotull?! Sepse disa i mbanin me thonj postet që kishin trashëguar ose kishin kapur, sepse disa të tjerë ishin të rinj më ambiciozë dhe, në heshtje, bënin llogari për të sulmuar e përparuar në karrierë në kohën dhe vendin e duhur. Mirëpo i gjithë ky stopim, i spërkatur edhe me makiavelizëm, shkonte në dëm të zhvillimeve të përgjithshme. Shkurt, kisha përshtypjen se askush s’e kishte çelur gojën para shefit të tyre të madh për t’ia sugjeruar dorëheqjen. Një partiaku të majtë, që ia kërkova ta bënte, mblodhi supet e më pa i trembur, si të kishte para syve ndonjë të krisur. Atëherë vendosa ta hidhja unë atë hap. Po si, kur nuk kisha as numër telefoni?! E sigurova nëpërmjet Halil Lalajt, që më vonë u bë dhe deputet i PS-së.
Kur i rashë telefonit në prani të Halilit, i thashë se isha filani dhe se dëshiroja një takim për të nesërmen, Xhelil Gjoni më habiti me gatishmërinë. Pa asnjë mëdyshje, pa asnjë naze të njeriut të pushtetshëm, tha: Patjetër.
Lamë një orë për në mëngjes.
7
Në selinë e Komitetit Qendror u paraqita nga porta ndanë bulevardit të madh dhe kisha gati letërnjoftimin për në sportel, ku do të merrja fletë-hyrjen. Por duket ishin njoftuar, më thanë se nuk ishte e nevojshme dhe, në mos gabohem, një nga rojat civile më shoqëroi nëpër shkallë.
Shoku Xhelil po më priste, e gjeta duke bërë ecejake në korridor dhe më priu menjëherë në kabinetin e tij. Po shiheshim pas aq shumë vitesh.
Vallë, çfarë kishte menduar paraprakisht? Kam përshtypjen se me intuitë diç kishte nuhatur. Nuk dha asnjë shenjë nervozizmi, ruante një qetësi të jashtme dukshëm bujare, veçse unë mund të hetoja një tis të brendshëm trishtimi, ndoshta nga parandjenja kur njeriu pret se diçka e afërt, diçka që mund ta kesh marrë me mend, tashmë do të ndodhë. Zumë vend thuajse si dikur, ai në tryezën e kreut, kurse unë në krahun e tjetrës, asaj që formonte zgjatimin e T-së, një modë e rrënjosur me kohë. Po ta shihje me ngasjen për t’i dhënë ndonjë simbolikë asaj forme, i ngjante bishtit dhe kokës së çekanit.
Me të këmbyer fjalët e para, që rëndom janë parazite, ia nisa:
- Shoku Xhelil, kam ardhur për t’ju thënë që të jepni dorëheqjen...
Më dëgjoi pa më ndërprerë, derisa numërova argumentet. Kujtoj se kishte ngritur bërrylet në tryezë dhe, mbi pëllëmbët e gërshetuara, kishte mbështetur kokën e rëndë prej burri pozant. Teksa flisja, ai trishtimi i brendshëm pak nga pak po i bëhej më i dukshëm, duke kaluar deri në brengosjen njerëzore. Kur foli, dyshoj se sytë i kishte pakëz të lagështitur, por nuk ishte kjo që më habiti. Më habitën fjalët e tij, kur tha:
“Në të vërtetë, tri ditë më parë ia kam paraqitur dorëheqjen shokut Ramiz, por nuk ma ka pranuar. Unë…”
Ishim vetëm apo edhe dikush tjetër, në një zyrë tjetër, e dëgjonte bisedën tonë nëpërmjet mikrofonave të fshehtë? Teprimet me prirjen e dyshimit, ndonëse ishte vetë koha që i cyste, nuk vlejnë gjithnjë. Ne e vazhduam një copë herë bashkëbisedimin, madje po ua kthej “kusurin” mburracakëve të dikurshëm, në atë takim piva edhe kafe me shokun Xhelil.
S’e di sa kam pasur të drejtë në hapin që hodha. Ndoshta respektova ndërgjegjen, bindjen time, por edhe të një shumice civile që, në çdo kohë, në një mënyrë disi misterioze sikur ia delegon dikujt kërkesën e saj. Askush nuk vjen që të ta thotë, por vetvetiu ndihesh i ngarkuar me atë detyrë.
Sidoqoftë, koha dëshmoi se kur Xhelil Gjoni vajti në parlament si deputet i së majtës, stima për dialog e kompromis herë-herë u shfaq tek ai në atë masë, sa mjaft mëtonjës të atij kampi, edhe pse më të rinj për nga mosha, në mentalitet ngjanin më të vjetër.
8
Siç shihet, kanë kaluar shumë vite nga takimi i parë, por goxha edhe nga i dyti. Asnjëherë nuk kisha folur as për të dytin, as për të parin. Pas viteve ’90-të nuk i botova dorëshkrimet e atëhershme, as novelën “Njerëz që jetojnë me të vdekurit”, as romanin “Burrat nuk dalin nga lufta”. Zakonisht nuk kthehem mbrapa, sepse në krahasim me çfarë kam shkruar dje, më rrëmben më tepër çfarë do të shkruaj sot. Por botova libra të atyre që e kishin vuajtur burgun, libra të Maks Velos, Visar Zhitit, Kasëm Trebeshinës, etj. Por edhe nga tipologjia e librave të ndaluar, bie fjala “Përbindëshin” e Kadaresë, që autori ma kishte besuar pak para arratisë.
Sidoqoftë, mbase edhe pë kureshtje, lexuesi ka të drejtë të pyesë nëse, gjatë bisedës së lirë në takimin e dytë, iu kthyem ndopak me Xhelil Gjonin asaj çfarë kishte ndodhur në të parin. Po, iu kthyem. Mësova se urdhri për arrestimin tim ishte nëshkruar nga Nusret Dautaj, drejtor i Drejtorisë së Punëve të Brendshme. Mësova edhe ndoca të tjera, por më tutje nuk pyeta... Qysh në fillimet e pluralizmit kam shkruar e kam folur publikisht: Në hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të përfshihen edhe shkrimtarët. Madje të përfshihen vullnetarisht, duke nisur prej meje. Veçse asnjëherë nuk kam harruar të bëj një theksim. Tekefundit, unë s’kam ndonjë ngulm për të ditur nëse dikush më bëri keq mua, por dua që të tjerët ta dinë patjetër nëse unë i kam bërë keq ndokujt.
Sa për atë tërheqjen misterioze... Po, edhe në realitetin e sotëm e atillë më ka mbetur. Herë-herë, më vjen të mbath kundrat e reja, të vë një kravatë të zezë dhe, me një qiri dylli në dorë, t’ju trokas në derë ca partiakëve e funksionarëve të rangut të lartë: “Tak-tak!” “Kush je?” “Një shërbëtor shpirtrash.” “E me çfarë kumti vjen?” “Vij që t’ju kërkoj dorëheqjen...”
Vetëm për një gjë s’e kam ndarë mendjen ende, kur dhe cila do të jetë dera e parë, ku do të trokas.

Mittwoch, 2. Mai 2018

Faruk Tasholli: TRI POEZI PËR NJË LEGJENDË


SHIKIMI MBI SHKODËR
ME SYRIN E ROZAFËS

Sytë e mi nuk e shohin Shkodrën
Pa syrin e Rozafës nën gur
Që fryn e fryn Bunën e lotëve

Si të ngjitem gurëve të rrëshqitshëm
Latuar me atë lëng syri shekujve
Te rrënjët e Legjendës

Si ta zë Shkodrën me atë shikim të etur
Të atij syri që kullon dhembshuri
E nuk ka kush ia fshin qerpikun

Po dal me ty e dashur butësisht
Në majë të majës kështjellës së ashpër
Ta di më në fund çka është gruaja
Që ia ruan fytyrën qytetit

Vetëm syri yt ma kthen shikimin
Ta zë Shkodrën me zemër
Ku vesa e dashurisë njomë ndjenjat
Bregut të etjeve të Drinit



GURËZIMI I ROZAFËS

Mjeshtër dhe vrasës njëkohësisht
Iu sulën atij trupi me butësi gruaje
E futën mes gurëve egërsisht
Për ta gurëzuar atë qenie të brishtë

Mjeshtër dhe vrasës njëkohësisht
E falën vetëm atë sy gruaje çuditërisht
Të qajë për fatin cung të jetimit
E ta ulë Shkodrën deri në asht
Me vajtimet e shirave të vjeshtës

Mjeshtër dhe vrasës njëkohësisht
Tretën nën dhé a ikën qiellit si pluhur
Pa emër pa varr pa histori

Vetëm emri Rozafë u ngjit mbi kështjellë
E valon mbi të gjithë flamujtë
Në të gjithë qiejtë mbi kurrize malesh
Pas dashurisë së flijuar nga duar të egra



BREDHJET E JETIMIT

Nëpër rrugët e Shkodrës bredh pa fund
Jetimi i vetmuar me sy të përvajshëm
Duke kërkuar deri në breg varri
Hijen e Nanës që e tresin mëngjeset

Malli i tij varet si balonë e fryrë
Në retë e mbushura qumësht të ngrirë
Si malli pëlcitës i Filip Shirokës

Ai bredh e bredh pas hijes së Nanës
Pas asaj hijeje që përpihet nga hijet e maleve
Pas asaj hijeje që e fshehin avujt e lumenjve
Ku takohen në atë cep të Shkodrës

Nëpër rrugët e Shkodrës bredh jetimi
I vetmuar i humbur derisa pret mbi kokë
T'i bie përkëdhelja e dorës së Nanës
Ajo dorë e mbetur përjetësisht e ngrirë
Që ia fryn atij detin e mungesës