Freitag, 26. Februar 2016

Pozaet Qose - Cikël poetik

U lind në Sojnik të Gramshit në vitin l964 dhe aktualisht ështe mësues i letërsisë e gjuhës shqipe në gjimnazin “Shefqet Guzi”. Është poet, tregimtar e publicist. Mjaft krijime të tjera letrare e shkrime publicistike i ka botuar në organe të ndryshme të shtypit të përditshëm e atij periodik, si në revistën e përjavshme letrare “Obelisk” dhe gazetat “Drita”, “Temp”, “Ndryshe”, “Albania” “Nacional”, “55”, etj. Ka qenë Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Është Anëtar i Klubit të Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë “Drita”.

Ka botuar përmbledhjet poetike:

  • "Jam rob i fatit tim".
  • "Sytë e së panjohurës".
  • "Tek ëndrra mbeta".
  • "Panairi i absurdit".


ZGJEDHJE

Mes dhjetëra, qindra rrugësh për të vdekur,
Do zgjidhja që të vdes nga dashuria.
Do thoshnin në përcjellje, duke qeshur:
I gjori, iku skiç nga marrëzia!

Të më besoni, s’desha vdekje tjetër,
Dhe sikur të më premtohej prapë ringjallja,
Sepse harresa, porsi shtrigë e vjetër,
Do shfaqej si një zanë, që e vret falja.

Do shkoja buzagaz për te kjo vdekje
Sepse, si një ulli do mbillja veten,
Të tjerët, si një mjegull e trishtë vjeshte,
Do të kërkonin verbër buzëqeshjen.

Kështu do kisha dashur ta kem ikjen,
Me arkëmort ylberi të shumëngjyrtë,
Që kohës t’i dhuroja ngutshëm shijen,
Si ëndërr dhe të mishtë, dhe të ylltë. 



PËR AJO-NË

Ajo te fjalët ka litarë argjendi,
Dhe te vështrimi ca magnetë të verbër.
Atje i mjeri lypës ndihet dendi,
Dhe s’lyp, si çek pagese, asgjë tjetër.

Ajo-ja shkel në shtigje të kristalta
Dhuron thesar e nuk kërkon qindarkë,
Lind diej maji orësh të acarta,
Thur tinguj këngësh nëpër terr të prapë.

Kush është ajo-ja? Po ç’e vrisni mendjen,
Është dita juaj, si një ftesë e dielltë.
Ju pëshpërit ta kyçni skutash dhembjen
Dhe ta çlironi foshnjëz të pranvertë...



ÇDO NATË

Të thjeshtën lutje nis çdo natë drejt teje,
Kur gjumi, si postier pa ligësi,
Sjell shenjat, që i nis bujarja vdekje;
Të zezën baltë e lotët si stoli.

O perëndi, më mbaj larg nga e keqja
I pëshpëris asaj me përgjërim,
Që me sy ferri të mos më shohë jeta,
Se nuk kam shans t’i jap tjetër fillim.

Çdo natë i flas agimit, që në ardhje
Të mos më çelë veç sytë prapë me hare,
Por të ma ngrohë shpirtin nëpër mardhje
E të më thotë; beso se tani je...


PO BIE NJË KËMBANË

Po bie një këmbanë. Unë, vetmitari,
Nuk di ç’të bëj prej tingujve të saj;
Të dimërohem heshtur, si janri,
Apo të zhurmëroj si bletë në maj.

S’e di çfarë fsheh ky çast, si plagë tingujsh,
Një lindje a një vdekje rri atje?
Por lajmi në të njëjtat pranga qëndron lidhur;
Veç një këmbanë ndan fatin tonë mbi dhe.

Dikush mund ta shpërfillë lajmëtaren
Dhe t’i krenohet bronzit, si një cub,
Por unë nuk mundem t’ia mohoj dot gjalljen,
Se bashkë me të dhe vetë do mirrja fund.

Po bie një këmbanë në zemrën time
Dhe zgjon ajo çdo gjë që fle tek unë,
Si bulkthi, me thërrmija terri, drite,
Që ëndrrave përkund misterin gjumë.



THIRRJE

E bukur, po ku humbe, moj e lojtur,
U bëre ti parfum apo qiri?
Në kopësht zoologjik hapësirën rrotull
E ktheve nga mëria me mëri.

E bukur, sot unë jam tablo muzeu,
Dikë pres të më vjedhë, me kokë në torbë,
Të shkumbem, si një dallgë prej Egjeu,
Të ziej veten, porsi mish në vorbë.

E bukur, moj e bukur, sa të hidhur
Kjo ikja jote gjurmën lë pas teje
Dhe bëhet një përhumbje e përndritur
Dhe shkrumb i pamëshirë i një rrufeje!


DEVOLLI DERDHET NË DY DETE

-poeteshave te qytetit tim, Leidit, Rudinës dhe Enkeleidës-

Devolli derdhet në dy dete,
Por s’ka në ta të njëjtin fat,
Sepse, kur shuhet ndër poete,
Rilind në qindra vargje prapë.

Kur njëri butë i shuan dallgën,
Dhe e kthen heshtur në një qengj,
Tjetri ia shton atij rropamën,
Në zjarre fjalësh, si ortek.

Oh, ç’fat prej princi ka ky lumë,
Kur ndër poete shkumbëron
Dhe gjithnjë mbetet i pagjumë,
Si varg që klith e që këndon!

Kështu e paska shkruar fati
Të ketë dy dete për pasqyrë,
T’i kthehet në ylberë inati
Dhe valë e dallgë në trëndafilë...

_______________
Për Revistën elektronike "AlbPlanet", Kujtim Stojku

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen