Mittwoch, 4. Mai 2016

Cikël poetik nga Bajrush Zeka

Bajrush ZEKA
NOSTALGJI BALTE

Dhe shi kot bie,
Më nuk na shkel këmba në baltë,
Në atë baltën e qullët, kllëk, kllëk,
Jo, jo, nuk kemi më baltë!

Tani këmbët tona shkelin mbi asfaltin,
Kërsimat e këpucëve, taket e larta,
Kanë ndërruar tungujt në tak, tak, tak...
E zemrat janë bërë të akullta,
Janë bërë beton, për besë!

Sepse butësia e baltës 
Më nuk i ushqen
Prandaj kanë harruar 
Atë thënien e vjetër
Për baltën dhe mjaltën.

Arat, fushat e malet me lisa të gjatë,
I kem betonuar, bashkë me oksigjenin,
Ushqim i domosdishëm
Të mushkërive tona,
Edhe bari njomë dhe gjethet
Në zabelin tim qajnë!

Edhe trëndafili, 
I rrethuar me ferra murrizash,
Mundohet të shfaqet, 
Të hapë petalet,
Për të na thënë:
Hej, ja ku jam!

E bukur, ore, e bukur, si atëherë,
Më shijoni mua!
Mos u dashuroni 
Në asfalt e në beton!

Ah, trëndafili pa zë
Thërret fuqishëm, 
Me bukurinë dhe aromën e tij,
Sa herë kot bie shi
Të qullë mallin tonë
Për pak baltë.

01.05.2016

KLITHJA E DHEMBJES

( piktura e Artistit, Naski Art Abdixhiku )

A thua? 
A thua pse? 
Jeta jonë ka kaq shumë plagë, 
Fati ynë i lyer më kaq shumë helm
Pse sillemi në rreth e përreth, 
Strumbullararë me bari të thatë?!

Pse sillemi e pështillemi, 
E prapë, e prapë 
Fillojmë nga e njëjta pikë, 
Aty ku kemi filluar, 
Asnjëherë punë pa përfunduar!

Pse? 
A di dikush të më thotë? 
A thua na ka nëmur Zoti, 
Apo vetë toka? 
Gjaku, gjaku na ka nëmur!

Pse shqiptari duhet të rrijë në vend, 
Ose të kthehet me vite prapa, 
Në vend që të ecë para.

Pse duhet gjithmonë të flasim? 
Të gërvishtim plagët? 
O njerëz! 
Po dhemb, 
Shumë dhemb, 
Ore, kuptoje një herë e mirë, 
Po dhemb kjo zezonë!

Nuk më vjen turp 
T’ua them me lot: 
Po dhemb!

Ah! Pse ore, pse 
Më bëni të shpupurish 
Hirin e vjetruar 
E të djegë duart 
Në gacat e skuqura, 
Tash e atëherë, 
Kur dhe druri, 
Kur digjej ofshante 
E nxirrte zjarr nga goja, 
Se nuk duronte më, 
Merreni me mend!

Ah, kur e shpupurish këtë hi, 
Bëhem hi dhe vetë, 
S'kuqem si prush 
E zemra më rrah me hov, 
E fshaj, fshaj, fshaj, 
Klith me gjithë fuqinë që kam, 
Sikur atëherë, 
Kur mora në zemër shtatë plagë.

Përditë më shtohen këto plagë, 
Nga shtatë të tjera 
Mjaft! Mjaft! Mjaft më!
Dëgjojeni klithjen e dhembjes!
Bajrush Zeka, 29.04.2016

URATË DJALLI

O gërryeni, gërryeni me thonj!
Nën tokë, mbi tokë, tejpërtej!
Gërryeni të gjitha të mirat e botës!
Të kësaj toke, të mbushur me varre,
Deri sa vrerë t'ju bëhet.

Merrni, merrni sa të mundni!
Mbushni xhepat, thasët plot!
Futni edhe në gji,
Se bota është bërë juaja!

Merreni edhe fatin e të tjerëve!
Jetoni ju, për të tjerët!
Merrni, o burra të dheut, se ka mjaft!
Për plancin tuaj, për miqtë tuaj!

Hajeni lumturinë e të brishtëve!
Pijeni fatin e tyre me verë e raki!
E me mish të njomë!
Nëpër hareme, nëpër sallone.

Me fjalë barbare, hani e pini!
Ama, jo me fjalë shqipe!
Hani, pini, rrush e kumbulla bëjeni vendin,
Deri sa të ketë puthadorë me temena!

Hani e pini sa të mundni!
Edhe leckat e të varfrit hajini!
Gjithçka hani, asgjë mos lëni,
Ju të mjerët e këtij vendi!

O, merreni, hajeni edhe atë pak shpresë,
Që diku në qoshe njeriut i ka mbetur,
E ndoshta ngopeni ndonjëherë,
E vdisni, zhdukeni nga kjo faqe e dheut,
Për të mos u kthyer më kurrë, kurrë.

Shkoni bashkë me mallkimin tim,
Shkoni në djall!

24.04.2016

LËVIZJE URBANE

Disa zgjohen herët në mëngjes,

Të mërzitur, të përgjumur,
Të lodhur nga terri natës,
E dita u sjell trishtimin,
Të trullosur kalldrëmeve të qytetit,
Duke shikuar jetën si hije,
Jo si burra e gra,
Që zëshëm thërrasin jetën,
E janë në paqe me vetveten.

Ah, disa ia mësyejnë vendit të punës,

Duke filluar mëngjesin me një kafe,
E ekzekutojnë urdhra nga lart,
Për të varfëruar dhe më të vegjlit,
E mikrofonat nëpër minare
Prishin qetësinë në mesditë.

Kambanat e kishës dhimshëm godasin,

Njeriu në mes tyre,
Ndjen frikë, ndjen trishtim.

Vdekjen, vdekjen e thërrasin,

Nuk është uratë, është mallkim,
Në gjuhë të huaj flasin,
Në vend të gabuar kërkojnë shpëtim,
Duke përbuzur të mirat tona,
I shtrojnë vendit një çilim,
Që nuk i vje taman,
Nuk i rri mirë!

23.04.201


GËLLTIS DHIMBJE SONTE

Gëlltis dhimbje sonte,
Një nga një i gëlltis,
Tretur në lot,
Në këtë natë të gjatë,
Që zgjatet si dhimbjet.

Gëlltis dhimbje sonte, 
Si portretet e fundit në rrugë,
Kur një erë vjen e fortë, 
E u kërlesh flokët dhimbjeve, 
Që të ngjajmë,
Me lisa degëgjerë.

Dua të ik në një vend tjetër,
Ku nata është e qetë,
Pa mjellma mjegullash 
Të jetë dhe rruga
Dhe dhembjet
Të mos u ngjajnë 

Të premteve të zeza!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen