Donnerstag, 28. Juli 2016

Nehat Jahiu: Art muzikor apo komercializëm?!..,

Veprat artistike kryejnë një shërbim të rëndësishëm në jetën shoqërore, duke zgjuar tek njerëzit ato synime, idealet dhe nevojat shpirtërore, stërhollojnë shijen e tij ndaj të bukurës dhe ushtrojnë ndikim të fuqishëm edukativ në formimin e personaltetit të tij. Për tu shijuar një vepër artistike si duhet, lypset të ketë shije artistike te njeriu, ndërsa e gjithë ajo mund të arrihet duke u paisur me njohuritë elementare të artit përkatës, kështu njëherë ato na duken më të kuptueshme , me të afërta, më të bukura, më të dashura dhe e kënaqin lexuesin dhe dëgjuesin. Njeriu nuk mund të argëtohet as nuk mund  të shijojë si duhet një vepër artistike, nëqoftëse nuk e ka estetikën e vet. Çdo vepër artistike  duhet të ketë të bukurën dhe të pësosur në vetvete që ka një farë vlefte e që na pëlqen fort, pra edhe kënga dhe muzika e saj duhet të ketë këtë. Pra, artisti është ai i cili di dhe duhet të vërej më së miri se ç,është e rëndësishme dhe e vlefshme, duke i dhënë trajtë më të pasur e përmbajtje të zgjedhur veprës së tij.  E atë mund ta arrijë duke ia dhënë mjetin e tyre. Muzika është njëri nga artet që e shijojnë me anë të shqisës e të dëgjuarit. Në kohën e fundit jemi dëshmitarë se për çdo ditë pasurohemi me këngëtarë të rinj që na lindin si këpurdhat pas shiut, ndërsa këngët e tyre të inçizuara nëpër kaseta dhe…, dita- ditës vijnë  duke u shtuar, e muzika shqiptare pasurohet me një fond të pasur këngësh, qoftë me atë popullore, folklorike, zbavitëse etj. Këta këngëtarë aq na e kanë kultivuar dhe po e kultivojnë artin shqiptar, gjegjësisht muzikën, saqë e kanë ngritur në një” nivel” dhe “pediestal” të lartë,kështu që duhet ndalur dhe menduar shumë për të dhënë   një përgjigje. – A thua vallë kemi pasur, por ndoshta nuk kemi pasur këngëtarë të talentuar që ti kompononin dhe ti këndonin siç komponojnë dhe i këndojnë disa nga këta  këngëtarë “ të talentuarë” që po na lindin si meteorë ?! Sot këta këngëtarë “ të famshëm “ aq na kanë shkuar lart saqë vetë na e shkruajnë tekstin e këngës, vetë e komponojnë, vetë e këndojnë, e çka jo tjetër. Vetë  këngëtarë, vetë producent, vetë recensent, vetë..., e çfarë jo tjetër??! Po me siguri ndoshta ashtu e do koha, pra me një fjalë, koha e bëka të veten...Koha pluraliste, demokratike, kush qysh të doje, secili siç di vetë, siç ia merr mendja. Po, me siguri ndoshta ashtu duhet, ashtu e kërkon Evropa dhe bota. Po me siguri ndoshta edhe ata i kanë pranuar disa  këngëtarë “profesionistë” me këngët e tyre “shqipe” të modernizuar në Bashkësinë e tyre evropiane, e botërore. Sepse një numër i madh i popujve të Evropës e të botës në këngën e këtyre këngëtarëve ose “ambasadorëve” të melosit shqiptar, siç na i quajnë disa gazetarë gjatë promovimit të kasetave , CD-ve  dhe..., të tyre në radio, televizione, gazeta etj. Po me siguri  do ti kuptojë Evropa dhe bota, sepse këndohen me ” shqipe” të kulluar, të mbushur plot e përplot fjalë të huaja, barbarizma dhe..., që nuk i duron fjalori i gjuhës shqipe, por as ai evropian e botëror. Disa prej tyre aq kanë shkuar lart, janë afirmuar dhe i japin të drejtë vetes që këngën e inçizar  në një kasetë apo..., ta inçizojnë në tjetrën, vetëm duke ia ndrruar dy- tri fjalë ose emrin, që në njërën kasetë ta pagëzojnë me emrin Ali Hoxha e në tjetrën Hoxhë Alija. Tjetri në bëhet aq “profesionalist” dhe njohës i mirë i muzikës saqë ia kalon në profesionalizëm atij që me të vërtetë është profesional në lëmin muzikor...! I jep të drejtë  vetes që të punojë në ndryshimin e këngëve të krijuara nga shpirti i popullit me lloj-lloj ndryshime kujt si ti teket dhe ti konvenojë. Atë ai e bën si ta kishte kultivuar vetë, e jo populli që e kultivoi dhe e ruajti shekuj me radhë. Kësaj nuk mund ti them  asgjë tjetër pos bastardhim i artit shqiptar nga ata  që nuk dinë fare se çështë arti dhe çfarë vlera ka ai. E gjithë kjo bëhet vetëm e vetëm për një komercializëm të mirë e për art të dëmtuar e të sakatosur që nuk duhet ndejtur duarkryq. Duhet të kemi kujdes të madh që mos të na humbë gjithë ajo që e kemi me vlerë të madhe në artin tonë muzikor. Njerëzit  që merren me lëmin muzikor njohës të mirë të saj, e që besa nuk jemi pa to, duhet njëherë e përgjithmonë ta thonë fjalën e tyre, sepse ndoshta dikur do të jetë vonë. Askush nuk është kundër telentve dhe talenteve të rinj e të reja, ata edhe duhet ndihmuar, por s’duhet lejuar që me ta dikush të manipulojë, ti fusë në grackë e të luajë me ta dhe me artin tonë duke shikuar vetëm anën – komerciale. Njeherë e përgjithmonë  duhet thenë stop! Duhet ndalur hovin disa “kuazi patrotve” të cilët me inçzimin e disa kasetave të ndryshme dhe të lloj-llojshme pasurojnë tregun, mbushin xhepat e tyre, ngarkojnë popullin, e dëmtojnë këngën dhe muzikën, gjegjësisht tërë artin shqiptar. Flitet dhe shkruhet nga ndokush se në një numër të madh të këtyre këngëve  e ndoshta te të gjithë ka tekst që koorospondon me atë origjioinalen dhe autoktonen që fare nuk është e vërtetë. Por, së fundi besoj se njohësit e mire të muzikës do ta japin fjalën e tyre dhe nuk do të lejojnë që të luhet me artin. Kështu ,ai do të krijohet me një mbikëqyrje profesionale e cilësore që do do të ketë shije artistike e ti kënaqë artdashsit muzikor shqiptarë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen