Mittwoch, 3. April 2019

Ofensiva e tmerrshme serbe e 2 prillit 1999 në Gjakovë


Shkruan: Naxhije DOÇI

(Fragment nga libri "SHPIRTI I DËRMUAR - Dhuna serbe ndaj femrës shqiptarë në Kosovë 1997-1999“, botuar në vitin 2001

Menjëherë pas luftës së tmerrshme dhe të pabarabartë serbe në Kosovë, vizitova shumë vende nëpër Kosovës, që të bisedoja me familjet me të vrarë të shumtë dhe me të masakruar e të kidnapuar. Gjatë vizitave mbaja edhe shënime për përjetimet dhe pësimet e gruas shqiptare dhe përgjithësisht të popullit shqiptar të Kosovës gjatë luftës së tmerrshme, se mendoja që t’i vëja në letër ngjarjet e tilla. Nga një logjikë e tillë, ndër vizitat e bëra nëpër familjet shqiptare në anë të Dukagjinit, më 15 e 16 mars 2000 vizitova edhe disa familje në Gjakovë dhe konkretisht për fillim vizitova shtëpinë e Xhemil e Nakije Cakës, gjyshërve të djalit 10 vjeç, Dren Caka, të shpëtuarit të vetëm nga masakra serbe mbi të strehuarit me gra e fëmijë në shtëpinë e Lulzim Vejsës, në Gjakovë, për të cilin rast kam shkruar gjerësisht, diku mbi 30 faqe në librin tim”SHPIRTI I DËRMUAR-Dhuna serbe ndaj femrës shqiptare në Kosovë 1997-1999”, botuar në janar 2001. Vizitat në Gjakovë, të shumtat, i bëja në shoqërim me aktivisten politike për çështjen kombëtare në Kosovë, znj. Mevlyde Saraçi. Ajo i përkrahte dhe i inkurajonte vizitat e tilla, si edhe e njihte mirë terrenin me familjet me të vrarë e të masakruar në qytetin e vet.
          - Ofensiva e tmerrshme serbe e 2 prillit 1999, në Gjakovë i kishte përfshirë pothuaj të gjitha lagjet e qytetit. Nata e 2 prillit 1999 në qytetin e Gjakovës kishte qenë natë e kobshme, natë e Shën Bartholomeut...Në të gjitha anët e qytetit ishin shkaktuar skena të lloj-llojshme krimesh të trishtueshme dhe tym e flakë i kishte shkuar qytetit nga djegja e shtëpive. Aksioni i tmerrit të pakrahasuar mbi popullatën e pambrojtur shqiptare kishte filluar pas mesnatës, që në nismë të 2 prillit 1999. Kryesit e aksionit ishin të gjitha llojet e formacioneve ushtarako-policore dhe paramilitare serbe, që hynin çdokund, shtëpi më shtëpi nëpër qytet dhe kudo që hynin rrahnin e maltretonin njerëz, bënin krime dhe i kallnin shtëpitë. Era e mishit të djegur të njerëzve që ishin djegur kishte shkaktuar frymëzënie të madhe dhe rrënqethje të shpirtin. Tërë qyteti ishte trazuar, rrugët e të cilit ishin mbushur gjithkund me gjak dhe më të vrarë. Më së 75 vetë, kryesisht gra, fëmijë e pleq i kishin vrarë vetëm në lagjen “Mahalla e Qerimit” (Sadik Stavileci)?! Britma dhe lemëria e shqiptarëve që ishin malltretuar atë natë ishte dëgjuar skaj më skaj të qytetit dhe jehona e asaj britme e kishte krijuar përshtypjen se sikur mbërrinte edhe gjer në kupë të qiellit. Kriminelët ushtarakë serbë e kishin krijuar këtë lemëri, duke i vrarë me barbari të paparë shqiptarët në shtëpitë e tyre.


NË GJAKOVË KA SHUMË TË VRARË 

Në ditën e 15 marsit 2000, në Gjakovën e djegur e të shkatërruar nga lufta shfarosëse serbe, vizitova edhe Znj. Nesrete Vejsa-Nuka, grua 42 vjeçe dhe rrëfimi i saj origjinal, i përpunuar në aspektin letrar nga unë autorja e këtij shkrimi, është shumë rrënqethës për tragjedinë që ia kishte shkaktuar lufta e pabarabartë dhe kriminale serbe e 2 prillit 1999 në familjen e prindërve të saj, në Gjakovë, duke thënë:
          - Quhem Nesrete Vejsa-Nuka dhe jam nga Gjakova. Jam 42 vjeçare. Gjatë luftës që e bënë forcat militare dhe paramilitare serbe në tre muajt e pranverës së vitit 1999 në Gjakovë, u vranë shumë banorë shqiptarë nëpër shtëpitë e tyre, u masakruan në mënyrat më mizore dhe u dogjën për së gjalli bashkë me shtëpitë. Fashistët kriminelë serbë më 2 prill 1999 m’i masakruan dhe m’i dogjën, bashkë me shtëpinë edhe më të dashurit e zemrës sime: nënën Fetije 60 vjeçare, nusen e vëllait, Tringën 30 vjeçare bashkë edhe me pesë fëmijët e tyre, Dorinën 10 vjeçare, Marigonën 8 vjeçare, Sihanën 6 vjeçare, Arlindin 4 vjeçar dhe Ritën njëvjeçe. Rita e vogël kishte qenë duke e thithur qumshtin e mëmë Tringës, kur kriminelët me thika të mprefta ia kishin ndarë përgjysmë kafkën e kresë. Tringa e tmerruar nga krimi ishte përpjekur me tërë forcën e saj të fundit që ta mbrojë krijesën e shpirtit të vet, por kriminelët edhe atë e kishin vrarë me breshëri plumbash dhe e kishin masakruar me thika, duke ia prerë copë-copë shtatin e hedhur dhe të bukur të saj. Aty e vranë edhe motrën time Valbona Vejsën-Haxhiavdinë 38 vjeçare bashkë me tre fëmijët e saj: Doruntinën 9 vjeçare, Egzonën 4 vjeçare dhe Rinën 3 vjeçare. Të gjithë i vranë dhe i bënë shkrumb e hi dhe neve më të dashurve të tyre, që mbetëm të gjallë na u tha shpirti përgjithmonë. Tani kemi mbetur vetëm unë e vëllai, Lulëzim Vejsa 35 vjeç, që t’i kujtojmë të rënët e martirizuar. Ku ta gjejmë vallë forcën unë e vëllai, që t’i përballojmë dhimbjet e mëdha për kobin e rëndë që na ka rënë në votër?! Si ta qetësojmë shpirtin tonë të përvëluar dhe të dërmuar, pa zërat e fëmijëve tanë të shtrenjtë, në pranverat që do të vijnë...?! 
Motra, Valbona, në natën që e kishte kapluare zjarri i luftës Teçenë dhe shumë shtëpi të tjera përreth shtëpisë së saj në lagjën e Hadumit, në Gjakovë, ishte larguar nga shtëpia e vet dhe kishte shkuar që të strehohej në shtëpi të nënës. Nuk kishte pasur rrugëdalje tjetër, pos që të largohej, se fëmijët gati iu kishin çmendur kur e kishin parë zjarrin gjithëpërfshirës trishtues dhe kur i kishin dëgjuar krismat e shumta të armëve të ndryeshme mu para derës së shtëpisë së tyre. Valbona ishte larguar nëpër plumba duke menduar se atje ndoshta do të jetë më qetë. Nuk i kishte dalur ashtu siç kishte menduar Valbona... Në shtëpinë e nënës, në vend të qetësisë dhe të shpëtimit, e kishte gjetur trishtimin dhe vdekjen e tmerrshme bashkë edhe me fëmijët, se kriminelët ushtarakë serbë aty e kishin bërë vendtherrtoren e krimit njerëzor...
Në shtëpinë e Lulëzim Vejsës e kishin masakruar dhe djegur edhe renë e hallës sime, Valbona Caka - 33 vjeçe, bashkë edhe me tri vajzat e saja: Dalinën 13 vjeçare, Delvinën 6 vjeçare dhe Dionën 2 vjeçare. Valbona kishte shkuar që të strehohej në podrumin e shtëpisë së re të dajve të burrit të saj, me mendim se shtëpia e posandërtuar e tyre do të jetë një vedstrehim më i fortë dhe më i sigurt për t’i rezistuar bombardimeve të fuqishme dhe të pandalura, që i bënin kriminelët serbë mbi qytetin e pambrojtur. Kishte shkuar edhe me mendimin se duke ndenjur së bashku si shumicë, do t’i jepnin kurajo njëra-tjetrës për qendresë dhe për mbijetim mbi tmerret e pakrahasuara.
Të strehuarit të tjerë në atë shtëpi ishin edhe nëna e Tringës- Shahindere Hoxha 60 vjeçare, bashkë me vajzën Flakën 16 vjeçare, kurmi i bukur i së cilës sa çil e mbyllë sytë ishte përpëlitur duke u djegur flakë në zjarrin lëmeritës, që e kishte kapluar dhomën me shpejtësi rrufeje. Ishin aty të strehuar edhe dajë Hyseni ynë i sëmurë dhe i vetmuar dhe dy fqinjet e nënës sime, Shirine Nuçi 72 vjeçare, bashkë me të bijën e saj, Mandushen 52 vjrçare. Të gjithë të strehuarit në shtëpinë therrëtore të nënës sime dhe të vëllait Lulëzim Vejsa ishin gra moshash të ndryshme dhe fëmijë. Ishin 12 fëmijët, që në nismën e rritës së tyre fëmijërore iu shuan përgjithëmonë shpresat për pranverat në bulim. Barbarishtë i vranë që të gjithë bishat ushtarake serbe, si edhe i prenë tmerrshëm edhe me thika. 
          - Masakra në shtëpinë e Vesajve të Gjakovës është një tragjedi e rëndë e luftës dhe një ngjarje enigmë më vete, e dëshifruar vetëm pjesërisht nga këndi i ngushtë i mundësive të një fëmije shumë inteligjent. Dëshmitarët të tjerë janë vrarë dhe djegur e bërë pluhur. Gjatë tërë luftës tremujore lagjeja ka qenë nën kontrollin e rrebtë të forcave serbe, pasi aty kishte qenë i përqëndruar tërë armatimi i rëndë i tyre, i tërhequr nga kasarnet, që të mbrohej nga sulmet ajrore të NATO-s. Aty ishte edhe shtabi kryesor serb dhe deri në tërheqjen e plotë të forcave serbe nga qyteti, këmbë shqiptari nuk ka guxuar që të shkelte aty pari...
Krimit në shtëpinë e Vesajve i kanë prirë serbët lokalë, kryesisht banorë të lagjes, të veshur si paramilitarë. Llazar Drashkoviqi shka-magjup i Klinës, i quajtur Llaza i Zi, i cili kishte hyrë derë më derë nëpër shtëpi dhe i kishte përzënë shqiptarët nga lagja dhe tërësishtë nga qyteti i tyre. Ai ka ditur të flas shqip pa gabime, dhe ishte milic i rregulltë prej moti në Gjakovë. Përherë mbahet mend për arrogancë ndaj shqiptarëve. Aty ku dilte në terren milici Llaza i Zi, patjetër derdhej gjaku i shqiptarit. Gjatë luftës 1998 - 99, që bëhej në shumë pjesë të Kosovës, e sidomos gjatë tre muajve të pranverës 1999, ai e ka pasur për obligim të krimit lagjen “Mahalla e Qerimit”, - “Sadik Stavileci”. Serbët lokalë kanë bashkëpunuar me forcat serbe dhe u kanë treguar atyre, se në cilat shtëpi të shqiptarëve për të hyrë dhe cilët shqiptarë për t’i marrë. Ndër ta më të dalluarit për të zi ishte Bozhidar Dogançiqi, ish punëtor i Elektrokosovës, që ka qenë edhe kryetar i Bashkësisë lokale dhe i ka ditur krejt gjenealogjitë e shqiptarëve, si edhe Millutin Prashçeviqi, poashtu banor i lagjes. Millutini u ka prirë masakrave nëpër lagje dhe gjithkund nëpër Gjakovë dhe rrethinë



NË SHTËPINË E VESAJVE SHPËTOI VETËM DJALI 10 VJEÇ - DREN CAKA

Për këtë ngjarje trishtuese të krimit ushtarak serb mbi shqiptarët e pafajshëm shqiptarë të Gjakovës, rrëfimin e kam marrë nga Znj. Nakije Caka dhe Z. Xhemil Caka (që në profil dukej krejtësisht i dërmuar nga dhembja e shkaktuar kriminalisht). Sipas tyre, nga vendtherrëtorja e tmerrit të pakrahasuar serb, në shtëpinë e Vesajve në Gjakovës, ku ishte strehuar bashke me fëmijët nusja e djalit të tyre, Valbona, kishte shpëtuar, i plagosur në krah, vetëm nipi I tyre, djali djali 10 vjeç, Dren Caka. Dreni kishte shpëtuar, si fat i shkruar, për ta dëshmuar ferrin e krimit të organizuar serb. Brenda asaj gjysmë ore të 2 prillit 1999 sa kishte zgjatur ajo kaktrahurë e tmerrit trishtues në dhomën e ngrënjës së dajë Lulëzim Vejsës, në Gjakovës, Dren Caka kishte parë se si kriminelët serbë kishin derdhur breshëri plumbash në mish të njeriut shqiptar. Kishte parë rrëke gjaku njerëzish të tij të dashur dhe të njohurish, që bënin rrugë gjerpërore nëpër dysheme, si edhe pjesët e trupit të tyre, të shpërndara gjithandej dhomës, se si digjeshin me të madhe nga flaka gjithëpërfshirëse e zjarrit përvëlues.
Dreni kishte shpëtuar se e kishte pasur fatin për të shpëtuar! Kur kriminelët kishin gjuajtur breshëri plumbash në dhomë, njëri plumb e kishte qëlluar në krah Drenin dhe e kishte shtrirë në dysheme. Të vrarët dhe të masakruarit të tjerë kishin rënë mbi të dhe kështu ai kishte shpëtuar duke mbetur nën ta. Kur kriminelët kishin hyrë në dhomë ta kontrollonin suksesin e kriminalitetit të tyre, ai ishte bërë sikur ishte i vdekur. Duke dalur barbarët ia kishin vënë flakën dhomës dhe shtëpisë, që të digjeshin dhe të zhdukeshin të gjitha gjurmët e krimit. Dreni, që kishte shpëtuar gjallë, ngadalë me plagën që i kullonte pandërprerë gjak, ishte tërhequr zhagaz deri te dritarja e dhomës, që kishte qenë pak e hapur dhe ishte hudhur në oborr. Nuk ishte lënduar shumë gjatë kërcimit prej dritares, sepse nuk kishte rënë drejtë për së drejti në tokë, por kishte rënë në disa arka të bilardos së dajë Lulit të tij, që kishin qenë të mbështetura për muri, nën strehë. Nga se ishte fëmijë shumë i zdërvjelltë, edhe pse me plagën e rëndë në trup, kishte kapërcyer mur pas muri nëpër lagje dhe kishte arritur në shtëpi të vet, ku ishin gjyshi Xhemil Caka dhe gjyshja Nakije Caka. Kur Dreni kishte shkuar në shtëpi, i kishte gjetur gjyshërit duke u sjellur nëpër dhomë dhe duke i shtrënguar duart të tmerruar nga brengosja e madhe për nusen dhe për fëmijët, që për çeshtje sigurie më të madhe ishin strehuar vetëm pesë-gjashtë shtëpi më largë shtëpisë së tyre, në kthesën harkore të rrugës së tyre të mbushur prej më së katër ditësh, me tanke të shumta dhe me këmbësori serbe të panumërt.
          - Mos i pritni, se ata nuk janë më, i vranë dhe pasi i masakruan, i kallën krejtësisht kriminelët serbë...!! - iu kishte thënë gjyshërve Dreni, me dhëmbjen e hatashme që mund ta kishte vetëm një fëmijë tepër intelegjent, siç ishte ai, i burrëruar para pjekurisë së moshës që kishte... Gjyshërit vetëm e kishin shikuar të tmerruar djalin dhe nuk kishin mundur kurresi që të pajtoheshin me realitetin e hidhur. Mendonin se ndoshta Dreni po fliste përçartë nga agonia e plagës. Mendonin gjithçka gjyshërit e brengosur...! Por, Dreni nuk kishte qenë në agoni. Ai e kishte përballuar plagën stoikisht dhe kishte qenë shumë i kthielltë për atë tragjedi që fliste. Nuk kishte mundur që ta shpëtonte asnjërin, se të gjithë i kishin vrarë dhe plagosur për vdekje kriminelët ushtarakë serbë. As Mëmë Valbonën e tij të dashur, e as Dionën e vogël nuk kishte mundur që t’i shpëtonte Dreni, që edhe tani thotë se i krijohet disi si jehonë zëri i saj fëmijëror: “Baca, mos më le në flakë...!”. Arlindin, djalin e dajë Lulit të tij të dashur, që e kishte pasur edhe shok të pandashëm të fëmijërisë, dhe të cilin e kishte pasur afër gjatë kohës së krimit mbi ta, ishte përpjekur që ta lëvizte dhe ta zgjonte për të ikur bashkë nga ajo kasaphane, por pas tri-katër herë frymëmarrjeje të thellë që kishte bërë Arlindi, nuk kishte dhënë më shënja jete. Ia kishte vurë pastaj dorën nënë jakne Arlindit, që t’ia kontrollonte të rrahurat e zemrës, por ishte tmerruar, sepse i ishte qullur dora nga frushkujt e pandalur të gjakut.
Gjyshërit të mbetur gojëhapur nga tmerri për atë që iu rrëfente Dreni dhe gati të çmendur nga dhëmbja për tragjikën e tmershme që iu kishte ngjarë, ishin vonuar shumë për t’ia dhënë ndihmën e shpejtë djalit. Ku ta dërgonin dhe kah të shkonin gjyshërit e gjorë, kur tërë qyteti i Gjakovës atë natë ishte në flakën e së keqës?! Si të kalonin përmes forcave të shumta të armatosura serbe dhe përmes tankeve të shumta, që i ishin mveshur qytetit dhe bënin kërdi duke qitur zjarrë plumbash e granaatash nga goja?! Kishin Vendosur që ta bënin të pamundshmën, duke u mbështetur në fatin, dhe me djalin paraduarsh ishin nisur nëpër tym e flak rrugës, kah qendra e qytetit. Me mundime të mëdha, duke u friguar shumë, se mos po i ndalin kriminelët dhe po ua marrin djalin, apo mos po ua vrasin para syve, kishin mbërrijtur në spital, ku deri atë natë kishin qenë duke punuar ende disa mjekë shqiptarë. Mjekët shqiptarë me një përkujdesje të madhe prindore e profesionale, ia kishin nxjerrë plumbin dhe ia kishin lidhur plagën Drenit...



MASAKRA E PARË SERBE NË GJAKOVË – 24 MARS 1999

Sipas informative të mbledhura, masakra e parë serbe në Gjakovë është bërë më 24 mars 1999, kur e kanë bombarduar me topa, djegur me bomba aktive pëlcitëse dhe rrënuar me eskavator “Qarshinë e Vjetër”. Kriminelët serbë i kanë vrarë e masakruar dy vëllezërit Zherka me njërin djalë të tyre dhe Kujtim Dulën. Kujtimin e kishin masakruar në shtëpi, para famijëve të vëllait, duke ia prerë pjesët e trupit dhe organet gjenitale. E kishin vrarë dhe masakruar edhe kirurgun e mirënjohur- Izet Himën para gruas së tij. Vrasjen e tij e kishte organizuar kolegu i tij i punës, Sava - mjek dhe drejtor i spitalit gjatë kohës së luftës dhe gjatë gjithë dhjetëvjetëshit të fundit të robërisë totale serbe në Kosovë. Ia kishin organizuar vrasjen Dr. Izet Himës, se iu kishin penguar kriminelëve serb aftësitë e tij të pakrahasueshme profesionale dhe shpirti e kultura e tij njerëzore, që i kishte ai si kirurg shqiptar. Iu kishin penguar edhe aftësitë organizative që i kishte Dr. Izeti për rregullimin e shumë çeshtjeve me rëndësi për shqiptarët. Varrin e tij e kanë zhdukur. Ia kanë zhvarrosur trupin, që t'i humbin gjurmët e krimit të kryer, si edhe gjurmët e të egzistuarit të një shënje përkujtimi të tij.
Gjatë luftës së hapur serbe të pranverës 1999, në Kosovë, masakra e dytë serbe në Gjakovë është bërë më 26 mars 1999, në pjesën veriore të qytetit, në lagjen”Qyl”, ku janë vrarë dhe masakruar 18 shqiptarë prej moshës 5 vjeçare e deri te plaku 80 vjeç. Kanë vrarë kënd e kanë zënë në rrugë. Në këtë masakër, bashkë me paramilitarët dhe militarët serbë, kanë qenë edhe Njësia e Zjarrëfiksëve të Gjakovës, e përbërë dhe e udhëhequr kryekëput nga serbët. Vrasjet dhe masakrat në Gjakovë nuk janë ndalur kurrë gjatë gjithë kohës sa ka zgjatur lufta.
Më 1 prill janë vrarë burrë e grua, Jonuz Cana 71 vjeç dhe Ganimete Cana 59 vjeçe, bashkë me djalin Fatmirin 41 vjeç dhe vajzën Shpresën 40 vjeçe. Është shuar një familje e tërë. 
Më 2 prill 1999 e kanë vrarë dhe djegur bashkë me shtëpinë edhe Sylejman Gërçarin 74 vjeç, bashkë me tre djemtë, Skënderin 47 vjeç, Haxhiun 36 vjeç dhe Albertin 31 vjeç. Gruaja e Sylejmanit, bashkë me dy rejat dhe me dy fëmijët e tyre kishin qenë në tjetër shtëpi, kur ishte kryer krimi barbar. Kur iu kishin hyrë kriminelët, që t’i përzënin për Shqipëri, kishin dalur të tmerruara, në një anë që iu kishin mbetur burrat të djegur, e në anën tjetër se gati ua kishin mbytur edhe dy djemtë e vegjël.
Në orët e mbrëmjes së 2 prillit kishte ardhur një lloj urdhëri i kriminelëve ushtarakë serbë, që të ndalej përkohësisht kolona që dëbohej për Shqipëri. I kishin kthyer njerëzit nëpër shtëpitë e tyre dhe mbi ta, pastaj kishin vazhduar me tortura të tjera të tmerrshme fizike dhe psiqike. Shqiptarët e kthyer nëpër shtëpitë e tyre, apo ku kishin mundur, kishin bërë jetë nën ankthin e tmerreve, se njerëzit i kishte gëlltitur nata pa gjurmë. Krisma e armëve serbe kurrë nuk ishte ndalur mbi Gjakovën e heshtur përdhunshëm. ndalej. Dyer e dritare ishin thyer nga breshëria e automatikëve dhe dhomat e oborret e shtëpive ishin mbuluar me plumba e me kapsolla fishekësh.
Më 7 maj 1999 krejt lagjeja e Çabratit ishte përzënë për Shqipëri. Në kalvarin e gjatë të të dëbuarëve shqiptarë, që ishte shtuar edhe nga turma e madhe e të dëbuarëve nga fshatrat përreth, si edhe nga vise të tjera të Kosovës. Në vendin e quajtur Te Ura e Taliqit i kishin ndarë nga familjet e tyre më së 400 burra shqiptarë. Pasi që i kishin ndarë, i kishin detyruar që në prani të të gjithëve t’i ndërronin rrobet. Të gjithë i kishin ekzekutuar këmbëve dhe pastaj, të gjallë apo të vdekur, askush nuk e di se si, i kishin bartur dikah. Thuhet se një numër të madh të të vrarëve i kishin dërguar në fabrikën e gomave dhe thuhet edhe se atje i kanë djegur. Për pjesën tjetër të burrave në kolonë ka mendime se i kanë transportuar jashtë Gjakovës, por askush nuk di se ku. Duke shpresuar në mendimet e tilla, familjarët e të kidnapuarëve ende shpresojnë se ata dikund duhet të janë të gjallë. Dhashtë Zoti që vërtetë të jenë të gjallë...! Një prej të kidnapuarëve me emrin Agron Binaku, djali i Sadri Binakut nga Gjakova, kur e kishte parë tmerrin kriminal, që bënin kriminelët serbë kundër të gjithë burrave, që gjendeshin në kolonë, kishte marrë vendim që t’iu ikte kriminelëve nga kthetrat. I kishte lënë të gjithë të vetët në turmë dhe kishte kërcyer nga ura në ujë.
          - Le të bëhet çfarë të dojë- kishte thënë Agroni. Vdek për vdek më mirë po vdes në ujë, se sa të më del shpirti me mundime të shumta duke më masakruar kriminelët serbë. Agroni ka shpëtuar nga ajo kasaphane tmerri...
Turmën me gra e fëmijë kriminelët ushtarakë serbë e kishin mbajtur tërë ditën e shtatë (7) majit të tmerrshëm 1999, në rrugë, duke e torturuar dhe keqtrajtuar pa masë, ndërsa kur kishte rënë errësira e mbrëmjes, e kishin kthyer rishtas për në qytetin e tyre të djegur.. Askush për kërrkënd nuk kishte ditur asgjë nëpër atë katrahurë trishtuese. Është ditur vetëm se jeta dhe vdekja aty kishin qenë të binjakizuara. Tek Ura e Taliqit gjurmët e gjakut nga krimet barbare serbe mbi shqiptarët e paarmatosur dhe të pambrojtur për kohë të gjatë kishin mbetur të pashlyera. Kishte pasur edhe shumë dorëza të përgjakura, që i kishte përdorur policia dhe ushtria serbe, për t’i kryer krimet mbi shqiptarët me gra e fëmijë. Thikat e mprehta dhe kmesat për një kohë të gjatë kishin mbetur relikte krimi në atë fushëbetejë të tmershme...
Sipas të dhënave të hulumtuara në këtë paslufte të vitit 2000, në Gjakovë ka shumë të vrarë, se armiku serb bëri shumë krime. Nuk kurseu as fëmijë dhe as të sëmurë. Janë të vrarë afër 800 shqiptarë. Dëshmorë të luftës janë 139, ndërsa civilë të pambrojtur janë 670. Edhe të zhdukur ka shumë në Gjakovë. Janë gjithësejt 670 të zhdukur, për të cilët asgjë nuk dihet, por shumë shpresohet dhe dëshirohet të shpresohet se janë të gjallë. Shpresohet se ndoshta janë diku të gjallë nëpër kazamatet serbe nëpër Serbi. Për 230 të burgosur dihet se gjenden nëpër burgjet serbe, dhe shpresat për ta janë më reale. Ata, megjithë të këqiat e përjetuara mbase një ditë patjetër do të gjenden në shtëpitë e tyre, pranë më të dashurëve, që i presin me padurim. Do të jenë në Kosovën e tyre...?!
Në Gjakovë ka edhe shumë invalidë të luftës dhe të krimit. Ka edhe shumë shtëpi të djegura dhe të shkatërruara. Vetëm Çarshia e Vjetër i ka 350 shtëpi të djegura. Në Gjakovën e djegur dhe të përvëluar nga barbaria e armikut të përbetuar serb, ka shumë shpresa për ardhmërinë. Ka shumë vullnete për t’i buzëqeshur jetës së re në lirinë e shumëpritur.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen