Freitag, 27. März 2020

Kujtim STOJKU: Cikli poetik "Marsi i lig".

DUKE DËGJUAR MOXARTIN

Tingujt magjepës t`simfonisë së Moxartit,
Thellë m`kanë zhytur në mendime,
Prandaj një aromë prej shpellave t`hënës ndjej,
Një lis vigan përmes gjetheve flet, përzihet me frymën time.

Vetmia mbretëron e qetë duke lexuar heshtjen,
Etjen e shuaj duke thithur farën e reve,
Tingujt bubëllijnë kur retë n`mes tyre kërleshen,
Kur marr rrugën e kthimit në shtëpi,
Ajo dhe unë për çudi jemi kthyer në sinonim.

Shtigjet e njohura tërsisht na kanë shkatërruar,
Duke bredhur nëpër to askërrkund nuk arrijmë,
Mjegulla e dendur pamëshirë na ka rrethuar,
Unë bredh për të gjetur yjet nëpër errësirë.

Era fillon t`kërcejë vallen e saj të ndyrë,
Lisi shekullor ia ngul sytë i vrenjtur dhe i zemruar,
Duke hedhur vallen, era pamëshirë ma përplas shiun n`fytyrë,
N`fytyrën e papërlyer si lot shkëlqejnë pikat duke xixëlluar.

Këngët me t`cilat jam rritur, çuditërisht rrënjët i paskan shumë thellë,
Nga këto simfonitë e Moxartit vetëm një vel i ndan,
Meloditë e magjishme me shpirtrat janë përzier,
Mos depërtoni deri tek dhimbja se s`ka kush na i fshin lotët pastaj...



SOT ME NJZETË E DY MARS

Sot me njëzetë e dy mars, dëgjoj gërhamat e fundit të dimrit,
Zëri i tij i mekur prej gjoksit dilte jashtë,
Gjithçka përceptonte në mendjen e ftohtë të tij,
Vështrimi turbullohet nën rrezet e diellit zjarrtë.

Pikërisht n`ag të kësaj dite që sapo kishte nisur,
Një erë ledhatare po m`pyeste ngadalë,
Aty - këtu, kënga e një zogu ishte duke trokitur,
Mbi degët e kumbullës të sapo çelur kishte ndalë.


Me sqepin e tij shkruante n`pentagramin pranveror,
Notat e kompozimit t`melodisë,
Skena ishe e natyrës, ndriçuar prej syrit diellor,
Ky ishte dhe preludi i ekzekutimit t`simfonisë.


KOSTUMI I MËKATEVE

Jetoj përditë në fraksionin e sekondës,
Që vazhdimisht vjen duke u rritur,
Bëhet minutë, orë, ditë dhe natë,
Brenda kësaj kohe llogaris rrezen e yllit të ndritur.
Vdekjen e shoh të përzier me errësirën,
Kollarisur me mëkatet, veshur me kostum të zi,
Ku je o Zot? Valët e ajrit seç po dridhen,
Përkdhel ballin e ftohtë të shkëmbinjëve,
Një vikamë zërash nëpër hone oshëtijnë në liri.

Nëpër zbrastësir` shoh gjurmët që le një ëngjëll,
Fluturon drejt tokës me krahët e bardha të pëllumbit,
Tingujt kompozojnë gjuhën e mbetur pezull.
Përplas krahët e ndritshme shpërndahen retë,
Zërat melodioz gjallërojnë hapsirën,
Heshtja gjallërohet duke marrë jetë.
Dëgjoj zhurmat e një lumi të nëndheshëm,
Që përplasen brigjeve t`padukshme kur fryn veri,
Realiteti shpërfytyrohet përmes tingujve të shurdhët.
Ditët ngadalë po i hanë vitet,
Kujtesa rrumbullakos numrat e plotë,
Rruga është si diametri i një qarku,
Sa herë zmadhohet shtiret, ndryshon formë.
Tringëllimat e celularit përshkojnë eterin,
Duke bërë lidhjen magjike nga njëri pol në tjetrin,
Koha shkurtimisht po ndron zakon.

Rend pas zërash që sa vijnë e largohen,
N`hapsirën e pafund ikin vazhdimisht,
Kryq e tërthor prej ëngjëjve përshkohen
Pambarim i hedhin ëndrrat nëpër zbraztësir.
Por një nga rrathët e ferrit të Dantes,
Sigurisht që do t`më përpijë një ditë.

Rrugët e panjohura gjithmonë zgjaten drejt së nesërmes,
Në misterin e saj ajo i tërheq,
Kur i dërrmuar nga lodhja do të ulesh për t`pushuar,
Muzgu po bie, mendimin po ma shkapërdredh.
Vitet po i shpalosin muajt me radhë,
Nga qesja e duhanit cigaren po dredh,
Kur ulem në tavolinë për të pirë kafenë,
Djalli vetë ma shërben...

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen