Dienstag, 12. Juni 2018
Alketa Maksuti Beqari: UNË JAM SEKSI...
Unë jam seksi i dytë?
Ti që je seksi i parë
më lakmon, sa më admiron.
Në çdo petal të luleve
Mbi trupin tim kërkon
Të prekësh, të marrësh aromë.
Në enigmë, në fshehtësi,
Gjithë gjithëçka kërkon
Lojën time të trupit e fjalës
Misteri i lozonjares të frymëzon.
Ti që je seksi i parë
më dëshiron, sa më adhuron.
Në çdo kurrorë dafine, ulliri
Mbi kokën time kërkon
Të ndjesh, në paqe të jesh.
Në magnetizëm, në busull
Gjithë gjithëçka do
Tërheqjen time të orientuar
si Toka rreth Diellit e ëndërron.
Unë jam seksi i dytë?!!
Dienstag, 5. Juni 2018
Buqetë poetike nga Fran Tanushi
![]() |
| Fran Tanushi |
Nga libri "Shkalla e Diellit"
SHKALLA E DIELLIT
në një vend
atje diku mes bjeshkëve
ku dielli lind vonë
e herët perëndon
është dhe një shkëmb
në formë të germës „V“
shkalla e diellit i thonë
në kohët e lashta
kur nuk kishte kalendar
malësorët matnin motin
me diellin në shkallë
dhe kur ajo „V“ binte
te shkëmbi i rrëzuar
aty
kur dielli puthte atë rrëzimë
vendësit thonin
erdh dita e ver‘s
është e shtata ditë
pas të shtatit mars
dita kur verë markja
nëna ime
u bë Nënë
DY DASHURI
Në një tavernë në qytetin e lindjes
të një buzëmbrëmje të qetë verore
poeti me të birin kuvendon
Kush të pëlqen më shumë Jozef
Gjakova a Augsburgu
Gjakova qytet mbi Krenë
me Dri dhe Erenik përbri
fusha e kodra përreth
Augsburgu i lashtë
me lumenjtë Leh e Vertah
në një fushë të rrafshët
Në të parin lindi nëna e Nënës Tërezë
në të dytin baba i të madhit Moxart
Të dyja janë të bukura babi
dhe për të dyja ndjej dashuri
Në Augsburg lindi Bert Brehti
në Gjakovë i podrimesi - xhaxhi Ali
Në njërin kam lindur dhe unë
e në tjetrin ke dhe lindur ti
SHTEGTAR
ti që shkele shumë rrugë të botës
por malli të ktheu atje ku u linde
e sheh atë Shtëpi atje
në atë oborr të gjerë
me dyer nga lind dielli
e me dritare që vrasin terrin
nga lindja në perëndim
mes atyre pemëve të llojllojshme
ca të prera ca të rrëzuara
si piktura në kornizën e thyer
mbështjellur me hardhi
si me vargje poetike
në të dikur jo shumë moti
kanë jetuar shumë njerëz
dhe një poet i bjerrë fatit
që maceja e zezë udhën ia preu
sot zërat në të janë rralluar
barin oborrit hëna po ia djeg
e dielli ka nisur të soset
TITULLI JE VETË TI
e di se Ti ke diell mbi krye
e prush votre për brinjë
e kam ditur qëmoti
se ti i pjek bukët më të shijshme
për gjithë të shkapërderdhurit
që iu dhe
dhe i do në gji
e shoh
me sytë e zemrës së përvëluar
oh
me sa dhembje e shoh
se si
ti
kërrusesh përditë
me pritjen e plumbtë në shpirt
KU MBET DASHURIA
kot e kërkoni dashurinë
ajo ka ikur
labirinteve të jetës
dikush ia dha e tha
e rrëmbyen poetët
e futën në vargje
e kthyen në këngë
e gjëmën ia bënë
e fshehën
mes kopertinave të librave të trashë
prej të zezave ta shpëtojnë
PRITJA E VONUAR
edhe sonte
ashtu si mbrëmë
tërë kohën nuk u bëra rehat
ndjeva se pritja u vonua
dënesja zvarritjes trasenë ia shtroi
pashë
tej dritares xhamthyer
kur diçka
drejt qiellit u ngrit
e pasi shkundi retë e rënduara
tek unë Ra
TI QË MË VJEN E IKËN ME NATËN
shfaqesh si një vetëtimë
rrufe në qiell pa re
yll i shkëputur në mesnatë
mbrëmë m'u diftove në ëndërr
mendova se të kam pranë
e mua më doli gjumi
të kërkova gjithë ku munda
t’i mbaja në mend vetëm sytë
humbe si një pikë uji në det
ëndrrat i more me vete
brenda qiellit të syve tu
edhe sonte mbeta vetëm
jeta s'qenka ëndërr
ëndrra një oqean i pafund
çelësin e portës dëshirave ua fsheh
EKZODI
sa çuna qe ikën edhe këtë vit
pa bujë e pa zhurmë
prej qytetit tim të rralluar
e harruan nëpër bulevarde
njomakët e rrugëve të kalldrëmta
fëmijërinë e tyre plot gjallëri
vrapuan strehëve të metropoleve
për një jetë me vasha veshur allafrënga
e minifunde të hapura në mes
në kërkim të mollës së artë
prej kopshtit të fshehur nga dielli
të një vjeshte të ardhur vonë
vajzat belholla përkundin ëndrrat
me mërzinë e pritjes së gjatë
të një kohe që nuk duket kund
PSHERËTIMË NË ERRËSIRË
në thellësinë e një nate të errët
yjet u tretën në lartësi
për çudi dhe hëna ra të fle
kohë e mbytur në mërzi
shpirti i parehatuar rrotullohet
sipër një dysheku të ri
pabesisë iu vranë epshet
ëndrrat u zhveshën një nga një
psherëtimat e dhembjes rriten
natës duke ia vrarë qetësinë
RRUGA E GRAFITEVE TË GRISURA
ëndrra të këputura në mes
enigmë e fshehur në pagjumësi
me petka të leckosura veshur
shtatit ia mbështjellin pafajësinë
në shoqërim të gjykuesve të mëkatit
tatëpjetës numërojnë shkallët e fatit
rrugëve me grafite të grisura
jetës nën këmbë ia grithën tokën
s‘e di se cili tha për ta diçka
e flijuan veten për të sotmen
RITI I FLIJIMIT
rrugëve plot me gjemba mbushur
nën këmbë të zbathura gjakosur
pluhurin moteve ua kam shkundur
në uratim të fatit të (pa)shkruar
himnin e vdekjes mortit ia këndova
si të ishte këngë e fisit tim të lashtë
s'jam mësuar me ligjin e nënshtrimit
nga erdh ai që mbolli këtë farë
trishtueshëm në vete e ndiej kujtimin
koha e mbushur me përjetime
edhe lisat i plaku i bëri të brishtë
përballë motit t'sertë fatit iu përkulën
kurrë s'do t'ia mësoj ritin flijimit
atë rit të lidhur me mëkatin jetim
ku jeta vdes e vdekja lind
TITULLI I HUMBUR
Gjithnjë e më shumë po ngushtohesh
për masën e kostumit të ri
të janë tkurrur dhe telat e zemrës
a të mbeti kund vend për dashuri
Nëse ndonjëherë edhe do të vdesësh
kjo nuk do të vijë nga shëmtimi
ty do të të vrasë bukuria jote
mohi i dashurisë – mallkimi
Ti je shumë e bukur për t'u dashur
madje dhe ty ajo të tremb
ruaje vetë dashurinë sa jetën
mos të ta vrasë bukuria - dhëmbë
Ndalojeni diskriminimin e shqiptarëve të krishterë!
![]() |
| Nga Gani MEHMETAJ |
Letër Kuvendit e Kryeministrit të Republikës së Kosovës
Kosova është i vetmi vend në Evropë ku varret e të krishterëve e myslimanëve janë të ndara, ku të krishterin me asnjë çmim zyrtarët komunalë nuk lejojnë ta varrosin në varret komunale.Bashkësia Islame e Kosovës me ndihmën e zyrtarëve komunalë ua ka ndaluar shqiptarëve katolikë e protestantë t’i varrosin të vdekurit aty ku varrosen myslimanët. Sipas arsyetimeve të zyrtarëve komunalë nuk mund të përzihen varret, sepse, thonë ata, u fyekan myslimanët!
Ndarjen e varreve të shqiptarëve sipas fesë e ka bërë pushtuesi turk, e ka thelluar pushtuesi serb dhe po e vazhdon përçarjen pushtuesi i ri- Bashkësia Islame e Kosovës që e bënë ligjin të ne, i terrorizon shqiptarët e fesë tjetër dhe ata që nuk janë besimtarë.
Zyrtarët komunalë, të ndërsyer nga BIK-u e forcat më antikombëtare i nëpërkëmbin shqiptarët e krishterë, i terrorizojnë e i fyejnë me të nisur procedurat e varrimit. Në Gjakovë kur qeveriste M. Kusari një shqiptari ia shkulen kryqin nga varri, në Prishtinë para dhe pas luftës ua kanë përdhosur varret, në qytetet tjera, "shumica myslimane" i terrorizon shqiptarët e krishterë, por gjërat heshtën për hir të “tolerancës fetare!”
Kur priftërinjtë e pastorët ankohen në instancat më të lata, zyrtarët tonë u thonë: "Nuk mund ta lejojmë varrimin e të shqiptarëve të krishterë me myslimanë, sepse nuk do ta lejojnë myslimanët, nuk e lejon as Bashkësia Islame e Kosovës. Po ua dhamë lejen, natën do t'ua rrënojnë ekstremistët islamikë, ashtu sikurse po ua rrënojnë, ndërsa jemi të pafuqishëm t'u dalim në mbrojtje!"
Ç'do të thotë kjo? Se myslimanët e BIK-ut e paskan të drejtën absolute të varrimit në varrezat e caktuara nga shteti? Se myslimanët u lënduakan nëse hapet një varr i të krishterëve pranë varrit të myslimanit? Se shteti qenka vetëm i myslimanëve? Apo se shteti u dorëzua para kriminelëve që përdhosin e rrënojnë varre?
Ku jetojmë zotëri të nderuar deputetë e kryeministër? Në Evropë, ku varret e të krishterëve, myslimanëve, hebrenjve e budistëve nuk ndahen, apo në shtetet islamike, ku i krishteri nuk guxon të varroset pranë myslimanit? Si është e mundur që edhe pas 18 vjet çlirimi shqiptarët e krishterë diskriminohen, kurse myslimanët privilegjohen, ashtu si i privilegjoi dikur Serbia. E lejoni ju edhe më tutje këtë diskriminim të pafalshëm e kriminal? Pajtoheni ju që shqiptarëve të krishterë t'u ndalohet varrimi në varret e komunës që pa të drejtë i ka pronësuar Bashkësia Islame? Jemi shtet laik apo islamik? Duam të vazhdojmë me modelin e Bangladeshit, Arabisë Saudite e Iranit, apo duhet të marrim modelet e shteteve evropiane, SHBA-ve e Kanadasë?
Patëm mundësinë ta merrnim traditën e mirë të Shqipërisë, ku bashkëkombësit tonë (ortodoksë, katolikë, myslimanë e ungjillor) i varrosin në një vend. Por nuk e bëmë, e morëm traditën arabe e anadollake.
Ju e dini se koalicioni i krishterë euro- amerikanë e bombardoi Serbinë dhe e çliroi Kosovën. Ju e dini se duke i diskriminuar shqiptarët e krishterë, zyrtarët tuaj po i fyejnë e diskriminojnë gjyshërit tuaj që ishin të krishterë para se t'i bënin turqit me dhunë e me përdhunime grash myslimanë. Ju e dini se BIK-u është bërë fabrikë e vdekjes, sepse për secilën kufomë myslimane që e varros marrin nga shteti mbi 250 euro, në Prishtinë tarifa e vdekjes është 290 euro. Ju e dini se Stejt Departamenti Amerikanë e akuzoi shtetin tonë se e financon BIK-un e islamizmin.
Në Kosovën tonë e tuajën janë përdhosur e dëmtuar qindra varre të shqiptarëve të krishterë, por nuk është kapur e nuk është dënuar asnjë kriminel për këto përdhosje. I shikon nëpër gishtërinj policia e prokuroria këto akte të shëmtuara të prishjes së varreve, apo solidarizohet me keqbërësit?
Është urgjente që të ndërpritet praktika e dënueshme e diskriminimit të shqiptarëve të krishterë; të përcaktohet me ligj se në varret komunale do të varrosen të vdekurit e të gjitha besimeve, ashtu si në tërë botën e qytetëruar; të zbatohet ligji e të dënohen zyrtarë që bëjnë diskriminime fetare, në emër të shtetit apo në emër të fesë tjetër; të dënohen zyrtarët që pengojnë varrimin në varre të përbashkëta.
Shqiptarët katolikë janë mësuar me diskriminim e përbuzje, i diskriminoi pushtuesi mizor turk, i diskriminoi pushtuesi i egër serb, po i diskriminon shteti ynë me BIK-un që është mbi shtetin. Ata po e përballojnë në heshtje e durim diskriminimin. Por a duhet ta durojnë shqiptarët diskriminimin e bashkëkombësve nga mendësia anadollake shkretinore në shtetin e dytë të Arbrit?
Intelektualët shqiptarë, opinioni publik, i pa ndotur nga fryma shkretinore dhe i pa korruptuar e i pa fëlliqur nga Turqia, duhet të reagojnë, duke iu drejtuara instancave perëndimore e SHBA-ve për ndihmë kundër diskriminimit fetar.
Ndërpriteni arrogancën e mendësinë mesjetare të diskriminimit që e la Turqia e Serbia, ndërsa vegla e tyre BIK-u po e zbaton me ndihmën e zyrtarët të korruptuar.
Zbatojeni traditën e mirë të Shqipërisë, ku të krishterë e myslimanë nuk diskriminohen, por janë të barabartë në varreza.
Donnerstag, 31. Mai 2018
Beqir Musliu: SKËNDERBEU
![]() |
| Beqir Musliu |
S K Ë N D E R B E U
(poemë – magjistrali)
Gjuha e shkri në diell si fjala ‘pëshertima
E gurit të fortë në dashni emën i kish dhënë
Rrugës së shtruar me trëndafila e shkreptima
Gjakun për ta ruajtë bashkë meshqipen Nanë
Kalanë mbi andërr e çelën vetëm andrrat e veta
At’botë kur shqiponjat sollën gëzim dhe dritë
Së bashku me malësorët e kunorëzuen ndër shkrepa
Të madhnuem me kohën e Arbërit mbetën historitë
Rrugës së lavdisë kush i doli mbanë aq krenar
I madh në dashni dhe i patundun në shpresë
O vetëm shqipja që fërfëlloi flatrat në zjarr
Tash me të urtin Promete u zgjua në histori
I bani të lirë e të oastër të lidhun në besë
Tanë Ballkanin e madhnoi me Bijtë e tu Arbën
E P I L O G
NË TROLLIN e lashtë e të madhnuem të Arbërisë
Askush nuk pati aq fuqi sa me shkimë zjarrin –
Por, ajo në verën e vet e çeli lulen e barin
Me përjetue aq të pastër Parajsën e Bukurisë.
Por … – deri te Troja e re, e quajtun: Iliri
Edhe shpata e vuejti n’dhimbje historinë e vet
Para dashnisë secili u kthy’ n’gërmadhë, mbet –
Legjendë mbi fatosat që u flijuen për Liri!
Kumbonat e trandën bjeshkën në ankth e kumbim,
Deri në gjelbrimin e pranverës së zezë n’ar –
Kangëtarët e rinj i nxorrën lahutat për këndim.
Me na shpie në nji kohë që na duhet me e dashtë –
Për të cilin lulja n’ballsamim u zgjue me na varë
Aty, ku shqipja e pavdekëson Skënderbeun e lashtë !
( P O S T S C R I P T U M )
DIKUR edhe djajtë shitoheshin n’zili me hovin tand
– Edhe tokës me të grishë n’emën i vinte randë.
Fusha shkretnohej, e lumi rridhte në atë pik’llim
Nuk lindte kanga, as lahuta s’binte n’tërbim –
Kur vorrimi yt i shejtë u ba mbi këtë Dhe
N’gojë u ngrinë klithmat për ty, o Skënderbe
Dhe të uruen si shejtnitë – Prometheu me qenë
Me ujitë me gjakuntand djersën e me vesë lulen
Me mbjellë synin tand si ma t’mirën dritë n’male
Aty, ku trimninë dhe krenarinë bjeshkëve ua fale!
Tash po jeton edhe aty ku s’kanë dijtë me të dashtë
Mbi shkrepa je ngritë si petrit me shpatën e lashtë –
Aty, ku dikur ashti yt shëronte o çdo plagë e varrë
Që mbajte tanë Ballkanin për emnin tand, o varë …
Tash – të grish me zbritë edhe shqipja në kreshtë
Katundari në mal, e blerimi me të pasë edhe n’vjeshtë.
Bjeshkët me ty me u krenue në pikëllime e n’hare –
Kur ti ende jeton madhështor mbi ne, o Skënderbe !
Lulet tue u rritë edhe nëpër çdo saksi e n’dritare –
Dielli tue të ngrohë në Krujë, Lezhë, në tokën kosovare !
Gjithkund kanë klithë e kanë brohoritë: “O, Skënderbe –
Ti që na shpëtove, ti që na ktheve votër e A t d h e ! ”
Kalatë u ngritën për hir tandanin deri n’qiell e n’naltësi –
Me mbrojtë qetësinë tande me shqipen të lirë n’malësi
Tash je shtri dhe po rrin mu aty ku s’të harruem
– Në tokën që për ty, përherë ka klithë dhe pa le
Aty, ku edhe gurët kanë hapë gjuhët, o Skënderbe –
Aty, ku si perëndi, e shenjt t’Madh t’dashunuem !
Aty, ku lulet thaheshin n’brymë me vesën si ar –
Të mban të gjallë ndër kohë e mote çdo shqiptar !
Po të shohim t’gjallë pranë luleve në nji, o, Kumbonë
Flakën në hinin e gjallë tue ndezë përsëri me flakë –
Tue lindë prapë vigab si lulja e re mbi saksi e gjak –
Tash me emnin tand po e shërojmë edhe sëmundjen tonë !
( GJILAN – PRISHTINË, 1963 – 1968 )
Andon Zako Çajupi: TRIM I SHQIPËRISË
![]() |
| Andon Zako Çajupi |
TRIM I SHQIPËRISË
Kush ka qenë trim një herë?
Aleksandr' i Math i vjerë,
Pirrua me shokë të tjerë
në Shqipëri kanë lerë,
Po nga të gjithë m'i zoti, -
Skënderbeu Kastrioti.
0 mbret i dashur, ku je?
Ku je, more Skënderbe?
Si duron ti nënë dhè?
Nukë të vjen keq për ne?
Që ditdnë, që 'na le,
vendi yn' u bë rajë')...
Të lutemi dit' e natë,
n'atë jetë ku ke vatë,
dërgona shpresë e uratë
të mos rrojëmë si gratë...
Të ngrihemi të lëftojmë,
Turqit ti dëbojmë,
Shqipërinë ta shpëtojmë
Dhe lir' e me nder të rrojmë.
Naim Frashëri: SKËNDERBEU
Skënderbeu
Këndo, ëngjëll, urtësinë,
edhe mirësinë,
Skënderben’ e trimërinë,
q’i dha Shqipërisë dritë.
Të lumtë goja, këndona,
me gjuhë t’ëmblë si mjaltë,
Skënderben’ e math tregona,
Trimnë burrë, Zotn’ e naltë.
Punëtë, që ka punuar
Kordhëtari i vërtetë,
Kombinë duke nderuar
dhe Shqipërinë për jetë,
nga gjiri i Perëndisë
pa m’i sill nër mënt të mija,
t’i ap dritë Shqipërisë
nga shpirt’ i ndritshim i tija.
Engjëll i bukur, pa xbritmë,
Dhe me dritët të uruar
Shko përpara mej’ e ndritmë,
Të shoh gjithë ç’kanë shkruar.
Që kur ngrehu gjithësinë
Zot i math e i vërtetë,
ka bërë dhe Shqipërinë
e shqipëtarët në jetë.
Llazar Siliqi: TRIM MBI TRIMA
Llazar SILIQI
TRIM MBI TRIMA
Trim mbi trima ai Gjergj-o Kastrioti
fuqi t’madhe qi m’i falka Zoti,
s’e djeg flaka e s’e djeg baroti!
Shpata e tij, tha, malin dyshë e çanë,
me nji t’rame, nji ushtri përlanë...
ç’bërtet sulltani i Turqisë,
Skënderbeu me luaj t’Shqipnisë,
po lufton-o hypun maje kali,
s’e ndal lumi, s’e ndal det as mali,
gjith’ ushtin’ ma çarti e ma faroi!
Lavd, o Gjergj, o Skënderbe dragoi,
krahu yt çdo ditë-o u forcoftë,
lavdit yt-o brez mbas brezi u kndoftë!
Abonnieren
Posts (Atom)






