POZIA
Ah nuk vdes dashuria,
Mijëra lumenj burojnë
Mijëra valë dashurojnë.
Oh nuk vdes bukuria,
Mijëra yje vezullojnë
Mijëra zogj ligjërojnë.
Eh nuk vritet liria,
Mijëra lule çelin purpur
Mijëra buzëqeshje flamur .
DITË E BUKUR
Qiellin ka hapur
Luleverën purpur.
Degët ka hapur
Nga mall i pritjes.
Sytë e blertë të detit
Gastare e gushës.
Flatrat shkruajnë
Dashurinë e fshehur.
Ti e bën më të dashur
Verën e prushit.
QERSHI E PRIZRENIT
Kur skuqen qershitë,
Ti na pret te dera
Paska çelur vera!
Me Drinin ilirik erdhëm
Shkumbinin e Vjosën
Vardarin Valbonën.
Himnin e lirisë,
Dhe habitemi shumë
Si i zure burrat e dheut!
Si u shkrua historia?
Ah mbetën tutje-tehu
Cepat e shamisë!
Kur lëkuqen qershitë,
Ti ndrit aurolë amshimi
Në tempullin e dashurisë.
QËLLOI ATDHEU KURRIZ
Gjithë udhët e pritnin
Shtëpi si të bënte?
Kufijtë e përgjakur
Mbeti një grusht eshtra.
Ke shumë lumenj
Sa shumë gurë!
Gjithë erërat e rrihnin
Si një gogël.
Të të hamë, të pimë
Të flemë, të rrimë.
E s’mund ta shalonin
Kurriz kish Atdheu.
URA E GJAKUT
Ura e Gjakut i thonë
Gurgjak rrënjë flamurit
Vërshon çurg në baladë
Ka marrë udhën për Janinë
Ura e Gjakut i thonë.
FLUTURIM SHQIPONJE
Ju lëvizet si drita
Si era, si yjet
Fluturuat si shqipet.
Më e madhja ish Arbëria
Më e bukura Liria.
Mbi shkëmbin e shqipes,
Te rrënjë e arbrit
Sikur të mos binit ju
Lulet nuk do të kishin ngjyrë
As liria frymë
Fluturuat si shqipet
Te shenjat e shenjta
Të gjyshërve plisbardhë
Dhe dhatë lajmin e parë
Djem kish Shqipëria
Syshqiponjë Arbëria.
ZJARRET E DRENISË
Ç’janë këto zjarre dritë
Takim me yjet
Natën kallin flakë
Pushtimin hi.
Zjarr i Ahmet Delisë
Fushës së Arbërisë
Kushtrim i Azemit
O prite-vrite heu!
Zjarr i Tahir Mehës
Çan rrethimin zi
Flakë e Adem Jasharit
Drita U Ç K !
Ç’ janë këto zjarre flakë
Takim me yjet,
Zjarret e Lirisë
Fushës së Arbërisë.
TAHIR SINANI
Një hap në Tropojë
Një në Kosovë
Tahir Gria
Ku i bie Arbëria?
Një hap në Pashtrik
Dy në Preshevë
Mic Sokol
Shigjetën hedh.
Një hap në Tiranë
Tre në Tetovë
Kufijtë e përgjakur
Mat me kokë.
Ku bie hapi, bie nami
Tahir Mal Sinani
Kushtron Shqipëria
Ka burra Arbëria!
KAPEDANI I GALLAPIT
Ditën e Madhe del nga balada
Hyn në legjendën e kombit
Sy shqiponjë, krahë petriti
Kapedan Zahir Pajaziti.
Vrap e vrap
Jep kushtrimin
Edmondi, Hakifi...
Çanë rrethimin...
Madhështor përballë Grandit
Me kallash në dorë
Koburën në brez
Lart emblemën UÇK.
Në Grand ngërdheshen horrat
Pinë uiski, luajnë me vota.
EMRIN E KANË ALBAN
I kthejnë një nga një
Në thasë najlonë
Veç shifra janë.
Një herë janë vrarë
Pastaj janë grirë
Djegur nga urrejtja.
Testi ADN zbulon
Grupin e gjakut
Dhe gjenin Alban.
Në gjak janë larë
Në shira lotësh
Mallkojnë, trishtojnë.
I kthejnë një nga një
Në thasë najlonë
Emrin e kanë Alban.
Kanë hequr shumë
Prehje kërkojnë
Një gur te koka.
NANA FATË
Ajo kishte fatin e emrit
Duke përjetuar shekullin
Me tri luftëra.
Kishte klithur në Luftën e Parë
Kishte parë Luftën e Dytë
Dhe kishte mbijetuar Luftën e Kosovës.
Ishte si të gjitha nënat,
Me të gjitha dhembjet e shekullit,
Më e dashura në botë.
Iku duke kënduar një ditë
Tha vetëm vend po ndërroj,
Nuse erdhi, nuse shkoi.
Ka mbaruar studimet pasuniversitare të letërsisë më 1974 në Prishtinë.
Nga viti 1993-1998 ishte sekretar i Forumit të Intelektualëve Shqiptarë të Kosovës .
Deri tash ka botuar vëllimin poetik “Këmisha e zjarrit, ”Rilindja”, Prishtinë, 1998 dhe veprën publicistike “Ora kombëtare”, Ars, Prishtinë, 2001. Ka në dorëshkrim edhe disa vepra të reja letrare.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe redaktor përgjegjës i revistës letrare “Metafora” të LSHK-së.
Huazuar nga ZEMRA SHQIPTARE
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen