Freitag, 21. März 2014

Frrok Haxhia, ky bard i folklorit kombëtar.

 
Nga Rrahim Sadiku
 
Në rrugën e visareve të kombit
 
(Duke lexuar veprën e Ismet Krasniqit “Frrok Haxhia, ky bard i folklorit kombëtar”)
 
Kur botës artistike iu dhuruan muzat, me sa duket, me to erdhi edhe kënga shqipe, e cila nisi udhëtimin e saj hyjnor në ato kohë fillestare të krijimit artistik e vazhdon të bëjë jetën e saj e të frymëzohot e të frymojë fuqishëm edhe sot. Kjo dëshmon se kënga popullore shqipe ka vazhduar të ushqejë lumin e krijimtarsisë gjatë gjithë ekzistimit të shoqërisë njerëzore. Ajo ka shënuar rritje të vazhdueshme, cilësie e sasie, gjatë gjithë shekujve. Këtij pohimi i bëhet argument jeta dhe vepra e bardëve të këngës shqipe dhe të këndimit shqip, që bartën nga dita në ditë, nga muaji në muaj, nge shekulli në shekull artin dhe madhështinë e krijimt në gjuhën tonë. Është kjo rrjedhë e gjatë dhe e fuqishme artistike, që artin e të krijuarit e të kënduarit shqip e pasuroi, madhëroi dhe mbajti gjallë gjithnjë, pa shkëputje. Shqip u këndua në moment hareje, po edhe në momentet më të vështira, kështu që u linden zhanre poetike nga më të ndryshmet e me to edhe një mitologji e pasur e një figuracion që të mahnitë shpirtin e mendjen. Shumica e krijusëve dhe e rapsodëve të mëdhenj të kësaj krijimtarie e të këtij virtuoziteti pa fund, kanë shkuar nga kjo botë pa e lënë të shënuar emrin e tyre, po duke na lënë prapa artin e pavdekshëm. Ka ndodhur kështu sepse shkenca e folklorit shqiptar është mjaft e re dhe në rrethanat që kaloi e po kalon ky popull, të shumtën pa kushte normale për njohjen e mirëfilltë dhe studimin sintetik dhe analitik të tyre.

Në kujtesën tonë kombëtare kanë mbetur të ditur e të njohur një numër i vogël krijuesish popullorë e rapsodësh, kurse disa prej tyre edhe në kohët më të reja kanë shkuar pa u vjelë si duhet visari i tyre artistik e kulturor. Në këtë rrjedh, të njohjes e studimit, janë të bërë të njohur e të paharrueshëm Dervish Shaqa, Salih e Feriz Krasniqi, Rizah Bllaca, Sadik Cokli, Bajrush Doda e një vastër i gjatë emrash të rapsodëve, të cilët lanë gjurmë të pashlyeshme në traditën popullore mijëvjeçare të popullit tonë. Me këtë, deri diku, është krijuar një traditë e marrjes me jetën dhe veprën e rapsodëve e krijuesve të veҫantë, duke botuar për ta monografi, studime, emetime këngës e filmime. 
Këtë traditë është duke e ndjekur, studiuar dhe bërë të nohur artisti dhe krijeusi e publicisti Ismet Krasniqi, i cili me monografinë “Shekuj zgjojnë nga gjumi”, kushtar krijuesëve dhe interpretuesëve të rrallë të këngës shqipe, Salih e Feriz Krasniqit dhe me monografinë “Frrok Haxhia, ky bard i folklorit kombëtar” ka sjell të dhëna të shumta për këta njerëz të mëdhenj të këndimit popullor shqiptar e të mbajtjes gjallë të traditës sonë, po ka botuar edhe libra e shkrime të tjera nga kjo fushë e pashterrshme e tejet e nevojshme që të njihet, të mbetet e dokumentuar dhe e future në rrugën e madhe të studimit, për sot e për gjeneratat e ardhme.
 
Monografia “Frrok Haxhia, ky bard o folklorit kombëtar”, që i kushtohet këtij artisti të madh, me rastin e 80 vjetorit të lindjes dhe kujtimit të përjetshëm për jetën e veprën e tij, na njeh me një artist madh, të rrallë, e të veҫantë, si interpretues, niohës dhe përhapës të gjithë laramanisë zhanrore e tipizuese të këngës shqipe.

Autori ka ndjekur zhvillimin intelektual dhe artistik të Frrok Haxhisë dhe këtë e ka bërë natyrshëm, pa sforcime, pa pozime prej narrator. Andaj kënaqemi duke udhëtuar përmes rrugëtimit të tij artistik, i cili shpie në rrugën e “visareve të kombit”, si quhej ne shekullin e kaluar ajo trashëgimi popullore që ruhejm krijohej, vilej dhe botohej parreshtur në Shkodër e gjetiu. Me këtë botim Ismeti ndjek rrugën e trasuar nga Gjergj Fishta, Vinҫenc Prenushi, Donat Kurti e shumë të tjerë,të cilët me njohjen, përkushtimin dhe kujdesin e treguar, bënë që krijimtaria jonë shekullore të shihte dritën e të radhitej ndër letërsitë me vlerë të përbotshme.

Monografia na njeh me mjedisin që e ka lindur, krijuar, nderuar dhe adhuruar këtë njeri të madh dhe këtë na e dëshmon me të dhëna, me fakte, me analiza. Se është kështu e pohon Frroku në një intervistë, kur thot: “U rrita në odat e malësisë, u frymëzova dhe u burrërova në to, në këmbimet e mendimeve, fjalëve, tregimeve e këngëve folklorike nga burrat dhe artistët kohës. Në fëmijëri fillova t’i bie çiftelisë, që nga mosha 14 vjeçare.” Të gjitha këto pastaj i dëshmon me arritje konkrete të Frrokut, me mendime të të tjerëve për të, me fotografi të shumta, që e ilustrojnë bindshëm e gjithanshëm tekstin. Vazhdohet mandej me mendime të Frrokut për artin popullor dhe për studimet për të, botohen edhe intervista të zgjedhura që ky krijues dhe interpretues i rrallë i këngës shqipe, ka dhënë për shtypin shqiptar, po edhe me të dhëna të tjera që e plotësojnë dhe nxjerrin në dritë si e meriton artistin e pavdekshëm. Edhe më të plotë këtë libër e bëjnë kushtimet, mendimet, krijimet dhe veprimtaritë tjera, që bashkëkohanikët e Frrokut kanë thënë për të, të gjitha të mbështetura në vlerat e tij si artist, si njeri dhe si veprimtar. Kudo, në vepër duket e përjetohet dashuria e madhe e Frrokut për kombin, për vlerat e tij e sidomos për Kosovën martire. Nga gjitha ato mendime e vlerësime të thëna për Frrok Haxhinë, do të kisha ndarë atë që e thot rapsodi e i madhi Dervish Shaqa: “Frroku këndon mirë, se kënga e tij është origjinale pa imitime, ai je vetvetja. Frroku, këndon si Frroku....”

Dhe, në veprën “Frrok Haxhia, ky bard o folklorit kombëtar” të Ismet Krasniqit e gjejmë Frrok Haxhinë të plotë, me të gjitha vlerat e jetës dhe të veprës së tij.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen