Sonntag, 6. April 2014

Arsim Kajtazi - Përtej kohës


PËRTEJ KOHËS

1.
Si fëmijë më pëlqente të mbaja një orë dore. Dukej se kështu rritesha më shpejt, duke e matur kohën. Pastaj më lindi dëshira që ato t´i ndërroja. I ndërroja sepse e vjetra nuk më pëlqente dhe lakmoja një orë të re. Nuk ishte vetëm forma e jashtme që më ngacmonte dëshirën për ndërrime. Dhe kështu, prore, pa pritur e pa kujtuar ose kur më dilte qejfit, e dëmtoja tashmë orën e vjetër, ia thyeja xhamin, apo ia prishja ndonjë pjesë, dhe sërish kërkoja orë të re…
Më dukej se ato masnin diç më ndryshe dhe përherë synoja një kohë tjetër!

2.
Prapë, edhe pasi u rrita më dilte punë e telashe pikërisht me kohën. Mundohesha ta bind veten se kohën nuk mund ta masja me asnjë orë. Nuk më pëlqente koha që po kaloja e jetoja…

3.
Duke ndërruar orët më bëhej se ndërronin kohët, e kështu habitshëm nisa t´i ndërroj edhe zogëzat… Nëse nuk më shkonte mirë koha me ndonjërën sipas orës që kisha, e ndërroja edhe orën edhe atë, sepse zakonisht ato vërenin dëshirën time për orët, dhe si dhuratë për ditëlindjet apo ndonjë aheng të veçantë, më dhuronin pikërisht orë. Ato më dhuronin shpesh orë, madje dhe aso të shtrenjta, që të kisha mendjen më gjatë në ndonjërën prej tyre dhe të robërohesha në kohën e dashurisë. Isha aq i ndjeshëm në këto dhurata që mëtonin të më robëronin vetëm në një kohë dashurie! Por, ato vetëm mund të dëshironin këtë robërim, sepse unë isha i parobëruar, sepse nuk jetoja vetëm në një kohë. Mëtoja së paku me diçka të ndërronte koha, dhe se në atë rrjedhë ndryshimi ajo po sillte një risi. Edhe të vluaruat kujtonin se koha e dashurisë vinte më mirë dhe ishte e çmueshme si ora, madje më e çmueshme se ajo...
Çdo gjë rrjedh, çdo gjë ndryshon, apo jo, Herakliti im! I thosha shpesh vetes përpara pasqyrës!...

4.
Por, atëherë kur prishej dashuria me to, orët e tyre dhuratë i fërfëlloja diku në ndonjë kënd, derisa bëheshin hedhurinë. I hidhja në kutinë e orëve tashmë mbeturina, dhe ato pritej që një ditë të përfundonin diku në bërllokun e qytetit…
Nisa ta lodhë mendjen edhe me befasitë e atyre që separonin hedhurinat kur do të hasnin në orët e mia që kishin mbetur tashmë jashtë kohe. E si do ta masnin ata kohën me to, nëse u pëlqejnë!? Mos do ta kenë fatin tim!?

5.
Kohë e ndryshkur, orë e ndryshkur, shpirt e kujtime të ndryshkura. Një gërmadhë kohësh që nuk mund të matej me asnjë orë. As Sahatkulla nuk më pëlqente më, as ora në Katedralën e  qytetit që shoqërohej me kumbimin e kambanave… Kërkoja një kohë tjetër, jashtë kohe!
Amshimi si mund të arrihej?!

6.
Duke menduar thellë se përse po merresha aq shumë me kohën dhe gjurmët e saj, kisha arritur të kap vetveten në mendime të zëshme:
Me Orën e Diellit do të mas kohën e zgjimit tim...
Me Klepsidren e mas kohën e etjeve të mia të pashuara...
Me Orën e rërës e mas peshën e gurit tokërlitës të Sizifit, që në rrokullimë shndërrohet në  muranën time...
Sahatkullën e glacojnë sorrat dhe tik-takun ia kafshojnë krrokamat kobçare, por ajo prapë rrah dhe zërin që vie i shurdhër nga minareja e bënë më enigmatik, sikur vie nga kohë të errëta që kohësisht është vështirë të kapen...
Dhe së fundi, pasi rrahu kambanarja e Katedralës së qytetit, shikoja sa është e saktë Ora në dorën time...
Mbeta duke dëgjuar të rrahurat e zemrës, që me dukej se nuk gënjenin se jam gjallë...

7.
Kam kohë ta mas kohën... kohën e mbetur përtej kohës e lë të sorollatet brenda meje. Me çfarë ta mas kohën, kur gjithnjë më del mangut, edhe atëherë kur kujtoj se kam kohë mjaftë?! I cilës kohë jam unë?! Të kësaj kohe i kam vetëm petkat. Më duket trupi dhe shpirti im janë të një kohe shumë të hershme. Njësoj ndiej prekjen, përkedheljen, shtrëngimin e duarve. Njësoj mendoj për urrejtjen dhe dashurinë.
Koha jam vetë.  Jetoj në kohën që ma bëjnë dhe e bëj. E bëj kohën dhe ajo ecën edhe kur unë rri, si kur je ulur në tren e të bëhet se po ecën kur niset treni tjeter! Iluzioni i ecjes na ushqen me shpresë edhe kur nuk mund ta bëjmë një hap përpara! Kjo është kohë e iluzionit, kohë e mashtrimit të bukur, kohë e mashtrimit të keq. Kohë relative midis iluzionit, diçka që edhe është edhe nuk është. Kohë e jetës së mashtruar. Mbetet edhe shumçka për t´u provuar në kohë, dhe të mos bindemi kurrë se jemi mashtruar. Kjo është kohë e iluzioneve që prore premtojnë ndërrime ndërsa sillemi në rreth të mbyllur! Kohë premtimesh... kohë mashtrimesh... Kohë e Besës... kohë e kmesës!
Jam bërë si i çmendur duke bredhur nëpër kohë për ta ndarë mashtrimin nga njëmendësia!
Më duhet të bind veten se edhe mashtrimi është njëmmendësi, pa të cilën nuk mund të jetoj  asnjë çast...

8.
Ora e zgjimit të pritur...
Nisa të këndoj si Orfeu me zgjimin mëngjesor. Madje unë ishta zgjimi vetë, dhe më nuk kisha nevojë ta mas kohën. Harrohem në këngë tek ia dridh telat kitarës.


9.
Ora e zemrës po trokiste më shumë se në takimin tim të parë të dashurisë. Tashmë e ndieja se kisha rënë në një dashuri të thellë, kohën e së cilës nuk kishte orë që ta maste. Atë e masja me të rrahurat e zemrës tek bëheshin aq të thekshme, më të vrullshme se kur prisja takimin me të vluarën time.


10.
Ora e gjumit të përjetshëm… e si matet koha e gjumit?! Prapë zemra me orën e zgjimit e kupton se sa ka fjetur në ëndërr, që gjumin e bënë jetë, jetë e përtej jete. Gjumi është jetë e amshuar.  Edhe të vdekurit nisën të më ngjajnë se janë në gjumë. Tërë kohën duke  kujtuar të vdekurit, ëndërroj jetën. Jetën në një hapësirë të tejskashme ndriçuese.


11.
Orën  e ringjalljes... dëgjoj kambanat e kumtit përtëritës. Por çasti më bëhej shekull e përtej shekulli!

Kjo është ora e ringjalljes që tashmë nuk ka nevojë të matet me asnjë orë. Pos me zemrën ndriçuese që me dashuri matë kohën e jetuar dhe kohën e kaluar, që mishërohen në kohën që pritet të zgjohet në faqe dheu e gjithësie. Aty gudulisem me të Bukurën e Dheut  dhe  më mbushet shtëpia plot fëmijë që harrohen në lojën e gëzueshme, pa pasur nevojë të masin kohën. 
Ajo nuk më dhuroi kurrë ndonjë orë që ta masja kohën e dashurisë. Koha për të ishte e pamatshme: ”Unë të dhuroj zermrën për ta matur kohën që jetojmë së bashku!”
Ma ka thënë disa herë si përkujtim se dashuria matet me të rrahurat e zemrës.
“Zemra nuk është më vetëm imja!” 
“Edhe zemra ime tani rrah vetëm për ty dhe fëmijët tanë që do të vijnë në këtë jetë!”
Dhe erdhi dita që kohën ta masja me të rrahurat e zemrave të tyre.
Unë jam zemra e zemrave dhe ajo pagëzohet me ndriçim të agullimit, që është edhe lindje edhe perëndim, është amshimi vetë përtej natës e përtej ditës.
Jeta nuk matet me asnjë orë!

12.
Hapa sytë dhe pashë veten të kërrusur e me rrudha bërë palë-palë fytyrës. Orën me qëstek e kishta futur në xhep dhe atë rrallë e shikoja. E dija kohën sepse gjelat kishin kënduar tre herë para agullimit. Mjaftë kisha ëndërruar e jetuar. Tani duhet jetuar jetën ende me sy çelur derisa të vjen koha e gjumit... e zgjimit... e gjumit... e zgjimit... Koha e këndezve që i këndojnë agullimit.
Hej...  një ditë tek po më qetësohej frymëmarrja në një vizion ëndërrimi pashë një grumbull orësh të prishura, të ndryshkura. Orët e gjithë botës i pashë në një varrezë gjigante. Vërtet koha do të matet ndryshe?! Dëgjoja zëra përtej kohës...

Deidesheim, maj 2008

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen